Normal view

Received today — 10 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

OSHEE: Punime në rrjet më 11 gusht, ndërpritet energjia në disa zona të Shkodrës

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Disa zona të Shkodrës do të përballen me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike gjatë ditës së nesërme, 11 gusht, për shkak të punimeve të planifikuara në rrjet.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi se ndërprerja do të kryhet në kuadër të remontit për mirëmbajtjen e rrjetit dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

Sipas njoftimit, punimet do të zhvillohen në linjën 35 kV Koplik–Shkodra 3, në intervalin kohor 06:00–13:00.

Gjatë kësaj periudhe, furnizimi me energji do të ndërpritet pjesërisht në lagjet dhe zonat Kiras, Lopçej, Shtoi i Ri, Shtoi i Vjetër, Boriçi i Madh, Boriçi i Vogël, Gril, Gruemirë, Rrash-Kullaj, Vorfe, Linaj, Lepurosh dhe Kokpapaj.

OSHEE u kërkon banorëve të zonave të prekura mirëkuptimin gjatë kohës së punimeve, të cilat synojnë mirëmbajtjen e infrastrukturës elektrike dhe rritjen e cilësisë së furnizimit.

/e.xh/r.e/a.f/

The post OSHEE: Punime në rrjet më 11 gusht, ndërpritet energjia në disa zona të Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Meloni-Frederiksen: Nuk do të pranojmë imigracion të pakontrolluar në Evropë

10 August 2026 at 14:19

ROMË, 10 gusht /ATSH/ – Kryeministrja Giorgia Meloni dhe homologia e saj daneze, socialdemokratja Mette Frederiksen, ndanë një “mesazh të përbashkët për Evropën” në mediat sociale, duke deklaruar se nuk e pranojnë “emigracionin e pakontrolluar” që ka “ndikime negative” në shoqëri, shkruan tgcom24.it.

“Së bashku me Mette Frederiksen, kryeministren e Danimarkës, ndajmë disa reflektime mbi të ardhmen e Evropës, sigurinë e qytetarëve të saj dhe nevojën për të mbrojtur vlerat dhe mënyrën tonë të jetesës”, shkroi Meloni në Facebook.

“Ne nuk e pranojmë imigracionin e pakontrolluar në Evropë dhe kemi promovuar një politikë rigoroze të imigracionit, si në vendet tona ashtu edhe në Evropë. Askush nuk mund t’i mohojë ndikimet negative të imigracionit të paligjshëm në shoqëritë tona: rritja e shkallës së krimit, rritja e presionit mbi shërbimet publike dhe erozioni i besimit të qytetarëve”, deklaruan dy kryeministrat.

”Është veçanërisht serioze kur migrantët e paligjshëm, të privuar nga e drejta për të qëndruar në vendet tona, kryejnë krime të dhunshme, trafikojnë drogë ose janë përgjegjës për dhunë seksuale”, theksuan ato.

Qytetarët evropianë, argumentojnë Meloni dhe Frederiksen, “presin veprime konkrete nga përfaqësuesit e tyre politikë”.

“Për një kohë shumë të gjatë, njerëzit e zakonshëm në veçanti kanë paguar një çmim shumë të lartë për shkak të imigracionit të pakontrolluar. Është detyra jonë të vazhdojmë të punojmë me vendosmëri për t’u ofruar zgjidhje konkrete qytetarëve, veçanërisht atyre më të prekshëm, dhe për të siguruar siguri dhe mbrojtje më të madhe për komunitetet tona”, theksojnë të dy udhëheqësit.  /os/

The post FOKUS – Meloni-Frederiksen: Nuk do të pranojmë imigracion të pakontrolluar në Evropë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nxënësit Dion Peshtanaku dhe Troi Qendro medalje në Olimpiadën Botërore të IA në Kazakistan

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Dy nxënës shqiptarë, Dion Peshtanaku dhe Troi Qendro, u nderuan me medalje mes 440 konkurrentëve nga 103 shtete të botës, në Olimpiadën e Tretë Botërore të Inteligjencës Artificiale në Astana (Kazakistan).

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “kjo është një tjetër arsye për të qenë krenarë për nxënësit shqiptarë që po e çojnë emrin e Shqipërisë në nivelet më të larta të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale”.

“Dion Peshtanaku mori Medaljen e Bronzit dhe Troi Qendro Medaljen e Nderit. Pas këtyre dy medaljeve që valëvitin flamurin shqiptar janë talenti dhe puna e Dionit dhe Troiut, por edhe përkushtimi i mentorëve të tyre, si dhe puna e Albanian ICT Academy dhe STEM Hub Albania, që po krijojnë mundësi reale për të rinjtë shqiptarë që të maten me më të mirët e botës në një prej fushave që do të përcaktojë gjithnjë e më shumë të ardhmen e teknologjisë, ekonomisë dhe shoqërisë”, nënvizoi Kumbaro.

Kumbaro u shpreh se “dy medalje nga një kompeticion botëror me 440 të rinj nga 103 vende janë një sukses i madh për Dionin dhe Troin dhe krenari për ne”.

/k.s/r.e/a.f/

The post Nxënësit Dion Peshtanaku dhe Troi Qendro medalje në Olimpiadën Botërore të IA në Kazakistan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Haxhiu kërkon marrëveshje politike para vazhdimit të seancës konstituive

10 August 2026 at 13:54

PRISHTINË, 10 gusht /ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka theksuar sot nevojën e marrëveshjes politike para vazhdimit të seancës konstituive.

Pas takimit me mërgimtarë në Kuvend, ajo tha se partitë e ish-opozitës krahas gjuajtjes me vezë ndaj liderit të LVV-së, Albin Kurti, kanë pasur plane dhe për incidente të tjera.

Ajo theksoi nevojën e arritjes së marrëveshjes politike për formim të institucioneve.

Sipas saj, të gjithë ata që kanë dyshime se po shkelet kushtetuta duhet t’i drejtohen organit më të lartë juridik në vend.

/KosovaPress/

The post Haxhiu kërkon marrëveshje politike para vazhdimit të seancës konstituive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Selenicë, Festivali Folklorik mblodhi 20 grupe nga treva e Labërisë

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Në bashkinë e Selenicës ka ulur siparin Festivali Folklorik, i zhvilluar në qendër të njësisë administrative Kotë.

Për tri mbrëmje me radhë njëzet grupe të këngës tradicionale të Labërisë performuan në skenën e ngritur në qendër të Kotës, duke i dhënë të gjithë grykës së Lumit të Vlorës jehonën e tingujve dhe melodive të këngëve ardhur nga të gjitha vendbanimet e territorit në juridiksion të kësaj njësie vendore.

Mbi dyqind e pesëdhjetë festivalistë të veshur me kostumet tradicionale, me performancat e tyre të zgjedhura u bënë pjesë e ballafaqimit dhe konkurimit duke e bërë edhe më të bukur garën.

Edicionin e katërt të festivalit e bënë edhe më interesant pjesëmarrja e grupeve vetëm me të rinj, siç ishte grupi i Vllahinës dhe Gjormit për të cilën juria akordoi “Çmimin special për të rinjtë”, vlerësim që jepet për herë të parë dhe që synon të nxit edhe më shumë përfshirjen e të rinjve në përcjelljen e këngës labe, kjo edhe si një nga qëllimet e aktivitetit.

Në fund, juria e përbërë nga tre artistë që kanë titullin “Mjeshtër i  Madh”, Golik Jaupi, Artur Dhamo e Kristo Çipa i vlerësuan me çmimin e publikut grupin e Vajzës, me çmimin e tretë grupin e Gumenicës, me çmimin e dytë grupin e Velçës si dhe me çmimin e parë grupin e Vezhdanishtit.

Çmimin e parë e dorëzoi kryetari i bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, i cili vlerësoi pjesëmarrjen e të gjitha grupeve pjesëmarrëse, si dhe e krahasoi këngën me një “pasaportë” identitare të cilën e gjen vetëm në shpirtin e këngëtarëve dhe valltarëve të Labërisë.

“Kënga Labe është identitet, krenari dhe trashëgimi që nuk shuhet. Prania e të rinjve është dëshmia më e bukur se kjo këngë do të jetojë brez pas brezi. Me zërin e Labërisë, me dashurinë e njerëzve të saj, ky festival do të vazhdojë”, tha Bellaj.

/k.s/r.e/a.f/

The post Selenicë, Festivali Folklorik mblodhi 20 grupe nga treva e Labërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: Përpjekje për marrëveshje për të shmangur zgjedhjet

10 August 2026 at 13:15

PRISHTINË, 10 gusht /ATSH/ Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ka bërë thirrje përsëri partive politike parlamentare për të pasur një marrëveshje politike për konstituimin e institucioneve të Kosovës.

Kurti tha se është në komunikim me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Zgjidhja siç tha ai, për të mos shkuar në zgjedhje është marrëveshja politike.

“Jemi në komunikim dhe do të përpiqemi për çdo ditë që të arrijmë marrëveshje politike, në mënyrë që të shmangim zgjedhjet e panevojshme e të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten. U bëj thirrje edhe njëherë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e merremi vesh, sepse qytetarët nuk duan zgjedhje, por zgjidhje, e zgjidhja është marrëveshja politike”, tha Kurti.

Kjo pasi kreu i VV-së, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për propozimin e kanidatit për kryetar të Kuvendit. Ai tha se kjo kërkesë vjen pasi që s’ka ende marrëveshje politike.

“Takimet dhe komunikimi im, si kryeministër në detyrë dhe kryetar i subjektit fitues Lëvizja Vetëvendosje, me kryetarët e partive të tjera parlamentare, kanë vazhduar. Marrëveshje politike nuk kemi ende, prandaj që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, lus për kohë shtesë”, ka thënë Kurti të shtunën.

Pas kësaj kërkese, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj ka gjuajtur me vezë kryetarin e VV-së, Albin Kurtin. Pas eskalimit të situatës, kryesuesi Dehari kërkoi sigurimi kuvendit të futet në sallë.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.

/KosovaPress/

The post Kurti: Përpjekje për marrëveshje për të shmangur zgjedhjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI -Tajani: Të mbrojmë kufijtë tanë së bashku dhe të forcojmë Frontex-in

10 August 2026 at 13:13

ROMË, 10 korrik /ATSH-ANSA/ – Ne duhet të mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm së bashku.Të forcojmë Frontex-in si një agjenci të vërtetë evropiane të rojeve kufitare me personel, burime dhe kompetenca të mjaftueshme, shkroi në X ministri i Jashtëm Antonio Tajani.

”Ne duhet gjithashtu të luftojmë organizatat kriminale pa pushim”, shkroi Tajani.

Ministri Tajani mbështet propozimet e Manfred Weber dhe PPE-së.

Tajani beson se duhet të krijohen qendra riatdhesimi dhe “riatdhesimi i atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë duhet të përshpejtohet, por edhe një bashkëpunim më i madh me vendet e origjinës dhe tranzitit.

”Vendimet unilaterale nga vendet individuale nuk mund t’ua kalojnë pasojat e tyre vendeve partnere. Imigracioni duhet të menaxhohet së bashku”, thekson ministri.   /os/

The post ITALI -Tajani: Të mbrojmë kufijtë tanë së bashku dhe të forcojmë Frontex-in appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karakaçi inspekton Albcontrol: Mbi 240 mijë fluturime deri në korrik, masa të shtuara për të përballuar fluksin

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Viti 2026 po shënon një rekord të ri sa i takon aviacionit civil, duke arritur në shifra të paregjistruara më parë. Sezoni turistik veror është periudha e cila shënon një fluks të lartë sa i takon numrit të fluturimeve dhe pasagjerëve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ishte sot pranë Albcontrol, ku u njoh nga drejtori Dritan Isaku, me të gjithë procesin që po bëhet për menaxhimin e fluksit të fluturimeve, si dhe masat e marra për të garantuar një proces pa problematika dhe vonesa.

Isaku bëri të ditur se prej muajit janar dhe deri në korrik janë përpunuar rreth 242 mijë fluturime, 11% më shumë krahasuar me vitin e kaluar, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat, duke shtuar edhe stafin, për t’iu përgjigjur fluksit në rritje.

“Në dy-tre vitet e fundit, për shkak të rritjes së trafikut në aeroportin e Tiranës, ky sektor ka pasur një ngarkesë të shtuar. Kemi marrë masa dhe me shtimin e stafeve për përballimin e sezonit dhe për përballimin e të gjithë situatave, qoftë të pazakonta ose emergjente, të cilat edhe mund të ndodhin, por për momentin nuk kemi patur asnjë problematikë”, tha Isaku.

Aktualisht Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) klasifikohet si aeroporti me ngarkesën më të madhe në Ballkan.

Ministri Karakaçi tha se vit pas viti Shqipëria po regjistron shifra rekord sa i takon aviacionit civil, i cili nga ana e tij po i përgjigjet të gjithë këtij fluksi në mënyrë më të mënyrë duke mos sjellë asnjë vonesë në përpunimin e pasagjerëve.

“Ne vazhdojmë përsëri me rritjen e trafikut ajror. Nga viti në vit kemi rritje. Edhe këtë vit, në krahasim me vitin 2025, si për kategorinë e ulje-ngritjeve nga aeroporti i Tiranës, ashtu edhe për trafikun që kalon mbi kufirin shqiptar, kemi një rritje dyshifrore. Dhe po ashtu është edhe shumë evidente në fakt, që duhet theksuar, që edhe puna shumë e mirë e menaxhimit të aeroportit të Tiranës, pasi në këtë 6-mujor që ne kemi shifrat zyrtare, kemi një numër pasagjerësh pothuajse mbi 17% të zbritur në aeroportin e Tiranës, rreth 6 milionë dhe për ta krahasuar me vitin 2025 kemi rreth 900 mijë pasagjerë më shumë. Konfirmim i trendit të rritjes së menaxhimit të aeroportit, por edhe atë çfarë është evidente në të gjithë Shqipërinë, i fluksit të rritjes së turistëve dhe i menaxhimit të mirë që bëhet në aeroportin e Tiranës”, tha Karakaçi.

Të gjitha shifrat, shtoi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, dëshmojnë edhe një herë se tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi. “Ne po vazhdojmë rritjen vit pas viti në industrinë e aviacionit civil. Dhe kjo vjen shumë qartë për shkak të politikave të Qeverisë Shqiptare në aviacionin civil që kanë bërë të mundur edhe diversifikimin e operatorëve dhe linjave të trafikut ajror, duke krijuar kështu edhe mundësi më të mira për turizmin, por edhe mundësi për ndërlidhje më të mira ekonomike ndërmjet shteteve, pasi linjat ajrore intensifikojnë marrëdhëniet mes shteteve”, nënvizoi Krakaçi.

Një element i rëndësishëm është edhe rritja e numrit të desitacioneve të cilat kanë sjellë në Shqipëri turistë dhe vizitorë nga shumë vende të botës të cilët tashmë kanë mundësi ta aksesojnë vendin tonë përmes linjave direkte të fluturimeve.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Karakaçi inspekton Albcontrol: Mbi 240 mijë fluturime deri në korrik, masa të shtuara për të përballuar fluksin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

17 infermierë të rinj i bashkohen shërbimit të Onkologjisë në QSUNT

10 August 2026 at 12:57

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Shtatëmbëdhjetë infermierë të rinj i janë bashkuar ekipeve shëndetësore në spitalet publike në vend, duke plotësuar nevojat dhe duke forcuar më tej shërbimet shëndetësore për qytetarët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se këta 17 infermierë të rinj i janë bashkuar ekipit të shërbimit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke sjellë më shumë profesionistë, më shumë kapacitete dhe më shumë kujdes pranë pacientëve.

“Çdo profesionist i ri është një hap më shumë drejt një shërbimi më të fortë, më cilësor dhe të përqendruar te nevojat e pacientëve”, shkruan MSHMS.

Që prej rihapjes në vitin 2015 të programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, po zbatohet një model i qëndrueshëm për shpërndarjen e mjekëve dhe infermierëve në të gjithë vendin, duke forcuar shërbimet shëndetësore edhe në spitalet rajonale e bashkiake.

Procesi i punësimit nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” vijon të garantojë transparencë dhe meritokraci, duke forcuar çdo ditë sistemin shëndetësor me profesionistë të rinj dhe të përkushtuar.

Platforma “Infermierë për Shqipërinë” e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e qytetarëve.

/e.i/r.e/a.f/

The post 17 infermierë të rinj i bashkohen shërbimit të Onkologjisë në QSUNT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Deklarata e Zelenskyt për Kosovën, e papranueshme

10 August 2026 at 12:56

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Beograd, lidhur me qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.

I pyetur në një konferencë për shtyp, mbi deklaratën e Zelenskyt për Pavaësinë e Kosovës, Berisha e cilësoi qëndrimin e presidentit ukrainas si krejtësisht të papranueshëm.

“Sot kemi një deklaratë në të cilën ne shprehim keqardhje për deklaratën e presidentit Zelenski në Beograd për pavarësinë e Kosovës, të cilin ai u shpreh se është e njëanshme”, tha Berisha

Sipas tij, deklarata e Zelenskyt është në kundërshtim me vendimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Planin e Ahtisarit dhe qëndrimet e vendeve kryesore anëtare të NATO-s.

“Vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e vendeve kryesore anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Vjen në kundërshtim të hapur me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar, të interpretuara ato me kërkesë të Beogradit nga Gjykata Ndërkombëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila është shprehur për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës”, tha Berisha”.

Berisha e cilësoi gjithashtu deklaratën si jashtë çdo konteksti historik, duke theksuar mbështetjen që shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë i kanë dhënë Ukrainës pas nisjes së agresionit rus.

“Nga ana tjetër, deklarata është dhe në një aspekt tjetër jashtë çdo konteksti historik. Shqiptarët janë një komb mik me kombin ukrainas dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, ata janë solidarizuar plotësisht me luftën heroike të popullit të Ukrainës nën udhëheqjen e presidentit Zelensky kundër agresionit barbar rus”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike e konsideron qëndrimin e Presidentit ukrainas krejtësisht pa vend, krejtësisht të papranueshëm dhe një deklaratë që, sipas tij, nuk duhej të ishte bërë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Partia Demokratike e cilëson atë një deklaratë krejtësisht pa vend, krejtësisht të papranueshme dhe do të thosha një deklaratë fatkeqe në një vend që s’duhej bërë kurrë dhe për pavarësinë e Kosovës”, tha Berisha.

Berisha shtoi se, shqiptarët dhe Shqipëria duhet të mbeten të palëkundur në mbështetjen e Ukrainës ndaj agresionit rus.

“Në qoftë se presidenti bëri një deklaratë të tillë, ne nuk e harrojmë dhe ne nuk pranojmë këtë deklaratë, por natyrisht nuk mund të bëhet fjalë që ne të ndryshojmë qëndrimin ndaj agresionit barbar rus, ndaj popullit të Ukrainës dhe kombit ukrainas që po bën një luftë heroike, në fakt në mbrojtje të pavarësisë dhe të integritetit”, theksoi Berisha.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Deklarata e Zelenskyt për Kosovën, e papranueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kodi i ri Rrugor: Hiqet përgjithmonë patenta për drejtuesit që kapen me dy shkelje me alkool mbi normë

10 August 2026 at 12:50

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, gjatë një prononcimi për mediet prezantoi sot ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat, siç u shpreh ai, synojnë rritjen e sigurisë rrugore, ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve dhe uljen e numrit të aksidenteve.

Vatoci bëri të ditur se një nga masat e reja parashikon shtyrjen e së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi deri në një vit për personat që kapen duke drejtuar mjete pa qenë të pajisur me leje drejtimi. Për të miturit, kjo periudhë shtyhet me dy vjet.

“Një tjetër masë e rëndësishme është heqja përgjithmonë e lejes së drejtimit për drejtuesit që rezultojnë me nivel alkooli mbi 0,5 g/l në gjak dhe që janë ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur”, tha ai.

Ndryshimet e reja ashpërsojnë gjithashtu masat ndaj sjelljeve të rrezikshme në rrugë, përfshirë mosrregullimin e shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, veçanërisht në zona urbane, pranë shkollave, kryqëzimeve dhe degëzimeve.

“Për këto shkelje, masa administrative është rritur nga 20 mijë në 60 mijë lekë. Kodi i ri parashikon gjithashtu sanksionimin e përdorimit të telefonit celular gjatë drejtimit të biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor. Për drejtuesit e automjeteve, pezullimi i lejes së drejtimit tashmë aplikohet kur një person është ndëshkuar dy herë brenda të njëjtit vit për përdorimin e telefonit celular, nga tre herë që ishte kufiri përpara ndryshimeve”, vijoi ai.

“Përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit rezulton një ndër shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit mbi mjetin dhe, për pasojë, edhe të aksidenteve rrugore”, u shpreh Vatoci.

Masa të posaçme janë përcaktuar edhe për drejtuesit e rinj, të cilët kanë marrë lejen e drejtimit gjatë 24 muajve të fundit, duke vendosur kufizime specifike për drejtimin nën ndikimin e alkoolit dhe për shpejtësinë.

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është heqja e mundësisë për të shmangur pezullimin e lejes së drejtimit përmes pagesës së dyfishit të masës administrative maksimale. Sipas rregullave të reja, në rastet kur parashikohet edhe pezullimi i lejes së drejtimit, kjo masë do të zbatohet automatikisht.

Vatoci tha se strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë njohur me ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor dhe janë udhëzuar për zbatimin korrekt të tyre.

Duke iu referuar shkeljeve të shumta të evidentuara edhe përmes mjeteve inteligjente, Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos drejtojnë nën efektin e alkoolit, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit dhe të shmangin parakalimet e palejuara dhe manovrat e rrezikshme.

“Masat ndëshkuese nuk janë qëllimi ynë. Qëllimi ynë është parandalimi i shkeljeve, parandalimi i aksidenteve dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e jetës”, theksoi Vatoci.

Ai nënvizoi se siguria rrugore është një përgjegjësi e përbashkët dhe se respektimi i rregullave nga çdo drejtues mjeti është thelbësor për reduktimin e aksidenteve dhe shpëtimin e jetëve.

/e.i/a.f/r.e/

The post Kodi i ri Rrugor: Hiqet përgjithmonë patenta për drejtuesit që kapen me dy shkelje me alkool mbi normë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Strehimi social, Ibrahimaj publikon dokumentet që duhen për aplikim

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ka publikuar një përmbledhje të dokumentacionit që mund t’u kërkohet qytetarëve gjatë aplikimit për programet sociale të strehimit.

Sipas ministres, dokumentet që duhet të përmbajë dosja ndryshojnë në varësi të situatës personale, familjare, sociale dhe ekonomike, si dhe të kushteve të strehimit të secilit aplikant.

Në kategorinë e dokumenteve që lidhen me gjendjen ekonomike, mund të kërkohen vërtetimi për të ardhurat e familjes, vërtetimi nga punëdhënësi për pagën, dokumentet për kontributet e personave të vetëpunësuar, vërtetimi për përfitimin e ndihmës ekonomike, si dhe dokumentacioni për përfitimin e pagesës së papunësisë apo pensionit.

Për të dhënat personale, aplikantët duhet të paraqesin dokumente si certifikata e lindjes dhe vërtetimi i vendbanimit, ndërsa në varësi të kategorisë sociale ku bëjnë pjesë mund të kërkohen edhe dokumente shtesë që dëshmojnë statusin ose kushtet e veçanta sociale.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit thekson se dokumentacioni përcaktohet sipas programit të strehimit dhe situatës së çdo familjeje, ndaj aplikantët duhet të përgatisin dosjen në përputhje me kërkesat përkatëse.

Sipas Ibrahimajt, publikimi i dokumentacionit synon të lehtësojë procesin e aplikimit dhe t’u shërbejë qytetarëve si orientim për përgatitjen e dokumenteve të nevojshme për përfitimin nga programet sociale të strehimit.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Strehimi social, Ibrahimaj publikon dokumentet që duhen për aplikim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Katër televizione kombëtare i kushtuan Ramës 15 orë në një muaj, opozitës vetëm 4 orë

10 August 2026 at 12:40

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ka akuzuar qeverinë për censurë ndaj opozitës dhe ka kundërshtuar të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) lidhur me pasqyrimin mediatik të forcave politike.

Berisha tha se të dhënat e AMA-s mbi përmendjen e partive apo individëve nuk tregojnë ndikimin e tyre real në media, pasi, sipas tij, ato matin vetëm numrin e rasteve kur përmendet një emër.

“Edi Rama, duke përdorur një tregues që nuk ka asnjë lidhje me kapjen apo moskapjen e medieve, përpiqet të bindë të tjerët se mediat, sipas përmendjes, të themi, e injorojnë Ramën dhe PS-në dhe u kushtohen atyre vetëm 36 për qind kundrejt 64 për qind që i kushtojnë PD-së”, u shpreh Berisha.

“Në këtë analizë, që AMA me porosi të Edi Ramës, i servir atij, dëshmohet se mediet e kontrolluara nga qeveria merren ditë e natë me shkrime, artikuj, lajme, debate kundër opozitës”, theksoi Berisha.

“Përmendja e partive apo individëve nuk tregon aspak ndikimin e tyre mbi mediet, tregon se sa herë lakohet emri i tyre. Dhe natyrisht, në lakimin për keq nga mediet e qeverisë, ka një person që është kampion dhe ky është Sali Berisha”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së tha se zyra e shtypit e PD-së ka monitoruar katër televizionet kombëtare, RTSH, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus, për një periudhë 30-ditore.

Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, këto televizione i kanë kushtuar Edi Ramës dhe Partisë Socialiste gjithsej 15 orë, 10 minuta e 59 sekonda, ndërsa opozitës 4 orë, 46 minuta e 43 sekonda, ose rreth 23,9% të kohës.

“Katër televizionet kombëtare: televizioni shtetëror, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus, i kanë kushtuar Edi Ramës dhe PS-së në 30 ditë të marra së bashku 15 orë, 10 minuta dhe 59 sekonda. Pra, 15 orë kundrejt vetëm 4 orëve, 46 minutave dhe 43 sekondave”, u shpreh Berisha.

Ai solli si shembull edhe datën 26 qershor, kur, sipas monitorimit të PD-së, opozita kishte marrë 1 minutë e 30 sekonda kohë televizive, ndërsa Partia Socialiste 48 minuta e 45 sekonda.

Berisha e cilësoi këtë një pabarazi ekstreme dhe kërkoi që organizatat e gazetarëve dhe mediat të monitorojnë pasqyrimin e aktiviteteve politike në televizionet kombëtare.

Kreu i PD-së u bëri thirrje mediave dhe organizatave të gazetarëve që të fokusohen te monitorimi i pavarësisë dhe pluralizmit mediatik.

“Ftoj organizatat e gazetarëve shqiptarë, të cilat nuk duhet të pajtohen me një situatë të tillë dramatike pabarazie të monitorojnë dhe t’u thonë shqiptarëve të vërtetën”, deklaroi ai.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Berisha: Katër televizione kombëtare i kushtuan Ramës 15 orë në një muaj, opozitës vetëm 4 orë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Inflacioni shkon në 3,4% në korrik, transporti kryeson rritjen e çmimeve me 8%

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Inflacioni u rrit në 3,4% në korrik 2026, nga 2,5% që ishte në të njëjtin muaj të vitit 2025, ndërsa krahasuar me qershorin, çmimet e konsumit u rritën me 0,2%.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, rritja vjetore e çmimeve u ndikua kryesisht nga ushqimet dhe pijet joalkoolike, me një kontribut prej 1,18 pikë përqindjeje, të ndjekura nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me 0,83 pikë përqindjeje.

Në terma vjetorë, rritjen më të lartë të çmimeve e shënoi grupi “Transporti”, me 8%, pasuar nga “Argëtim, sport dhe kulturë” me 6%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,5% dhe “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4,1%.

Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me 3,5% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa mobiliet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e shtëpisë u shtrenjtuan me 3,3%.

Nga ana tjetër, çmimet e veshjeve dhe këpucëve u ulën me 1,8%, ndërsa grupi “Informacioni dhe komunikimi” shënoi rënie prej 0,9%.

Krahasuar me qershorin 2026, rritjen më të madhe mujore e regjistroi transporti, me 4,7%. Rritje shënuan edhe çmimet e grupit “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 0,6%, “Argëtimi, sporti dhe kultura” me 0,4%, si dhe “Mobiliet dhe pajisjet e shtëpisë” me 0,3%.

Ndërkohë, në korrik çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ranë me 0,5% në krahasim me muajin paraardhës.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Inflacioni shkon në 3,4% në korrik, transporti kryeson rritjen e çmimeve me 8% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Beci: Respektoni pezullimin e punimeve gjatë sezonit turistik, masa ndaj shkelësve

10 August 2026 at 12:32

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Bashkia e Shkodrës ka paralajmëruar zero tolerancë ndaj subjekteve që vijojnë punimet e ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat ku ato janë të pezulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka bërë të ditur se gjatë monitorimeve në terren janë konstatuar raste të vijimit të punimeve të ndërtimit në zona ku është pezulluar ndërtimi.

Beci ka rikthyer në vëmendje hartat e zonave ku zbatohet pezullimi, duke u bërë thirrje subjekteve ndërtuese të respektojnë detyrimin ligjor.

“Pezullimi i punimeve gjatë sezonit turistik është i detyrueshëm. Zero tolerancë ndaj shkeljeve”, thekson Beci.

Sipas njoftimit, pezullimi përfshin qendrën historike dhe urbane të Shkodrës, aksin Shirokë-Zogaj, zonat Velipojë-Rrjoll, si dhe zonën Theth-Ndërlysë, në përputhje me përcaktimet dhe hartat përkatëse.

Strukturat përgjegjëse do të vijojnë kontrollet në terren, ndërsa ndaj subjekteve që nuk respektojnë pezullimin dhe vijojnë punimet do të merren masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Bashkia Shkodër vlerëson se respektimi i rregullave gjatë sezonit turistik është i rëndësishëm për mbarëvajtjen e sezonit dhe për qytetin, banorët, bizneset dhe turistët që kanë zgjedhur Shkodrën si destinacion pushimesh.

Në një sezon të karakterizuar nga fluks i lartë turistësh dhe vizitorësh, autoritetet vendore theksojnë se kontrolli dhe zbatimi i masave për pezullimin e punimeve synon të garantojë një mjedis më të përshtatshëm për banorët dhe turistët gjatë sezonit veror.

/e.i/a.f/r.e/

The post Beci: Respektoni pezullimin e punimeve gjatë sezonit turistik, masa ndaj shkelësve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Evropa përballet me një krizë të re, temperaturat rekord po i kushtojnë miliarda euro

10 August 2026 at 12:31

LONDËR, 10 gusht /ATSH/ – Për këdo në Evropë që ende mendonte se ndryshimet klimatike ishin një problem për brezat e ardhshëm, valët e të nxehtit ekstrem të kësaj vere kanë sjellë një realitet të qartë: pasojat ekonomike të klimës tashmë kanë mbërritur dhe po kushtojnë qindra miliarda euro, shkruan Reuters.

Temperaturat rekord dhe thatësirat e kësaj vere, të cilat shkencëtarët thonë se janë përkeqësuar nga ngrohja globale, kanë shkaktuar probleme serioze në prodhimin e energjisë, transportin detar dhe shëndetin publik.

Ndërkohë, sezoni i zjarreve pritet të jetë ndër më të rëndët, nëse jo më i rëndi, në historinë e Evropës.

Ekonomistët dhe akademikët vlerësojnë se dëmi ndaj ekonomisë evropiane tashmë matet në qindra miliarda euro. Por ata paralajmërojnë se kjo është vetëm fillimi: kostot pritet të rriten më shpejt sesa temperaturat.

Evropa po ndryshon klimatikisht më shpejt se çdo kontinent tjetër dhe dëmet po rëndojnë financat publike, po shkaktojnë luhatje të forta të inflacionit, po ndryshojnë hartën e turizmit dhe po detyrojnë Evropën të rishikojë mënyrën se si prodhon energji dhe transporton mallrat.

“Ajo që e bën vitin 2026 veçanërisht shqetësues nga këndvështrimi ekonomik është se kemi disa episode të njëpasnjëshme të fenomeneve ekstreme”, tha Sehrish Usman, ekonomiste në Universitetin e Mannheim-it.

Dëme rekord ekonomike nga temperaturat e larta

Temperaturat arritën nivele rekord në qershor dhe korrik dhe ekonomistët thonë se dëmet ekonomike ka të ngjarë të tejkalojnë çdo rekord të mëparshëm.

Transporti në lumenjtë Rhein dhe Danub, arterie kryesore për transportin e mallrave, është kufizuar rëndë për shkak të nivelit të ulët të ujit. Më shumë se gjysmë duzine reaktorësh bërthamorë kanë ndaluar ose kanë reduktuar prodhimin për shkak të vështirësive në ftohje.

Parashikimet për prodhimin bujqësor janë ulur. Kulturat që korren më vonë, si misri dhe luledielli, kishin pësuar tashmë humbje prej rreth 6–7% në korrik.

Nxehtësia e madhe ul edhe produktivitetin e njerëzve dhe tashmë ka shkaktuar dhjetëra mijëra vdekje. Vetëm Gjermania ka raportuar më shumë se 10 mijë vdekje të lidhura me temperaturat e larta.

Ndërkohë, kostot e reagimit emergjent, si luftimi i zjarreve dhe kufizimi i konsumit të energjisë, po rëndojnë më tej buxhetet publike.

Sipas vlerësimeve të ING, vetëm ndërprerja e transportit në Rhein mund t’i ulë këtë vit PBB-në e Gjermanisë me 0.3 pikë përqindjeje. MBH Bank në Hungari vlerëson se çdo javë që centrali më i madh bërthamor i vendit qëndron jashtë funksionit mund t’i kushtojë ekonomisë 0.1 pikë përqindjeje të PBB-së.

Kompania gjermane e sigurimeve Allianz vlerëson se vetëm vala e të nxehtit dyjavore e qershorit do të ulë PBB-në e Evropës me 0.3 pikë përqindjeje. Ndërsa ndryshimet klimatike mund t’u heqin ekonomive më të ekspozuara, si Spanja, Franca dhe Italia, rreth 5–7% të rritjes ekonomike deri në vitin 2030.

“Fatura totale për këtë vit do të jetë shumë më e madhe”, tha Hazem Krichene, ekonomist në Allianz. Ai shtoi se kjo shifër nuk përfshin zjarret, thatësirat, përmbytjet e ndryshme dhe ndikimin e pritshëm të fenomenit El Niño.

Duke qenë se eurozona pritet të rritet vetëm rreth 1% këtë vit, goditja është veçanërisht e madhe.

Evropa Jugore përballet me rënie të turizmit dhe rritje të inflacionit

Evropa Jugore mund të jetë ndër rajonet më të goditura, pasi rritjet e temperaturave janë më të mëdha atje. Kjo mund të dëmtojë të ardhurat nga turizmi, të përkeqësojë dështimet e të korrave dhe të nxisë migrimin drejt zonave më të freskëta.

“A mund t’i imagjinoni turistët duke ecur në jug të Italisë apo Spanjës në 45 gradë? Unë nuk mundem. Prandaj mendoj se natyra e turizmit do të ndryshojë”, tha Carsten Brzeski, ekonomist në ING.

Sipas tij, jugu mund të ketë më shumë turistë gjatë gjithë vitit, por kulmi i sezonit veror mund të bjerë, ndërsa pushuesit zhvendosen drejt veriut. Kjo do të godiste industrinë e hotelerisë dhe shërbimeve në Evropën Jugore.

Jugu do të përballet gjithashtu me rritje më të madhe të çmimeve të ushqimeve për shkak të motit ekstrem, duke e vështirësuar punën e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), e cila tashmë përpiqet të mbajë inflacionin pranë objektivit.

Sipas studiuesit Maximilian Kotz, temperaturat ekstreme ndikojnë më shumë në çmimet e ushqimeve në vendet që janë tashmë më të nxehta.

Në vitin 2022, temperaturat ekstreme rritën inflacionin e eurozonës me rreth 0.34 pikë përqindjeje, përmes rritjes së çmimeve të ushqimeve, me Evropën Jugore që pësoi goditjen më të madhe.

Ndërkohë, ndërprerjet e transportit lumor po e bëjnë më të vështirë furnizimin me karburant në disa pjesë të Evropës, duke rritur diferencat rajonale të çmimeve.

Presioni mbi buxhetet po rrit shqetësimin për BQE-në

Pasojat fiskale po bien më shumë mbi ekonomitë që kanë më pak mundësi për t’i përballuar ato, thekson Allianz.

Sipas vlerësimeve të kompanisë, të ardhurat vjetore nga taksat mund të bien me rreth:
1.8% në Francë
1.3% në Itali
1.3% në Spanjë

Kjo ndodh sepse sistemet progresive të taksimit bëjnë që të ardhurat e shtetit të bien më shpejt sesa prodhimi ekonomik.

Në të njëjtën kohë, marzhet e fitimit të bizneseve do të bien, duke ulur investimet dhe duke thelluar dëmet ekonomike.

Shpenzimet e qeverive, ndërkaq, rriten si për shkak të financimit të emergjencave, ashtu edhe për shkak të nevojës për investime afatgjata — për shembull, për ta bërë prodhimin e energjisë dhe rrjetet e transportit më rezistente ndaj klimës.

“Një shqetësim kryesor është se vendet ende mbështeten shumë te reagimet emergjente të momentit, të cilat janë të kushtueshme dhe shpesh joefikase”, tha Heather Grabbe, eksperte e lartë në institutin Bruegel.

Por investitorët mund të kundërshtojnë nëse qeveritë përpiqen të shpenzojnë më shumë. Nivelet e borxhit janë tashmë të larta – veçanërisht në Francë dhe Itali – dhe vendet duhet të investojnë në mbrojtje dhe në tranzicionin e energjisë së gjelbër.

Dilema mund të tërheqë BQE-në, e cila bleu triliona euro borxhe të vendeve në dekadën e fundit për të mbajtur kostot e huamarrjes të ulëta kur inflacioni ishte shumë i ulët.   /os/

 

The post KOMENT – Evropa përballet me një krizë të re, temperaturat rekord po i kushtojnë miliarda euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema e Investimeve, fermerja në Lushnjë nis ndërtimin e një serre të re, synon tregjet europiane

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Skema e Investimeve, pjesë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, po mbështet zgjerimin dhe modernizimin e investimeve në sektorin bujqësor, duke u krijuar fermerëve mundësi për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe fuqizimin e potencialit për eksport.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) solli shembullin e fermeres Nertila Bufazi në Lushnjë, e cila, pas aplikimit dhe kontraktimit në Skemën Kombëtare të Investimeve, pritet të nisë ndërtimin e një serre të re prej 20 dynymësh.

Bufazi, tregon se e nisi biznesin e saj bujqësor rreth 10 vite më parë me vetëm 2 dynymë serra. Sot ajo kultivon perime në një sipërfaqe prej 30 dynymësh, ndërsa investimi i ri do të zgjerojë më tej kapacitetet e prodhimit.

Në bashkëpunim me pikat e grumbullimit, prodhimet nga serra e saj eksportohet në vendet e Ballkanit, si edhe në Itali, Francë dhe vende të tjera të Evropës.

Ajo thotë se përmes investimit të ri synon t’i përgjigjet kërkesës në rritje të tregut, duke rritur kapacitetet e prodhimit të perimeve në serra dhe potencialin e fermës për eksport.

AZHBR vlerëson se, aplikimi dhe kontraktimi në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve i hapin fermeres mundësinë për zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e mëtejshme të prodhimit bujqësor.

Skema Kombëtare e Investimeve 2026 përfshin tri masa kryesore, të orientuara drejt fermerëve të rinj, zhvillimit të staneve dhe pajisjeve blegtorale, si dhe mekanizimit të bujqësisë.

Përmes këtyre masave synohet nxitja e investimeve të reja, modernizimi i fermave, rritja e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimi i konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor. Aplikimet për masat e investimeve janë administruar nga AZHBR përmes dosjeve fizike.

Përmes kësaj skeme synohet nxitja e investimeve të reja dhe forcimi i potencialit të bujqësisë shqiptare për të rritur prodhimin dhe eksportet.

1 nga 3

/e.xh/a.f/r.e/

The post Skema e Investimeve, fermerja në Lushnjë nis ndërtimin e një serre të re, synon tregjet europiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërtoi pa leje objektin 5-katësh në Himarë, në pranga pronari, në kërkim tre inspektorë të IMT

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Një 39-vjeçar është arrestuar në Himarë, pasi po ndërtonte pa leje një objekt 5-katësh, ndërsa tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Himarë janë shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.

Policia e Himarës, gjatë kontrolleve në terren për evidentimin e ndërtimeve të paligjshme, konstatoi në vendin e quajtur “Sugë” një objekt 5-katësh në proces ndërtimi, njëri prej kateve nën tokë, për të cilin nuk ishte pajisur me leje.

Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e policisë arrestuan në flagrancë pronarin e objektit, shtetasin L. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur D. H., 46 vjeç, me detyrë kryeinspektor, si dhe M. K., 31 vjeç, dhe A. H., 42 vjeç, me detyrë inspektorë pranë IMT-së së Bashkisë Himarë. Të tre dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Policia bën të ditur se vijon puna për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale lidhur me rastin.

Kontrollet dhe verifikimet në territor vijojnë për evidentimin dhe parandalimin e ndërtimeve të paligjshme, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Ndërtoi pa leje objektin 5-katësh në Himarë, në pranga pronari, në kërkim tre inspektorë të IMT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria merr pjesë me Kombëtaren e të Amputuarve në “Inclusion Cup”

10 August 2026 at 10:59

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Ekipi Kombëtar shqiptar i të Amputuarve mori pjesë në edicionin e 13-të të turneut ndërkombëtar “Inclusion Cup”, që u zhvillua në Saint Gallen të Zvicrës, nga data 6 deri më 9 gusht 2026, duke u bërë pjesë e një aktiviteti që përmes futbollit përcjell mesazhe të forta të gjithëpërfshirjes, socializimit dhe mundësive të barabarta.

Turneu mblodhi së bashku ekipe dhe sportistë të kategorive të ndryshme, duke përfshirë 12 ekipe U17 për djem dhe vajza, 4 ekipe të personave të amputuar, ekipe të “Walking Football”, si edhe skuadra të personave me aftësi të kufizuara.

Për tri ditë me radhë, më shumë se 200 futbollistë dhe futbolliste krijuan një atmosferë të veçantë sportive dhe njerëzore në terrenet sportive përreth “Sitter Stadion”, duke dëshmuar edhe një herë forcën e futbollit për të afruar njerëzit dhe për të ndërtuar ura komunikimi përtej dallimeve.

Në këtë aktivitet ndërkombëtar, Shqipëria u përfaqësua nga Kombëtarja e të Amputuarve, e cila u përball me ekipe si Olympique Marseille, Hellas dhe Tytany Schytomyr, duke regjistruar edhe një fitore ndaj skuadrës ukrainase.

Por përtej rezultateve sportive, pjesëmarrja në “Inclusion Cup” ishte një mundësi për sportistët shqiptarë që të përjetojnë emocionet e një kompeticioni ndërkombëtar, të socializohen me sportistë nga vende të ndryshme dhe të përcjellin mesazhin se futbolli është për të gjithë.

Pjesëmarrja e ekipeve shqiptare në aktivitete të tilla është pjesë e qasjes së vazhdueshme të Federatës Shqiptare të Futbollit për të promovuar përgjegjësinë sociale, gjithëpërfshirjen dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e futbollit.

Përmes mbështetjes dhe integrimit të personave me aftësi të kufizuara në aktivitete dhe kompeticione ndërkombëtare, FSHF synon që futbolli shqiptar të jetë gjithnjë e më shumë një hapësirë ku secili mund të luajë, të konkurrojë, të socializohet dhe të ndihet pjesë e komunitetit.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Shqipëria merr pjesë me Kombëtaren e të Amputuarve në “Inclusion Cup” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjimnazi i Elbasanit “Dhaskal Todri” gati të hapë dyert në shtator për 600 nxënës

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Gjimnazi simbol i Elbasanit “Dhaskal Todri” është gati të hapë dyert për nxënësit e tij, pas një investimi të Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë Elbasan.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga shkolla, e cila do të presë në shtator 600 nxënësit me ambiente të reja dhe bashkëkohore.

“Ky investim e ka transformuar shkollën në një hapësirë të re, moderne dhe funksionale, me standarde të larta sigurie, ambiente bashkëkohore dhe, mbi të gjitha, një mjedis ku nxënësit mund të mësojnë, të zbulojnë pasionet e tyre përmes programit “Pas Shkolle” dhe të rriten çdo ditë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “në shtator, korridoret e “Dhaskal Todrit” do të mbushen sërish me zërat, energjinë, ëndrrat dhe buzëqeshjet e mbi 600 nxënësve”.

Përmes këtij investimi nxënësit do të kenë një shkollë krejt të re me klasa moderne, laboratorë, terrene sportive, bibliotekë dhe salla pune për mësuesit, duke zbatuar edhe sistemin e eficiencës energjetike.

Rikonstruksioni i shkollës synon rritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve sa më të mira për brezat e rinj, duke e kthyer shkollën publike në një prioritet të zhvillimit të qytetit të Elbasanit.

/k.s/r.e/a.f/

The post Gjimnazi i Elbasanit “Dhaskal Todri” gati të hapë dyert në shtator për 600 nxënës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌