Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 May 2026Main stream

Aeroporti ku në 30 vite nuk u humb asnjë valixhe drejt fundosjes!

KANSAI, 14 maj /ATSH/ – Aeroporti i Kansait, më efikasi në botë, rrezikon të fundoset. Kjo është ajo që po ndodh me aeroportin ndërkombëtar japonez, i projektuar nga arkitekti italian Renzo Piano, shkruan corriere.it.

I ndërtuar në Gjirin e Osakës mbi një ishull artificial, i inauguruar në vitin 1994 dhe që kushtoi rreth 20 miliardë dollarë, pas më shumë se tridhjetë vitesh ai po përpiqet të qëndrojë mbi ujë në mes të Oqeanit Paqësor.

Rekordi: nuk ka humbur kurrë asnjë valixhe

Kansai International Airport është aeroporti i tretë më i ngarkuar në Japoni, pas aeroporteve të Tokios Haneda dhe Narita.

I vendosur 40 kilometra në jugperëndim të qendrës së Osakës dhe rreth 75 kilometra nga Kioto, ai është qendra kryesore për fluturimet low-cost në rajon.

Aeroporti mban edhe një rekord të jashtëzakonshëm: përveçse ka terminalin më të madh në botë, nuk ka humbur kurrë asnjë bagazh.

Në vitin 2024, aeroporti Kansai mori çmimin “World Airport Awards” nga Skytrax për menaxhimin perfekt të bagazheve: zero humbje dhe dorëzim i valixheve në rripin e marrjes brenda 15 minutash nga ulja e avionit.

Por pse një aeroport kaq efikas rrezikon të zhduket?

Arsyeja është tërësisht gjeologjike. Në vitet ’60, rajoni i Kansait po përjetonte një rritje ekonomike më të ngadaltë krahasuar me Tokion. Për të nxitur ekonominë lokale, u vendos të ndërtohej një aeroport i ri.

Aeroporti ndërkombëtar Osaka-Itami, i ndodhur në një zonë urbane shumë të populluar, nuk mund të zgjerohej më dhe shkaktonte ndotje të madhe akustike për banorët.

Pas protestave që kishin shoqëruar ndërtimin e aeroportit Narita, autoritetet japoneze zgjodhën një zgjidhje të paprecedentë: ndërtimin e aeroportit të parë “lundrues”.

Zona e zgjedhur ishte 5 kilometra larg bregdetit të Senshut, në Gjirin e Osakës, rreth 35 kilometra nga qendra e qytetit. Falë këtij pozicioni, aeroporti mund të funksiononte 24 orë në ditë.

Punimet nisën në vitin 1987 me krijimin e një ishulli artificial prej katër kilometrash katrorë, duke përdorur teknikën japoneze “umetate-chi” (tokë e bonifikuar).

Ndërtimi ishte jashtëzakonisht kompleks për shkak të rrezikut sizmik dhe tajfuneve të shpeshta në rajon.

Në kantier punuan 10 mijë njerëz dhe 80 anije për tre vite, për të krijuar një shtresë mbushëse 30 metra të trashë, e mbrojtur nga diga të përforcuara me 8 mijë tetrapodë.

Superura dhe mrekullitë e tjera

Për të lidhur ishullin me tokën u ndërtua një urë 3.7 kilometra e gjatë, me një kosto prej 1 miliard dollarësh.

Ndërkohë, ishulli ishte fundosur me tetë metra, duke e bërë projektin një nga veprat ndërtimore më të kushtueshme në histori në atë kohë.

Terminali 1, i projektuar nga Renzo Piano, konsiderohet një vepër e jashtëzakonshme arkitekturore, me çatinë asimetrike në formën e krahut të një avioni. Me një gjatësi prej 1.7 kilometrash, ai është terminali më i gjatë në botë.

Në vitin 2007 u ndërtua një ishull i dytë artificial për të pritur një pistë të dytë, duke rritur ndjeshëm kapacitetin e aeroportit.

Deri në vitin 2058 aeroporti mund të fundoset

Që në fillim, inxhinierët dhe arkitektët u përballën me fenomenin e subsidenzës: fundosja graduale e një zone për shkak të peshës së sedimenteve.

Problemi qëndronte te vetë fundi i detit, i përbërë nga një shtresë argjile që dorëzohet nën presion.

Parashikimet fillestare sugjeronin se procesi do të ishte i ngadaltë dhe i menaxhueshëm. Por nuk ndodhi kështu.

Ishulli filloi të fundosej shumë më shpejt nga sa pritej. Në tetë vitet e para ai ishte zhytur tashmë 12 metra, duke i detyruar ekspertët të ndryshonin projektin për të ngadalësuar procesin.

Një studim i vitit 2015, i realizuar nga inxhinierë amerikanë, parashikon se infrastruktura mund të fundoset në Oqeanin Paqësor deri në vitin 2058.

Zgjidhja e përdorur nga inxhinierët japonezë është monitorimi i vazhdueshëm.

Përdoren sisteme që mbledhin të dhëna në kohë reale dhe ndihmojnë në parashikimin e ngjarjeve të ardhshme.

Gjithashtu përdoren sisteme pompimi për të devijuar ujin që valët shtyjnë drejt ishujve dhe për të larguar ujin nga sipërfaqja e aeroportit gjatë reshjeve të forta.

Objektivi afatgjatë është modifikimi i shtratit detar mbi të cilin mbështetet ishulli.

Për këtë arsye, po pompohet edhe rërë nga fundi i detit për të përshpejtuar forcimin e argjilës.   /os/

The post Aeroporti ku në 30 vite nuk u humb asnjë valixhe drejt fundosjes! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 14.5.2026

NJU DELHI (India) – Takimi i ministrave të Jashtëm të BRICS-it.

OKLAND (Shtetet e Bashkuara) – Argumentet përfundimtare pritet të fillojnë në gjyqin ndaj OpenAI.

KANË (Francë) – Festivali i Filmit – Qilim i kuq për filmin “Fatherland”.

KANË (Francë) – Festivali i Filmit – Qilim i kuq për filmin “Parallel Tales”.

VJENË (Austri) – Gjysmëfinalja e dytë e Konkursit të Këngës në Eurovision.

VILNIUS (Lituani) – Vizitë e presidentit finlandez Alexander Stubb.

ROMË (Itali) – Vizitë e papa Leones XIV në universitetin ”La Sapienza”.

JERUSALEM – Marshimi i flamujve nacionalistë për Ditën e Jerusalemit.

BOULONGNE-BILLANCOURT (Francë) – Futboll – Trajneri i ekipit kombëtar të Francës, Didier Deschamps shpall skuadrën për Kupën e Botës 2026./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 14.5.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti të enjten, vranësira dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se vendi ynë sot do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Sipas parashikimit, moti do të karakterizohet nga vranësira mesatare deri të dendura, të alternuara me kthjellime të herëpashershme, më të dukshme përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Vranësirat pritet të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në zonat malore dhe kodrinore pranë tyre reshjet do të marrin formën e shtrëngatave afatshkurtra.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era pritet të arrijë shpejtësi deri në 14 m/s, duke sjellë në dete valëzim të forcës 2 deri në 3 ballë.

/r.e/

The post Moti të enjten, vranësira dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Londra, qyteti më i mirë në botë për kulturë

LONDËR, 13 maj /ATSH/ – Londra është shpallur qyteti më i mirë në botë për kulturë nga revista “Time Out”, pas një sondazhi global ku morën pjesë mbi 24 mijë persona.

Sipas renditjes, kryeqyteti britanik u vlerësua për teatrin, muzetë, galeritë, muzikën live, komedinë dhe festivalet, duke lënë pas Parisin në vendin e dytë dhe New York City në vendin e tretë.

Zëvendëskryetarja për kulturën në Londër, Justine Simons, deklaroi se “kultura është ADN-ja jonë ”.

Renditja e “Time Out” vlerëson qytetet që ofrojnë përvoja kulturore të pasura dhe një skenë artistike aktive, duke përfshirë aktivitetet publike, jetën e natës dhe aksesin në art e argëtim.

The post Londra, qyteti më i mirë në botë për kulturë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Koalicioni i Netanyahu-t hedh hapin e parë drejt zgjedhjeve të reja

JERUZALEM, 13 maj /ATSH/-  Koalicioni i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu paraqiti sot një projektligj për shpërndarjen e parlamentit, duke ndërmarrë një hap paraprak drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja, gjatë këtij viti, raportoi AP.

Propozimi hap rrugën për një votim formal për shpërndarjen e parlamentit dhe caktimin e zgjedhjeve të reja.

Media izraelite raportoi se një votim paraprak pritet javën e ardhshme.

Koalicioni i Netanyahu-t është afër përfundimit të mandatit katërvjeçar dhe duhet të mbajë zgjedhje të reja deri në fund të muajit tetor.

Megjithatë, disa nga partnerët ultra-ortodoksë të qeverisë së tij kanë bërë thirrje që zgjedhjet të shtyhen në fillim të shtatorit.

Projektligji parashikon zgjedhje “jo më herët se 90 ditë” pas miratimit të tij, duke i dhënë Netanyahu-t fleksibilitet, për të zgjedhur një datë kur ai mendon se ka shanset më të mira për sukses.

Koalicioni në largim ka drejtuar një mandat të trazuar që përfshiu sulmet e 7 tetorit 2023 të Hamasit, si dhe luftërat në Gaza, Liban dhe Iran.

Sondazhet e opinionit tregojnë se koalicioni, i përbërë nga parti fetare dhe nacionaliste, mund të ketë vështirësi në fitimin e rizgjedhjes. //a.i/

The post IZRAEL – Koalicioni i Netanyahu-t hedh hapin e parë drejt zgjedhjeve të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Starmer: Çdo sfidë për lidership do ta zhyste vendin në kaos

LONDËR, 13 maj /ATSH/- Kryeministri britanik, Keir Starmer u takua sot me deputetë dhe ministra në Parlament, pasi aleatë të ministrit të Shëndetësisë, Wes Streeting thanë se ai mund të niste nesër një sfidë për lidership, raportoi BBC.

“Ne nuk mund të lejojmë që një garë për lidership ta zhysë vendin në kaos… një sfidë për lidership do ta bënte këtë 100%”, tha Starmer.

Streeting do të kishte nevojë për mbështetjen e të paktën 81 deputetëve të laburistëve për të sfiduar Starmer.

Ndërkohë, aleatë të ministrit të Mbrojtjes, Al Carns, presin që ai të kandidojë nëse do të kishte një garë për lidership – ndonëse ai do të ishte një kandidat i jashtëm.

Starmer pranoi se duhet të ndryshojë pas takimit me deputetët.

Sipas burimeve, Starmer zhvilloi dy takime, një me ministra të shtetit dhe një me ministra më të rinj, që zgjatën rreth 15 minuta.

Kryeministri britanik u tha atyre se gara për lidership do ta “zhyste vendin në kaos” dhe se asgjë e mirë nuk do të dilte prej saj.

Nga ana tjetër, ministrat i thanë Starmer-it se qeveria duhej të vepronte më shumë si një forcë “rebele” dhe të qeveriste ndryshe.

Sipas raportimeve, kryeministri britanik kishte pranuar se duhej të ndryshonte. //a.i/

The post BM – Starmer: Çdo sfidë për lidership do ta zhyste vendin në kaos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dinamo City fiton Kupën e Shqipërisë për të dytin vit radhazi, triumfon ndaj Egnatias 3-2 në “Air Albania”

TIRANË 13 maj /ATSH/ Dinamo City fitoi për të dytin vit radhazi Kupën e Shqipërisë. Në finalen e zhvilluar në stadiumin Air Albania Stadium, skuadra blu triumfoi 3-2 ndaj Egnatias, mes spektaklit dhe emocioneve.

Finalja nisi me një moment vendimtar që në minutën e 6-të, kur Egnatia mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Bakajokos. Dinamo përfitoi nga superioriteti numerik dhe mori kontrollin e lojës, duke kaluar në avantazh në minutën e 23-të me Malomon.

Vetëm pak minuta më vonë, Bregu realizoi një gol mjaft të bukur për të dyfishuar shifrat dhe për t’i dhënë më shumë qetësi skuadrës së Ilir Dajës.

Në pjesën e dytë, edhe Dinamo mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Malomos, ndërsa Egnatia reagoi duke ngushtuar diferencën në minutën e 81-të me Buric. Megjithatë, Dinamo reagoi menjëherë dhe Mustapha realizoi golin e tretë me një goditje spektakolare, duke vulosur suksesin e bluve. Goli i Adjessas në fund të takimit shërbeu vetëm për statistikë.

Pas përfundimit të finales u zhvillua ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut, ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF, Armand Duka, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.

Presidenti Duka i dorëzoi medaljet dhe trofeun e Kupës së Shqipërisë Dinamo City, që festoi suksesin e dytë radhazi në këtë kompeticion. /j.p/

The post Dinamo City fiton Kupën e Shqipërisë për të dytin vit radhazi, triumfon ndaj Egnatias 3-2 në “Air Albania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 13 May 2026Main stream

TEHERAN – Irani: Kuvajti të lirojë menjëherë qytetarët tanë të ndaluar në Gjirin Persik

TEHERAN, 13 maj /ATSH-ANSA/ – Në një përpjekje të qartë për të mbjellë përçarje, Kuvajti sulmoi në mënyrë të paligjshme një anije iraniane dhe arrestoi katër qytetarë tanë në Gjirin Persik. Ai duhet të lirojë menjëherë bashkatdhetarëve tanë, shkroi ministri i Jashtëm iranian Seyed Abbas Araghchi në X.

”Ky akt i paligjshëm ndodhi pranë një ishulli të përdorur nga Shtetet e Bashkuara për të sulmuar Iranin. Ne rezervojmë të drejtën për t’u përgjigjur”, paralajmëroi ministri Araghchi.

Dje, Irani hodhi poshtë si “absolutisht të pabaza” akuzën e Kuvajtit se katër oficerë iranianë u përpoqën të infiltronin ishullin Bubiyan, duke thënë se kishin hyrë në ujërat territoriale të Kuvajtit për shkak të një ndërprerjeje në sistemet e navigimit.

Ministria e Jashtme e Iranit kishte “dënuar fuqimisht veprimin e papërshtatshëm të qeverisë kuvajtiane në shfrytëzimin politik të rastit dhe për qëllime propagande”.

Kuvajti arrestoi të katër në fillim të këtij muaji dhe dje i akuzoi ata si oficerë të Gardës Revolucionare.  /os/

The post TEHERAN – Irani: Kuvajti të lirojë menjëherë qytetarët tanë të ndaluar në Gjirin Persik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Asnjë plan për mbyllje mediesh, problemi i portaleve online mosregjistrimi

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste me botuesin dhe gazetarin e “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, në 35-vjetorin e themelimit të gazetës, foli në lidhje me rregullimin e medieve online, duke u ndalur te çështja e portaleve si dhe transparenca e administrimit të tyre.

Rama përmendi draftin e mëparshëm për rregullimin e medieve online, ku theksoi se janë hasur me kundërshtime në Bruksel, por që sipas tij sot BE vet po kërkon të bëjë më shumë se aq.

“Ne kemi bërë një draft atëhere. Dhe na e bllokuan në Bruksel. Na thanë stop, ndërkohë që sot në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian po merren me të njëjtën temë edhe po kërkojnë të bëjnë dhe më shumë se aq”, tha Rama.

Rama kundërshtoi idenë se shteti po synon kontrollin e mediave, duke theksuar se qeveria nuk ka pasur asnjë plan për mbyllje mediash.

“S’ka qenë fare aty në draft që mbyll qeveria. Draftin e kemi konsultuar me OSBE-në për një kohë të gjatë pastaj dhe nuk kam më nerva të merrem. Le të shkruajnë çfarë të duan. E kam unë gabim”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se liria e mediave nuk duhet të shoqërohet me mungesë përgjegjësie kur ka përfitime financiare.

“Problemi tek portalet ka qenë dhe mbetet ai që thua ti, domethënë anonimiteti në kuptimin e mosregjistrimit. Ti mund të jesh anonim për sa kohë nuk merr reklama. Po nuk more reklama, rri anonim, bëj portal, bëj çfarë të duash. Momentin kur ti merr reklamë, pra ti fiton lekë me atë portal, ti je edhe gjobaxhi apo jo? Për të marrë reklamën i bën, i krijon probleme. E di sa njerëz, sa njerëz kanë qenë që më kanë shkruar nga biznesi në atë kohë që ‘’aman mos e lër, aman mos e lër’’. Thashë unë ‘’po këta çfarë kanë”. Dhe në fakt ata të gjithë paguajnë, paguajnë nën dorë gjoba për të qenë rehat”, u shpreh Rama.

“Po janë shumë se ne jemi mësuar të na sulmojnë, nuk na bën përshtypje. Po njerëzit, njeriu ka biznes. Më nxjerr titullin ‘’mos e bli qumështin e atij se ka probleme’’ edhe e hodhi në erë biznesin”, tha Rama.

Gjatë intervistës, Lesi pyeti Ramën edhe në lidhje me debatin me deputeten Elisa Spiropali. Sipas tij shprehjet dhe deklaratat e Spiropalit nuk duhet të merren fjalë për fjalë dhe janë të pranueshme për aq kohë nuk shkelin vijën e kuqe politike.

“Jo, jo, nuk duhen marrë literalisht këto gjëra. Janë krejt normale për sa kohë nuk prekin atë vijën e kuqe”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur pyetjes së mundësisë për përjashtimin e Spiropalit, Rama u shpreh “çdo njeri mund të gabojë. Kush ka dhënë kontribute mund të gabojë dhe herën e dytë, e treta pastaj e ndan”.

/m.q/j.p/

The post Rama: Asnjë plan për mbyllje mediesh, problemi i portaleve online mosregjistrimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komisionerja Marta Kos në Prishtinë të premten

PRISHTINË, 13 maj/ATSH/ Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos do të qëndrojë në Kosovë, të premten.

Komisionerja sllovene, vjen në Prishtinë të enjten mbrëma, direkt nga Londra, ku gjatë ditës ka paraparë të ketë dy takime.

Në Kosovë ndërkaq, ajo ka planifikuar të realizojë tri të tilla.

Dy nga to janë me përfaqësuesit “në detyrë” të institucioneve.

Njëri nga ta, sipas një agjende të bërë të ditur nga Komisioni Evropian, do të jetë më ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

I dyti me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Me këtë të fundit ka paraparë edhe një dalje para medieve, në orën 11 e 30.

Takimi i tretë i Kos në Prishtinë nuk është planifikuar të jetë me përfaqësues të opozitës, por me ata të shoqërisë civile.

Vizita e së premtes në Kosovë do të jetë e para për komisioneren për zgjerim në BE, prej se ajo mori detyrën, në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh ndonjë vizitë në vendet tjera të rajonit, para ose pas qëndrimit në Prishtinë.

Kos kishte planifikuar një vizitë në Kosovë më 12 mars, por ajo u anulua për shkak të zhvillimeve politike të atyre ditëve – presidentja Vjosa Osmani pati nxjerrë një dekret për shpërndarje të Kuvendit, më 6 mars meqenëse ky organ shtetëror nuk ia doli ta zgjedh kryetarin e shtetit, një ditë me herët, kur ishte afati i fundit për ta bërë një gjë të tillë.

Vizita e së premtes i bie të realizohet tri javë para zgjedhjeve të reja që mbahen në Kosovë, më 7 qershor

 

Komisionerja për zgjerim e BE-së vjen në Prishtinë tri ditë pas deklaratës së fortë shpresëdhënëse që bëri gjatë një takimi të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor (ku bëjnë pjesë shtate vende anëtare të Unionit, përfshirë shtetet mosnjohëse të Kosovës – Sllovakinë dhe Greqinë) në Bratisllavë të Sllovakisë, ku tha që siguria evropiane është e lidhur ngushtë me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë, po ta quaj, të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën, për shembull, Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”, tha ajo. /Kosovapress/

The post Komisionerja Marta Kos në Prishtinë të premten appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tejkalim i lejes së ndërtimit në Tiranë, procedim penal për dy efektivë policie për shpërdorim detyre

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Nisur nga raportimet në mediet elektronike Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka konstatuar se në një objekt shumëkatësh në ndërtim në rrugën “Llukë Kacaj”, njësia administrative nr. 4, janë ndërtuar 2 kate banimi, në tejkalim të atyre të përcaktuara në lejen përkatëse lëshuar nga bashkia Tiranë.
Pas verifikimeve të kryera nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, ka rezultuar se objekti është ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rajoni Tiranë, ka administruar dokumentacionin shkresor si edhe ka marrë deklarimet e strukturave policore përkatëse, ku bazuar në veprimet e para hetimore ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dy punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Punonjësit e dyshuar janë K. M., me detyrë Ndihmës Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4 dhe  S. K., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Sipas AMP, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
/k.s/j.p/

The post Tejkalim i lejes së ndërtimit në Tiranë, procedim penal për dy efektivë policie për shpërdorim detyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: PD ka nxjerrë nga organizmi intelektualët

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Në 35-vjetorin e zanafillës së gazetës “Koha Jonë” dhe 29 vjet pas djegies së saj, botuesi dhe gazetari Nikollë Lesi zhvilloi një intervistë me kryeministrin Edi Rama, i cili ka shkruar për gazetën “Koha Jonë”.

Gjatë intervistës, Lesi pyeti kreun e qeverisë në lidhje me klimën politike në vend dhe kryesisht për opozitën.

Rama tha se PD i nxjerr nga organizmi ata që janë intelektualë, ndërsa sipas tij mbeten figura që “ngrihen në politikë përmes kapacitetit të budallallëkut”.

Ai vijoi duke thënë se në atë forcë politike “ata që kanë një lloj intelektualizmi nuk qëndrojnë dot brenda organizmit”.

“Po e di çfarë domethënë të jesh personalitet në PD? E di çfarë do të thotë të jesh sot personalitet në PD? Të shquhesh për budallallëkun tënd, domethënë të kesh kapacitet budallallëku të atillë, që të ngrihesh lart në pozitë. Kështu funksionon”, u shpreh Rama.

“Po si mund të jesh edhe intelektual dhe molotovar? Edhe intelektual edhe figurë e shquar në PD? Nuk ndodhin dot këto të dyja. Po ta shikosh me kujdes çfarë i ka ndodhur asaj partie, që nga koha që e përmende ti, se përmende Gramoz Pashkon apo jo? Që nga ajo kohë, cila ka qenë karakteristika e asaj partie? Kush ka pasur një intelektualizëm?”, vijoi ai.

“I nxjerr, nuk i mban dot organizmi. I nxjerr, i nxjerr, nuk i mban dot. Dhe kush, dhe kë absorbon organizmi? Ata që janë në gjendje ta ngrenë nivelin e budallallëkut në përmasa që njerëzit normalë nuk e ngrenë dot”, tha Rama.

Sa i përket ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, Rama u shpreh me ironi se “ai ishte intelektuali i fundit aty që kishte një elokuencë, kishte një mendim. Po e kapi budallallëku dhe atë. Po mirë, ai ishte intelektual jo në shkencat ekzakte. Në shkencat fleksibël”, tha Rama.

Gjatë diskutimit, Lesi ngriti çështjen e censurës dhe autocensurës në media. Rama tha se shumica e mediave kanë qëndrim kritik ndaj qeverisë.

Sipas tij shpesh “shumica e titujve janë luftë kundër qeverisë”.

/m.q/j.p/

The post Rama: PD ka nxjerrë nga organizmi intelektualët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

35-vjetori i gazetës “Koha Jonë”, Rama: Kur liria e fjalës kërcënohej me erën e vdekjes nga një regjim injorantësh

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar sot në një intervistë nga botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi më rastin e 35-vjetorit të krijimit të gazetës dhe 29-vjetorit të djegies së saj.

Intervista vjen për publikun, sipas Ramës, “për një kohë kur liria e fjalës kërcënohej me erën e vdekjes nga një regjim injorantësh pa din e as iman”.

Respekt për të gjithë ata që i dhanë jetë asaj legjende shpëtimtare për Shqipërinë e kohës, pavarësisht se si rrodhi më pas jeta dhe karriera e secilit”, shkroi Rama përpara transmetimit të intervistës.

Gjatë intervistës kryeministri Rama ka rrëfyer detaje nga dhunimi i vitit 1997, pas të cilit u largua në Francë ndërsa pak më vonë u dogj dhe gazeta “Koha Jonë”.

“Ishin dy momente që kuptova se sa thellë kishte vajtur ideja. Po ishte e jashtëzakonshme nga ana ime. Se unë në momentin kur ata më lanë në tokë menduan që mbarova. Ata menduan që mbarova se më lanë në tokë dhe unë, se harroj i shtrirë shoh gjithë dritaret, se shtëpia ime ishte te një si formë si dy L me një oborr të brendshëm ishin parafabrikatet dhe ishte një bllok dhe shoh gjithë dritaret, dritat me njerëzit në dritare. Ishte kështu si një amfiteatër. Edhe aty mora fuqi, u çova dhe fillova duke iu bërtitur atyre. Rrini nëpër dritare po kështu do t’ju vini juve nëpër shtëpi. Duke mbajtur fjalim. E kupton? Se isha akoma i nxehtë, nuk isha i vetëdijshëm unë se çfarë ndodh”, theksoi Rama.

Ai tha se në gjendje të rënduar, u përpoq të kërkonte ndihmë dhe të largohej nga vendngjarja.

“Dola në rrugë afër te parafabrikatet poshtë, te ish- Uzina Enver. Dal në rrugë për të marrë makinë nuk ndalonin makinat, nuk ndalonin dhe unë isha gjak dynjaja dhe më morën dy çuna ndaluan, më morën. Se kur unë po flisja më vjen dikush dhe më thotë boll se po humb shumë gjak dil merr një makinë. Të kujtohet që doli ajo teoria që i kanë hedhur bojë  sipër që të duket”, tha Rama.

Më tej Kryeministri Rama tregoi për lëvizjet e tij pas ngjarjes, kontaktet me miq dhe momentet në spital.

“Edhe mua akoma më rrinte mendja te lufta edhe thashë të shkoj ta bëj një foto. Përpara fotos thashë të shkoj njëherë të lajmëroj dikë se unë mund të iki dhe s’merr vesh se për çfarë dhe shkova te Sandër Furxhiu që punonte për BBC, që t’i thosha ja ku më ke dhe pastaj shkova te Kumi. I shkreti edhe ai dridhej. Ai dridhej më thoshte mua mos thuaj që e ke bërë te unë. Aty e shihja që ishte një situatë…,frikë e madhe, frikë e madhe. Mos thuaj që e ke bërë te unë të lutem fotografinë”, tregon Rama.

Rama përshkroi edhe momentet në spital, ku u trajtua nga mjekët dhe u identifikua si gazetar i “Koha Jonë”.

“Dhe kur shkoj në spital ata çunat më thanë mua tani ne po të lëmë këtu. Nuk më çuan deri te dera. Më lanë, ishin 20-30 m larg dhe te dera unë akoma duke ecur se fillova të ftohesha dhe filloi të dridhej trupi. Mjeku gjatë kohës që më qepte, më thoshte Skënder. Pastaj dhe atje në Francë kur më pa ai mjeku, që më pa këto plagët tha, të ka shpëtuar gjatësia dhe sporti”, tha Rama.

Lesi tha se “me këtë atmosferë erdhi dhe djegia e gazetës Koha Jonë më 3 mars 97”.

“Kështu që unë nuk kam qenë këtu kur u dogj. Po ajo ishte kapaku domethënë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama foli edhe mbi rolin dhe përgjegjësinë e gazetarit në periudhën e zhvillimeve të medieve të para të lira në Shqipëri.

I pyetur nga Lesi se nëse një gazetar që angazhohet për vendin duhet të jetë pasionant, Rama theksoi se “po ishte dhe një përgjegjësi që vinte nga fakti që ti e dije që do ta lexonin shumë njerëz”.

“E dije që mezi prisnin që ta hapnin. Unë mbaj mend atëherë me ato intervistat e gjata etj, mbaj mend që edhe sot takoj njerëz që m’i përmendin ato “te koha jonë, te koha jonë”. Kështu që ka qenë edhe ata që e bënin, por dhe ata që e merrnin e thithnin, domethënë ishin sikur, ja 100 000 kopje. Imagjino! Por ama kishte vetëm një burim mediatik që ishte TVSH-ja. TVSH-ja ishte fashizëm komplet. S’kishte lidhje fare me pluralizmin. Dhe çfarë ishte, ishin këto paçavuret jo RD e cfarë kishte tjetër”, tha Rama.

“E kam fjalën që nuk ishin gazeta që i referohej publiku që donte të merrte vesh gjëra të vërteta. E ke menduar ndonjëherë për shembull se unë kam menduar herë pas here kur bie natyrisht fjala për këtë temë. Po e ke menduar ndonjëherë për shembull që si do ishte rrjedha e ngjarjeve po mos ishte Koha jonë? Të ishte vetëm TVSH-ja, RD-ja, “Albania” edhe “Sporti popullor”. Si do ishte rrjedha e ngjarjeve?”, vuri në dukje Rama.

Mendoj për shembull, vijoi Kryeministri se, tek referendumi i 94-ës “Koha Jonë” ka qenë kyç.

“Se ajo që nuk kuptohet dot sot është që TVSH-ja nuk kishte aty. Kulmi i arritjes për PS-në atëherë ishte kur i nxirrnin ndonjëherë Namikun ose Servetin ndjesë pastë pa zë dhe  foli dhe ky se ndërkohë gjithë pjesa tjetër ishte lemeri. Domethënë si do ta përjetonin njerëzit realitetin që ishte e kundërta e asaj që thoshte TVSH-ja po mos ishte “Koha Jonë”, u shpreh Rama. /k.s/j.p/

The post 35-vjetori i gazetës “Koha Jonë”, Rama: Kur liria e fjalës kërcënohej me erën e vdekjes nga një regjim injorantësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Gjermania planifikon mburojë mbrojtëse kundër dronëve për qytetet dhe infrastrukturën kritike

BERLIN, 13 maj /ATSH-AA/ – Gjiganti gjerman i mbrojtjes Rheinmetall dhe kompania e telekomunikacionit Deutsche Telekom kanë njoftuar plane për zhvillimin e një mburoje mbrojtëse kundër dronëve për të mbrojtur qytetet dhe infrastrukturën kritike.

Kompanitë gjermane në një deklaratë të përbashkët thanë se do të zhvillojnë teknologji dhe kapacitete për t’iu kundërvënë skenarëve kompleks të kërcënimeve, përfshirë sulmet e mundshme ndaj infrastrukturës kritike që përfshijnë lloje të ndryshme dronësh.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Rheinmetall, Armin Papperger, duke njoftuar partneritetin tha se kërcënimi që paraqesin dronët është “shumë digjital”.

“Kjo është arsyeja pse mbrojtja efektive kërkon një kombinim të sensorëve, mjeteve mbrojtëse dhe rrjeteve të sigurta të komunikimit”, tha Papperger.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Deutsche Telekom, Tim Hoettges, tha se projekti do të mbështetet në rrjetin e komunikimit dhe kapacitetet e të dhënave të kompanisë.

“Me ekspertizën tonë në lidhshmëri dhe analizë të të dhënave, ne po e çojmë mbrojtjen kundër dronëve në një nivel të ri”, tha ai.

Sipas dy kompanive gjermane, gjithnjë e më shumë dronë po kontrollohen përmes rrjeteve celulare.

Ato thanë se së shpejti rrjeti mobil mund të funksionojë si sensor, në thelb si një radar me shtrirje të gjerë, duke identifikuar modele të pazakonta në trafikun e të dhënave që mund të sinjalizojnë lidhje komanduese të dronëve.

Kjo, shtuan ato, do t’u ndihmojë ekipeve të emergjencës të zbulojnë dronët dhe të identifikojnë shpejt operatorët e tyre, përfshirë edhe në zona të përkohshme të ndalimit të fluturimeve.   /os/

The post BERLIN – Gjermania planifikon mburojë mbrojtëse kundër dronëve për qytetet dhe infrastrukturën kritike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Territorialja”, seancë dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut Durrës

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot seancë dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut të Durrësit, ku në fokus ishte funksionimi i reformës territoriale, kompetencat e pushtetit vendor, financat vendore dhe organizimi territorial.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, ngriti shqetësimin për mbivendosjen e kompetencave mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore, veçanërisht në sektorin e kullimit dhe ujitjes.

Sipas saj, një pjesë e funksioneve administrohen nga bashkia e Durrësit dhe një pjesë nga Ministria e Bujqësisë, teksa shtoi se duhet të ketë një ndarje të saktë.

“Kemi diskutimin e funksioneve të ndara në zbatimin dhe dhënien e shërbimit për qytetarët. Funksionet e ndara, p.sh ata që kanë të bëjmë me funksionet e kullimit dhe ujitjes, një pjesë e ka bashkia e Durrësit një pjesë e ka Ministria e Bujqësisë, që do të thotë me reformën e re mendoj që në vëmendje duhet të jetë ndarja e saktë  e funksioneve duke pasur sa më pak mbivendosje me funksione të tjera të qeveris vendore”, tha ajo.

Sako u ndal edhe te çështja e Emergjencave Civile, duke kujtuar se Durrësi është përballur ndër vite me tërmete, përmbytje dhe zjarre. Sipas saj ligji parashikon që 4% e buxhetit për emergjencat civile t’u transferohet bashkive, por që nuk është zbatuar asnjëherë plotësisht.

“Ne kemi edhe çështjen e Emergjencave Civile që është e ndjeshme, pasi në rastin e Durrësit kemi pasur tërmet, zjarre, si dhe përmbytje. Gjykojmë që çështja e Emergjencave Civile, që sot ka një ligj që thotë 4 % të buxhetit duhet t’i transferohet bashkive, kjo nuk është zbatuar asnjëherë, në këtë shifër që do të thotë se në funksione të cilat i kemi për t’i zbatuar me ligj duhet patjetër që t’i kemi të shoqëruara me financa”, tha Sako.

Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, vlerësoi reformën territoriale të vitit 2015 si të suksesshme për Shijakun. Sipas tij, të ardhurat nga taksat janë rritur ndjeshëm pas bashkimit të njësive administrative.

Sa i përket burimeve njerëzore, Arbana tha se “ka patur probleme me burimet njerëzore për të mbajtur personelin para unifikimit të pagave. Me unifikimin e pagave tashmë të gjithë specialistët paguhen njësoj në të gjithë Shqipërinë”.

Ai shtoi se bashkia Shijak ishte ndër të parat që përfundoi procesin e rindërtimit pas tërmetit.

Edhe përfaqësuesja e Bashkisë Krujë foli për efektet e reformës territoriale, duke theksuar se cilësia e shërbimeve është përmirësuar.

“Bashkia e Krujës është e formuar nga gjashtë njësi administrative. Bashkia Krujë ka një specifikë të veçantë pasi ka dy qytete, Krujën dhe Fushë-Krujën. Bashkia ka shpërndarë shërbimet dhe në Krujë dhe në Fushë-Krujë. Sa i përket cilësisë së shërbimeve është përmirësuar. Sa i përket burimeve njerëzore, me nivelin e pagave që është i kënaqshëm. Për profesione të ndryshme kemi probleme, siç janë inxhinierët”, tha përfaqësuesja e bashkisë Krujë.

/m.q/j.p/

The post “Territorialja”, seancë dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Netanyahu kreu vizitë sekrete në EBA gjatë luftës me Iranin

TEL AVIV, 13 maj /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka vizituar në fshehtësi Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe është takuar me presidentin Mohammed bin Zayed pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit, njoftoi sot zyra e liderit izraelit.

“Kjo vizitë ka çuar në një përparim historik në marrëdhëniet mes Izraelit dhe EBA-së”, tha zyra e kryeministrit në një deklaratë. Nuk u dhanë detaje të tjera.

Tashmë ka pasur raporte për vizita të mëparshme sekrete të Netanyahut në shtetin e Gjirit dhe telefonata zyrtare mes të dy palëve.

Sistemi “Kupola e Hekurt” i Izraelit u përdor në Emirate

Ambasadori amerikan në Izrael konfirmoi dje se sistemi izraelit i mbrojtjes raketore “Kupola e Hekurt” u përdor në EBA gjatë luftës me Iranin, gjatë së cilës Teherani sulmoi shtetet e Gjirit, aleate të SHBA-së.

“Izraeli dërgoi bateri të sistemit “Kupola e Hekurt” si dhe ushtarë që ndihmuan në përdorimin e tyre”, tha ambasadori Mike Huckabee në një konferencë në Universitetin e Tel Avivit.

Pas Izraelit, EBA u godit më rëndë nga sulmet iraniane me raketa dhe dronë, sipas “think tank-ut” izraelit INSS.

Presidenti amerikan, Donald Trump nisi të ashtuquajturat Marrëveshje të Abrahamit në vitin 2020 gjatë mandatit të tij të parë, duke bërë që EBA, Bahreini, Maroku dhe Sudani të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

Naftali Bennett, i cili ishte atëherë kryeministër, vizitoi zyrtarisht Emiratet në vitin 2021, duke u bërë kryeministri i parë izraelit që e ndërmerrte këtë hap. //a.i/

The post IZRAEL – Netanyahu kreu vizitë sekrete në EBA gjatë luftës me Iranin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Prokurorët kërkojnë dënim deri në shtatë vjet burg për Sarkozy

PARIS, 13 maj /ATSH-DPA/- Prokuroria në gjyqin e apelit kundër Nicolas Sarkozy për korrupsion të dyshuar kërkoi sot një dënim me shtatë vjet burg për ish-presidentin francez – i njëjti dënim që ata kishin kërkuar në gjyqin e parë.

Prokurori i Parisit gjithashtu po kërkon një gjobë prej 300,000 eurosh.

Prokurorët akuzojnë Sarkozy, 71 vjeç, për krijimin e një organizate kriminale, ryshfet, financim të paligjshëm të fushatës dhe për përfitim nga përvetësimi i fondeve publike.

Çështja është përqendruar në faktin se Sarkozy dyshohet se ka pranuar financim për fushatën elektorale nga Libia.

Ai përsëriti pretendimin e tij për pafajësi gjatë procedurës së apelit.

“Asnjë cent nga Libia nuk ka hyrë në fushatën e tij zgjedhore dhe nuk kam qenë nën ndikimin e udhëheqësit të atëhershëm libian, Muamar Gadafi”, tha Sarkozy në dëshminë e tij para gjykatës.

Në shkallën e parë, gjykata nuk gjeti asnjë provë që Sarkozy kishte marrë në të vërtetë para nga Gadafi për fushatën presidenciale të vitit 2007.

Megjithatë, sipas gjykatës, politikani konservator dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt kishin tentuar të siguronin paratë.

Sarkozy, në shkallën e parë, u shpall fajtor për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe u dënua me pesë vjet burgim. Ai kaloi disa javë në burg.

Kjo do të thotë se Sarkozy mori një dënim më të rëndë se çdo ish-kryetar shteti në historinë e afërt të Francës.

Avokatët e ish-kreut të shtetit kishin kërkuar shpalljen e tij, si të pafajshëm.

Sarkozy ka mohuar vazhdimisht akuzat. Gjyqi i apelit pritet të zgjasë deri në fund të majit.

Së bashku me Sarkozy, edhe 10 të pandehur të tjerë po gjykohen në procedurën e apelit, përfshirë ish-ministrat Claude Guéant, Éric Woerth dhe Brice Hortefeux. //a.i/

The post FRANCË – Prokurorët kërkojnë dënim deri në shtatë vjet burg për Sarkozy appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – OKB i kërkon Izraelit të shfuqizojë ligjin për krijimin e tribunalit të posaçëm ushtarak

NJU JORK, 13 maj /ATSH/- Kombet e Bashkuara i kane kërkuar Izraelit të shfuqizojë ligjin e ri të miratuar nga Knesset-i për krijimin e një tribunali të posaçëm ushtarak, i cili do të gjykojë palestinezët e akuzuar për përfshirje në sulmet e 7 tetorit 2023, sipas “SkyTg24”.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk deklaroi se viktimat e sulmeve të 7 tetorit meritonin drejtësi, por theksoi se kjo nuk mund të arrihej përmes proceseve gjyqësore që nuk respektojnë standardet ndërkombëtare.

Ai e cilësoi si shqetësuese mundësinë që ky tribunal të parashikojë dënim me vdekje për të pandehurit palestinezë, duke paralajmëruar për rrezikun e gabimeve të pakthyeshme gjyqësore.

Sipas kritikave të OKB-së, ligji krijon një sistem drejtësie që fokusohet vetëm te palestinezët dhe nuk shqyrton as përgjegjësitë e mundshme të forcave izraelite për veprimet e kryera në territoret palestineze që nga nisja e luftës në Rripin e Gazës.

Türk tha se ky mekanizëm rrezikon të institucionalizojë “drejtësi të njëanshme” dhe diskriminim, duke cenuar të drejtën për gjykim të drejtë.

Për më tepër, OKB-ja shprehu shqetësimin se tribunali mund të pranojë prova të marra nën presion ose gjatë marrjeve në pyetje të detyruara, gjë që sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare përbën një shkelje serioze.

Organizatat e të drejtave të njeriut në Izrael kanë paralajmëruar se proceset mund të shndërrohen në “gjyqe spektakël”, të transmetuara publikisht, me procedura të kufizuara për mbrojtjen e të akuzuarve.

Ligji u miratua me 93 vota pro në parlamentin izraelit dhe synon të gjykojë qindra persona të arrestuar për sulmet e 7 tetorit, ku sipas autoriteteve izraelite u vranë rreth 1 200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.

Pas atij sulmi, Izraeli nisi ofensivën ushtarake në Gaza, ku sipas autoriteteve shëndetësore lokale janë vrarë mbi 72 000 palestinezë.

Kjo është një çështje që po ngjall debat të madh ndërkombëtar, pasi kritikët argumentojnë se ndonëse ndjekja penale për sulmet e 7 tetorit konsiderohet e domosdoshme, përdorimi i një gjykate ushtarake speciale dhe mundësia e dënimit me vdekje mund të përbëjnë precedent të rrezikshëm ligjor dhe politik. //a.i/

The post NJU JORK – OKB i kërkon Izraelit të shfuqizojë ligjin për krijimin e tribunalit të posaçëm ushtarak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Charles III: BM përballet me rreziqe në rritje nga një botë gjithnjë e më e rrezikshme

LONDËR, 13 maj /ATSH-AA/- Mbreti Charles III tha sot se Britania e Madhe përballet me rreziqe në rritje nga një “botë gjithnjë e më e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”, duke përmendur konfliktin në Lindjen e Mesme si një shembull të kohëve të fundit.

“Një botë gjithnjë e më e rrezikshme dhe e paqëndrueshme kërcënon Mbretërinë e Bashkuar me konfliktin në Lindjen e Mesme, vetëm shembulli më i fundit”, tha Charles gjatë fjalimit në hapjen shtetërore të Parlamentit.

Ai theksoi se çdo element i sigurisë së energjisë, mbrojtjes dhe ekonomisë së vendit do të testohet. “Ministrat e mi do të marrin vendime që mbrojnë sigurinë e energjisë, mbrojtjes dhe ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar”, shtoi Charles.

Mbreti britanik tha se qeveria do të ndërmarrë hapa të rinj për të përmirësuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. “Ministrat e mi do të prezantojnë legjislacion për të përfituar nga mundësitë e reja tregtare, përfshirë një projektligj për të forcuar lidhjet me BE-në”, shtoi ai.

Charles më tej shtoi se qeveria do të kërkojë të përmirësojë marrëdhëniet me partnerët evropianë si një hap jetësor në forcimin e sigurisë evropiane. “Do të vazhdoj të promovojë paqen afatgjate në Lindjen e Mesme dhe zgjidhjen me dy shtete në Izrael dhe Palestinë”, theksoi ai.

Sipas tij, siguria energjetike e vendit kërkon investime dhe reforma afatgjata, “siç e kanë demonstruar ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme”.   /os/

The post LONDËR – Charles III: BM përballet me rreziqe në rritje nga një botë gjithnjë e më e rrezikshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EU4Municipalities prezantohet në Mirditë, Heikkinen: 6.5 milionë euro grante për bashkitë

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Në kuadër të Javës së Evropës 2026, në bashkinë Mirditë u zhvillua aktiviteti rajonal për prezantimin e projektit të ri EU4Municipalities, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, institucioneve qendrore dhe vendore, partnerëve ndërkombëtarë, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Zyra e Bashkimit Evropian në vendin tonë njoftoi se prezantoi në Rrëshen projektin e ri EU4Municipalities, një program prej 11 milionë eurosh për bashkitë shqiptare, i financuar nga Bashkimi Evropian, i bashkëfinancuar nga Gjermania dhe i zbatuar nga GIZ.

Gjatë aktivitetit, shefja e Bashkëpunimit pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ritva Heikkinen, theksoi rëndësinë e mbështetjes së BE-së për komunitetet lokale.

“Rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian nis në fshatrat, qytetet dhe bashkitë tuaja. Pikërisht në vende si Mirdita, mbështetja e BE-se bën vërtet diferencën. Shpresoj që të gjitha bashkitë të jenë përgatitur mirë për fazën e re të EU4Municipalities, ku 6.5 milionë euro janë parashikuar në grante për bashkitë,” tha Ritva Heikkinen.

Përfaqësues të Bashkisë, Delegacionit të BE-së dhe Ambasadës Austriake vizituan edhe Info-Kullën në Rubik, një pikë informacioni turistik e rikonstruktuar me mbështetjen e BE-së përmes projektit EFFORT, me qëllim përmirësimin e eficiencës së energjisë.

Dita vijoi me vizita në projekte të tjera të financuara nga BE-ja, që mbështesin komunitetin dhe turizmin lokal, përfshirë kopshtin dhe çerdhen “Bleta Punëtore”, të rindërtuar përmes EU4Schools, si dhe Kishën e Manastirit në Rubik, të risjellë në jetë përmes EU4Culture.

/m.q/j.p/

The post EU4Municipalities prezantohet në Mirditë, Heikkinen: 6.5 milionë euro grante për bashkitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌