Vllaznia mposht Vorën dhe kryeson Superioren, Partizani përmbys Bylisin në limite
TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Java e 23-të e Kategorisë Superiore ka prodhuar emocione dhe rezultate të rëndësishme në luftën për klasifikimin e superligës, me Vllazninë që konfirmon formën e shkëlqyer dhe Partizanin që rikthehet te fitorja me një përmbysje dramatike në transfertë.
Vllaznia regjistroi fitoren e gjashtë radhazi, duke mposhtur 1-0 Vorën dhe duke u shkëputur në krye të kampionatit. Shkodranët siguruan tri pikë të arta falë një supergoli të Sherif Kallakut në fundin e pjesës së parë, i cili me një goditje të saktë me të majtën dërgoi topin në rrjetë.
Pavarësisht përpjekjeve të Vorës në pjesën e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar. Me këtë sukses, Vllaznia kryeson renditjen me 45 pikë, ndërsa Vora renditet në vendin e shtatë me 25 pikë.
Në Ballsh, Partizani arriti një fitore dramatike 2-1 ndaj Bylisit, në një ndeshje që u vendos në minutat e fundit. Të kuqtë e nisën takimin me vështirësi dhe u ndëshkuan në minutën e 30-të, kur Sandeu kaloi në avantazh vendasit.
Pjesa e dytë ishte e ekuilibruar, deri në fundin e saj, ku Partizani reagoi fuqishëm. Toma barazoi shifrat në minutën e 81-të, ndërsa Human realizoi golin e fitores në minutën e 91-të, duke përmbysur rezultatin.
Pas këtij suksesi, Partizani ngjitet në vendin e pestë me 30 pikë, ndërsa Bylis mbetet në vendin e tetë me 20 pikë. Fitorja e Partizanit është një asist për Tiranën e Vlorën në sfidën e mbijetesës.
Rezultate:
Bylis-Partizani 1-2
Vllaznia – Vora 1-0
Elbasani-Teuta Ora 16:30
Flamurtari – Egnatia Ora 19:00
Të shtunën:
Tirana-Dinamo City Ora 13:30
Klasifikimi: Vllaznia 45 pikë, Egnatia 39, Elbasani 39, Dinamo City 34, Partizani 30, Teuta 27, Vora 25, Bylis e Tirana me 20 dhe Flamutari 19
*Bylis, Partizani, Vllaznia e Vora kanë një ndeshje më shumë
/gj.m/r.e/
The post Vllaznia mposht Vorën dhe kryeson Superioren, Partizani përmbys Bylisin në limite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.