TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Qytetarët dhe bizneset shqiptare po shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë mundësitë e dixhitalizimit të shërbimeve publike përmes platformës e-Albania, duke aplikuar për vërtetimin elektronik të përgjegjësive tatimore, i pajisur me vulë elektronike. Dokumenti gjenerohet në kohë reale dhe ofron një zgjidhje të thjeshtë dhe të shpejtë për çdo subjekt tatimpagues, duke lehtësuar procedurat administrative dhe garantuar besueshmëri ligjore.
Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në nëntor 2025 janë regjistruar 16,487 aplikime, duke reflektuar një trend të qartë rritjeje të përdorimit të shërbimeve dixhitale në sektorin fiskal. Ky rritje tregon gjithashtu besimin në sistemin elektronik dhe rëndësinë e tij në përshpejtimin e proceseve për qytetarët dhe bizneset.
Vërtetimi elektronik i përgjegjësive tatimore mund të përdoret për çdo qëllim ligjor, duke përfshirë procedurat për tendera, aplikimet për financime, ose për realizimin e detyrimeve administrative ndaj institucioneve publike. Dokumenti është i pajisur me vulë elektronike, që garanton autenticitetin dhe vlefshmërinë ligjore në çdo rast.
Shërbimi i ofruar nga e-Albania është pjesë e strategjisë për modernizimin e administratës publike dhe dixhitalizimin e shërbimeve, duke synuar lehtësimin e qasjes në dokumente zyrtare, reduktimin e kohës dhe kostove për qytetarët, si dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve shtetërore.
Ky trend tregon se dixhitalizimi i shërbimeve publike po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në përmirësimin e ndërveprimit midis qytetarëve, biznesit dhe administratës.
TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Aplikimi për regjistrimin e gradave shkencore dhe titujve akademikë tashmë mundësohet online përmes portalit “e-Albania”.
Ky shërbim ofrohet për subjektet që veprojnë në fushën e arsimit të lartë dhe synon të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e regjistrimit të dokumentacionit akademik.
Për të përfituar nga shërbimi, aplikantët duhet të zgjedhin në portal shërbimin “Regjistrimi i gradave shkencore dhe titujve akademikë”. Regjistrimi i gradave apo titujve akademikë është i vlefshëm për një afat të pacaktuar.
Koha e marrjes së shërbimit është 15 ditë nga momenti i aplikimit.
Shërbimi online përmes e-Albania synon të rrisë transparencën, efikasitetin dhe aksesin e subjekteve të arsimit të lartë në shërbimet administrative.
TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ – Agjencia Shtetërore e Kadastrës pritet që në fund të vitit të ardhshëm të shndërrohet në një institucion tërësisht digjital.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale thekson se “Shqipëria po shënon një rekord të ri të revolucionit digjital me tashmë 10 shërbime kadastrale të automatizuara përmes teknologjisë blockchain, ndërkohë që tashmë përmes e-Albania mund të kryhen edhe pagesa online direkt nga karta bankare”.
Drejtoresha e përgjithshme Lorena Goxhobelli, në një tryezë partneriteti të organizuar për të diskutuar arritjet, risitë dhe sfidat e ASHK-së në këtë fazë transformimi, tha se puna për digjitalizimin po ecën me ritme shumë të mira dhe se ky proces jo vetëm lehtëson punën e përditshme të kësaj agjencie, por mbi të gjitha rrit ndjeshëm cilësinë dhe sigurinë e informacionit kadastral për çdo qytetar.
“Jemi më pranë se kurrë digjitalizimit të hartave kadastrale. Së bashku me UNOPS, kemi nisur punën dhe një proces që kërkon kohë, për digjitalizimin e plot të 33 mijë planshetash. Fundi i 2026 do të na gjejë me një Kadastër tërësisht digjitale”, tha Goxhobelli.
Kadastra e ka çuar së fundi në 10 numrin e shërbimeve automatike përmes teknologjisë blockchain, si dhe ka finalizuar kryerjen e pagesës direkt nëpërmjet portalit “e-Albania” me kartë bankare, pa qenë nevoja të paraqiteni në postë apo në sportelet e bankave.
“Digjitalizimi i të dhënave dhe përdorimi i teknologjisë blockchain na ka dhënë mundësinë që të automatizojmë një pjesë të shërbimeve tona. Në fillim të 2025, kishim 5 shërbime automatike dhe sot që flasim kemi 10 shërbime të tilla që iu ofrohen qytetarëve. Aktualisht 10 deri në 15% e shërbimeve tona ditore gjenerohen automatikisht nga sistemi”, u shpreh drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli.
Ajo theksoi po ashtu se është finalizuar edhe mundësia e kryerjes së pagesës nëpërmjet e-Albania me kartë bankare.
“Një funksionalitet për të cilin kemi punuar intensivisht me AKSHI-n këto muajit e fundit dhe më vjen mirë që më në fund e finalizuam, sepse tashmë qytetarëve nuk do t’u duhet më që të qëndrojnë në sportelet e bankave dhe të Postës në këtë rast, dhe jo më të ASHK-së dhe mund ta bëjnë pagesën aty ku bëjnë aplikimin vetëm me një klik”, u shpreh Goxhobelli.
E megjithatë, tha ajo, transformimi digjital nuk do të thotë distancim nga qytetari. “Përkundrazi, synon thjeshtim, aksesueshmëri dhe kohë më të shkurtër trajtimi për aplikimet. Shfrytëzimi i avantazheve që krijon Inteligjenca Artificiale mbetet një tjetër objektiv ambicioz i ASHK-së përgjatë vitit 2026”, theksoi Goxhobelli në vijim të fjalës së saj.
Sipas saj, me përfundimin e digjitalizimit të të dhënave kadastrale krijohen të gjitha parakushtet për shfrytëzimin e përfitimeve që sjell përdorimi i Inteligjencës Artificiale.
Ndërsa fokusi strategjik i këtij viti ka qenë digjitalizimi dhe regjistrimi fillestar, dy procese themelore që jo vetëm po përmirësojnë shërbimin ndaj qytetarëve, por po vendosin edhe bazat e forta për garantimin e sigurisë dhe qartësisë së të drejtave pronësore, një tregues tjetër domethënës për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës është ulja e kohës së trajtimit të aplikimeve të qytetarëve.
Aktualisht, 79 për qind e aplikimeve trajtohen brenda afateve ligjore.
Ta pranishëm në Tryezën e Partneritetit të ASHK-së ishin ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, shefja e Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE, Ritva Heikkinen, kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, Giulia Re dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shqiptare dhe grupeve të interesit të lidhura me çështjet e pronësisë, shërbimit noterial, tregut imobilar etj.
TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Numri i qytetarëve që janë regjistruar si punëkërkues përmes portalit e-Albania ka shënuar rritje të ndjeshme këtë vit.
Sipas të dhënave të publikuara nga portali e- Albania, nga janari në tetor të këtij viti janë regjistruar 19,721 aplikime online, në krahasim me 14,065 aplikime të së njëjtës periudhë një vit më parë.
Me bazë vjetore numri i qytetarëve që janë regjistruar si punëkërkues përmes portalit e-Albania është rritur me 5,656 aplikues.
Regjistrimi online vijon të jetë një prej shërbimeve më të përdorura të platformës, duke lehtësuar procesin për qytetarët që kërkojnë punë dhe duke reduktuar nevojën për paraqitje fizike në zyrat e punësimit.
Tregu i punës vijon të shfaqë përmirësime të qëndrueshme, duke reflektuar rritje të punësimit dhe ulje të papunësisë, sipas BSH-së.
Të dhënat më të fundit tregojnë se punësimi në sektorin privat jobujqësor është rritur me 3,4%, ndërsa shkalla e papunësisë ka zbritur në nivelin 8,5%, një nga treguesit më të ulët të viteve të fundit. e.xh/j.p/
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka ndarë një video në rrjetet sociale, ku bën me dije se platforma e-Albania vë në dispozicion një shërbim të ri elektronik, i cili u mundëson studentëve dhe ish-studentëve të informohen dhe të verifikojnë online, në kohë reale, numrin e tyre të matrikullimit. Ky numër unik është i domosdoshëm për një sërë procesesh administrative dhe akademike.
TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Platforma e-Albania vë në dispozicion një shërbim të ri elektronik, i cili u mundëson studentëve dhe ish-studentëve të informohen dhe të verifikojnë online, në kohë reale, numrin e tyre të matrikullimit. Ky numër unik është i domosdoshëm për një sërë procesesh administrative dhe akademike.
Përmes shërbimit “Informacion mbi statusin e numrit të matrikullimit”, përdoruesit mund të kontrollojnë lehtësisht nëse numri i tyre është aktiv, në proces verifikimi apo është refuzuar.
Shërbimi i ri synon të rrisë transparencën dhe të thjeshtojë procedurat, duke shmangur paraqitjet fizike pranë institucioneve arsimore.
Numri i matrikullimit shërben si element kyç për verifikimin e statusit të studentit, aplikimet për punë, proceset pranë universiteteve dhe saktësimin e të dhënave akademike.
Falë këtij shërbimi elektronik, studentët përfitojnë akses të menjëhershëm në informacionin e tyre personal akademik, duke kursyer kohë dhe duke lehtësuar komunikimin me institucionet.
Shërbimi mund të aksesohet përmes portalit zyrtar të e-Albania, në seksionin dedikuar të arsimit. /j.p/
TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Qytetarët, operatorët turistikë dhe vizitorët e huaj tashmë mund të rezervojnë dhe të blejnë online biletat për vizitat në lokacionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, përmes platformës e-Albania.
Ky shërbim i ri synon të lehtësojë procesin e blerjes së biletave, duke ofruar një mënyrë të sigurt dhe të shpejtë për të vizituar destinacionet më të njohura kulturore të vendit.
Përmes këtij shërbimi, vizitorët mund të blejnë biletat e tyre për: muzetë e Krujës, Beratit dhe Shkodrës; Kalatë e Shkodrës dhe Gjirokastrës; Parkun Arkeologjik të Apolonisë.
Ky hap është pjesë e nismave të qeverisë për dixhitalizimin e shërbimeve publike dhe promovimin e turizmit kulturor në Shqipëri.
Nëpërmjet e-Albania, çdo vizitor mund të sigurojë biletën e tij online, me vetëm pak klikime, duke përjetuar më lehtë historinë dhe kulturën e pasur të vendit. e.xh/j.p/
Prej më shumë se tre muajsh anëtarë të pakicave Rome dhe Egjiptiane në Shqipëri po hasin vështirësi në marrjen e shërbimeve publike bazë. Arsyeja për këtë situatë është bërë bllokimi i Komisionit të Posaçëm për Pakicat Etnike pas shkarkimit të zëvendësministrit të Brendshëm që e drejtonte atë.
Ky komision institucional i ministrisë shqyrton formularët e vetëdeklarimit të përkatësisë etnike dhe garanton ushtrimin e të drejtave të pakicave kombëtare dhe mos-diskriminimin e tyre. Mosfunksionimi i tij ka pezulluar përfitimet për qindra familje, nga bursat e fëmijëve te përjashtimet nga tarifat e çerdheve, kopshteve dhe bonuset e qirasë.
Sipas aktivistes Jeta Pera, janë grumbulluar mbi 300 formularë vetë-deklarimesh që presin shqyrtim nga komisioni, i cili nuk ka funksionuar pasi në shtator ministrja Albana Koçiu shkarkoi zëvendësministrin Andi Mahila.
“Sapo është emëruar zëvendësministrja e re [Silva Caka] kështu që do të merret kohë të rishikohen, por edhe ato vetë do të duhet të rishikojnë VKM-në për mënyrën e funksionimit të këtij komisioni,” analizoi Pera.
Sipas saj procesi është i ndërlikuar për shumë njerëz, anëtarë të këtyre komuniteteve, të cilët kanë vështirësi në lexim e shkrim. Kjo i përball ata me pengesa në plotësimin e formularëve, çka u kufizon aksesin në shërbimet arsimore dhe sociale.
Pera theksoi për Citizens.al, shqetësimin te vonesa e procesit, pasi komisioni mblidhet vetëm dy herë në vit teksa një formular mund të kërkojë deri në 60 ditë për përgjigje.
“Kjo tani krijon këtë hendekun kohor që ti duhet të presësh shumë kohë, edhe një muaj është një kohë e gjatë që të shkosh të marrësh shërbimin,” vijoi Pera.
Më 23 tetor, pesë organizata që advokojnë për të drejtat e pakicave: “Drejtësi Sociale”, “Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome”, “Qendra për Advokim Social”, “Qendra TREJA” dhe “Qendra për Fuqizim dhe Organizim Komunitar”, njoftuan një protestë para Ministrisë së Brendshme.
Gentian Sejrani nga organizata “Drejtësi Sociale” u shpreh se komisioni nuk po funksiononte, duke bllokuar çdo përfitim për qytetarët.
“Pa vendimin e komisionit, qytetarët nuk mund të përfitojnë as bursat, as bonuset e qirasë apo përjashtimet nga tarifat e kopshteve” tha ai duke treguar se shqetësimin ia kishin drejtuar ministrisë me një e-mail, por që nuk kishin marrë përgjigje.
Pas njoftimit të protestës, organizatat u ftuan në një takim me zëvendësministren e re Silva Caka, e cila ende nuk ka marrë detyrën si kryetare e Komisionit të Posaçëm.
“Për shkak se nuk donin të kishin njerëz poshtë institucionit, për shkak të imazhit që do ministrja që të mos e ngarkojë me këtë lloj proteste, na kontaktuan në telefon dhe thanë mos e organizoni protestën, por hajdeni të diskutojmë se dhe ne duam ti japim zgjidhje kësaj çështjeje,” tregoi Sejrani.
Sipas Sejranit dhe Perës, nga ana e organizatave janë propozuar dy masa me shtrirje kohore afatshkurtër dhe afatgjatë.
Masa afatshkurtër: Ministria të nxjerrë një urdhër për të detyruar institucionet vendore dhe arsimore që të vazhdojnë ofrimin e shërbimeve për qytetarët e këtyre pakicave kombëtare derisa komisioni të bëhet funksional.
Masa afatgjatë: Decentralizimi i procesit të vetëdeklarimit në nivel qarku dhe integrimi i tij në portalin e-Albania për ta bërë më të aksesueshëm.
“Ka nevojë për një lloj decentralizimi që të jetë më pranë qytetarëve, të ketë më shumë lehtësira “, u shpreh Sejrani.
“Integrimi i shërbimit në portalin E-Albania, duke qenë se së fundmi tani në çdo njësi do të jetë një person i dedikuar që do të ofrojë shërbim për qytetarët, do të ofrojë lehtësim dhe romët dhe egjiptianët, të cilët mund të drejtohen drejt tyre për të aplikuar si proces dhe më pas t’i pajisë me një vërtetim tek llogaria e tyre”, u shpreh Jeta Pera.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 26 dhjetor 2024, përkatësia etnike njihet vetëm nga institucionet shtetërore përmes këtij komisioni, duke zëvendësuar praktikën e mëparshme kur vërtetimet jepeshin nga organizatat e shoqërisë civile.
Sipas relacionit që shoqëron vendimin e qeverisë, komisioni i vetëdeklarimit mblidhet të paktën dy herë në vit, ose sa herë që një e katërta e anëtarëve të tij e kërkon këtë.
Komisioni shqyrton dhe vlerëson formularët e personave që deklarojnë përkatësinë, më pas i pasqyron të dhënat në lista brenda 30 ditëve nga depozitimi i formularëve dhe në raste të veçanta, kur ka dyshime për saktësinë e vetëidentifikimit, kryhen verifikime duke kërkuar të dhëna nga regjistrat civilë.
Vendimi për konfirmimin ose jo të vetëidentifikimit duhet të jepet brenda 60 ditëve nga nisja e verifikimeve e më pas njoftohen personat përkatës. Sipas vendimit të qeverisë, për vendimet e komisionit ka dhe mundësi apelimi.
TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Platforma e-Albania vazhdon të lehtësojë aksesin e qytetarëve ndaj shërbimeve publike, duke ofruar mundësi të thjeshta dhe efikase për kategori të ndryshme të popullatës.
Vetëm gjatë periudhës janar–shtator 2025, 4187 qytetarë në pension kanë kryer deklarimin online të tërheqjes së pensionit në bankë, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht pranë institucioneve.
Shërbimi elektronik, i cili është i vlefshëm për pensionistët që e tërheqin pensionin në bankat e nivelit të dytë, mundëson deklarimin vetëm një herë në vit, duke reduktuar ndjeshëm kohën dhe shpenzimet për këtë proces.
Ky shërbim është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare për të digjitalizuar administratën dhe për t’ua bërë më të lehtë qytetarëve, veçanërisht grupmoshave të tretë, aksesin në shërbimet publike.
Që prej datës 3 prill 2024, të gjithë pensionistët, personat që marrin ndihmë ekonomike, përfituesit e pagesës së papunësisë, invalidët e punës, apo jetimët, kanë mundësinë të hapin një llogari pranë bankave të nivelit të dytë me kosto zero.
Ligji i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar “Për Llogarinë e Pagesave me Shërbime Bazike”, parashikon që këto kategori të mund të kenë një llogari dhe të pajisen me një kartë bankare, përmes së cilës mund të tërheqin para, të bëjnë pagesa apo deri në 5 transferta bankare brenda vendit me tarifa zero. Kjo llogari është funksionale vetëm në monedhën vendase (lekë), dhe shërben edhe për të marrë pensionin apo ndihmën ekonomike që kategoritë përfituese marrin. e.xh/j.p/
TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi sot se në vijim të publikimeve në disa media, të lajmit se “bizneset do të paguajnë për çdo transaksion në e-Albania”, nuk është i saktë.
Në një sqarim publik, AKSHI bën me dije se shërbimet elektronike të portalit qeveritar e-Albania vijojnë të mbeten falas për qytetarët dhe bizneset në përdorimin e tyre të zakonshëm, përveç rasteve kur ato kanë një tarifë të përcaktuar nga baza ligjore në fuqi e institucionit ofrues të shërbimit.
Sipas AKSHI-t, tarifat e përcaktuara në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave lidhen vetëm me subjektet private që dëshirojnë të ndërveprojnë teknikisht me regjistrat elektronikë, bazat e të dhënave shtetërore, pra për ato palë që kërkojnë të integrojnë sistemet e tyre elektronike me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit (GG) për shkëmbim të të dhënave në kohë reale.
“Këto tarifa nuk aplikohen për përdoruesit e zakonshëm të portalit, por vetëm për subjektet që përdorin funksionalitete teknike të avancuara, të dedikuara për ndërveprim ndërmjet sistemeve”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, AKSHI sqaron se tarifat për shërbimin e nënshkrimit elektronik dhe vulës elektronike nuk kanë ndryshuar.
Sipas AKSHI-t është shtuar një shërbim i ri i nënshkrimit elektronik për qytetarët, i cili u mundëson atyre ulje të ndjeshme të kostove financiare. Pajisja me këtë nënshkrim është vullnetare.
AKSHI njofton se përmes këtij shërbimi, shumë veprime që më parë kërkonin shërbime noteriale apo prezencë fizike, si nënshkrimi i kontratave, deklaratave apo autorizimeve, tashmë mund të realizohen plotësisht online, me fuqi të barabartë ligjore.
“Kjo shmang pagesat noteriale, udhëtimet dhe shpenzimet e tjera që lidhen me dokumentet fizike”, thuhet në njoftim.
AKSHI njofton se shërbimet e para që do të ofrohen së shpejti si “shërbime të besuara”, ku qytetarët do të përdorin nënshkrimin elektronik, janë prokura e posaçme, deklarata noteriale, nëpërmjet të cilës njëri nga prindërit autorizon prindin tjetër (ose të dy prindërit një familjar) të shoqërojë të miturin nën 16 vjeç për të udhëtuar jashtë territorit të Shqipërisë.
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka marrë një vendim sa i përket shërbimeve që ofrohen në e-Albania. Mësohet se për disa shërbime të caktuara për bizneset dhe qytetarët do të jenë kundrejt një pagese.
Bëhet fjalë për dokumente me nënshkrim elektronik, vulë elektronike, çertifikata elektronike për fiskalizimin, si dhe transaksione në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG). Dokumentet e sipërcituara do të jenë me tarifa për bizneset dhe jo për qytetarët.
Shërbimet në “e-Albania” që bëhen me pagesë për bizneset:
* 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
* 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike/për transaksion;
* 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për çertifikata elektronike për projektin e fiskalizimit, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
* 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
Këshilli i Ministrave ka vendosur që tarifat për shërbime të caktuara në ‘e-Albania’, tarifat për shërbimet e kërkuara online do të paguhen elektronikisht në portalin qeveritar.
Pagesa për dokumentet me nënshkrim elektronik dhe çertifikata elektronike për fiskalizimin, si për bizneset ashtu dhe për qytetarët, do të bëhet me marrjen e shërbimit.
Kurse pagesa për shërbimin e dokumenteve me vulë elektronike dhe për transaksione në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG), do të bëhet çdo muaj sa herë është kërkuar shërbimi.
Të gjitha të ardhurat që vijnë nga këto tarifa në “e-Albania” do të derdhen 100% në buxhetin e shtetit.
VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 36, të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shërbimet elektronike, në favor të organeve dhe të institucioneve të administratës publike, subjekteve private dhe qytetarëve, ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kundrejt aplikimit të tarifave përkatëse.
2. Për organet dhe institucionet e administratës publike, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, vulë kohore, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën zero lek.
3. Për subjektet private, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit me tarifat, si më poshtë vijon:
a) 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
b) 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike/për transaksion;
c) 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
ç) 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
4. Për shtetasit shqiptarë dhe shtetasit e huaj, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 2 000 (dy mijë) lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.
5. Për nëpunësit e administratës në institucionet publike me vetëfinancim, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.
6. Pagesa e tarifave të përcaktuara në këtë vendim kryhet në momentin e aplikimit on-line për kryerjen e veprimeve dhe të procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin qeveritar “e-Albania”.
7. Pagesat e tarifave, të përcaktuara në shkronjat “a” e “c”, të pikës 3, dhe të pikave 4 e 5, të këtij vendimi, realizohen në marrje të çdo shërbimi elektronik.
8. Pagesat e tarifave, të përcaktuara në shkronjat “b” e “ç”, të pikës 3, të këtij vendimi, realizohen periodikisht çdo muaj për numrin e transaksioneve të kryera gjatë asaj periudhe on-line nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, si dhe kryerja e tyre shihet në kohë reale.
9. Të ardhurat e realizuara derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.
10. Vendimi nr.35, datë 22.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, shfuqizohet.
11. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Shërbime të caktuara që u ofrohen qytetarëve dhe bizneseve në portalin qeveritar në e-Albania, do jenë me pagesë. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, dhe do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shërbimet në e-Albania të cilat do të jenë me tarifa përfshijnë dokumente me nënshkrim elektronik, me vulë elektronike, çertifikata elektronike për fiskalizimin…
TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Kadastra Shqiptare njoftoi sot se tashmë është e mundur të realizohet bashkimi i truallit dhe ndërtesës në një certifikatë të vetme pronësie, përmes një aplikimi të thjeshtuar në platformën qeveritare “e-Albania”.
Ky shërbim synon të lehtësojë procedurat për qytetarët, duke sjellë një kartelë të unifikuar pasurie dhe hartë kadastrale, që reflekton në mënyrë të qartë të gjitha të dhënat e pasurisë së paluajtshme.
Kadastra njofton se, për të aplikuar, qytetarët duhet të ndjekin këto hapa: Hyrja në profilin personal në portalin e-Albania; Kërkimi i shërbimit: “Aplikim për regjistrimin e bashkimit, ndarjes apo pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme”; Plotësimi i të dhënave dhe ngarkimi i dokumenteve të kërkuara në format PDF.
Dokumentacioni i mëposhtëm duhet të dërgohet gjithashtu me postë pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së përkatëse:
– Kërkesë e firmosur nga pronari ose bashkëpronarët, së bashku me certifikatat origjinale të pronësisë;
– Plan rilevimi i përgatitur nga topograf i licencuar;
– Akt përfaqësimi në rast se aplikimi bëhet përmes prokurës.
Kadastra thekson se kjo procedurë sjell qartësi ligjore, eliminon problemet e mëparshme të regjistrimeve të ndara dhe rrit sigurinë juridike të pronarëve. Për më shumë informacion, qytetarët mund të referohen drejtpërdrejt pranë ASHK ose në platformën “e-Albania”.
Platforma qeveritare e-Albania vijon të jetë një mjet kyç në dixhitalizimin e shërbimeve publike dhe në lehtësimin e aksesit të qytetarëve dhe bizneseve ndaj institucioneve shtetërore.
Sipas të dhënave zyrtare për muajin shtator 2025, platforma ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të përdorimit, duke treguar se qytetarët po përshtaten gjithnjë e më shumë me teknologjinë në jetën e përditshme.
Sipas statistikave të publikuara sot nga e-Albania, për muajin shtator 2025 janë kryer në total 41,147,329 transaksione.
Portali e-Albania ka 3,400,369 përdorues të regjistruar ndërsaa 1,240,766 aplikime janë shënuar për dokumente me vulë elektronike.
Platforma ofron 1,262 shërbime elektronike të disponueshme dhe 3,331,234 aplikime janë kryer nga përdoruesit për këto shërbime.
Përdorimi masiv i portalit e-Albania është një tregues i qartë i besimit të qytetarëve, por edhe i efikasitetit të shërbimeve publike në epokën dixhitale.
TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Nga janari deri në shtator të këtij viti janë gjeneruar plot 8,8 milionë dokumente zyrtare përmes portalit qeveritar “e-Albania”, duke dëshmuar një rritje të ndjeshme të përdorimit të shërbimeve elektronike në vend.
Sipas njoftimit nga “e-Albania”, të gjitha këto dokumente janë lëshuar në kohë reale dhe janë të pajisura me vulë elektronike, çka i bën ato të vlefshme ligjërisht, pa pasur nevojë për praninë fizike të qytetarëve në sportele apo për procedura shtesë manuale.
Kjo shifër e lartë tregon besimin në rritje të qytetarëve dhe institucioneve ndaj platformave digjitale dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës publike, rritjes së transparencës dhe uljes së burokracisë.
Portali “e-Albania” ofron aktualisht mbi 1200 shërbime publike online dhe është kthyer në një pikë kyçe për ndërveprimin midis qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve shtetërore.
TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Digjitalizimi i shërbimeve publike ka sjellë lehtësim në kryerjen e procedurave për qytetarët dhe bizneset që kërkojnë të marrin në kohë një dokument të caktuar.
Sipas statistikave zyrtare, në platformën “e-Albania” gjatë muajit shtator, janë kryer më shumë se 820 mijë aplikime në pesë shërbimet më të përdorura.
Nga këto, 295 mijë janë për certifikatë personale, mbi 239 mijë për certifikatë familjare, vërtetim për pagesën e kontributeve për individin janë rreth 130 mijë, kontributet për sigurimet shoqërore llogariten në 81.363 aplikime dhe mbi 77 mijë për vërtetim page.
Shërbimet në “e-Albania” për qytetarët dhe bizneset kanë siguruar një proces modern, të standardizuar dhe të sigurt, duke shmangur burokracitë dhe kontaktet fizike me sportelet.
Dokumentet zyrtare që gjenerohen në përfundim të aplikimit janë të pajisura me vulë elektronike, çka i bën ato të vlefshme dhe të verifikueshme nga çdo institucion publik apo privat.
Digjitalizimi i shërbimeve në platformën “e-Albania” vjen si një hap efikas dhe në përputhje me standardet evropiane për çdo qytetar apo biznes.
Shtatori e gjeti Shqipërinë me një qeveri të re dhe risinë e pazakontë: një ministre virtuale me emrin Diella. Ajo u prezantua si nismë historike e përfshirjes së inteligjencës artificiale në qeverisje. Por, në dukje ajo ka pak të bëjë me qeverisjen dhe realisht ishte prezantuar muaj më parë për qytetarët në një version tjetër.
Me pamjen e aktores Anila Bisha, përdoruesit e platformës e-Albania e kishin hasur Diellën që prej janarit 2025 si një – chatbot – asistente virtuale, e cila angazhohej për të ndihmar në shërbimet online me tekst dhe zë.
Diella u promovua si “ministrja e parë virtuale në botë”, një lajm që u bë titull ndërkombëtar, shoqëruar me premtimin se do të bëhej garantja e prokurimeve 100% të pakorruptueshme.
Megjithatë, pas kësaj narrative entuziazmi mediatik dhe qeveritar, mbeti shumë pa u sqaruar publikisht.
Çfarë kompetencash ka Diella? A është ajo “ministre” në kuptimin e plotë kushtetues, apo një manovër politike për të tërhequr vëmendje?
Propagandë, “PR”, apo reformë reale?
Në vend të një prezantimi të thelluar të programit qeverisës, seanca plenare e 18 shtatorit zgjati vetëm 25 minuta kjo pasi kryeministri Rama ia la fjalën Diellës, e shfaqur në një monitor për të lexuar programin.
Qasja, e cila u perceptua si akt që më shumë synonte të bëhej lajm se sa të përçonte përmbajtje, solli reagime nga opozita dhe për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar miratimin programit qeverisës pa diskutime.
Erion Tase, drejtues i Akademisë së Studimeve Politike, e shikon Diellën më shumë si gjetje “PR”-i sesa produkt risie apo të një reforme të mirëfilltë.
“Për momentin është PR që ka krijuar lajm botëror. Mund të ishte mekanizëm i përdorur nga agjenci qeveritare, por iu dha një emërtim i ri për të krijuar zhurmë,” shprehet ai për Citizens.al.
Tase nënvizon si çështje të diskutueshme nëse Diella do të përdoret për të vendosur kriteret e prokurimeve publike, do t’i klasifikojë ofertat më të mira, apo do të ketë edhe rol në vendimmarrje. Në këtë pikë ai është i mendimit se sidoqoftë përgjegjësia do të vijojë të mbetet te njerëzit që firmosin.
Duke e krahasuar Diellën me përdorimin e një makine llogaritëse, Tase shprehet se edhe në një provim matematike në fund vlerësimin e merr “studenti që ka emrin në fletën e provimit” dhe gjithçka varet nga “mënyra se si e ka përdorur makinën”.
Qeveria e katërt e kryeministrit Edi Rama para betimit/Facebook.
Kushtetuta dhe boshllëku ligjor
Juristi Andrea Mazelliu thekson se nuk mund të kemi një “ministër me Inteligjencë Artificiale (IA)”, pasi Neni 2 i Dekretit të Presidentit e qartëson se kush i ka përgjegjësitë, ndërsa Kushtetuta e përcakton se organet publike duhet të përfaqësohen nga individë.
“Shqipëria mund të ketë një ministri të Teknologjisë ose të Inteligjencës Artificiale, por jo një ministër që nuk është person juridik,” argumenton ai duke theksuar se Kushtetuta nuk lë vend për interpretime në këtë pikë.
Sipas tij, në aspektin ligjor, kushtetues, është kryeministri Rama ai që ka përgjegjësinë për Diellën.
“Nëse pyetem se cili është ministri i IA-së në Shqipëri, unë do të thosha kryeministri,” thekson Mazelliu, gjykimi i të cilit mori një farë konfirmimi të premten.
Qeveria Rama ishte “e gjitha njerëzore” në ceremoninë e betimit para Presidentit dhe sipas Kushtetutës një ministër duhet të betohet në mënyrë që të marrë detyrën.
Për Mazelliun shqetësues mbetet mungesa e ratifikimit nga Shqipëria e Traktatit Evropian për Inteligjencën Artificiale, të cilin ai e konsideron si ndër konventat më të rëndësishme për garantimin e të drejtave themelore në përdorimin e IA-së.
“Mbi 40 vende e kanë ratifikuar konventën duke bërë të mundur ruajtjen dhe sigurimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës,” thekson ai.
Qendra për IA dhe Politikat Digjitale (CAIDP) ka apeluar që shteti shqiptar ta ratifikojë këtë traktat që prej datës 9 qershor 2025.
Duke analizuar më tej, Mazelliu thekson se automatizimi i proceseve dhe futja e një sistemi inteligjent janë gjëra të ndryshme. Për këtë të fundit, ai rekomandon kryerjen e vlerësimeve të riskut përpara implementimit të tyre.
Në parim, Mazelliu thotë se e përqafon teknologjinë dhe është “pro” krijimit të një ministrie të Sistemeve Inteligjente, por me idenë që të ketë në krye një njeri që ta udhëheqë atë.
Rreziku i iluzionit të reformës
Një analizë e Qendrës SCiDEV thekson se Diella rrezikon të shndërrohet në një “metaforë politike” dhe jo në një mjet real reforme.
“Metodologjia mbi Standardet Teknike të Përdorimit të Inteligjencës Artificiale në Republikën e Shqipërisë, e miratuar nga Këshilli i Ministrave në korrik 2024, nën standardet etike për zhvillimin e inteligjencës artificiale, rendit si parim Mbikëqyrjen dhe përcaktimin njerëzor”, theksohet në analizën e SCiDEV.
Në këto kushte institucionet duhet të sigurojnë që sistemet e inteligjenës artificiale të mos zëvendësojnë përgjegjësitë dhe llogaridhënien njerëzore.
Sipas SCiDEV, ekziston rreziku që korrupsioni të paraqitet si problem “algoritmesh”, ndërsa rrënjët e tij, mungesa e vullnetit politik dhe dobësia institucionale mbeten të paprekura.
“Transferimi i përgjegjësive nga institucionet tek teknologjia krijon iluzionin e reformës. Nëse nuk mbështetet në forcim institucional, Diella mund të mbetet thjesht një performancë politike.”
Për Mazelliun, mungesa e konsultimit publik dhe transparencës rreth Diellës krijon precedentë të rrezikshëm.
“VKM-ja që rregullon metodologjinë e përdorimit të IA-se në vend dhe draft-strategjia kanë kaluar pa konsultim publik ose me një konsultim publik ku shumica e dispozitave janë tautologjike dhe të pa nevojshme nisur nga nevoja që ka shoqëria jonë”, shpjegon ai.
Qeveria e katërt e kryeministrit Edi Rama pas betimit, 19 shtator 2025/Facebook.
Transparenca dhe llogaridhënia
Të gjithë ekspertët bashkohen në një pikë: mungesa e transparencës është beteja kryesore.
Deri më tani, përveç narrativës publike të kryeministrit dhe kakofonisë së krijuar mes titujve të lajmeve dhe qendrimeve politike, nuk ka pasur ende një sqarim shterues publik për mënyrën se si Diella do të funksionojë në lidhje me tenderët publikë, e aq më shumë si “ministre”.
“Që të jetë i realizueshëm (sistemi me IA) duhet të jetë transparent, duhet të jetë i shpjegueshëm me një metodologji të pastër përdorimi dhe llogaridhënëse. Ne aktualisht jemi në kushtet që nuk e dimë se cili është modeli IA i përdorur në rastin e Diellës dhe çfarë metodologjie duhet përdorur”, argumenton Mazalliu.
Sipas SCiDEV, entuziazmi për të përqafuar mjetet digjitale si rrugë të shpejta drejt transparencës ka rrezikun për të minuar parimet e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit. Në analizën e saj, SCiDEV thekson se kjo mund të krijojë iluzionin e një reforme ku korrupsioni ridimensionohet dhe llogaridhënia institucionale vihet në pikëpyetje.
Erion Tase beson se përgjegjësia ligjore nuk do të jetë e lëshuar drejt Diellës, pasi standardet dhe indikatorët për dokumentacionin e një tenderi e vendosin njerëzit pas saj.
“Përpara çdo abuzimi që mund të ndodhë, shfajësimi se (vendimin) e mori makineria dhe nuk e morëm ne, nuk do të qëndrojë, sepse do të jenë një grup njerëzish pas Diellës, që do të vlerësojnë cilat janë kriteret, kushtet që kërkohen për përgatitjen e një dokumentacioni tenderi”, argumenton Tase.
Sipas Mazelliut, sistemet IA-së duhet të pilotohen në fusha të cilat nuk kane rrezik të cenimit të së drejtave, sidomos kur sistemet mund të jenë diskriminuese, misogjenike dhe aspak praktike.
Qendra SCiDEV paralajmëron se zhvillimi i IA-së në mungesë të një kuadri rregullator të fortë mund të sjellë pasoja të paparashikuara. Përafrimi me Aktin Evropian për IA-në është në faza fillestare dhe kërkon vite përgatitje dhe burime të mëdha.
Kështu, Diella mbetet nismë ende mes pikëpyetjesh dhe mungesës së transparencës.
Nga njëra anë e vendos vendin në një vëmendje ndërkombëtare “artificiale”, në anën tjetër mungesa e bazës kushtetuese, transparencës dhe kapaciteteve logjistike dhe ekspertize rrezikon ta kthejë atë në një eksperiment poltik me pasoja të paqarta.
Por, e sigurt është se Diella nuk është ministre, por mjet. Ajo mund të përdoret për mirë, prë të rritur transparencën dhe efikasitetin, por edhe për keq, për të maskuar mungesën e vullnetit politik pas një fasade teknologjie.
Ndaj në këtë spektakël politik, diskutimi është nëse Shqipëria është gati të ndërtojë një sistem të drejtë, transparent dhe llogaridhënës të përdorimit të inteligjencës artificiale dhe aq më shumë ta testojë atë në mirëqeverisje.
TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë dorëzuar 76 016 aplikime për prokurë të posaçme përmes platformës “e-Albania”, duke përfituar nga një procedurë e thjeshtë, e shpejtë dhe plotësisht online.
Të dhënat i referohen një periudhe trevjeçare, ku rezulton një mesatare prej afro 9000 aplikimesh në vit, çka tregon rritjen e aksesit dhe besueshmërisë ndaj shërbimeve digjitale të administratës publike.
Vetëm për periudhën janar–gusht 2025, janë regjistruar 3687 aplikime nga qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të vendit.
Kjo shifër konfirmon një trend të qëndrueshëm të përdorimit të platformës për shërbime që më parë kërkonin praninë fizike të aplikuesve apo ndërhyrje të noterëve. Aplikimi për prokurë të posaçme online u mundëson qytetarëve të delegojnë veprime ligjore ose administrative ndaj një pale të tretë në Shqipëri, pa qenë të pranishëm fizikisht.
Ky shërbim është pjesë e angazhimit të qeverisë për digjitalizimin e plotë të shërbimeve publike, lehtësimin e procedurave për diasporën dhe afrimin e qytetarëve me institucionet shqiptare, pavarësisht vendndodhjes së tyre.