Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

Gjykata pushon padinë SLAPP ndaj banorëve të Kaçinarit

23 December 2025 at 15:52

Gjykata e Lezhës pushoi padinë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” ndaj dy banorëve të zonës së Kaçinarit në Mirditë, të cilët qenë akuzuar për shpifje dhe prishje imazhi. Vendimi mbyll një proces të konsideruar gjerësisht nga grupet kundër hidrocentraleve si përpjekje për të heshtur rezistencën e komuniteteve.

Padia ishte ngritur ndaj Gjergj Dedës, kryeplak i fshatit Simon, dhe Gjon Ndojt, pas deklaratave kundër ngritjes së katër hidrocentraleve nga “Shpërdhaza-Energji” në fshatrat e Mirditës.

Padia qe depozituar më 17 mars dhe lidhej me qëndrimet e shprehura nga dy banorët në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Mirditës, që ishte mbajtur tre javë më përpara, më 24 shkurt.

“Kam thënë s’kanë dokumente, s’kanë leje mjedisore, ujore,” tha Deda për Citizens.al, sipas së cilit kompania ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

Sipas avokatit të banorëve, Marash Logu, kompania i cilësoi deklaratat si të pavërteta dhe cenuese për reputacionin e saj.

Mirëpo, pas rreth nëntë muajsh, gjykata ka vendosur ta pushojë çështjen. Shkak është bërë mosparaqitja e vazhdueshme e përfaqësuesve ligjorë të kompanisë. Si rrjedhojë procesi nuk avancoi kurrë në shqyrtim themelor.

Paditë SLAPP si mënyra për të heshtur banorët

Paditë e tilla, të cilat synojnë kryesisht frikësimin dhe stepjen e zërave kundërshtues, njihen shkurtimisht si “SLAPP”.

Rasti i Kaçinarit nuk është i izoluar. Në tetor 2025, banorët e Zall Gjoçajt që prej vitesh protestojnë kundër hidrocentraleve në atë zonë u gjendën të paditur për shpifje dhe fyerje nga kompania “Seka Hydropower”.

Kompania pretendon se tre banorët e paditur gjatë organizimit të një proteste në Lufaj të Mirditës në korrik 2025, i kanë dëmtuar figurën, përmes komunikimit që kanë pasur për mediat. Çështja vijon të trajtohet nga gjykata e Lezhës.

Organizata dhe juristë vërejnë se paditë SLAPP po përdoren shpesh nga kompani private për të intimiduar komunitetet që kundërshtojnë projekte me ndikim mjedisor.

Këto padi nuk synojnë domosdoshmërisht suksese ligjore, por lodhjen psikologjike dhe financiare të aktivistëve, përmes proceseve të gjata gjyqësore.

Diana Malaj, juriste dhe përfaqësuese e grupit ATA, i cili ka mbështetur vazhdimisht komunitetet në kundërshtimin e projekteve të HEC-eve, theksoi për Citizens.al se pasojat janë të thella dhe afatgjata.

“Mund të shoqërohet më demotivim të aktivistëve, stres e depresion, […] me një presion të jashtëm e periferik, që mund t’u vijë nga persona të tjerë të rrethit të tyre familjar apo miqësor,” analizon Malaj.

“Mundet t’i rëndojë shpirtërisht fakti që bëhen pjesë e një procesi penal, pra ndihen të kriminalizuar”, vijoi ajo.

Në Shqipëri nuk ekziston ende një kuadër i posaçëm ligjor kundër padive SLAPP. Megjithatë, sipas Malajt, janë planifikuar ndryshime deri në verën e vitit 2027, përfshirë transpozimin e Direktivës Anti-SLAPP të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes dhe të drejtën e protestës, të cilat shpesh sprovohen përmes këtyre padive.

Por, sipas Malajt, efektet e padive SLAPP mund të jenë edhe të kundërta.

“Ato mund të riaktivizojnë solidaritetin dhe të forcojnë këmbënguljen për të protestuar e folur publikisht,” tha ajo teksa nënvizoi se këto efekte shpesh anashkalohen nga paditësit.

Banorët e Kaçinarit kundërshtojnë projektin e katër hidrocentraleve të “Shpërdhaza-Energji” që prej vitit 2019. Ata pretendojnë mungesë konsultimi publik, shkelje ligjore dhe falsifikim të firmave të banorëve.

Protestat janë zhvilluar në bjeshkë, para Ministrisë së Infrastrukturës, por edhe para Gjykatës së Lezhës.

Shqetësimi kryesor mbetet devijimi i burimeve ujore dhe dëmet mjedisore, që sipas banorëve mund të jenë të pakthyeshme nëse punimet vijojnë.

Lexo gjithashtu:

The post Gjykata pushon padinë SLAPP ndaj banorëve të Kaçinarit appeared first on Citizens.al.

Before yesterdayMain stream

“Rama dhe Balluku na vodhën festat”; Lëvizja Bashkë kërkon drejtësi

19 December 2025 at 15:35

Qytetarë dhe mbështetës të Lëvizjes Bashkë protestuan sërish të enjten para Kuvendit. Ndryshe nga një javë më parë, ku protesta u përqendrua te buxheti, kësaj here thirrja kryesore ishte kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.

Në fokus ishte kërkesa për heqjen e imunitetit të zëvendës kryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Protestuesit shprehën nevojën për t’u organizuar në vazhdimësi në përpjekjet për të kërkuar drejtësi dhe luftë ndaj korrupsionit. Në këtë kontekst ata përmendën edhe rastet e dyshuara për abuzime me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) duke theksuar se korrupsioni tashmë ka kapur qeverinë dhe shumicën e institucioneve të vendit.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, tha se vjedhja është bërë normale për qytetarët. Sipas tij, korrupsioni është përsëritur për vite me radhë pa pasoja dhe tanimë qytetarëve nuk u bën përshtypje.

Duke iu drejtuar banorëve të Astirit, Muçi foli për mungesën e shkollave publike. Ai tha se fondet e dyshuara të abuzuara do të mjaftonin për ndërtimin e dhjetë shkollave të reja.

Muçi përmendi edhe situatën e pensionistëve dhe shëndetësinë. Ai e krahasoi shumën e përfolur në media si të vjedhur gjatë aferave të dyshuara korruptive të zëvendëskryeministres me gjysmën e fondit vjetor për bonusin e pensionistëve.

“Për të gjithë ju pensionistë, që bonusin e fundvitit për herë të fundit e morët për këtë vit, kujtohuni se ato 50 milionë euro që hëngri Belinda dhe Edi Rama janë sa gjysma e parave që shpenzohen në vit për bonusin e 700 mijë pensionistëve”, tha Muçi.

Aktivisti Klodi Leka denoncoi pabarazinë para ligjit. Sipas tij, qytetarët ndëshkohen për shkelje të vogla, ndërsa zyrtarët e korruptuar mbrohen nga imuniteti dhe përkrahja politike.

Për këtë ai paralelizoi me faktin se qytetarët e thjeshtë janë ndëshkuar për vepra të rëndomta si ndërtimi i një muri pa leje, apo rilidhja e energjisë elektrike, ndërsa pushtetarët nuk dënohen pavarësisht rasteve korruptive.

“Në Shqipëri nëse ti vjedh qindra, miliona euro, nëse vjedh popullin më të varfër në Evropë, ti jo vetëm nuk shkon në burg, por edhe mbrohesh nga numri një i pushtetit”, tha Leka, duke e cilësuar këtë si shenjë të kapjes së shtetit.

Pedagogu Jani Marka, njëherësh anëtar i Lëvizjes, renditi pasojat e qeverisjes së Ramës në jetën publike.
Ai përmendi betonizimin, kanabizimin e vendit, pastrimin e parave dhe shkatërrimin e industrive vendase.

Sipas Markës, ndryshimet ligjore janë përdorur për manipulim zgjedhor dhe këto ndërhyrje kanë shërbyer më pas për të zgjatur pushtetin.

“Edi Rama ka ndryshuar Kushtetutën, Kodin Zgjedhor sa herë i ka dashur qejfi, vetëm për të vjedhur dhe për të manipuluar vullnetin e popullit për më shumë mandate dhe për më shumë vjedhje”, theksoi Marka.

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, bëri një retrospektivë të qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama teksa theksoi se, sipas tij, në këto 13 vite është bërë gjithçka për të varfëruar qytetarët dhe për të pasuruar pushtetarët.

Qori përmendi fondet e BE-së për bujqësinë dhe shpopullimin masiv. Sipas tij, rreth 700 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi.

“Kanë përzënë nga vendi ynë të paktën 700 mijë shqiptarë. Kanë poshtëruar pensionistët”, theksoi mes të tjerash Qori.

Përfaqësues të tjerë të Lëvizjes Bashkë theksuan se Balluku nuk ka vepruar pa dijeninë apo miratimin e Ramës si Kryeministër. Ata e akuzuan atë për mbrojtje politike.

“Rama po përpiqet të shpëtojë veten përmes Ballukut,” deklaroi Emiljando Kita, i cili e përshkroi situatën në krizë besimi ndaj drejtësisë.

Protestuesit kërkuan njëzëri që Rama dhe Balluku të mbajnë përgjegjësi penale për çështjet e ngritura. Ata shprehën mbështetje për institucionet e drejtësisë në hetimet e nisura.

Një javë më parë, Lëvizja Bashkë protestoi kundër ndarjes së buxhetit për vitin 2026. Sipas tyre, buxheti nuk u përgjigjet nevojave reale të qytetarëve duke cilësuar ndarjen kryesore për koncesionet si tregues të qartë se ku shkojnë paratë.

Lexo gjithashtu:

The post “Rama dhe Balluku na vodhën festat”; Lëvizja Bashkë kërkon drejtësi appeared first on Citizens.al.

Mësuesit në protestë: “Diferencimi në rroga dhe mungesa e pagës së 13-të po cenojnë dinjitetin”

18 December 2025 at 18:15

Mësues dhe punonjës të sistemit arsimor protestuan mesditën e së enjtes para Kuvendit. Ata drejtuan dy kërkesa kryesore: rikthimin e pagës së 13-të dhe ndalimin e diferencimin në rroga mes arsimtarëve që janë diplomuar para dhe pas sistemit të Bolonjës.

Në qershor të vitit 2024, Ministria e Arsimit miratoi rritjen e pagave për mësuesit, mesatarisht 18 mijë lekë të reja në muaj. Por kjo rritje nuk ka prekur mësuesit që janë diplomuar para sistemit të Bolonjës, duke pasur një diferencë prej 5 mijë lekësh në pagë.

Alma Lama, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar sqaron se kjo prek rreth 12 mijë mësues.

“Ne Sindikata e bashkuar e Arsimit Shqiptar jemi sot përpara parlamentit të Shqipërisë, me qëllim që ti kërkojmë deputetëve të çdo krahu politik të mbështesë mësuesit. Numri i mësuesve të prekur nga diplomat është mbi 11 mijë dhe ndjeshmëria duhet të ishte edhe më e madhe”, u shpreh Alma Lama para mësuesve të mbledhur para Kuvendit.

Sindikata ka ndërmarrë një nismë për ndryshime ligjore me qëllim që ti jepet fund këtij diferencimi të arsimtarëve, e mbështetur nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

“Në nenin 124, pas pikës 4, të shtohet pika 4.1, me përmbajtje si më poshtë: personat e diplomuar me programe studimi të përfunduara, para përshtatjes së tyre sipas parimit të procesit të Bolonjës, të trajtohen nga ana administrative dhe financiare sipas nivelit diplomës që kanë pasur përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji”, theksoi Alma Lama, duke nënvizuar se kjo përfshin diplomat e programve 3-vjeçare dhe diplomat master profesional.

Një nga mësueset e pranishme në protestë u shpreh se janë etiketuar si të pashkollë, duke qenë të diferencuar nga mësuesit e sapo diplomuar së fundmi. Deputetja Ina Zhupa deklaroi para mësuesve se njohja e diplomës para sistemit të Bolonjës është një padrejtësi e bërë nga ish-ministrja Manastirliu.

“Për të kursyer me demek lekë në buxhetin e shtetit, ato para që kursehen nga ju, harxhohen për të bërë 10 metra rrugë”, deklaroi deputetja Zhupa.

Ndërsa për kërkesën për pagë të 13-të ajo u shpreh se është një e drejtë që buron edhe nga kontrata kolektive.

“Ju nuk merrni asnjë mbështetje nga shteti, kur gjithë sistemi SMIP dhe gjithçka tjetër e bëni pa asnjë para, me bëni me internetin tuaj, e bëni në kohën tuaj, e bëni me buxhetin tuaj. Ndaj paga e 13-të do të ishte minimumi për ju”, u shpreh më tej deputetja Ina Zhupa.

Të njëjtin mendim ndau edhe deputetja Erisa Xhixho.

“Në qoftë se do ta kisha një vendimmarrje, pagën e mësuesit do ta vija pas pagës së presidentit në hierarkinë e pagave, sepse domosdoshmëria për të pasur një sistem arsimor cilësor është jetike. Ta çojmë buxhetin e arsimit 5% dhe ti japim pagën e merituar, dinjitetin e merituar mësuesve”, përfundoi ajo.

Mësuesit e pranishëm në protestë u shprehën se bëhet fjalë për dinjitetin e tyre dhe se ndjehen të nëpërkëmbur.

“Me paga 700-800 mijë lekëshe do të hyjmë në bashkimin Evropian? Vetë e kanë deklaruar që minimumi i pagës së shtresës së mesme duhet të jetë 1 milion e gjysmë (të vjetra). E kemi gjysmë për gjysmë”, u shpreh Marina Llozhi, mësuese prej 40 vitesh në arsimin shqiptar.

Ajo tha për Citizens.al se rritja e pagës, e kryer një vit më parë nuk justifikon ngarkesën që mësuesit kanë.

“Ne punojmë me përkushtim, i jemi përgjigjur të gjitha kërkesave të Ministrisë së Arsimit, jo Zoom-it, jo SMIP-it, jo digjitalizimit, jo tabelave të “smartlab” dhe të gjitha këto në shumicën e rasteve me paratë e mësuesit”, u shpreh Marina Llozhi.

Sipas saj, çdo gjë është mundësuar nga ajo personalisht për të siguruar një orë mësimore digjitale.

“Unë personalisht kam laptop personal, kam video projektor personal, kam bokse personale, që realizoj digjitalizimin që kërkon Ministria e Arsimit, ndërkohë që si do ta bëj digjitalizimin, kur nuk është rritur buxheti për arsimin”, shtoi më tej mësuese Marina.

Në tjetër mësues pjesëmarrës në protestë, tregon se ngarkesa është shtuar jashtëzakonisht.

“Mësuesit duhet të bëjnë shumë role dhe në mënyrën më të përkryer të mundshme. Në një moment që çedon, flaket tej. Një nga pikat kryesore është shpërblimi. Deri në vitin 2012-2013 ka ekzistuar, por pastaj u hoq. Punën e bëjmë me përkushtim, por vlerësimi është i ulët”, u shpreh ai.

Ndërsa shtoi më tej se edhe pse misioni i mësuesit është të përgatisë nxënësit nga ana intelektuale, tanimë kjo gjë po kalon në plan të dytë.

“Ndërkohë po kalojmë në planet kryesore të edukimit apo më keq akoma, të policit. Po menaxhojmë situata që duhet të menaxhohen tjetërkund”, përfundoi ai.

Në ligjin 80/2015, “Për arsimin e lartë” përcaktohet se diplomat e programeve të studimit që kanë zgjatur 3 vite (6 semestra), janë ekuivalente me diplomat “Bachelor”.

Ndërsa diplomat e programeve të studimit, që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike (8 semestra) janë ekuivalente me diplomat “Master i shkencave”.

Lexo gjithashtu:

The post Mësuesit në protestë: “Diferencimi në rroga dhe mungesa e pagës së 13-të po cenojnë dinjitetin” appeared first on Citizens.al.

“Ping-pongu” gjyqësor për HEC-et e Kaçinarit përfundon në Gjykatë të Lartë

16 December 2025 at 16:43

Pas gjashtë vitesh sorollatje institucionale, çështja e banorëve të Kaçinarit në Mirditë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e katër hidrocentraleve nga kompania “Shpërdhaza Energji”, do t’i kalojë Gjykatës së Lartë.

Vendimi pritet të përcaktojë nëse rasti i tyre do të gjykohet nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) apo nga Gjykata e Lezhës.

Vendimi i GJKKO-së dhe përplasja e kompetencave

GJKKO vendosi të martën t’ia delegojë çështjen Gjykatës së Lartë, e cila do të përcaktojë gjykatën kompetente për shqyrtimin e kallëzimit të bërë nga 13 banorë të Kaçinarit, një kallëzim që mban datën 25 nëntor 2019.

Kallëzimi i tyre përfshin pretendime për shkelje në dhënien e koncesionit për ndërtimin e hidrocentraleve.

Sipas avokatit të banorëve, Marash Logu, ai përfshin edhe ish-kryetarin e bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj. Për këtë arsye, rasti duhej të hetohej nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe të gjykohet nga gjykatat e posaçme.

“Akuzat penale ndaj ish-kryetarit të bashkisë nuk mund të hetohen nga Prokuroria e Lezhës dhe për rrjedhojë të gjykohen nga Gjykata e Lezhës,” theksoi avokati Logu duke cituar Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale.

Endje prej vitit 2019

Avokati Logu shpjegoi për Citizens.al se kallëzimi i banorëve u depozitua fillimisht në atë që asaj kohe njihej si Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por ajo shpalli moskompetencë dhe e dërgoi çështjen në prokurorinë e Lezhës.

Në vitin 2020, prokuroria e Lezhës ia përcolli sërish çështjen SPAK-ut, një prokurori e re e posaçme, e cila sapo ishte formuar. SPAK-u e ktheu dosjen mbrapsht, duke vijuar ping-pongun institucional.

Në vitin 2021, Prokuroria e Lezhës kërkoi pushimin e çështjes, duke pretenduar se “nuk ka shkelje”. Por Logu tregoi se Gjykata e Lezhës dhe ajo e Apelit Shkodër vendosën kundër.

“Prokuroria duhej të kryente hetime të tjera për shkak se ekzistonin dyshime se mund të kishte shkelje nga disa persona të përfshirë në procedurat e koncesionit,” tha avokati Logu.

Gjykata e Lezhës i dha prokurorisë 90 ditë kohë për hetimet shtesë. Por sipas avokatit Logu, këto hetime zgjatën katër vite, në kundërshtim me vendimet gjyqësore.

Në vitin 2025, prokuroria e Lezhës paraqiti sërish kërkesë për pushimin e çështjes dhe në këtë pieriudhë gjykata vendosi t’ia përcillte dosjen GJKKO-së për kompetencë.

Kjo e fundit, me vendimin e sotëm, ia kalon për qartësi vendimmarrjeje Gjykatës së Lartë, e cila sipas avokatit Logu, pritet të marrë të paktën tre muaj për t’u shprehur.

“Çështja më pas ose do t’i kthehet GJKKO-së, ose Gjykatës së Lezhës”, u shpreh avokati Logu, ndërsa shtoi se cilado gjykatë ta shqyrtojë çështjen, do të marrë edhe ajo kohën e saj duke nënkuptuar këtu kohë shtesë për drejtësinë.

Beteja e banorëve të Kaçinarit për ujin

Banorët e Kaçinarit e kanë kundërshtuar projektin koncesionar të katër hidrocentraleve të kompanisë “Shpërdhaza Energji” që në vitin 2019. Ata pretendojnë shkelje të rënda ligjore, përfshirë mungesën e konsultimit publik dhe falsifikimin e firmave.

Prej asaj kohe, ata kanë zhvilluar protesta dhe beteja ligjore për ndalimin e projektit.

Në muajt mars, prill, maj dhe korrik 2025, protestat u zhvendosën në bjeshkë, më pas para ministrisë së Infrastrukturës dhe më tej para gjykatës së Lezhës ku u kërkua ndalimi i punimeve.

Shqetësimi kryesor lidhet me dëmet mjedisore dhe devijimin e burimeve ujore, që sipas banorëve mund të jenë të parikuperueshme nëse punimet nuk ndalen në kohë.

Sipas avokatit Logu kompania ka vijuar punimet, pavarësisht se lejet e ndërtimit, mjedisit dhe shfrytëzimit të ujërave kanë tejkaluar afatet ligjore.

Lexo gjithashtu:

The post “Ping-pongu” gjyqësor për HEC-et e Kaçinarit përfundon në Gjykatë të Lartë appeared first on Citizens.al.

Rikthimi i ministres Balluku në detyrë pritet me protestë nga Lëvizja Bashkë

15 December 2025 at 16:46

Rikthimi në detyrë i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u prit me reagime të forta nga Lëvizja Bashkë, e cila e ka konsideruar simbol të pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të pushtetit.

“Balluku në burg!” ishte parulla që Lëvizja Bashkë shkroi në muret dhe derën kryesore të ministrisë paraditen e së hënës, teksa bënë thirrje për një protestë të përgjithshme para Kuvendit të enjten.

Sipas Lëvizjes, rikthimi i Ballukut në detyrë përbën fyerje për qytetarët e ndershëm dhe minon besimin publik te drejtësia dhe institucionet shtetërore.

Parullat u fshinë menjëherë nga administrata e ministrisë, pa asnjë reagim zyrtar mbi aktin protestues.

Gjykata Kushtetuese vendosi të premten rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, të cilën Prokuroria e Posaçme e akuzon për abuzime me tenderët e disa prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Vendimi erdhi pas shqyrtimit të ankimimit të Kryeministrit Edi Rama kundër një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme, e cila e kishte pezulluar nga angazhimi në qeveri.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, e cilësoi aksionin e së hënës simbolik dhe shprehje të indinjatës qytetare ndaj sipas tij, një “realiteti institucional të deformuar”.

Ai theksoi se Balluku administron një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit. Ndërkohë, SPAK ka ngritur akuza për abuzime me tenderë, me një dëm të pretenduar prej 50 milionë eurosh.

Muçi krahasoi rastin me situatën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim. Sipas tij, kjo krijon standarde të dyfishta në trajtimin e pushtetit.

“Nga njëra anë kemi ministren që mban në dorë pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, ndaj së cilës ka akuza të rënda për abuzime në tenderë,” tha Muçi, ndërsa nga ana tjetër “kemi një kryetar bashkie që ndodhet në paraburgim dhe që pretendon që këshilli bashkiak t’i marrë mendimin nga qelia për miratimin e buxhetit të bashkisë”.

Lëvizja ka paralajmëruar një protestë tjetër ditën e enjte, në orën 18:00, para Kuvendit. Kërkesat përfshijnë dorëheqjen e Kryeministrit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Më herët, lëvizja protestoi kundër buxhetit të vitit 2026, duke e cilësuar atë të pabarabartë dhe përjashtues për shtresat më të varfra të shoqërisë.

Lexo gjithashtu:

The post Rikthimi i ministres Balluku në detyrë pritet me protestë nga Lëvizja Bashkë appeared first on Citizens.al.

Gjykata Kushtetuese rikthen Belinda Ballukun në detyrë

12 December 2025 at 17:11

Gjykata Kushtetuese me shumicë votash vendosi të kthejë në detyrë zëvendës kryeministren Belinda Balluku.

Vendimi i marrë sot, pas një mbledhjeje që zgjati tre orë, vjen pas shqyrtimit të ankimimit të Kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme.

Për shkak të interesit të lartë publik, Gjykata Kushtetuese deklaroi se pikat e tjera të ankesës do të shqyrtohen në një seancë plenare publike, ku do të thirren SPAK, GJKKO, Presidenti dhe Kuvendi.

Kërkesa u mor për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese më 3 dhjetor 2025, mirëpo u shty për shkak të kompleksitetit të vetë çështjes dhe volumit të materialeve.

Pezullimi nga detyra i zëvendës kryeministres Belinda Balluku bëri që Kryeministri Rama t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar mes Kryeministrit, Këshillit të Ministrave si dhe vetë GJKKO-së.

Sipas SPAK, Balluku shkeli barazinë në tenderët për tunelin e Llogarasë dhe në lotin e katërt të Unazës së Madhe në Tiranë, tenderë me vlerë mbi 200 milionë euro.

Në deklarimet e tij, Rama e përshkroi pezullimin e ministres Balluku si shfaqje të “dobësive” të një pushteti “krejt të ri” që synon të ruajë pavarësinë.

Qëndrimet publike të Kryeministrit kundër pezullimit të Ballukut, sollën reagim të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, që i konsideruan si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatave te Posaçme që po merren me çështjen.

Mirëpo, Kryeministri Rama u shpreh se nuk do të reshte me deklaratat e tij, pasi ishte palë në gjykim.
Rasti i zëvendës Kryeministres Balluku, nuk është i pari i fugurave kryesore të pushtetit që jep llogari para drejtësisë.

Ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj janë duke u gjykuar nga GJKKO.

Ndërsa Kryeministri Rama ka shtuar presionin ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, duke arritur kulmin pas masave të sigurimit për zëvendës kryeministren Balluku.

Lexo gjithashtu:

The post Gjykata Kushtetuese rikthen Belinda Ballukun në detyrë appeared first on Citizens.al.

Organizatat e medias dënojnë kërcënimet ndaj gazetarit Osman Stafa

12 December 2025 at 16:05

Kërcënimet ndaj gazetarëve po shndërrohen në praktikë shqetësuese në Shqipëri, veçanërisht kur ndodhin pas raportimeve që prekin institucionet publike dhe mungesën e llogaridhënies.

Rasti i fundit ndaj gazetarit Osman Stafa, pas raportimeve nga Onkologjiku, rikthen në qendër të vëmendjes cenueshmërinë e gazetarëve në terren dhe mangësitë në garantimin e sigurisë së tyre.

Rasti i gazetarit Osman Stafa

Një kërcënim me jetë iu dërgua gazetarit Osman Stafa në “Instagram”, pas raportimeve të tij për kushtet në Spitalin Onkologjik. Mesazhi i kërkonte të mos shfaqej më në spital, me paralajmërimin se nëse do të bënte të kundërtën do të kishte pasoja.

Stafa e cilësoi kërcënimin përpjekje për ta trembur dhe tërhequr nga raportimet, të cilat kanë qenë të vazhdueshme duke ekspozuar vështirësitë që përballin pacientët e sëmurë në trajtimin e kancerit. Ai tha për Citizens.al se do ta vijojë punën në spital pa asnjë ndryshim.

“Nëse unë do të përballem me ata që janë pas kësaj gjësë [mesazhit], ose do të më rrihnin, ose do të më vrisnin,” tregoi Stafa për përmbajtjen e mesazhit duke shtuar se për të ka pasur “zero ndikim”.

Sipas tij, profili që i dërgoi mesazhin është hapur vetëm dy muajt e fundit. Rasti është denoncuar në polici, e cila ka nisur procedurat për identifikimin e autorëve.

“Kjo është sfida që po u bëj këtyre personave, që çfarëdo që të bëni, mua nuk më intimidoni me kërcënime të tilla,” theksoi Stafa.

Gazetari u shpreh se procedurat për identifikimin e personave që kërcënojnë ngjashëm në rrjetet sociale zgjasin 3-4 muaj, por që sidoqoftë autorët mundet të identifikohen.

“Në momentin që bëj kallëzim për kërcënim jete për shkak të detyrës, policia ia referon prokurorisë, prokuroria e çon në gjykatë dhe me vendim gjykate i shkohet kompanisë Meta, e cila sjell më pas të dhënat në çfarë e-maili është adresa dhe me çfarë numër telefoni”, përfundoi Stafa.

Organizatat e medias solidaritet dhe apel për hetim të menjëhershëm

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (SafeJournalists) përshëndeti denoncimin e menjëhershëm dhe vlerësoi raportimet e Stafës për Onkologjikun, që sipas tyre kanë rritur ndërgjegjësimin publik dhe kërkesën për llogaridhënie.

Ajo i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që ta trajtojnë rastin me prioritet, të identifikojnë autorin dhe të garantojnë që gazetarët të raportojnë lirisht pa frikë në punën e tyre.

“[…] gazetarët të kenë mundësi të raportojnë lirisht për çështje me interes publik, përfshirë funksionimin e institucioneve shëndetësore, pa pasur frikë nga hakmarrja”, u tha në deklaratë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkoi hetim të posaçëm, duke theksuar se kërcënimi lidhet me një cikël të gjatë investigimesh në institucionin kryesor spitalor të vendit.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e quajti rastin sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe theksoi se intimidimet anonime synojnë heshtjen e zbulimit të abuzimeve që dëmtojnë pacientët më vulnerabël.

Organizatat kërkuan garantimin e sigurisë për çdo gazetar që ushtron detyrën në interes publik.

Lexoni gjithashtu:

The post Organizatat e medias dënojnë kërcënimet ndaj gazetarit Osman Stafa appeared first on Citizens.al.

Lëvizja Bashkë kundër buxhetit 2026: I pabarabartë dhe përjashtues

12 December 2025 at 14:12

Mes pakënaqësisë për rritjen e pabarazisë, abuzimeve dhe orientimin e fondeve publike kryesisht drejt koncesioneve, Lëvizja Bashkë shprehu kundërshtinë e saj ndaj buxhetit të 2026 përmes një proteste para Kuvendit. Ata kërkuan përgjegjësi nga qeveria për abuzimet me detyrën, politika që garantojnë dinjitet dhe minimum jetik.

Buxheti 2026 rikthen Lëvizjen Bashkë para Kuvendit

Mirjeta, pensioniste nga Tirana, thotë se jeton me 17 mijë lekë në muaj. Ajo tregon se pa ndihmën e fëmijëve nuk do të siguronte as bukën e përditshme. Bashkë me shoqen e saj dhe dhjetëra qytetarë, ajo iu bashkua të enjten protestës së Lëvizjes Bashkë para Kuvendit, me thirrjen “Populli kundër korrupsionit dhe varfërisë!”.

Ndërsa qytetarët protestonin, Kuvendi diskutonte buxhetin e vitit 2026. Lëvizja Bashkë e konsideroi atë të pabarabartë, regresiv dhe të ndërtuar mbi politika që rëndojnë shtresat e varfra.

Eduart Koruni, profesionist i sapodalë në pension, tha për Citizens.al se shumica e pensionistëve marrin më pak se 20 mijë lekë në muaj. Ai thekson se kjo shumë nuk mjafton “as për bukë dhe djathë”.

Klodi Leka, nga Lëvizja Bashkë, kritikoi mënyrën e mbledhjes së të ardhurave buxhetore. Ai theksoi pabarazinë e taksimit duke këmbëngulur se “shteti taton 20% bukën, 6% kazinotë dhe 0% investitorët strategjikë.”

Mirela Ruko, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës si përfaqësuese e Lëvizjes, theksoi peshën që mbajnë mësuesit, mjekët, punëtorët dhe bujqit në ekonominë e vendit. Ajo argumentoi se pasuria e krijuar me mundin e tyre përfundon në projekte klienteliste.

“Ne nuk kemi plaçkë për t’u shitur dhe asnjë ditë për t’u falur atyre,” thirri Ruko teksa shtoi se “nuk jemi popull i varfër, ka kaq vite që grabitemi dhe me mundin dhe djersën tonë ata [pushtetarët] kanë ndërtuar kështjella”.

Protestuesit përmendën pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga detyra në qeveri si simbol të krizës së thellë të korrupsionit që, sipas tyre, ka kapluar pushtetin e Kryeministrit Edi Rama.

Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë, tha se korrupsioni “vret përditë në kantieret e ndërtimit, në miniera dhe në rrugët ku të rinjtë shtyhen drejt kriminalizimit”.

Ai shtoi se 720 mijë pensionistë mbijetojnë vetëm falë solidaritetit familjar.

“Pa ndihmën e fëmijëve, qindra mijëra prej tyre do të ishin duke lypur,” theksoi Qori.

Deputeti Redi Muçi iu bashkua protestës pas debatit në Kuvend, duke kritikuar orientimin e buxhetit të vitit 2026 ku 27% e tij shkon për koncesionet dhe marrëveshjet në partneritet me privatët.

Muçi theksoi se arsimi dhe shëndetësia mbeten në nivele minimale, me vetëm 2.3% dhe 2.9% të PBB-së, larg standardeve të BE-së që ofrojnë dy deri pesë herë më shumë se kaq.

Bora Mema, nga Lëvizja, u shpreh se pabarazitë e thella ekonomike e bëjnë demokracinë vetëm një iluzion. Ajo theksoi se liria e konsumit nuk është liri reale për qytetarët me të ardhura minimale.

“E vetmja liri është për të ditur cilat produkte do të zgjedhim me aq pak qindarka sa kemi në xhep”, u shpreh Mema, e cila bëri një paralele me lëvizjen për ndryshimin e sistemit 35 vite më parë.

Protesta e Lëvizjes Bashkë evidentoi sërish shqetësimin në rritje për pabarazinë sociale, prioritetet fiskale dhe abuzimet me fondet publike.

Për këtë protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe Belinda Ballukut, ngritjen e minimumit jetik, rritjen e pensioneve dhe miratimin e statusit të minatorit.

Lexoni gjithashtu:

The post Lëvizja Bashkë kundër buxhetit 2026: I pabarabartë dhe përjashtues appeared first on Citizens.al.

Hidrocentrale pa kufi: Ballkani “hambar” i HEC-eve të vogla

11 December 2025 at 17:10

Hidrocentralet konsiderohen “burim i gjelbër” energjie për shkak të emetimeve të ulëta të karbonit, por ndikimet e tyre në natyrë dhe komunitetet lokale janë kthyer në shqetësime serioze.

Rritja e projekteve në Ballkan

Ballkani, me burime ujore të shumta, është kthyer në një “hambar” hidrocentralesh të vogla, zakonisht me kapacitete deri në 2MW.

Sipas një monitorimi të organizatave mjedisore EuroNatur dhe RiverWatch, numri i hidrocentraleve është rritur ndjeshëm në Ballkan. Kështu deri në vitin 2024 numëroheshin mbi 5,000 projekte hidrocentralesh.

Nga numri i përgjithshëm, 1,836 janë në punë, 94 në ndërtim dhe pjesa tjetër: 3,188 ende në letër.

Rreth 92% e hidrocentraleve janë më të vogla se 10MW, që prodhojnë energji minimale, por shkaktojnë dëme të pakthyeshme në lumenj dhe komunitete lokale”.

Organizatat mjedisore thonë se gati gjysma e projekteve ndodhen brenda zonave të mbrojtura, duke qenë në kundërshti me qëllimin pse këto zona janë të mbrojtura.

Që nga viti 2022, 110 hidrocentrale të reja kanë nisur punë, duke shkatërruar rreth 1,100 kilometra rrjedhë lumenjsh.

Vendet më të prekura nga “shkatërrimi”

Sipas raportit të EuroNatur dhe RiverWatch, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Serbia janë “pikat e nxehta” të ndërtimit të digave. Greqia dhe Kroacia duket se po zgjerojnë gjithashtu projektet.

Në Shqipëri, numërohen 27 kantiere dhe 346 projekte në fazë planifikimi. Disa nga më shqetësueset gjenden përgjatë lumit Shkumbin “pa asnjë degë të mbetur pa digë” dhe në Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Po aq shqetësues mbetet lumi Devoll. Digat e Banjës dhe Moglicës e kanë transformuar pjesën e sipërme të lumit në një seri rezervuarësh, duke prishur lidhjen gjatësore dhe ekosistemin e rrjedhës poshtë.

Kapaciteti i instaluar i hidrocentraleve në Shqipëri arrin rreth 1,450 MW dhe përbën mbi 90% të energjisë së vendit, duke u mbështetur kryesisht në kaskadat e lumenjve.

Në Bosnjë e Hercegovinë, digat të shumta kërcënojnë lumenjtë kryesorë, si Neretva dhe Drina e Sipërme.

“Më shumë se 50 HEC-e, në shkallë të vogël dhe të madhe, kërcënojnë të gjithë rrjetin lumor – Neretvën dhe çdo degë të saj”, thuhet në raport.

Krahasim i përgjithshëm midis viteve (2012-2024) Burimi: EuroNatur/River Watch


Kosova raportohet të ketë 83 hidrocentrale të planifikuara dhe 8 në proces ndërtimi. Disa HEC-e janë mbyllur për shkak të problemeve me licencimet.

“Shqetësim i madh është zonimi i Parkut Kombëtar të Malit të Sharrit për shkak të përjashtimit të luginave të mëdha të lumenjve, siç është lumi Lepenc”, thuhet në raport.

Serbia raportohet të ketë 803 projekte të planifikuara dhe 22 në ndërtim, ajo konsiderohet e dyta për nga numri i lartë i projekteve, ndërsa Maqedonia e Veriut 165 projekte të planifikuara dhe 7 në ndërtim.

Sipas raportit, ndërtimi i hidrocentraleve të vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut janë të ngadalta, mirëpo ka projekte të shumta dhe të qëndrueshme.

Në Mal të Zi janë 93 projekte të planifikuara dhe 2 në ndërtim. Shumë HEC-e gjenden brenda zonave të mbrojtura, përfshirë parqet kombëtare dhe vendet Natura 2000.

Raporti thekson se në vendet ballkanike të BE-së ku përfshihet Greqia, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia, thuajse gjysma e projekteve (1,611; 49%) janë planifikuar ose ndërtuar brenda zonave të mbrojtura ekzistuese (242 në Parqe Kombëtare; 569 në zona Natura 2000).

HEC-et në zona të mbrojtura Burimi: EuroNatur/River Watch

Hidrocentralet dhe lufta e komuniteteve në Shqipëri

Në Shqipëri, sipas të dhënave të mbledhura edhe nga EuroNatur dhe Riverwatch, projektet e hidrocentraleve kanë shkaktuar përplasje midis komuniteteve dhe ndërtuesve.

Në 2019 dhe 2020, Kryeministri Edi Rama pranoi se HEC-et e vogla shpesh janë të padobishme dhe dëmtojnë komunitetet sikurse dhe ekosistemin.

“Ato funksionojnë si shushunja që thithin gjakun e organizmit të vendit, duke lënë toka pa ujë dhe komunitete pa mundësi të punojnë tokën,” do të shprehej Rama.

Megjithatë, ndërtimet vazhduan, duke evidentuar tensionet midis energjisë së gjelbër dhe mbrojtjes së lumenjve dhe jetës lokale.

Raste të shpeshta të raportuara nga Citizens.al kanë dëshmuar për përplasje dhe qëndresë nga komunitetet lokale.

Shembull konkret mbeten zona si ajo e Zall-Gjoçajt në Lurë, Kaçinarit në Mirditë dhe Kurdarisë në Mat, ku banorët janë organizuar në protesta duke kundërshtuar prej vitesh ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Lexo gjithashtu:

The post Hidrocentrale pa kufi: Ballkani “hambar” i HEC-eve të vogla appeared first on Citizens.al.

Dhuna digjitale ndaj grave në rritje, ligji shqiptar nuk flet për të

10 December 2025 at 16:08

Katër në dhjetë gra përballen me dhunë online dhe shumë prej tyre ndihen të pasigurta, kështu thonë të dhënat e grumbulluara nga UN Women, i cili ka nxjerrë në pah rrezikun që hasin gratë në Shqipëri përmes teknologjisë.

Sipas të dhënave të analizuara janë 1,804 raportime dhune në policinë e shtetit përmes teknologjisë ku ndër më të shpeshtat ishin keqpërdorimi i telefonit (36%) dhe përndjekja (33%).

Nga rastet rezultoi se gratë janë 1.3 herë më të ekspozuara ndaj dhunës online kryesisht te keqpërdorimi dhe dhunimi i privatësisë. Format të tjera të shpeshta të dhunës së hasur online ishin: zhvatja, bullizimi, gjuha e urrejtjes etj.

Statistikat shqetësuese

  • 83.1% e përdoruesve të internetit raportojnë rritje të dhunës online ndaj vajzave dhe grave.
  • 23.4% e grave që përjetuan dhunë online patën pasoja psikologjike; 45.3% e tyre u ndjenë të pasigurta.
  • 90% e dhunës online kryhet nga burra 15-44 vjeç; 66% e tyre jetojnë në zona urbane.
  • 70% e rasteve të dhunës online u hasën përmes platformës TikTok.

Dhuna online, pjesë e realitetit

Fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” këtë vit u fokusua te dhuna online. Zhvillimi i mjeteve të komunikimit ka transferuar dhunën nga “offline”“online”, duke e bërë këtë hapësirë një terren të rrezikshëm për gratë.

Sipas organizatave në Shqipëri, dhuna digjitale, veçanërisht ndaj grave, po rritet me shpejtësi, duke sjellë pasoja të rënda psikologjike dhe sociale.

“Në Linjën e Këshillimit ndeshim më shpesh raste ngacmimi dhe kërcënimesh online përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve si WhatsApp, Telegram apo Signal”, tha për Citizens.al Ejnxhi Pepa nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza.

Pepa thotë se format më të përhapura përfshijnë përndjekjen digjitale, shantazhin me materiale intime, shpërndarjen pa pëlqim të imazheve, manipulimet “deepfake”, fyerjet dhe sulmet ndaj reputacionit, pa lënë mënjanë edhe hapjen e profileve të rreme, që sipas saj janë kthyer në raste të zakonshme.

Ajo thotë se tashmë këto lloje sulmesh po shënjestrojnë dhe aktivistë apo mbrojtës të të drejtave të njeriut.

“Këto forma të dhunës digjitale shpesh lidhen drejtpërdrejt me dhunën ‘offline’ dhe e përforcojnë atë”, shtoi Pepa.

Rritje e raportimeve, sfida institucionale

Nga janari në nëntor 2025, Ministria e Brendshme ka regjistruar 439 raste dhune kibernetike me 600 postime online, 73% prej të cilave u raportuan vetëm në Tiranë. Ndërkohë, gjatë dy viteve të fundit (2024-2025), linja 116-117 raportoi për 705 gra dhe vajza që kanë kërkuar ndihmë për dhunë digjitale.

“Tendenca ka qenë në rritje për disa vite, por veçanërisht kohët e fundit kemi marrë shumë më tepër raste të përndjekjes online, shantazhit dhe shpërndarjes së imazheve intime,” tha Ejnxhi Pepa.

Megjithatë, trajtimi institucional mbetet problematik.

“Shumë gra dhe vajza e kanë pezulluar denoncimin për shkak të pengesave proceduriale. Kërkesa nga gjykatat për adresën fizike të dhunuesit online është absurde kur agresorët përdorin profile anonime”, argumenton Ines Leskaj nga AWEN duke nxjerrë në pah të metën kryesore të sistemit.

Gratë nga komunitetet e margjinalizuara, vajzat me aftësi të kufizuara, komuniteti LGBTIQ+ dhe gratë në zonat rurale janë më të ekspozuara ndaj kësaj dhune.

Sipas Altin Hazizaj, drejtues i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), i cili menaxhon edhe Qendrën Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri (ISigurt.al), grupmosha më e prekur është ajo e adoleshencës dhe rinisë së hershme, si për djemtë ashtu edhe për vajzat.

“Por çka të bën përshtypje është se gjatë 3 viteve të fundit është rritur edhe numri i ankesave nga zonja në moshë më të madhe plus 40 apo 50 vjeç”, shprehet Hazizaj, duke shtuar se kjo situatë flet për shtrirjen e gjerë të internetit dhe nivelin e pamjaftueshëm të aftësive dixhitale në mosha më të mëdha.

Pranë ISigurt.al gjatë vitit 2024 thuajse 60% e të gjitha ankesave të raportuara kanë të bëjnë me një formë të dhunës me bazë gjinore.

“70-80 përqind e viktimave online janë vajza dhe gra të reja, ndonëse ato jo gjithnjë preferojnë të raportojnë vetë, por nëpërmjet një të njohuri, shoku apo shoqeje apo mësuesi”, tha për Citizens.al Altin Hazizaj, drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA).

Rastet e raportuara në këtë platformë janë shtuar pas pandemisë së Covid-19.

“Në vitin 2023 ne trajtuam diku tek 300 ankesa, ndërsa në vitin 2024 ato u rriten tek 409 raste të regjistruara. Këtë vit vetëm në gjashtë muajt e parë ne kemi trajtuar më shumë se 400 incidente kibernetike”, sjell në vëmendje Altin Hazizaj.

Boshllëqe ligjore dhe nevoja për reforma

Shqipëria nuk ka ende një përkufizim ligjor për dhunën online. Ejnxhi Pepa thotë se përgjithësisht organizatat dhe institucionet i referohen përkufizimit të ekspertëve ndërkombëtarë të Këshillit të Evropës në veprimtarinë kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (GREVIO).

Por brenda dhjetorit pritet të kalojë në Kuvend drafti i ligjit “Për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, i cili përfshin për herë të parë edhe dhunën digjitale.

“Ligji do ta përkufizojë si çdo veprim që kryhet ose rëndohet përmes teknologjisë dhe cenon të drejtat e viktimës”, thekson Ejnxhi Pepa.

Sipas draftit paraprak, dhuna online përfshihet në Nenin 10 ku flitet për “dhunën e lehtësuar nga teknologjia”. Ky nen e përcakton dhunën e lehtësuar nga teknologjia si çdo veprim që kryhet përmes mjeteve digjitale pa pëlqim dhe që shkakton dëm fizik, emocional apo social.

Ai përfshin gjuhën e urrejtjes, shpërndarjen e imazheve intime pa pëlqim, përndjekjen dhe ngacmimin digjital. Në thelb, neni synon të mbrojtje nga abuzimet online që cenojnë sigurinë dhe dinjitetin.

Pepa dhe Leskaj mendojnë njësoj se strukturat ekzistuese për krimet kibernetike janë të pamjaftueshme në Shqipëri.

“Zvarritja dhe mbivendosja e çështjeve në polici dhe prokurori ngadalësojnë së tepërmi marrjen e masave,” vëren Leskaj teksa tregon se aktualisht krimet kibernetike mundet të denoncohen dhe ndiqen në prokurori, por rezultatet e tyre vonojnë.

Nga ana tjetër, Pepa citon monitorime të GREVIO-s, sipas së cilave strukturat shqiptare nuk janë të trajnuara për dimensionin gjinor dhe kjo qasje ende nuk është integruar me mekanizmat e mbrojtjes nga dhuna.

Ajo shton se Shqipërisë i mungojnë edhe protokollet e unifikuara për trajtimin e rasteve të dhunës digjitale dhe po kështu infrastruktura teknike për ruajtjen dhe sigurimin e provave.

“Këto boshllëqe synohen të përmirësohen me ndryshimet e fundme të legjislacionit”, shprehet Leskaj duke iu referuar ligjit të ri.

Por sipas Pepës po aq urgjente janë edhe fushatat e ndërgjegjësimit, pasi ka prirje për të mos i raportuar rastet.

“Nënraportimi mbetet shumë i lartë. Në nivel vendor, Mekanizmat e Koordinuar të Mbrojtjes nga Dhuna duhet të forcohen për të garantuar një reagim të shpejtë, të unifikuar dhe të ndjeshëm gjinor për çdo rast”, përfundon ajo.

Altin Hazizaj shprehet se kuadri ligjor ka nevojë të forcohet sa më shpejt dhe se duhen ligje sipas modelit të BE-së dhe jo “modeleve që krijohen ndonjëherë nga halli në Shqipëri”.

“Mungesa e shumë krimeve që ndodhin në hapësirën kibernetike në Kodin Penal e bën mbrojtjen e viktimave të vështirë”, thekson më tej Hazizaj.

Hazizaj shprehet se vitin e ardhshëm Shqipëria duhet të zbatojë një nga aktet më të rëndesishme të BE-së, ligjin e shërbimeve digjitale (DSA).

“Kjo do te na zgjidhte edhe problemin e dytë kryesor, përgjegjësinë që kanë të gjitha platformat online, faqet, profilet etj., për të respektuar të drejtat bazë të çdo individi edhe në hapësirën kibernetike”, përfundon Hazizaj.

Lexoni gjithashtu:

The post Dhuna digjitale ndaj grave në rritje, ligji shqiptar nuk flet për të appeared first on Citizens.al.

Në ish-vilën e diktatorit: Zërat e grave që sfiduan dhunën

8 December 2025 at 16:03

Në një hapësirë që dikur i përkiste diktatorit Enver Hoxha, vajza dhe gra nga komunitetet rome, egjiptiane, LGBT dhe me aftësi të kufizuara ndanë historitë e tyre të dhunës, mbijetesës dhe rezistencës.

Vila e diktatorit, dikur simbol i frikës dhe pushtetit absolut, u shndërrua për një ditë, të premten, në një hapësirë rrëfimi për historitë e luftës së grave për një jetë të pranuar dhe trajtuar me dinjitet.

Ato u mblodhën fillimisht në ish-kinemanë private të diktatorit, ku u shfaq dokumentari i realizuar nga Citizens.al: “Rrënjët e Rezistencës”, një dokumentar që pasqyron lëvizjen feministë në Shqipëri pas viteve ’90 dhe përpjekjet për të sfiduar patriarkatin për një të ardhme më të mirë.

Gjatë shfaqjes së dokumentarit “Rrënjët e Rezistencës”/Citizens.al

Rrëfime që thyejnë heshtjen

Romina Sefa, drejtuese e Qendrës për Advokim Social, gjithashtu një prej organizatoreve të eventit, nënvizoi domosdoshmërinë e një hapësire të sigurt ku vazjat dhe gratë të flasin lirshëm për shqetësimet dhe vështirësitë e tyre.

“Pavarësisht sfidave, ne ia kemi dalë”, tha ajo, duke kujtuar se ky duhet të jetë mesazhi kryesor në diskutime.

Akullin e theu Doliana Velia, një grua me aftësi të kufizuar në shikim që foli për jetën me një shqisë të munguar që në lindje dhe paragjykimet shoqërore.

Ajo theksoi se mentaliteti dhe mungesa e infrastrukturës e kufizojnë pavarësinë e njerëzve me aftësi të kufizuara shumë më tepër se vetë aftësia.

“Të lindësh me një shqisë që nuk ekziston, është njësoj si t’ju them a ju mungon të fluturuarit? Jo, nuk ju mungon, ju duket qesharake, sepse nuk e keni provuar”, paralelizoi Doliana.

Sipas saj, besimi i prindërve për ta trajtuar si një person jo ndryshe nga të tjerët e ka ndihmuar të jetë sot një grua e pavarur.

“Ne nuk duhet a pranojmë mëshirën nga askush, le ti përkasim një komuniteti të caktuar, le të kemi një diferencë fizike apo shqisore, ne duhet të jetojmë me dinjitet”, ndau Doliana me vajzat dhe gratë e tjera.

Ajo theksoi se mentaliteti dhe mungesa e infrastrukturës e kufizojnë pavarësinë e njerëzve me aftësi të kufizuara shumë më tepër se vetë aftësia.

“Të shembim strukturat. Së pari në mendjen tonë dhe pastaj te ata që na rrethojnë”, theksoi Doliana, sipas së cilës të jesh grua me aftësi të kufizuar në Shqipëri është sfidë e dyfishtë.

Doliana ndau raste ku gratë me aftësi të kufizuara mbeten të izoluara, të pambrojtura dhe shpesh pa mundësi të denoncojnë edhe dhunën që pësojnë.

Për këtë ajo tregoi për raste ku për shkak të pagesës së ulët që marrin, ndihmësi personal qëllon të jetë familjar i tyre, njëherësh edhe person i dhunshëm.

“Për shkak të kufizimit fizik nuk mundet të shkojë as për ta denoncuar rastin. Ka njerëz që janë të privuar edhe nga kjo lloj lirie”, theksoi Doliana.

Një rast i tillë ishte ai i një vajze të dhunuar nga nëna e saj, e cila ishte edhe kujdestarja ligjore.

“Lajmëronim policinë ne, sepse i kishin hequr edhe telefonin dhe kur i shkoi policia i tha: ‘Po ti nuk ke turp që këta po të mbajnë me bukë dhe ti i turpëron?”, rrëfeu ajo, duke vënë në pah dështimin institucional.

Nga shtëpia e humbur, tek sipërmarrja e parë

Vjollca, një grua rome, tregoi për dhunën dhe padrejtësinë strukturore që e la pa shtëpi, pa mbështetje dhe pa mundësi për t’u qasur në shërbime dhe përkrahje shtetërore. Historia e saj tregoi njëherësh edhe për forcën e jashtëzakonshme që ka një gruaje e pakicës rome për t’ia dalë në realitetin shqiptar.

E gjendur përballë humbjes së bashkëshortit, me dy fëmijë, ajo përjetoi dhunë nga të afërmit e tij, të cilët synuan ta nxirrnin nga shtëpia. Kjo ndodhi kur hasi në kërkesën: “Për 15 ditë, liro shtëpinë!”.

Për një vit Vjollca nuk përfitoi as ndihmën ekonomike, sepse, sikurse tregoi ajo, i vinte turp të firmoste pasi nuk dinte të lexonte dhe shkruante.

Kjo e shtyu të arsimonte fëmijët e saj, duke i larguar nga cikli i turpit dhe varfërisë.

“Nuk dua që edhe fëmijët e mi të kenë turp në të ardhmen dhe i çova në shkollë. Sot kam dy fëmijë të edukuar,” tregoi ajo me krenari.

Pas tre vitesh procese gjyqësore, Vjollca arriti të siguronte një dhomë në shtëpinë ku jetonte me bashkëshortin.

“Kur fitova [gjyqin] filluan të më thërrisnin ‘gabele’, sepse njerëzit e burrit nuk janë romë,” rrëfeu ajo një tjetër aspekt diskriminues nga historia e saj.

Një thes me rroba të përdorura, që iu dha për ta shitur, e futi Vjollcën në tregun informal të punës. Pavarësisht kësaj, ajo ia doli të ndërtonte një ekonomi familjare të mjaftueshme sa për të shkolluar fëmijët.

“Kam vetëm tre vitet e fundit të siguruara”, tregoi ajo duke nënvizuar se kjo ishte mundësuar falë mbështetjes nga programet sociale.

Gjatë diskutimit në kuadër të 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore/Citizens.al

Gra që sfidojnë dhunën

Elisabeta, ndau me të pranishmit kalvarin që ju desh të kalonte si gjyshe për të shpëtuar vajzën dhe mbesën e saj nga një cikël dhune, të ushtruar nga dhëndri.

E martuar jashtë vendit, vajza ishte izoluar dhe dhunuar vazhdimisht. E pa-arsimuar, qe detyruar të luftojë ndaj një sistemi që e kishte bërë vajzën “pronë ligjore” të babait.

Por, me këmbëngulje të vazhdueshme, vajza e Elisabetës ia doli të njoftonte policinë, gjeti strehë derisa mbylli të gjitha dokumentet për të kthyer sigurinë dhe përkatësinë ligjore mbi mbesën.

Njëjtë si Elisabeta, edhe Miranda ndau një histori jetësore të rëndë: një martesë me dhunë dhe një bashkëshort të alkoolizuar, që kishte krijuar një ambient të pasigurt edhe për vajzën e tyre.

“Një nxënëse ekselente” tregoi ajo, “e cila edhe përmes traumave që kalonte gjente kohë të studionte”.

Ky takim i kryer në “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” solli një akt simbolik rivendosjeje: zëra të heshtur, histori të lëna mënjanë, dhimbje të padëgjuara, në dritën e një vile që dikur nuk do ti ftonte kurrë e që për dekada ka simbolizuar pushtetin, frikën dhe privilegjin.

Shiko dokumentarët e Citizens.al:

The post Në ish-vilën e diktatorit: Zërat e grave që sfiduan dhunën appeared first on Citizens.al.

Hidrocentrale të tjera në horizont, shqetësime shtesë për komunitetet

4 December 2025 at 15:25

Raportimet dhe të dhënat e mbledhura nga Citizens.al ekspozojnë një panoramë të ngarkuar me kontradikta dhe përplasje me komunitetet sa i përket shfrytëzimit të burimeve ujore për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri: hidrocentrale joefiçente, leje të dhëna pa konsultime publike dhe mungesë raportesh për ndikimin e tyre mjedisor.

Citizens sjell një hartë të plotë të shpërndarjes së 99 hidrocentraleve në gjithë Shqipërinë, të cilët pritet t’i shtohen listës së 158 hidrocentraleve të tjera që u ndërtuan në periudhën 2013-2024.

Kush fiton dhe kush humbet nga ndërtimet e tyre? Përvoja me rastet e shkuara tregon se komunitetet përreth nuk fitojnë gjë, përkundrazi.

Qasja e pandryshuar me hidrocentralet

Ndërsa qeveria e Kryeministrit Edi Rama – në pushtet prej vitit 2013 – vazhdon ta paraqesë zhvillimin e hidrocentraleve si politikë të qëndrueshme energjetike, bilanci real mbetet i paqartë.

Pasi mori pushtetin, Rama e konsideroi “korrupsion shkatërrimtar” prirjen e qeverisë së shkuar të drejtuar nga Sali Berisha (2005-2013) për dhënien e lejeve të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura. 

Ai tha se në këto zona ishin dhënë 113 leje, prej të cilave ai theksoi se 55 prej tyre “nuk kanë për të filluar punë” si zotim i tij se politika me hidrocentralet do të ndryshonte.

Sipas raportit të vitit 2013 të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Shqipëria kishte asokohe 80 hidrocentrale private me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 240 megavat (MW).

Qeveria Rama shqyrtoi 103 kontrata koncesionare në një proces, pas së cilit në vitin 2019 deklaroi anulimin e 27 prej tyre, që parashikonin ndërtimin e 80 HEC-eve.

Sipas raportit të ERE-s për vitin 2019, Shqipëria kishte 197 hidrocentrale private me fuqi 827 MW.

Qeveria doli me gjykimin e përgjithshëm se hidrocentralet e vegjël ishin të padobishëm në aspektin energjetik dhe të dëmshëm në raport me mjedisin dhe komunitetet.

“Nuk do ketë më në Shqipëri, leje për asnjë HEC nën 2 MW dhe nuk do lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike, apo komunitete, duke arritur deri në pikën që tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit,” u zotua Rama asokohe.

Por koha tregoi se ky zotim nuk u mbajt nga qeveria, e cila vijoi me dhënien e lejeve për HEC-et e vegjël, madje ajo ndërhyri edhe në ligjin e zonave të mbrotjura duke i tkurrur edhe territoret e parqeve kombëtare në favor të dhënies së burimeve ujore për HEC-e.

Rastet konkrete janë HEC-et në Zall-Gjoçaj apo dhe në Kurdari ku për shembull “HEC Doma” po ndërtohet pavarësisht kontestimeve të komunitetit dhe faktit se ka një kapacitet prej më pak se 2 MW.

ERE raportoi në vitin 2024 për 238 hidrocentrale private të prodhimit të energjisë. Një rritje me 17.2% (41 HEC-e) krahasuar me vitin 2019 kur qeveria u zotua për qasje të kontrolluar dhe 66.3% (158 HEC-e) prej vitit 2013 kur socialistët morën pushtetin.

Më shumë se gjysma e këtyre impianteve (58%; 138 HEC-e) prodhojnë energji minimale (me kapacitete 2 ose më pak se 2 MW), dhe janë ndërtuar pavarësisht dëmeve ndaj mjedisit, burimeve ujore dhe komuniteteve.

Të dhënat e siguruara nga Citizens.al prej Agjencisë Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe 61 bashkitë e vendit, tregojnë se zyrtarisht janë edhe 177 HEC-e që pritet t’i shtohen vendit: 25 HEC-e janë në ndërtim, 152 në procedura për të marrë lejet.

Sipas të dhënave të AKBN-së përpos premtimeve për të mos dhënë më leje për ndërtimin e hidrocentraleve numri i tyre ka ardhur në rritje.


Nga hidrocentralet që janë në ndërtim e sipër, kontratat janë lidhur në periudha të ndryshme, duke nisur prej vitit 2013 e deri më 2025.

Përkatësisht, kemi 1 kontratë të lidhur në 2013-ën, katër në 2015-ën, pesë në vitin 2017, shtatë në vitin 2018, një në vitin 2019, tre në vitin 2021, dy në vitin 2023 dhe dy të tjera në vitin 2025.


Kontratat për 152 hidrocentralet që janë në procedura për të nisur nga puna, ngjashëm ndahen në periudha të ndryshme duke nisur nga viti 2010, të cilat ende nuk janë finalizuar edhe më sot.


Kështu, në 2010 janë lidhur shtatë kontrata, në 2011 tetë të tilla, në 2012 nëntë kontrata, në 2013 pesë kontrata, në 2015 katër kontrata, në 2016 10 të tilla, në 2017 16 kontrata, në 2018, 22 kontrata, në 2019 gjashtë kontrata, në 2020, dy të tilla, në 2021 katër kontrata, në 2022 një kontratë, në 2023 pesë kontrata, në 2024 tre kontrata.


Sipas të dhënave të AKBN-së edhe për hidrocentralet që kanë hyrë në prodhim në 15 vitet e fundit, 131 të tilla, viti kur janë lidhur më shumë kontrata është 2013, me 41 të tilla.

Më pas vjen viti 2017 me 31 të tilla, viti 2018 me 18, vitit 2011 me 17, 2012 me 14, vitit 2010 me 5 kontrata, vitit 2019 me dy të tilla, dhe viti 2015 dhe 2016 me nga një kontratë secili.

Në mungesë të një strategjie të re për energjinë e rinovueshme, Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht te lumenjtë – burime që po shterojnë përveç ndikimit të ndryshimeve klimatike, edhe prej presionit të investimeve private dhe mungesës së kontrollit publik.

Thuajse gjysma e prodhimit (41.7%) tashmë vjen nga centralet private. Numri fotovoltaikëve është shtuar ndjeshëm (21), por shpesh edhe këto janë shoqëruar me probleme në ndikimin në mjedis dhe komunitete.

Prej vitit 2013 pesha e kapaciteteve prodhuese të hidrocentraleve private është pesëfishuar nga 240 MW në 1,222 MW (45.8% e totalit).

Ndërkohë mungojnë të dhënat e përgjithshme për efektet që ky zgjerim i madh ka bërë në natyrë dhe komunitete.

Ku do të ndërtohen hidrocentralet?


Nga 25 hidrocentralet që janë në ndërtim, dy prej tyre janë në Elbasan, pesë në Gramsh, një në Çorovodë, katër në Maliq, një në Pukë, dy në Fushë Arrëz, dy në Bulqizë, një në Burrel, katër në Peshkopi, një në Klos, një në Kaçinar (Rrëshen) dhe një në Hekal të Tiranës.


Ndërsa nga 152 hidrocentrale që janë në procedura, ndarja është e tillë:


Dy në Elbasan
Tetë në Librazhd
Dy në Përrenjas
Nëntë në Gramsh
Një në Belsh
10 në Çorovodë
Katër në Korçë
Tre në Ersekë
Dy në Pogradec
12 në Devoll
15 në Kukës
10 në Bajram Curr
Tetë në Koplik
10 në Fushë Arrëz
Tetë në Pukë
Tre në Shkodër
Gjashtë në Bulqizë
Tetë në Burrel
Një në Peshkopi
Nëntë në Klos
Katër në Rrëshen
Dy në Kurbin, Finiq dhe Tepelenë
Një në Poçem të Fierit, Himarë dhe Memaliaj
Tetë në Selenicë

Kaçinari: “Uji në tuba” dhe një komunitet në revoltë

Në Kaçinar të Mirditës, tensioni i mbledhur ndër vite shpërtheu në fundin e muajit mars në një protestë të mirëfilltë. Qindra banorë nga fshatrat përreth, por dhe diaspora u mblodhën për të kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve të koncesionarit “Shpërdhaza-Energji”.

Banorët e konsiderojnë cenim kryesor për jetën e tyre futjen në tuba e disa prej përrenjve malorë, të cilët historikisht janë përdorur nga fshatrat.

Rruga e vështirë drejt Qafës së Vorres – rreth 40 minuta larg nga Rrësheni – ku u zhvillua protesta, tregonte njëkohësisht degradimin e territorit dhe tensionin e autoriteteve: postblloqe policore, kontrolle makinash dhe prezencë e pajustifikuar efektivësh.

“Këtu këtë popull e kanë grabitur,” përshkroi revoltën Arben Gega, një prej protestuesve, “por kur s’na ka bërë turku të ikim, këta jo se jo, nuk do t’ia arrijnë!”.

Gjok Beqiri, nga fshati Simon, tregoi se projekti prek shtatë fshatra me mbi 3,000 familje.

Kabina e rojeve dhe kamerat e sigurisë të vendosura përreth kantierit kishin krijuar një ambient të denjë për zonë ushtarake, ndërsa banorët, në mungesë informacioni dhe të vënë përballë faktit të kryer, ngritën dyshimet se dokumentacioni i kompanisë nuk është i rregullt.

Këtë shqetësim ndanë për Citizens.al disa prej tyre, të cilët thanë se nuk ishin njoftuar kurrë për dëgjesa publike, pavarësisht pretendimeve të kompanisë.

Në muajin prill, makineritë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” hynë në pyllin aty pranë, një zonë me një peizazh të larmishëm buzë rrugës, për të cilën banorët druajnë se mund të vuajë pasoja nga hidrocentralet.

Pasi konstatuan pemët e para të rrëzuara nga punimet ata organizuan protesta të tjera, një prej së cilës edhe në Tiranë, para ministrisë së Infrastrukturës.

Kryetari i fshatit Simon, Gjergj Deda, ngriti dyshimet se punimet po kryheshin pa lejet e nevojshme “sepse kërkonin dhe shoqëroheshin nga policia çdo ditë”.

Për komunitetin, uji është thelbi i jetesës: mullinjtë, tokat dhe historinë e tyre. “Vllaut s’ia fal, jo më të huajit,” kanë theksuar disa prej tyre.

Ndaj ata i janë drejtuar drejtësisë. Në shtator, Gjykata e Lezhës vendosi t’ia kalojë çështjen Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) duke shpallur moskompetencë.

Kurdaria: Një verë e nxehtë kundër HEC-it “Doma”

Në Kurdari të Matit, vera shënoi nisjen e punimeve për HEC-in “Doma”, një projekt i “Global Interprise Group” që pritet të shfrytëzojë lumin e Lusës dhe të hapë një trase të re rruge prej 4.4 km.

Për banorët, ky projekt vjen në një kohë kur ata vuajnë për ujë, pavarësisht investimeve në ujësjellës.

Erind Saliaj, administrator i Njësisë Administrative Suç, shpjegoi për Citizens.al se pesë fshatrat e zonës – Kurdari, Skënderaj, Kurqelaj, Suç dhe Kujtim – nuk kanë furnizim të rregullt dhe se ndërtimi i një hidrocentrali është “absurd” në këto kushte.

Tregues për situatën ishte gjendja në kafenenë më popullore të fshatit, e cila shërbente vetëm ujë të ambalazhuar, teksa çezma e oborrit të saj ishte tharë.

Procesi i dëgjesave publike ka qenë pika kryesore e tensioneve në këtë çështje, e cila është shoqëruar me protesta dhe përplasje me kompaninë.

Një ekskavator dhe furgon me gomë të çarë qëndronin të braktisur në fund të trasesë së hapur si dëshmi e përplasjeve. Ato ruheshin nga një kamerë, e cila për ironi furnizohej me panel diellor.

Sipas banorëve, dëgjesa e parë, e vitit 2018, tregoi se shumica ishin kundër hidrocentraleve, por ndryshe, në procesverbal u paraqit si shprehje dakordësie.

Rexhep Kuleni, një nga zërat më të fortë të komunitetit, tha se ky veprim përbën shkelje penale, për të cilën duhet gjetur përgjegjësia.

Ai kujton dëgjesën e dytë të mbajtur në vitin 2020, kur rreth 500 banorë u mblodhën dhe kërkuan që përfaqësuesi i kompanisë që interesohej për hidrocentralin të largohej.

Por pavarësisht kundërshtive dhe premtimeve se nuk do të rikthehej në zonë, koncesionari u shfaq sërish, duke marrë firma në mënyrë të veçuar, pa pjesëmarrje lajmëruar të komunitetit apo autoriteteve.

“Marrin ca firma në mënyrë abuzive, ku një pjesë e madhe nuk e dinë çfarë kanë firmosur,” tha Kuleni, sipas së cilit në këto dëgjesa nuk ka pasur përfaqësues të bashkisë.

Banorët thonë se mungon transparenca, të dhënat, dhe mbi të gjitha mungon uji. Për ta, hidrocentrali është kërcënim ekzistencial dhe social, jo një projekt energjetik.

Zona, e njohur dhe si “hambari i Matit” për prodhimet bujqësore është zotuar se nuk do ta lërë projektin e hidrocentralit që të zbatohet duke vijuar ndalimin e makinerive t’i bashkohen kantierit.

“Nuk do ta lëmë, me firma të vjedhura, me firma të blera, populli nuk pranon,” theksoi Enver Dava, tokat e të cilit bien krah trasesë së hidrocentralit.

Paralelisht, banorët e kanë adresuar kundërshtinë e tyre edhe në rrugë gjyqësore. Në tetor, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë nuk i ndali punimet deri në një vendim në themel të çështjes, por pavarësisht kësaj banorët mbeten me shpresë për një vendim të drejtë.

Zall-Gjoçaj: HEC-et u ndërtuan, por beteja kundër tyre vazhdon

Në Zall-Gjoçaj, hidrocentralet “Sekë” dhe “Zais” morën formë mes polemikave, por qëndresa e komunitetit atje vijon prej më shumë se shtatë vitesh.

Reportazhet e emisionit “Opinion” nga Blendi Fevziu dhe portali Lexo.al nga Flogert Muça, promovuan me kërshëri gjatë muajve shtator-tetor investimet në hidrocentralet e Zall-Gjoçajt.

Materialet u përpoqën t’i jepnin një dimension tjetër investimit privat të sipërmarrësit italian Fabio Scuero. Sipas tyre tre HEC-et e ngritura në basenin e Urakës me kapacitet 30 MW, janë shoqëruar me investime për një rrjet ujësjellësi për 17 fshatra dhe rreth 90 km rrugë.

Por reportazhet ngjallën zemëratën e banorëve të Zall-Gjoçajt, të cilët prej vitit 2018 kanë protestuar kundër HEC-eve.

Në një deklaratë të përbashkët aktivistët e cilësuan atë reklamë duke kujtuar se Zall-Gjoçaj është bërë simbol rezistence pikërisht sepse HEC-et u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, një zonë e mbrojtur që u tkurr me një vendim të qeverisë në vitin 2022 për t’i hapur rrugë projektit të HEC-it “Zais”.

Prej vitesh, banorë si Abdi Toçi, Dhimitër Koleci dhe Adem Gjokolaj kanë protestuar, kallëzuar zyrtarë publikë dhe kanë çuar çështjen e Zall-Gjoçajt në disa procese gjyqësore.

Në tetor, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin që legjitimonte ndërtimin e HEC-eve, duke rrëzuar padinë për shfuqizimin e kontratave dhe akteve administrative.

Avokati i tyre, Franc Terihati, tha për Citizens.al se çështja do të shkojë në Gjykatën e Lartë, ndërsa Koleci tha se një padi tjetër po hetohet nga SPAK, dhe një padi penale mbetet e hapur për dëmet e shkaktuara gjatë punimeve, nga prishja e kanalit të ujit e deri te hedhja e inertëve në varreza.

Ndërkohë, kompania ka paditur vetë aktivistë e banorë për shpifje, gjë që komuniteti e sheh si formë presioni për të heshtur rezistencën.

Në terren, pasojat sipas banorëve janë të prekshme: uji është i gjithi në tuba, burimet e fshatit janë shteruar dhe lumi nuk ka më prurjen e mëparshme. Banorët thonë se gjatë verës nuk kishin ujë as për të fikur zjarret, ndërsa bagëtia dhe bletët kanë pësuar dëme të pakthyeshme.

Për Zall-Gjoçajn, beteja nuk ka të bëjë vetëm me një projekt energjetik, por me të drejtën për të ekzistuar brenda peizazhit të tyre.

Edhe pse hidrocentralet u ndërtuan, çështjet ligjore, pasojat mjedisore dhe mosbesimi ndaj institucioneve vazhdojnë ta mbajnë fshatin në një konflikt të hapur me modelin kombëtar të zhvillimit hidroenergjetik.

Lufaj njësoj si Zall-Gjoçajt përballë thatësirës

Në Lufaj të Mirditës, banorët përballen me të njëjtin model të ndërtimit të hidrocentraleve – devijim burimesh ujore pa transparencë dhe pa dëgjesa me komunitetin.

Në korrik ata protestuan kundër kompanisë “Seka Hydropower”, me pretendimin se ajo nuk respektonte kontratën e shfrytëzimit të burimeve ujore të zonës duke mos lëshuar rrjedhë për nevojat e tyre.

Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Devijimi i prurjeve kishte ulur ndjeshëm burimet duke detyruar disa familje të merrnin ujë gjetkë me mjete të improvizuara.

Banorët thanë për Citizens.al se ata kishin qenë kundër ndërtimit të HEC-ve që para vitit 2017, por që zëri i tyre nuk ishte dëgjuar.

“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor.

Lufaj e lidh drejtpërdrejt fatin e saj me Zall-Gjoçajt, ku hidrocentralet u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar të Lurës dhe Malit të Dejës, duke sjellë konflikt të gjatë me komunitetin, ndërhyrje policore dhe pasoja të pakthyera në ekosistem.

“Energji e gjelbër” me kosto të errët

Modeli i hidrocentraleve në Shqipëri është shitur si “një model i gjelbër”, por në realitet ka sjellë dëme të pakthyeshme ekologjike dhe ekonomike në nivele lokale, por edhe kombëtare.

Biologu Olsi Nika, i cili drejton organizatën mjedisore “Eco Albania”, thekson për Citizens.al se shumë projekte hidroenergjetike janë miratuar mbi leje të diskutueshme dhe pa analiza të plota të ndikimit, duke krijuar një zinxhir pasojash që shkon nga shpyllëzimi te shkatërrimi i habitateve ujore.

Sipas tij, devijimi i ujërave, rezervuarët e mëdhenj, ndotja, ndryshimi i temperaturës dhe oksigjenit kanë çuar në humbje speciesh, eutrofikim dhe homogjenizim të biodiversitetit – një proces që shumë zona nuk e rikuperojnë kurrë.

Rast konkret përmendet trofta apo dhe peshq të tjerë migratorë, të cilët nuk arrijnë zonat e shumimit për shkak të devijimeve të lumit apo dhe vetë impianteve hidroenergjetike.

Raporti për Zall-Gjoçajn i biologut Melitjan Nezaj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) e konkretizon problemin.

Me lënien e një sasie minimale të ujit ekologjik, shtrati i lumit thahet pak qindra metra larg veprave të marrjes.

“Në shtratin tashmë pa ujë kanë nisur të shfaqen bimë të mjediseve të thata, një shenjë e qartë e mungesës afatgjatë të ujit,” thekson Nezaj.

Kjo ka zhdukur faunën nënujore, ka degraduar bimësinë dhe ka goditur bujqësinë e banorëve, të cilët varen nga uji për prodhim dhe blegtori.

Ndërtimet kanë lënë pas inertë, kanale të dëmtuara dhe masa rehabilituese të dështuara, shpesh me bimësi jovendase dhe vendkalime peshqish që nuk funksionojnë.

Të dy ekspertët vlerësojnë se këto dëme nuk janë thjesht teknike, por strukturore: një model zhvillimi që shpërfill ligjin dhe zonat e mbrojtura, mungesën e konsultimeve, ndikimet afatgjata dhe transparencën.

“Shumë komunitete,” thekson Nika, “mësuan për projektet e HEC-eve vetëm kur kishin nisur punimet”.

Konfliktet për ujërat janë bërë tipike – nga Rapuni te Kaçinari, Kurdaria, Zall-Gjoçaj e Lufaj – duke treguar se përfitimet i shkojnë pak aktorëve, ndërsa kostoja bie mbi komunitete dhe ekosisteme të cenueshme. 

Ata që fitojnë nga ky model mbeten disa kompani, disa prej të cilave me kapitale të huaja. Ndërsa komunitetet humbasin të tjera burime dhe mundësi zhvillimi duke pasur një arsye më shumë për t’u larguar.

Në plan më të gjerë, ekspertët argumentojnë se hidrocentralet e vogla me fuqi të ulët kanë efikasitet të diskutueshëm dhe shpesh gjurmë të larta karboni, përfshirë prodhimin e metanit nga rezervuarët.

Për biologun Nika, energjia hidroelektrike në Shqipëri duhet parë si “me karbon të ulët, por me ndikim të lartë”, ndërsa zhvillimi i qëndrueshëm kërkon orientim te burimet që nuk fragmentojnë lumenjtë: kryesisht energjia diellore dhe ajo e erës.

The post Hidrocentrale të tjera në horizont, shqetësime shtesë për komunitetet appeared first on Citizens.al.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar: Komuniteti ende i izoluar

3 December 2025 at 17:06

Çdo 3 dhjetor ndalemi të reflektojmë për të drejtat dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.

Vendosur me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kjo datë ka si qëllim të promovojë të drejtat, mirëqenien dhe rritjen e ndërgjegjësimit për këtë komunitet.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, në Shqipëri përpos viteve betejat janë të njëjta: aksesueshmëria, shërbimet sociale, shëndetësore dhe ndihmësit personalë. Realiteti mbetet sfidues, aq sa vetë aftësitë e kufizuara.

Asistenti personal, çelësi për jetesë të pavarur, por ende larg

Në një tryezë të organizuar nga Fondacioni “Së Bashku”, organizatat dhe institucionet përgjegjëse ngritën sërish shqetësimin për shërbimin e asistentit personal.

Shteti shqiptar ofron vetëm 16,000 lekë në muaj për këtë pozicion, një shumë që nuk mbulon as nevojat minimale.

Sipas Suela Lalës, drejtuese e fondacionit, shumë persona me aftësi të kufizuar jetojnë vetëm dhe e kanë të pamundur të gjejnë dikë që t’i ndihmojë qoftë për veprimet elementare të përditshmërisë.

‘Ne shohim njerëz në të gjithë Shqipërinë, të cilët pa patur mbështetjen e duhur familjare janë të vetëm dhe me ato lekë zor se mund të punësojnë njeri, për të mbuluar edhe nevojat më minimale, të tipit për t’u ngritur nga shtrati apo për të patur dikë që vjen i ushqen apo lan rrobat”, tha Lala për Citizens.al.

Ndërsa shtoi se ka shumë të tjerë që nuk kanë familje apo të afërt, e kalojnë jetën të vemtuar dhe me ato pak lekë paguajnë një ose dy orë dikë që kalon për t’iu shërbyer.

Lala thekson se mungesa e këtij shërbimi penalizon edhe familjarët: kush kujdeset nuk mund të punojë dhe shpesh përballon barrë të papaguar, pavarësisht se ligji e njeh të drejtën për jetesë të pavarur.

“Jo të gjithë kanë ekonominë dhe jo të gjithë mund të mbajnë familjen me 16 mijë lekë që jep shteti”, thekson Lala.

Pozicioni i asistentit personal synon të lejojë që personat me aftësi të kufizuara të jetojnë të pavarur në shtëpitë e tyre, pa mbështetjen e përhershme të prindërve.

Ligji shqiptar (93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”) parashikon që personat me aftësi të kufizuara të kenë akses në ndihmës personal për të jetuar në mënyrë të pavarur. Por zbatimi ka qenë i pjesshëm.

Pagesat e ndihmësit janë të ulëta krahasuar me nevojat nga 8,000 deri në 13,000 lekë dhe nuk njihen vitet e punës për shumicën e kategorive.

“Nuk kanë as leje vjetore, nuk kanë ditë pushimi. Pra duhet të jenë aty gjithmonë dhe nuk kanë ku të shpenzojnë barrën që ju bie për kujdesin e familjarëve që është barrë e papaguar”, tregoi Lala.

Sipas saj, duke pasur parasysh ndryshimet demografike në shoqërinë shqiptare, shumë prej personave me aftësi të kufizuar do të mbeten vetëm dhe pa përkrahje.

“Çka është shkelje e të drejtave të njeriut dhe bie ndesh me atë qasje të të drejtave që ne kemi marrë përsipër si shtet”, vijoi ajo.

Sipas Suela Lalës asistenti personal ka një rol kyç për për jetesën e pavarur të personave me aftësi të kufizuar, duke iu mundësuar mbështetje për aktivitete të përditshme sikurse veshja, larja, ushqimi, lëvizja jashtë shtëpisë dhe krijimi i familjes.

“Studimet kanë treguar që ofrimi i këtij shërbimi nxit punësimin dhe ul barrën e kostos që ka shteti nëse i mban personat me aftësi të kufizuar të pambështetur dhe të izoluar në shtëpitë e tyre”, përfundoi Suela.

Aksesueshmëria, problem ende i pazgjidhur

Pavarësisht investimeve në infrastrukturë, aksesueshmëria mbetet e mangët në shumicën e qyteteve në Shqipëri.

Trotuaret janë pa sinjalistikë për personat me probleme shikimi, institucionet publike pa rampa funksionale dhe transporti urban shpesh i papërshtatur. Ky realitet kthehet në pengesë për personat me aftësi të kufizuara.

“Aksesueshmëria duhet të ishte kapërcyer. Tirana nuk është Shqipëria. Në qytetet e tjera situata është edhe më skandaloze,” tregon Lala.

Shqipëria ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe ka miratuar ligje që synojnë përfshirjen e sociale dhe aksesueshmërinë e tyre.

Ligji Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara” është një ndër ligjet që ka si qëllim të nxisë dhe mbrojë të drejtat e këtij komuniteti duke u mundësuar pjesëmarrje në shoqëri, por edhe duke ngarkuar me përgjegjësi të gjitha institucionet shtetërore të mundësojnë gjithë përfshirjen e tyre duke hequr barrierat infrastrukturore e sociale.

Në vitin 2015, VKM-ja Nr.1074 caktoi masat për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë si dhe ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara duke bërë të mundur aksesin në strehim, transport, shëndetësi, kujdes social, arsimim dhe punësim.

Ligji Nr. 107/2014 “Për planifikimi dhe zhvillimin e territorit” dhe vendimi Nr.1503, datë 19.11.2008 “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”, përcakton krahas të tjerave respektimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar në çdo ndërtim për banesa, hapësira dhe shërbime për publikun, përfshirë parqet, sheshet dhe rrugët.

Ligji nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, në nenin 7 të tij përcakton eliminimin e diskriminimit nga sektorët publikë dhe privatë për shkak të aftësisë së kufizuar.

Ligji nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore”, përcakton detyrimin për përkujdesje dhe transport me përparësi.

Megjithatë, zbatimi në praktikë i këtij kuadri ligjor ka mbetur i pjesshëm, duke krijuar hendek mes legjislacionit dhe realitetit të jetuar.

Shumë ndërtesa publike dhe private nuk respektojnë standardet e përcaktuara, duke e lënë komunitetin të izoluar teksa shërbime të ndryshme nuk plotësojnë nevojat e tyre të përditshme.

Lexoni gjithashtu:

The post Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar: Komuniteti ende i izoluar appeared first on Citizens.al.

Minatorët e Spaçit mbyllin grevën, por beteja për kërkesat vazhdon

27 November 2025 at 17:59

Minatorët e minierës së bakrit në Spaç i dhanë fund sot grevës 40-ditore, por duke paralajmëruar se betejën për të drejtat e tyre do të vijojnë në rrugë ligjore.

Ata e mbyllën grevën me një manifestim në sheshin në hyrje të minierës.

Albert Bushpreni, organizator i saj, tha se vendimi synon t’i hapë rrugë procedurave ligjore. Sipas tij qeveria nuk ndërhyri, pavarësisht se ata kërkuan mbështetje dhe kontroll të kushteve të punës.

“Duam që grevën ta mbyllim këtu për t’i hapur rrugë pretendimeve të qeverisë se në kohë greve nuk mund të bëjmë kontrolle dhe ne do të vazhdojmë rrugën ligjore dhe punën tonë sindikale pa ndërprerje”, tha ai.

Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), Kolë Nikollaj, e vlerësoi grevën si një akt dinjiteti dhe akuzoi qeverinë për mungesë reagimi. Ai theksoi se kërkesat nuk lidhen vetëm me pagën, por me standardet minimale të punës dhe sigurisë.

Nga ana tjetër, Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, kërkoi status të posaçëm për minatorët si punonjësit me riskun më të lartë në Shqipëri.

“Të ketë një status të veçante, të ketë një Kod Pune të veçantë në mënyrën se si duhet të trajtohen dhe paguhen minatorët”, apeloi Mëlyshi.

Pas përfundimit të grevës, minatorët, përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe deputetë lokalë deklaruan nisjen e negociatave me koncesionarin “Tete Albania” për të kthyer në punë minatorët që u pushuan.

Historiku i grevës

Greva nisi më 13 tetor pas një bojkoti dyditor të rreth 70 minatorëve dhe një sërë takimesh të dështuara me kompaninë turke në të cilat kërkoheshin kushte më të mira, njohje e sindikatës së re dhe kontrata kolektive.

Gjatë kohës që ajo vijoi, çështja përshkallëzoi me pushime nga puna. Në diskutimet që u mbajtën në Kuvend së fundmi, u tha se numri i të pushuarve kishte shkuar në 67-të.

KSSH i pati kërkuar kompanisë hapje të negociatave, por ajo refuzoi, duke pretenduar mungesë dokumentacioni nga sindikata e re.

“Tete Albania” e cilësoi grevën të paligjshme dhe deklaroi se KSSH nuk kishte paraqitur provat e anëtarësisë. Takimet ndërmjetësuese në Agjencinë Rajonale të Punësimit dhe ministrinë e Ekonomisë dështuan të prodhonin zgjidhje.

Për rrjedhojë protesta u zhvendos para Kuvendit më 30 tetor, ku grevistët kërkuan ndërhyrje institucionale. Ministrja Delina Ibrahimaj kërkoi argumente ligjore shtesë nga sindikata, ndërsa edhe takimet e mëvonshme me kompaninë nuk sollën zgjidhje.

Takimi i 7 nëntorit në Spaç u anulua, pasi minatorët refuzuan të marrin pjesë pa praninë e përfaqësuesve të KSSH-së.

Kështu, sot, më 27 nëntor, minatorët vendosën mbylljen e grevës, por jo të betejës duke paralajmëruar vijimin e ndjekjes ligjore dhe presionit sindikal, deri në njohjen e të drejtave të tyre.

Çështja e Spaçit mbetet një provë e qartë e boshllëqeve në mbrojtjen e punonjësve në sektorët e rrezikshëm, teksa ish-minatorët protestojnë prej vitesh për miratimin e një statusi që do t’u siguronte atyre përkrahje dhe trajtime më të veçanta.

Lexoni gjithashtu:

The post Minatorët e Spaçit mbyllin grevën, por beteja për kërkesat vazhdon appeared first on Citizens.al.

Aktivistët e Zall-Gjoçajt në gjyq me “Seka Hydropower”: “Fjala e lirë nuk është krim!”

26 November 2025 at 15:40

Aktivistët dhe banorët Adem Xhokola, Dhimitër Koleci dhe Jorgji Locaj u paraqitën sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Lezhës për t’u përballur me një padi penale të ngritur nga kompania “Seka Hydropower”.

Sipas kompanisë, deklaratat e tyre publike gjatë protestave kundër ndërtimeve të hidrocentraleve në Zall-Gjoçaj të Matit dhe Lufaj të Mirditës kanë qenë fyese dhe shpifje

“Kur më erdhi thirrja për në Gjykatën e Lezhës thashë se padia jonë që është në Prokurorinë e Lezhës ka dalë për shqyrtim. As nuk e pashë fare. Pas 10 ditësh e pashë që ishte për të dhënë ne llogari firmës”, u shpreh Dhimitër Koleci.

Sipas tij, padia për fyerje dhe shpifje është një lloj intimidimi për banorët që të mos ngrenë padi të reja, të mos aktivizohen dhe të mos grumbullohen në protesta.

Sipas Kolecit, kjo nuk është hera e parë që banorët përballen me raste të tilla, duke e konsideruar ndërtimin e hidrocentraleve në këtë zonë si një krim.

“Të ndërtosh në një park kombëtar, të hedhësh betonin në kohën që është park kombëtar, ky është një krim. Të devijosh dy lumenj, nuk është krim ky? Të prishësh kanalin vaditës të banorëve të zonës, nuk është krim?”, u shpreh më tej Dhimitër Koleci.

Padia bazohet në deklaratat për mediat dhe komunikimet e banorëve gjatë një proteste të korrikut në Lufaj, ku ata ngritën shqetësime për ndikimin e hidrocentraleve në lumin Flim dhe Urakë.

Kompania pretendon se këto deklarata i kanë dëmtuar imazhin. Ndërkohë, banorët dhe aktivistët e shohin këtë si një padi tipike SLAPP, e përdorur për të frenuar protestat dhe zërin kundërshtues të komunitetit. Kjo pasi nëse ata shpallen fajtor rrezikojnë një gjobë të konsiderueshme nga 50,000 deri në 3,000,000 lekë.

Adem Xhokola tha për Citizens.al se kjo padi është një presion i hapuar ndaj banorëve.

“Ne nuk kemi bërë asnjë shpifje, asnjë fyerje. Ne kemi kërkuar të drejtën tonë që na takon sepse ato kanë shkelur të gjitha ligjet”, u shpreh Xhokola.

Sipas tij, gjithçka kanë bërë banorët ka qenë për të mbrojtur ujin dhe zonën.

“Kam luftuar dhe punuar për të mborjtur këtë vend dhe do të luftoj deri në momentin e fundit për të mbrotjur vendin tim“, deklaroi Adem Xhokola.

Për Jorgji Locaj, kjo padi është e padrejtë, pasi çfarë kanë denoncuar në protesta dhe në gjykatë është e vërteta e tyre.

“Jemi gjithmonë me të drejtën, nuk na tremb asgjë. Ne kemi të drejtën të flasim. Këtë të drejtë nuk na e ndal askush. Asnjë njeri. Vetëm po na e ndaloi zoti i madh”, u shpreh Jorgji Locaj.

Sot, përpara gjykatës, Xhokola, Koleci dhe Locaj patën mbështetjen e aktivistëve dhe komunitetit të cilët u mblodhën jashtë.

Në mënyrë simbolike, mbi megafon ata vendosën një shirit i zi, një mesazh kundër tentativës, sikurse thonë ata, që ka bërë kompania për t’i heshtur. Ndërsa banderola “Fjala e lirë nuk është krim!” sintetizonte më shumë qëndrimin e tyre.

Seanca e sotme ishte një seancë pajtimi, e cila dështoi t’i bënte bashkë palët, dhe për rrjedhojë çështja do të kalojë për gjykim me seancën e parë të caktuar për më 15 dhjetor.

Në seancën e pajtimit ishin të pranishëm edhe Sokol Muçeku dhe Fabio Scuero (shtetas italian), administratorë të firmës “Seka Hydropower”.

Për çështjen e hidrocentraleve, banorët e Zall-Gjoçajt janë në procese gjyqësore.

Në fund të tetorit, Gjykata Administrative e Apelit, Tiranë, la në fuqi vendimin që legjitimoi ndërtimin e hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”. Banorët, të cilët nuk pajtohen me këtë vendim, janë shprehur se do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë.

Një betejë gjyqësore që zgjat prej pesë vitesh

Çështja e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës” mbetet një konflikt i gjatë mes komunitetit, kompanisë dhe institucioneve.

Prej vitit 2018, banorët kanë kundërshtuar në rrugë ligjore dhe me protesta ndërtimin e HEC-eve në Zall-Gjoçaj, duke ngritur pretendimin se hidrocentralet dëmtojnë mjedisin, pakësojnë ujërat dhe për rrjedhojë ndikojnë negativisht në jetën e tyre si komunitet lokal.

Një studim i realizuar nga biologu Melitjan Nezaj dhe raportuar nga Citizens.al në nëntor 2024 tregoi se ndërtimet e HEC-eve në Zall-Gjoçaj kanë sjellë dëmtime të ndjeshme në ekosistem.

Sipas gjetjeve, devijimi i prurjeve ka ndryshuar ndjeshëm regjimin hidrologjik të lumenjve, ka reduktuar habitate të rëndësishme për faunën ujore, ka rritur erozionin dhe sedimentimin dhe ka shkaktuar fragmentim të mjedisit pyjor përreth.

Studimi evidentoi zhvendosje të specieve të mbrojtura, rënie të shëndetit ekologjik të shtratit lumor dhe transformim të zonave të ndjeshme brenda parkut, duke vërtetuar se punimet kanë tejkaluar ndikimet e deklaruara në dokumentet zyrtare. Ndër speciet më të rrezikuara ishte trofta.

Pikërisht në këtë kontekst, banorët kanë kërkuar prej vitesh pavlefshmërinë e deklaratës mjedisore, lejeve të ndërtimit dhe procedurave që u ndoqën për tkurrjen e fondit pyjor me 6,180 m².

Sipas tyre, ndërtimet bien ndesh me ligjin nr. 81/2017 për Zonat e Mbrojtura, i cili ndalon projektet energjetike në zonat e kategorisë “II”. Përveç kompanisë “Seka Hydropower”, banorët kanë paditur edhe institucionet shtetërore për lejimin e punimeve.

Në vitin 2018, Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën për të formuar një nga parqet më të mëdha kombëtare të Shqipërisë, parkun “Lurë-Mali i Dejës”, por në janar 2022 qeveria ndryshoi kufijtë e tij, duke përjashtuar pikërisht zonën ku u ngrit diga e HEC-it “Zajs” – një vendim që banorët e konsiderojnë si “legalizim të shkeljeve”.

Kronologjia e ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore:

  • 2019 – Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën për pezullimin e punimeve.
  • 2020 – Gjykata Administrative rrëzoi padinë për ndalimin e HEC-eve.
  • 2021 – Gjykata anuloi licencën e dhënë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për HEC-in “Zajs” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.
  • 2021 – Gjykata rrëzoi padinë kundër institucioneve që dhanë lejet.
  • 2021 – Apeli lë në fuqi vendimin për anulimin e licencës së ERE-s ndaj HEC-it “Zajs”.
  • 2022 – ERE zbaton vendimin dhe i heq licencën HEC-it “Zajs”.
  • 2022 – Gjykata e Lartë konfirmon përfundimisht heqjen e licencës kompanisë “Seka Hydropower” për një nga HEC-et.
  • 2025 – Gjykata Administrative e Apelit lë në fuqi ndërtimin e HEC-eve në Zall-Gjocaj.

Lexoni gjithashtu:

The post Aktivistët e Zall-Gjoçajt në gjyq me “Seka Hydropower”: “Fjala e lirë nuk është krim!” appeared first on Citizens.al.

Apeli kthen për shqyrtim ligjshmërinë e Aeroportit të Vlorës

25 November 2025 at 17:21

Pas dy vitesh në vendnumëro shqyrtimi i ligjshmërisë së ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë ka marrë një zhvillim të rëndësishëm.

Gjykata Administrative e Apelit ka legjitimuar organizatat mjedisore si palë në çështje dhe ka vendosur ta kthejë atë për gjykim në shkallën e parë. Ajo e ka mbështetur arsyetimin e paraqitur nga paditësit e përfaqësuar nga avokatët e qendrës “Res Publica” dhe studios ligjore “Mecci”.

Vendimi i Apelit erdhi pas dy seancash përgatitore në të cilat ftoi palët t’u përgjigjeshin një grupi pyetjesh të ngritura më herët nga Gjykata e Lartë, kjo e fundit pati ndërhyrë duke i kërkuar Apelit të korrigjonte mangësitë proceduriale.

Kjo ndërhyrje bëri që çështja të mbetej pezull prej rreth dy vitesh teksa pyetjet e ngritura u konsideruan nga pala paditëse si të njëanshme pasi thelbi i çështjes nuk ishte legjitimiteti i palëve por i ndërhyrjes në një zonë të mbrojtur.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit nuk është zbardhur ende. Ai pritet të apelohet gjithashtu nga qeveria, kompanitë zbatuese dhe vetë Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës si operator ekonomik.

Për Joni Vorpsin nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) vonesat në proceset gjyqësore për çështje që lidhen me mjedisin janë zhgënjyese.

Duke komentuar rastin ai u shpreh mosbesues për Citizens.al, kjo nisur nga përvoja e shqyrtimeve gjyqësore pa masa parandaluese për dëmet e mundshme në mjedis siç mund të ishte një masë pezullimi punimesh.

“Ka pak shpresë që mbrojtja e burimeve natyrore të ketë sukses në gjykata dhe deri në fillimin e debateve gjyqësore, i gjithë rrjeti i zonave të mbrojtura bregdetare do të jetë shkatërruar në emër të zhvillimit,” tha ai.

Ndërtimi i aeroportit, një proces i zvarritur

Padia e PPNEA-së dhe Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) u dorëzua zyrtarisht më 23 nëntor 2022.

Ai argumentonte se projekti shkelte legjislacionin e mjedisit, përfshirë Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), ruajtjen e biodiversitetit dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura. Gjithashtu evidentoheshin mangësi në proceset e konsultimit publik dhe dhënies së lejeve të ndërtimit.

Mirëpo, gjykatat kanë shtyrë afatet e shqyrtimit, duke krijuar një zinxhir vonesash procedurale dhe konflikt juridiksioni për kërkesat për masa paraprake.

Dy kërkesa për pezullimin e ndërtimit u refuzuan nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Apeli dhe më pas nga Gjykata e Lartë. Edhe ankimi i dytë, i paraqitur në qershor 2025, u refuzua në korrik.

Avokatët e “Res Publica” kanë dokumentuar një sërë transferimesh të vonuara të dosjes, moskoordim mes shkallëve gjyqësore dhe konflikt kompetencash që kanë zvarritur procesin.

“Duke diskutuar legjitimitetin e organizatave mjedisore për të kundërshtuar projekte shkatërruese brenda zonave të mbrojtura, gjykatat kanë refuzuar edhe sigurimin e padisë, pasi kanë vonuar dhe atë jashtë çdo afati të arsyeshëm”, tha Vorpsi për Citizens.al.

Sipas Vorpsit, aeroporti nisi ndërtimin pa leje dhe vazhdoi pavarësisht thirrjeve të Konventës së Bernës dhe Parlamentit Evropian për pezullim. Ndërkohë gjykatat shqiptare nuk i kanë konsideruar këto si arsye për sigurimin e padisë.

Në këtë kontekst procesi gjyqësor i Aeroportit të Vlorës është kthyer në një lloj shembulli të pengesave në çështjet mjedisore.

Vonesat, konfliktet e kompetencës dhe mungesa e vendimmarrjes së shpejtë kanë lejuar vijimin e një projekti që prek drejtpërdrejt një zonë të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Paralelisht Aeroporti i Vlorës po hetohet nga SPAK për procedurat se si u dha koncesioni i ndërtimit të tij nga qeveria. Dyshohet se procedurat ishin të paracaktuara, teksa ndërtimi i tij vazhdon.

Ndërkohë, sipas avokatëve të organizatave mjedisore kanë dërguar një ankim në Gjykatën Kushtetuese duke sfiduar vendimin e Gjykatës së Lartë që refuzoi kërkesën e parë për masë paraprake. Çështja është në pritje për shqyrtim.

Lexoni gjithashtu:

The post Apeli kthen për shqyrtim ligjshmërinë e Aeroportit të Vlorës appeared first on Citizens.al.

Qukës-Qafë Plloçë, investimi i një dekade që nuk i rezistoi as dy muajve

24 November 2025 at 16:43

Reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit sollën çarje të skarpatës dhe rënie të gurëve në kilometrin e 35-të të rrugës Qukës-Qafë Plloçë.

Në rrjete sociale dhe kanale të tjera të informimit u tha se për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe gurëve, kjo rrugë ishte e pakalueshme dhe madje ishte rrezikuar jeta e kalimtarëve. Por ky në fakt ishte një dezinformim për publikun.

Citizens shpjegon se bllokimi i rrugës nuk ka sjellë pasoja në lëvizje, dhe aq më shumë në sigurinë e kalimtarëve, pasi kompania e kontraktuar për punimet kishte hapur një rrugë dytësore paralele “bypass” për t’iu mundësuar kalimtarëve vijimin e rrugës.

Devijimi ishte kryer që rreth një javë më parë, duke i paraprirë situatës së ndodhur ditëve të fundit.

“I gjithë aksi është i hapur, i aksesueshëm pa probleme dhe në monitorim të vazhdueshëm”, u shpreh Autoriteti Rrugor Shqiptar në një komunikim online.

Shembje të një natyre më të vogël janë venë re edhe më herët në këtë rrugë, ndërsa ajo ka rreth dy muaj që është hapur për qarkullim. Segmenti prej 43.4 km u përurua me ceremoni dhe prezencë të përfaqësuesve shtetërorë. Ndërtimi zgjati rreth 16 vite me një kosto totale mbi 235 milionë dollarë.

Terreni në të cilin kalon rruga është i paqëndrueshëm. Kushtet e rënduara atmosferike e bëjnë situatën edhe më të vështirë.

Pavarësisht rastit dizinformues që u shoqërua këto ditë, cilësia e punimeve mbetet në diskutim. Autoritetet duket se nuk kishin finalizuar ende kontratat e mirëmbajtjes, teksa rrëshqitjet e dherave duhet të ishin marrë parasysh që në fazën e projektimit dhe të mbikëqyreshin me kujdes në fazën e punimeve.

Në shtator 2025, ARRSH hapi tender për mirëmbajtjen me fond limit mbi 330 mijë euro me afat për paraqitjen e ofertave fundin e muajit tetor, mirëpo deri më tani ende nuk ka pasur një fitues të shpallur.

Rruga i përket kategorisë C1, me dy karrexhata me 3,75 metra nga secili krah dhe një metër korsi ndihmëse. Ndërsa si vepra arti janë dy tunele, njëri 710 metra dhe tjetri 300 metra dhe 4 ura, dy prej të cilave metalike.

16 vite për 43.4 km rrugë

Odiseja e rrugës Qukës-Qafë Plloçë nis në vitin 2009, kur ish-kryeministri Sali Berisha premtoi ndërtimin e saj.

“Vota së bashku me ne është votë […] për autostradën e re Qukës-Plloçë-Pogradec,” shprehej Berisha asokohe në takime elektorale.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, Berisha preu shiritin e nisjes së punimeve. Projekti u cilësua më vonë “pa studim dhe me gabime teknike” nga ekspertët e ARRSH-së.

Ai ishte hartuar me buxhetin e shtetit, por pas ndërprerjes së punimeve dhe pamundësisë financiare, në vitin 2013 për të u mor kredi, e cila do të ishte e para e një serie lëvrimesh të tilla.

Huaja, e cila synonte të përfundonte veprën u mor nga Banka Islamike për Zhvillim (BIZH) dhe Fondit Saudit për Zhvillim (FSZH), ndërsa kishte një vlerë totale prej 125 milionë dollarësh.

Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama, projekti u rishikua, duke shtuar kësisoj kosto të tjera financiare.

“Ky ndryshim, ka qenë i domosdoshëm, sepse po të kishim vazhduar me projektin që trashëguam do të ishim në një situatë edhe më katastrofike se me rrugën Tiranë-Elbasan”, shprehej Rama gjatë një inspektimi të punimeve në vitin 2017.

Puna rinisi zyrtarisht në vitin 2015. Në 2018-ën, ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një tjetër inspektimi premtoi se rruga do të ishte funksionale në vitin 2019. Mirëpo, edhe pas përfundimit të këtij afati rruga nuk u hap.

Gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, në shtator të vitit 2020, ministrja e pezulluar e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi se për të përmbyllur punimet nevojiteshin edhe 105.8 milionë dollarë: 56.8 milionë për dy lotet e para dhe 49 për lotin e tretë.

Kjo nevojë u materializua dy vite më vonë, në 2022-in kur qeveria mori tjetër hua nga FSZH me vlerën 49 milionë dollarë për të përfunduar lotin e tretë të rrugës. Lot ky, i cili nuk ishte parashikuar në projektin fillestar.

Sipas ARRSH-së, kostoja fillestare për lotin e parë dhe të dytë ka qenë 38 dhe 63.1 milionë dollarë. Ndërsa sot, loti i parë ka shkuar 74 milionë dhe loti i dytë 95 milionë.

Sa i takon financuesve, sipas ARRSH-së, nga buxheti i shtetit u financuan vetëm 2.9 kilometra. Ndërsa për pjesën tjetër BIZH (30 km) dhe FSZH (10 km).

Qeverisë socialiste iu desh të niste mandatin e katërt për të përfunduar këtë rrugë me kosto të dyfishuar prej fillimit, duke shkuar në mbi 235 milionë dollarë.

Lexo gjithashtu:

The post Qukës-Qafë Plloçë, investimi i një dekade që nuk i rezistoi as dy muajve appeared first on Citizens.al.

Strasburgu shqyrton ankesën e studentëve të mjekësisë për punësimin e detyruar

21 November 2025 at 14:16

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka regjistruar ankimimin e 36 studentëve të mjekësisë kundër ligjit që i detyron të punojnë tre vite në Shqipëri, përndryshe duhet të shlyejnë tarifën e plotë të studimeve, që është përllogaritur të jetë rreth 15,000 euro.

Shqyrtimi në Strasburg kthen sërish në qendër të debatit një çështje që ka prodhuar protesta, bojkot dhe shqetësime të vazhdueshme për lirinë e zgjedhjes së profesionistëve të rinj.

Ligji u miratua fillimisht në korrik 2023 me pesë vite punësim të detyruar, por u ndryshua në shtator 2024 duke e ulur periudhën në tre vite. Rregullat e reja hynë në fuqi për vitin akademik 2025-2026 dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën e pajisjes me diplomë dhe licencë të mjekëve të rinj.

Për shqyrtimin e çështjes, GJEDNJ i ka dërguar qeverisë një listë pyetjesh që lidhen me procesin e regjistrimit në Universitetin e Mjekësisë, mënyrën e pagesës së tarifave, kufizimet e lirisë profesionale, të drejtës për një proces gjyqësor të drejtë dhe proporcionalitetin e detyrimit për punësim.

Studentët e mjekësisë përballen me dy alternativa: të nënshkruajnë kontratë me shtetin ose të refuzojnë dhe të paguajnë tarifën e plotë për gjashtë vitet e studimit.

Me një vendim të tetorit 2023, bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë vlerësoi se kostoja e një viti akademik për studentët e këtij universiteti ishte 248,975 lekë (rreth 2,500 euro) për një total rreth 15,000 euro.

Ata që pranojnë kontratën e marrin diplomën vetëm pasi të kenë përfunduar tre vitet e detyruara të punës në sistemin shëndetësor shqiptar.

Pyetjet e Strasburgut për çështjen e studentëve të mjekësisë.

Ligji parashikon që brenda tre muajsh pas licencimit, Ministria e Shëndetësisë të punësojë mjekët sipas notës mesatare duke i përjashtuar nga konkurrimi.

Në mungesë të një vendi në sistemin publik, mjeku i ri mund të punësohet në sektorin privat, me detyrim njoftimin e ministrisë. Nëse nuk punësohen brenda nëntë muajsh, ata përfitojnë një pagesë prej 80% të pagës mesatare për këtë periudhë.

Studentët që janë ankuar çështjen pretendojnë shkelje të së drejtës për arsim, punë të detyruar dhe diskriminim.

Çështja ngre dilema të rëndësishme për mënyrën se si shteti menaxhon mungesën e mjekëve në sistemin shëndetësor, duke e mbështetur zgjidhjen te një model i detyrimit administrativ, në vend të reformave që mund të mbajnë profesionistët në vend në mënyrë vullnetare.

Ndërkohë, vetë pranimi i çështjes në Strasburg hap një proces që mund të kthehet në precedent për të drejtat profesionale të studentëve dhe standardet e shtetit në raport me politikat e punësimit.

Si u miratua ligji për studentët e mjekësisë

  • Qershor 2023: Ministrja e Arsimit Evis Kushi prezantoi idenë e tre viteve punë të detyruar. Studentët kundërshtuan me protesta.
  • Korrik 2023 – Kryeministri Rama e zgjeroi propozimin në pesë vite detyrim. Protestat vazhduan.
  • Korrik 2023 – Shumica socialiste miratoi ligjin. Studentët paralajmëruan bojkot.
  • Tetor 2023 – Viti akademik nisi me bojkot. Ligji u dërgua për pezullim në Gjykatën Kushtetuese teksa universiteti pranoi të mos aplikojë kontrata deri sa të kishte një vendim.
  • Nëntor 2023 – Gjykata e pezulloi ligjin dhe kërkoi ndryshime.
  • Shtator 2024 – Kuvendi uli detyrimin nga pesë në tre vite.
  • Qershor 2024 – Studentët iu drejtuan GJEDNJ-së.
  • Nëntor 2025 – GJEDNJ regjistroi ankimimin dhe nisi pyetjet për palët.

Lexo gjithashtu:

The post Strasburgu shqyrton ankesën e studentëve të mjekësisë për punësimin e detyruar appeared first on Citizens.al.

Greva e Spaçit diskutohet në Kuvend: Deputetët krah minatorëve, ministria mban rol neutral

19 November 2025 at 16:22

Greva një mujore e minatorëve të Spaçit, e shoqëruar me akuza për shkelje dhe presion mbi aktivitetin sindikal, e detyroi ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, të raportojë para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Ndërsa deputetët u rreshtuan hapur krah minatorëve, ministrja Ibrahimaj zgjodhi një rol neutral, duke theksuar vetëm ndërmjetësimin institucional, një qëndrim që la pezull pyetjet kyçe mbi përgjegjësitë e shtetit në këtë konflikt të zgjatur.

Ministrja Ibrahimaj solli para komisionit një panoramë të përgjithshme të situatës. Ajo tha se koncesionarit turk “Tete Albania” dhe Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) iu ishte kërkuar kthimi në punë i grevistëve me qëllim që të mos përkeqësohej situata financiare për të dyja palët.

“Përfaqësuesit e kompanisë shprehën gadishmërinë për takimin me minatorët ndërkohë që ranë dakord të rikthejnë menjëherë në punë 45 minatorë, ndërsa për pjesën tjetër të tyre (22), të vlerësohej rast pas rasti,” tregoi ministrja për takimin e fundit të kryer në Spaç, ku minatorët nuk pranuan të merrnin pjesë.

“U njoftuan paraprakisht të gjithë ish-të punësuarit dhe KSSH, pasi takimi në kushtet kur nuk ka një kontratë kolektive duhet të ishte ndërmjet punonjësve, ministrisë dhe kompanisë,” vijoi ministrja Ibrahimaj.

Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, theksoi që në fillim se e drejta e punës është e drejtë kushtetuese për të cilën nuk negociohet. Për këtë, ajo e konsideroi grevën e minatorëve si një e drejtë e ligjshme.

“Ajo që ka ndodhur me pushimin e 67 minatorëve në minierën e Spaçit është në shkelje jo vetëm e kushtetutës, ligjeve të këtij vendi, por edhe i çdo parimi normal, moral dhe etik i një biznesi që operon me një leje dhe licencë në Shqipëri”, tha Tabaku.

Ministrja, në raportimin e situatës, u përqendrua edhe te informimi nga ana e Inspektoratit të Punës, duke deklaruar se konflikti ka të bëjë me “mos-dakordësinë me dokumentacionin përfaqësues sindikal dhe procedurat për nisjen e negociatave për shpalljen e grevës”.

“Greva nisi pa njoftim paraprak,” vijoi ministrja Ibrahimaj, sipas së cilës kjo kërkonte vlerësim të mëtejshëm teksa aktiviteti në minierë vijon të jetë pjesërisht i ndërprerë, me vonesa teknike dhe në rrezik për sigurinë.

Në këtë çështje, deputetët u bënë bashkë, si nga opozita ashtu edhe nga pozita duke u rreshtuar krah minatorëve si një rast që ka të bëjë me pasurinë kombëtare.

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti tha se përfaqësuesit e ministrisë kanë kërcënuar minatorët duke iu thënë të rikthehen në punë, “përndryshe mbeten pa bukë”.

Ajo pyeti më tej ministren nëse ishte në dijeni për kushtet e punës dhe për raportimet se minatorët janë detyruar të firmosin deklarata ku heqin dorë nga çdo e drejtë.

Ministrja u shpreh se nuk kishte dijeni për to dhe se do të kërkonte informacione konkrete për vërtetësinë e tyre.

Deputeti Erion Braçe u shpreh se nuk duhej lejuar që koncesionari turk të shkelë Kushtetutën, pasi nuk është lejuar anëtarësimi në sindikatë i minatorëve.

“Nëse pronari do të ketë sindikatë të vetën ta bëjë diku tjetër, është vullneti i punëtorëve për të zgjedhur sindikatën. Konfederatën e keni në këshillin e punës, kush është ajo kompani që e vë në dyshim?! Kur ai thotë nuk të njoh se s’dua sindikatë, çfarë negociate do të bësh?! Nuk negociohet Kushtetuta me pronarin e një kompanie!” theksoi Braçe.

Por, më pas deputeti socialist këmbënguli që minatorët të kthehen në punë dhe më tej të negociojnë për kontratat kolektive, duke sjellë në vëmendje faktin se minatorët në minierën e bakrit në Spaç punonin 26 ditë në muaj, më shumë nga sa e parashikon ligji.

Pyetjes nëse ka pasur inspektime në këtë kompani iu përgjigj kreu i Inspektoratit të Punës, Eljo Muçaj, i cili tha se “nuk ishin konstatuar shkelje”.

“Tete Albania është inspektuar 10 herë, ka vetëm një denoncim për orët shtesë në vitin 2023. Tete është gjobitur dy herë në vitin 2024, me nga 400 mijë lekë, aksidentet nuk kanë qenë me pasoja për jetë”, u shpreh Muçaj.

Më tej ai deklaroi se edhe për një aksident të dhjetorit 2024 është gjobitur nënkontraktori, ndërsa kushtet në minierë “janë normale” dhe “pagat janë 20-30% më ta larta se pagat që ka kjo industri”.

Në këtë pikë, deputeti socialist Ardit Bido solli në pah diferencimin e punonjësve shqiptarë nga ata turq sa i takon pagave.

“Në këtë listpagesë që kemi përpara, një inxhinier gjeolog shqiptar paguhet me 272 mijë lekë, ndërsa një turk paguhet 459 mijë lekë”, tregoi Bido.

Ndërsa të njëjtën çështje solli edhe deputeti demokrat Gazment Bardhi.

“Ka diferencime të frikshme mes punonjësve shqiptarë dhe turq. Ata që janë punëtorë turq për të njëjtën punë marrin dy-tre herë më shumë”, tha Bardhi.

Gjatë raportimit, ministrja Ibrahimaj nuk u ndal te shqetësimet e minatorëve dhe as te kërkesat e tyre gjatë kësaj periudhe, sikurse organizimi sindikal, nënshkrimi i një kontrate kolektive, kushte më të mira në punë, siguri dhe paga më të mira.

Sot, përpos kushteve atmosferike minatorët vijojnë të jenë në grevë, e cila nisi më 13 tetor, ndërsa protesta dhe bojkoti i punës kishte nisur që pesë ditë më herët, më 8 tetor.

Përpos negociatave dhe takimeve në zyrën e pajtimit dhe në ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit ende nuk ka një dakordësi për zgjidhjen e situatës.

Pikënisja dhe organizimi i minatorëve të Spaçit

Më 8 dhe 9 tetor rreth 70 minatorë të Spaçit bojkotuan punën dhe u mblodhën në protestë para ambienteve të minierës së bakrit dhe kompanisë “Tete Albania” për kushte më të mira, siguri dhe nënshkrim të kontratës kolektive duke njohur sindikatën e tyre të formuar më 16 gusht 2025.

KSSH-ja iu drejtua kompanisë për të filluar diskutimin e bisedimeve për nënshkrimin e kontratës.

Më 7 tetor, kompania iu drejtua KSSH-së me shkresë duke i thënë se ka mungesë dokumentacioni.

Sipas saj sindikata e re nuk kishte dorëzuar dokumentacion të vlefshëm ligjërisht dhe se KSSH nuk kishte paraqitur listën e anëtarëve apo vendimin e krijimit të saj.

Më 8 tetor, KSSH njoftoi kompanisë “Tete Albania” për nisjen e grevës së përgjithshme pa afat më 13 tetor.

Me një shkresë, kompania iu drejtua KSSH-së më 9 tetor ku i theksoi paligjshmërinë e grevës.

“KSSH-ja nuk ka provuar që anëtarët e konfederatës janë punëmarrës të shoqërisë së tyre, ndaj edhe nuk ka asnjë tagër dhe të drejtë për të zhvilluar bisedime në emrin e tyre”, thuhej në shkresën e kompanisë drejtuar KSSH-së.

Më 10 tetor u mbajt një takim ndërmjetësues mes KSSH-së dhe “Tete Albania” në Drejtorinë Rajonale të Agjencisë kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Lezhë. Takimi nuk pati asnjë dakordësim.

“Ndërmjetësi konstaton se nuk ekziston aktualisht frymë bashkëpunimi midis palëve; palët nuk janë të gatshme të vijojnë negociata në kuadër të procesit të ndërmjetësimit”, u tha në procesverbalin e mbajtur nga kjo drejtori rajonale.

Më 13 tetor minatorët nisën grevën e përgjithshme dhe tetë ditë më vonë, më 21 tetor, përfaqësuesit zhvillojnë takim ndërmjetësues në Ministrisë e Ekonomisë.

Minatorët kërkuan kthimin në punë të 17 kolegëve të tyre që u pushuan javët e fundit dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, por këto kërkesa si dhe 8 pika të tjera nuk u morën parasysh nga përfaqësuesit e kompanisë, të cilët vijuan ta konsiderojnë grevën të paligjshme dhe sindikatën përfaqësuese “pa mandat ligjor”.

Edhe ky takim ishte pa rezultat.

Më 30 tetor, minatorët e zhvendosën grevën dhe protestën para Kuvendit, ku përsëritën kërkesat me thirrjen që ato të marrin zë edhe në Kuvend.

Po në këtë ditë ata zhvilluan takim me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj. Pas pasqyrimit të siutatës nga ana e përfaqësuesve të minatorëve dhe Konfederatës së Sindikatave ministrja kërkoi evidentimin e argumentave ligjorë për mbrojtjen e pretendimeve që konfederata kishte.

Më 4 nëntor 2025, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit zhvilloi takim me kompaninë turke “Tete Albania”.

Më 7 nëntor 2025 u njoftua për një tjetër takim në Spaç, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Inspektoratit të Punës dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Takimi nuk u realizua pasi minatorët nuk pranuan të merrnin pjesë pa përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave.

Lexoni gjithashtu:

The post Greva e Spaçit diskutohet në Kuvend: Deputetët krah minatorëve, ministria mban rol neutral appeared first on Citizens.al.

Të qeshurat që ndezën debat për racizëm ndaj futollistit të Klubit Sportiv Burreli

13 November 2025 at 17:55


Moderatorja Hygerta Sako dhe panelistët e emisionit e pritën me të qeshura lidhjen e drejtpërdrejtë me futbollistin e klubit sportiv Burreli, Arnold Kwaku Siaw, pas ndeshjes Burreli-Pogradeci.

Futbollisti 21 vjeçar nga Gana po jepte intervistë pas ndeshjes për emisionin sportiv “Super Gol” në Radio Televizionin Publik Shqiptar.

Moderatorja Sako shihet se shkëmben të qeshura dhe batuta me panelistët Ardian Behari, Gerd Haxhiu dhe Klajdi Kola. Ajo u shpreh se kishte probleme me ekranin dhe nuk e shihnin mirë lojtarin për shkak të cilësisë së videos, por për shumë shikues u perceptua si tallje dhe racizëm ndaj ngjyrës së lëkurës së futbollistit.


Pamjet u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe shumë qytetarë e cilësuan si një “moment të turpshëm” në një televizion publik.

Televizioni publik nuk mbajti një qëndrim zyrtar për këtë situatë, mirëpo e ftuar në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, moderatoja Sako mohoi çdo qasje raciste në lidhje me futbollistin.

Ajo tha se situata ishte keqkuptuar dhe se qeshja kishte ndodhur më herët për shkak të një problemi teknik gjatë transmetimit

“Ishte e pamundur për mua që ta riprodhoja si emër, sepse nuk është një personazh i njohur, po themi që sapo e sheh si portret ti e dallon. Ajo ishte një situatë që unë po qeshja me veten time dhe me një problem me sytë e mi që dhe studio dhe të ftuarit e mi e dinë këtë gjë dhe gjithmonë bëjmë shaka. E qeshura mori për kot ashtu siç të zë e qara që nuk e ndalon dot dhe ka momente që nuk e kontrollon dot”, u shpreh moderatoja Hygerta Sako, duke shtuar se gjatë 31 viteve punë në media nuk ka pasur asnjëherë një rast ku akuzohet se diskriminon dikë.

Nga ana tejtër, klubi sportiv i Burrelit u shpreh i indinjuar për komentet e papërshtatshme dhe sipas tyre me “nuanca raciste” të bëra në një emision sportiv kundrejt futbollistit të tyre.

“Një gjuhë e tillë, pavarësisht nëse maskohet si “shaka”, nuk ka vend as në sport dhe as në shoqërinë tonë. Futbolli është një lojë që bashkon njerëzit, pa dallim ngjyre, race apo origjine, dhe çdo lloj nënvlerësimi ndaj një sportisti për arsye të tilla është e papranueshme”, u shpreh në reagimin zyrtar Klubi Sportiv i Burrelit.

Mes të tjerash, ata thanë se presin që RTSH-ja dhe drejtuesit e emisionit të marrin përgjegjësinë e duhur dhe të kërkojnë falje publike.


Reagimet për rastin

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në një reagim publik u shpreh se me rastin është njohur nga mediat dhe situatën e quajti “jo fort profesionale”. Komisioneri kërkoi nga RTSH-ja që të kenë një qëndrim të qartë institucional pas reagimit që pati edhe klubi i Burrelit.

“…për shkak të shqetësimit të krijuar dhe evitimin e situatave që mund të aludojnë bullizim, tallje apo përçmim për shkak të karakteristikave të veçanta që mund të lidhen me shtetësinë, ngjyrën e lëkurës, pamjes së jashtme, e më tej”, u shpreh Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Komisioneri u shpreh më tej se platforma të tilla televizive kombëtare kanë përgjegjësi publike për mesazhet që përcjellin.

Sipas Ligjit Nr. 10221/2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, çdo formë diskriminimi apo trajtim i pabarabartë mbi bazë race, ngjyre apo prejardhjeje është e ndaluar dhe mund të hetohet nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Nga ana tjetër, organizata “Drejtësi Sociale” e dënoi ngjarjen dhe theksoi se ky normalizim i gjuhës raciste tregon se jemi përballë një fenomeni të rrënjosur të diskriminimit dhe përbuzjes ndaj personave me ngjyrë dhe të huajve në Shqipëri. Sipas tyre, racizmi nuk është humor.

“RTSH, në vend që të jetë model i respektit, etikës dhe barazisë, ka lejuar që në valët e tij të përçohet një mesazh përjashtues dhe nxitës i urrejtjes. Racizmi i shfaqur në televizion nuk është një rast i izoluar apo një incident i padëmshëm mediatik. Ai tregon një simptomë të një problematike shumë më të thellë, që lidhet me mënyrën se si shoqëria jonë trajton të huajt, veçanërisht ata me ngjyrë apo që vijnë nga vende të varfra”, u shpreh Drejtësia Sociale.

Ata kërkuan hetim të rastit nga AMA për shkelje të etikës profesionale, falje publike nga RTSH-ja dhe reagim nga institucionet e tjera që zbatojnë politika kundër racizmit dhe diskriminimit ndaj personave me ngjyrë në vend.

The post Të qeshurat që ndezën debat për racizëm ndaj futollistit të Klubit Sportiv Burreli appeared first on Citizens.al.

❌
❌