Berat Gjimshiti mbyll vitin për shkak dëmtimi
TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka mbyllur sezonin për këtë vit pas një dëmtimi në këmbën e djathtë.
Shqiptari u zëvendësua në pjesën e dytë të ndeshjes së fundit të kampionatit Seria A kundër Cagliarit, ku ndjeu shqetësime fizike.
Testet mjekësore kanë konfirmuar një lëndim muskulor të shkallës së parë, që nuk paraqitet serioz, por do ta mbajë Gjimshitin jashtë fushave për disa javë.
Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, mbrojtësi shqiptar do të humbasë dy ndeshjet e ardhshme, ndaj Genoas më 21 dhjetor dhe ndaj Interit më 28 dhjetor.
Në dyshim mbetet pjesëmarrja e tij në sfidën ndaj Romës, që është planifikuar për më 3 janar.
Dy ditë më parë, në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë”, kapiteni Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”, për të dytin vit radhazi.
Çmimin e veçantë ia dorëzoi Kryeministri Edi Rama.
Berat Gjimshiti udhëhoqi Kombëtaren shqiptare drejt një tjetër arritjeje historike, duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të Kupës së Botës, ku Shqipëria, për herë të parë në histori, në mars të vitit 2026 do të tentojë të sigurojë një vend në Botëror.
Përzgjedhja e tij si “Lojtari i Vitit i Kombëtares” u bë përmes votave të vetë futbollistëve të Kombëtares shqiptare.
/gj.m/a.f/
The post Berat Gjimshiti mbyll vitin për shkak dëmtimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.