❌

Normal view

Nis vaksinimi i fëmijëve 13 vjeçarë kundra Papillomavirus

By: A R
30 September 2026 at 14:53

 

Fëmijët 13-vjeçarë, vajza dhe djem, do të vaksinohen tashmë me vaksinën HPV 9-valente.
Deri më tani, kjo grupmoshë merrte vaksinën 4-valente.

Vaksina e re mbulon një numër më të madh të tipologjive të virusit HPV, duke synuar rritjen e mbrojtjes ndaj infeksioneve që lidhen me zhvillimin e lezioneve prekanceroze, kancerit të qafës së mitrës dhe disa llojeve të tjera të kancerit të shkaktuara nga Papillomavirus.

Nga Instituti i Shëndetit Publik, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët.

“Këto vaksina janë të certifikuara dhe përdoren edhe në vendet e Bashkimit Europian. Janë të sigurta, ndaj u bëj thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre 13-vjeçarë, si një nga masat më të sigurta për parandalimin e kancereve të shkaktuara nga HPV”, tha Spahiu.

Nga ky janar, për herë të parë, kjo vaksinë injektohet edhe te djemtë, si një formë e parandalimit të transmetimit nga vajzat përmes kontaktit seksual, qoftë edhe të mbrojtura.
Që prej nisjes së programit të vaksinimit kundër HPV-së në Shqipëri, janë kryer në total 60 mijë e 180 doza të vaksinës 4-valente.

Ndërkohë, paralelisht kanë nisur përgatitjet për vaksinimin kundër gripit sezonal. Për sezonin e ri janë siguruar 280 mijë doza vaksine, të cilat do të ofrohen falas për grupet më të rrezikuara në të gjithë vendin.

“Është një vaksinë cilësore, e aprovuar nga të gjitha instancat përkatëse dhe e kualifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Të gjithë personat mbi 65 vjeç, të sëmurët me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe personeli shëndetësor duhet ta bëjnë këtë vaksinë, pasi parandalojmë komplikacionet e gripit. Vaksina e këtij sezoni përfshin shtamet e virusit të gripit A H1N1, A H3N2 dhe B, të cilat kanë qarkulluar dhe pritet të jenë prezente edhe gjatë sezonit të ri”, tha Spahiu.
Fushata e vaksinimi kundër gripit pritet të nisë javën e ardhshme.

Vetëdorëzohet Eraldo Fizi, çoi drejt vetëvrasjes të shoqen Xhuana Nikolli

By: A R
30 September 2026 at 14:46

Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti i 25-vjeçares nga Lezha, Xhuana Nikollaj, është arrestuar pasi prej muajsh ishte shpallur në kërkim nga autoritetet.
Fizi ishte shpallur në kërkim që në muajin mars, ndërsa ndaj tij rëndojnë dyshime për dhunë ndaj ish-partneres së tij.

Sipas të dhënave të policisë, pas episodeve të dhunës, Xhuana Nikollaj konsumoi medikamente dhe më pas humbi jetën në spital.
Arrestimi i Fizit u bë falë bashkëpunimit mes Komisariatit nr. 2 në Tiranë dhe Komisariatit të Lezhës.
Në procesin e dorëzimit të tij kanë ndërhyrë edhe familjarët dhe avokati i ish-bashkëshortit të 25-vjeçares.

Fizi ndodhet aktualisht në Lezhë dhe pritet të transferohet drejt Tiranës, ku do të vijojnë procedurat e mëtejshme ligjore ndaj tij.

Elbasan/Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike

By: A R
30 September 2026 at 14:40

 

Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, shuma parash në lekë dhe euro, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, dhe sende të tjera të kundërligjshme.Shpallet në kërkim shtetasi që posedonte lëndën narkotike, me qëllim shitjen në doza.Vihen në hetim 2 shtetas që dyshohet se do të blinin lëndë narkotike.

Në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e tentativave për të shitur lëndë narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shitblerja”, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit K. N., 40 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 kilogram e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (një pjesë e ndarë në doza), 1 peshore elektronike, 1 armë gjahu që posedohej pa leje, 71 700 lekë dhe 100 euro.
Në momentin e ndërhyrjes, 40-vjeçari nuk u gjet në banesë dhe vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit B. D., 37 vjeç dhe A. S., 20 vjeç, banues në Elbasan.
37-vjeçari u kap në afërsi të banesës së shtetasit në kërkim, ku dyshohet se po shkonte për të blerë doza. Nga kontrolli fizik, atij iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë).

Në afërsi të kësaj banese, u kap edhe 20-vjeçari me një sasi lënde narkotike me vete, të cilën dyshohet se kishte blerë nga shtetasi K. N.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tabaku: “Ekonomia shqiptare është futur prej vitesh në një rreth vicioz, nuk prodhon më.

By: A R
30 September 2026 at 14:36

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi modelin ekonomik të qeverisë, duke deklaruar se rritja ekonomike e raportuar së fundmi nga INSTAT nuk reflektohet në jetën e qytetarëve dhe se ekonomia shqiptare, sipas saj, nuk mbështetet te prodhimi.

Sipas Tabakut, rritja ekonomike vjen nga shtimi i taksave dhe shpenzimeve të administratës, ndërsa fondet publike, përfundojnë te koncesionet, PPP-të dhe tenderët.
Në një postim në rrjete sociale deputetja e PD-së e cilësoi këtë model si një “ekonomi të pakicës” dhe kërkoi ndryshimin e tij.

“Ekonomia shqiptare është futur prej vitesh në një rreth vicioz: nuk prodhon më.

Kjo ndihet çdo ditë në xhepat e qytetarëve, te bizneset që mbyllen dhe te fermerët që nuk arrijnë t’i nxjerrin produktet e tyre në treg.
Nga vjen rritja ekonomike në letra? Sepse në realitet ju e ndieni dhe e dini çdo ditë se nuk po përjetoni rritje ekonomike.

Ajo vjen nga dy burime kryesore.
E para janë shpenzimet e administratës së shtetit dhe e dyta janë taksat e rritura.

Të dyja këto tregojnë se kjo rritje ekonomike në letra nuk shkon te qytetari, sepse ekonomia shqiptare nuk prodhon dhe nuk është produktive.
Rritja vjen nga shtimi i taksave, të cilat i paguajnë po qytetarët, si edhe nga shpenzimet e shtetit për koncesionet, PPP-të dhe tenderët që shkojnë te një grusht njerëzish.

Ky rreth vicioz i ekonomisë shqiptare, e cila nuk prodhon dhe ku gjithçka shkon te tenderët dhe koncesionet, te një grup i vogël dhe brenda një sistemi të mbyllur, është arsyeja kryesore pse Shqipëria sot është futur në krizën më të thellë, jo vetëm politike, por edhe ekonomike.
Drama më e madhe e ekonomisë shqiptare është se ajo është kthyer në një ekonomi të pakicës.

Nuk është një ekonomi për njerëzit dhe qytetarët. Nuk është një ekonomi që prodhon dhe eksporton. Nuk është një ekonomi për biznesin, për fermerin dhe për shumicën.
Pikërisht këtë sistem duhet të ndryshojmë. Ky sistem ndryshon vetëm duke ndryshuar qeverinë.

Ekonomia shqiptare mund të kthehet në një ekonomi prodhuese, në një ekonomi që punon për të gjithë dhe që ka një sistem taksash që e nxit biznesin, në vend që të rëndojë mbi shpatullat e brishta të familjeve dhe bizneseve shqiptare.
Ky cikël prishet vetëm duke ndryshuar qeverinë”

Domosdoshmëria e sigurimit të aseteve fizike në pronësi të shtetit

By: A R
30 September 2026 at 14:30

 

Pak ditë më parë, Korporata Energjetike Shqiptare, siguroi asetet e veta në vlerë mbulimi 550 milion euro.
Për sigurimin e pasurisë kombëtare është folur pak.
Legjislacioni shqiptar, në këtë drejtim, duhet riparë. Deri në vitin 1999 sigurimi i aseteve publike ka qenë i detyrueshëm me ligj dhe çdo institucion shtetëror bënte sigurimin e aseteve. Më vonë, ligji u abrogua dhe pasuria shtetërore u la e ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme.

Ndër vite janë regjistruar dëme kolosale në pyje, në vepra të mëdha shtetërore, vepra ujitëse, në godina etj. Zjarret dhe përmbytjet ndër vite kanë shkaktuar mjaft dëme. Edhe infrastruktura rrugore, e pasiguruar, është eskpozuar vazhdimisht ndaj rreziqeve të ndryshme. Publiku është njohur me shumë ndërhyrje të detyruara riparuese që janë marrë përsipër nga buxheti i shtetit.

Korporata Energjetike Shqiptare, e vetëdijshme se Shqipëria është një vend i ekspozuar përballë rreziqeve të mëdha, nga tërmeti, zjarri, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave, duke e ditur përgjegjësinë e saj i siguron prej vitesh këto asete fizike. Çfarë do të thotë kjo? Një aset publik i dëmtuar, në rast se është i siguruar, një pjesë e kostos së tij përballohet nga kontrata e sigurimit. Në rast të kundërt, barra bie mbi buxhetin, që do të thotë mbi taksapaguesin.

Buxheti i shtetit nuk duhet të përdor fondet për të rivitalizuar ekonominë e dëmtuar, pas çdo ngjarjeje apo fatkeqësie. Një pjesë e kësaj ekonomie do të duhej të ishte e siguruar. Institucionet shtetërore duhet t’i sigurojnë asetet e tyre. Praktika botërore sjell shembuj konkretë: pronat shtetërore të pasiguruara nuk ekzistojnë. Shqipëria duhet të rihapë diskutimin e sigurimit të aseteve publike.

Cilat janë asetet fizike të KESH?

Hidrocentralet (HEC-et), turbinat, digat dhe rezervuarët, pajisjet elektrike, ndërtesat dhe infrastruktura e prodhimit të energjisë janë asetet fizike të cilat Korporata Energjetike Shqiptare siguroi. Ato janë pasuri publike, pronë e publikut shqiptar, e ndërtuar në breza dhe që sot përbën një sektor strategjik për vendin: energjetikën. Vlera totale e mbulimit me sigurim për këto asete shkon deri në 550 milionë euro.

Çdo vit KESH shpall tenderin e sigurimit financiar, me qëllim që rreziku i zjarrit dhe i katastrofave natyrore t’u delegohet kompanive të sigurimit.

Kjo do të thotë se vlera e dëmit nuk do t’i rëndojë buxhetit të shtetit, por sipas parashikimeve në kontratë atë do ta marrë përsipër kompania e sigurimeve. Kriteret teknike dhe ligjore për të garantuar sigurimin e këtyre veprave janë të forta dhe shpesh filtrat ligjorë dhe teknikë bëhen skualifikues.

Në risigurimin e aseteve të KESH kompanitë më të mëdha të botës

Në risigurimin e aseteve të KESH janë kompanitë më të mëdha në botën e sigurimeve dhe risigurimeve. Kjo e përligj edhe çmimin e risigurimit, i cili reflektohet edhe në çmimin e marrjes në sigurim. Risiguruesit më të mëdhenj të botës ofrojnë në bllok mbulimin e aseteve fizike të KESH dhe risiguruesi lider i këtij grupi është Hannover Re, me standardet më të larta të garancive financiare dhe i vlerësuar AA me perspektivë stabël nga S&P.

Sigurimi i veprave të tilla, për shkak të vlerave të larta dhe njohurive e kapaciteteve të veçanta që kërkon, nuk është për të gjithë. SIGAL Insurance Group ka qenë ndër vite fituese e projekteve të kësaj natyre: projekte madhore, delikate dhe strategjike. SIGAL ka qenë më parë edhe siguruese e projektit TAP, me vlerë mbulimi deri në 1.5 miliardë euro.
Përvoja, kapacitetet teknike dhe njerëzore dhe sidomos risigurimi te gjigantët botërorë të sigurimeve, i japin SIGAL mundësinë të marrë përsipër vepra të kësaj rëndësie.

Për sa u takon veprave të mëdha publike e strategjike, SIGAL spikat jo vetëm në marrjen në sigurim, por po ashtu edhe në këshillimin për mitigimin, minimizimin e rreziqeve si edhe menaxhimin e riskut.

Sigurimi, si aset i rëndësishëm për ekonominë, në rastin konkret bëhet mburojë për investimet publike, ofron shtresë financiare mbrojtëse, shmang përdorimin e fondeve publike për humbje të paparashikuara që në rastin e veprave madhore janë shumë milionëshe dhe garanton vazhdimësinë e shërbimeve publike.

Shtrembërimi mediatik, që sigurimin e digave si vepra madhore për të mos prekur buxhetin e shtetit në rast dëmesh e raporton si “sigurim zyrash”, është në rastin më të mirë padituri.

550 milionë euro si vlerë mbulimi në rast dëmi nga zjarri apo katastrofat, si sigurim i objekteve të një rëndësie të tillë është shërbim me vlerë të madhe për publikun shqiptar.

Vuksani: Bujësia është në pikën më të keqe të saj, qeveria shqiptare indiferente

By: A R
30 September 2026 at 14:25

Sot ishte i ftuar në Fax News, për gazetaren Eliana Hoxha ,Drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në PD, Gjon Vuksani.
Vuksani shprehu shqetësimet e tij mbi fushën e agrikulturës në Shqipëri.
Ai u shpreh që po zbatohen politika të gabuara dhe që ka një nënvlerësim te qeverise shqiptare duke e lënë bujqësinë në pikën më të keqe të saj.

“Bujqësia është në pikën më të keqe të saj, është rritur kostoja e prodhimit, rreth 7 mln qumësht dhe vaj palme janë të importuara.
Blegtorët kanë të drejtë për kërkesat e tyre! Bujqësia mbështetet në fonde jo në fjale.
Sasia e parave që jepen për bujqësinë eshte 51-52 milion, ka një mungesë laboratorësh dhe vetëm 85% të fermerëve përfituan nga skema e naftës.

Duhet të ruhet shëndeti i konsumatorit dhe AKU të ndërhyjë për ndalim të produkteve të rrezikshme, pasojat e mossigurisë ushqimore ndikojnë tek konsumatori!
Ështe koha që fermerët të reagojne”!- u shpreh Vuksani.

Investimet në Zvërnec/ Balla zhvillon takim me delegacionin gjerman të turizmit

By: A R
30 September 2026 at 14:01

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim në Kuvend me kryetaren dhe anëtarët e Komisionit për Turizmin të Bundestagut gjerman, ku në qendër të diskutimeve ishte zhvillimi i turizmit dhe forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në këtë sektor.

Gjatë takimit, Balla u ndal edhe te projekti i investimit në Zvërnec, për të cilin tha se synon të jetë një shembull i mënyrës se si investimet e mëdha ndërkombëtare mund të realizohen në Shqipëri në përputhje me standardet europiane.

Sipas Ballës, projekti po hartohet mbi parimet e investimit të përgjegjshëm, mbrojtjes së mjedisit dhe krijimit të vlerës së qëndrueshme për komunitetin dhe ekonominë vendase.

“Vija bregdetare dhe ekosistemet natyrore të Shqipërisë përbëjnë pasuri që duhen mbrojtur”, u shpreh Balla, duke theksuar se synimi është që projekti të përmbushë ose të tejkalojë standardet mjedisore të Bashkimit Europian.

Ai shtoi se një tjetër objektiv është që përfitimet ekonomike të investimit të mbeten në Shqipëri, përmes punësimit të forcës vendase, zhvillimit të aftësive profesionale, përfshirjes së bizneseve shqiptare në zinxhirin e furnizimit, si edhe rritjes së aktivitetit ekonomik afatgjatë në rajonin e Vlorës.

Gjatë takimit, Balla theksoi gjithashtu se në prill të vitit 2026, turistët gjermanë përbënin 8% të vizitorëve të huaj të akomoduar në strukturat turistike në Shqipëri.

Shpërthimi i karburantit në Sarandë / Dyshohet se u shkaktua nga avujt dhe mbetjet e karburantit në depozitë

By: A R
30 September 2026 at 13:49

 

Një shpërthim ndodhi ditën e djeshme në pikën e karburantit “AN Oil”, në rrugën “Skënderbeu” në Sarandë. Nga ngjarja u plagosën dy punonjës, të cilët u transportuan në urgjencën e spitalit të Sarandës.

Fatmir Pema, 39 vjeç, pësoi djegie në trup. Gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë ndaj u transportua me helikopter drejt Tiranës, për të marrë trajtim të specializuar. Punonjësi tjetër, Florian Bica, 27 vjeç, u dërgua në spital për shkak të tronditjes së shkaktuar nga shpërthimi. 

 

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, njëri prej punonjësve, Fatmir Pema, po punonte me gur fleksibël pranë kapakut të njërës prej depozitave. Dyshohet se shpërthimi u shkaktua nga avujt dhe mbetjet e karburantit në depozitë. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe zjarrfikëse.

Pas ngjarjes reagoi edhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), i cili bëri të ditur se pika kishte qenë jashtë funksionit prej rreth tre muajsh dhe ndodhej në proces rihapjeje. Sipas verifikimeve paraprake të inspektorëve, në momentin e shpërthimit në objekt nuk kishte depozita gazi apo karburanti.

ISHTI njoftoi se po vijon mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave në bashkëpunim me strukturat përkatëse, për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes.
Institucioni bëri me dije se, në këtë fazë të verifikimeve, nuk rezulton përgjegjësi që mund t’i atribuohet atij për shpërthimin

Dita e123 e protestës / Qytetaret rikthehen në shesh

By: A R
30 September 2026 at 13:44

 

Protesta qytetare kundër qeverisë zhvillohet sot në Tiranë, duke shënuar ditën e 123-të të tubimeve të njëpasnjëshme. Pas protestës së djeshme, që u zhvillua në ditën e 122-të dhe u shoqërua me marshim në rrugët e kryeqytetit, qytetarët pritet të mblidhen sërish për të përcjellë kërkesat e tyre politike dhe sociale.

Edhe në protestën e 122-të pjesëmarrësit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një prej thirrjeve të përsëritura ishte edhe “Arrestoni Ramën”.

Tubimet kanë vijuar prej më shumë se katër muajsh, ndërsa protestuesit deklarojnë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga qëndresa. Në protestën e 121-të, të zhvilluar më 28 shtator, marshimi nisi pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë dhe vijoi në drejtim të Qytetit Studenti.

GJKKO lë në qeli Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin

By: A R
30 September 2026 at 13:38

 

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi dënimet e dhëna më herët nga GJKKO për Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin, të akuzuar për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Gëzim Bakalli është dënuar me 19 vite burgim, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij reduktohet me 1/3, duke u llogaritur përfundimisht në rreth 12 vite e 8 muaj burgim.

Ndërkohë, Erjon Loci është dënuar me 12 vite burgim, dënim i cili, në zbatim të gjykimit të shkurtuar, reduktohet në 8 vite burgim. Çështja ndaj dy të pandehurve është hetuar nga prokurori i posaçëm i SPAK, Adnan Xholi, i cili i ka marrë të pandehur për veprat penale të trafikut të narkotikëve dhe grupit kriminal.

Me vendimin e Apelit të Posaçëm, dënimet e dhëna nga GJKKO mbeten në fuqi, ndërsa për të dy të pandehurit zbatohet reduktimi i dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Dosja Vlora Hyseni/ Një tjetër mbledhje e Këshillit të Sigurisë për bisedimin më gjerësisht të çështjes

By: A R
30 September 2026 at 12:30

Kreu i Komisionit parlamentar të Sigurisë, Bledi Çuçi ka deklaruar se pritet të zhvillohet një tjetër mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku do të diskutohet më gjerësisht çështja që lidhet me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni.

Deklarata u bë në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë për të diskutuar zhvillimet në institucionet e sigurisë dhe situatën e krijuar pas masës së sigurisë ndaj Hysenit. 

Sipas Çuçit, mbledhja pritet të zhvillohet pasi SHISH të përfundojë auditimin e thelluar, i cili do të verifikojë nëse ka pasur pasoja për funksionimin e Shërbimit Informativ të Shtetit

Mitaj: Me San Marinon e realizuam atë që donim të bënim!

By: A R
30 September 2026 at 12:23

Kombëtarja shqiptare mori 3 pikëshin e dytë në grupin e Ligës së Kombeve, duke mposhtur 0-3 San Marinon, por loja e kuqezinjve nuk bindi edhe pse përballë ishte rivali me renditjen më të dobët në FIFA.

“E realizuam atë që donim të bënim, për ta zhbllokuar rezultatin shumë shpejt. Kishte ndonjë moment që lëshuam pak terren, por rezultati ishte i pastër dhe kjo është ajo që ka rëndësi,”-u shpreh Alen Sherri, portier i Kombëtares.

“Ishte një ndeshje shumë shumë e mirë. Bëmë një ndeshje shumë shumë të fortë ndaj një kundërshtari që nuk ishte i lehtë, pasi mbrojnë dhe të bezdisin shumë. Nuk të lënë hapësira për të luajtur,”-tha Mario Mitaj, futbollist i Kombëtares.

“Kundër San Marinos donim fitoren me çdo kusht. E dinim që në këto ndeshje mundësia për 3 pikët është e madhe, por njëkohësisht ke shumë për të humbur. Kjo është arsyeja përse e nisëm shumë fort, ndërsa më pas menduam për sfidën e radhës,”-deklaroi Rolando Maran, trajner i Kombëtares.

Përveç Samuele Sinës në mbrojtje, në këtë ndeshje për Shqipërinë debutoi edhe mesfushori Klevi Qefalija, i cili u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë.

“Është një ndiejnë e papërshkrueshme. Është diçka shumë e bukur të debutosh me kombëtaren. Jam shumë i lumtur për këtë. Gjej rastin të falenderoj stafin që më dha besimin. Shpresoj të kem bërë më të mirën. Dëshira ishte shumë e madhe për të debutuar, por në fund vendimet i merr trajneri,”-tha Klevi Qefalija, futbollist i Kombëtares.

Sfida e radhës për kuqezinjtë do të jetë kundër Finlandës, që konsiderohet kundërshtari direkt për vendin e parë në grupin 1 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

“Është një ndeshje direkte për kreum kundër Finlandës sepse ne dhe ato konsiderohemi si favoritët për grupin. Nuk ka kundërshtarë të lehtë dhe fakti që ne kemi mposhtur Bjellorusinë dhe këta të fundit barazojnë me Finlandën nuk do të thotë asgjë,”-u shpreh Alen Sherri, portier i Kombëtares.

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Finlanda është një nga favoritet e grupit dhe mezi pres të luajmë ndeshjen e radhës,”-deklaroi Mario Mitaj, futbollist i Kombëtares.

Shqipëria pas ndeshjeve të dyta udhëheq grupin me 6 pikë, 2 më shumë se Finlanda ndërsa përballja direkte në Helsinki do të luhet të shtunën e 3 tetorit në orën 15:00.

Rama: Jo më në qeli gratë shtatzënë dhe nënat me fëmijë nën 6 vjeç!

By: A R
30 September 2026 at 12:17

Kodi i Procedurës Penale pritet të ndryshojë në 105 nene, me ndërhyrje që prekin nga masat e sigurisë dhe paraburgimi, të drejtat e palëve gjatë hetimit dhe gjykimit, provat dhe mënyrën e administrimit të tyre, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, publicitetin e seancave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas paketës së re të prezantuar nga qeveria, për veprat penale me dënim maksimal nën 5 vite nuk do të caktohet masa “arrest në burg”, ndërsa në qeli nuk do të dërgohen as gratë shtatzëna, nënat me fëmijë nën 6 vjeç dhe baballarët që janë kujdestarët e vetëm të fëmijëve.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që, me kërkesë të palëve, seancat gjyqësore të mund të transmetohen drejtpërdrejt. Kryeministri Edi Rama e vuri theksin te kufizimi i paraburgimit, duke e cilësuar “cenim të dinjitetit kombëtar” faktin që, sipas tij, Shqipëria është bërë “delja e zezë e Europës” për shifrat e larta.

Rama tha se burgu duhet të jetë alternativa e fundit dhe se gjykata duhet të argumentojë çdo kufizim të lirisë së individi

Çfarë dyshohet për shpërthimin me tritol në lokalin e familjes Balla në Durrës? Kamera ishte e fikur

By: A R
30 September 2026 at 12:08

Një shpërthim me tritol tronditi në orët e para të mëngjesit lagjen Fllakë në Durrës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00, ndërsa lënda plasëse ishte vendosur në derën e lokalit që kanë në përdorim, vëllezërit Ramazan Balla dhe Erjon Balla.

Paraprakisht dyshohet se mund të jetë përdorur rreth 50 gr tritol që është ndezur me fitil.

Lokali ishte i mbyllur në momentin e shpërthimit, ndaj nuk ka persona të lënduar. Por sic shihet në pamje, dëmet materiale janë të shumta.
E gjithë fasada prej xhami ka rënë në tokë.
Gjithashtu dhe tenda.

Pronarët e biznesit shprehen jashtë kamerave se nuk kanë asnjë konflikt.
Po kështu dhe policia konfirmon se Ramazan e Erjon Balla nuk kanë asnjë precedent penal.
Pista paraprake e hetimeve lidhet me konkurrencën në biznes apo çështje inati, gjithsesi mbetet për tu verifikuar.

Burimet thanë se identifikimi është i vështirë, pasi lokali nuk ka kamera sigurie, ndërsa një biznes ngjitur me të kishte 1 kamer, por që rezulton e fikur.
Policia vijon hetimet për të përcaktuar motivin e ngjarjes dhe identifikimin e autorit apo autorëve.

Zjarri pranë Parkut të Apolonisë në Fier, shkrumbohen ullinjtë

By: A R
30 September 2026 at 12:03

 

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pak minuta më parë në afërsi të kodrave të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, në zonën e Fierit.

Sipas informacioneve paraprake në vendin e ngjarjes, flakët kanë përfshirë shkurre, bimësi dhe ullishte.

Shqetësim të madh paraqet edhe fakti se në afërsi të zonës së përfshirë nga zjarri ndodhen banesa

Rama: Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar procedim, mjaft më me hetimet të fshehura në sirtar!

By: A R
30 September 2026 at 11:59

 

Çdokush do të ketë të drejtën e vendosjes në dijeni se ndodhet nën hetim dhe të kërkojë verifikim nga gjykata, parashikohet në ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale. Kryeministri Rama tha se hetimet e fshehura s’kanë vend në shtetin e së drejtës.

“Procedimi duhet të regjistrohet që prokurori merr dijeni për veprën.
Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikim.
Hetimet e fshehura, të mbajtura në sirtar ndër vite, nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës”, tha Rama

Kodi i ri i Procedures Penale, Rama: Ndalohet kontrolli i celularëve pa autorizim të gjykatës! Marrja në pyetje do të regjistrohet me zë dhe figurë!

By: A R
30 September 2026 at 11:53

 

Sekuestrimi i telefonave dhe pajisjeve elektronike nuk do t’u japë më hetuesve akses të pakufizuar në të dhënat personale, ndërsa marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Duke prezantuar ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, kryeministri Edi Rama tha se për hapjen e të dhënave do të nevojitet vendim gjykate.


“Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar. Dhe shkruhet se deklarimet e marra me sjellje me presion apo dhunë nuk vlen. Ndryshimi i 4 vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën teknologjike. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë për të parë dhe lexuar apo parë gjithçka. Për ata hapur duhet vendim i gjykatës.

Në rast të urgjencës të përcaktuara nga ligji, veprimi vlerësohet nga gjykata.
Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet. E njëjta gjë në lidhje me përgjimet, duhet të shikohet vetëm ato që kanë lidhje me hetimet.
Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim.

Hetimet e fshehura në kohë nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës. Në gjyq do të shkojnë çështje që kanë perspektivë reale. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzat dhe mbrojtjen. Ndryshimi i gjashtë ka rëndësi sepse nxjerr prezumin  e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit. Gjyqi në Pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi”, tha Rama

Rama: Transmetimi i seancave gjyqësore lejohet me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës

By: A R
30 September 2026 at 11:49

 

Drafti i ri i Kodit të Procedurës Penale parashikon edhe transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore.

“Me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt”, tha Rama

Kodi i ri Procedurës Penale, Rama: Shteti duhet të respektojë dinjitetin e njerëzve, deklarimet në kushte torture, të pavlefshme!

By: A R
30 September 2026 at 11:45

 

Me ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, avokati mund të kryejë hetimet dhe verifikimet e tij, ndërsa i pandehuri mund të aksesojë provat, tha kryeministri Rama.
“Avokati s’mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit.
Ai duhet të kryejë hetimet e veta, të marrë dokumente, të kryejë verifikime dhe të angazhojë ekspertë. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat dhe të marrë pa pagesë dosjen e plotë, para se çështja të dërgohet në gjyq. Prokurori do të ketë detyrimin e shprehur të hetojë edhe rrethanat që e favorizojnë fajtorin”, tha Rama.

Kushdo që thirret si person në dijeni do të ketë të drejtën e thirrjes së një avokati. Çdo deklarim i marrë nën torturë, do të jetë i pavlefshëm, vijoi kryeministri.

“Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar pa avokat e garanci, kushdo do të ketë në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen me zë e figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri, duhet të tregojë saktësisht si e ka respektuar dinjitetin e tij. Për herë të parë, shprehet në letër se deklarimet e marra nën torturë apo nën trajtim çnjerëzor, janë të papërdorshme”, tha Rama.

“Për veprat me dënim nën 5 vite nuk do të ketë më arrest me burg” – Rama prezanton proceduren e re penale

By: A R
30 September 2026 at 11:37

 

Kryeministri Edi Rama prezantoi ndryshimet e propozuara për masat e sigurisë në Kodin e Procedurës Penale, duke deklaruar se arresti me burg duhet të jetë alternativa e fundit. Sipas tij, për veprat penale që parashikojnë dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet më arrest me burg, ndërsa gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta dhe arrestin në shtëpi.

“Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë.
Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës s’do të përdoren më si provë rrezikshmërie.

Rreziku duhet të jetë konkret. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit.
Sa herë caktohet arrestimi, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore. Prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato”, tha Rama.

❌