Rruga nacionale Librazhd-Prrenjas është mbuluar nga balta dhe inertet pas reshjeve të fundit që kanë prekur zonën.
Drejtuesit e automjeteve janë përballur me një situatë të vështirë në qarkullimin përgjatë këtij aksi, ndërsa lëvizja bëhet e rrezikshme.
Po ashtu, rruga Librazhd-Prrenjas është përfshirë edhe nga trafiku, i cii ka qenë një problem konstant për të gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë, firma e cila po kryen punimet për autostradën e korridorit VIII raportohet se ka zvarritur punimet, ndërsa kantieret e saj mbeten të hapura prej muajsh tashmë.
Sakaq, rruga është ndarë në disa lote, me tenderat që janë firmosur nga zv/kryeministrja e akuzuar nga SPAK dhe për të cilën kërkohet edhe arresti, Belinda Balluku./K.M
Gjatë orëve të para të ditës së dielë, reshjet e shiut kanë shkaktuar rënie gurësh dhe balte në segmentin e Shkopetit, duke vështirësuar lëvizjen në aksin rrugor Skuraj-Burrel.
Në disa zona të këtij aksi, prania e mjegullës së dendur kufizon dukshëm fushëpamjen për drejtuesit e automjeteve, duke rritur rrezikun e aksidenteve.
Ky aks rrugor, që lidh Qarkun Dibër me veri-perëndimin e vendit, është bërë një sfidë serioze për sigurinë e automjeteve, dhe autoritetet këshillojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimit.
Sot një vit pa Kryepiskopin Anastas. Kryepiskopi Anastas ndërroi jetë më 25 janar të vitit 2025 në moshën 95-vjeçare. Sot në përkujtim të tij po mbahet mesha në Katedralen “Ngjallja e Krishtit në Tiranë”, nën drejtimin e Kryepiskopit Joan.
Kryepiskopi Anastas dha një kontribut të jashtëzakonshëm për Kishën Orthodhokse Autoqefale duke e ringritur atë nga gërmadhat.
Pak historik
Më 1991, Kryepiskopi Anastas u caktua nga Patriarku Ekumenik Eksark Patriarkal në Shqipëri. Në qershor 1992, ai u zgjodh Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë dhe në 2 gusht 1992 u fronëzua në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë.
Përmes vështirësive të shumta, ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, u riorganizuan më tepër se 400 famulli, u themelua Akademia Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës (1992) dhe dy Lice kishtarë; shkolloi dhe dorëzoi 159 klerikë.
Ai themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. U kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë. U ndërtuan 155 kisha të reja, u restauruan 63 të tjera dhe u riparuan më tepër se 160 kisha ekzistuese, si dhe 75 qendra kishtare (Ndërtesat e Krypeshkopatës dhe të mitropolive, shkolla, qendra mjekësore, shtëpi pritjeje, kampe rinore etj).
Vepra totale ndërtuese arrin në afro 500 ndërtesa. Ai zhvilloi vepra bamirësie, duke shpërndarë qindra tonë ushqime, veshmbathje dhe ilaçe. Themeloi një gazetë të përmuajshme dhe tri revista, si edhe një stacion radiofonik. U përkujdes për ndërtimn e atelieve të Kishës (shtypshkronjës, fabrikës së qirinjve, zdrukthëtarisë, atelieve të ikonave dhe të restaurimit të tyre).
Në të njëjtën kohë, zhvilloi programe pionier në fushat e edukimit, shëndetësisë, kujdesit social, zhvillimit rural, kulturës dhe ekologjisë.
Themeloi Qendrën Mjekësore Diagnostike Arkivuar 1 prill 2019 te Wayback Machine me 24 specialitete në Tiranë dhe 4 qendra mjekësore në qytete të tjera, gjithashtu Akademi Teologjike, dy Institute të Formimit Profesional, nga viti 2010 në Tiranë Kolegjin Universitar “Logos” Arkivuar 3 qershor 2019 te Wayback Machine, një lice profesional, 5 shkolla fillore dhe të mesme, një konvikt për vajza dhe 20 kopshte fëmijësh në qytete të ndryshme.
Ai u përkujdes për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, urave, riparimin e shkollave publike etj). Gjatë periudhës kritike të Kosovës (1999), organizoi një program të gjerë humanitar, që ndihmoi rreth 33.000 refugjatë në vende të ndryshme të Shqipërisë. E lidhi Kishën e Shqipërisë me organizata ndërkombëtare kishtare. Ai është anëtar themelues i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë dhe të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Gjatë tensioneve politike midis Greqisë dhe Shqipërisë, kontribuoi në zbutjen e tyre dhe në afrimin e dy vendeve. Më 24 tetor 2008, sipas Nenit 10 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Kryepeshkopi Anastas Janullatos nënshkroi Marrëveshjen e parashikuar nga Kushtetuta midis Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, e cila në vazhdim u ratifikua në Kuvendin Popullor dhe në 22 janar 2009, u dekretua nga Presidenti i Republikës z. Bamir Topi dhe u bë ligj i shtetit Nr. 10057/22.1.2009, marrëveshje që rregullon marrëdhëniet midis Shtetit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë sipas regjimit juridik të Shqipërisë, e cila administrohet dhe rregullohet sipas Statutit të ri të aprovuar në nëntor 2006, në Ansamblenë e veçantë Kleriko-laike, në Durrës.
Nëpërmjet iniciativave dhe veprës së tij u është ofruar punë mijëra njerëzve, u krijuan vepra serioze të strukturës sociale dhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë është bërë një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi.
Ishte iniciator në ripërtëritjen e përpjekjes misionare në Kishën Ortodokse. Dijetar në fushën e Historisë së Feve dhe të dialogut ndërfetar. Njëkohësisht, ai njihej për përpjekjet e tij si paqebërës në Ballkan.
Kontributi i tij në fushën e shkencës, në dëshminë e krishterë bashkëkohore, në përafrimin me konfesionet e tjera të krishtera, në dialogun ndërfetar dhe në bashkekzistencën paqësore midis popujve dhe feve, është i njohur botërisht. I janë akorduar shumë dekorata dhe çmime nga vende të ndryshme./K.M
Në të dielën, 25 janar, Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë do të presë përkujtimin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Kryepiskopit të Lumur Anastas, në Dielën e XV të Lukait dhe festën e Shën Grigor Theologut.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, i njohur për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë mbi 30 vjet më parë, u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare.
Ai mbetet një figurë kyçe e Kishës Orthodhokse dhe një lider i njohur ndërkombëtarisht, duke kontribuar në ndërtimin dhe restaurimin e qindra kishave, themelimin e shkollave dhe qendrave rinore, si dhe zhvillimin e institucioneve të edukimit teologjik.
Ceremonia përfshin Shërbesa të Mëngjesores dhe Liturgji Hyjnore, të kryera nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, së bashku me të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar me votë unanime një nga vendimet më të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë social, rritjen e subvencionit të qirasë në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Endrit Braimllari, u shpreh se ky vendim vjen si përgjigje ndaj rritjes së ndjeshme të çmimeve të qirave dhe kostos së jetesës në kryeqytet.
Sipas tij, nevoja për rishikimin e nivelit të subvencionit është ngritur në mënyrë të vazhdueshme në komisionet përkatëse, me qëllim mbështetjen reale të familjeve në vështirësi ekonomike.
“Ky është një vendim që përfaqëson një politikë sociale të përgjegjshme dhe të ndjeshme ndaj realitetit me të cilin përballen qytetarët e Tiranës, duke garantuar më shumë siguri dhe përballueshmëri në strehim,” u shpreh Braimllari.
Postimi
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës u miratua me votën e të gjithë këshilltarëve një nga vendimet më të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë social: rritja e subvencionit të qirasë në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë.
Si anëtar i Këshillit Bashkiak, kam ngritur në mënyrë të vazhdueshme në komisionin përkatës nevojën për rishikimin e nivelit të subvencionit të qirasë, në funksion të rritjes së ndjeshme të çmimeve të tregut të qirave dhe kostos së jetesës në kryeqytet.
Ky vendim përfaqëson një politikë sociale të përgjegjshme, që synon të mbështesë konkretisht familjet dhe qytetarët në nevojë, duke garantuar më shumë siguri dhe përballueshmëri në strehim.
Subvencioni i ri sipas zonave:
• Zona A: 45.000 lekë
• Zona B: 40.000 lekë
• Zona C: 35.000 lekë
Vendime të tilla dëshmojnë vullnetin për të ndërtuar politika publike që i përgjigjen realisht nevojave të qytetarëve dhe sfidave sociale të Tiranës.
Mjekët gastrohepatologë dhe onkologë kanë ngritur alarmin për rritjen e rasteve me tumore të aparatit tretës, përfshirë stomakun, pankreasin, zorrën e trashë dhe ezofagun, madje edhe tek pacientët e rinj.
Profesor Myzafer Kaci renditi disa faktorë të jashtëm që ndikojnë në rritjen e këtyre tumoreve dhe kërkoi nga autoritetet krijimin e qendrave për depistimin e popullatës.
“Ushqimet, hormonet, rrezatimet ndikojnë shumë në rritjen e numrit të tumoreve. Por për fat të keq kapen vonë, sepse shqiptarët nuk kujdesen si duhet për shëndetin e tyre. I lutem autoriteteve të krijojnë disa qendra për depistim me fibroskopi apo kolonoskopi”, tha Prof. Myzafer Kaci.
Ai gjithashtu theksoi simptomat që duhet të nxisin vizitën tek mjeku, si gjaku në feçe ose një analizë fece, dhe rekomandoi fillimin e ekzaminimeve të aparatit tretës nga mosha 40 vjeç: “Ne po hasim tumore edhe tek të rinjtë, 20-30 vjeç, por masivisht fillojnë nga 40 deri në 70 vjeç, prandaj një fibro apo kolonoskopi pas moshës 40 vjeç është e domosdoshme.”
Një shqetësim i veçantë mbetet kujdesi në banesë për pacientët në fazat e fundit të sëmundjes.
“Duhet rritur kujdesi paliativ, pasi pacientët vijnë në mjekësinë interne dhe qëndrojnë 1–2 muaj në pavion. Duhet rritur kujdesi edhe në shtëpi”, u shpreh Dr. Bernard Progni.
Në një konferencë shkencore me pjesëmarrjen e mjekëve të njohur u diskutua jo vetëm rritja e numrit të rasteve dhe trajtimi i tyre, por edhe rëndësia e ndërgjegjësimit të qytetarëve për kujdesin shëndetësor./mxh
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përfunduar procesin e vlerësimit të nevojave dhe kapaciteteve të dhënies së shërbimit të kimioterapisë në spitalet rajonale të vendit.
Në 7 spitale rajonale pritet të nis shpërndarja e infrastrukturës, dhe plotësimi i stafit, duke ulur radhën e pritjes dhe kostot për pacientin. Nga spitali i Elbasanit, ministria Sala tha se do të punojnë me protokollet e Institutit prestigjioz të Tumoreve në Milano.
“Në bashkëpunim me këtë Institut kemi përfunduar protokollet e së shpejti do ua dërgojmë ato”, nënvizoi ministrja Sala.
Ministrja Sala ditën e hënë pritet të niset në Vjenë në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të folur për modernizimin e pajisjeve e më pas në Institutin e Tumoreve në Milano për bashkëpunimin e mëtejshëm në onkologji mes dy vendeve.
Spitali Rajonal i Elbasanit, ka kryer 600 procedura kimioterapie gjatë vitit 2025 dhe rehabilitimi i Shërbimit të Patologjisë, ku do të përfshihet edhe kimioterapia ku do t’u vijë në ndihmë banorëve të 7 bashkive të qarkut e do lehtësojë fluksin në QSUNT.
Në 24 orët e fundit priten reshje intensive në veri dhe jug të vendit. Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), mbrëmjen e së shtunës dhe gjatë ditës së diel priten reshje lokalisht intensive në qarkun Shkodër, ndërsa reshje mesatare në qarqet Kukës dhe Vlorë, të shoqëruara me shtrëngata. Në të gjitha qarqet e tjera priten reshje të dobëta.
Në veri, në lartësitë mbi 900 m mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore. Sipas IGJEO, shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve mund të krijojnë probleme të ndryshme, si rënie gurësh dhe inertesh, si dhe vërshime të ujit në zonat urbane të lokalizuara, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarkun Shkodër.
Problematike do të jetë edhe parametri i erës, pasi parashikohet që prej pasdites së të shtunës dhe gjatë të dielës era të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht në bregdet dhe në zonat malore.
Temperaturat e ajrit, në vlerat maksimale, do të rriten me rreth 5 gradë Celsius, duke bërë që gjatë ditës së diel temperaturat në të gjithë vendin të jenë në vlera pozitive.
Në zonat malore, temperaturat minimale do të jenë 2 gradë Celsius, ndërsa vlerat maksimale ngjiten deri në 12 gradë Celsius. Zonat e ulëta dhe ato bregdetare do të kenë temperatura nga 9 deri në 19 gradë Celsius.
Për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të kushteve hidrometeorologjike detare, Kapiteneria e Portit Vlorë ka njoftuar ndalimin e lundrimit për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, për periudhën 24–26 janar 2026.
Pritet që situata e përkeqësuar hidrometeorologjike të prekë zonën brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, duke filluar nga ora 12:00 e datës 24.01.2026. Era pritet të fryjë me drejtim Jug–Juglindje, me forcë deri në 7–8 ballë (Bft), ndërsa shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 25–45 m/s. Lartësia e dallgëve parashikohet të variojë nga 2.50 deri në 4.00 metra, duke krijuar kushte të rrezikshme për lundrim.
“Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe mjeteve të peshkimit”, thuhet në njoftim. Ndalimi hyn në fuqi nga ora 12:00 e datës 24 janar dhe do të zgjasë deri në orën 06:00 të datës 26.01.2026.
Autoritetet detare u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve që operojnë në fushën e detarisë të tregojnë kujdes maksimal dhe të bashkëpunojnë për parandalimin e çdo situate të papritur. “Kërkohet marrja e të gjitha masave të nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimet normalisht sipas destinacioneve përkatëse, pasi konsiderohen të afta për të përballuar kushtet e parashikuara të motit. Megjithatë, trageti i linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar mbërritjen e planifikuar për datën 25.01.2026, për arsye sigurie.
Sipas parashikimeve, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 26 janar 2026. Deri atëherë, autoritetet u bëjnë apel peshkatarëve dhe pronarëve të mjeteve të vogla të respektojnë ndalimin e lundrimit dhe të shmangin daljen në det gjatë motit të keq.
Eksperti Enea Janko prezantoi sot prezantojë studimin e tij të fundit mbi popullsinë shqiptare për periudhën 2025–2030. Janko i ftuar në emisionin ‘News24 Fundjavë’ të gazetares Megi Latifi, duke iu referuar të dhënave tha se popullsia rezidente në Shqipëri do të vazhdojë të bjerë, ndërsa ajo në emigracion do të rritet dhe do ta tejkalojë përfundimisht popullsinë brenda vendit.
Një analizë që tregon pasojat e këtij fenomeni mbi politikat publike, tregun e punës dhe strategjitë e kompanive prodhuese shqiptare, duke u bërë një udhërrëfyes i domosdoshëm për vendimmarrësit dhe bizneset që duan të përballojnë sfidat e së ardhmes.
“Kam studiuar popullsinë brenda vendin nga 2011, deri në 2023 dhe me radhë popullsinë në 1 janar 2024, 2025, sipas të dhënave të INSTAT. Për popullsinë i jam referuar burimeve zyrtare, vizave emigruese në SHBA apo dhe në vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët. Është studim i plotë. Jam treguar i kujdesshëm që të jem i saktë, pa shkuar në ekstreme. 0-14 ka rënë një përqindje sa i takon emigrimit. Janari 2026, është viti i parë që popullsia e Shqipërisë, i referohemi regjistrit të gjendjes civile jo diasporës, që është jashtë vendit, e ka kaluar atë brenda vendit.”, tha ai./kb
Flutura nga Prishtina nuk e kishte imagjinuar kurrë se jeta e vajzës së saj do të merrte një rrugë aq të rrezikshme. Për vite me radhë, gjithçka dukej normale – një vajzë e re që shkonte në shkollë, bisedonte me shoqet, ëndërronte për të ardhmen. Por brenda saj, diçka po ndryshonte ngadalë dhe fshehurazi.
Vajza filloi të përdorte substanca narkotike në moshën 16-vjeçare… dhe Flutura nuk e kuptoi menjëherë. “Momenti kur e kuptova ka qenë sikur të ma nxirrnin zemrën nga vendi”, kujton ajo për Radion Evropa e Lirë. Flutura përpiqej ta këshillonte vajzën, por ndjehej e pafuqishme. “Vetë kam vuajtur si kafshë”, thotë ajo. Vajza e kishte fshehur mirë përdorimin e drogës – me gënjeshtra që i bënin prindërit t’i humbnin gjurmët. Ditët kalonin, dhe Flutura filloi të kuptonte se diçka nuk shkonte siç duhej. Vetëm kur vajza mbushi 18 vjet, e vërteta shpërtheu para saj. “Kemi biseduar shumë. Është një histori e gjatë në familjen tonë”, thotë ajo, pa dashur ta kujtojë shumë atë kohë.
Vajza e saj, tani në mes të 20-tave, kishte ndërprerë përdorimin e drogës për një periudhë, por më pas e rifilloi. “Kemi besuar se ishte vetëdijesuar, kishte filluar të mësonte, të punonte dhe të ndërtonte jetën e vet. Por, më vonë, për të përballuar dy punë – siç na thoshte – ajo nisi të përdorte kokainë, duke humbur gjithçka që kishte krijuar”, rrëfen Flutura. Sipas saj, një nga faktorët kryesorë që e shtynë fëmijën në këtë rrugë, ishte ndikimi i shoqërisë.
“Ajo u njoh me një shok që kishte filluar të konsumonte drogë që nga mosha 10-vjeçare. Ky shok ndikoi shumë në jetën e saj, duke e kushtëzuar dhe kontrolluar në mënyrë të dukshme. Për vite me radhë, jeta e fëmijës sonë ishte në duart e tij”, thotë kjo nënë teksa sheh vajzën në gjendje të rënduar. Historia e Fluturës nuk është një rast i izoluar. Një dukuri në rritje tek fëmijët dhe të rinjtë
Sot, edhe fëmijë të moshës 10-15 vjeç bien pre e përdorimit të substancave narkotike. Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Faton Kutllovci, tregon se, më herët, nuk ka pasur përhapje të madhe të përdorimit të drogës te të rinjtë. Sipas një vlerësimi institucional, mosha mesatare e përdoruesve të drogës në Kosovë është rreth 16 vjeç – një rënie nga 21.4 vjeç që ishte më herët. “Ne kemi trajtuar fëmijë edhe nga 9-10 vjeç, për të cilët prindërit kanë kërkuar ndihmë”, thotë Kutllovci për REL-in. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Klinika e Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Psikiatri pranoi 28 raste të fëmijëve për trajtim. Nga këta, shumica ishin djem – përdorues të marihuanës, ndërsa dy raste edhe të kokainës. Doktoreshë Adelina Ahmeti Pronaj thotë se shumë prej tyre janë ende në trajtim. “Prindërit vijnë te ne shumë të shqetësuar, pas sjelljeve jo të zakonshme që vërejnë te fëmijët e tyre”, shpjegon ajo.
Të dhëna shqetësuese për përdorimin e drogave
Sipas të dhënave që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Klinika e Psikiatrisë në QKUK, Ministria e Punëve të Brendshme dhe organizatat joqeveritare, numri i përdoruesve të drogave në Kosovë sillet në rreth 40 mijë. Vitin e kaluar, në Psikiatri u dhanë mbi 30 mijë shërbime të ndryshme, ndërsa u regjistruan mbi 150 raste të reja “si persona që kanë përdorur substanca narkotike ose kanë pasur sëmundje të varësisë”.
Kutllovci paralajmëron se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta. “Dukuria po shtrihet edhe në fshatra, ku më parë nuk kishte përdorim. Disa nga këto zona, madje, shërbejnë si pika distribuimi për drogë në vende të tjera”, thotë ai. Kutllovci identifikon faktorët socialë, problemet familjare dhe mungesën e perspektivës si arsyet kryesore të rritjes së përdorimit të drogës te të rinjtë. Kanabisi mbetet droga më e përhapur, por ka rritje të përdorimit edhe të kokainës dhe medikamenteve pa recetë. Safet Blakaj, nga Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labirint” në Kosovë, shpjegon më shumë:
“Kanabisi është i përhapur në gjithë territorin. Neve na shqetëson tani përdorimi i kokainës, për arsye se ka shënuar rritje të shpejtë në vitet e fundit”.
Sipas Blakajt, mosha e përdoruesve ka rënë dukshëm dhe “14-17-vjeçarët janë më të rrezikuarit”. “Në organizatën tonë trajtohen përdoruesit e moshave 14,15,16,17 vjeç… Moshat më të ulëta i kemi hasur në terren, janë evidente, por nuk janë në programet tona”, thotë Blakaj.
Përhapja e gjerë
Raportet e organizatave joqeveritare tregojnë se përdorimi i drogës është më i përhapur në Prishtinë, pastaj Pejë, Gjakovë, Ferizaj. Në këto qytete, rritja e rasteve të raportuara te të rinjtë po bëhet një shqetësim gjithnjë e më serioz. Mjekët e Spitalit të Gjakovës thonë se dita-ditës po rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë.
“Fatkeqësisht, edhe të rinjtë kanë filluar të përdorin substanca narkotike, kryesisht marihuanë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zef Komoni, udhëheqës i Departamentit të Psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës.
“Nuk mund të flasim saktë për shifra, sepse shumica nuk kërkojnë ndihmë derisa problemi të bëhet i madh. Por, nga konfiskimet e policisë dhe të dhënat që i kemi, duket qartë se numri po rritet – jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në shkollat fillore, si dhe në fshatra”, shpjegon Komoni. Aktualisht, rreth 40 persona të moshave të ndryshme që përdorin substanca narkotike, marrin trajtim të përditshëm me metadon në spitalin e Gjakovës.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, në këtë qytet u identifikuan 25 raste të reja të përdoruesve të drogës. “Përdorimi më i madh i marihuanës shihet në Gjakovë, për shkak të pozicionit gjeografik dhe faktit se qyteti shërben si pikë transiti për furnizim me marihuanë për të gjithë Kosovën”, shton Komoni.
Edhe në spitalin e përgjithshëm në Pejë, aktualisht, janë duke u trajtuar 25-30 pacientë për përdorim të drogave. Sipas zyrtarëve atje, numri i tyre ka mbetur i njëjtë që nga viti 2024 – pa ndonjë rritje të theksuar. Në Ferizaj, situata duket ndryshe: ka raportime për përdorues drogash, por asnjë rast nuk është duke u trajtuar në spital. “Për vite të tëra nuk kemi pasur raste që kërkojnë trajtim në spitalin tonë”, thotë Minire Beqiri, drejtoreshë e institucionit. Në Gjilan, po ashtu, rastet janë në rritje, ndërsa në Mitrovicë të Jugut, vitin e kaluar, u regjistruan dhjetëra raste të pacientëve që kërkuan ndihmë mjekësore, si pasojë e abuzimit me substanca psikoaktive.
“Bazuar në vëzhgimet klinike dhe në krahasimin e rasteve të paraqitura në vitet e fundit, vërehet një tendencë e lehtë deri e moderuar e rritjes së numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim për çrregullime të lidhura me përdorimin e substancave psikoaktive”, tha për Radion Evropa e Lirë Gëzim Shabani, specialist i Psikiatrisë në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë të Jugut.
Sipas drejtorëve të disa spitaleve të përgjithshme në Kosovë, me të cilët bisedoi REL-i, rastet më të rënda referohen kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të specializuar.
Shërbimet dhe mungesa e qendrave të rehabilitimit
Klinikat psikiatrike ofrojnë seanca psikiatrike dhe psikologjike, teste, psikoterapi individuale dhe grupore dhe këshillim për prindërit. Qendrat si “Labirinit” ofrojnë, po ashtu, shërbime të ngjashme për mijëra persona në vit. Por, sipas Kutllovcit, mungesa e një qendre kombëtare për trajtimin e drogës e bën situatën të vështirë. “Ne nuk kemi institucion që të ofrojë trajtim fillestar, rehabilitim dhe kujdes pas trajtimit. Aktualisht, kjo nuk po ndodh”, thotë ai.
Ministria e Shëndetësisë konfirmon për Radion Evropa e Lirë se Strategjia Shtetërore Kundër Drogave 2024-2028 është në zbatim e sipër dhe se përfshin aktivitete për fëmijët dhe Udhëzimin Administrativ për mbrojtjen nga abuzimi me narkotikë.
“Strategjia parasheh nevojën për ngritje të përgjithshme të kapaciteteve institucionale, qoftë për hetimin dhe luftimin e dukurisë së drogës, trajtimin adekuat të personave që përdorin drogë dhe të personave me çrregullime të përdorimit të substancave, si dhe rritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve, veçanërisht nevojën për të dhëna specifike në këtë fushë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, strategjitë e parandalimit të abuzimeve duhet të bazohen në prova shkencore dhe t’i kenë në shënjestër familjet, shkollat dhe komunitetet, sidomos ato që janë më të margjinalizuara dhe më të varfra.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se çdo vit organizojnë aktivitete edukative dhe shëndetësore për të adresuar dukuri si: varësia nga droga, përdorimi i duhanit dhe alkoolit. Këto aktivitete përfshijnë shpërndarjen e materialeve edukative dhe nxitjen e vetëdijesimit për shëndetin te nxënësit dhe komuniteti.
Me Kodin Penal të Kosovës, blerja, posedimi dhe shpërndarja e substancave narkotike është e ndaluar dhe dënohet me gjobë ose burgim, në varësi të sasive dhe llojit të substancës. Por, për shkak të numrit të madh të përdoruesve, “duket sikur marihuana në praktikë është e legalizuar”, thotë Blakaj.
Në raportimet ditore të Policisë së Kosovës ka shpesh njoftime për konfiskim të substancave narkotike – vetëm këtë javë u konfiskuan mbi 80 kg dhe u arrestuan tre persona. Për nënat si Flutura, çdo lajm për drogën tani shndërrohet në një alarm që nuk mund të ndalet dot. “Ajo ka humbur gjithë pasurinë”, përfundon Flutura./kb
Hakil Osmani nga MeteoAlb ka bërë parashikimin e motit për këtë fundjavë dhe javën që po vjen, duke theksuar se do të mbizotërojë moti i paqëndrueshëm.
Sipas tij, gjatë fundjavës vranësirat do të shtohen në orët e pasdites, duke sjellë reshje shiu, ndërsa në zonat malore do të ketë rishfaqje të dëborës.
“Kjo fundjavë do të vijojë të jetë e paqëndrueshme ku gjatë orëve të pasdites vranësirat do bëhen më të dukshme duke bërë që të kemi prezente reshjet e shiut. Në zonat e thella malore do ketë rishfaqje të reshjeve të dëborës.
Në orët e pasdites të së dielës dhe në mbrëmje, reshjet e shiut do të jenë më intensive dhe do të shoqërohen me erë të fortë, duke vijuar deri në mëngjesin e ditës së hënë.
Më pas, dita e martë sjell përmirësim me mot më të qendrueshëm, por nga e mërkura moti do të kthehet sërish i paqëndrueshëm. Ditët e fundit të janarit do të përfundojnë gjithashtu me kushte të paqëndrueshme të motit.
Java që vjen parashikohet me një rënie të lehtë të temperaturave, ku minimumi do të jetë rreth 0 gradë Celsius, ndërsa maksimumi arrin 15 gradë Celsius, tha Osmani.
Ditën e shtunë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin.
Reshjet e shiut do të jenë prezente që në orët e para të mëngjesit, fillimisht me intensitet të ulët përgjatë vijës bregdetare.
Pas orëve të mesditës, reshjet do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit, kryesisht me intensitet të ulët. Në veriperëndim dhe lokalisht në jugperëndim priten reshje shiu me intensitet deri mesatar, të shoqëruara me shtrëngata afatshkurtra.
Në zonën e Alpeve si dhe në verilindje–lindje, në lartësitë mbi 800–900 metra, reshjet do të jenë në formën e borës me intensitet të ulët.
Era do të fryjë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore do të arrijë deri në 16 m/s. Deti do të ketë valëzim të forcës 4–5 ballë.
TIRANË, 22 janar/ATSH/ Përdorimi i teknologjisë digjitale vitet e fundit ka ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si njerëzit shkruajnë dhe komunikojnë.
Si pasojë, shkrimi i dorës po përdoret gjithnjë e më pak, veçanërisht nga fëmijët dhe të rinjtë. Në këtë kontekst, UNESCO ka propozuar një projekt të posaçëm për mbrojtjen e shkrimit me dorë, duke synuar ruajtjen e tij si trashëgimi kulturore jomateriale e njerëzimit.
Shkrimi i dorës ka një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e nxënësve, sidomos në arsimin fillor dhe ciklin e lartë të shkollës 9-vjeçare.
Mësuesja e gjuhës shqipe në ciklin e ulët të shkollës “Vaçe Zela” në Tiranë, Adelina Kraja shpjegoi për ATSH-në se si ndikon shkrimi i dorës në zhvillimin e fëmijës.
“Shkrimi i dorës ndihmon shumë në zhvillimin motorik të nxënësve, në përqendrimin e të menduarit kritik, zhvillimin e kujtesës, forcon lidhjen mes mendimit dhe aftësive shprehëse si: leximi, drejtshkrimi, sidomos në arsimin fillor”, nënvizoi ajo.
Sipas saj, zëvendësimi i lapsit me tastierën rrezikon të krijojë shumë boshllëqe në zhvillimin motorik dhe gjuhësor të fëmijëve, sepse ul përqendrimin dhe durimin e tyre.
Kraja sugjeron që shkrimi i dorës të praktikohet më shpesh si dhe të shtohen më shumë orët e shkrimit.
“Kjo është një thirrje për të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit për të mbrojtur dhe praktikuar sa më shumë shkrimin e dorës në shkolla, sidomos në klasat I–IV. Mendoj se duhet të rriten orët e diktimit në lëndën e gjuhës, të rriten më shumë orët e shkrimit si dhe të krijohet një balancë mes teknologjisë dhe shkrimit tradicional”, tha Kraja.
Ajo rekomandon të bëhen më shumë trajnime mbi rëndësinë e shkrimit të dorës, duke përfshirë edhe prindërit, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka ky shkrim në zhvillimin motorik të fëmijëve të tyre.
Kraja u shpreh se çdo shkrim është unik dhe bart gjurmë të personalitetit të individit.
“Vetëm kështu ne mund të sigurojmë një arsim më cilësor për brezat që do të vijnë”, tha Kraja, duke shtuar se shkrimin e dorës duhet ta ruajmë si një pasuri kulturore, në ruajtjen e dijes dhe proceseve të të nxënit.
Ndërsa mësuesja e gjuhës shqipe e ciklit të lartë në këtë shkollë, Brunilda Kondakçiu, duke e vlerësuar këtë nismë të ndërmarrë nga UNESCO tha se “shkrimi i dorës nuk është vetëm aftësi, por ndihmon edhe në zhvillimin e trurit, përqendrimit, kujtesës, mendoj që është njëkohësisht dhe identitet”.
Kondakçiu vuri në dukje se duhet t’i kushtohet shumë vëmendje shkrimit të dorës, sidomos në arsimin fillor, pasi ai është baza e të nxënit dhe për zhvillimin motorik të fëmijëve.
“Teknologjia nga njëra anë ka rritur komunikimin dhe të nxënit, por nga ana tjetër ka ulur praktikën e të shkruarit të shkrimit të dorës. Mendoj se për ta praktikuar sa më shumë shkrimin e dorës duhet të jepen sa më shumë detyra të shkruara me shkrim dore pra kombinim i shkrimit të dorës me ndërthurjen e teknologjisë”, tha Kondakçiu.
Ekspertët dhe UNESCO theksojnë se ruajtja e shkrimit të dorës është e domosdoshme, jo vetëm për trashëgiminë kulturore, por edhe për cilësinë e arsimit dhe zhvillimin e brezave të ardhshëm.
Për UNESCO-n, shkrimi i dorës nuk është thjesht një aftësi e rëndësishme, por një element kyç i identitetit njerëzor, i të nxënit dhe i transmetimit të dijes ndër breza.
Viti 2026 nisi me ujë mbi prag për një pjesë të Shqipërisë. Vetëm pak ditë pas ndërrimit të viteve, mijëra familje në zona si Shkodra, Lezha, Malësia e Madhe, Durrësi, Vlora dhe Gjirokastra u përballën me një skenar tashmë të njohur: përmbytje masive të banesave, tokave bujqësore dhe infrastrukturës rrugore e hidroteknike. Një krizë që […]
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e përcakton arsimin si një të drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi publike. Asambleja e Përgjithshme e OKB-se e shpalli 24 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, për të vlerësuar rolin e arsimit për paqen dhe zhvillimin.
Arsimi si një e drejtë njerëzore është e sanksionuar në nenin 26 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Deklarata kërkon arsim fillor falas dhe të detyrueshëm. Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar në vitin 1989, shkon më tej duke përcaktuar që vendet duhet ta bëjnë arsimin e lartë të arritshëm për të gjithë.
Arsimi u ofron fëmijëve një shkallë për të dalë nga varfëria dhe një rrugë drejt një të ardhmeje premtuese. Por rreth 244 milionë fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën janë jashtë shkollës; 617 milionë fëmijë dhe adoleshentë nuk mund të lexojnë dhe të bëjnë matematikën bazë; më pak se 40% e vajzave në Afrikën Subsahariane përfundojnë shkollën e mesme të ulët dhe rreth katër milionë fëmijë dhe të rinj refugjatë janë jashtë institucioneve të arsimit.
OKB thotë se, pa arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë, vendet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe në thyerjen e ciklit të varfërisë që po lë pas miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur.
TIRANË, 23 janar/ATSh/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Deneda Seferi u shpreh sot se programet e rehabilitimit për dhunën në familje nuk përfshijnë rehabilitimin vetëm të viktimave, por edhe dhunuesit e tyre.
Seferi e bëri këtë deklaratë ditën e sotme, në punimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ku u shqyrtua projektligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
Seferi tha se ndryshimet e reja në ligjin për dhunën në familje parashikojnë për herë të parë programe rehabilitimi edhe për dhunuesit.
“Programet e rehabilitimit nuk përfshijnë vetëm viktimat, por edhe dhunuesit, me qëllim parandalimin e përsëritjes së dhunës dhe ndryshimin e sjelljeve, dhe modeleve të ndryshme të sjelljes. Një risi e rëndësishme është lidhja e këtyre programeve me vendime gjyqësore, duke parashikuar, pasojë ligjore në rast të mospjesëmarrjes së dhunuesit në programet e urdhëruara. Sa i përket programit të rehabilitimit të dhunuesit, do të jetë e detyrueshme pjesëmarrja në këto programe”, tha ajo.
Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në këto programe do të përfshihen edhe dhunuesit që kanë varësi nga alkooli apo droga.
Gjithashtu, Etleva Sheshi, përfaqësuese e MShMS-së theksoi se përgjegjësi do të kenë si institucionet qendrore, ashtu edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
“Ministria e Mirëqenies Sociale, por njëkohësisht dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, janë të përcaktuara që duhet të marrin masa për të ngritur dhe për të ofruar shërbime dhunuesve që janë përdorues të alkoolit ose të drogërave, ose për dhunues të tjerë, nëpërmjet programeve të ndryshme të rehabilitimit të cilat janë të vendosura që nga vendimi i gjykatës kur trajtohen një rast dhune”, tha Sheshi, drejtore e Barazisë Gjinore në Ministrin e Shëndetësisë.
Në ndryshimet e parashikuara në këtë ligj, thuhet se do të ketë monitorim të agresorëve me GPS, në mënyrë që të shmanget shkelja e urdhrit të mbrojtjes, teksa do të ketë edhe gjoba deri në 500 mijë lekë për shpërndarjen e fotove intime online dhe ndëshkime të rënda për punëdhënësit që tolerojnë ngacmimet në zyrë.
Me mbi 30 vite përvojë si pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe rol të rëndësishëm në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare për gazetarinë, barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut, Irisi Luarasi tashmë sjell eksperiencën e saj në vendimarrje, në politikë.
Vetëm para pak muajsh u miratua projektligji për barazinë gjinore, ku siç shpjegon pedagogia në programin “Rudina” në Tv Klan, i referohej më shumë zgjerimit të të drejtave të grave në fusha të ndryshme. Megjithatë, debati mori përmasa të tjera duke përshkallëzuar në gjuhë urrejtjeje, të cilën Iris Luarasi e ka provuar disa herë në lëkurë. Kjo është arsyeja pse e ka zgjedhur edhe si temë për ta shpalosur në një fjalim në foltoren e programit.
“Përpara dy muajsh ne miratuam ligjin për barazinë gjinore. Erdhi një portal, e mori fjalën time, e preu, ia hoqi kontekstin, ia ndryshoi komplet thelbin dhe brenda 2 ditësh, mijëra komente, dhjetëra shkrime, profile anonime ku nuk flitej më për ligjin, por flitej për mua si grua. U prek feminiliteti im, morali, u vunë nën shënjestër madje edhe fëmijët e mi. Deri te mesazhi më i tmerrshëm, një kërcënim se fëmijëve do t’u priteshin kokat. Aty patjetër që u fshi kufiri mes virtuales dhe reales. Unë mendoj që kjo nuk është vetëm histori imja, është një histori e çdo vajze që shfaqet sot në ekran, e çdo aktivisteje, e çdo gruaje në politikë që e di se çfarë do të thotë të paguash me reputacion, me dinjitet, madje edhe me sigurinë e familjes, vetëm sepse flet. Prandaj, sot në vend që të pyes pse kaq shumë gjuhë urrejtjeje, në fakt do të pyesja pse kaq shumë heshtje përballë kësaj gjuhe urrejtjeje? Unë kam zgjedhur të mos hesht, jo se nuk lëndohem, por se në fakt mendoj që vajza ime dhe vajzat e tjera nuk duhet të rriten duke menduar se kjo është një gjë normale. Nuk është normale!”, tha Luarasi.
TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi sot një takim me përfaqësuesen e përhershme të UNDP Albania, Randi Davis.
Lamallari informoi se gjatë takimit u nënshkrua Memorandum Mirëkuptimi për të ripërtërirë partneritetin në përmirësimin e kuadrit ligjor, investimin te profesionistët e fushës së drejtësisë dhe rrjetëzimin e shërbimofruesve, për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndikimin real të shërbimeve juridike falas tek ata që kanë më shumë nevojë.
Sipas Lamallarit, ky bashkëpunim është plotësisht në linjë me prioritetet e integrimit evropian, detyrimet ndërkombëtare dhe standardet e të drejtave të njeriut.
“E çmoj të gjithë partneritetin që kemi pasur me UNDP, veçanërisht në fushën e ndihmës ligjore falas dhe besoj se ky memorandum e çon angazhimin në një nivel më të lartë. Mirënjohje gjithashtu ndaj Agjencisë Austriake për Zhvillim për financimin e projektit”, tha Lamallari.
TIRANË, 23 janar/ATSH/ Për vitin 2026, Ministria e Arsimit do të mbështesë universitetet publike me 11,2 miliardë lekë grant për mësimdhënien dhe për bursat e studentëve.
Mirela Kumbaro, ministrja e Arsimit, informoi sot se përmes marrëveshjes së nënshkruar me Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKFL) dhe Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) publike në vend, ka nisur një fazë e re mbështetje për këto institucione.
Gjatë takimit të zhvilluar me stafin e AKFAL, agjencia e cila ekzekuton politikat e financimit dhe mbështetjes së Ministrisë së Arsimit për institucionet publike të arsimit të lartë, Kumbaro tha se ky institucion kryen një punë teknike dhe voluminoze në bashkëpunim të ngushtë me universitetet.
“Për vitin 2026, Ministria e Arsimit mbështet universitetet publike me 11,2 miliardë lekë grant për mësimdhënien dhe për mbështetjen me bursa të studentëve”, tha Kumbaro.
Sipas Kumbaros, përmes marrëveshjeve të nënshkruara nga AKFAL me IAL-të publike, duhet të nisë një fazë e re e shkëmbimit të informacionit dhe transparencës mes Ministrisë së Arsimit dhe çdo universiteti, për të optimizuar mbështetjen financiare dhe për t’i bërë financimet më efikase dhe më të matshme.
Mbështetja financiare prej rreth 11,2 miliardë lekë, ose 115 milionë euro, si grant për mësimdhënien, ndahet në Fond Institucional dhe Fond për Mbështetjen Studentore duke mbështetur me paga rreth 5,800 personel akademik dhe administrative në 14 universitetet publike dhe mbi 12,000 studentë ekselentë apo me nevoja sociale, përmes skemës së bursave.