ABU DABI – Nisin bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë
ABU DABI /ATSH-DPA/- Bisedimet e paqes midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nisur sot në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), tha vendi i Gjirit, ndërsa takimi do të përqendrohet në çështjet territoriale, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Bisedimet tripalëshe, që po zhvillohen në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dabi, do të vazhdojnë edhe të shtunën”, shtoi Ministria e Jashtme e Emirateve në një deklaratë.
Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed, shpreson që bisedimet do të kontribuojnë në ndërmarrjen e “hapave të prekshëm” për t’i dhënë fund krizës prej gati katër vitesh.
Në thelb të bisedimeve është kushti i Rusisë për tërhiqjen e forcave ukrainase nga pjesa e Donbasit që është ende nën kontrollin e Kievit.
Donbasi është një zonë në Ukrainën lindore që është përqendruar kryesisht në provincat e Donetskut dhe Luhanskut në rajonin tradicional të minierave të qymyrit të vendit.
“Çështja e Donbasit është një çështje kyçe për bisedimet”, u tha sot Zelensky gazetarëve.
Nuk ka pasur takime zyrtare të drejtpërdrejta midis dy palëve ndërluftuese për disa muaj, me Stambollin si vendi më i fundit.
Megjithatë, zyrtarët ushtarakë rusë dhe ukrainasë kanë përdorur Abu Dabin për takime joformale për të diskutuar shkëmbimin e të burgosurve të luftës.
Uashingtoni ka muaj që udhëheq përpjekjet për të bindur Rusinë dhe Ukrainën të arrijnë një zgjidhje paqësore, por të dy palët ende kanë qëndrime kontradiktore.
Moska pretendon të gjithë provincën lindore ukrainase të Donetskut dhe kontrollon më pak se 80% të saj. Kievi deri më tani ka refuzuar të tërhiqet vullnetarisht.
Provinca fqinje Luhansk kontrollohet pothuajse plotësisht nga trupat ruse.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha sot se çështjet territoriale duhej të sqaroheshin në përputhje me marrëveshjet e Anchorage, duke iu referuar një takimi midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, në Alaska në gusht.
“Qëndrimi i Rusisë është i njohur: Ukraina dhe forcat e armatosura ukrainase duhet të largohen nga rajoni i Donbasit”, tha ai.
Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit rus për gati katër vjet, që nga 24 shkurti 2022.
Në muajt e fundit, Ukraina ka pësuar sulme të mëdha në kapacitetin e saj të prodhimit të energjisë, dhe forcat ruse në vijat e frontit kanë bërë përparime të ngadalta. //a.i/
The post ABU DABI – Nisin bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
