Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Shuhet Chris Rea/ Ndërron jetë kantautori i njohur britanik

By: Rovena
22 December 2025 at 16:08

Këngëtari britanik Chris Rea, i njohur për hitin e famshëm “Driving Home for Christmas”, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare, bëri të ditur një zëdhënës i familjes së tij.

Përveç këngës së shumëdashur të Krishtlindjeve, Rea shënoi sukses të madh muzikor në fund të viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80 me hite si “Fool (If You Think It’s Over)”, “Let’s Dance” dhe “The Road to Hell”.

Në një deklaratë të përbashkët, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij njoftuan se artisti “u nda nga jeta paqësisht më herët gjatë ditës së sotme në spital, pas një sëmundjeje të shkurtër, i rrethuar nga familja”.

Chris Rea, i lindur në Middlesbrough, ishte diagnostikuar më herët me kancer në pankreas dhe në vitin 2001 iu nënshtrua një operacioni për heqjen e pankreasit./abcnews.al

Shtyhet gjyqi për Metën/ Shkak u bë ndërrimi i avokatit të të pandehurës Ema Çoku

22 December 2025 at 15:34

Shtyhet seanca gjyqësore për dosjen e ish-presidentit Ilir Meta.  Shkak për shtyrjen e saj u bë ndërrimi i avokatit të Ema Çokut.

Seanca e radhës u caktuar më 12 janar, ora 14:30. Ilir Meta mbahet në paraburgim prej 21 tetorit të vitit 2024  pasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme për tre vepra penale, “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

Me 28 korrik SPAK mbylli hetimet për Metën ndërsa në fund të gushtit dosja u dërgua për gjykim në Gjykatën e Posaçme për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Dosja e Metës është ende në seancë paraprake dhe do të jetë gjyqtarja Irena Gjoka që do të vendosë nëse do kalojë ose jo për gjykim.

Me të njëjtat akuza si Meta përballet edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, si dhe tre persona të tjerë, Pirro Xhixho për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, dhe Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash

U arrestuan për tjetërsim pronash/ Gjykata e Apelit ndryshon masat e sigurisë për ish-zyrtarët e ASHK në Lezhë

22 December 2025 at 15:19

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masat e sigurisë të vendosura më herët nga Gjykata e Lezhës për disa ish-zyrtarë dhe specialistë të ALUIZNI-t dhe ASHK-së në Lezhë, se legalizuan disa ndërtime pa leje në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Sipas vendimit të Apelit, Gentian Malota, ish-drejtor i ASHK-së në Lezhë, Artur Shabaku, ish-përgjegjës i ALUIZNI-t në Lezhë, si dhe Artmir Maxhuni, specialist në këtë drejtori, mbeten në fuqi akuzat për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke iu caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Për inxhinieren e konstruksionit Luiza Bala dhe inxhinierin e ndërtimit Hekuran Xhina, Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Lezhës nga “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë shtetit”, në masën “arrest në shtëpi”. Këta të fundit akuzohen për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, sipas neneve 186/2 dhe 186/3 të Kodit Penal.

Hetimet janë nisur nga Prokuroria e Lezhës, e cila, në kuadër të procedimit penal nr. 135/2025, ka sekuestruar disa objekte ndërtimi pa leje, të cilat ishin legalizuar në kundërshtim me ligjin në zonën e Ranës së Hedhun. Kjo zonë është shpallur zonë me rëndësi kombëtare me vendimin nr. 01, datë 28.12.2020, të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Sipas organit të akuzës, ndërtimet janë kryer në mënyrë të paligjshme dhe më pas janë legalizuar përmes procedurave të dyshuara si abuzive. Për këtë çështje janë vendosur masa sigurie ndaj nëntë personave, të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Gjykata e Lezhës kishte vendosur më herët masa më të lehta sigurie sesa ato të kërkuara nga Prokuroria, por kjo e fundit ankimoi vendimin, duke çuar çështjen në Apel, i cili sot ka shpallur vendimin përfundimtar mbi masat e sigurisë.

Në akuzë janë edhe ish-drejtuesit e IKMT-së në Lezhë, Kol Malaj dhe Flori Gjini, për të cilët janë lënë masat e sigurisë “ndalimi i daljes jashtë shtetit” për veprën penale “Shpërdorim detyre”, ndërsa për shtetasin me iniciale P.T. është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, kryer më shumë se një herë, dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.

Berisha thërret protestë/ Ftesë dhe Lapajt, por lideri është ai vetë

22 December 2025 at 15:15

TIRANË- Sot protesta kombëtare. Nga skenarët për greva dhe demonstrata, Berisha kaloi në inagurime para festive.

“Së pari, do sqaroj, ky është një proces inaugural, në kuptimin e asaj që ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë gjer në përmbysjen e regjimit. Kjo është.”

Sot është e hënë, duhet te ishte foltore, u zëvendësua me protestë. Nga ndryshon foltorja nga protesta?

“Ne e filluam këtë me foltoren para kryeministrisë. Jo të paktë ishin ata që e përqeshën atë. Gabuan. Ajo kishte një mesazh, se ai shesh do jetë sheshi i lirisë.”

Beteja e vërtetë e doktorit janë numrat në opozitë. Thotë se Tirana po zien, por në prag Krishtlindjesh, të vetmet që ziejnë janë qendrat tregtare, lokalet dhe restorantet. Jo sheshet e doktorit.

I vetmi që ka zgjedhur të festojë në shesh është Lapaj, ndaj dhe ftesa e doktorit ishte vetëm për të.

“Lapaj ka patur dhe ka mbështetjen time për sa kohë gjendet në protestë. Ftesa ime për Lapajn dhe gjithë partitë opozitare është që të bashkohemi kundër kësaj të keqe të madhe”

Dhe një paralajmërim i fundit.

“O bie qeveria, o shuhet opozita”

Qeveria s’ka si bie, se ka ikur me pushime, rikthehet njësoj në janar, kurse Berisha ka testin e fundit, dhe sot do tregojë nëse garën e ka me Ramën për vendin e parë, apo me Lapajn e vendit të tretë?/abcnews.al

Gjyqi për Berishën/ Shtyhet seanca për dosjen “Partizani”

22 December 2025 at 14:44

Shtyhet sërish seanca gjyqësore për dosjen Partizani. Mësohet se seanca e radhës do të zhvillohet më 12 janar.

Më herët gjatë seancës, avokatja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Klodiana Gjyzari ka bërë parashtrimet e saj.

Mësohet se mbrojtja e Berishës ka argumentuar se SPAK nuk ka asnjë provë apo veprim konkret se çfarë ka bërë Berisha.

“SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cenuar pluralizmin ne Shqipëri. Janë shtrembëruar në mënyrë të dukshme faktet. Me këtë rast, kanë thënë për çdo gjë ‘fajin e ka Saliu’, por harrohet që gjatë vendimmarrjeve organet janë kolegjiale. Ka parashtrim të rremë të fakteve”, ka thënë ajo, duke shtuar: “Taulant Balla nuk e ka bërë kallëzimin si shtetas; me këtë duam të themi se nuk është e vërtetë ajo që tha gjyqtarja paraprake, se kallëzimi është bërë nga një shtetas. Balla e ka bërë kallëzimin si përfaqësues i shumicës politike. Dhe gjatë kohës së hetimeve, z. Balla ka qenë ministër i Brendshëm. SPAK e regjistroi drejtpërdrejt sapo u paraqit kallëzimi. Pavarësisht se Balla kishte paraqitur kallëzim publik, Prokuroria nuk e kishte regjistruar këtë çështje si procedim penal kryesisht. Nga përmbajtja e kallëzimit janë regjistruar këto elementë: interesi i shpronësimit të ish-pronarëve, sipas Ballës, ka nisur në vitin 2008. Sipas zotit Balla, në vitin 2008 kanë ndodhur të gjitha, dhe sipas kallëzuesit fakti që Malltezi është i afërt me kryeministrin e kohës ka sjellë këtë proces”.

Festat, bonus për disa kategori/ Ekspertja: Hap i duhur i qeverisë, ndihmë për ata që e përfitojnë

22 December 2025 at 14:33

TIRANË-  Qeveria do të mbështesë me bonus këtë fundvit disa kategori te tjera siç janë personat me aftësi ndryshe apo familjet me ndihme ekonomike. Bonusi për ta do të jetë 15 mijë lekë, ndërsa fondi është përfituar nga një tjetër rishikim i buxhetit të këtij viti, pas të cilit edhe 150 milionë euro të tjera i kalojnë skemës së pensioneve.

Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, e ftuar në “Money Report” në ABC News u shpreh se ndarja e bonusit është një lajm pozitiv dhe një ndihmesë konkrete për kategoritë që e përfitojnë.

Ajo theksoi se edhe fondet e parashikuar nga qeveria dhe, që do shkojnë për sektorin e shëndetësisë janë një ndihmë direkte për pensionistët, pasi pikërisht është kjo kategori , e cila ka nevojë të shtuar për ilaçe.

“Lajm shumë i mirë për ata individë që e përfitojnë.  Kjo ndikon dhe në uljen e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies për këta individë.Ka fonde plus për financimin, dedikuar sektorit të shëndetësisë, për ilaçe dhe për gjëra që lidhen me infrastrukturën ën tërësi. Ky është lajm i mirë sidomos për pensionistët, sepse vuajnë dhe nga sëmundje kronike dhe për pensionistët dhe për individët që janë në nevojë, fondet për shëndetësinë është një lajm i mirë”, tha ai.

Ajo u shpreh se qeveria shqiptare po e trajton me seriozitetin e duhur reformën e pensioneve.

“Po e shohim që në fundvit që kemi disa para që janë shtesë dhe do shkojnë për fondin e pensioneve, kemi dhe rritjen e pagës minimale. Projeksione për rritjen e pagës mestarë dhe lufta ndaj informalitetit fiskal dhe kjo ndikon pozitivisht në skemën e pensioneve.

Pensionistët po merren seriozisht dhe shumë shpejt do arrihet në një reformë, e cila do ketë efekt. Rritja e pagave do të ndikojë në rritjen e konsumit, por edhe nëse do ketë një inflacion, prapë pritet të jetë brenda nivelit 3%”, tha ai.

 

Gjyqi për Berishën/ Hoxha: Proces që do të zgjasë. Ndërrimi i avokatëve, truk për ta zvarritur!

22 December 2025 at 13:32

Avokati Arbër Hoxha në një intervistë në “News Line” në ABC News, komentoi procesin për gjyqin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Gjatë intervistës, Hoxha shpjegoi se nga të gjitha zhvillimet e deritanishme është një proces që do të marrë shumë kohë. Sipas tij, ndërrimi i avokatëve duket se është një strategji e përdorur për të zvarritur sa më shumë procesin.

“Si duket është strategji e mbrojtjes për të ngritur edhe një herë kërkimet Pritet të jetë një proces i gjatë dhe besoj se Berisha do ta dalë edhe në pension politik dhe besoj se do të jenë procese të gjata si ajo e Berlusconit, ku çështja e tij pushoi vetëm pasi ai ndërroi jetë.  Pra besoj se do vazhdojë me dekada dhe gjyqi më famëkeq nuk besoj se është vetëm ky por edhe gjyqi i Fatmir Mediut që zvarritet në dyert e drejtësisë deri më sot. Pra është edhe ai një proces që ka zgjatur dhe do të zgjatet akoma. Por me rëndësi nuk është vetëm zgjatja e procesit por edhe dhënia e drejtësisë që duhet të jepet brenda një afati të arsyeshëm. Pasi një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar. Por ky është një gjyq që ka të gjitha premisat të jetë i zvarritur gjatë gjithë procesit të jetës së zotit Berisha. Do t’i kushtojë ky proces shtetit shqiptar. Sigurisht mbrojtja e zotit Berisha nuk do t’i lërë të bëjnë punën e ngarkuar me ligj.  Ecuria e procesit nuk varet vetëm nga mbrojtja, ka të pandehur që kërkojnë të zvarrisin procesin gjyqësor dhe ka truke të caktuara si është ndërrimi i avokatëve për të shtyrë procesin., Por edhe gjykata në limitet e saj nga njëra anë është e detyruar të japë kohë të caktuar mbrojtjes, por edhe nga ana tjetër të caktojë avokatë që të mos ketë zvarritje të tillë”, tha ai.

Më tej avokati Hoxha tha se edhe pse gjykata është në dije të plotë që kemi të bëjmë me zvarritje, duke shtuar se “për shkak të pozicionit, jemi edhe në këtë situatë”.

“Finishi nuk shihet më me dylbi, por as me teleskop. Për të ardhur keq apo mirë këtë e vlerëson gjykata. Por besoj që do jetë një proces që do zgjasë por edhe që do vendosë standard të caktuara, është hera parë që ish-presidenti dhe ish-kryeministri po gjykohet nga Gjykata e Posacme dhe ndaj gjykata është e kujdesshme. Edhe pse është në dijeni të plotë që kemi të bëjmë me zvarritje, por për shkak të pozicionit, kemi këtë situatë dhe gjykata e posaçme përpiqet të tregohet e kujdesshme ne këtë pikë”, u shpreh ai.

/abcnews.al/

Kosovë/ Seanca për vrasjen e Liridona Ademajt, në gjyq publikohen pamje të momentit të krimit

22 December 2025 at 12:27

Para trupit gjykues në rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, janë prezantuar pamje të natës fatale të 29 nëntorit.

Prokurorja Javorka Perliçenviç ka prezantuar pamje të asaj dite, ku shfaqet Naim Murseli, i akuzuari kryesor për planifikimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, teksa del nga banesa në Bernicë dhe i bënë me shenjë, Granit Plavës, personit që akuzohet se shkrepi armën mbi viktimën.

Në këto pamje shihet edhe Liridona Ademaj para shtëpisë në Bërnicë.

Në vazhdim të prezantimit të këtyre provave, janë shfaqur edhe pamje ku Murseli është takuar me Plavën në një pikë karburanti, pompë të derivateve, ku shihen Naim Murseli dhe Granit Plava teksa flasin sëbashku.

Atë ditë Murseli së bashku me familjen, darkuan në një restorant, ku më parë prokuroria ka faktuar se ka qenë edhe Plava.

Në seancë janë shfaqur edhe pamje të renda, nga momenti kur bëhet gjuajta me armë ndaj Liridonës, ndërsa në veturë ishte së bashku me dy fëmijët e saj, e më pas dëgjohen të qarat dhe britmat e dy djemve.

Plava kishte deklaruar se vet Naim Murseli kishte përgatitur armën me 5 fishekë.

Ndër të tjera, Plava në dëshminë ka pranuar në natën e krimit ishte Naimi ai që e hapi pak xhamin e veturës, ndërsa ky i fundit shtiu me armë.

I pranishëm në seancën e fundit për këtë vit ishin të tre të akuzuarit: Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava.

Po ashtu, i pranishëm ishte edhe vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi dhe avokati mbrojtës, Leutrim Syla.

Familjarët e viktimës vijojnë të kërkojnë drejtësi për ngjarjen e shënuar më 29 nëntor të vitit 2023 ndërsa prokuroria akuzon Murselin se ka inskenuar vrasjen për të përfituar nga siguracioni i jetës së Liridona Ademajt.

“Do ndërtojmë laboratorë të akredituar nga BE”, Rama: Do finalizojmë regjistrat kombëtarë të fermave, parcelave dhe kafshëve

22 December 2025 at 11:12

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, i pranishëm aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”  theksoi se do ndërtohen laboratorë, që janë të akredituar nga Bashkimi Evropian.

Ai garantoi fermerët se qeveria do vazhdojë t’i mbështesë dhe do t’u japë atyre informacionet e domosdoshme, me qëllimin për ta kthyer sektorin e bujqësisë në një peshë kryesore të ekonomisë.

“Ne do të bëjmë sistemin integruar të administrimit dhe kontrollit. Do të finalizojmë regjistrat kombëtarë të fermave, parcelave dhe kafshëve. Është një punë e nisur dhe do ta finalizojmë.

Do të ndërtojmë deri në fund laboratorë të akredituar nga BE.

Ne do jemi të angazhuar që t’ju japim sa më shumë nga informacioni i domosdoshëm që duhet të merrni”, tha ai./abcnews.al

Mbështetja për bujqësinë/ Rama garanton fermerët: Çdo projekt që bazohet në dije, do të financohet me çdo mënyrë

22 December 2025 at 11:05

TIRANË– Kryeministri Edi Rama deklaroi se mbështetja për bujqësinë shqiptare jo vetëm që nuk do të mungojë, por do të rritet vit pas viti, duke synuar forcimin e fermës shqiptare dhe nxitjen e investimeve në sektorin bujqësor.

Rama theksoi se mbështetja e drejtpërdrejtë për bujqësinë pritet të arrijë në 100 milionë euro.

Sipas tij, edhe Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një linjë kredie inovative, ndërsa instrumente financimi do të ofrohen edhe përmes agrokredisë dhe Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Kryeministri u shpreh se synimi i qeverisë është që financimi të mos jetë më pengesë për fermerët dhe sipërmarrësit në bujqësi.

Ai shtoi se çdo projekt i qëndrueshëm, i mbështetur me dije dhe plan të qartë nga aplikantët, do të financohet, në një formë ose në një tjetër. Ai  garantoi fermerët me akses më të gjerë në burime financiare për zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

“Mbështetja jo vetëm nuk do mungojë, por do rritet vit pas viti. Me rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë, që duam ta çojmë në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit, e cila tashmë është regjistruar dhe ka gati planin për të filluar të jetësojë aktivitetin e vet. Me mbështetjen e Bankës së Shqipërisë, që ka vënë në dispozicion një linjë kredie inovative, me mbështetjen e agrokrediti, që është vënë në lëvizje dhe me mbështetjen e AZHBR dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes AZHBR, ne do të arrijmë t’i vëmë në dispozicion bujqësisë shqiptare dhe fermës shqiptare dhe të gjithë ata që duan të jetojnë me tokën një fakt: për askënd nuk do jetë çështje lekësh, nuk do jetë çështje fondesh për gjithkënd do jetë çështje e projektit të duhur dhe e garancive të duhura të dijeve për zbatimin e projektit. Çdo projekt që do jetë i duhur dhe që do mbështetet me dije nga çdo aplikant, nuk diskutohet që do financohe , në një rrugë ose në një tjetër”, tha kryeministri Rama/abcnews.al

“Do rrisim eksportet”, Rama: Produktet tona, në 80 vende të botës

22 December 2025 at 10:59

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në eksportet dhe në raportin e deficitit tregtar, krahasuar me vitet e mëparshme.

Sipas Ramës, dikur eksportet ishin një aktivitet i kufizuar vetëm për një numër shumë të vogël fermerësh, ndërsa deficiti tregtar ishte në nivele “katastrofike” në krahasim me vendet e rajonit.

I pranishëm në aktivitetin “me fermerët në Shqipërinë 2030”, kryeministri pohoi se sot eksportet shqiptare janë prezente në 80 vende të botës.

“Eksportet ishin thjesht dhe vetë aktivitet i një grushti njerëzish fermerësh, që ia kishin dalë deri aty dhe deficit tregtare ishte katastrofë unikale në rajon se në euros nuk po hymë fare të bëjmë krahasime.

Për çdo euro të eksportuar, ne importonim 9 euro në ushqim, ndërkohë që sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe ekspertët kanë kaluar gjysmë miliardë euro dhe ndërkohë deficiti nga 1 me 9 është ulur në 1 me 3 dhe përpjekja jonë është që të shkojmë 1 me 2”, tha Rama./abcnews.al

“Kontrata për bujqësinë është më e vështira”, Rama: Kjo sfidë ka anën e saj të errët dhe të ndritur

By: xhir jeta
22 December 2025 at 10:53

Pas çeljes së Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, u prezantua këtë të hënë  hapja e një faze të re për bujqësinë shqiptare, me Kapitujt 11, 12 dhe 13 në qendër të reformave drejt Bashkimit Europian.

Në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030” kryeministri Edi Rama u shpreh se kontrata për bujqësinë është kontrata më e vështirë, e cila sipas tij ka dy anë të medaljes, atë të errët dhe të ndritur.

“Një tjetër takim këtë herë për një takim pune organizuar nga Ministria e Bujqësisë për të folur për planin e veprimit dhe domosdoshmërinë e ndërveprimit që bujqësia shqiptare të përballojë sfidën e tregut europian në kontekstin e Shqipërisë, anëtare e BE. Kjo sfidë ka dy anë, ka anën e saj të errët dhe të ndritur. Ana e errët është ajo që pret cdo kënd që nuk është i përgatitur për atë ditë. Negociatat me BE dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë fjalë dhe as procese të lidhura me cfarë shkruajmë në letër, por janë kontratë shtetërore shumë komplekse. Kontrata për bujqësinë është më e vështira, ashtu sic është edhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet e kontrollet. Unë besoj shumë te ju dhe te ata që në kushtet të pakrahasueshme me sot, një dekadë më parë ishin te toka dhe përballeshin me një sfidë mbijetese të jashtëzakonshme. Kush e ka kaluar atë sfidë kam besim se do e kalojë edhe këtë. Ka të bëjë me vullnetin për të bërë sukses. Asokohe bujqësia ishte një sektor i braktisur totalisht. Numri I fermerëve që merrnin mbështetje nga shteti ishte 5600 sot është 67 500, dhe është një mbështetje që peshon në portofolin e fermës.”- u shpreh Rama.

Plagosja në Kukës, dorëzohen në polici dy vëllezërit

22 December 2025 at 10:48

KUKËS- Dy vëllezërit,  Fatri dhe Ndricim Iseberi, autorë të dyshuar të plagosjes në Kukës, janë vetëdorëzuar në polici.

Në një njoftim zyrtar policia sqaron se këta dy shtetas janë konfliktuar fizikisht me shtetasin 65 vjeç, për motive të dobëta, një ditë më parë në vendin e quajtur “Dëshmorët”.

Gjatë konfliktit, shtetasi Ndricim Iberi e ka goditur me qytën e pistoletës shtetasin Sadik Kapica si dhe ka plagosur rëndë nga pakujdesia, shtetasin Amarildo Cena 36 vjeç, i cili nuk ishte i përfshirë në konflikt.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit e dyshuar përdorur në ngjarje.

Materialet procedurale shtesë iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.

Masat e Policisë për festa/ Shtohen patrullat dhe prania e efektivëve në rrugë dhe sheshe

22 December 2025 at 10:18

TIRANË– Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të vitit të Ri 2026. Ky plan parashikon shtimin e forcave të efektivëve në rrugë e sheshe, si dhe shtim i kontrolleve në pikat e kalimit kufitar.

Njoftimi mbi masat e marra: 

Me qëllim përmbushjen e këtyre objektivave të rëndësishëm, si dhe parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, me detyra të mirëpërcaktuara për çdo strukturë policore vendore dhe qendrore.
Masat konsistojnë në:

-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale;

-menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve në PKK-të gjatë hyrjeve/daljeve të shtetasve në territorin e vendit, duke shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, do të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit;

-rritjen e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimin e patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare;

-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë, alkooltestues, si dhe shtimin e patrullave të lëvizshme të Policisë Rrugore në të gjitha qendrat urbane dhe akset rrugore urbane e interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave te sigurisë rrugore.

(Në këtë kuadër, sqarojmë se deklarata publike e bërë nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta se punonjësit e Policisë kanë urdhër të plotësojnë sa më shumë masa administrative pasi në rast se nuk plotësojnë numrin e kërkuar kërcënohen për transferime apo ulje në detyrë, është tërësisht e pavërtetë. Theksojmë për qytetarët dhe opinionin publik se nuk ka asnjë urdhër të tillë për të plotësuar një numër të caktuar masash administrative.
Masat administrative, ashtu si fushatat sensibilizuese dhe masat këshilluese, janë mjete që përdoren ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kanë objektiva vetëm garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve)

-bashkëpunimin me organet e pushtetit vendor dhe drejtuesit e institucioneve fetare për mbarëvajtjen e ceremonive festive për Krishtlindje dhe Vit të Ri, si dhe koordinimin e veprimeve me Policitë Bashkiake në qarqe;

-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë ndërrimit të viteve;

-shtimin e masave për mbajtjen nën kontroll të rendit dhe sigurisë në ambiente te ndryshme, restorante, lokale dhe qendra tregtare që kanë frekuentim të lartë qytetarësh, me qëllim parandalimin e konflikteve dhe ngjarjeve kriminale;

-sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale;

-intensifikimin e kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike (fishekzjarre, kapsolla), në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese;

-rritjen e gatishmërisë dhe shtimin e shërbimeve policore në banka, zyra të këmbimit valutor, qendra tregtare, tregje te ndryshme dhe objekte të tjera ku administrohen vlera monetare dhe materiale;

-bashkëpunimin me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e masave te sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.

Ndërkohë, shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast se do të jetë e nevojshme.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe në këtë kuadër, i fton ata të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë, duke denoncuar ne numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte, përgjatë ditëve dhe netëve festive.

Dumani i dorëzon detyrën/ Braho merr drejtimin e SPAK: Misioni, përtej mandateve individuale

22 December 2025 at 10:09

Altin Dumani i ka dorëzuar këtë të hënë detyrën kreut të Prokurorisë së Posaçme Klodian Braho.

Gjatë fjalës së tij, Braho shprehu vlerësim për zgjedhjen e tij në krye të këtij institucioni, duke thënë se misioni i SPAK shkon përtej mandateve.

“Shpreh falënderimin tim, marrja e detyrës është angazhim për të respektuar ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK. Vlerësoj paraardhësit e mi në detyrë, zotin Kraja, zotin Dumani për guximin duke forcuar profilin e SPAK. Fokusi im do të mbetet respektimi rigoroz dhe respektimin e ligji. Institucioni do komunikojë në mënyrë të qartë, misioni i SPAK shkon përtej mandateve”, tha Braho.

/abcnews.al/

Festat, bonus për disa kategori/ Qeveria jep 15 mijë lekë për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe

22 December 2025 at 10:06

TIRANË- Qeveria shqiptare ka vendosur të ndajë bonuese për disa kategori të shoqërisë. Lajmi u dha nga ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili tha se qeveria ka miratuar Aktin Normativ të fundvitit, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, do të akordohet një masë financiare prej 15 mijë lekësh, ose rreth 150 eurosh, për secilin përfitues. Nga kjo paketë do të përfitojnë gjithsej 148 500 qytetarë, ndërsa fondi total i vënë në dispozicion arrin në 2,2 miliardë lekë”, tha ministri Malaj.

Ministri u shpreh se një nga vendimet e Këshillit të Ministrave lidhet me përdorimin e fondeve të pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore.

Ai pohoi se të gjitha fondet që nuk do të shpenzohen nga këto institucione të kalojnë në fondin e posaçëm të pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.

“Bazuar në një vlerësim paraprak, shuma që minimalisht pritet të transferohet në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve”, u shpreh Malaj./abcnews.al

 

I dërguari special i SHBA: Bisedimet e paqes për Ukrainën produktive dhe konstruktive

22 December 2025 at 09:23

Gjatë tri ditëve të negociatave në Florida, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë zhvilluar bisedime me dhe pa përfaqësues evropianë mbi mënyrat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

”Diskutimet midis negociatorëve ukrainas dhe amerikanë mbuluan garancitë shumëpalëshe të sigurisë, si dhe garancitë e sigurisë amerikane”, shkruan në mënyrë identike në X i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff dhe negociatori kryesor ukrainas, Rustem Umerov.

Ata thanë se bisedimet trajtuan gjithashtu zhvillimin e mëtejshëm të planeve për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, ndërsa vendi vazhdon të mbrohet nga pushtimi i Rusisë.

“Gjatë tri ditëve të fundit në Florida, delegacioni ukrainas zhvilloi një sërë takimesh produktive dhe konstruktive me partnerët amerikanë dhe evropianë”, thanë postimet.

“Ukraina mbetet plotësisht e përkushtuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shtuan ato.

Delegacionet ukrainase, ruse dhe evropiane ishin në Miami gjatë fundjavës për të vazhduar negociatat për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia rreth katër vjet më parë, megjithëse nuk u zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta midis zyrtarëve ukrainas dhe rusë.

Përfaqësuesit ukrainas, amerikanë dhe evropianë kishin zhvilluar bisedime të dielën dhe të hënën e kaluar në Berlin, mes një shtytjeje të intensifikuar diplomatike për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.

Negociatori rus Kirill Dmitriev, këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin, i përshkroi bisedimet në Miami si konstruktive pas raundit të parë të së shtunës, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

“Gjatë dy ditëve të fundit në Florida, i Dërguari Special rus Kirill Dmitriev zhvilloi takime produktive dhe konstruktive me delegacionin amerikan për të çuar përpara planin e paqes të presidentit Trump për Ukrainën”, tha Witkoff në një postim në X.

Asnjë nga palët e përfshira nuk zbuloi nëse ishte bërë përparim i vërtetë.

EMRI/ Akuzohet për drogë, arrestohet në Tiranë 37-vjeçari, pritet ekstradimi në Spanjë

22 December 2025 at 08:41

Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 76”. Në pranga ka rënë 37-vjeçari, Gjergji Ceka alias Gjergj Kola.

Ky shtetas akuzohet nga Gjykata e Malagës, për kultivim të bimëve narkotike.

Gjithashtu ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Malagës, Spanjë, me vendimin e datës 14.11.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.

Paris/ Punonjësi i Pallatit Elysee akuzohet për vjedhje, vlera arrin rreth 40 mijë euro

22 December 2025 at 07:43

Një punonjës në Pallatin Elysee në Paris është arrestuar për vjedhje të enëve të argjendit dhe porcelanit, mes një vale vjedhjesh në institucionet franceze të profilit të lartë, raporton “The Guardian”.

Hetuesit kanë arrestuar një burrë dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar. Ata akuzohen për vjedhje të sendeve me vlerë nga rezidenca zyrtare e presidentit francez në Paris dhe ishin përpjekur më pas t’i shesin në faqet e ankandit online si “Vinted”.

Kryepunëtori në Pallat njoftoi autoritetet për objekte të humbura, disa prej të cilave konsiderohen objekte të trashëgimisë kombëtare.

Sendet vlerësohen të kenë një vlerë totale rreth 40 mijë euro.  Shumica e tyre vinin nga “Sevres Manufactory” në Paris, një fabrikë e famshme porcelani që është në pronësi të shtetit francez që nga viti 1759.

Hetuesit nisën të merrnin në pyetje stafin në Elysee pasi personeli i fabrikës vërejti disa gjësende të humbura që po shiteshin në faqet e ankandeve.

Parashikimi i motit, 22 dhjetor 2025

22 December 2025 at 07:10

Ditën e Hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët e vranësira kalimtare.

Mjegulla/mjegullina do të jenë prezente në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes kryesisht përgjatë zonave luginore.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 5 m/sek.

Deti – Valëzimi forcës 1 ballë.

❌
❌