Një numër i konsiderueshëm ndërhyrjesh po ndikojnë në rrjedhën natyrore të lumit Vjosa, shpallur Park Kombëtar për veçantinë dhe rëndësinë që ka në ekosistemet përreth.
Sipas një studimi të realizuar nga organizatat mjedisore ndërkombëtare “Riverwatch” dhe “EuroNatur,” në kuadër të fushatës “Shpëtoni zemrën blu të Evropës” (Save the Blue Heart of Europe), përgjatë sistemit lumor të Vjosës janë identifikuar devijime të shumta të ujit, të cilat përdoren kryesisht për vaditje, por edhe për aktivitete të tjera ekonomike.
“Në total u identifikuan 20 stacione në dhe përgjatë lumit Vjosa dhe në degët kryesore si Shushica dhe Kardhiqi”, thuhet në studim, i cili thekson se sasia e dokumentuar e ujit të marrë arrin në të paktën 12.012 m³/s.
“Megjithatë, ky numër është padyshim më i lartë, pasi për shtatë vende nuk kishte të dhëna mbi sasinë e ujit të lejuar për nxjerrje”, argumentohet më tej.
Nxjerrja e ujit përmes kanaleve të vaditjes në pjesën e poshtme është dokumentuar si një faktor me ndikim të fortë në zonat e lagështa dhe habitatet brenda sistemit lumor. Gjatë periudhave të thatësirës, një pjesë e konsiderueshme e rrjedhës – gati gjysma e lumit – devijohet për qëllime bujqësore.
“Gjatë gushtit 2025, në kushtet e rrjedhjes së ulët në zonën e Poçemit, prurja e lumit ishte rreth 20 m³/s. Dy kanale kryesore vaditjeje, (p.sh: kanali Levan-Fier), morën rreth 9 m³/s”, thuhet në raport.
Sipas autorëve të studimit, kjo do të thotë se gjatë periudhave të verës ku lumi ka dhe rrjedhën më të ulët, midis një të tretës dhe gjysmës së prurjeve të Vjosës është devijuar për vaditje.
Gjatë punës në terren janë identifikuar pesë kanale vaditëse, 10 stacione të përdorimit të ujit nëntokësor – përfshirë burime dhe puse nxjerrjeje – si dhe tre stacione pompimi që nxjerrin ujë nga nëntoka dhe nga lumi për furnizim ose vaditje. Po ashtu janë identifikuar dy hidrocentrale që prodhojnë energji.
“Këto stacione përkojnë me pikat kryesore të nxjerrjes dhe devijimit të ujit për vaditje, duke dokumentuar përdorimin e tij për qëllime bujqësore përmes sistemeve të kanaleve me gravitet dhe atyre të projektuara inxhinierikisht”, thekson raporti.
Sipas studimit, për të menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme burimet ujore të Parkut Kombëtar të Vjosës duhet të zbatohet plotësisht procesi ligjor për nxjerrjen e ujit në Shqipëri nga institucionet përgjegjëse për menaxhimin e ujërave, kryesisht Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU). Gjithashtu kërkohet monitorim i vazhdueshëm dhe me kosto të ulët i nxjerrjes së ujit brenda parkut.
Në një reagim publik, organizata Eco Albania theksoi se në një kohë kur ndryshimet klimatike po rrisin rrezikun e thatësirave dhe presionin mbi burimet ujore, “menaxhimi i qëndrueshëm i ujit bëhet edhe më i rëndësishëm për ruajtjen e ekosistemeve natyrore.”
Prej tre vitesh, Vjosa është shpallur Park Kombëtar i Lumit të Egër, duke u bërë parku i parë kombëtar i një lumi të tillë në Evropë. Ky status u miratua më 15 mars 2023.
Sipas Eco Albania, gjetjet e studimit tregojnë nevojën për forcim të monitorimit të marrjes së ujit, rritje të transparencës në përdorimin e burimeve ujore dhe zbatim të plotë të kuadrit ligjor për menaxhimin e ujërave, në mënyrë që të garantohet mbrojtja afatgjatë e Vjosës dhe ekosistemeve të saj.
Ndotja e ajrit dhe zhurmat në Tiranë e qytete të tjera të vendit vijojnë të jenë mbi normat e lejuara. Kështu tregoi një raport monitorimi alternativ për vitin 2025, prezantuar nga CoPlan në kuadër të projektit GreenAL. Si arsyet kryesore për ndotjen përmenden ndërtimet, trafiku dhe mungesa e vegjetacionit.
Anila Bejko, drejtuese e CoPlan, u shpreh se në dallim nga vitet e tjera, kur monitorimi është kryer vetëm në Tiranë, këtë vit janë përfshirë edhe qytete të tjera si Durrësi, Korça, Shkodra, Elbasani dhe Fieri.
“Falë më shumë se 800 pikave të lëvizshme të monitorimit në gjashtë qytete dhe 15 stacioneve fikse, këtë vit sjellim një pasqyrë shumë më të plotë të shëndetit të qyteteve tona”, tha Bejko.
I pranishëm në prezantimin e gjetjeve të raportit ishte dhe zëvendësministri i Mjedisit, Genti Gazheli, i cili u shpreh se mbrojtja e mjedisit është prioritet kombëtar dhe pjesë thelbësore e angazhimeve për integrimin evropian.
Sipas tij, kjo ishte një nga arsyet që çoi në krijimin e një ministrie të dedikuar për mjedisin. Megjithatë, sfidat mbeten të shumta.
“Sistemi i monitorimit kërkon përmirësime të mëtejshme teknike, si dhe zgjerimin e mbulimit për ndotës të rëndësishëm si metalet e rënda dhe hidrokarburet aromatike. Po ashtu, forcimi i kapaciteteve laboratorike dhe përmirësimi i transmetimit të të dhënave në kohë reale mbeten drejtime të rëndësishme për të ardhmen”, deklaroi Gazheli.
Ndotja e ajrit mbi normë
Në Tiranë, sipas raportit, 66.7% e pikave të monitorimit tejkalojnë vlerën referencë të dioksidit të azotit (NO₂). Ndikimi kryesor lidhet me trafikun rrugor dhe burimet e djegies në zona të caktuara urbane.
“Sasia e NO2 tejkalon 3-4 herë normën prej 40 mcg/m3. Pikat më problematike janë kryqëzimi i zgjatimit të bulevardit me Unazën, Materniteti i Ri, Ali Demi, Rruga e Elbasanit dhe zona e Kristal Center”, u shpreh Kejt Dhrami, eksperte e qeverisjes territoriale pranë CoPlan.
Po ashtu, në 98.3% të pikave të monitorimit nivelet e dioksidit të karbonit (CO2) rezultojnë mbi nivelin referencë.
“Rreth 95% më lart se standardi. Kjo lidhet me sisteme urbane shumë të ngarkuara, shkëmbimin e ajrit të ndotur të brendshëm me atë të jashtëm dhe mungesën e vegjetacionit”, tha Dhrami.
Sa i përket grimcave të imëta të pluhurit nga emetimet e automjeteve (PM2.5) dhe grimcave më të mëdha (PM10), raporti tregon se ato rrallë tejkaluan standardet në Tiranë për periudhën kur është kryer monitorimi, korrik-gusht 2025.
“Arsyeja është se kjo periudhë shoqërohet me lëvizje më të pakta të automjeteve dhe përdorim më të kufizuar të sistemeve të ngrohjes. Megjithatë ka zona ku vlerat i afrohen ose i tejkalojnë kufijtë maksimalë, si në Rrugën e Dibrës, Qytetin Studenti dhe zonën e Medresesë”, shtoi Dhrami.
Në Durrës, pluhurat rezultojnë mbi standardet.
“Zonat më të ndotura janë Vollga, Rruga e Spitalit, stadiumi dhe bulevardi. Kjo lidhet me intensitetin urban dhe aktivitetin pranë zonës portuale”, argumentoi Dhrami.
Në Elbasan rreth 91% e pikave tejkalojnë standardin për NO₂, ndërsa 95% janë mbi pragun referencë për CO₂.
Në Fier, 73% e pikave të monitoruara tejkalojnë standardin për PM2.5 dhe PM1, ndërsa 67% e pikave të monitorimit për NO₂ janë mbi standard.
Në më shumë se gjysmën e pikave të monitoruara në Korçë dhe Shkodër rezulton se grimcat e imëta në ajër tejkalojnë standardet.
Ndotja akustike, një realitet i përditshëm
Rruga e Dibrës, zona e Medresesë, Qyteti Studenti dhe Liqeni Artificial janë disa nga zonat ku niveli i zhurmës e kalon kufirin normal, sipas raportit.
“Gjatë ditës, 88% e pikave të monitoruara tejkalojnë kufirin prej 55 decibelësh, kryesisht për shkak të trafikut”, u shpreh Greta Shehu, eksperte mjedisi pranë CoPlan.
Sipas saj, gjatë natës tejkalimi është disi më i ulët dhe ndodh kryesisht në zona urbane si Astiri dhe zona e Doganës.
Në Durrës, 87% e pikave të monitorimit tejkalojnë nivelin prej 55 decibelësh, kryesisht në shëtitoren Vollga, zonën e portit dhe lagjet përreth.
“Gjatë natës, 92% e pikave të monitorimit e kalojnë standardin, duke krijuar probleme për shëndetin dhe cilësinë e gjumit”, tha Shehu.
Në Elbasan, zonat më të prekura janë autostrada, lagjja Skënderbeu dhe qendra e qytetit. Gjatë natës, 86% e pikave monitoruese tejkalojnë kufirin prej 45 decibelësh.
Në Fier, 61 nga 99 pika monitorimi janë mbi standard gjatë ditës, ndërsa gjatë natës 46 prej tyre e tejkalojnë kufirin.
Në Korçë situata paraqitet më e qëndrueshme, ku 37% e stacioneve tejkalojnë standardin gjatë ditës. Megjithatë gjatë natës 65% e tyre e kalojnë kufirin.
Në Shkodër, 89% e pikave të monitorimit tejkalojnë kufirin prej 55 decibelësh gjatë ditës, kryesisht në rrugët kryesore dhe rreth-rrotullime.
Cilësia e ujërave, e paqëndrueshme
Risi e monitorimit të vitit 2025 është edhe analiza e ujërave, që përfshiu 9 liqene, 5 rezervuarë, 4 përrenj dhe një sistem vaditjeje.
Sipas Imeldi Sokolit, ekspert i territorit dhe mjedisit pranë CoPlan, për analizën e ujërave janë përdorur 18 komponentë matës.
“Kanali Roskovec-Hoxharë, nga 18 komponentë të analizuar, 12 rezultojnë mbi normë”, tha Sokoli.
Ai përmendi gjithashtu disa kanale kulluese në Fier-Divjakë, ku është vërejtur rritje e përçueshmërisë elektrike për shkak të shkarkimeve urbane dhe aktiviteteve bujqësore.
Liqenet kryesore përreth Tiranës rezultojnë gjithashtu të ndotura.
“Liqeni i Bovillës, Liqeni i Farkës dhe Liqeni Artificial i Tiranës kanë ndotje të lartë organike”, tha Sokoli.
Sipas tij, edhe lumi i Tiranës ka shfaqur prani të metaleve të rënda. Edhe liqenet e Treganit, Bleshit dhe Tafanit rezultuan me nivele të larta ndotjeje.
Sokoli theksoi se duhen masa konkrete për përmirësimin e cilësisë së ujërave, përmes kontrollit të aktiviteteve minerare dhe reduktimit të shkarkimeve urbane.
Instituti për Zhvillimin e Habitatit CoPlan, një organizatë që merret me adresimin e çështjeve mjedisore, prezantoi të enjten paradite gjetjet e Monitorimit Alternativ të Ajrit, Ujit dhe Nivelit të Zhurmave për vitin 2025. Monitorimi, i kryer në kuadër të projektit GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile” paraqet të dhëna mbi cilësinë e ajrit, […]
Banorë të fshatrave Koçaj, Dragu dhe Kodra e Danit, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, u mblodhën sot para bashkisë për të kundërshtuar ndërtimin e një hidrocentrali (HEC).
Ata hynë në sallën ku po zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak, ku pritej të diskutohej dhënia e një parcele toke për ndërtimin e HEC-it. Megjithatë, sipas bashkisë, çështja nuk ishte pjesë e rendit të ditës, pasi nuk ishte miratuar më parë.
“U nisën tre-katër herë, jo malin, jo drutë… Tani ka shkuar puna aty ku nuk mbahet më, duke tharë tre katunde. Është përrua, por do t’i mbledhë të gjithë ujërat në një vend dhe të bëhet i pasur ai i zoti që do ta marrë”, u shpreh për Citizens.al, Elez Dedja, banor i zonës.
Pasi pa që banorët hynë në sallë, kryetarja e bashkisë, Festime Mjeshtri, u largua nga mbledhja dhe u fut në zyrën e saj, e ndjekur nga banorët. Më pas ajo pranoi të takonte një përfaqësi të tyre.
“Po na e bënë centralin atje për të na marrë ujin, për të na marrë shpirtin, për të na marrë gjithçka”, u shpreh Mirgjela Mera, një tjetër banore, teksa priste jashtë derës së kryebashkiakes së bashku me dhjetëra banorë të tjerë. Sipas saj, nëse uji u merret, ata nuk kanë më mundësi të jetojnë në fshat.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ahmet Bushi, gjithashtu banor, i cili theksoi se ata do të bëjnë çmos për të mos e lejuar ndërtimin e hidrocentralit.
“Pa ujë, pa drita, pa rrugë nuk ka jetë. Uji merret te fshati im, te shtëpia ime në katund. Shytaj quhet përroi dhe ujërat mblidhen më poshtë”, u shpreh Bushi.
Sipas Seit Hotit, nëse uji merret për hidrocentralin, banorët do të detyrohen të shpërngulen. Ai thekson se për projektin nuk është bërë konsultim me banorët.
“[Investitori]… do ta shtrojë këtu në këshillin bashkiak, të marrë vendimin e këshillit, por ne kemi marrë informacionet dhe nuk e pranojmë. Prandaj kemi ardhur sot këtu”, tha ai.
Nadire Dedaj, një banore në moshë, u shpreh se kundërshtimi ndaj projektit vijon prej vitesh. Ajo tregoi se një situatë të ngjashme zona e kishte kaluar me protesta edhe në vitin 2019 duke ia dalë ta mbrojë ujin.
“Atje nuk mund të futen fadroma e mjete të tjera. Edhe nëse firmat jepen nga Tirana apo nga këta këtu, ata nuk hyjnë dot atje. Ta kenë të prerë atë fjalë”, theksoi ajo për Citizens.al.
Pas përfundimit të takimit me kryebashkiaken, banorët thanë se ajo u shpreh se do të mbështeste qëndrimin e tyre nëse kërkesat rezultojnë të drejta.
“Kryebashkiakja ishte në dijeni dhe tha se e priste këtë reagim,” tregoi për Citizens.al Ismet Koka pasi doli nga takimi.
“Si përfundim na dha një ‘ok’ dhe tha se do të jetë me banorët nëse është me të drejtë. Nëse nuk është, atëherë do të merren masa të tjera.”
Më herët banorët kanë dorëzuar edhe një peticion me rreth 350 nënshkrime kundër ndërtimit të HEC-it “Shytaj”.
Ata kërkojnë që çdo vendim për ndërtimin e hidrocentralit të merret vetëm pas publikimit të raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe pas zhvillimit të dëgjesave publike në fshatrat e prekura, për ndikimin në burimet ujore dhe në masivin pyjor.
Projekti për ndërtimin e hidrocentralit “Shytaj” ka nisur që në vitin 2019, por nuk arriti të miratohej në këshillin bashkiak për shkak të kundërshtimeve të banorëve.
Asokohe, banorët deklaruan se nuk ishin zhvilluar konsultime publike me komunitetin.
Në vitin 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për HEC-in “Shytaj”, me detyrimin për plotësimin e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Sipas lejes së ndërtimit, shoqëria ndërtuese është “ERIM” sh.p.k., në pronësi të familjes Shyti, me aksionerë Adhurim Shyti, Ervin Shyti dhe Arbër Shyti.
Ministria e Mjedisit planifikon t’i kalojë Kuvendit propozimin për shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të ligjit “Për zonat e mbrojtura” vetëm në fund të 2027-ës, periudhë e cila shënon, njëkohësisht, mbylljen e negociatave; pra, në fund të periudhës. Shfuqizimi i dispozitave, së bashku me tetë çështje të tjera që lidhen me standardet dhe specifikat e politikave mjedisore, u kërkuan nga Komisioni Evropian në shtator të 2025. Të njohura si piketat mbyllëse (Closing Benchmarks), ato duhet të përmbushen përpara anëtarësimit të vendit në BE. Dhjetori i 2027-ës është afati i fundit, kur “Paketa e Gjelbër” do t’i bashkëngjitet Traktatit të Aderimit.
Ministria paraqiti planin për përmbushjen e piketave në 17 shkurt, duke i njehsuar me projektaktet mjedisore që do të shqyrtohen në Kuvend përgjatë 2026-ës. Gjatë paraqitjes përpara ekspertëve dhe grupeve të interesit, në të ashtuquajturën “Tryeza 27”, u vu re se shfuqizimi i dispozitave në fjalë ishte planifikuar në tremujorin e katërt të 2027-ës. Gjatë takimit nuk u dha asnjë mundësi për rishikimin e programit, radhës dhe afateve të përmbushjes, ndonëse ndryshimi i kuadrit ligjor i zonave të mbrojtura ka nxitur reagimin e organizatave dhe grupeve për mbrojtjen e natyrës, brenda dhe jashtë vendit.
Kjo do të thotë se përgjatë dy viteve (2026-2027) lejet për ndërtimin e resorteve turistike dhe të parqeve energjitike do të vijojnë presionin ndaj zonave të mbrojtura.
Ligji “Për zonat e mbrojtura” u ndryshua nga qeveria në fillim të 2024 për të dobësuar mbrojtjen nga agresioni i papërballueshëm i projekteve zhvillimore. Ndryshimet mundësojnë ndërtimin e hoteleve dhe ngritjen e paneleve të energjisë së rinovueshme brenda territoreve me ndjeshmëri të lartë natyrore. Organizatat e shoqërisë civile alarmuan opinionin publik për rreziqet e ndryshimeve. Një grup iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin, por nuk ia doli. Një tjetër kërkoi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët, këta të fundit, iu drejtuan zyrtarëve në drejtorinë e zgjerimit dhe atë të mjedisit në Komisionin Evropian me qëllim prapësimin e ndryshimeve.
Çështjet mjedisore mbërritën në tryezën e diskutimit të Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike dhe u shqyrtuan intensivisht gjatë përgatitjes së pozicionit negociues, mes Komisionit dhe Shqipërisë. Pozicioni, i cili synon përafrimin me “acquis” të Bashkimit Evropian, u rishikua disa herë deri në shtator të 2025-ës, kur u përgatit drafti i parë me nëntë piketa mbyllëse, ku Shqipëria merrte përsipër t’i realizonte deri në datën e anëtarësimit. Mes tyre spikati një rezultat: dy prej piketave ishin prapësuese. E para kërkonte shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme (më “acquis”) të ligjit “Për zonat e mbrojtura”, ndërsa e dyta, dhënien fund të ligjit “Për investimet strategjike”. Qeveria ishte tërhequr!
“Piketat nuk mund të diskutohen, por vetëm periudha e përmbushjes së tyre”, – konfirmoi ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj gjatë takimi të Tryezës 27. Por ndërkohë që barrën për investimet strategjike ia kaloi Ministrisë së Ekonomisë, shfuqizimit të dispozitave të papajtueshme të ligjit për zonat e mbrojtura ia mbylli derën e diskutimit lidhur me kohën e trajtimit të tyre. Vendimmarrja mbi planifikimin e trajtimit të piketave mbeti jashtë Tryezës 27, duke u akaparuar nga burokratët e ministrisë, për t’u lënë siç ishte parashikuar: në fund të 2027-ës. Nuk pati asnjë shpjegim për këtë vonesë.
Mendësia përjashtuese shtrihet përtej tryezës së integrimit. Në Ministrinë e Mjedisit, Drejtoresha e Biodiversitetit dhe Zonave të Mbrojtura, znj. Klodiana Marika, ndan të njëjtën mendësi, ndonëse çështjet e biodiversiteti, njëanshmërisht të provokuara, kanë reflektuar historikisht ndjeshmëri shoqërore.
“Po i shohim njëherë vetë”, – justifikohet Marika. “Po marrim në konsideratë të njëjtat kritika që kanë paraqitur organizatat mjedisore. Më duhet të lexoj, rreth 500 faqe dokumentacion, përpara se të prezantoj draftin final të ndryshimeve”, – argumenton ajo.
Qasja e autoritetit vijon të ushqejë një model. Pasi nxituan për ndryshimet pa dëgjuar askënd, tani vonojnë prapësimin, duke i përjashtuar të gjithë. Të njëjtët që nuk u përfillën atëherë, nuk përfillen as tani. A nuk ushqejnë rrethanat dhe përvoja një mentalitet krejt të ri? A nuk duhej të ishte përfshirja e ekspertëve të pavarur një mekanizëm shpëtimi përballë volumit të madh të punëve të hapura prej Integrimit? Përse vijojnë e biem pre e teknokracisë pa rrugëdalje? Në fund të fundit, a nuk janë ndryshimet ligjore të zonave të mbrojtura simbol i dështimit të autoriteti shtetëror për mbrojtjen e natyrës?
Edhe këtë radhë palët e kanë të pamundur ndërtimin e një ure të sinqertë komunikimi. Le të imagjinojmë për një moment të kundërtën: bashkëpunimin! Ç’përfitim mund të arrihej…
Vitrina 27
Së fundi diçka po lëviz. Ose për të mos qenë përkrahës naivë – po ngjan e tillë. Në janar u nxor një njoftim i përsëritur nga Ministria e Mjedisit e cila kërkonte rekrutime të reja për pjesëmarrje në “Tryezën 27”. Fjala është për tryezat e integrimit dhe të këshillimit, të ngritura për tridhjetetre kapituj, çdonjëri nga të cilët përfaqëson fushat e legjislacionit evropian. 27-a ka të bëjë më politikat dhe legjislacionin mjedisor. Tryeza është një mekanizëm për të demokratizuar vendimmarrjen e gjelbër: një togfjalësh në modë. Për herë të fundit tryeza ishte mbledhur fillim të 2025-ës, por ndonëse një vit i ngarkuar me negociatat për integrimin, nuk u mblodh deri në fund të vitit.
Pothuajse në të njëjtën kohë me tryezat e integrimit (2019), Këshilli i Ministrave miratoi ngritjen e tryezave ndërinstitucionale të punës, sipas së njëjtës ndarje: nga një për secilin kapitull; kryesisht, me pjesëmarrjen të nëpunësve të administratës. Të tilla struktura burokratike kanë realizuar një portofol të pasur takimesh gjatë dy viteve të fundit: rreth një takim për çdo muaj.
Vihet re se tryezat e integrimit nuk kanë të njëjtën ngarkesë, pasi shumëçka është përgatitur nga grupet ndërinstitucionale, të mbështetura edhe nga një rreth i ngushtë jofitimprurësesh. Por ky nuk është tipari i vetëm i strukturës integruese të Kapitullit 27. Koha e pamjaftueshme dhe volumi i lartë i punës rrezikon shtimin e tensionit gjatë miratimit të paketave të shumta ligjore, çka mund t’i reduktojë diskutimet dhe konsultimet në seanca formale.
“Koha është e shkurtër, por jo e pamundur”, – konstatoi Jaupaj në takimin e 17 shkurtit në tryezën e integrimit. “Përfshirja e Komisionit Evropian dhe e ekspertëve vendas nuk do të krijojë diskutime mbi legjitimitetin e akteve të planifikuara për t’u miratuar, – konkludoi ai.
Tryeza e 17 shkurtit ishte e para në 2026, ndërkohë që për vendin ka filluar numërimi mbrapsht drejt Bashkimit Evropian. Tryeza ishte masive në pjesëmarrje, por e varfër në ekspertizë. Më shumë sesa ekspertë, të pranishmit ishin menaxherë fondesh, kryesisht mjedisore. Media nuk ishte e pranishme, por ministria ishte kujdesur të kontraktonte operatorë dhe fotografë, editimet e të cilëve i kontrollon. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të medias në tryezë ishte e parëndësishme, çka nënkupton se raportimet e pavarura nuk mund të përcillen lehtë.
Prodhimtaria e tryezës duket e zymtë. 27-a nuk është vetëm kapitulli më i vështirë e më i kushtueshëm për Shqipërinë, por dhe një model i qëndrueshëm e demokratik për menaxhimin e burimeve natyrore. Në fund të fundit, rendja drejt Evropës nuk është vetëm aksion politik, por, në thelbin e saj, aspiratë.
Më shumë takime, më pak përfaqësues
Javën e shkuar, siç ministri Jaupaj kishte premtuar, u zhvillua tryeza për prezantimin e strategjisë kombëtare të ajrit, së bashku me planin e veprimit. Takimi ishte i hapur për përfaqësuesit e biznesit, por prania e tyre regjistroi jo më shumë se dy-tre persona, përfaqësues kompanish nafte. Askush nuk u shqetësua. “Checkbox”-et u plotësuan, së bashku me listë-prezencën prej dyzetekatër pjesëmarrësish, pothuajse të gjithë punonjës në administratën publike.
Cilësia e ajrit, krahas kuadrit ligjor, përbën një prej periudhave kalimtare (transition period) të negociuara për t’u përafruar me “acquis” edhe më vonë se pranimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe natyrisht, nga më të kushtueshmet. Një pjesë e kostos bie mbi kompanitë e naftës, pikave të furnizimit me karburant, të përpunimit të metaleve etj. Përveç ajrit, Shqipëria ka kërkuar periudha kalimtare edhe për cilësinë e ujërave, menaxhimin e mbetjeve dhe shkarkimet industriale. Fusha e mjedisi ka numrin më të lartë të periudhave kalimtare të kërkuara pranë Komisionit Evropian..
“Janë trembëdhjetë të tilla”, – informon Artenida Duraku, Drejtore e Integrimit dhe Projekteve të Huaja në Ministrinë e Mjedisit. “Dhe kemi planifikuar realizimin e tyre, në përputhje me kërkesat e BE”, – siguron ajo.
Të krijohet përshtypja se Integrimi po ecën dhe se mbizotëron optimizmi. Zbatimi i direktivave ështëçështje kohe; periudhat kalimtare njësoj, si vetë fjala. Por megjithëse në fushën e biodversitetit nuk kemi asnjë periudhë të tillë, pra, asnjë pengesë, sërish shfuqizimi i dispozitave ligjore për zonat e mbrojtura u la për në fund. Ç’tregon kjo?! Nëse nuk kemi ende një përgjigje të qartë, të paktën kemi ngritur një pyetje të drejtë.
Kryeministri Edi Rama po negocion Sazanin, një pasuri të Shqipërisë, përmes një qasjeje arbitrare të mbështetur kryesisht në marrëdhënie personale për hir të pushtetit, duke anashkaluar standardet ligjore dhe institucionale.
Që prej vitit 2024, kur Jared Kushner – dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump – shpalli interesin për ta kthyer ishullin në një resort luksoz privat, narrativa publike për Sazanin është mbushur me premtime për zhvillim ekonomik, investime elitare dhe rritje të imazhit të vendit.
Por pas dy vitesh, bilanci është ky: Kushner ka fituar marketing falas për portofolin e tij ndërkombëtar imobiliar. Rama ka fituar simpati dhe afërsi me familjen Trump, duke forcuar pozitat politike në planin e brendshëm. Ndërsa shqiptarët dhe vetë shteti shqiptar nuk kanë fituar asgjë konkrete.
Përkundrazi. Është shënuar një tjetër precedent i rrezikshëm ku një njësi territoriale e vendit po ofrohet për zhvillim në mungesë gare, transparence dhe pa garanci të qarta ligjore dhe ekonomike.
Dokumente të siguruara nga Citizens.al tregojnë se negociatat po zhvillohen formalisht në institucione dhe janë shtyrë pa afat që prej 13 nëntorit 2025. Zyrtarisht, nuk ka plan për Zvërnecin, ndërsa planet tregojnë se i gjithë ishulli i Sazanit do të privatizohet – në kontrast me narrativën fillestare se do të prekej “vetëm 8% e sipërfaqes”.
Në fakt, 45.6 hektarë (8%) nga 570 hektarë tokë janë sipërfaqja që do zihet nga ndërtimi, ndërsa projekti tregon se Sazani kthehet në ishull privat.
Përmasat reale të projektit të propozuar
Deri më tani, publiku është njohur me vetëm tre imazhe të publikuara nga Jared Kushner më 15 mars 2024 në platformën “X”: vila të shpërndara në shpatet e Sazanit dhe një vizion ndërtimesh masive mbi zonën ligatinore të Zvërnecit. Ato kanë qarkulluar thuajse në të gjitha raportimet që flasin për projekt-propozimin.
Por harta e përmbledhjes fazore të projektit, të cilën Citizens.al e disponon, tregon një realitet të ndryshëm për fatin e ishullit.
Fazat e ndërtimeve sipas fazave në ishullin e Sazanit/Citizens.al
Sipas dokumentacionit të analizuar, Sazani është propozuar të ndahet në tre rajone të përgjithshme, të organizuara sipas fazave të zhvillimit me rreth 448,000 m² ndërtime për afërsisht 970 njësi rezidenciale/hotelerie. Ishulli konceptohet si një tërësi e integruar, ku i gjithë rrjeti i rrugëve dhe i qarkullimit do të jetë në funksion të ndërtimeve.
Me fazën e parë privatizohet zemra e ishullit: Porti dhe zona qendrore – pikërisht nyja funksionale të Sazanit ku aktualisht janë dhe godinat e vjetra të ish-reparteve ushtarake, dhe është e vetmja pikë hyrëse për në ishull.
Në zonën “Marina Area” parashikohen 1,000 m² ambiente shërbimi (amenities) dhe 18,000 m² hapësira shërbimesh. Rreth saj, në “North Valley” parashikohen 39,000 m² ndërtim me 56 vila dhe 11 apartamente (condo).
“South Valley” shton 22,000 m² me 144 vila hoteliere. Ndërsa në “Central Ridge” parashikohen 63,000 m² me 56 vila dhe 26 “condo”. “West Valley” përfshin 8,000 m² me 25 vila hoteliere dhe “West Estates” 5,000 m² me 8 rezidenca private.
Kjo fazë e parë nuk duket si fazë pilotimi, pasi vendos themelet e një infrastrukture të plotë rezidenciale dhe hoteliere që e shndërron qendrën e ishullit në një kompleks të mbyllur funksionalisht.
Faza e dytë përhapet te shpatet dhe skajet bregdetare. Zhvillimi zgjerohet në skajet veri-jug dhe në kodrat e ishullit me hapësira më të mëdha imobiliare që duket se ofrohen si rezidenca.
“North Point” përfshin 30,000 m² me 35 vila. “North Ridge Estate” shton 35,000 m² me 35 “estates”. “West Estates” parashikon 23,000 m² me 20 “estates”. “South Ridge Estates” 14,000 m² me 13 “estates”. “South Point” 18,000 m² me 16 vila.
Kjo fazë prek pikërisht zonat panoramike dhe shpatet me vlerën më të lartë të peizazhit. Nga një perspektivë zhvillimi, këto duket se janë segmentet “Premium” të projektit. Nga një perspektivë publike, ato janë pjesët që deri më sot kanë qenë hapësirë e lirë natyrore dhe të paprekura.
Projekti vijon me një fazë të tretë të lënë si mundësi zgjerimi në vijim. Ky është dhe aspekti më domethënës, pasi është zona e etiketuar si “Potential Future Phase” dhe përqendrohet me një zhvillim më masiv në në perëndim të zonës portuale.
Ajo parashikon 172,000 m² zhvillim me 525 njësi (që nënkupton apartamente).
Kjo shifër e vetme ndryshon përmasën e diskutimit. Nëse realizohet, faza e tretë do ta çojë ishullin drejt një densiteti ndërtimi që praktikisht e përmbyll të gjithë hapësirën e disponueshme për projekte të tjera.
Në terma planifikimi territorial, kjo nënkupton se Sazani propozohet si një zhvillim ekskluziv dhe i vetëm, pa hapësirë për iniciativa të tjera publike apo private jashtë këtij projekti.
Kështu, narrativa fillestare e “8% të sipërfaqes” që kishte krijuar perceptimin e një ndërhyrjeje të kufizuar është tjetër gjë kur qaset kjo hartë e propozuar. Projekti nuk është i izoluar në një cep të ishullit, por shtrihet në qendër, në kreshta dhe në skajet bregdetare.
Edhe nëse raporti i ndërtimit mbi sipërfaqen totale mbetet formal, dinamika e zhvillimit tregon se ishulli do të funksionojë si një kompleks i vetëm privat.
Kontrasti i ndërtimeve të propozuara dhe relievit që ka Sazani/Citizens.al
Me këtë plan, Sazani nuk është thjesht një resort. Ai është një territor i projektuar për një përdorim ekskluziv, të integruar dhe të centralizuar nën një operator të vetëm.
Dhe kjo presupozohet ta zhvendosë debatin nga “sa përqind ndërtohet” te pyetja se “çfarë mbetet realisht publike”?
Grupi negociator ekziston vetëm si “formalitet”
Citizens.al ka mësuar se grupi negociator që ka diskutuar dhe firmosur dokumente për Sazanin nga 13 janari deri më 27 tetor 2025 është mbledhur gjithsej 10 herë.
Grupi prej nëntë anëtarësh përbëhej nga:
Elira Kokona, drejtuese e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH);
Ermal Nufi (sot ministër i Mbrojtjes), atëherë përfaqësues i Kabinetit të Zëvendëskryeministrisë;
Sofjan Jaupaj (sot ministër i Mjedisit), atëherë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit;
Ami Kozeli (sot drejtor i ARRSH), atëherë zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
Eldi Çondi, drejtor kabineti në Ministrinë e Financave;
Aleks Marku, sekretar i Ministrisë së Mbrojtjes;
Alban Binaj, administrator i Albanian Seasports Development (ASD);
Fiona Beqiri, drejtuese projektesh nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Ky grup u ngrit si strukturë teknike pas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike në fund të vitit 2024, i cili i dha statusin e investitorit strategjik propozimit të Kushnerit.
Në teori, ky është mekanizmi standard: Shteti krijon një trup negociues dhe përmes tij diskuton kushtet me investitorin. Por në praktikë, dokumentet tregojnë tjetër gjë.
Lista e mbledhjeve përfshin prezantime, plane veprimi, diskutime mbi një memorandum mirëkuptimi dhe – në fund – diskutime për shtyrjen e afatit të negociatave.
Nuk ka të dhëna të qarta të botuara për takime të përbashkëta intensive me investitorin. Nuk ka procesverbale që dokumentojnë negociata konkrete mbi territorin, të drejtat e përdorimit apo detyrimet ekonomike.
Sipas AIDA-s, investitori është përfaqësuar “në rrugë zyrtare” nga Asher Abehsera si administrator. Por nuk sqarohet se cilin subjekt juridik ka përfaqësuar ai konkretisht, teksa nuk janë publikuar dokumentet e autorizimeve.
Kryeministri Rama dhe Ivanka Trump gjatë takimit në Vlorë, janar 2026/Citizens.al
Kjo lë të hapur mundësinë që negociatat të jenë zhvilluar kryesisht përmes shkresave apo ndërmjetësimeve të tjera informale, me gjasë edhe të një përfaqësuesi, apo bashkëpunëtori lokal, që mund të ketë parakontrata për t’u angazhuar si nënkontraktor në zhvillimin e projektit.
Ndërkohë, jashtë institucioneve, raportimet mediatike tregojnë një angazhim shumë më intensiv: vizita, dreka, darka dhe pritje të nivelit të lartë, ku projekti është diskutuar me praninë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama.
Në këtë dualitet, grupi teknik duket më shumë si një artificë procedurale sa për të përmbushur një detyrim ligjor, teksa vendimmarrja e vërtetë duket se është në varësi të qejfit dhe ecurisë së marrëdhënieve personale të Kryeministrit me familjarët e Trumpit.
Negociata pa afat dhe pa shpjegim
Negociatat për zhvillimin e Sazanit duhet të përfundonin më 13 nëntor 2025, por kjo datë nuk u respektua dhe u shty pa afat. AIDA pranoi për Citizens.alse shtyrja është bërë “me dakordësi të palëve”, por nuk dha arsye konkrete dhe asnjë datë përfundimtare të re, pavarësisht këmbënguljes së Citizens.
Në negociatat për investime strategjike, shtyrjet zakonisht lidhen me pengesa reale si statusi juridik i tokës, konfliktet e pronësisë, kushtet gjeologjike, mosdakordësitë financiare etj. Por asnjë prej këtyre arsyeve nuk është përmendur.
Ndërkohë, dihet se ishulli nuk ka infrastrukturë bazë – mungojnë uji dhe energjia elektrike – elemente thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm.
AIDA deklaron se detajet do të bëhen publike vetëm kur marrëveshja të përfundojë. Me fjalë të tjera, qytetarët do të informohen pasi Rama të ketë shërbyer darkën e radhës dhe vendimi të jetë praktikisht i pakthyeshëm.
Zyrtarisht, AIDA deklaron se projekti përfshin vetëm Sazanin dhe nuk ka asnjë aplikim për Zvërnecin. Megjithatë, gjatë janarit, delegacioni i lidhur me Ivanka Trump vizitoi edhe atë zonë dhe zhvilloi një takim me arkitektë dhe zyrtarë të lartë.
Pse një zonë që “nuk është pjesë e projektit” përfshihet në itinerarin e pritjeve atëherë? Ose Zvërneci përdoret për të zgjeruar narrativën e zhvillimit dhe për të forcuar jehonën e portofolit të Jared Kushner – pra si marketing, – ose ekziston një plan paralel që nuk është formalizuar ende.
Në të dy rastet, komunikimi publik nuk përputhet me dokumentet zyrtare dhe ata që humbin janë po qytetarët shqiptarë, institucionet dhe sundimi i ligjit.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) pranoi për Citizens.al se përfaqësuesit e saj kanë qenë të pranishëm në aktivitetet e zhvilluara gjatë vizitës së Ivanka Trump në Vlorë. Por kjo agjenci theksoi se roli i saj ka qenë “orientues institucional” se “nuk ka qenë organizatore” dhe as “nuk di kush e ka organizuar aktivitetin”.
Pamje nga ishulli i Sazanit/Citizens.al
Kjo krijon një situatë paradoksale. Një institucion shtetëror merr pjesë në një aktivitet që lidhet me një investim strategjik në territor, por nuk ka informacion bazë për organizatorin apo strukturën e tij.
Në praktikë, kjo sugjeron një model abuziv dhe tejet arbitrar vendimmarrjeje ku takimet private kanë praninë e shtetit, por jo përgjegjësinë administrative të tij.
Diplomacia e investimeve dhe “Shtëpia Trump”
Historia e Sazanit shkon përtej një projekti turistik. Ajo prek mënyrën se si Shqipëria – një vend kandidat për Bashkimin Evropian – administron pasuritë publike dhe ndërton marrëdhënie me aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë.
Një nga standardet themelore të BE-së është konkurrenca e hapur dhe transparenca në menaxhimin e pronës publike. Projekti i Sazanit nuk është rezultat i një gare ndërkombëtare, por i një negocimi të drejtpërdrejtë.
Në raste të tjera me oferta të pakërkuara, është hapur të paktën një garë formale. Me Sazanin, pas dy vitesh, ende negociohet pa përfundim.
Në një rajon ku mbështetja ndërkombëtare shihet si garanci sigurie politike, investimet mund të marrin edhe dimension diplomatik. Por kjo ngre një pyetje thelbësore: A po përdoret zhvillimi ekonomik si instrument për afërsi politike? Nëse po, me çfarë çmimi?
Sepse debati nuk është më vetëm për një resort. Është për mënyrën se si një shtet i vogël negocion me aktorë të mëdhenj: Përmes ndjekjes së ligjit, procedurave të hapura dhe konkurruese, apo përmes marrëdhënieve të privilegjuara që premtojnë jo vetëm kapital, por edhe afërsi me fuqinë e “Shtëpisë Trump”.
Në fund kush do ta gëzojë këtë afërsi politike dhe sa do të zgjasë ajo, do ta gëzojë shteti shqiptar apo kryeministri aktual.
Në mes të gjelbërimit në periferi të Kukësit, zona e njohur me emrin “Lama e Fluturës” është e përmbytur nga plehrat. Nga fusha e mbetjeve, një kanal me ujë të zi rrjedh për gati 300 metra rrëpirë drejt liqenit të Fierzës. Kanali përmban liksiviatë – ujë i ndotur dhe i patrajtuar që shkaktohet nga procesi […]
TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj njofton se puna në terren po vazhdon me mjete moderne për të mbrojtur natyrën dhe për të përmirësuar monitorimin dhe reagimin ndaj shkeljeve mjedisore.
Sipas ministrit, me mbështetjen e programit “EU4Nature” të BE-së dhe ekspertizën e partnerëve italianë, janë forcuar mekanizmat e monitorimit, kontrollit dhe reagimit për mbrojtjen e ekosistemeve.
Përdorimi i teknologjive të avancuara, përfshirë dronë dhe satelitë, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, siguron një mbrojtje më efektive të resurseve natyrore.
Ministri Jaupaj u shpreh se, “kjo iniciativë është një garanci më shumë që Vjosa dhe ekosistemet e saj, si dhe gjithë parqet kombëtare dhe natyrore, të kenë mbrojtjen e duhur. Puna në terren po kthehet në njohuri konkrete dhe mjete moderne, duke përmirësuar kapacitetet tona për reagim ndaj çdo shkeljeje në dëm të mjedisit”.
Ai shtoi se ky proces kontribuon në forcimin e menaxhimit të qëndrueshëm të zonave natyrore, rritjen e efikasitetit të inspektimeve dhe integritetin e veprimeve për mbrojtjen e biodiversitetit.
EU4Nature dhe partnerët italianë vazhdojnë të ofrojnë ekspertizën dhe mbështetjen teknike për të siguruar që praktikat më të mira ndërkombëtare të aplikohet në terren, duke përmirësuar menaxhimin dhe monitorimin e ekosistemeve natyrore shqiptare.
Në segmentin Librazhd-Përrenjas, shtrati i Shkumbinit nuk ngjan më me një ekosistem natyror: makineritë hyjnë vazhdimisht në rrjedhën e tij duke marrë inerte teksa brigjet e lumit janë gërryer.
Mes lejeve, gjobave dhe versioneve kontradiktore të institucioneve, vijon të mbetet e diskutueshme nëse pasojat janë vetëm mjedisore apo mund të ndikojnë edhe në infrastrukturë dhe projekte madhore siç është projekti i zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
Deklaratat kontradiktore të institucioneve
Zyrtarisht, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) i ka thënë Citizens.al se në basenin e Shkumbinit janë të pajisura me leje vetëm tre kompani, Alb-Building, ANK dhe 4A-M, me afat deri në tre vjet dhe se për këto subjekte nuk janë konstatuar shkelje.
Megjithatë raportime nga banorë dhe organizata lokale të mjedisit kanë ngritur disa herë shqetësimin për ndërhyrje abuzive në shtratin e lumit dhe pasojat e mundshme që ky aktivitet mund të shkaktojë.
Por, në një deklaratë për mediat, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, nxitoi të theksonte se dëmet në urën e Dragostunjës nuk lidheshin me këto pretendime.
Ai tha se pas verifikimeve të bëra nga autoriteti i tij, ka rezultuar se kompanitë që kanë marrë përsipër punimet në atë zonë kanë pasur leje shfrytëzimi me dokumentacion të plotë dhe se “ndërhyrjet kanë qenë të rregullta sipas koordinatave të caktuara”.
Kuzeli deklaroi se analizat paraprake të kryera tregonin si shkaqe kryesore të rrëshqitjes reshjet intensive, erozionin dhe saturimin e masivit të tokës.
Megjithatë, në një përgjigje për Citizens.al, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka pranuar se për projektin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë janë konstatuar edhe shfrytëzime inertesh pa leje.
“Nga inspektimi i kryer rezultoi se subjekti Geci sh.p.k. shfrytëzonte inerte nga shtrati i lumit Shkumbin pa lejen përkatëse nga organet e administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore”, tha AKM për Citizens.al, por pa specifikuar datë dhe vendndodhje.
Për këtë shkelje ndaj kompanisë është vendosur gjobë prej 1 milion lekësh dhe pezullim urgjent i veprimtarisë së marrjes së inerteve lumore.
Citizens.al kërkoi të dhëna shtesë. Në pritje të një përgjigje zyrtare, rasti tregon gjithsesi se institucionet kanë qenë në dijeni të ndërhyrjeve abuzive në lum.
“Problemi nis te përzgjedhja e pikës së shfrytëzimit të inerteve”
Për ekspertin e mjedisit dhe drejtuesin e ECO Albania, Olsi Nika, problemi është më i thellë sesa një rast i izoluar shfrytëzimi pa leje.
“E para është mënyra se si përcaktohen pikat [koordinatat] ku merren inertet. Që këtu fillon problemi”, thotë ai, duke theksuar se leja mjedisore jepet nga AKM, ndërsa leja për marrjen e inerteve nga AMBU përmes Këshillave të Basenit Lumor.
Foto nga marrja e inerteve në lumin Shkumbin/Citizens.al
“Të dyja këto institucione nuk janë të specializuara si Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore [AKBN] se kemi të bëjmë me shfrytëzim burimesh dhe normalisht do të duhej të ketë ekipe [ekspertize] të përbëra më së shumti nga gjeologë”, analizoi Nika për Citizens.al.
Sipas tij, në praktikë kompanitë kanë aplikuar për shfrytëzim inertesh pranë kantierit të rrugës ku po punojnë për të minimizuar kostot e transportit nga një vend më i largët.
“Pra, për shembull: do të ndërtojmë rrugën në Pishkash dhe inertet do t’i marrim në Pishkash. Kjo bëhet gjithmonë për të ulur kostot. Që këtu nis problemi i parë”, argumentoi më tej Nika.
Material i gabuar për qëllim të gabuar
Një tjetër kritikë lidhet me përdorimin e zhavorrit të lumit për ndërtimin e trasesë së rrugëve automobilistike.
“Nuk përdoret zalli i lumit për shtresën bazë të rrugëve, sepse nuk krijon stabilitet dhe rruga rrëshqet. Edhe qëllimi përse merren është i gabuar. Edhe po të copëtohet, materiali i lëmuar nuk krijon stabilitet”, shpjegon drejtuesi i ECO Albania.
Sipas Nikës, përzgjedhja e pikave është problematike, pasi marrja e inerteve është bërë në zona delikate të lumit.
“Shpesh nuk zgjidhen zonat ku lumi depoziton më shumë inerte, por në zona të [rrezikuara] të gërryerjes”, tha ai.
Nika shton se sasia e inerteve është po aq e rëndësishme dhe kërkon përfshirjen jo vetëm të gjeologëve, por edhe të hidrologëve.
“Nëse merret më shumë material sesa lumi është në gjendje të rikuperojë, prishet balanca natyrore mes sedimentit që lumi sjell dhe atij që hiqet”, theksoi eksperti i mjedisit.
Sipas tij, në zonat e Librazhdit dhe Përrenjasit lumi i Shkumbinit e ka të vështirë rikuperimin, ndryshe nga Elbasani ku ka më shumë energji transportuese të sedimenteve.
Biodiversitet i dëmtuar
Ndërhyrjet në shtratin e lumit të Shkumbinit kanë shkatërruar habitatet dhe kanë prishur vazhdimësinë ekologjike të lumit.
“Nga Librazhdi në Përrenjas është një korridor natyror migrimi për specie si trofta dhe ngjala, të cilat lëvizin sipas rrjedhës dhe kundër-rrjedhës për ciklin jetësor. Ky korridor është ndërprerë”, shpjegon me shqetësim Nika.
Përveç ndërhyrjes për të marrë inerte, gërryerja e sedimenteve ka sjellë edhe thellimin e shtratit të lumit.
“Lumi thellohet duke humbur lidhjen gjatësore dhe tërthore, që ndikojnë drejtpërdrejt në biodiversitet: te peshqit, bimët, gjitarët dhe fauna që jeton në zall”, përfundoi ai.
Zyrtarisht, 26 organizata i kanë kërkuar qeverisë ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e lumit Shkumbin.
Sipas tyre, ndërhyrjet kanë ndryshuar morfologjinë natyrore të lumit, kanë ulur shtratin dhe kanë rritur shpejtësinë e rrjedhës, duke destabilizuar brigjet dhe tokat përreth.
Më herët, Citizens.al dokumentoi me pamje ndërhyrjet në shtratin e lumit dhe paralajmëroi për pasoja të pakthyeshme në biodiversitet.
Në një letër të përbashkët dërguar kryeministrit Rama dhe ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj, si edhe autoriteteve të tjera vendore përgjegjëse për mjedisin, 25 organizata mjedisore kanë kërkuar marrjen e masave urgjente për të parandaluar ndërhyrjet e dëmshme mjedisore në lumin Shkumbin dhe zonat përreth tij, që po kryhen në kuadër të punimeve për rrugën […]
Njëzet e gjashtë organizata mjedisore kanë kërkuar, përmes një letre të hapur, marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e mjedisit nga ndërhyrjet në shtratin e lumit Shkumbin.
Letra është shtyrë nga organizatat “AlbNatyra”, EcoAlbania, Qendra LUMI, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) etj.
Organizatat shprehin shqetësim për ndërhyrjet e kryera në lum në kuadër të punimeve për ndërtimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
“[…] gjatë zbatimit të punimeve janë evidentuar raste ku subjektet kontraktore shfrytëzojnë materiale inerte nga shtrati dhe/ose brigjet e lumit Shkumbin, duke shkaktuar ndryshime të drejtpërdrejta në morfologjinë e tij, si dhe depozitojnë dhera, gurë dhe materiale të përftuara nga gërmimet në shtratin e lumit”, thuhet në letrën drejtuar qeverisë shqiptare, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Autoritetit të Basenit Ujëmbledhës të Shkumbinit.
Organizatat i bazojnë pretendimet në vëzhgime në terren, raportime nga komunitetet lokale dhe dokumentime me foto dhe video.
Sipas tyre, këto ndërhyrje sjellin përkeqësim të cilësisë së ujit, dëmtim të biodiversitetit dhe të habitateve natyrore për shkak të rritjes së turbullirës dhe sedimenteve.
“Duket qartë që lumi ka pësuar një ulje të shtratit më shumë se 1m dhe si rezultat është bërë më i rrëmbyeshëm,” thuhet në letrën e hapur, teksa theksohet se shumë toka kanë pësuar rrëshqitje masive, deri në rrezik potencial për fshatrat përreth.
Grupi i organizatave e konsideron situatën një katastrofë mjedisore me ndikim të drejtpërdrejtë në biodiversitet dhe ekosistemin natyror.
Rrëshqitja e tokës në segmentin e rrugës kombëtare Librazhd-Prrenjas, në zonën e Dragostunjës, sipas tyre, përforcon shqetësimin për ndërhyrjet në brigjet e lumit Shkumbin.
Ndërhyrjet thuhet se kanë ndryshuar morfologjinë natyrore të lumit, kanë ulur shtratin dhe kanë rritur dinamikën e rrjedhës, duke destabilizuar brigjet dhe tokat përreth.
Organizatat rendisin një sërë shkeljesh të mundshme të legjislacionit shqiptar, duke përfshirë Kushtetutën, ligjin për burimet ujore, mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetin, lejet mjedisore, menaxhimin e mbetjeve inerte si dhe parimet e transparencës dhe pjesëmarrjes publike.
Ato kërkojnë që autoritetet të monitorojnë dhe dokumentojnë mospërputhjet e ndërhyrjeve në terren sa i takon vendndodhjes, koordinatave, volumeve dhe periudhës së lejeve, si dhe të verifikojnë moszbatimin e detyrimeve për rehabilitim dhe nënkontraktimet e paautorizuara.
Mes të tjerash, organizatat kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve të paligjshme, monitorim të cilësisë së ujit dhe publikimin e rezultateve, rehabilitimin e segmenteve të dëmtuara, si dhe transparencë dhe akses në dokumente.
“Mbrojtja e lumit Shkumbin është një përgjegjësi institucionale dhe shoqërore”, përfundon letra publike.
Lugina e Shkumbinit, nga një peizazh që të servirte ndërthurje të lumit dhe gjelbërimit të kodrave dhe maleve përreth, me vështrimin përtej në Parkun Kombëtar të Shebenikut, është trazuar prej kohësh nga puna e makinerive për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë.
Si një prej lumenjve kryesorë të Shqipërisë së Mesme, Shkumbini është vendosur nën një presion mjedisor, për shkak të punimeve në këtë segment. Makineritë e rënda turbullojnë rrjedhën dhe shtratin e tij, ndërsa kanë ndërhyrë vazhdimisht për të marrë dhe shkarkuar inerte.
Me një sipërfaqe ujëmbledhëse prej 2,445 km2 dhe një shtrirje prej rreth 181 kilometrash ky lum mban gjallë një biodiversitet të larmishëm, ndërsa përshkon qytete, fshatra dhe toka bujqësore.
Punimet kanë hyrë në një fazë intenisve, ndërsa në disa zona lumi është devijuar. Aktivistët mjedisorë e konsiderojnë gjendjen katastrofike dhe paralajmërojnë se rrjedha mund të mos kthehet më në gjendjen e mëparshme.
“Është një presion i vazhdueshëm që i bëhet lumit nga kjo pjesë, jo domosdoshmërish për mirë, dhe për fat të keq do të ketë pasoja jo të parikuperueshme në vazhdim,” tha për Citizens.al Gëzim Shuli, aktivist mjedisor dhe drejtues i organizatës “AlbNatyra”.
Sipas tij situata në Shkumbin është “një katastrofë mjedisore“.
Prej vitit 2023, punimet kanë sjellë ndërhyrje të vazhdueshme në shtratin e Shkumbinit. Vëzhgimet në terren tregojnë se kompanitë marrin inerte dhe depozitojnë dhera në lumë duke devijuar rrjedhën natyrore.
Besjana Guri, aktiviste mjedisore dhe drejtuese e Qendrës LUMI e cilësoi gjithashtu “një masakër mjedisore” gjendjen që po kalon Shkumbini. Sipas saj kjo situatë ndodh rëndomtë në gjithë vendin.
Makineritë që marrin inerte në lumin Shkumbin/ Citizens.al
“Jo për shkak se nuk kemi ligje të mira,” thotë ajo, “Por, për shkak të një neglizhence shpesh herë nga ndërtuesi dhe shpeshherë nga institucionet që duhet ta kontrollojnë atë”.
Sipas Gurit, ka rregulla të mirë-përcaktuara se si duhen bërë punimet në zonat anë brigjeve lumore, por për arsyet se pse ato nuk zbatohen janë të shumta.
“[…] ndoshta është më shpejt, më kollaj, për më pak kosto, por ajo çfarë nuk llogaritet dhe ajo çfarë nuk merret parasysh është kostoja mjedisore dhe dëmi i pakthyeshëm që i bëhet lumit”, theksoi ajo, për Citizens.al.
Shkumbini ka një rrjedhë mesatare prej rreth 61 m3/s, të dhënat hidrologjike tregojnë se ai është ndër lumenjtë më erozivë dhe transporton sasi të mëdha sedimentesh, mesatarisht 5.8 milionë tonë lëndë të ngurta në vit, një tregues se shtrati i tij është tejet dinamik dhe i ndjeshëm.
Sipas aktivistëve mjedisorë kemi të bëjmë me një presion të vazhdueshëm mbi ekuilibrat natyrorë, pasojat e të cilit do t’i shohim edhe më vonë.
“Të gjithë sendimentet që duhet të jenë aty në lumë kanë funksion natyror,” analizon Guri.
“[…] mbajnë shtratin, ujërat sipërfaqësorë, ndajnë ujërat nëntokësorë dhe nga ana tjetër ndihmojnë edhe pjesën e bregdetit.”
Ilustrim i shtrirjes së lumit Shkumbin/Citizens.al.
Sipas aktivistes mjedisore, nëse vijohet me marrjen e inerteve pa kriter, do të ketë pasoja në ndryshimin e rrjedhës së lumit. Ngjashëm mendon edhe Gëzim Shuli.
Studime të ndryshme raportojnë për biodiversitet domethënës përgjatë rrjedhës së Shkumbinit. Në disa stacione monitorimi janë vërejtur 15-17 lloje peshqish dhe një shumëllojshmëri insektesh, që tregojnë për rëndësinë ekologjike të ujit.
“Gjithë gjallesat që ishin duke krijuar habitatin e tyre aty tashmë ju është prishur dhe duhet ta rindërtojnë nga e para,” komenton Shuli.
Drejtuesi i organizatës “AlbNatyra” thekson se edhe hedhja e inerteve ka pasoja.
“Kemi edhe hedhjen e inerteve që merren nga zona të ndryshme, llumrave, dherave të cilat hidhen në lumë dhe sjellin ndotjen e tij”, vijon Shuli, ndërsa shprehet se “për pasojë kemi një shpërbërje të ulët të oksigjenit në ujë”.
Pasojat e ndërhyrjeve në shtratin e lumit Shkumbin vihen re edhe nga banorët, të cilët kanë tokat bujqësore buzë lumit.
“Ka pasur rrëshqitje nga gërmimet që po bëhen nga rruga dhe marrja e inerteve që po ndodh në të,” tregoi për Citizens.al një banor i Hotolishtit, i cili këmbënguli të mos përmendej me emër.
“Ka ikur toka komplet toka”, vijoi ai teksa tregoi një rrip toke me rrëshqitje të dukshme që ngjallnin pasiguri në zonën ku tha se zotëronte rreth 3 dynymë.
Inertet e depozituara në lumin Shkumbin nga punimet në rrugë/Citizens.al
“E mbjellë ka qenë, njëra pjesë është jonxhë, një pjesë tjetër është pemë”, theksoi më tej banori.
Ai u shpreh se zona përreth nuk është kundër ndërtimit të rrugës, por ndërhyrjet që po i bëhen lumit janë të rrezikshme, duke ndryshuar rrjedhën.
“Shtrati po merr një vijë të drejtë lumi, nuk është më me dredha siç e ka qenë, me këto rrëshqitje që kanë filluar tani, këto duan vite që të shkojë edhe njëherë aty ku duhet,” u shpreh ai për Citizens.al.
Sipas aktivistëve mjedisorë, për tokat që janë buzë lumit, në sezonin e dimirit kjo situatë do të jetë edhe më problematike.
“Kemi shumë shtëpi apo banorë të komunitetit lokal që tokat e tyre bujqësore i kanë në afërsi të lumit dhe duket qartë që tani që ka filluar lumi duke ua gërryer pak-nga-pak, kemi rrëshqitje të dherave sidomos në segmentin Librazhd-Përrenjas kemi rrëshqitje masive”, tha Gëzim Shuli.
Organizatat mjedisore kanë kërkuar monitorim të situatës dhe evidentim të dëmeve.
Në një përgjigje me shkrim, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) i tha Citizens.al se në basenin e Shkumbit kanë leje për shfrytëzimin e materialeve inerte tre kompani: Alb-Building, ANK dhe 4-AM.
Totali i inerteve për t’u shfrytëzuar prej tyre eshtë rreth 1,000,000 m³, të cilat mund të mbushin afërsisht 400 pishina olimpike.
Inertet e depozituara në lumin Shkumbin nga punimet në rrugë/ Citizens.al
Disa prej kontratave të këtyre tre kompanive për shfrytëzim të basenit ujor të Shkumbinit për inerte zgjasin deri në gusht 2026, e të tjera deri më dhjetor 2027.
“Nuk janë konstatuar shkelje nga këta subjekte, pra janë respektuar koordinatat e miratuara në leje dhënë nga Këshilli Basenit Lumor Shkumbin”, tha mes të tjerash AMBU për Citizens.al.
Besjana Guri u shpreh se komunitetet që janë afër lumit janë të parët që janë të prekur.
“[…] nuk mund të pretendojmë që komunitetet të kenë edhe njohurinë e duhur. Prandaj ka instanca, ka edhe ekspertë mjedisi që e thonë këtë gjë dhe për sa kohë ngrihet si problematikë për të disatën herë, do të thotë që këtu diçka nuk shkon”, përfundoi Guri.
Punimet për zgjerimin e rrugës “Elbasan-Qafë Thanë” kanë nisur prej janarit të vitit 2023.
Ky segment është pjesë e Korridorit të VIII që lidh vendin tonë me Maqedoninë, Greqinë dhe Bullgarinë. duke qenë segment strategjik për transportin e mallrave e kryesisht dhe të qytetarëve.
Punimet po kryhen në tetë pjesë, ndërsa sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, në total kostoja llogaritet në mbi 183 milionë euro.
Autorë: Ola Mitre; Aida Ciro; Kristi Bashmili dhe Nemanja Živaljević.
Në korrik të vitit 2025, fadromat hynë në Theth dhe brenda pak ditësh, disa ndërtime u shembën në zemër të Alpeve Shqiptare, në një aksion që autoritetet e cilësuan si “rikthim i ligjshmërisë”.
Vetëm një vit më parë, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama nxiti banorët të ktheheshin në fshatin e tyre turistik, të investonin dhe t’i kthenin tokat e tyre në mundësi zhvillimi. Premtimi ishte se pronat e brezave do të pajiseshin me dokumente pronësie dhe se “Paketa e Maleve” do ishte mjeti i rikthimit dhe i mirëqenies së zonave alpine.
“Gjobat për ndërtim pa leje, në këtë zonë do t’i fshijmë të gjitha. Ju keni ndërtuar pa leje sepse nuk keni pasur mundësi të merrni certifikatën e tokës që u takon,” iu përgjigj Rama shqetësimit të banorëve të Thethit, duke njoftuar dhe planet për miratimin e ligjit.
“Na thanë të investonim. Kthehuni, ndërtoni! Dhe ne ndërtuam më lehtë se çdo vit tjetër se ishin votimet,” thotë Kristian Gurra, 27 vjeç.
Kristiani ka mbi dhjetë vite që zhvillon një biznes familjar në Theth. Filloi me një lokal të vogël, ndërsa tani ka një restorant dhe 16 dhoma për turistë, që mbajnë familjen e tij dhe disa punëtorë sezonalë. Investimi i fundit, i menduar për turizëm dimëror, u financua me kredi bankare rreth 100 mijë euro, por u shemb gjatë aksionit të korrikut.
“Sot paguaj kredinë çdo muaj dhe kam edhe gjobë. Shtëpinë në Shkodër e kam lënë kolateral, sepse këtu nuk kam tapi”, thotë ai.
Rasti i tij është tipik për zonat veriore në Shqipëri, ku tokat trashëgohen brez pas brezi pa dokumente pronësie, një problem historik që institucionet nuk e kanë zgjidhur kurrë. “Paketa e Maleve”, e miratuar në mars 2025, synon të anashkalojë këtë ngërç, duke u dhënë banorëve mundësinë të ndërtojnë dhe të zhvillojnë pronën edhe në mungesë të titullit të qartë pronësor.
Por aksioni i prishjeve, i ndërmarrë menjëherë pas miratimit të ligjit, goditi pikërisht atë që kjo “paketë” pretendon të mbështesë: investimet e banorëve në pronat e tyre të trashëguara.
Ndërkohë, të dhënat tregojnë se arkitektura ligjore favorizon investime të mëdha turistike dhe energjetike, shumë larg modelit familjar të premtuar, duke mos përjashtuar as Parkun “Alpet e Shqipërisë”, një territor kyç për iniciativat ndërkufitare të mbrojtjes së natyrës, pjesë e Alpeve Dinarike dhe e Brezit të Gjelbër Evropian.
Alpet Shqiptare përbëjnë një ekosistem të pandashëm me parkun Prokletije në Malin e Zi, por standardet e mbrojtjes janë ndjeshëm të ndryshme sa i përket aktiviteteve të lejuara brenda tyre. Për më tepër, ligji hap rrugë edhe tjetërsimit të pyjeve, kullotave dhe livadheve, duke lejuar ndryshimin e përdorimit të tokës nga natyrore, në urbane apo industriale, çka jo vetëm dobëson mbrojtjen e burimeve natyrore, por cenon vetë funksionin ekologjik të territorit.
Ekspertët paralajmërojnë se qasja e ligjit shqiptar rrezikon pasoja të pakthyeshme për ekosistemin alpin dhe bie ndesh me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërsa centralizimi i vendimmarrjes në nivel qendror hap shteg që përfitimet të shkojnë te subjekte jorezidente dhe jo te komunitetet vendase.
Paketa e Maleve
Në prezantimin publik, “Paketa e Maleve” u shfaq si një instrument për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave malore, që prej dekadash jetojnë dhe investojnë në toka pa tituj pronësie. Zgjidhja e këtij problemi u lidh me zhvillimin e strukturave agroturistike, që janë miqësore me mjedisin, si dhe mbajtjen e komuniteteve në territor, në një kohë që shumë zona malore në Shqipëri janë zbrazur si pasojë e emigrimit.
Ligji i miratuar parashikon një seri mekanizmash që, në dukje, synojnë t’u japin banorëve të zonave malore siguri juridike dhe mundësi zhvillimi. Ai u lejon individëve të njohur si posedues jopronar që, me përmbushjen e disa kritereve, të blejnë tokën shtetërore me çmimin simbolik prej 1 euro, të përfitojnë përjashtime nga disa taksa për një periudhë 10-vjeçare, si dhe të kenë akses të thjeshtuar në lejet e ndërtimit.
Por ndërkohë ligji ka përfshirë qartazi edhe investitorët, si persona fizikë apo juridikë të regjistruar, të cilëve iu jepet e drejta të realizojnë projekte investimi, në marrëveshje me poseduesin jopronar.
Përveç kësaj, ligji i miratuar ka krijuar çdo hapësirë ligjore për investime të mëdha turistike dhe energjetike, pasi përcakton se autoriteti kompetent për miratimin e lejes së zhvillimit dhe ndërtimit do të jetë vetëm Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU).
Sipas ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, KKTU-ja, një institucion që drejtohet nga kryeministri, është autoritet përgjegjës për vendimmarrjen vetëm për zhvillime komplekse. Ky dikaster, miraton leje zhvillimi për projektet strategjike në territor, nga resorte të mëdha turistike deri te struktura energjetike dhe infrastrukturore. Po ashtu, legjislacioni specifikon se KKTU-ja mund të miratojë leje ndërtimi vetëm për objekte të larta mbi 6 kate.
Këto kompetenca s’kanë asnjë lidhje me natyrën e agroturizmit apo të bujtinave familjare.
“Agroturizmi, sipas përkufizimit, presupozon iniciativa të vogla, që zhvillohen nga familje dhe janë drejtpërdrejt të lidhura me ekonominë rurale. Është një model turizmi rural i lidhur ngushtë me bujqësinë dhe jetën në fshat, ku shërbimet turistike mbështesin dhe plotësojnë aktivitetin bujqësor ekzistues, pa e zëvendësuar ose deformuar funksionin tradicional të territorit”, thotë Doriana Musai, pedagoge e arkitekturës dhe planifikimit urban.
“Ndërkohë, këto investime që cilësohen strategjike, vijnë me investitorë dhe kompani që favorizojnë investime me kosto të lartë. Me pak fjalë agroturizmi përdoret si narrativë legjitimuese e politikës qendrore, ndërsa rezultati real është turizëm intensiv, i shkëputur nga struktura sociale dhe ekonomike e zonës”, shton ajo.
Edhe për ekspertët e turizmit “modeli i resorteve të mëdha nuk është në përputhje me parimet e zhvillimit lokal dhe përfshirjes së komuniteteve”.
“Ai mund të sjellë investime dhe vende pune, por rrezikon që përfitimet të përqendrohen te investitorët dhe jo te banorët vendas”, thotë Ardiola Alikaj, eksperte e lartë e turizmit në Shqipëri.
Paralelisht, ekspertët kritikojnë anashkalimin e bashkive në vendimmarrjen për zhvillimet në territorin e tyre, kompetenca që i gëzojnë në ligjin aktual për struktura nën 6 kate, përfshirë agroturizmet.
“Cenohet autonomia e autoriteteve vendore dhe planet e tyre të territorit”, thotë Erjon Muharremaj, profesor dhe ekspert i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Mjedisore dhe Proceset e Integrimit në BE.
Ndërsa sipas Musait, “kur miratimi i projekteve bëhet nga lart-poshtë, pra nga niveli qendror, në formë ekzekutive drejt atij vendor cenohet parimi i zhvillimit lokal dhe i subsidiaritetit”.
“Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, si organ qeveritar, duhet të garantojë koherencë kombëtare të planifikimit, dhe jo të zëvendësojë autoritetet vendore në vendime që ndikojnë drejtpërdrejt komunitetet dhe peizazhin lokal”, argumenton ajo.
Alpet, zonë zhvillimi
“Paketa e Maleve” nuk zbatohet në gjithë territorin malor, por vetëm në ato zona që shpallen “zona prioritare të zhvillimit”, të cilat përzgjidhen përmes një procedure të veçantë që nis në nivel vendor dhe finalizohet në nivel qendror. Bashkia mbledh aplikimet e banorëve ose identifikon territoret me “potencial ekonomik” dhe i propozon ato si zona që duhen zhvilluar.
Më pas, relacioni i bashkisë i dërgohet ministrit përgjegjës për pushtetin vendor, i cili vendos nëse propozimi plotëson kriteret për t’u çuar më tej. Vendimi final merret nga Këshilli i Ministrave, i cili shpall zonën zyrtarisht, duke i hapur rrugë më pas miratimit të projekteve.
I gjithë procesi tashmë është finalizuar për Bashkinë Shkodër, në territorin e së cilës janë miratuar 5 zona prioritare të zhvillimit, përfshirë edhe fshatin Theth e Ndërlysaj, që ndodhen brenda parkut kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në kufi me Malin e Zi.
Interesi për të ndërtuar në zonat prioritare ka qenë tejet i lartë, sipas të dhënave të Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Territorial të Bashkisë Shkodër. Pas një kërkese për informacion, kjo drejtori bëri me dije se deri më 9 dhjetor 2025 ishin paraqitur 642 aplikime për 5 tipologjitë që lejonte sistemi i ngritur për këtë qëllim: Agroturizëm, energji e gjelbër, blegtori, projekte sociale dhe tipologjia “tjetër”, që le të hapur çdo lloj kërkese për investime. Pjesa më e madhe lidhej me agroturizimin (434), kategoria “të tjera” kishte 136 aplikime, projektet sociale 35, blegtoria 29 dhe energjia e gjelbër, pra ndërtimi i parqeve diellore dhe eolike, 14 aplikime.
Faximile e përgjigjes së Bashkisë ShkodërFaximile e përgjigjes së Bashkisë Shkodër
Megjithatë, edhe pse interesi fillestar vjen kryesisht nga banorët e zonës për projekte agroturizmi, vetë arkitektura ligjore e orienton procesin drejt zhvillimeve shumë më të mëdha, që kërkojnë kapital dhe miratim qendror. Ky kontrast bëhet edhe më i mprehtë kur këto zhvillime synohen në zona të mbrojtura, brenda një prej ekosistemeve më të ndjeshme të Ballkanit.
Alpet e Shqipërisë dhe Prokletije në Malin e Zi përbëjnë një prej ekosistemeve më të rëndësishme të rajonit, të njohura për larminë e jashtëzakonshme biologjike dhe habitatet e tyre të brishta. Përveç statusit kombëtar të mbrojtjes, territore të veçanta gëzojnë njohje ndërkombëtare. Alpet janë pjesë e rrjetit EMERALD (Zonat me Interes të Veçantë për Mbrojtje për Europën), Thethi njihet si Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin (IBA) dhe Zonë Kryesore për Biodiversitetin (KBA), ndërsa Lumi i Gashit, rezervë strikte natyrore deri në vitin 2022 e sot pjesë e Parkut të Alpeve, është pjesë e Trashëgimisë Botërore të Natyrës të UNESCO-s.
Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura tregojnë një numër të lartë habitatesh sipas listës së Natura 2000, me rëndësi për ruajtje. Vetëm në Theth dhe zonat përreth janë evidentuar rreth 20 tipe habitatesh, prej të cilave 4 prioritare. Po ashtu, në luginën e Vermoshit dhe Lëpushë – Budaçit janë identifikuar rreth 25 tipe habitatesh, prej të cilave 4 janë prioritare, në Luginën e Valbonës rreth 26 tipe, prej të cilave 4 prioritare, ndërsa në luginën e Lumit të Gashit – Dobërdoll, rreth 14 tipe habitatesh, nga të cilat 2 janë prioritare dhe kërkojnë masa specifike për ruajtje. Parku përfshin edhe një florë të pasur me rreth 1,500 lloje bimësh, 40% e të cilave janë endemike të Shqipërisë, duke i bërë ato veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve dhe zhvillimeve të mundshme. Ahu, rrobulli, bredhi i bardhë dhe arneni janë disa prej llojeve të florës që takohen në zonë.
Po aq e pasur është fauna. Trupat ujorë dhe zonat përreth strehojnë lloje të rralla e të rrezikuara të peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve; rreth 155 lloje shpendësh dhe mbi 60 gjitarë, përfshirë rrëqebullin e Ballkanit, ariun, ujkun, kaprollin, vidrën, shkabën, shqiponjën e maleve dhe gjelin e egër. Një pjesë e madhe e tyre figuron në Shtojcat e Direktivës së Habitateve, Direktivës së Shpendëve, në listat e kuqe të IUCN dhe Shqipërisë, duke e bërë këtë zonë kritike për ruajtjen e biodiversitetit. Edhe në anën malazeze të Prokletijes janë evidentuar mbi 2,000 lloje bimësh, 60 prej të cilave të mbrojtura dhe 161 lloje shpendësh. Ndërkohë që kamerat kurth, vitin e kaluar kanë dokumentuar praninë e rrëqebullit, një prej specieve më të rrezikuara në Ballkan.
Ky masiv malor funksionon si një nyje e vetme ekologjike brenda Alpeve Dinarike dhe Brezit të Gjelbër Evropian, çka e bën mbrojtjen e tij një prioritet rajonal dhe evropian.
“Çdo ndërhyrje në Shqipëri ka ndikim edhe në Mal të Zi dhe anasjelltas”, thotë biologu dhe aktivisti qytetar Vuk Iković, duke kujtuar se zona përfshin edhe shtegun e njohur ndërkufitar “Majat e Ballkanit”.
Por, megjithëse rëndësia ekologjike e Alpeve të Ballkanit është e dokumentuar gjerësisht në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, kjo nuk e pengoi Bashkinë Shkodër dhe qeverinë shqiptare t’i përfshinin në zonat prioritare të zhvillimit.
Në të njëjtën kohë, ndryshimet në udhëzimin që përcakton procedurën e shpalljes së këtyre zonave tregojnë një largim të qartë nga standardet e mbrojtjes së mjedisit. Udhëzimi i parë, i qershorit 2025, kërkonte mbledhjen dhe analizimin e të dhënave socio-ekonomike, mjedisore dhe gjeografike. Por vetëm katër muaj më vonë, një udhëzim i ri i shfuqizoi të gjitha këto kritere, duke e reduktuar procesin në një procedurë që bazohet vetëm në “potencialin ekonomik, industrial apo turistik të zonës”.
Sipas profesor Erjon Muharremajt, ky ndryshim kaq i shpejtë dhe kalimi nga një dokument 70-paragrafësh në një udhëzim me vetëm 30 paragrafë, ngre pikëpyetje serioze.
“Për të shfuqizuar një akt kaq të rëndësishëm pas vetëm katër muajsh do duhej të kishte pasur ndryshime rrënjësore të rrethanave. Por, edhe nëse do të kishte arsye, duhej bërë amendimi i udhëzimit, jo shfuqizimi i tij i plotë”, thotë ai.
“Legjislacioni pasues zakonisht bëhet më i hollësishëm. Në fakt, ka ndodhur e kundërta, çka përgjithësisht, nuk është tregues i vullnetit për përmirësimin e legjislacionit, por ka arsye të tjera”, shton më tej eksperti.
Një tjetër element shqetësues i ligjit lidhet me ndryshimin e statusit të pasurive natyrore. Për herë të parë, “Paketa e Maleve” i hap rrugë tjetërsimit të kategorive që deri më sot kanë qenë të paprekshme: pyjeve, kullotave dhe livadheve.
Neni 8 i ligjit përcakton se këto pasuri nuk konsiderohen më pronë publike e patjetërsueshme, duke u lejuar t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë dhe zhvillimit. Kjo do të thotë se sipërfaqet pyjore, kullosore apo livadhe mund të humbin statusin natyror dhe të shndërrohen me lehtësi në zona urbane, turistike ose industriale, duke shmangur dhe çdo dokument planifikimi territoral, që ka kaluar edhe në filtra mjedisore.
“Kur zona apo projekte shpallen si “strategjike” ato shpesh anashkalojnë Planet e Përgjithshme Vendore dhe Planet e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, pasi qëllimi është të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, duke thjeshtuar procedurat administrative dhe përqendruar vendimmarrjen”, thotë Musai.
“Kjo krijon një sistem paralel vendimmarrjeje, ku planifikimi afatgjatë humbet peshën e tij dhe reduktohet në formalitet, ku nuk është më plani që drejton zhvillimin, por e kundërta”, shpjegon më tej ajo.
Sipas Muharremajt, këto zhvillime nuk mund të kuptohen pa parë edhe ndryshimet e vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, të cilat dobësojnë në mënyrë të ndjeshme mbrojtjen e kategorive më të larta natyrore. Ndryshimet lejojnë zhvillime urbane dhe struktura turistike me pesë yje brenda parqeve kombëtare, madje edhe në nënzonën qendrore, që teorikisht duhet të jetë zonë me mbrojtje strikte.
“Këto janë pasojat katastrofike të ndryshimeve të vitit 2024”, thotë ai.
Ai kritikon edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, e cila rrëzoi kërkesën e organizatave mjedisore për shfuqizim të ndryshimeve.
“Ky vendim regresiv i lejon ekzekutivit dorë të lirë për të miratuar leje zhvillimi apo ndërtimi në zonat e mbrojtura”, shprehet profesori.
Pasoja serioze
Kombinimi i zonave prioritare të zhvillimit me dobësimin e kuadrit të mbrojtjes së mjedisit e vendos në pikëpyetje të ardhmen ekologjike të Alpeve. Zhvillimet e lejuara brenda parkut, pa konsultime publike, pa Vlerësime Strategjike Mjedisore dhe pa verifikim të përputhshmërisë me dokumentet e planifikimit dhe menaxhimit, krijojnë një rrezik real për fragmentimin e habitateve, ndryshimin e përdorimit të tokës dhe humbjen e vlerave natyrore që e bëjnë këtë territor unik në Ballkan.
Situata bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh se rreth 72 % e sipërfaqes së zonës së shpallur për zhvillim mbivendoset me nënzonën Qendrore B të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, duke rrezikuar drejtpërdrejt tërësinë ekologjike të parkut dhe ruajtjen e specieve të florës dhe faunës.
Ndikimet e mundshme negative nuk kufizohen vetëm brenda kufijve administrativë të parkut, por prekin biodiversitetin, lloje dhe habitate me interes për BE-në, ekosistemet ujore dhe korridoret ekologjike ndërkufitare, si edhe objektivat e iniciativave ndërkombëtare si Alpet Dinarike dhe Brezi i Gjelbër Evropian.
Në këtë kontekst, çdo zhvillim i pakontrolluar brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” mund të komprometojë funksionin e tij ekologjik dhe rolin e tij si nyje kyçe e ruajtjes së biodiversitetit në rajon.
Në anën malazeze, Parku Kombëtar Prokletije administrohet me kritere të rrepta: ndërtimet janë të kufizuara dhe çdo projekt i nënshtrohet filtrave të fortë mjedisorë dhe ndërkufitarë. Por në Shqipëri, ligji i ri hap rrugë zhvillimeve të mëdha turistike e energjetike, pa asnjë proces të dukshëm koordinimi me autoritetet e Malit të Zi, pavarësisht se bëhet fjalë për të njëjtin ekosistem.
“Nuk kemi absolutisht asnjë informacion”, thotë kryetari i Komunës së Gucisë, Sanel Balić.
“Gjithçka që ndodh përgjatë kufirit duhet ta dijë qeveria malazeze dhe komunat që kufizohen me këtë zonë. Çfarëdo që ndërtohet atje mund të ndikojë edhe tek ne”, theksoi ai.
Edhe Marinela Đuretić, drejtoresha e Ndërmarrjes Publike të Parqeve Kombëtare të Malit të Zi, nuk ishte në dijeni se Prokletije në anën shqiptare mund të jetë nën presion të investitorëve. Ajo beson se kjo është një çështje komplekse që kërkon përfshirje në nivel shtetëror.
Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut nuk u përgjigj nëse është në dijeni të planeve të Shqipërisë apo nëse planifikon të kontaktojë homologët në Tiranë.
Ndryshe nga autoritetet malazeze, Marija Lekić nga Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) është e informuar për zhvillimet e reja ligjore në vendin fqinj. Edhe pse nuk dihet shkalla e projekteve, Lekić thekson se mund të ketë prerje të pyjeve, ndërtim rrugësh dhe vendosje linjash të transmetimit, aktivitete që bien nën veprimin e Konventës së Espoos.
Ajo thekson se Shqipëria, si palë që nga viti 1991 është e detyruar të njoftojë në kohë shtetet fqinje për projekte që mund të kenë ndikime përtej kufirit.
Në Shqipëri, Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk kthyen përgjigje ndaj një kërkese për koment, duke lënë pa sqarim se si do të mbrohen parqet kombëtare dhe korridoret ekologjike nga zhvillime intensive.
Ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit konfirmoi se nuk është pjesë e procesit të përcaktimit të zonave prioritare të zhvillimit. Në një përgjigje me shkrim AKM tha se roli i saj nis vetëm më pas, në fazën e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektet individuale.
Integrimi dhe projektet ndërkufitare, në pikëpyetje
Standardi i dyfishtë i mbrojtjes për Alpet Dinarike rrezikon jo vetëm natyrën, por edhe bashkëpunimin ndërkufitar dhe aksesin në fondet evropiane për projekte të përbashkëta. Drejtoresha e Parqeve të Malit të Zi thekson se BE-ja nuk mbështet politika që lejojnë ndërtim në zona të mbrojtura.
Edhe Progres-Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë ngriti shqetësime, duke vlerësuar se ligji “Paketa e Maleve” “mund të ketë ndikime të rëndësishme në përdorimin e tokës në nivel lokal dhe në menaxhimin mjedisor”.
Nisur nga përvoja personale dhe nga ky vlerësim i Komisionit Evropian, sipas profesor Muharremaj, “mungesa e vullnetit për zbatimin e standardeve mjedisore do të jetë pengesë serioze në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Banorët e Thethit, si Kristian Gurra, e shohin këtë realitet me pasiguri.
“Është gjithmonë për t’u pasur frikë… nuk po kuptojmë më se çfarë po ndodh. Banorët janë stepur. Nevojë ka për investime, por jo në një klimë ku çdo gjë është e paparashikueshme”, thotë ai.
Kjo ndjesi pasigurie në terren përkon me paralajmërimet e ekspertëve në të dy anët e kufirit, të cilët frikësohen për ndikime të mundshme negative në mjedisin e Alpeve të Ballkanit dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm.
“Podgorica zyrtare duhet të reagojë”, thotë biologu dhe aktivisti qytetar Vuk Iković.
Për eksperten e lartë të turizmit Ardiola Alikaj, “për të shmangur skenarin e pasojave të pakthyeshme nevojitet një qasje e kujdesshme, që vendos në qendër kapacitetin mbajtës të zonës së Alpeve, përfshirjen reale të komuniteteve lokale dhe modele turistike më të shpërndara e të qëndrueshme”.
“Me resortet standarde, traditat dhe kulturat vendase shtypen, zhduken ose deformohen, duke u shndërruar në mjete të turizmit dhe jo në gjenerues të një modeli të qëndrueshëm”, përfundon Musai.
*Ky investigim u realizua me mbështetjen e Journalismfund Europe.
Parlamenti Evropian në draft-raportin për Shqipërinë kërkon hapa të mëtejshëm për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik.
Dokumenti thekson nevojën për më shumë transparencë mbi konfliktet e interesit të pronarëve të medias, garanci ndaj presionit politik dhe ekonomik mbi gazetarët dhe hetim efektiv të kërcënimeve e sulmeve ndaj tyre.
Korrupsioni, “shqetësim serioz”
Në dokumentin prej nëntë faqesh, Parlamenti Evropian analizon zhvillimet në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, administratën publike, ekonominë, mjedisin dhe politikën e jashtme.
Raporti shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin konfrontues, të cilat sipas tij minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
PE shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe për diskursin konfrontues politik.
“…të cilat minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionin efektiv të institucioneve demokrative”, thuhet në draf-raport.
PE-n mes të tjerash thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz.
“Pavarësisht përparimit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta”, thekson draft-raporti.
Ndërsa nënvizon se korrupsioni duhet adresuar në të gjitha nivelet me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve te institucionet shtetërore.
Po ashtu, në draft-raport thuhet se duhet një luftë më efektive kundër krimit të organizuar ”përfshirë pastrimin e parave dhe rrjetet e trafikut të drogës”, ndërsa bën thirrje për intensifikim të bashkëpunimit me agjencitë e BE-së si Europol dhe Eurojust.
Të drejtat themelore
Draft-raporti kërkon forcimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e pakicave dhe grupeve vulnerabël: romët dhe egjiptianët, personat me aftësi të kufizuar, punëtorët migrantë dhe komunitetin LGBTQI+.
Ai nënvizon nevojën për zbatim efektiv të legjislacionit kundër diskriminimit dhe shpreh shqetësim për retorikën antigjinore në diskursin politik.
Po ashtu, theksohet rëndësia e përmirësimit të aksesit në drejtësi, veçanërisht për grupet e margjinalizuara.
Mjedisi dhe reformat socio-ekonomike
Sipas draft-raportit, Parlamenti Evropian sheh me shqetësim vlerësimin e Komisionit se nuk ka pasur përparim në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike në vitin e shkuar.
Ndërsa shpreh keqardhje për frekuencën e ulët të mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të Punës.
“Bën thirrje për forcimin e procesit të konsultimit trepalësh, përfshirë përfaqësim të duhur të sindikatave; thekson nevojën për të mbështetur më tej ngritjen e kapaciteteve të partnerëve socialë”, thuhet në draft-raport.
Po ashtu, shihen me rëndësi investimet në arsim, në zhvillimin e aftësive dhe inovacion me qëllim rritjen e qëndrueshme.
“Çështja është urgjente, sepse gropat e kullave mund të hapen dita-ditës,” kështu paralajmëron grupimi qytetar “Stop Kullave në Pogradec,” i angazhuar online dhe në terren për të kundërshtuar projektin “Pogradec Marina,” i cili parashikon ngritjen e katër kullave deri në 23 kate pranë vijës liqenore.
Ky projekt u bë me dije fillimisht nga një postim në faqen personale të sipërmarrësit Armand Lilo, më 24 dhjetor 2024. Ai shprehej entuziast për faktin se kompania e tij “Arlis Construction” do të zhvillonte një projekt luksoz në qendër të Pogradecit.
“Një projekt që do t’i sjellë një erë të re qytetit. Vjen së shpejti ‘Pogradec Marina’,” shkruante Lilo në Instagram.
Në përshkrimin zyrtar projekti paraqitet si një kompleks turistik me njësi tregtare, restorante, apartamente dhe hotel me pesë yje, me pamje mbi Liqenin e Ohrit.
Banorët thonë se zhvillimi i zonës ishte i pritshëm, por jo në këto përmasa.
Grupimi “Stop Kullave në Pogradec,” i cili i është drejtuar i shqetësuar redaksisë së Citizens, tregon se ish-godinat e Turizmit të vjetër dhe të ashtuquajturit “Oktapod” mund të transformoheshin vetëm duke respektuar identitetin urban dhe historik të qytetit.
Por, shqetësimi nuk është vetëm urbanistik. Ekspertë mjedisorë paralajmërojnë se ritmi i betonizimit, përfshirë edhe zonën e Drilonit, rrezikon statusin e Liqenit të Ohrit si Trashëgimi Botërore të UNESCO-s.
“Në pritje të firmës së Edi Ramës”
Në të njëjtën ditë kur sipërmarrësi Lilo bënte publik projektin në faqet e tij të rrjeteve sociale, ai u paraqit në (Pika 14) rendin e ditës së një mbledhjeje të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
Sipas postimeve të vetë investitorit, miratimi në KKTU ishte dhënë dhe pritej vetëm leja për nisjen e punimeve. Por Bashkia Pogradec i tha Citizens.al se nuk kishte informacion nëse leja ishte miratuar apo jo.
Ndërsa Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) deklaroi se projekti ka marrë leje ndërtimi me kusht, por vendimi nuk është konfirmuar ende nga Kryetari i KKTU-së, ministri i linjës dhe Sekretari i KKTU-së.
Praktikisht, projekti mbetet në pritje të firmës përfundimtare të Kryeministrit, ministrit të Turizmit dhe Drejtueses së AZHT-së.
Ilustrim grafik/Citizens.al
Citizens.al iu drejtua kompanisë “Arlis Construction” për koment nëse ajo i ka marrë parasysh se projekti zhvillohet në zonën buferike të një zone të mbrojtur, nëse ka zhvilluar takime me banorëve dhe nëse e ka marrë vërtetë lejen e ndërtimit.
Kompania nuk dha koment. Përfaqësuesit e saj këmbëngulën për një takim me gazetarët e Citizens.al, kërkesë e cila nga redaksia u gjykua e paarsyeshme, pasi prej më shumë se një jave është tentuar të merret përgjigje në mënyrë zyrtare.
Ndërkohë, qytetarët pretendojnë mungesë totale konsultimi publik. Ata thonë se projekti cenon aksesin në vijën liqenore dhe hapësirat natyrore.
“Asnjë konsultim zyrtar mbi këtë projekt kolosal që do të transformojë në mënyrë të përbindshme vijën ujore të liqenit, dhe vetë liqenin,” thanë përfaqësues të grupimit “Stop Kullave në Pogradec” për Citizens.al.
“Ky qëndrim është jo vetëm jo-ligjor, por dhe përbuzës për gjithë qytetaret pogradecarë, që po iu vidhet aksesi në liqen dhe natyrë, pa shpjegimin minimal,” vijuan ata.
Ky grupimi qytetar ka hapur edhe një peticion online, të firmosur tashmë nga rreth 1,770 persona.
Më 9 shkurt 2026 u dërgua gjithashtu letër e hapur Bashkisë, Ministrisë së Mjedisit dhe AZHT-së.“Pogradeci nuk është Dubai dhe nuk duhet të bëhet i tillë”, thuhej në dokument.
Liqeni i Ohrit, në rrezik të statusit të mbrojtjes
Prej vitit 2019, pjesa shqiptare e Liqenit të Ohrit është përfshirë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Zona konsiderohet ndër ekosistemet më të vjetra liqenore në Evropë dhe me biodiversitet unik.
Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri (PPNEA) ka dalë publikisht në mbështetje të qytetarëve duke kërkuar ndalimin e ndërtimeve përgjatë vijës liqenore, zbardhjen e dokumentacionit të projekteve, përfshirjen e komunitetit dhe ekspertëve në konsultime dhe respektimin e statusit të mbrojtjes.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në sesionin e 47-të (Paris, korrik 2025), paralajmëroi se rajoni i Liqenit të Ohrit rrezikon humbjen e vlerave të jashtëzakonshme dhe kërkoi masa urgjente nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Sipas inxhinierit dhe ambientalistit Arian Merolli, përfaqësues të UNESCO-s janë informuar nga shoqëria civile dhe pritet të vizitojnë Pogradecin për monitorim në muajin mars.
Projekte të ngjashme kanë ngritur shqetësime edhe më parë. Para “Pogradec Marina”, projekti “Pyjet e Drilonit,” – raportuar nga Citizens.al – nisi reklamimin e shitjes së apartamenteve pa pasur ende leje ndërtimi.
Citizens.al ka botuar më herët edhe një koment të zgjeruar nga Christian Défarge, studiues në Francë për të njëjtën problematik të ndërtimeve që cenojnë peizazhin dhe habitatin natyror të liqenit.
Marina e Pogradecit, vijon linjën e urbanizimit të thellë të parë edhe me projektet bregdetare si “Marina di Valona” apo “Durrës Marina”.
Në dalje të Tiranës, përtej “Pallati me shigjeta”, ndotja e lumit të Lanës të vret sytë dhe të shpon hundët. Një kolektor i ujërave të zeza shkarkon lirisht mbi lumë jashtëqitjet që rrjedha i shtyn drejt perëndimit – fillimisht në lumin Ishëm dhe më pas në detin Adriatik. Cilësia e jetës së banorëve që jetojnë […]
Nga brigjet e Vjosës, në protestat për Valbonën, në kundërshtimin ndaj projektit të Skavicës apo devijimit të Shushicës, lumenjtë e Kaçinarit e Thirrës në Mirditë dhe Kurdarisë e Zall Gjoçajt në Klos e Mat, gratë kanë qenë aty.
Kanë organizuar, janë mobilizuar dhe kanë mbajtur gjallë barrën emocionale të konfliktit me komunitetin dhe institucionet. Por kur vjen momenti i “megafonit” shpesh zëri që dëgjohet është ai i burrave.
Mbrojtja e burimeve natyrore në Shqipëri nuk është vetëm betejë mjedisore. Për shumë vajza dhe gra është një përballje me strukturat e padukshme të një rendi patriarkal, që përcakton se kush ka të drejtë të flasë në emër të komuniteti.
Aktivizmi si akt i dyfishtë rezistence
Mëngjesi i një të shtune të janarit e gjeti Besjana Gurin në timon. Në Vlorë një grup vajzash dhe grash të angazhuara në komunitet e prisnin për të folur për aktivizmin. Aktivizmi këtë herë i dedikohej lumit, ashtu sikurse emri i qendrës që Besjana ka krijuar së fundmi.
Besjana e prezantoi aktivizimin mjedisor për mbrojtjen e lumenjve përmes fotove artistike dhe narrativës motivuese. Ishte e kollajtë t’i gjeje shembujt në tryezë, të moshave të ndryshme, por bashkë për një kauzë: për lumenjtë dhe mjedisin.
Për Besjanën aktivizmi për mbrojtjen e lumenjve nisi 12 vite më parë, kur u angazhua për mbrojtjen e Vjosës nga hidrocentrali i Kalivaçit.
“Më pas kam qenë në vijën e parë të betejës për t’a mbrojtur si Park Kombëtar.” tregon Besjana, e cila e vijoi aktivizimin edhe në grupet organizatore të protestave për Valbonën, Gurin e Bardhë dhe Zall-Gjoçajn.
Besjana Guri, Qendra LUMI
Për Kerol Saçajn, aktualisht pedagoge në departamentin e biologjisë pranë universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, angazhimi në aktivizmin mjedisor ka nisur kur punonte pranë Basenit të Vjosës në sektorin e monitorim-kontrollit dhe dhënies së lejeve për subjekte që operojnë përgjatë lumit.
“Aty pata mundësinë të shoh nga afër veprimtaritë e ndryshme të subjekteve dhe ndikimin që ato kishin në ekosistemin e Vjosës. Kontakti i drejtpërdrejtë me problematikat mjedisore dhe pasojat e ndërhyrjeve njerëzore më bëri të ndërgjegjësohem dhe të angazhohem aktivisht”, tha Kerol për Citizens.al.
Sikurse në shumë reagime mjedisore të krijuara së fundmi në Shqipëri, ato vijnë pas ndërhyrjeve të befta në mjedis, pa procese konsultuese apo vënie në dijeni të banorëve.
Reagimi i Majlinda Hoxhës nga Dibra erdhi pikërisht si e tillë.
“Lindi si një nevojë për të folur kundër projektit Skavica si një ndër projektet më shkatërruese për Dibrën. Ndërkohë që çdo ditë e më shumë përballemi me sfida të reja ose të vazhdueshme mjedisore, të cilat duhen adresuar me urgjencë”, u shpreh Majlinda për Citizens.al.
Nisma e saj vullnetare tanimë mban emrin e organizatës “GARD” që lobon për mbrojtjen e mjedisit.
Hapësira publike si “territor mashkullor”
Ndarja mes privates dhe publikes ka qenë një nga mekanizmat themelorë të organizimit patriarkal. Gruaja, shpeshherë e lidhur me shtëpinë, kujdesin, riprodhimin e burri me pronën, tokën, përfaqësimin publik.
Ndaj edhe lumenjtë, toka, burimet natyrore perceptohen si pjesë e sferës së vendimmarrjes mashkullore. Kur një grua del në krye të protestës, ajo nuk sfidon vetëm një projekt zhvillimor, por një rend simbolik.
“Të jesh grua aktiviste në Shqipëri në përgjithësi dhe në zonat rurale apo qytetet e vogla në veçanti nuk është aspak e lehte,” thotë Besjana.
“Si fillim nuk merresh seriozisht, sepse zakonisht janë komunitete që dominohen nga burrat. Të duhet shumë kohë që fjala jote të ketë peshë”, vijon Besjana.
Për Majlinda Hoxhën, aktivizmi në komunitete rurale e përforcon edhe më tej këtë qasje.
“Është tepër e vështirë duke pasur parasysh mentalitetin përqark dhe limitet që të imponohen duke të rikujtuar që je grua dhe vendi yt duhet të jetë diku duke gatuar gjellë apo larë rrobat, jo në krye të debatit për çeshtje që prekin të gjithë komunitetin”, tha Majlinda.
Sipas saj, paragjykimet kanë qenë të pashmangshme, mirëpo e ka ndjerë se duhet të ishte një zë më shumë në atë grup që dominohej nga meshkujt. Njësoj shprehet edhe Besjana.
“Por për mua mburoja ka qenë te të qenurit pjesë e një ekipi më të madh [ku benin pjesë edhe burra], gjë e cila më ka ndihmuar të kapërcej paragjykimet gjinore”, shprehet ajo.
Për Kerol, përvoja është më e butë në territorin ku ajo ka punuar, edhe për shkak se i ka parë këto sfida si motivim për të qenë më këmbëngulëse në aktivizmin e saj.
“[…] mund të jetë deri diku sfiduese, pasi herë pas here kërkon më shumë këmbëngulje për të dëgjuar zërin tënd dhe për të fituar të njëjtin vlerësim profesional”, u shpreh Kerol.
Kerol Saçaj/Foto nga: Jutta Benzenberg/ Publikuar nga Qendra LUMI, pjesë e rubrikës “Gratë e lumit Vjosa”
Ajo thekson se profesionalizmi dhe vetëbesimi kanë qene mburoja e saj.
“Kur je e sigurt në atë që përfaqëson dhe e mbështetur në dije dhe argumente, krion një qëndirm që nuk le shumë hapësirë për nënvlerësim”.
Por edhe në përvojën e saj ka pasur raste kur prioriteti i është dhënë një kolegu mashkull, zakonisht për shkak të moshës apo eksperiencës. Kjo tregon se hierarkitë gjinore shpesh ndërthuren me hierarki të tjera, moshën, statusin, pozicionin institucional.
Për Besjanën, dominimin nga burrat e kemi në raste konkrete të aktivizmit mjedisor dhe jo vetëm. Ajo përmend rastin e protestave kundër devijimit të Shushicës.
“Edhe ato pak gra që kanë qenë në protestë nuk mund të themi që e kanë drejtuar kauzën”, sjell në vëmendje ajo.
Presioni, lodhja dhe kostoja emocionale
Në zonat rurale apo qytetet e vogla, pjesëmarrja e grave në protesta mbetet më e ulët.
“Në një shoqëri patriarkale gratë e kanë më të vështirë të jenë zë i fortë,” thotë Besjana.
“Për rrjedhojë pjesëmarrja e tyre në protesta apo takime publike është më e vogël” vijon ajo duke shtuar më tej se shpesh gratë ndjehen më të cënuara se meshkujt dhe mund të jenë lehtësisht të intimidueshme.
Majlinda shkon më tej duke ndarë se stresi i dy viteve të para e çoi në një gjendje shëndetësore të rënduar.
“U lëndova aq shumë sa gati u sëmura nga stresi”, tregoi ajo, ndërsa shtoi se vendosi të vijojë punën vetëm me ata që ishin bashkëpunëtorë dhe kishin një vizion më ndryshe nga komuniteti rural.
Majlinda Hoxha gjatë një proteste në Dibër kundër projektit të Skavicës
Aktivizmi për gratë shpesh është më i kushtueshëm emocionalisht, sepse përballen jo vetëm me presion institucional, por edhe me gjykim social.
Për Kerol, pjesëmarrja e grave në protesta apo takime publike shpesh mund të bëhet më e vështirë për shkak të disa faktorëve socialë dhe kulturorë, si përgjegjësitë familjare, mungesa e kohës, apo pritshmëritë tradicionale që vendosen mbi rolin e tyre në shoqëri.
“Në shumë raste, barra e angazhimeve shtëpiake dhe kujdesit për familjen bie më tepër mbi gratë, duke ua kufizuar mundësinë për të qenë aktive në hapësira publike,” analizon Kerol.
“Një tjetër element mund të jetë edhe ndjesia e pasigurisë apo mungesa e mbështetjes sociale, sidomos në zona ku angazhimi publik i grave nuk është ende plotësisht i normalizuar”, vijon ajo.
Mes të trejave, mbështetja familjare del si faktor kyç. Besjana e quan “bekim” që e ka pasur. Majlinda, ndonëse u këshillua “të ruante veten”, nuk u la vetëm.
Gjatë protestës së zhvilluar në Dibër kundër HEC-it Skavica
Kerol gjithashtu thekson mbështetjen e familjes.
“Mbështetja e tyre ka qenë një faktor i rëndësishëm që më ka dhënë siguri për të vazhduar përpara dhe për t’u përfshirë pa hezitim në çështje që i kam konsideruar të rëndësishme”, ndan Kerol.
Media dhe zëri i grave
Të treja bien dakord se zëri i grave ka qenë i nën-përfaqësuar. Besjana thotë se mungon synimi për ta përfaqësuar këtë zë në media.
“Zeri i grave në mbrojtjen e lumenjve është pak i përfaqesuar, shpesh janë gratë që hezitojnë të dalin apo të prononcohen, ndërsa nga ana tjetër mungon synimi i përfaqesimit të këtij zëri nga mediat”, u shpreh Besjana.
Megjithatë, ajo shprehet se zëri i saj tashmë është i konsoliduar.
“… por disa vite më parë mendoj që jam parë si një zë dytësor në betejën për mbrojtjen e lumenjve”.
Majlinda shprehet skeptike dhe ka zgjedhur të qëndrojë larg televizioneve.
“Në shoqerinë shqiptare një grua etiketohet më shpejt se një mashkull, qoftë edhe për t’u bërë meme e ditës”, ndan Majlinda.
Sipas një studimi të titulluar “Sfidat e grave mbrotjëse të të drejtave të njeriut në internet”, kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim tregon se gratë aktiviste punojnë në një klimë jo miqësore. Kërcënimet, bullizmi janë disa nga fenomenet që i prekin ato në hapësirën online.
“83% e të intervistuarave kanë raportuar se janë prekur të paktën një herë nga sulmet online në punën që ato bëjnë,”, thuhet në raport.
Me zhvendosjen e mediave tanimë në hapësirën online, është zhvendosur edhe gjuha e urrejtjes apo ajo seksiste.
“92% e të intervistuarave mendojnë se shkeljet dhe abuzimet online nuk trajtohen njëlloj me ato ‘offline’, duke theksuar se abuzimet në internet raportohen më pak dhe gjithashtu trajtohen me më pak seriozitet”.
Kerol, nga ana tjetër mendon se për një kohë të gjatë zëri i grave nuk ka pasur gjithmonë hapësirën e merituar në media, sidomos në çështje publike dhe vendimmarrëse.
“Megjithatë, vitet e fundit vihet re një ndryshim i dukshëm pozitiv. Gratë dhe vajzat po marrin gjithnjë e më shumë përparësi në raportim dhe prania e tyre në media është bërë më e dukshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për angazhime sociale, mjedisore apo kauza lokale”, shprehet ajo.
Ndërtimi i një resorti turistik nga kompania “Gener 2” në fshatin Baks-Rrjoll në Velipojë, u kundërshtuar të enjten nga organizata më vjetër medisore në vend, PPNEA, e cila nëpërmjet një deklarata u shpreh se projekti rrezikon të betonizojë një zonë të mbrojtur me rëndësi ndërkombëtare. “Kjo nuk është një zonë e zakonshme zhvillimi. Lumi i […]
TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Shqipëria është më shumë se male dhe peizazhe, ajo është një vend me pasuri të jashtëzakonshme pyjore.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ndau sot statistikat mbi shpërndarjen e pyjeve në rajonet e vendit, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të këtyre burimeve natyrore.
Sipas të dhënave zyrtare, pjesa veriore e Shqipërisë rezulton më e pasur me fond pyjor, me 41% të sipërfaqes së pyjeve të vendit. Rajoni juglindor ka 30%, rajoni qendror 17%, ndërsa rajoni jugperëndimor përbën pjesën e mbetur, 12%.
Këto shifra tregojnë diversitetin dhe rëndësinë e pasurisë natyrore të Shqipërisë në hartën e gjelbër të vendit.
Ministri Jaupaj theksoi se statistikat e pyjeve nuk reflektojnë vetëm pasurinë natyrore, por edhe përgjegjësinë për menaxhim me kujdes dhe vizion afatgjatë.
“Punë e përditshme e Ministrisë së Mjedisit është monitorimi i pyjeve dhe kullotave, për të garantuar që këto burime të menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mjedisit dhe ekonomisë vendase”, u shpreh Jaupaj.
Hapja e Aeroportit të Vlorës mbetet e paqartë, ndërsa konflikti mes ortakëve të koncesionit ka kaluar nga përplasjet publike në një seri vendimesh gjyqësore të cilat duket se kanë prekur drejtpërdrejt drejtimin e projektit.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, përfaqësuesit ligjorë të kompanisë “Mabco Construction” (investitori kryesor i projektit), deklaruan se ajo është lënë jashtë vendimmarrjes dhe paralajmëruan arbitrazh ndërkombëtar ndaj qeverisë nëse çështja nuk gjen zgjidhje në gjykatat e vendit.
Dokumentet gjyqësore të siguruara nga Citizens.al tregojnë se gjykatat kanë vendosur masa sigurimi që pezullojnë të drejtën e votës dhe veprimtarinë vendimmarrëse të Mabco-s si ortak shumicë në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA), ndërsa një proces tjetër gjyqësor vijon për vlefshmërinë e transferimit të aksioneve mes saj dhe ortakut “2A Group”.
Kompania kërkoi sot ndërhyrjen e shtetit për të sqaruar situatën, ndërsa nuk dhanë përgjigje për pyetje mbi vlefshmërinë e lejes së ndërtimit, hetimet e SPAK dhe ndikimin e konfliktit gjyqësor në licencimin e aeroportit për operim.
“Rrezikohet siguria dhe garancia e aeroportit”
Në konferencën për shtyp, e cila u mbajt mëngjesin e sotëm në mjediset e një fondacioni privat në zonën e ish-Bllokut, përfaqësuesit ligjorë të Mabco-s deklaruan se, ndonëse zotërojnë 98% të kuotave, aktualisht janë lënë jashtë kontrollit mbi projektin.
Këshilltarja, Ornela Çuçi, tha se situata ka pasoja të drejtpërdrejta mbi investimin dhe vetë sigurinë e projektit. Sipas saj, VIA ka investuar rreth 120 milionë euro, ku pjesa dërrmuese ka ardhur nga Mabco si aksionere kryesore: 18 milionë nga asetet e veta dhe pjesa tjetër nga kredi të garantuara me pasuritë e saj.
Gjatë konferencës për shtyp të Mabco për çështjen e VIA/Mabetex Group.
Çuçi theksoi se Mabco kërkon angazhimin e një kompanie auditi ndërkombëtar si SGS, e cila do të mund të verifikojë dhe certifikojë punimet për pistën dhe veprat e tjera të kryera. Teksa avokati Ervin Metalla e përshkroi situatën si të paprecedentë.
“Ka 98% të kuotave dhe është e shpronësuar ‘de facto’ me vendim gjykate,” theksoi ai.
Drejtori juridik i Mabetex në Zvicër, Korab Troplica, konfirmoi qëndrimin e avokatit Metalla se ortaku “2A Group” ka marrë kontroll praktik mbi VIA dhe nuk informon as për mbledhjet e asamblesë. Ai tha se mundësia është që Mabco t’i drejtohet arbitrazhit, megjithëse “vullneti kryesor nuk është ky”.
Gjatë konferencës, gazetari i pavarur Artan Rama kërkoi qëndrimin e investitorëve ndaj rolit të qeverisë dhe mediave në konflikt. Përfaqësuesit e Mabco-s u shprehën se kërkojnë ndërhyrje të shtetit për të garantuar qartësi dhe korrektësi në një projekt strategjik siç është VIA.
Një tjetër pikë kritike u ngrit nga Joni Vorpsi nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA): leja e ndërtimit, e cila rezulton e tejkaluar në afate.
“Aktualisht afati 36-mujor i lejes së ndërtimit të VIA ka mbaruar, a keni ndonjë njoftim nga autoritetet për këtë dhe si do të vazhdohet, do të aplikohet për [zgjatje] lejeje, apo do të vazhdohet pa leje?” pyeti Vorpsi.
Përfaqësuesit ligjorë e konsideruan këtë si informacion teknik dhe se për këtë nuk kishin informacion të saktë, teksa u justifikuan me idenë se në gjendjen aktuale e kanë të vështirë të marrin informacione nga koncesionari.
“Shqetësimi ynë është për këtë situatë që po themi, dhe po na pyesni [për lejen] teksa ne na është bllokuar edhe e drejta për të marrë informacion, në thelb as nuk e kuptojmë kur e kanë mbledhjen, as kur e hapin derën,” tha avokati Metalla.
Foto ilustruese nga VIA gjatë fazës së ndërtimit/Facebook VIA.
Po ashtu, ata deklaruan se nuk kanë dijeni për hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila konfirmoi për mediat në muajin korrik 2025 se po hetonte koncesionin. Edhe pyetja nga Citizens.al nëse konflikti mund të pengojë marrjen e licencës për operimin e aeroportit nuk mori përgjigje konkrete.
Vendimet gjyqësore dhe pretendimi për “përjashtim” nga projekti
Në thelb të përplasjes qëndron kontrolli mbi koncesionarin VIA, e krijuar për zbatimin e kontratës së koncesionit me ministrinë e Infrastrukturës, për ndërtimin dhe operimin e aeroportit të Vlorës.
Dokumentet gjyqësore të siguruara nga Citizens.al tregojnë se konflikti për kontrollin e koncesionarit VIA ka kaluar prej muajsh në procese të njëpasnjëshme sigurimi padie.
Kompania “2A Group” (e cila zotëronte vetëm 2% të aksioneve) pretendon se në prill 2025 ka blerë rreth 47% të kuotave të ortakut shumicë Mabco, mbi bazën e një kontrate shitblerjeje aksionesh.
Por, Mabco e kundërshton vlefshmërinë e kësaj kontrate dhe pretendon se transferimi nuk mund të prodhojë pasoja juridike pa miratimin e kontraktorit, në këtë rast ministrisë së Infrastrukturës.
Sipërmarrësi B. Pacolli gjatë nënshkrimit të kontratës koncesionare VIA dhe qeverisë shqitpare, 2021/Kryeministria.
Mosmarrëveshja kaloi në gjykatë në tetor 2025, kur “2A Group” kërkoi masë sigurimi padie për pezullimin e vendimmarrjes së asamblesë dhe të drejtës së votës së Mabcos si ortak shumicë. Gjykata i pranoi kërkesën dhe pezulloi të drejtën e votës së Mabco-s deri në sqarimin e çështjes së pronësisë së kuotave.
Sipas përfaqësuesve ligjorë të Mabco-s, vendimi u mor në dhomë këshillimi, pa praninë dhe pa njoftimin e kompanisë, duke e lënë atë praktikisht jashtë kontrollit të shoqërisë.
Mabco e apeloi vendimin duke pretenduar se “pezullimi i së drejtës së votës së ortakut shumicë krijon një përjashtim faktik nga shoqëria dhe rrezikon përmbushjen e kontratës koncesionare për aeroportin.”
Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin e parë në dhjetor 2025. Megjithatë, sipas dokumenteve dhe pretendimeve të paraqitura nga Mabco, një ditë pas vendimit të Apelit, më 23 dhjetor 2025, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi sërish një masë sigurimi ndaj kompanisë.
Këtë herë kërkesa u paraqit nga vetë shoqëria koncesionare VIA dhe 2A Group, duke kërkuar kufizimin e çdo transferimi të kuotave të Mabco-s në shoqëri.
Përfaqësuesit ligjorë të Mabco-s pretendojnë se masa e re rivendosi në praktikë të njëjtin efekt.
Në ankimin tjetër, të depozituar më pas, Mabco argumenton se pezullimi i së drejtës së votës e përjashton praktikisht nga drejtimi i shoqërisë, ndonëse mbetet zotëruese e shumicës së aksioneve (51%, edhe me ndryshimet e pretenduara nga 2A Group) dhe mban detyrimet financiare të projektit.
Pretendimi i Mabco-s për “shpronësim” në konferencën e sotme për shtyp lidhet pikërisht me këto vendime gjyqësore.
Nga ana tjetër, pala kundërshtare në proces gjyqësor pretendon se transferimi i kuotave është i vlefshëm dhe se masat e sigurisë janë të nevojshme deri në zgjidhjen e konfliktit mbi pronësinë.
Dosja tregon se konflikti nuk është vetëm një mosmarrëveshje kontraktuale mes ortakësh, por një bllokim i drejtimit të koncesionarit: gjykata po vendos masa mbi votën, administrimin dhe transferimin e aksioneve ndërsa projekti është ende në ndërtim.
Kjo shpjegon edhe pasigurinë e shprehur në konferencë për operimin e aeroportit, për lejen e ndërtimit dhe për rolin e shtetit në ndërmjetësimin e konfliktit.