Osmani: 345 mijë nxënës në sistemin parauniversitar, 30 shkolla të reja këtë vit
TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani u shpreh sot se në të gjithë sistemin arsimor në vend, ka trupa mësimore të angazhuara për cilësinë në mësimdhënie, por edhe për sigurinë në shkolla.
Osmani bëri një prezantim të programit të ministrisë së Arsimit për vitin 2025-2026, gjatë seancës së dytë të Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, që rinisi me kërkesë të ¼ të anëtarëve të shumicës parlamentare të komisionit.
Zëvendësministrja Osmani fillimisht u ndal tek ngjarja e ndodhur në Kamzë, në gjimnazin “Ibrahim Rugova”.
Osmani tha se Policia e Shtetit ka dalë me një informacion të plotë dhe të saktë për atë që ka ndodhur, jo në mjediset e shkollës, por jashtë mjediseve të shkollës.
“Kur situata ka ndodhur ka qenë prezentë drejtoresha e shkollës, oficerët e sigurisë, shërbimi psiko-social që kanë qenë të parët për të ndihmuar dhe kuptuar situatën. Pas kësaj kompetenca i ka kaluar Policisë së Shtetit, sipas së cilës dy prej nxënësve janë nën hetim. Nga ana e shkollës, në fillim të vitit shkollor ngrihen komisionet antibullizëm që rakordojnë punën, oficeri i sigurisë ka një plan të miratuar nga drejtoria e shkollës për bashkërendimin e punës që garanton sigurinë e nxënësve në shkolla”, tha ajo.
Sipas Osmanit, që nga muaji maj ka një ndryshim në VKM-në për sigurinë në shkolla.
Osmani theksoi se janë marrë masat nga ana e Ministrisë së Arsimit për të shtuar numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla.
“Në shkollat me mbi 350 nxënës do të ketë një oficer sigurie, ndërsa në shkollat me numër më të lartë se 900 nxënës do të ketë dy oficerë sigurie. Janë 115 oficerë sigurie të certifikuar nga Ministria e Arsimit, që ka një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme”, pohoi Osmani.
“Viti i ri shkollor nisi në 8 shtator me të gjitha masat organizative për të garantuar cilësi në mësimdhënie. Regjistrimi i nxënësve për periudhën 2025-2026 ka vazhduar deri në 31 gusht, ku çdo prind përmes portalit qeveritar regjistroi fëmijën në sistemin parauniversitar”, cilësoi Osmani, ndërsa theksoi se rezultojnë 345 mijë nxënës të regjistruar në gjithë sistemin parauniversitar.
Zëvendësministrja e Arsimit u ndal edhe te investimet në infrastrukturën shkollore, ku pohoi se 30 shkolla të reja të rehabilituara kanë mirëpritur nxënësit që rikthehen në shkolla me standarde bashkëkohore.
“Janë miratuar 40 projekte të infrastrukturës arsimore sportive, ndërsa janë angazhuar 2260 mësues ndihmës për gjithëpërfshirjen në sistemin arsimor. Pra, një mësues për dy nxënës me aftësi ndryshe. Me ndryshimet e udhëzimit, besojmë se raporti do jetë një mësues për një nxënës me aftësi ndryshe”, cilësoi ajo.
Gjithashtu, Osmani shtoi se gjithashtu janë angazhuar 640 mësues koordinatorë që sigurinë cilësinë arsimore në shkolla, por kanë edhe rolin e orientimit të karrierës për nxënësit.
“Janë instaluar 340 laboratorë inteligjentë në shkolla, ku nxënësit mund të eksperimentojnë. Por, ne kemi nisur procedurat që do të shkojmë deri në 1000 laboratorë në shkolla dhe për herë të parë klasa e katërt ka kurrikulën e re për inteligjencën artificiale”, tha Osmani.
/e.i/
The post Osmani: 345 mijë nxënës në sistemin parauniversitar, 30 shkolla të reja këtë vit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.