Tirana, Vllaznia e Teuta gjobiten nga Komisioni i Etikës në FSHF
TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Komisioni i Disiplinës dhe Etikës i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka gjobitur Tiranën, Vllazninë dhe Teutën për sjellje të gabuar të tifozëve.
Në vendimet e publikuara nga FSHF, nga skuadrat e Superligës vërehet se janë gjobitur tri skuadra.
Sipas vendimeve, KF Vllaznia është dënuar me 50.000 lekë për sjellje të gabuar të spektatorëve gjatë sfidës me Bylisin, përfshirë hedhjen e sendeve në fushë dhe ndezjen e mjeteve piroteknike.
KF Tirana u gjobit po ashtu me 50.000 lekë për mosrespektim të detyrimeve dhe përgjegjësive, duke shkaktuar vonesa në fillimin e lojës.
Ndërkaq, KF Teuta mori një gjobë në masë 50.000 lekë për mosrespektim të përgjegjësive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke lejuar persona të paautorizuar në ambientet e brendshme të stadiumit.
Vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në FSHF:
- KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe ndezje mjetesh piroteknike, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
- KF Tirana, për mosrespektimin e detyrimeve dhe përgjegjësive dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa në fillimin e lojës, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
- KF Teuta, për mosrespektim të përgjegjësive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke lejuar persona të paautorizuar në ambientet e brendshme të stadiumit, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
- KF Iliria, për mosrespektim të përgjegjësive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke cënuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, ku janë përdorur kore fyese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë, si dhe me zhvillimin e 5 ndeshjeve pa praninë e spektatorëve. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Në zbatim të nenit 58 të Rregullores së Aktivitetit, KF Iliria urdhërohet të dërgojë për miratim listën e zyrtarëve të cilët do të qëndrojnë në tribunë, tek delegati i ndeshjes, të paktën 48 orë përpara fillimit të çdo ndeshje deri në përfundim të dënimit.
- Lojtari i KF Iliria, Brajan Selmani, për kërcënim të zyrtarëve të ndeshjes si dhe për mosrespektim të vendimit nr. 15, datë 05.12.2025, në bazë të neneve 14/1/k dhe 29/1/d të KDE, dënohet me pezullim nga çdo veprimtari e organizuar nga FSHF për një periudhë prej 10 ndeshjesh. Kohës së re të dënimit i shtohet periudha e pashlyer e dënimit të mëparshëm të vendimit nr. 15, datë 05.12.2025.
- Zyrtari i KF Iliria, Petrit Selmani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
- Zyrtari i KF Skënderbeu, Gentian Lico, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i KF Skënderbeu, Mario Gjata, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtar, dënohet me 3 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i KF Laçi, Taleb Khalil, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtar, dënohet me 3 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- FC Lushnja, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 50.00 lekë. Gjoba të aplikohet në masën 50%.
- Zyrtari i FK Kukësi, Florian Biba, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
- Zyrtari i FC Lushnja, Mario Sula, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
*Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 ditëve përpara Komisionit të Apelit.
/r.e/
The post Tirana, Vllaznia e Teuta gjobiten nga Komisioni i Etikës në FSHF appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.