❌

Normal view

Hegseth kritikohet nga ushtari/ Sekretari i Mbrojtjes i SHBA theu heshtjen pranë “varrit të ushtarit të panjohur”

By: Rovena
11 November 2026 at 23:50

Një moment i pazakontë është regjistruar në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Shtetet e Bashkuara. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe një grup zyrtarësh të Pentagonit janë qortuar publikisht nga një ushtar amerikan, pasi thyen atmosferën e heshtjes dhe solemnitetit pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur

Ngjarja ndodhi pas ceremonisë së organizuar me rastin e Ditës së Veteranëve, ku morën pjesë presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance.

Hegseth, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe disa prej këshilltarëve të tij më të afërt, po realizonte fotografi përpara memorialit. Por pasi përfunduan fotografitë, disa anëtarë të grupit nisën të qeshnin dhe të bisedonin, duke ndërprerë atmosferën e heshtjes që duhet të ruhet në këtë vend.

Ushtari që patrullonte pranë varrit ndaloi dhe iu drejtua grupit me një paralajmërim të qartë: “Të gjithë vizitorët duhet të ruajnë në çdo kohë një atmosferë heshtjeje dhe respekti”.

Pas incidentit, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se ushtari kishte vepruar drejt dhe me respekt, duke u kujtuar të gjithëve detyrimin për të ruajtur solemnitetin e vendit.

Varri i Ushtarit të Panjohur është një prej memorialeve më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara. Që prej vitit 1948, ai ruhet 24 orë në ditë nga ushtarë të regjimentit elitar “The Old Guard”, pavarësisht kushteve atmosferike.

Incideti vjen në një moment të vështirë politik për Pete Hegseth, i cili po përballet me akuza të ngritura nga kongresmeni republikan Thomas Massie, që kërkon shkarkimin e tij përmes procedurës së impeachment, por republikanët e kanë bllokuar në një votim procedural vazhdimin e procesit.

Vetë Trump ishte kritikuar më parë për sjelljen në Varrezat e Arlingtonit, pasi në vitin 2024 kishte realizuar një video elektorale në këtë kompleks memorial.

Ngjarja e fundit ka rikthyer vëmendjen te protokolli dhe respekti që kërkohet në një prej vendeve më simbolike të kujtesës ushtarake amerikane.

 

 

Përmbytjet në Gaza, katër viktima nën rrënojat e kampeve të zhvendosjes

11 November 2026 at 23:25

Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar një tjetër tragjedi në Rripin e Gazës, ku katër persona, mes tyre tre fëmijë, kanë humbur jetën pas shembjes së një argjinature rëre në një kamp për të zhvendosurit në Deir al-Balah.

Mijëra tenda janë përmbytur, ndërsa uji ka vërshuar edhe në zonat ku strehohen palestinezët e larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës. Sipas UNICEF-it, reshjet kanë prekur drejtpërdrejt rreth 106 mijë persona.

Ngjarja tragjike ndodhi të dielën në mbrëmje në kampin Ard al-Ribat, ku një masiv rëre u shemb pas reshjeve, duke zënë poshtë dy tenda. Banorët u përpoqën të nxirrnin të mbijetuarit me duar, pasi në zonë mungonin makineritë dhe pajisjet e kërkim-shpëtimit. Mes viktimave ishin tetëvjeçari Salah, motra e tij gjashtëvjeçare Maryam dhe nëna e tyre 36-vjeçare, Tahrir, e cila ishte pesë muajshe shtatzënë. Babai i fëmijëve, Ahmed al-Nabhan, i cili ishte liruar së fundmi nga burgjet izraelite, mbeti i vetmi i mbijetuar i familjes.

Një tjetër familje u godit nga tragjedia. Katërvjeçarja Habiba humbi jetën pasi tenda ku qëndronte u përfshi nga shembja, ndërsa nëna e saj Reem dhe vëllai Ibrahim ndodhen në kujdes intensiv. Të mbijetuarit tregojnë se gjithçka ndodhi brenda pak minutash, ndërsa britmat për ndihmë dëgjoheshin në të gjithë kampin. Banorët përdorën edhe dritat e telefonave për të kërkuar njerëz nën rrënoja, por për shkak të mungesës së mjeteve nuk arritën t’i shpëtonin të gjithë.

Situata është përkeqësuar edhe nga shkatërrimi i infrastrukturës së Gazës gjatë sulmeve izraelite. Rrjetet e kullimit janë dëmtuar rëndë, rrugët janë në gjendje të keqe dhe bashkitë nuk kanë pajisjet e nevojshme për largimin e ujërave.

Zyra qeveritare e medias në Gaza e cilësoi shembjen një katastrofë humanitare dhe akuzoi Izraelin, administratën amerikane dhe komunitetin ndërkombëtar për përgjegjësi, duke theksuar se pengimi i hyrjes së strehimeve të përkohshme, materialeve të ndërtimit dhe pajisjeve të emergjencës i ka lënë banorët të pambrojtur përballë përmbytjeve.

Ndërkohë, organizatat humanitare kanë kërkuar lejimin e hyrjes së ndihmave dhe materialeve për riparimin e tendave dhe infrastrukturës së dëmtuar.

Vdes ambasadori rus në SHBA/ Alexander Darchiev ndërroi jetë papritur në moshën 66-vjeçare

By: Rovena
11 November 2026 at 23:17

Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Alexander Darchiev, ka ndërruar jetë papritur në moshën 66-vjeçare. Ministria e Jashtme Ruse, e cila zbuloi lajmin, nuk dha detaje të mëtejshme mbi shkaqet apo rrethanat e vdekjes. Në një deklaratë zyrtare, diplomacia ruse e cilësoi Darchievin si një “diplomat të shquar, drejtues me përvojë dhe koleg të dashur”.

Darchiev ishte emëruar ambasador i Rusisë në SHBA në mars të vitit 2025, pak kohë pasi Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Ai qëndroi në këtë detyrë për rreth një vit e gjysmë.

Diplomati rus kishte një karrierë të gjatë në marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, ai drejtoi Departamentin e Amerikës së Veriut në Ministrinë e Jashtme ruse, ndërsa nga viti 2021 deri në vitin 2024 shërbeu si ambasador i Rusisë në Kanada.

Emërimi i tij në Uashington ndodhi në një periudhë tensionesh të larta mes Rusisë dhe vendeve perëndimore, për shkak të luftës në Ukrainë. Në vitin 2022, pas nisjes së sulmit rus ndaj Ukrainës, Darchiev e kishte cilësuar atë si një “masë të nevojshme”.

Alexander Darchiev e kishte nisur karrierën diplomatike në vitin 1992, kur iu bashkua shërbimit diplomatik rus, duke shërbyer fillimisht si sekretar i parë dhe drejtues i departamentit për Amerikën e Veriut në Ministrinë e Jashtme.

Rama: Zvërneci, jo lidhje me Trump/ Kryeministri tha se Irani ka duart e veta në ndezjen e protestave

By: Rovena
11 November 2026 at 23:11

Presidenti Trump humbi në zgjedhjet e mesmandatit, fituan demokratët në SHBA, por sa ndikon kjo te situata politike në Shqipëri?

Në kuadër të Samitit Politik Europian në Irlandë, kryeministri Rama mori pjesë në një bashkëbisedim me Institutin Ndërkombëtar dhe Europian, nga ku sqaroi se nuk është aspak i shqetësuar se çfarë ndodh në Uashington.

“Kur u zgjodh Trump, mu tha që jam në rrezik se jam mik me George Soros dhe të birin, unë nuk diskutoj miqësinë dhe besnikërinë.

Por nuk thotë askush një të vërtetë tjetër, kur kam takuar Kushner, dhe bëmë bisedën e parë për projektin, e ardhmja e Trump nuk dihej. Ishte kandidat më shumë për në burg. Unë pashë një amerikan që donte të bënte diçka në vendin tim. Shqipëria është shumë mikpritëse ndaj qoftë të birit të George Soros apo dhëndrit të Donald Trump. Unë e urrej madje këtë mentalitet, se kam jetuar në komunizëm, të qenit i biri apo dhëndri i dikujt, mund të të ngrinte shumë lart, mund të të çonte dhe në burg. As nuk dua t’ia di çfarë ndodh në SHBA”, tha Rama.

Rama bëri të qartë se humbja e Trump nuk ka për të ndikuar aspak te projekti i dhëndrit të tij, Jared Kushner, në Zvërnec dhe Sazan.

“Kur bëhet fjalë për këtë projekt, s’ka asgjë për të fshehur apo për të pasur frikë, vetëm për të qenë krenar, për t’u përpjekur e për të bërë një destinacion që do të tregojë se zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës nuk janë kundërshtuese, por plotësuese të njëra-tjetrës. Gjithë bota mund të hidhet përpjetë e të thotë të kundërtën, por ne kemi sot një faqe pasqyra e flamingove, aty ka fakte, aty shihni si Kushner nuk ka marrë asnjë trajtim ndryshe nga investitorë lokalë e ndërkombëtarë. S’ka as projekt as marrëveshje, jemi ende duke negociuar.

Pala jonë mendon se shqiptarët duhet të jenë pjesë e kësaj. Qeveria shqiptare ka qenë shumë rigoroze, për një projekt, simbol, emblemë në Europë, jo një spekulim, që do të lidhë imagjinatën kolektive me një zhvillim të pamendueshëm amerikan”, shtoi ai.

Rama e pranon se ishte ky projekt që ndezi protestat e flamingove në bulevardin e Tiranës. Ai tha se Shqipëria në këtë rast u përdor politikisht nga kundërshtarë deri te armiq të Trump.

“Le të jemi të sinqertë, ky revolucion i flamingove, që emrin e ka tërheqës, ishte rezultat i një urrejtjeje kundër Donald Trump. Nëse hija e Trump s’do të ishte në sfond të çështjes mjedisore, që nuk është as çështje, nuk do të dëgjonit as për flamingot. Gjithë kundërshtarët e Trump u mblodhën në bulevardin tonë kundër tij. S’kam thënë që protestuesit janë organizuar nga Irani, por Irani ka duart e veta në ndezjen e protestave, nëpërmjet medias sociale.

Ka shumë duar të tjera që kanë hyrë dhe pas fillim qershorit, protesta nuk është më siç ishte, s’ka më revolucion e flamingo, tani ka ca zogj, opozita politike, disa të majta e të djathta ekstreme dhe pastaj dhunë, dhunë që është e papranueshme”, shtoi kreu i qeverisë.

Sa për rrugëtimin europian të Shqipërisë, Rama deklaroi nga Irlanda se dera e Brukselit është hapur dhe Tirana duhet të nxitojë ta shfrytëzojë me anëtarësim në BE.

“Po, jemi në moment përcaktues të historisë sonë, shohim jo vetëm horizontin që nuk ka qenë kështu gjithmonë, por dhe një derë të hapur, si mundësi të vërtetë për t’u bërë pjesë e familjes europiane”, përfundoi Rama.

Portugalia anulon më shumë se 300 fluturime dhe mbyll shkollat ​​për shkak të stuhisë Charles

11 November 2026 at 23:04

Më shumë se 300 fluturime drejt dhe nga Portugalia u anuluan, ndërsa bizneset dhe të gjitha shkollat në mbarë vendin mbyllën dyert përpara se stuhia “Charles” të godiste territorin portugez.

Megjithatë, reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kaluan pa shkaktuar dëme të rënda.

Të mërkurën u pezulluan operacionet në katër aeroporte të ndryshme ndërkombëtare, si dhe u mbyllën qindra supermarkete dhe të gjitha shërbimet publike jo thelbësore në të gjithë vendin.

Sipas mediave të huaja, për herë të parë, rreth 8,000 shkolla në Portugali anuluan mësimin për shkak të parashikimit për një stuhi të fuqishme nga Atlantiku.

Rrugët mbetën kryesisht të shkreta kur mbërriti stuhia “Charles”, pasi qeveria u kishte kërkuar qytetarëve të qëndronin në shtëpi, nga frika e skenarit më të keq.

Agjencia kombëtare e motit, IPMA, regjistroi erëra me shpejtësi mbi 120 km/h në disa zona.

Autobusë pa pasagjerë qarkulluan në kryeqytetin e vendit, Lisbonë, ku disa rrugë u përmbytën për shkak të bllokimit të kanaleve të shkarkimit të ujit.

Një zinxhir kombëtar supermarketesh mbylli pikat e tij të shitjes, ndërsa konferenca teknologjike “Web Summit” në Lisbonë – ku merrnin pjesë rreth 70,000 persona – anuloi aktivitetet e planifikuara për atë ditë.

Arbëria që nuk shuhet/ Nga misioni i Atë Antonio Bellushit te vazhdimësia e albanologjisë shqiptare

By: Rovena
11 November 2026 at 22:55

Konferenca e organizuar në Frasnitë të Kalabrisë nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), kushtuar figurës dhe veprës së Atë Antonio Bellushit, përfaqëson shumë më tepër se një veprimtari përkujtimore. Ajo është një rast për të reflektuar mbi vazhdimësinë e identitetit shqiptar përtej kufijve shtetërorë dhe mbi rolin e njerëzve të dijes në ruajtjen e gjuhës, kujtesës dhe vetëdijes kombëtare.

Atë Antonio Bellushi ishte një nga ata personalitete që e përjetuan Arbërinë jo si një kujtim të largët historik, por si një pjesë të gjallë dhe të pandashme të kombit shqiptar. Përmes veprimtarisë së tij si meshtar, studiues, etnolog dhe mbledhës i traditës gojore, ai u bë një urë lidhëse ndërmjet arbëreshëve të Italisë dhe hapësirës mbarëkombëtare shqiptare. Për të, mbrojtja e trashëgimisë arbëreshe nuk ishte vetëm një detyrë shkencore, por një mision kulturor dhe kombëtar.

Riti bizantin, mburojë e identitetit arbëresh

Një dimension veçanërisht i rëndësishëm i veprimtarisë së Bellushit ishte lidhja që ai vendoste ndërmjet ritit fetar dhe identitetit kombëtar. Për të, ruajtja e ritit bizantin nuk ishte thjesht çështje e traditës liturgjike, por një faktor thelbësor për mbijetesën e identitetit arbëresh përballë asimilimit dhe italianizimit.

Ai e kuptonte se humbja e veçantisë së ritit bizantin mund të shoqërohej me dobësimin e gjuhës arbëreshe dhe të vetëdijes së përkatësisë. Në këtë kuptim, kisha e ritit bizantin, ku gjuha dhe tradita arbëreshe kishin ruajtur hapësirën e tyre, përbënte një nga institucionet më të rëndësishme të mbrojtjes identitare.

Kjo nuk ishte një kundërvënie ndaj katolicizmit apo Kishës së Romës, por mbrojtje e një tradite të veçantë kishtare, e cila kishte ndihmuar arbëreshët të ruanin dallueshmërinë e tyre ndër shekuj.

Këtë trashëgimi intelektuale e vazhdon edhe vëllai i tij, Tommaso Bellusci, përmes studimeve mbi identitetin, ritin dhe gjuhën arbëreshe, si dhe kujdesit për trashëgiminë bibliotekare e muzeale të Atë Antonio Bellushit. Në këtë veprimtari bashkëpunon edhe studiuesja shqiptare Ornela Radoviçka. Angazhimi i tyre dëshmon se amaneti i Bellushit nuk është thjesht kujtim familjar, por përgjegjësi e përbashkët shqiptaro-arbëreshe.

Albanologjia, një trashëgimi që përcillet ndër breza

Një tjetër aspekt domethënës i konferencës është organizimi i realizuar nga QSPA-së, e cila mbart edhe një lidhje të veçantë zyrtare me traditën e albanologjisë shqiptare.

Diana Kastrati, e bija e profesor Jup Kastratit, përfaqëson lidhjen me një nga studiuesit e njohur të gjuhësisë dhe albanologjisë shqiptare, i cili i kushtoi vëmendje të veçantë edhe studimeve arbëreshe.

Etleva Domi, e bija e profesor Mahir Domit, vjen nga një familje e lidhur ngushtë me traditën e shquar të gjuhësisë shqiptare në Shqipëri. Ndërsa Valbona Toska, e bija e profesor Remzi Nesimit, përfaqëson vazhdimësinë e traditës albanologjike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Këto lidhje familjare marrin kuptim të veçantë kur shihen si vazhdimësi e interesimit dhe e përgjegjësisë ndaj dijes. Në Frasnitë u takuan kështu disa linja të rëndësishme të albanologjisë: tradita shkencore e Shqipërisë, ajo e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe tradita arbëreshe e Italisë.

Përmasën mbarëkombëtare të konferencës e pasuroi edhe pjesëmarrja e profesor Agim Vincës nga Kosova dhe profesor Mustafa Ibrahimit nga Maqedonia e Veriut. Prania e tyre i dha veprimtarisë një dimension më të gjerë shkencor e kulturor, duke bashkuar në Frasnitë studiues dhe intelektualë nga disa prej qendrave të dijes shqiptare.

Kjo dëshmon se albanologjia nuk është pronë e një territori të vetëm, por një hapësirë e përbashkët shkencore dhe kulturore e të gjithë shqiptarëve. Figura e Atë Antonio Bellushit dhe trashëgimia arbëreshe janë pjesë e kujtesës dhe identitetit të përbashkët shqiptar, nga Kosova në Maqedoninë e Veriut e deri në ngulimet historike të Arbërisë.

Bashkëpunimi institucional në shërbim të Arbërisë

Në këtë kontekst, misioni i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët merr një rëndësi të veçantë. Ai nuk duhet të kufizohet vetëm në dokumentimin dhe botimin e studimeve mbi komunitetet arbëreshe, por duhet të shtrihet në krijimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit ndërmjet studiuesve, institucioneve dhe brezave të rinj.

Një vlerë të veçantë konferencës i dha edhe mbështetja e Komunës së Frasnitës, me kryetarin Angelo Catapano. Përfshirja dhe përkrahja e pushtetit vendor dëshmojnë se ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë historike, gjuhësore e kulturore arbëreshe nuk është vetëm përgjegjësi e studiuesve, por edhe e institucioneve dhe e vetë komunitetit që e mbart këtë trashëgimi. Bashkëpunimi ndërmjet QSPA-së, Komunës së Frasnitës dhe strukturave kulturore arbëreshe përbën një shembull të rëndësishëm partneriteti shqiptaro-arbëresh në shërbim të një pasurie të përbashkët.

Konferenca e Frasnitës është, pra, një rast për të thelluar këtë mision, për të nxitur kërkimin shkencor, për të dokumentuar trashëgiminë e personaliteteve arbëreshe dhe për ta bërë atë më të njohur në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare.

Arbëria si kujtesë dhe si e ardhme

Rëndësia e konferencës kushtuar Atë Antonio Bellushit qëndron pikërisht te mesazhi se Arbëria nuk është vetëm një kapitull i historisë së emigrimeve mesjetare, as vetëm një trashëgimi gjuhësore e folklorike. Ajo është një dëshmi e jashtëzakonshme e qëndrueshmërisë së identitetit shqiptar dhe e aftësisë për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kujtesën edhe përtej kufijve dhe në kushtet e presioneve asimiluese.

Atë Antonio Bellushi ia kushtoi jetën këtij misioni. Tommaso Bellusci dhe Ornela Radoviçka kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë së tij, ndërsa studiueset e QSPA-së dhe intelektualët e ardhur nga Kosova e Maqedonia e Veriut dëshmojnë vazhdimësinë e një tradite të rëndësishme albanologjike, të përcjellë nga brezi në brez. Mbështetja e Komunës së Frasnitës, me kryetarin Angelo Catapano, i shton kësaj përpjekjeje edhe dimensionin e përgjegjësisë institucionale dhe komunitare.

Prandaj, Frasnitë nuk duhet të mbetet vetëm vendi i një konference përkujtimore. Ajo duhet të shërbejë si pikë referimi për një bashkëpunim më të gjerë shkencor dhe kulturor shqiptar.

Sepse Arbëria nuk është vetëm ajo që kemi trashëguar nga të parët. Është edhe ajo që kemi përgjegjësinë t’u lëmë brezave që vijnë.

Arbëria jeton për aq kohë sa gjuha e saj flitet, kujtesa e saj studiohet, tradita e saj ruhet dhe njerëzit e saj vazhdojnë ta ndiejnë veten pjesë të së njëjtës histori.

Sulm ajror kundër bandës famëkeqe në Haiti, helikopterët e El Salvadorit godasin me raketa selinë kriminale

11 November 2026 at 22:55

Një operacion ushtarak kundër një prej bandave më të fuqishme kriminale në Haiti ka përfunduar me shkatërrimin e bazës së saj në Croix-des-Bouquets, në lindje të kryeqytetit Port-au-Prince.

Helikopterë ushtarakë të El Salvadorit kanë qëlluar me raketa ndaj një ndërtese që përdorej si seli nga banda famëkeqe “400 Mawozo”. Nga sulmi raportohet për të paktën 20 viktima, por ky bilanc nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Pamjet e publikuara nga presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, tregojnë disa helikopterë që fluturojnë mbi ndërtesë dhe lëshojnë raketa, ndërsa persona të pranishëm në zonë largohen me vrap.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me policinë haitiane, ndërsa objektivi ishte rezidenca dhe qendra e operacioneve të Wilson Joseph, i njohur me nofkën “Lanmo San Jou”, drejtuesi i bandës. Ai nuk ndodhej në ndërtesë në momentin e sulmit.

Grevë masive në Spanjë, përplasje mes protestuesve dhe policisë në Barcelonë

By: Rovena
11 November 2026 at 22:37

Spanja është përfshirë nga protesta masive dhe tensione të forta, pasi dhjetëra mijëra qytetarë iu bashkuan grevës së përgjithshme, e para e këtij lloji në vend pas 14 vitesh. Demonstratat, të organizuara nga sindikatat kryesore, kishin në fokus krizën e strehimit, rritjen e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike me të cilat po përballen familjet spanjolle.

Pjesëmarrja ishte veçanërisht e lartë në Madrid dhe Barcelonë. Sipas të dhënave, rreth 120 mijë persona protestuan në kryeqytet, ndërsa mbi 50 mijë të tjerë dolën në rrugët e Barcelonës.

Situata në Barcelonë u përshkallëzua gjatë mbrëmjes, kur grupe protestuesish u përplasën me forcat e rendit. Persona të maskuar dogjën kosha mbeturinash, dëmtuan vitrina biznesesh dhe shkaktuan zjarre në disa rrugë të qytetit. Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës, ndërsa forcat e sigurisë u vendosën në numër të shtuar, të pajisura me helmeta dhe mburoja kundër trazirave.

Incidentet u regjistruan kryesisht në zonën e Passeig de Gràcia, pranë sheshit të njohur Plaça de Catalunya. Sipas mediave spanjolle, disa persona hodhën fishekzjarrë në drejtim të policisë dhe përfituan nga kaosi për të plaçkitur dyqane.

Greva shkaktoi gjithashtu probleme të konsiderueshme në transportin publik dhe shërbimet e tjera në të gjithë vendin. Në Madrid dhe Barcelonë, qarkullimi u paralizua në disa akse kryesore rrugore, ndërsa ndërprerje u raportuan edhe në shërbime të tjera publike.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se dhjetëra persona përfunduan në pranga për përfshirje në incidente të ndryshme. Ndërkohë, raportimet e mediave vendase flasin edhe për sulme ndaj zyrave të agjencive imobiliare.

Pavarësisht tensioneve, drejtuesit e sindikatave e konsideruan protestën një sukses. Kreu i UGT-së, Pepe Álvarez, e përshkroi pjesëmarrjen si masive, ndërsa përfaqësuesi i CC OO-së, Unai Sordo, tha se numri i protestuesve ishte shumë i konsiderueshëm.

Mbështetësit e grevës shprehen se pakënaqësia lidhet kryesisht me pamundësinë për të përballuar kostot e jetesës dhe çmimet gjithnjë e më të larta të banesave.

Një prej protestuesve në Madrid i tha agjencisë Reuters se greva kishte arritur të bllokonte qytetin, duke theksuar se qytetarët kishin dalë në rrugë në numër të madh, pavarësisht motit me shi.

Ndërsa Olga Domingo, një mësuese 37-vjeçare, deklaroi se kishte marrë pjesë në protestë për shkak të shkurtimeve të vazhdueshme dhe krizës së strehimit. Sipas saj, raporti mes pagave dhe kostos së jetesës është bërë i papërballueshëm për qytetarët.

Një nga ngjarjet që ka nxitur zemërimin publik lidhet me rastin e Maricarmen Abascal, një gruaje 87-vjeçare, e cila u dëbua nga apartamenti në Madrid ku kishte jetuar për rreth 70 vjet. Ajo ndërroi jetë në spital disa javë pas dëbimit, duke u kthyer në një simbol të debatit për të drejtën e strehimit.

Presioni mbi tregun e banesave është veçanërisht i madh në kryeqytetin spanjoll. Sipas portalit të pasurive të paluajtshme Idealista, në muajin tetor qiraja mesatare mujore për një apartament prej 50 metrash katrorë në Madrid arriti në rreth 1,170 euro. Në të njëjtën kohë, paga mesatare mujore bruto në Spanjë vlerësohet në rreth 2,460 euro.

Kjo do të thotë se vetëm qiraja mund të përthithë afro gjysmën e pagës mesatare bruto, shumë më tepër se kufiri prej 30% të të ardhurave që ekspertët e konsiderojnë përgjithësisht të përballueshëm për shpenzimet e strehimit.

Kriza politike është shtuar gjithashtu pas vendimit të kryeministrit socialist Pedro Sánchez për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi parlamenti nuk arriti të miratonte planin e tij për reformën në sektorin e strehimit. Spanjollët pritet t’u drejtohen kutive të votimit më 29 nëntor.

Greva e fundit shënon një moment të rëndësishëm për lëvizjen sindikaliste në Spanjë, e cila nuk kishte organizuar një grevë të përgjithshme që prej vitit 2012, gjatë qeverisjes së konservatorit Mariano Rajoy.

Rusia dhe Ukraina bien dakord për lirimin më të madh të të burgosurve

11 November 2026 at 22:24

Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për shkëmbimin më të madh të të burgosurve ndonjëherë.

Dhe kjo marrëveshje thuhet se ka ardhur pas dy ditësh bisedimesh në Abu Dabi të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

Kjo, siç raportojnë mediat e huaja, është bërë e ditur të mërkurën për gazetarët nga i dërguari amerikan Jared Kushner.

“Një nga aspektet pozitive është se kemi rënë dakord për një shkëmbim të të burgosurve në kuadër humanitar, që do të jetë më i madhi deri më tani; shifrat e sakta do t’i përcaktojmë nesër”, citohet të ketë thënë ai.

Kushner dhe ndërmjetësi tjetër amerikan, Steve Witkoff, do të udhëtojnë të enjten drejt Moskës për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, e më pas drejt Dublinit për të informuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Gjatë luftës që zgjat prej gati pesë vitesh – e cila nisi me pushtimin rus në vitin 2022 – të dyja palët kanë shkëmbyer mijëra ushtarë të kapur rob.

Megjithatë, përpjekjet diplomatike deri më tani nuk kanë arritur t’i afrojnë palët drejt një marrëveshjeje për ndalimin e luftimeve, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e qindra mijëra njerëzve.

Edhe bisedimet dy-ditore në Abu Dabi duket se ndoqën të njëjtën linjë; shkëmbimi i të burgosurve dhe dakordësia për të vazhduar dialogun ishin të vetmet rezultate konkrete të përmendura nga palët në deklaratat për shtyp pas takimeve.

I dërguari rus Vladimir Medinsky dhe negociatori ukrainas Rustem Umerov konfirmuan gjithashtu se është arritur marrëveshje për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve, duke shtuar se shifrat do të bëhen të ditura më vonë.

Pas 17 vitesh, Vjena i thotë “lamtumirë” fjongos gjigante të kuqe në rrugën Kärntner

By: Rovena
11 November 2026 at 22:20

Pas 17 vitesh, fjongoja gjigante e kuqe që zbukuronte çdo vit fasadën e shtëpisë së modës Popp & Kretschmer në qendër të Vjenës nuk do të vendoset më gjatë sezonit të Krishtlindjeve 2026.

Ky dekorim, i cili ndodhet përballë Operës Shtetërore të Vjenës, është kthyer ndër vite në një nga simbolet më të njohura të festave dhe një prej vendeve më të fotografuara nga turistët dhe banorët e qytetit.

Lajmi është konfirmuar nga vetë kompania përmes një postimi në Instagram. Sipas drejtuesit të saj, Sascha Trefelik, vendimi është marrë për shkak të rregullave më të rrepta të sigurisë të vendosura nga autoritetet e Vjenës.

Një nga kërkesat kryesore ishte prania e një shërbimi të posaçëm sigurie, kostoja e të cilit është shumë e lartë për kompaninë. Gjithashtu, policia kërkonte mundësinë për të ulur ndriçimin ose për ta fikur plotësisht dekorimin në rast nevoje.

Një tjetër arsye lidhet me situatat e rrezikshme të krijuara vitet e fundit nga vizitorët që ndalonin në mes të rrugës për të fotografuar fjongon. Gjatë periudhës së Krishtlindjeve të vitit 2025, numri i njerëzve që mblidheshin për të bërë fotografi ishte shumë i madh, ndërsa disa prej tyre kalonin rrugën edhe me semafor të kuq për të realizuar foton e dëshiruar.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

Kjo solli ndërhyrje të përsëritura të policisë dhe vendosjen e barrierave për të shmangur aksidentet. Për këtë arsye, autoritetet vendosën rregulla më të forta për dekorimin festiv.

Megjithatë, fjongoja e famshme nuk do të zhduket plotësisht. Kompania ka bërë të ditur se gjatë këtij viti ajo do të vendoset në vitrinën e dyqanit. Përmes fushatës me hashtagun #freethebow, Popp & Kretschmer po kundërshton atë që e konsideron si kufizim të tepruar nga ana e autoriteteve.

Ndërkohë, Vjena ka një tjetër dekorim që mund të tërheqë vëmendjen e vizitorëve këtë sezon. Hoteli i njohur Sacher ka vendosur një pemë Krishtlindjesh plot shtatë metra të lartë në fasadën e tij, e cila u prezantua në fillim të nëntorit në praninë e kryetarit të bashkisë, Michael Ludwig.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo pemë gjigante do të bëhet atraksioni i ri fotografik i Krishtlindjeve në Vjenë, duke zënë vendin që për 17 vite e mbajti fjongoja e kuqe.

“Sanksionet kanë rënduar jetesën në Iran”, Elezi: Teherani po përdor kërcënimet për të frikësuar SHBA dhe aleatët e saj

By: Rovena
11 November 2026 at 22:03

Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, i ftuar në emisionin “War Report”, ka komentuar situatën e rënduar ekonomike në Iran dhe tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Elezit, sanksionet amerikane kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve iranianë, duke shkaktuar mungesa edhe të produkteve më elementare në markete.

Në këtë kontekst, ai thekson se Teherani po shoqëron krizën e brendshme ekonomike me kërcënime ndaj SHBA-së dhe vendeve që bashkëpunojnë me Uashingtonin, veçanërisht atyre që strehojnë baza ushtarake amerikane. Elezi vlerëson se këto deklarata janë pjesë e një strategjie propagandistike që synon të krijojë frikë dhe pasiguri te vendet e përfshira në këtë bashkëpunim.

“Familjet përballen me probleme serioze. Në marketet e tyre ka mungesë të gjerave edhe më elementare për shkak të sanksioneve të SHBA. Në këtë situatë ku Irani po përballet në një situatë shumë të rëndë ekonomike, po kërcënon SHBA dhe vendet që po bashkëpunojnë me Amerikën për bazat ushtarake. Krahas as që ne njohim Iranin është diçka që nuk ia vlen për shkak të rrezikut. Irani me këtë propagandë, po kërkon të frikësojë”, tha Bedri Elezi.

Rama në Dublin: Shqipëria ka ndryshuar në luftën kundër korrupsionit, BE po na përgëzon

By: Rovena
11 November 2026 at 21:57

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe se vendi po largohet nga kultura e pandëshkueshmërisë.

Gjatë një takimi në Dublin të Irlandës, ku ishte i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), Rama foli për rrugëtimin europian të Shqipërisë, integrimin në Bashkimin Europian dhe sfidat që lidhen me korrupsionin dhe perceptimin publik ndaj tij.

Kreu i qeverisë theksoi se korrupsioni duhet gjykuar jo vetëm nga rastet e abuzimit, por mbi të gjitha nga mënyra se si institucionet reagojnë ndaj tyre.

Ai kritikoi gjithashtu ndikimin e mediave sociale në perceptimin e qytetarëve për korrupsionin, ndërsa nënvizoi se, sipas tij, ndryshimet në Shqipëri janë vlerësuar edhe nga Komisioni Europian.

“Në fakt BE dhe teknologjia dhe AI është ajo që mund ta bëjë një vend të përparojë një vend. Kjo është ajo të qenit me fat në mes të Europës. Gjithkush mund të jetë në hetim dhe normalisht të mos ndikohet. Ky është thelbi i besimit. Në fakt më kujtohet Irlanda, por e gjithë lista e vendeve të BE-së ndaj perceptimit të tyre ndaj korrupsionit.

Disa vende në BE kanë një perceptim më të lartë të korrupsionit në popullsi, sesa e ka Shqipëria. Vjen nga e keqja që po lejojmë se si të përcaktojmë gjërat dhe quhet media sociale, që po përkeqëson dita-ditës median e zakonshme që po bëhet si media sociale. Pra, si mund të mendojnë qytetarët e Europës se si shteti i tyre është i korruptuar në atë nivel, kjo është e tmerrshme.

Askush nuk pretendon që ka ndonjë vend apo ndonjë qeveri që është e imunizuar ndaj korrupsionit. Prandaj, ja pse ka sisteme dhe institucione. Nuk gjykon qeverinë, një organizatë, një vend apo një familje, sepse anëtarë të tyre janë kapur me sjelljen e gabuar. Gjykoni sesi kjo qeveri, familje reagon ndaj kësaj sjelljeje të keqe.

Ajo që për Shqipërinë është përcaktuar me vite të tëra si me një kulturë pandëshkueshmërie, ka ndryshuar. Të gjitha vendet duhet të përballen me çështjet e korrupsionit, ja pse Komisioni Europian po na përgëzon”, tha Rama.

“Dhuna, jo vepër e studentëve”/ Protesta, Rama: Nga të arrestuarit, vetëm një student. Të tjerët me të shkuar kriminale

11 November 2026 at 21:47

Kryeministri Edi Rama deklaroi se dhuna në protesta, nuk është vepër e studentëve.

Nga Dublini, i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane, Rama u shpreh nga të arrestuarit në valën e parë të dhunës, ishte vetëm një student.

Kreu i qeverisë tha se të arrestuarit e tjerë ishin persona me të shkuar kriminale.

“Ju përmendët dialogun me studentët. Student është emërtim tërheqës, për të imagjinuar ndryshimin. Nuk shoh shumë studentë. Dhuna nuk është vepër e studentëve. Ne kemi treguar me fakte, se nga të gjithë të arrestuarit në valën e parë të dhunës, kishte vetëm një student dhe pjesa tjetër ishin njerëz me të shkuar kriminale, njerëz që kishin pasur hesape me drejtësinë kriminale. Dilnin të maskuar. Kjo është shumë e ndërlikuar. Do ndërlikohet edhe më shumë, nëse Europa nuk do heqë vijën e kuqe për mediat sociale”, theksoi ai./abcnews.al

“Me Greqinë, marrëdhënie të shkëlqyera”/ Rama: Kufiri detar, çështje e pazgjidhur. Do zgjidhet në gjykatë ndërkombëtare

11 November 2026 at 21:42

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë.

Nga Dublini, i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane, Rama u shpreh se kufiri detar mbetet çështje e pazgjidhur mes dy vendeve.

Rama nënvizoi se kjo çështje do të zgjidhet në gjykatë ndërkombëtare.

“Kur bëhet fjalë për Greqinë, mund t’iu them se kemi të gjitha arsyet për të pasur marrëdhënie fantastike. Për momentin, janë të shkëlqyera. Jemi fqinjë dhe mes fqinjësh, ka mundësi për të pasur diskutime, debate. Ndonjëherë ka edhe fantazma që kthehen. Shpresoj që jo. Po, kemi çështje të pazgjidhur, kur bëhet fjalë për kufirin detar. Kemi rënë dakord të shkojmë në një gjykatë ndërkombëtare. Është diçka që do të zgjidhet nga një palë e tretë”, theksoi ai./abcnews.al

 “Zgjedhjet në Izrael e SHBA zbutën klimën në frontet e luftës”, gjenerali: Diplomacia ndërkombëtare të veprojë!

11 November 2026 at 21:38

Gjeneral Dede Prenga, duke komentuar zhvillimet ndërkombëtare, tha se rezultatet e zgjedhjeve në SHBA dhe Izrael mund të ndikojnë në një klimë më të zbutur të konflikteve në Lindjen e Mesme dhe mes Rusisë e Ukrainës.

Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA i ka dhënë zemër Teheranit. Prenga shtoi se diplomacia ndërkombëtare do të ketë rol të rëndësishëm në vendimmarrjen amerikane për gjetjen e një zgjidhjeje.

“ Zgjedhjet në Izrael dhe në SHBA flasin për një klimë më të zbutur në konfliktin në Lindjen e Mesme dhe mes Rusisë dhe Ukrainës. Duhen parë qëndrimet dhe deklaratat. Do të ketë një ndryshim kursi, jo në një nivel të lartë, por nga veprimet e SHBA-së.

Ishte ai rezultati i pritshëm në zgjedhjet e mesmandatit. I ka dhënë zemër Teheranit dhe ka qenë një avantazh për të, si dhe për shantazhet që bëjnë edhe aleatët.

Jo vetëm duke u ndalur te bazat në Lindjen e Mesme, por duhen vlerësuar në nivel ekspertësh dhe duhen parë me rezerva.

Ka vend për reflektim dhe për reagim, por SHBA-ja dhe diplomacia ndërkombëtare do të ndikojnë te vendimmarrja e SHBA-së për të zbutur situatën dhe për t’i dhënë një zgjidhje konfliktit.”

“PS i dorëzoi shpatën e drejtësisë gjyqtarëve”/ Rama: Sistemi po lufton korrupsionin, askush nuk merret në mbrojtje

By: Rovena
11 November 2026 at 21:37

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Dublini i Irlandës se Shqipëria ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, duke iu referuar ndryshimeve në vlerësimin e raportit për vendin. Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), më 11 nëntor, Rama vlerësoi reformën në drejtësi, duke theksuar se ajo ka krijuar kushtet për një gjyqësor më të pavarur dhe për hetimin e zyrtarëve të niveleve të larta.

Kreu i qeverisë nënvizoi se korrupsioni mbetet ende një shqetësim, por sipas tij, tashmë nuk ka më mbrojtje politike për askënd që përballet me drejtësinë.

“Ka diçka shumë të rëndësishme në gjuhën e raportit. Për herë të parë raporti nuk flet më për korrupsion gjerësisht të përhapur, por thotë që korrupsioni mbetet shqetësim. Mjaft e drejtë, që do të thotë se ka një përparim real në këtë. Më parë nuk ka pasur kurrë një rast, kur dikush me pushtet është gjykuar nga një gjyqtar i pavarur.

Ka pasur ministra që janë vrarë e varur, por jo nga një gjyqësor i pavarur demokratik. Ajo që bëmë dhe që mbetet një reformë kyçe ishte pikërisht, që të hiqnim dorë nga të mbërthyerit të gjyqësorit nga politika. E bëmë ne, partia jonë. Kjo u bë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe kjo shpatë iu dha në dorë gjyqtarëve të pavarur. Tani shpata po kërkon kokat e mëdha në pushtetin politik dhe nuk është diçka e lehtë për t’u përballur, është e dhimbshme.

Por, ajo që duhet të bëjmë është që të mbështesim këtë pushtet të pavarur, edhe pse sytë nuk janë mbyllur tërësisht. Sistemi po e lufton korrupsionin, nuk ka më mbrojtje në asnjë lloj mënyre për askënd që del përpara drejtësisë”, tha Rama.

“Ka gjyqtarë që punojnë me shumë ngarkesë”/ Dervishaj: Vonesa në marrjen e drejtësisë, por edhe rënie të cilësisë

11 November 2026 at 21:28

Avokati Bledar Dervishaj thotë se ka gjyqtarë të cilët punojnë me një ngarkese të madhe, ku u duhen të bëjnë edhe 24 gjyqe në ditë, e cila nuk është situatë normale.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Dervishaj u shpreh se reforma në drejtësi, për shumë qytetarët nuk funksionoi, teksa u solli shumë dëme në raport me me kohën e marrjes së drejtësisë dhe cilësisë së saj.

“Ne shkuam shumë vite me struktura të posaçme. Ka një mandat të caktuar, arritjen e një qëllimi, objektivi dhe pastaj kur do kalojmë në normalitet. Sa është kjo kohëzgjatja e strukturave të posaçme? Edhe ky filtër vlerësimi do kalojë. Po shkojmë te viti i 9 i prokurorëve të parë. Organi nuk ka kufizim në kohë, por prokurorët e kanë. Ajo që i takon qytetarëve, jo baballarëve. Si ndihen ata njerëz që besuan aq fort, që një reformë do bëhej në favor të tyre, dhe u solli më shumë dëme në raport me kohën e marrjes së drejtësisë? Imagjino me cilësinë. Këta gjyqtarë, punojnë me një lloj ngarkese. Duhet t’u thuash faleminderit. Të bësh 24 gjyqe në ditë, nuk është normalitet. Me këtë ngarkesë? Do çedosh te cilësia se nuk ke çfarë bën”, theksoi ai./abcnews.al

“Europa bëri gabim që hoqi dorë nga diplomacia me Rusinë”/ Rama: Shqipëria pa kontakte të nivelit të lartë. Nuk na merr malli!

By: Rovena
11 November 2026 at 21:26

Kryeministri Edi Rama ka komentuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Rusinë dhe qëndrimin e Europës për luftën në Ukrainë, gjatë një aktiviteti të zhvilluar sot, më 11 nëntor, në Dublin të Irlandës, ku ishte i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA).

Rama u shpreh se Shqipëria nuk ka pasur marrëdhënie të rëndësishme me Moskën prej dekadash, ndërsa kritikoi Europën për braktisjen e diplomacisë dhe përqendrimin te armatimet, duke e cilësuar gabim të madh ndërprerjen e dialogut me Rusinë.

Ai theksoi gjithashtu se lufta e Vladimir Putinit nuk është vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër vetë Europës.

“Nuk është se niveli i marrëdhënieve me Rusinë ka rënë. Ne nuk kemi pasur marrëdhënie me Rusinë qysh prej viteve ’60, që kur Shqipëria reshti së angazhuari me bllokun Lindor, në emër të besnikërisë. Edhe kur rusët vetë hoqën dorë nga Stalini, shqiptarët e mbajtën fort Stalinin. Pastaj, që prej vitit 1990, lidhën marrëdhënie diplomatike, por jo në nivel shumë domethënës. Jemi i vetmi vend në rajon që nuk ka asnjë fluturim nga Kremlini në Tiranë dhe anasjelltas, nuk kemi asnjë takim të nivelit të lartë dhe, ç’është e vërteta, nuk na merr malli.

Europa ka bërë një gabim të madh që ditën e parë, që hoqi dorën nga diplomacia dhe përqendroi gjithçka te armatimet. Ndryshoi natyrën e vetvetes. Ndalja e çdo lloj bisedimi me Rusinë ishte një gabim shumë i madh. Pastaj Europa ia jashtëkontrakton këtë përpjekje për paqe Donald Trumpit, është diçka që do të mbetet në librat e Europës si diçka e qortueshme. Fakti që sot në Abu Dhabi janë Rusia, Ukraina, SHBA-ja dhe nuk është Europa…

Për fat të keq, e pamë edhe një herë që ishim vonë për atë që duhej të ishte bërë më parë. Nëse ndryshimet për lëvizjet ajrore që vetë Zelensky i kishte kërkuar më parë, gjërat do të ishin shumë më ndryshe. Që prej ditës së parë ishte e qartë: lufta e Vladimir Putinit nuk ishte vetëm një luftë kundër Ukrainës, ishte një luftë kundër Europës, për të rrëzuar Europën. Europa është një mozaik demokracish, partish. Më gjen rehat të flas për këtë temë, sepse askush nuk do t’i kërkojë Shqipërisë që të zgjidhë gjë dhe askush nuk do t’i vërë faj Shqipërisë se përse nuk zgjidh dot gjë”, tha kryeministri Rama.

Reformë e dytë në drejtësi? Hazizaj: Diskutohet pa bazë kushtetuese, mund të duhet korrigjimi i hartës gjyqësore

11 November 2026 at 21:20

Avokati Sokol Hazizaj thotë se me ndryshimet kushtetuese në 2016, gjykatat dhe prokuroritë në vend, janë në monitorim ndërkombëtar.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Hazizaj u shpreh se mënyra si diskutohet, lidhur për një reformë të dytë në drejtësi, është pa logjikë dhe bazament të duhur kushtetues dhe ligjor.

Sipas Hazizajt, ndoshta mund të ketë nevojë për korrigjim të hartës gjyqësore.

“Po ta shikoni me vëmendje, ndryshimet kushtetuese në 2016, gjykatat dhe prokuroritë tona janë vendosur në monitorim ndërkombëtar. Mjafton të shikosh ligjin 1996, 2016 për organet e posaçme, konstaton neni 14, që SPAK reflekton, jep opinione për të qëndruar anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit në Gjykatën e Posaçme. Mjafton kaq, kur dihet që SPAK, është në monitorim, edhe gjykata monitorohet nga ndërkombëtarë. A kemi nevojë për reformë të reformës? Mënyra si diskutohet, edhe në Kuvend, e di shumë mirë si mund të rregullohet. Biseda që bëhet janë pa logjike dhe pa bazament të duhur kushtetues dhe ligjor. Drejtësia është shërbim ndaj qytetarit.

Kryetari i KLGJ, KLP shkojnë në Kuvend dhe thonë, ne duam buxhetin, ambiente nuk ka, mos vallë duhet të korrigjojnë hartën gjyqësore? Kjo zgjidhet. Rregullon edhe drejtësinë para qytetarit, por edhe numrin që ata duan për të vendosur këshilltarë. Ke dëgjuar ta thonë? Ajo që ka ndodhur në 2016, kishte si qëllim shërbimin ndaj qytetarit. Tani thuhet duhet reformë, tani kujt do t’i shërbesh? I vetmi konkluzion, është se këta duan t’i shërbejnë vetes. Monitoruesi nuk gabon. Do jetë reformë në shërbim të qytetarëve”, theksoi ai./abcnews.al

“Irani ndezi protestat përmes medias sociale”, Rama: Për herë të parë, sistemi po lufton korrupsionin!

11 November 2026 at 21:13

Kryeministri Edi Rama, gjatë  vizitës në Dublin, komentoi protestat duke thënë se regjimi iranian ka ndërhyrë në protestat në Shqipëri përmes rrjeteve sociale.

Rama foli edhe për përfshirjen e politikës, duke përmendur një kombinim të skajeve të së majtës dhe së djathtës ekstreme, ndërsa dënoi aktet e dhunës.

“ Regjimi iranian i ka duart e veta në ndezjen e protestës përmes shumë ndërhyrjeve nëpërmjet medias sociale. Ka shumë duar të tjera që kanë hyrë dhe, pas fillimit të qershorit, protesta nuk ishte më ajo që ishte.

Tani ka disa aktorë të tjerë: opozita politike, një kombinim skajesh nga e majta dhe e djathta ekstreme, së bashku me të drejtën e tyre legjitime. Më pas kishte dhunë, e cila është e papranueshme.

Kur bëhet fjalë për gjithçka tjetër, unë jam vërtet i qetë, sepse mund t’ju drejtoj drejt raportit të Komisionit.

Në Shqipëri ka probleme me korrupsionin, por vendi po e lufton dhe, për herë të parë, kemi një sistem që po e lufton.

Jemi në një pozitë të mirë. Besoj se na duhet të rishpërndajmë më shumë, por duhet të kesh më shumë.”

❌