Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Vengu: Ndërhyrje emergjente për forcimin e argjinaturës në Bistricë

27 November 2025 at 22:17

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bashkë me kryetarin e bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, inspektuan sot nga afër punimet për rehabilitimin emergjent të argjinaturës së lumit Bistrica, në Kanalin e Çukës.

Ministri theksoi se shembjet në katër pika të argjinaturës, e bënë ndërhyrjen emergjente dhe të domosdoshme.

“Tani për ta bërë të qartë edhe për publikun dhe të gjithë banorët e Sarandës, Finiqit, Delvinës, praktikisht gjithë zonës së prekur nga vërshimet e Bistricës, gjendemi në Kanalin e Çukës, në pritën më të madhe, argjinaturën më të madhe të Bistricës, ku gjatë vërshimeve të ditëve të fundit, siç e dini, patëm në katër pika praktikisht një shembje të konsiderueshme”, tha Vengu.

Ai shtoi se ndërhyrjet po kryhen me një përpjekje të përbashkët civile-ushtarake, ku përveç ekspertizës së bashkive, janë angazhuar edhe mjetet xheniere të ushtrisë.

“Është një përpjekje e përbashkët, siç e thashë, deri-diku civile-ushtarake, sepse kemi dhe mjete xheniere që janë të angazhuara, qoftë edhe për ekspertizën që kanë, aksesin e zonave ku ka dëmtime pritash lumore apo argjinaturash, qoftë edhe në mbështetje të bashkisë, siç u bë edhe kërkesa pranë emergjencave civile”, u shpreh ministri.

Kryetari i bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, shpjegoi se puna intensive nuk ka ndaluar prej pesë ditësh dhe se objektivi është të forcohet gjithë argjinatura për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen.

“Tashmë është dita e pestë që ne po vijojmë pa ndërprerje. Besoj për pak ditë stabilizohet le të themi gjendja emergjente dhe mendojmë që ne do vazhdojmë përgjatë gjithë argjinaturës, jo vetëm këtu, por deri tek Ura e Gajdarit, do të nxjerrim nivelin dhe e mira është që ta përforcojmë gjithë argjinaturën, sepse me çfarë kuptoj unë, këto do të jenë reshje të vazhdueshme dhe le të themi edhe vitet që vijnë, do kemi po të njëjtat situata, kështu që e mira është që t’i dalim para që tani”, tha Çaçi.

Ministri Vengu bëri me dije gjithashtu se për vitin 2026 është parashikuar një rishpërndarje më e drejtë e buxhetit për Emergjencat Civile, duke mbështetur veçanërisht bashkitë me risk të lartë përmbytjesh si Saranda, Delvina dhe Finiqi.

“Viti 2026, buxheti 2026, na gjen me një rishpërndarje më të drejtë të buxhetit për emergjencat civile në mënyrë që bashki që mund të konsiderohen ndoshta modeste nga ana e sipërfaqes apo e popullsisë, siç është edhe Saranda apo Delvina apo Finiqi, konsiderohen zona me risk dhe praktikisht duhet të kenë një mbështetje financiare më domethënëse”, tha Vengu.

Ai vuri theksin tek nevoja për ndërhyrje afatgjata për infrastrukturën parandaluese të emergjencave, duke shtuar se bashkëpunimi mes institucioneve qendrore dhe lokale është kyç për të garantuar sigurinë e banorëve. Në përmbyllje të vizitës në terren, ministri tha se puna vijon pa ndërprerje deri në rehabilitimin total të argjinaturës. “Mbetemi në terren derisa ta kemi rehabilituar plotësisht”, tha ai.

/r.e/

The post Vengu: Ndërhyrje emergjente për forcimin e argjinaturës në Bistricë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në Laç: Pika e grumbullimit të makinave të sekuestruara i kthehet komunitetit

27 September 2025 at 13:30

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ Pas Shkodrës, një tjetër hapësirë e kthyer në pikë bllokimi e grumbullimi mjetesh po lirohet dhe u kthehet qytetarëve në Laç. Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, së bashkë me kryetaren e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe kryeinspektoren e AAPSK-së, Risena Xhaja inspektuan nga afër aksionin për lirimin e hapësirës.

Bëhet fjalë për një nga pikat e grumbullimit, që Policia e Shtetit ka përdorur prej vitesh për të depozituar gjithë ato mjete motorike të sekuestruara apo të konfiskuara.

Ministrja Koçiu vuri në dukje se pika të tilla ka me dhjetëra të shpërndara në territor, në të gjithë vendin.

“Falë aksionit që kemi ndërmarrë me një sërë agjencish të MPB-së, por edhe të institucioneve të tjera, falë mbështetjes së Policisë së Shtetit dhe punës së lavdërueshme AAPSK-së, por edhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, pra një pune ndërinstitucionale, kemi filluar evidentimin, seleksionimin e gjithë këtyre mjeteve të depozituara këtu prej vitesh në një hapësirë publike”, theksoi ajo.

Ministrja vuri në dukje se hapësira është një ndotje e konsiderueshme edhe për bashkinë e Laçit, por edhe për bashkitë e tjera të vendit.

“Nga fillimi i këtij muaji, falë fushatës që kemi ndërmarrë bashkërisht të gjithë ne, do ta lirojmë këtë hapësirë duke ua kthyer bashkisë së Laçit, e cila jam e sigurt, që do të ketë projekte shumë të bukura për të zhvilluar në këto hapësira, projekte të cilat i kthejnë komunitetit jetësimin e tyre, energjizimin”, u shpreh ministrja Koçiu.

”Kjo është hapësira, pronë shtet, e Komisariatit të Kurbinit. Kemi të pozicionuara 1664 makina me tipologji të ndryshme statusi. Nga këto 1100 janë për skrap. Është përfunduar i gjithë inventari i pasurive dhe shpejt fillojmë procedurat e ankandit. Është 2.6 ha tokë shtet”, informoi Kryeinspektorja e AAPSK, Risena Xhaja.

Ministrja e Punëve të Brendshme tha se aksioni nuk do të ndalet për asnjë ditë në gjithë territorin.

Ajo vuri në dukje rastin e bashkisë së Shkodrës ku bashkërisht iu kthye bashkisë një territor të zënë në të njëjtën mënyrë. Ministrja informoi se bashkia ka një projekt shumë të bukur për ta kthyer në kënd lodrash.

“Do ta vijojmë këtë aksion, i cili vjen paralelisht me aksionin që IKMT dhe IMT-të janë duke kryer për lirimin e hapësirave publike të zaptuara padrejtësisht nga biznese lokale duke krijuar rrethime me gjithfarësoj mjetesh. Ajo që jemi duke bërë aktualisht është që në të gjithë territorin do të vijojmë pa u ndalur çdo ditë, për të liruar hapësirat publike për t’ua kthyer qytetarëve e vënë në dispozicion gjithë komuniteteve lokale, për të pasur një Shqipëri të pastër, atraktive për turistët por edhe të sigurt”, deklaroi Koçiu.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda konfirmoi se operacioni ka filluar në bashkëpunim me policitë bashkiake në gjithë vendin. Sipas tij, jo vetëm lirohen hapësira, por edhe rritet cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Veç faktit që janë kthyer në gangrenë mjedisore, kërkojnë dhe shërbime policore për t’u ruajtur, të cilat tani do t’u kthehen qytetarëve. Është një nga 24 pikat në Shqipëri. Është e dyta që e ka mbaruar këtë proces pas Shkodrës dhe është nga më të mëdhatë”, theksoi Proda.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu vuri në dukje se hapësira përbën një sipërfaqe e madhe në buzë të një aksi rrugor, e rrethuar një nga kurorë e gjelbër.

“Shumë e lënë pas dore. Tani është momenti ne ta pastrojmë, ju ta merrni në dorëzim për t’ia kthyer komunitetit”, tha ministrja.

Kryetarja e bashkisë Kurbinit Majlinda Cara e vlerësoi këtë si një nga aksionet më të mira, në shërbim të qytetarëve.

“Kjo është një hapësirë shumë afër qytetit dhe do na vijë në ndihmë. Është pikë kyçe se lidhet me një nga fshatrat më turistik të Kurbinit. Ne do mendojmë si do ta kthejmë në shërbim të komunitetit. Pozicioni i saj gjeografik na favorizon. Do hartojmë projekte”, tha Cara.

/e.i/j.p/

The post Koçiu në Laç: Pika e grumbullimit të makinave të sekuestruara i kthehet komunitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pavioni i kardiokirurgjisë, investimi më i ri me aparatura moderne në QSUNT

20 September 2025 at 13:36

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Pas prezantimit të ministres së re të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Dr. Evis Sala, Kryeministri Edi Rama vizitoi pavionin e ri të kardiokirugjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, një investim transformues i cili do të ofrojë një nivel të lartë shërbimi mjekësor ndaj qytetarëve.

Në këtë vizitë, Kryeministri Rama shoqërohej nga ministrja e re e Shëndetësisë Prof.Dr Evis Sala, ish-ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, drejtori i Përgjithshëm Florenc Spaho dhe stafi i mjekëve pranë QSUNT.

Spitali i ri i kardiokirurgjisë do të jetë i pajisur me aparatura moderne dhe ekipe të specializuara për zemrën, enët e gjakut dhe reanimacionin.

Godina ka një sipërfaqe ndërtimi prej 4.000 metra katrorë, me një shtesë prej 500 metra katrorë.

Në katin e parë të godinës do të ketë kryesisht shërbime, të cilat do të ofrohen për studentët dhe për stafet pedagogjike për ngritjen e kapaciteteve të tyre, si dhe logjistika teknike.

Gjithashtu, në katin e dytë të këtij spitali të ri do të kryhen edhe shërbimet e kirurgjisë vaskulare.

Në katin e tretë ndodhet blloku operator me shtim sipërfaqesh, nga katër salla operatore janë pesë salla të cilat tashmë do të krijojnë kushte më optimale. Në të njëjtin kat, është i vendosur edhe shërbimi i reanimacionit, për të gjithë situatat që kanë vështirësi në trajtim.

/e.i/j.p/

The post Pavioni i kardiokirurgjisë, investimi më i ri me aparatura moderne në QSUNT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kontrolle në ndërtim dhe turizëm, Muçaj: 35 milionë lekë gjoba për shkelje të kushteve të punës

9 September 2025 at 15:35

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Punës ka zhvilluar gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti rreth 5500 inspektime në subjekte të ndryshme, duke përfshirë rreth 110 mijë vende pune.

Kryeinspektori Eljo Muçaj deklaroi në një prononcim për ATSH-në se këto inspektime janë zhvilluar mbi bazën e riskut, duke u fokusuar në ato sektorë dhe subjekte që paraqesin më shumë shqetësime për zbatimin e legjislacionit të punës dhe sigurinë në vendin e punës.

“Fokusi ynë është dyfish, të vlerësojmë zbatimin e ligjit të punës dhe të monitorojmë sigurinë dhe shëndetin në punë. Në këtë drejtim, inspektimet janë zhvilluar në sektorë që paraqesin rrezik më të madh, si ndërtimi dhe turizmi”, tha Muçaj.

Nga rezultatet e inspektimeve, Muçaj theksoi se rreth gjysma e subjekteve të kontrolluara kanë marrë masa administrative.

Këto përfshijnë pezullime, paralajmërime ose gjoba, duke shënuar një rritje prej 883 masash krahasuar me një vit më parë.

“Në total, 132 gjoba janë vendosur, me një vlerë prej 35 milionë lekësh të reja, një rritje prej 10% nga viti i kaluar. Shumica e shkeljeve, rreth 70% kanë të bëjnë me zbatimin e kodit të punës, 25% lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, dhe 5% me mospagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, deklaroi ai.

Gjatë sezonit turistik, vijoi Muçaj, inspektimet kanë nxjerrë në pah probleme të vazhdueshme, si punonjës të padeklaruar, orë të zgjatura pune, informalitet dhe mos pagesa e sigurimeve. /j.p/

The post Kontrolle në ndërtim dhe turizëm, Muçaj: 35 milionë lekë gjoba për shkelje të kushteve të punës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkolla “Mersin Duqi” në Bërzhitë, Sulaj: Gati për të mirëpritur mbi 180 nxënës vitin e ardhshëm

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Nënkryetari i bashkisë së Tiranës për territorin dhe zonat rurale Blendi Sulaj ka inspektuar nga afër punimet për ndërtimin e shkollës “Mersin Duqi” në Bërzhitë.

Sulaj tha se shkolla e re do të jetë gati sa më shpejt për të mirëpritur nxënësit e zonës, si dhe theksoi që do të shërbejë edhe si hapësirë rekreative për komunitetin pas orarit zyrtar të shkollës.

“Po bëhet një punë shumë e mirë. Bashkia e Tiranës do të jetë shumë e vëmendshme ndaj të gjitha investimeve që do të bëhen në zonat rurale sepse do t’i shërbejnë komunitetit, por mbi të gjitha kjo shkollë do t’i shërbejë mbi 180 nxënësve dhe shkolla të shihet të paktën edhe pas orarit shkollor të jetë një pjesë që e gjithë zona ta shfrytëzojë për ambientet rekreative që do të krijohen dhe që është bërë e mundur”, u shpreh Sulaj.

Ndërtimi i kësaj shkolle është një investim i rëndësishëm për komunitetin, që do t’i shërbejë mbi 180 nxënësve të zonës.

Nënkryetari Sulaj inspektoi edhe shkollën “Selman Meta”, për të cilën tha se bashkia Tiranë do të jetë në gatishmëri për çdo nevojë që do të kenë shkollat e këtyre zonave.

Gjatë këtyre viteve, bashkia e Tiranës ka investuar në ndërtimin dhe rikonstruksionin e dhjetëra shkollave të reja, duke sjellë kushte më të mira mësimi për mijëra nxënës në kryeqytet dhe zonat rurale.

1 nga 3

/k.s/r.e/

The post Shkolla “Mersin Duqi” në Bërzhitë, Sulaj: Gati për të mirëpritur mbi 180 nxënës vitin e ardhshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IKTK inspektim në qytetin antik të Rabies, rëndësi e veçantë për arkeologjinë dhe historinë e vendit

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në jugperëndim të fshatit Rabie, në njësinë administrative Luftinjë, bashkia Memaliaj, ndodhen rrënojat e qytetit antik të Rabies.

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, zhvilluan një inspektim në terren në kuadër të verifikimit të interesit kulturor për qytetin antik të Rabies.

Sipas ITKT-së, ky qytet antik, i datuar në shekullin IV para Krishtit, i njohur si një fortifikim mbrojtës i kufijve juglindorë të Bylinëve, ka një rëndësi të veçantë për arkeologjinë dhe historinë e vendit tonë.

Gjatë inspektimit në terren u realizua vëzhgimi i sipërfaqes së kodrës ku shtrihet siti; dokumentimi fotografik i mureve rrethuese dhe strukturave të dukshme; marrja e pikave koordinative për përcaktimin e shtrirjes së qytetit; vëzhgimi i territorit përreth dhe vlerësim i zonës mbrojtëse.

Ky qytet antik ndodhet në majën më të lartë të kodrës shkëmbore në lartësinë 880 metra midis fshatit Rabie dhe luginës së përroit të Luftinjës (degë e lumit Vjosë). Ky vendbanim sipas të dhënave historike daton që në epokën e hekurit.

/k.s//a.f//r.e/

The post IKTK inspektim në qytetin antik të Rabies, rëndësi e veçantë për arkeologjinë dhe historinë e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku inspekton punimet në hekurudhën Tiranë-Durrës: Stacione të reja nga Kashari në Rinas

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi sot punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, ku po punohet për ndërtimin e stacioneve të kësaj linje hekurudhore.

Balluku tha se “tashmë kemi hyrë në një fazë të avancuar të punimeve për ndërtimin e stacioneve, që e bën këtë projekt më afër realizimit të tij me kushte bashkëkohore dhe sipas standardeve më të mira”.

Sipas saj, aktualisht po punohet në 8 kantiere për ndërtimin e Stacionit të ri të Trenit në Tiranë (që po ndërtohet në vendin ku ka qenë dikur ky stacion); stacioni në Kashar, në Vorë, Sukth, Shkozet dhe stacioni në Durrës, që do të rikonstruktohet.

Balluku bëri të ditur se, risi e këtij projekti është ndërtimi i stacionit të ri në Rinas sipas të gjithë parametrave, që do të krijojë lidhjen e aeroportit me Stacionin e Trenit, ndërsa stacioni Epoka është stacion me një strehë që krijohet për të lehtësuar studentët.

“Projekti në Stacionin e Trenit në Tiranë, parashikon një ndërtesë qendrore me peronët nëntokë, katin zero, që do të jetë komercial dhe kati i dytë dhe i tretë ku do të zhvendosen zyrat e Hekurudhës Shqiptare. Kjo do të jetë një qendër bashkëkohore e dizenjuar nga arkitektë e huaj sipas standardeve më të mira”, u shpreh Balluku.

Pas mbylljes së kësaj kontrate brenda këtij viti, do të nisë puna për sinjalistikën dhe telekomunikacionin.

Balluku bëri të ditur se hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës dorëzohet si gjurmë brenda 3-mujorit të parë 2026 dhe vijohet më pas me elektrifikimin, një projekt me vlerë 27 milionë euro, ndërsa paralelisht do të vijohet me ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore në këtë sektor, ashtu siç është bërë me stafet e trajtuara në Aviacionin Civil e sektorë të tjerë.

“Ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas përfundon vitin e ardhshëm, ndërkohë që elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për nisjen e operimeve synohet të përmbyllet në 3-mujorin e parë 2027”.

/r.e/

The post Balluku inspekton punimet në hekurudhën Tiranë-Durrës: Stacione të reja nga Kashari në Rinas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKZM evidenton dëmet nga zjarri në Syrin e Kaltër: 30.66 ha sipërfaqe e djegur

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Vlorë inspektuan sot Parkun Natyror “Syri i Kaltër” për të evidentuar dëmet e shkaktuara  nga zjarri i rënë ditët e fundit.
Në një postim në rrjetet sociale AKZM tha se “në vlerësimin paraprak rezulton 30.66 ha e sipërfaqes së përshkruar apo të djegur brenda parkut”.
Sipas AKZM-së, analiza e dëmeve dhe humbjeve nga zjarret në pyje dhe kullota është një nga masat e nevojshme për fazën e rimëkëmbjes.
AKZM së bashku me stafin e AdZM Vlorë dhe struktura shtetërore janë angazhuar plotësisht për të rikthyer sigurinë tek komuniteti, subjektet në zonë dhe vizitorët e shumtë të parkut natyror.
“Solidarizimi, bashkimi i përpjekjeve, rimëkëmbja psikologjike dhe emocionale, janë parimet që na udhëheqin në këtë fazë të rimëkëmbjes”, tha AKZM.
Ditët e fundit Parku Natyror i Syrit të Kaltër u përfshi nga flakët, të cilat u shuan nga ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Ky park vijon të jetë i mbyllur për vizitorët këto ditë për të siguruar mirëqenien e gjithë pushuesve.
/k.s/j.p/

The post AKZM evidenton dëmet nga zjarri në Syrin e Kaltër: 30.66 ha sipërfaqe e djegur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu inspekton investimin e ri në Universitetin e Sporteve: Standard i ri për studentët dhe sportistët elitarë

12 August 2025 at 14:16


TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, inspektoi sot punimet për ndërtimin e pistës së atletikës dhe fushës së re të futbollit në Universitetin e Sporteve të Tiranës, një investim i rëndësishëm që po realizohet me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Manastirliu bëri të ditur se ky projekt synon të vendosë një standard të ri në infrastrukturën sportive universitare, duke shërbyer jo vetëm për përmirësimin e kushteve të studimit dhe praktikës për studentët e Universitetit të Sporteve, por edhe për përgatitjen e sportistëve elitarë dhe për mbështetjen e komunitetit më të gjerë sportiv.

“Ky investim është ndër më të rëndësishmit që ne po bëjmë për Universitetin e Sporteve, i cili do t’u shërbejë jo vetëm studentëve të këtij universiteti, por gjithashtu do t’i shërbejë komunitetit dhe përgatitjes së sportistëve elitarë dhe brezave të rinj. Kjo është një fushë e cila po rikualifikohet tërësisht. Tashmë puna ka filluar dhe një pjesë e punimeve janë kryer si në fushën e futbollit, në pistën e atletikës, ashtu edhe në nëndisiplinat përkatëse”, tha Manastirliu.

Ajo vuri në dukje se puna është në fazë të avancuar dhe pritet që të përfundojë në fund të këtij viti për ti hapur rrugë investimeve të tjera në këtë universitet.

“Deri në nëntor përfundon ky projekt dhe vitin e ardhshëm vijojmë investimet për të krijuar mundësinë që të gjitha disiplinat të kenë standardet më të mira në funksion të aspekteve didaktike, akademike por edhe atyre praktike dhe me kërkimin shkencor që po e mbështesim përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit”, u shpreh  Manastirliu.

Ky investim, përveç përfitimeve të drejtpërdrejta për qindra studentë që studiojnë në këtë universitet, do të ndikojë gjithashtu në zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e sportit, përmes mbështetjes që MAS po ofron nëpërmjet Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Manastirliu nënvizoi gjithashtu se investime të tilla, të shoqëruara me partneritete të reja, do të forcojnë ekselencën akademike, praktikën profesionale dhe do të kthejnë Universitetin e Sporteve në një qendër model për zhvillimin e sportit në vend. /j.p/

The post Manastirliu inspekton investimin e ri në Universitetin e Sporteve: Standard i ri për studentët dhe sportistët elitarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Lirim vullnetar i hapësirave anës rrugëve kombëtare deri nesër, penalizim për ata që refuzojnë

TIRANË, 30 korrik/ATSH-Maela Marini/ Dita e nesërme, 31 korrik, është afati i fundit për lirimin vullnetar të hapësirave nga subjektet e vendosura pranë akseve kombëtare, të cilat janë kthyer në rrezik për sigurinë rrugore.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Kryeinspektorja e IKMT, Dallëndyshe Bici dhe drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli ishin në aksin rrugor Kamzë-Laç, ku inspektoi ecurinë e aksionit, duke përsëritur edhe një herë thirrjen drejtuar bizneseve që të tregohen bashkëpunues në këtë nismë e ku paralajmëroi penalizime për të gjithë ata që refuzojnë të zhvendosen.

“Po zbatohet reforma e kthimit të ligjshmërisë të territorit të Shqipërisë për sa i përket sigurisë rrugore por edhe hapësirës publike e cila duhet liruar. Ne i kemi bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe bizneseve që ndodhen në zonat e akseve kombëtare për të marrë masat dhe liruara hapësirat, duke qenë se janë shkelur në shumë raste, sidomos në rastin e varrezave të automjeteve”, tha Balluku.

Balluku kujtoi se sipas aktit normativ të vitit 2011, “varrezat” e makinave duhet të qëndrojnë 1 km larg rrugës kombëtare.

“Janë marrë disa herë aksione që nuk kanë pasur rezultat. Ne kemi njoftuar se deri në 31 korrik me vullnet të plotë të gjitha subjektet duhet të lëvizin nga pjesët ku kanë bllokuar anët e rrugëve dhe akseve kombëtare”, nënvizoi ajo.

Balluku u shpreh se aksioni ka nisur nga rruga e Ndroqit, ku subjektet në shkelje kanë tërhequr gjithçka që kishin vendosur pranë rrugës, si në rastin e kompanive të mermerit.

“Ne e bëjmë këtë thirrje për të gjitha subjektet që duhet ta bëjnë këtë punë me vullnet të plotë, pa ndërhyrjen e IKMT-së. Por ndërkohë IKMT është në terren për t’i identifikuar të gjitha shkeljet të cilat edhe do të penalizohen”, tha Balluku.

Balluku nënvizoi se ky aksion është pjesë e reformës së madhe kombëtare për lirimin e territoreve të zaptuara, për lirimin e hapësirave publike, respektimin e sigurisë rrugore. “Gjithçka tjetër duhet të ketë bashkëpunim me vullnet të plotë. Do të tregohemi të kujdesshëm me shtëpitë por subjektet kanë gjithë mundësitë të tërhiqen duke respektuar distancat”, shtoi ajo.

Balluku vërejti se në këtë aks ka një numër të shtuar subjektesh që shkelin ligjin dhe rregullin. “Këto janë raste të patolerueshme ndaj do të ketë ndërhyrje të menjëhershme”, shtoi ajo.

Drejtoresha e IKMT-së, bëri të ditur se janë informuar thuajse 90% e subjekteve me aktivitet pranë akseve rrugore.

“Në datën 31 është afati i fundit. Deri në 31 janë në fazën e paralajmërimit duke u lënë afat që me vullnet mos të penalizohen me masa administrative apo penale. Por ne këtë aksion do ta çojmë deri në fund duke ndërhyrë si me masa administrative edhe penale”, siguroi ajo. /j.p/

The post Balluku: Lirim vullnetar i hapësirave anës rrugëve kombëtare deri nesër, penalizim për ata që refuzojnë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Instituti i ri për rehabilitimin e të miturve, Manja: Shqipëria në pararojë të drejtësisë restauruese

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja inspektoi sot punimet në kantierin e Institutit të ri për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, që po ndërtohet në Mëzez të Tiranës. Ky institucion është i pari i këtij lloji në rajon dhe i dyti në Europë, pas Francës, duke e pozicionuar Shqipërinë në pararojë të qasjes moderne dhe gjithëpërfshirëse për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin.

Instituti do të funksionojë si një qendër shumëfunksionale, ku bashkohen arsimi, trajnimi profesional, mbështetja psikologjike dhe riintegrimi social. Ai synon jo vetëm rehabilitimin, por krijimin e mundësive të reja për të rinjtë që të rifillojnë jetën me dinjitet dhe perspektivë të re.

Gjatë inspektimit, ministri Manja theksoi se ndërtimi i këtij institucioni përbën një hap thelbësor drejt konsolidimit të drejtësisë restauruese në Shqipëri.

“Kjo vepër mishëron filozofinë e re të drejtësisë për të miturit. Një drejtësi që sheh përpara, që edukon dhe krijon kushte për një fillim të ri. Shqipëria po sjell një model që frymëzon gjithë rajonin”, u shpreh ministri.

Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve është pjesë e angazhimit të Ministrisë së Drejtësisë për një sistem penal më të drejtë, më funksional dhe më njerëzor, në përputhje me prioritetet e shtetit të së drejtës dhe objektivat e integrimit europian.

/a.gj//r.e//a.f/

The post Instituti i ri për rehabilitimin e të miturve, Manja: Shqipëria në pararojë të drejtësisë restauruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike në Tiranë, Balla: Dëgjojmë qytetarët cep më cep

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Në Tiranë vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje nga sipërmarrje që kanë vendosur tavolina, karrige, tenda apo elementë të tjerë që pengojnë qarkullimin e këmbësorëve në trotuare.

Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, edhe në Tiranë po hiqen tavolinat, karriget apo tendat nga trotuaret, të cilat cenonin sigurinë dhe ecjen e qytetarëve dhe këmbësorëve.

Deputeti i zgjedhur i PS në Tiranë Taulant Balla, njëherazi ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, i shoqëruar dhe nga deputetja e zgjedhur në Tiranë e Partisë Socialiste Olta Xhaçka, u njohën nga afër me problematikat që lidhen me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike në njësinë nr. 2.

Balla u shpreh se “do të dëgjojmë qytetarët cep më cep, në respekt të plotë të 19 mandateve historike në Tiranë, e të cilat duhet t’i konsiderojmë një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer, në radhë të parë duke mos shkëputur lidhjet me komunitetet, po duke dëgjuar e punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm”.

Balla tha se duhen bërë njoftimet që qytetarët të marrin masat për të hequr vetë objektet që kanë vendosur në hapësirat publike.

Ministri theksoi se procesi i lirimit të hapësirave publike do të vazhdojë pa ndërprerje, për të garantuar akses për të gjithë qytetarët.

Ai tha se “hapësirat publike mes pallateve janë pronë e përbashkët e banorëve dhe nuk mund të privatizohen nga askush, pavarësisht se kush ka qenë pronari i dikurshëm i tokës”.

Gjatë inspektimit, Balla denoncoi vendosjen e gardheve, ndarjen me xhama apo strukturat pa leje që kufizojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke paralajmëruar prishjen e tyre.

Ai u ndal edhe te pastrimi dhe mirëmbajtja e këtyre hapësirave, duke kërkuar kujdes të shtuar nga institucionet përgjegjëse. “Hapësirat e përbashkëta duhet të jenë të pastra dhe të sigurta për të gjithë: për nënat me fëmijë, për fëmijët dhe për të moshuarit. Nuk mund të kthehen në vende grumbullimi mbeturinash apo të pengohen nga parkime pa rregull”, theksoi ai.

Në përfundim të inspektimit, Balla deklaroi se ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë që synon kthimin e hapësirave publike në shërbim të komunitetit.

Ai u bëri apel qytetarëve të mbajnë pastër ambientet ku jetojnë, si dhe u shpreh pro gjobitjes së atyre që nuk zbatojnë ligjin.

Ndërsa Xhaçka tha se “në të gjithë njësinë do të futemi në lagje për të parë problematikat që kanë qytetarët në raport me hapësirat dhe investimet më prioritare në ambientet ku ata jetojnë”.

Në disa qytete të vendit po zhvillohet një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme.

1 nga 3

/k.s//a.f//r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike në Tiranë, Balla: Dëgjojmë qytetarët cep më cep appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Bizneset buzë detit, mendësi të re për mjedis pa ndotje akustike për pushuesit

zhur

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro u ndal sot gjatë inspektimit në plazhin e Himarës, edhe në një biznes privat, bar-lokal buzë plazhit të Potamit.

E shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo dhe drejtori i policisë, Kumbaro zhvilloi një bisedë me sipërmarrësin e këtij biznesi, për shqetësimet që vijnë nga pushuesit në lidhje me zhurmat dhe muzikën me volum të lartë.

Kumbaro tha se “shqetësimet e zhurmave të larta nga baret dhe hotelet buzë detit, janë një prej ankesave më të shpeshta të pushuesve gjatë sezonit, për të cilat Policia e Shtetit është pajisur me mjete të certifikuara për matjen e nivelit të zhurmës dhe marrjen e masave në rast shkeljesh”.

Ministrja Kumbaro u shpreh se takimi me Gjergjin, sipërmarrësin e barit buzë detit në Potam, jep më shumë optimizëm për një mendësi të re të krijuar në menaxhimin e sezonit turistik, ku modeli i qytetarisë dhe i bashkëjetesës në harmoni, në fund të ditës garantojnë klientë, pushues dhe sipërmarrës turistikë të kënaqur.

Ministrja e falënderoi sipërmarrësin që u bë aleat në promovimin e modeleve të bizneseve atraktive buzë detit, pa qenë nevoja sipas Kumbaros për të bërë zhurmë e më keq akoma për t’i zgjidhur gjërat me anë të policisë.

/e.i/j.p/

The post Kumbaro: Bizneset buzë detit, mendësi të re për mjedis pa ndotje akustike për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro në Himarë: Këtë vit më shumë plazhe publike

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka vijuar inspektimet në plazhet e bregdetit Jon ku në bashkinë Himarë, pas aksioneve për lirimin e plazheve, hapësirat publike pothuajse janë dyfishuar.

E shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe kryetari i bashkisë së Himarës Vangjel Tavo, Kumbaro u ndalua gjatë inspektimit nga një pushues shqiptar, që kishte ardhur bashkë me të fejuarën italiane, vjehrrin dhe vjehrrën për të shijuar plazhet dhe bukuritë e bregdetit shqiptar.

I riu, u prezantua me emrin Raul dhe gjatë bisedës me dy ministrat Kumbaro dhe Hoxha, ai shprehu kënaqësinë që këtë vit ka më shumë plazhe publike në dispozicion të pushuesve, në dallim nga vitet e kaluara.

“Ka më shumë plazhe publike sivjet. Ti mund ta vendosësh peshqirin apo shezlongun jo vetëm në plazhe publike, por edhe në plazhet private në buzë të detit sepse është e lejuar. Askush nuk do të të ndalojë”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se fjalët e mira të pushuesve përtej kënaqësisë, shtojnë edhe me shumë përgjegjësinë për këtë sezon turistik.

Gjatë inspektimit në plazhet e Himarës, ministrja kërkoi nga të gjithë administratorët e plazheve private të respektojnë distancën 2.5-3 metra buzë detit si hapësirë publike, si dhe koordinim mes bashkisë dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për mirëmbajtjen dhe pastrimin e plazheve publike.

/e.i/j.p/

The post Kumbaro në Himarë: Këtë vit më shumë plazhe publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro – Hoxha në Vlorë: Në fokus hapësirat publike në plazhe dhe ndotja mjedisore

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha vijuan inspektimet në plazhe, duke u ndalur në qytetin e Vlorës.

E shoqëruar nga kryetari i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, ministrja Kumbaro u ndal në Lungomare, për të parë modelin e një plazhi publik pa pagesë të ndërtuar nga bashkia, nga ku theksoi se edhe në plazhet e menaxhuara, vija e parë do të jetë e dedikuar për publikun.

“Kemi pasur sot një ankesë në Radhimë, ku Agjencia Kombëtare e Bregdetit me Policinë Bashkiake kanë shkuar dhe kanë vendosur gjobë dhe në rast se do të përsëritet, do të prishen kontratat. Ato që janë kritere, nuk i kemi vetëm për në letër, por i kemi për t’i zbatuar, kështu që dy muaj do të jemi në krye të detyrës ditë e natë”, sqaroi ministrja Kumbaro.

Gjatë inspektimit, ministrja u takua edhe me përfaqësues të biznesit të hotelerisë, ku u la porosi respektimin e distancës publike nga vija e detit:

“Të gjithë ata që marrin një stacion plazhi, në një plazh ranor kanë detyrimin të lënë distancën deri te vija e bregdetit, 7,5 – 8 metra në funksion të kujtdo tjetër që do, jo vetëm mund të shëtisë, por të vendosë edhe peshqirin e tij. Nëse do të ketë shërbimin tuaj, mund të marrë shërbimin tuaj. Në bregdetin që është më i ngushtë, siç është përgjithësisht bregdeti Jon, duke filluar nga Jonufri, Radhima dhe më tutje, kjo distancë, nga buza e detit, radha e parë është 2,5 – 3 metra, sepse janë plazhet më të ngushta, nuk ka atë lloj gjerësie siç është këtu, por buza e detit është gjithmonë e drejtë e çdo njeriu të rrijë, të lahet, të pushojë”, vijoi më tej ministrja Kumbaro.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha nga ana tjetër, u shpreh se në bazë të planit të masave të hartuar nga Policia e Shtetit, punonjësit e policisë do të jenë në terren në shërbim 12- orarësh, edhe për çështje të ndotjes së mjedisit.

“Punonjësit e policisë do të jenë në dispozicion edhe për çështjet e mjedisit, për çështje të zhurmave, për lehtësimin e qarkullimit rrugor, për krime të ndryshme mjedisore, për të cilat do të merren masa në mënyrë të menjëhershme, por edhe subjekteve që operojnë në zonat bregdetare, policia do t’u vijë në ndihmë për çdo lloj shqetësimi duke telefonuar numrat e vënë në dispozicion për sezonin e plazhit. Vjet kemi pasur një sezon shumë të mirë, me asnjë incident ose ngjarje kriminale”, shtoi ai.

Kryetari i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha u shpreh se bashkia po përfundon ndërtimin e një modeli të plazhit publik si ai i Lungomares, edhe në Plazhin e Vjetër të Vlorës.

“Deri në fund të kësaj jave, do të kemi edhe një plazh të ngjashëm, me çadra, falas në Plazhin e Vjetër, për të cilin është informuar dhe publiku”, tha Dredha.

Në fund të inspektimit, ministrja u takua edhe me përfaqësues të operatorëve të pastrimit në bregdetin e Vlorës, për masat e marra lidhur me pastërtinë në plazhet publike, ku sipas rregullores së re, hapësira të tilla do të jenë më të mëdha këtë vit.

/m.m//a.f//r.e/

The post Kumbaro – Hoxha në Vlorë: Në fokus hapësirat publike në plazhe dhe ndotja mjedisore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis rikonstruksioni i Spitalit Universitar të Traumës, Koçiu-Vengu: Investim madhor me standarde evropiane


TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Në Spitalin Universitar të Traumës ka nisur sot zbatimi i projektit madhor për rikonstruksionin dhe transformimin e kësaj strukture shëndetësore që ofron shërbime mjekësore të specializuar për qytetarët nga i gjithë vendi.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu kanë inspektuar nisjen e punimeve në Spitalin Universitar të Traumës, një tjetër investim madhor i buxhetit të shtetit që do ta transformojë këtë qendër të rëndësishme shëndetësore në një strukturë moderne, funksionale dhe sipas standardeve evropiane.

Ministrja Koçiu gjatë fjalës së saj theksoi se ky projekt transformues përveç rikonstruksionit të ambienteve ekzistuese, do të përfshijë edhe shtim të ambienteve për shërbimet spitalore, rritje të numrit të shtretërve dhe zgjerim të kapaciteteve.

“Spitali i Traumës është një shërbim unik në nivel vendi dhe që trajton politrauma nga gjithë qytetet e tjera. Ndërkohë që Shërbimi i Urgjencës trajton afro 70 mijë urgjenca në vit dhe që gjatë sezonit veror shkojnë dhe në rreth 200-220 urgjenca që është goxha ngarkesë, prandaj është i domosdoshëm dhe shtimi i kapaciteteve”, theksoi Koçiu.

Duke u ndalur tek detajet e projektit, ministrja e Shëndetësisë vuri në dukje impaktin e këtij investimi nga buxheti i shtetit për qytetarët dhe stafin mjekësor.

“Janë 5 blloqe shërbimesh kryesore të cilat tani kanë një rehabilitim të plotë me një fond prej 2.3 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Mbrojtjes që garantojnë rritjen dhe shtimin e sipërfaqeve, por ndërkohë dhe përmirësimin e komunikimit dhe qarkullimit brenda përbrenda ambienteve spitalore për pacientet që vijnë, për mjekët që japin shërbim, me qëllim fundor përmirësimin e shërbimit shëndetësor”,  deklaroi ministrja Koçiu.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu në fjalën e tij u ndal tek rëndësia që kjo strukturë unike spitalore ka për ushtarakët dhe shërbimin shëndetësor civil.

“Në kuadër edhe të rritjes së buxhetit të Mbrojtjes po ndërtojmë një mekanizëm buxhetor ku sa herë rritet një kapacitet ushtarak sepse është një kompleks që i shërben edhe ushtarakëve me poliklinikën e tyre, me laboratorët e tyre e në këtë mënyrë të lehtësojmë presionin mbi shërbimin spitalor shëndetësor civil”, – u shpreh ministri Vengu.

Sipas tij, rritja e kapaciteteve në këtë spital është absolutisht emergjencë e nevojë kombëtarë. “Duhet të kemi parasysh që të përshpejtojmë fazat. Buxhetet janë të alokuara dhe jemi në kushtet që mund të vijojmë dhe në fazat e tjera, në mënyrë që të përfundojmë sa më shpejtë”, theksoi ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.

Ky investim në Spitalin Universitar të Traumës është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, që garanton modernizimin e infrastrukturës, forcimin e kapaciteteve dhe modernizimin e shërbimeve mjekësore.

/m.m/

The post Nis rikonstruksioni i Spitalit Universitar të Traumës, Koçiu-Vengu: Investim madhor me standarde evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro në Kavajë: Sfidë mbetet pastrimi, tolerancë zero ndaj zaptimit të plazheve publike


TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vijoi inspektimet në plazhe, duke u ndalur në zonë e Kavajës.

Ministrja vlerësoi se sfidë mbetet pastrimi i plazheve ndërsa deklaroi tolerancë zero ndaj zaptimit të plazheve publike.

“Prandaj policia do të jetë në krahun tonë për ta përballuar një sfidë të tillë. Plazhet e Kavajës bashkë me plazhet e Durrësit janë vija bregdetare më e populluar, qoftë me pushues vendas, mysafirë nga Kosova dhe gjithnjë e më shumë edhe pushues të huaj”, tha ajo.

Kumbaro nënvizoi se me rregulloren e re, subjektet që kanë strukturë akomoduese mund të marrin nën menaxhim parcela plazhi, si vlerë e shtuar për bizneset e tyre të hotelerisë.

“Është megjithatë, e rëndësishme të kemi një ndërprerje të vijës së plazheve të menaxhuara, edhe me plazhe publike. Gjithashtu edhe në plazhet e menaxhuara nga subjektet private duhet të respektohet një distancë rreth 7-8 metër nga deti, për qytetarët që dëshirojnë të qëndrojnë buzë detit”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Nga ana tjetër, ministrja Kumbaro kërkoi nga institucionet të gjejnë mirëkuptim me banorët e pallateve dhe banesave pranë plazheve të mos zaptojnë hapësirat, si dhe kërkoi nga subjektet private të mos tentojnë për t’u shtyrë përtej parcelës së marrë nën menaxhim me kontratë, pasi do të quhet zaptim.

Në gjithë vijën bregdetare të Kavajës, janë 73 plazhe publike të cilat, ministrja Kumbaro kërkoi të pajisen me sinjalistikën e duhur nga bashkia.

“Kemi plazhe që prej vitit 2021 janë me kontrata 5-vjeçare menaxhimi, të cilat përfundojnë këtë vit. Nga viti tjetër do të kemi një situatë të përmirësuar të plazheve edhe më në favor të hapësirave publike. Do të duhet të jemi gjithë kohën në komunikim për të sinjalizuar njëri-tjetrin qoftë kur kemi raste të zaptimit të plazheve, qoftë të ndotjes së hapësirave publike. Përtej plazheve, është e rëndësishme të pastrohet edhe pjesa e gjelbërimit dhe pyllit, ku shpesh bëhen venddepozitime për mbetjet”, përfundoi ministrja Kumbaro.

Kryetari i bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, nga ana tjetër u shpreh se për shkak të përqendrimit të lartë të hoteleve, kërkon më shumë impenjim menaxhimi i hapësirave ndërsa shtoi se “Ka hyrë në fuqi urdhri i bashkisë që pezullon ndërtimet dhe punimet në zonën e plazhit, me qëllim për të garantuar një sezon të pastër dhe të qetë”.

/m.m/j.p/

The post Kumbaro në Kavajë: Sfidë mbetet pastrimi, tolerancë zero ndaj zaptimit të plazheve publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro nga Durrësi: Dyfishimi i hapësirave publike në plazhe, përgjegjësi më e madhe për institucionet

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Vija bregdetare e Durrësit ka qenë ndalesa e radhës për ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në vijim të turit të inspektimeve në bregdet, ku prej 15 qershorit ka nisur operacioni “Plazhe të Pastra” përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki bregdetare në pastrimin e plazheve.

Kumbaro theksoi se me ndryshimin thelbësor të rregullores së plazheve, ku dyfishohen hapësirat publike, shtohen përgjegjësitë e institucioneve për mbarëvajtjen e sezonit.

E shoqëruar në këtë inspektim nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe drejtori i policisë së Durrësit, Kumbaro u shpreh se “plazhet publike nuk do t’i kemi në fillim apo në fund të Durrësit, por të ndërprera me qëllim që pushuesit të kenë mundësi t’i akesojnë në segmente të ndryshme, sepse është një vijë shumë e gjatë bregdetare”.

“Nga ana tjetër, bashkëpunimi i Policë së Shtetit me Policinë Bashkiake dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit duhet të forcohet me qëllim që të mos lejohet zaptimi i plazheve, por edhe për sa i përket pastërtisë, sepse ka të bëjë me krimin mjedisor. Do të përdorim të gjitha masat, që nga sensibilizimi e edukimi, por edhe masat që kanë të bëjnë me tërheqjen e vëmendjes dhe gjobat. Përveç banorëve, probleme ka edhe me bizneset, restorantet që i hedhin mbeturinat në vende të paparashikuara, prandaj policia duhet të jetë e vëmendshëm ndja këtyre gjesteve”, nënvizoi Kumbaro.

Gjithashtu, Kumbaro theksoi me rëndësi vëzhgimin me mjetet e policisë kufitare për incidentet dhe kontrollin e mjeteve të paligjshme të turizmit detar.

Gjatë inspektimit të saj, ministrja Kumbaro u takua edhe me përfaqësuesit e operatorit shtesë të pastrimit nga ana e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, të cilët kanë nisur punën që prej 15 qershorit për pastrimin e plazheve:

“Operacionin plazhe të pastra sivjet e shtrijmë në të gjithë bregdetin, nga Velipoja deri në Ksamil ku Agjencia Kombëtare e Bregdetit me bashkitë përkatëse dyfishojnë forcat, mjetet, koshat dhe kapcaitetet njerëzore. Do të jemi 24 orë në territor, por nuk mund t’ia dalim dot nëse nuk do të kemi bashkëpunimin e bizneseve dhe gjithë qytetarëve. Përveç pastrimit dhe evadimit të koshave, do të ketë dezinfektim dhe larje të vendeve ku grumbullohen mbetjet, të shëtitoreve, rrugëve, hapësirave publike dhe e kemi më të madhe punën sivjet për shkak të shtimit eksponencial të plazheve publike”, u shpreh Kumbaro.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, nga ana tjetër vuri në dukje shtimin e hapësirave.

“Kemi 266 parcela publike plazhesh, të fragmentarizuara nga zona e plazhit në Durrës deri te Përroi i Agait, të cilat pritet të shtohen më shumë pas 30 qershorit, kur përfundon edhe lidhja e kontratave me subjektet private dhe ato parcela për të cilat nuk është aplikuar, automatikisht kalojnë në hapësira publike. Të gjitha janë të pajisur me sinjalistikën e duhur në terren dhe janë të publikuara edhe në faqen zyrtare të bashkisë”, tha Sako.

1 nga 2

/k.s/j.p/

The post Kumbaro nga Durrësi: Dyfishimi i hapësirave publike në plazhe, përgjegjësi më e madhe për institucionet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Lezha model pozitiv në menaxhimin e plazheve, sfidë rritja e flukseve dhe shtimi i hapësirave publike

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vijoi sot inspektimet në bashkitë bregdetare, duke u ndalur në bashkinë e Shëngjinit.

E shoqëruar nga kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ministrja Kumbaro u informua mbi menaxhimin e vijës bregdetare, ndërsa u shpreh se “me rregulloren e re kemi shtuar sipërfaqen e detyrueshme të plazheve, 30% dhe 100 metra plazh publik në çdo kilometër vijë bregdetare”.

Po ashtu, Kumbaro bëri të ditur se “bashkitë sivjet kanë shtuar në hartat e bëra në shtator edhe hapësirat publike, për shkak se mundësinë për plazhe private nga ky vit ua japim vetëm subjekteve të cilat kanë një hotel”.

“Nuk mund të jenë shezlonët dhe çadrat biznes kryesor. Në llogaritë që po bëjmë tani, rreth 50% të plazheve në nivel kombëtar i kemi publike. Në disa bashki si Shkodra, shkon edhe mbi 60%. Nga viti në vit ne përmirësojmë edhe shërbimin publik, qoftë nga bashkia qoftë nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit me të cilën kemi dyfishuar forcat për të bërë pastrimin e vijës së plazheve në gjithë bregdetin, me përjashtim të bashkisë Lezhë e cila ka krijuar një model të vetin të mirëmbajtjes dhe pastrimit të plazheve”, shpjegoi ministrja Kumbaro.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, sqaroi modelin e menaxhimit publik të disa prej plazheve nga ana e bashkisë.

“Bashkia ka vendosur çadra për të gjithë pushuesit që dëshirojnë të marrin në shërbim shezlone kundrejt një pagese të përballueshme dhe duke prerë kuponin tatimor, krahas hapësirave publike për pushuesit që kanë çadrat e tyre”, tha ai.

Kumbaro u takua edhe me përfaqësues të Policisë së Lezhës ku e vlerësoi shumë të rëndësishëm komunikimin dhe bashkëpunimin për mbarëvajtjen dhe sigurinë e sezonit turistik.

“Ne do të kemi nevojë për mbështetjen e Policisë së Shtetit sidomos në dy aspekte, zaptimin e plazheve dhe sfidën me pastërtinë. Kushdo që shkel rregullat për mirëmbajtjen e mjedisit, përveç policisë bashkiake për aplikimin e gjobave, vërejtjeve e deri në mbyllje të biznesit, do të kemi në krah edhe Policinë e Shtetit sepse është viti me fluksin turistik më të lartë që ne kemi pasur ndonjëherë”, tha ministrja Kumbaro.

/m.m/ /a.g/

The post Kumbaro: Lezha model pozitiv në menaxhimin e plazheve, sfidë rritja e flukseve dhe shtimi i hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro në Velipojë: Dyfishohen plazhet publike, rritet përgjegjësia për mirëmbajtjen

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, nisi nga Velipoja inspektimet në bashkitë bregdetare, në nisje të operacionit “Plazhe të Pastra”, ku për të katërtin vit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet këto bashki në menaxhimin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së plazheve nga 15 qershori deri më 15 shtator.

Bashkë me kryebashkiakun Benet Beci, ministrja Kumbaro pa nga afër situatën e plazheve në bregdet, ndërsa theksoi se “këtë vit sezoni ka nisur më herët dhe flukset janë 4% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të shkuar”.

“Këtë vit, në gjithë Shqipërinë ka nisur më herët sezoni i plazhit dhe turizmit detar. Fillojmë këtë javë edhe operacionin “Plazhe të Pastra”, operacion i përbashkët i bashkive të bregdetit me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit për pastrimin 24 orë të plazheve dhe gjithë hapësirave pranë pjesës së bregdetit nga Velipoja deri në Ksamil. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi një fluks në rritje prej 4% gjatë muajve janar-maj”, tha ministrja Kumbaro.

Nga ana tjetër, Kumbaro ngriti shqetësimin se rritja e hapësirave publike të plazheve për sezonin veror 2025, kërkon përgjegjësi të shtuar jo vetëm nga ana e institucioneve për mirëmbajtjen e territorit, por edhe bashkëpunimin e bizneseve, banorëve dhe pushuesve, duke theksuar se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit këtë vit do të jetë më intensiv.

“Me ndryshimet që kemi bërë në rregulloren e re të plazheve të vitit 2025, vetëm subjektet të cilët disponojnë struktura akomoduese, mund të aplikojnë për menaxhimin e plazheve në mënyrë private, çka do të thotë që jo vetëm kemi rritur sipërfaqen e plazheve dy herë më shumë se vitin e kaluar”, tha Ministrja.

Kumbaro informoi se në Bashkinë Shkodër kemi rreth 60% plazhe publike që do të thotë më shumë punë për ne, më shumë përgjegjësi për bashkinë për të mirëmbajtur dhe pastruar territorin”.

“Është e rëndësishme të theksojmë se nuk mund t’ia dalim dot të mirëmbajmë pastërtinë dhe rregullin nëpër plazhe në qoftë se banorët, pushuesit dhe bizneset të cilat do lloji qofshin, nuk bashkëpunojnë me ne. Policia e Shtetit këtë vit do të jetë krah nesh për çdo problem, qoftë me zaptimin e plazheve, qoftë me bllokimin e koshave. Çështja e pastërtisë do të jetë një kauzë kombëtare sepse nuk mund të kemi turizëm të suksesshëm nëse nuk ia dalim sfidës së pastërtisë”, u shpreh Kumbaro, duke sqaruar se do të ketë zero tolerancë edhe ndaj përpjekjeve për zaptim të plazheve.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, nga ana tjetër tregoi se bashkia po punon për ngritjen e disa modeleve të menaxhimit publik të plazheve nga ana e bashkisë.

“Me ligjin e ri dhe planin që kemi ndërtuar, hapësirat publike të plazheve këtë sezon janë dukshëm më të mëdha dhe në dispozicion, mesatarisht dy herë më shumë se vitin e kaluar, gjë që është mirëpritur shumë edhe nga pushuesit”, tha Beci.

Ministrja Kumbaro do të vijojë turet inspektuese edhe në bashkitë e tjera të vendit, me qëllim forcimin e masave për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e hapësirave bregdetare pas hyrjes në fuqi të rregullores së re të plazheve për vitin 2025.

1 nga 2

/m.m/ /a.g/

The post Kumbaro në Velipojë: Dyfishohen plazhet publike, rritet përgjegjësia për mirëmbajtjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌