Celularët, Kushtetuesja kufizon SPAK/ Avokati: Vendimi përcakton përfundimisht se çfarë duhet përdorur dhe çfarë jo
TIRANË- Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë padisë së një personi, i cili ishte ankuar se SPAK dhe GJKKO, pas sekuestrimit të celularit, i kishin marrë dhe përdorur të gjitha të dhënat personale, që kishin gjetur në aparat.
Kushtetuesja e ka quajtur këtë shkelje të të drejtave të njeriut dhe të privacisë dhe ka urdhëruar përdorimin vetëm të komunikimeve për çështje në hetim, të cilat do të përcaktohen si të tilla paraprakisht me vendim gjykate, duke i vënë kështu një vijë të kuqe kufizuese SPAK-ut dhe GJKKO-së.
Avokati i njohur Arbër Hoxha,i ftuar në “Ora e Fundit”, u shpreh se vendimi i Kushtetuese normoi një rregull dhe standard, me të cilin deri tani është abuzuar ndjeshëm.
Sipas tij, kufizimi i të drejtës për të përdorur të dhënat në celularë apo mjete të tjera është në vazhdën e shtetit të së drejtës dhe në përputhje me normat e Konventës së të drejtave të njeriut.
“Liria e komunikimit dhe fshehtësia e komunikimit garantohen nga Kushtetuta dhe nga Konventa e të Drejtave të Njeriut. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese normon Prokurorinë e Posaçme dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, që të mbajnë parasysh të drejtat e njeriut për fshehtësinë e komunikimeve dhe përdorimi i të dhënave duhet të jetë i lidhur me objektin e hetimit për të cilin është kërkuar nga Prokuroria dhe të miratuar nga Gjykata.
Ky është vendim i rëndësishëm pasi përcakton përfundimisht se çfarë duhet përdorur dhe çfarë jo. Vendimi i Kushtetueses nuk duhet kuptuar si vendim kundër SPAK, por është në vazhdën e shtetit të së drejtës. Deri tani, Prokuroria e ka zbatuar pak ose shumë pak këtë gjë”, tha ai.
Ai u shpreh se pas këtij vendimi, asnjë peron nuk duhet të dorëzojë telefonin, pa iu komunikuar një vendim gjykata.
“Çdo person, i cili merret në cilësinë e të pandehurit, tani është i detyra e oficerëve të OPGJ, të cilët duhet t’i bëjnë me dije personin që të kenë të pranishëm mbrojtësin. Nuk mund t’i sekuestrohet tani telefoni sipas vendimit të Kushtetuese, pa një vendimmarrje nga ana e gjykatës”, tha ai./abcnews.al
