Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Main stream

Gonxhja uron Krishtlindjen dhe kujton takimin me Papa Leone XIV

25 December 2025 at 22:45

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë një mesazh urimi në ditën e Krishtlindjes, duke kujtuar takimin me Shenjtërinë e Tij, Papa Leone XIV.

Në mesazhin e tij, ministri Gonxhja thekson se në këtë ditë të shenjtë, kur kremtohet Lindja e Krishtit, rikthehet me reflektim te një moment domethënës nga Audienca Jubilare, e zhvilluar disa javë më parë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Ai e cilëson takimin si një ditë mbresëlënëse, të mbushur me mesazhe paqeje, dialogu dhe solidariteti, vlera universale që, sipas tij, marrin një kuptim edhe më të thellë në këtë festë.

Ministri Gonxhja uron që kjo ditë të jetë burim drite, shprese dhe harmonie për të gjithë.

Gjatë takimit, ministri Gonxhja, i shoqëruar nga bashkëshortja, përveç falenderimit dhe fjalëve të mirënjohjes, i dhuroi Papës Leone edhe një disk vinili me këngët shqiptare të lirisë, një libër mbi vëllezërit Marubi dhe një pllaketë nderi në emër të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë.

Vizita e ministrit Blendi Gonxhja në Vatikan
1 nga 21
Vizita e ministrit Blendi Gonxhja në Vatikan

/a.f/

The post Gonxhja uron Krishtlindjen dhe kujton takimin me Papa Leone XIV appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 25 December 2025Main stream

VIDEO/ Aksident fatal te “Kryqëzimi i Cakranit”! Përplasen dy makina, humb jetën 16-vjeçari

By: Fax Web
25 December 2025 at 20:34

Një aksident me pasojë vdekje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Levan- Tepelenë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Cakranit”.

Dy automjete njëra tip “Benz” dhe tjetra “Peugeot” janë përplasur me njëra – tjetrën dhe për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i njërit prej mjeteve 16- vjeçari me iniciale O.M.

Makina e viktimës është përplasur me mjetin me drejtues S. B., 30 vjeç.

Burimet nga vendngjarja bëjnë me dije se mjeti që drejtohej nga i mituri i ka prerë rrugën automjetit tip “Benz” i cili po udhëtonte nga Poçemi në drejtim të Levanit, teksa 16- vjeçari po dilte në autostradë nga Cakrani.

Njoftim i policisë:

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 19:00, në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, në fshatin Cakran, automjeti me drejtues shtetasin S. B., 30 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin e mitur O. M, rreth 16 vjeç.

Si pasojë e përplasjes shtetasi O. M, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Sa festa zyrtare do të ketë në 2026-ën? Publikohet kalendari

By: Fax Web
25 December 2025 at 20:19

Festat zyrtare përfaqësojnë disa nga ditët më të rëndësishme për çdo popull, pasi pasqyrojnë traditat, besimet dhe historinë e tij.

Çdo vend ka kalendarin e vet të festimeve, ku përfshihen si festa me karakter botëror, ashtu edhe festa unike kombëtare.

Por sa ditë festash zyrtare gëzon Shqipëria?

Sipas kalendarit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë për vitin 2025, vendi ynë ka pasur gjithsej 15 ditë feste zyrtare, si edhe 2 ditë të veçanta pushimi.

Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka vendosur që edhe dita e premte, 26 dhjetor, të shpallet ditë pushimi për administratën publike.

Po sa ditë pushimi priten në vitin 2026?

Referuar kalendarit të festave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, edhe për vitin e ardhshëm parashikohen po ashtu 15 ditë feste zyrtare.

Një analizë e “Scan Intel”, referuar kalendarit të festave zyrtare për vitin 2026, tregon se nga totali i festave, 6 prej tyre i përkasin festave fetare, ndërsa 9 janë festa jo fetare.

Në krahasim me vendet e botës, Shqipëria klasifikohet si një vend me relativisht pak ditë festash apo pushimesh, me 15 të tilla në total.

Shqipëria renditet ndër vendet me më shumë festa publike.

Në rajon, Kosova ka gjithsej 12 ditë pushimi, sipas kalendarit zyrtar të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndërsa Shqipëria renditet pas vetëm dy vendeve të rajonit, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, të cilat kanë respektivisht 16 dhe 23 ditë pushimi zyrtare.

Festat janë momente të veçanta që bashkojnë njerëzit dhe pasqyrojnë identitetin kulturor, historik dhe fetar të një shoqërie. Ato shërbejnë jo vetëm si ditë pushimi, por edhe si mundësi për reflektim, bashkim dhe ruajtje të traditave brez pas brezi.

Teatri i Kukullave rikthehet në Gjirokastër pas 34 vitesh mungesë

25 December 2025 at 18:46

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Në qytetin e Gjirokastrës në këtë fundvit janë rikthyer pas 34 viteve mungesë shfaqjet e Teatrit të Kukullave për fëmijë.

Rikthimi i traditës së shfaqjeve synon argëtimin dhe edukimin e fëmijëve gjirokastritë.

Aktori Bujar Sulejmani, i cili ka pasur një karrierë të gjatë prej 55 vitesh në Teatrin e Kukullave të Gjirokastrës tha për mediet se prej disa ditësh po japim shfaqje dhe fëmijët gjirokastritë po argëtohen në këto festa të fundvitit.

“Fëmijët duhet të heqin dorë nga telefoni të vijnë në teatër se ka shumë gjëra të bukura, shfaqjet janë argëtuese dhe edukative dhe ju bën shumë mirë”, tha aktori Niko Ura.

Ndërsa aktori Fredi Beqo shprehet se “shfaqjet na kishin munguar shumë edhe ne aktorëve, por edhe fëmijëve të vegjël, pasi këtu vijnë dhe argëtohen. Po t’i shikosh sa të kënaqur dalin kur përfundon shfaqja është një emocion i madh për ne”.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi thekson se “përgjatë fundjavave me bashkëpunimin e aktorëve të vjetër të qytetit, në skenën e ngritur rishtazi do të shfaqen pjesë për fëmijë”.

Shfaqjet po jepen me rastin e festave të fundvitit, ndërsa në vijim fëmijët e çerdheve, kopshteve dhe shkollave do të kenë mundësi të ndjekin shfaqje çdo fundjavë.

/k.s/a.f/

The post Teatri i Kukullave rikthehet në Gjirokastër pas 34 vitesh mungesë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi uron Krishtlindjen: Nevojë për paqe dhe vëllazëri mes të gjithëve

25 December 2025 at 18:27

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përcolli sot nga Korça urimet për besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve.

Në një prononcim për mediet, Peleshi tha se shoqëria shqiptare ka sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim e mirëkuptim.

“Kënaqësi e veçantë që uroj Krishtlindjet për besimtarët ortodoksë dhe gjithë shqiptarët, siç e kemi zakon nga Korça, nga vendlindja ime, ku Krishtlindja festohet më bukur se kudo tjetër”, tha Peleshi.

“Korça është një kryeqytet i Krishtlindjes dhe më vjen mirë që këtë vit është frekuentuar edhe më tepër nga shqiptarë nga e gjithë Shqipëra që festojnë me njëri-tjetrin. Në këtë periudhë shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për mesazhet që sjell Krishtlindja, për paqe dhe vëllazëri mes të gjithëve”, pohoi Peleshi.

/e.i/a.f/

The post Peleshi uron Krishtlindjen: Nevojë për paqe dhe vëllazëri mes të gjithëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VIDEO/ “Ju lutem edhe një herë…”, prefektja e Shkodrës ngatërron urimin e Krishtlindjes

By: Fax Web
25 December 2025 at 18:07

Prefektja e Shkodrës, Holta Duda ka bërë një lapsus gjatë një prononcimi live për mediat, ndërsa donte të ndante një urim për Krishtlindje.

Teksa po uronte besimtarët për ditën e shenjtë, ajo ka kërkuar falje dhe iu lut gazetarëve ta niste fjalimin dhe një herë nga e para.

Sot të gjithë bashkë mblidhem të gëzojmë lindjen e Krishtit, ashtu siç ylli ndriti në zemrat e të gjithë popujve në tokën e shenjtë atë natë kur lindi Krishti bebe ashtu edhe unë sot në emër të gjithë.…ju lutem edhe njëherë më falni…”, tha ajo, ndërsa më pas gazetarët i kujtojnë që është live.

VIDEO/ “Airbus A319 VIP”, ja dhurata e Erdogan për qeverinë shqiptare

By: Fax Web
25 December 2025 at 17:30

Shqipëria do të ketë avionin e vet shtetëror.

Turqia i ka dhuruar vendit tonë një avion qeveritar Airbus A319 VIP, me vlerë rreth 11.9 milionë dollarë, raportojnë mediat turke.

Avioni, i konfiguruar për përdorim qeveritar dhe i operuar më herët nga Turkish Airlines, do t’i kalojë shtetit shqiptar pa asnjë kosto financiare ndërsa shpenzimet e tranferimit të pronësisë do të mbulohen nga pala turke.

Vendimi është publikuar në fletoren zyrtare, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe, që parashikon se dhurimi ka për qëllim të përforcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992, ndërsa të dyja palët shprehin dëshirën për t’i forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit teknik dhe atij në fushën e mbrojtjes.

“Diaspora 2025″/ Studimi i INSTAT: Gjysma e Shqipërisë jashtë vendit, presion ekonomisë

By: Fax Web
25 December 2025 at 16:45

Shqipëria po përballet me një nga sfidat më të forta demografike dhe ekonomike.

Sipas “Diaspora e Shqipërisë 2025“, publikuar nga INSTAT, rreth 2.25 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ose 49% e shtetasve shqiptarë. Ajo që shqetëson më shumë është fakti se 77% e tyre janë në moshë pune, duke krijuar mungesë serioze të fuqisë punëtore në vend.

Destinacionet kryesore të emigrimit mbeten Italia dhe Greqia, të ndjekura nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Emigrimi ndodh kryesisht për arsye ekonomike, ku 70% largohen në kërkim të punës, ndërsa pjesa tjetër për arsye familjare apo studimi.

“Sot pothuajse e gjithë mosha e punës është jashtë vendit. Kjo e bën ekonominë të brishtë, sepse mungon kapitali njerëzor që prodhon zhvillim.”

Nga emigrimi vijnë edhe përfitime financiare.

Emigrantët fitojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë se sa përpara largimit dhe rreth gjysma e tyre dërgojnë remitanca në Shqipëri. Por edhe pse remitancat kanë ardhur në rritje, ato përdoren kryesisht për konsum dhe shpenzime bazë.

“Ekonomia është bërë e varur nga remitancat. Pa politika që orientojnë diasporën drejt investimeve, sidomos në prodhim dhe bujqësi, nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm.”

Ekspertët paralajmërojnë se emigrimi është edhe çështje sociale, ndërsa gjeneratat e reja dhe krizat ndërkombëtare mund të sjellin ulje të dërgesave, duke rritur pasigurinë ekonomike.

Babagjyshi vjen nga ajri, surprizon fëmijët në shëtitoren e Himarës

25 December 2025 at 15:40

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Në Himarë, babagjyshi ndryshe nga viti i kaluar ka ardhur nga ajri, duke kthyer Krishtlindjen në një festë magjike që fëmijët do ta mbajnë mend gjatë.

Kryetari i bashkisë së Himarës Vangjel Tavo publikoi pamje nga atmosfera e gëzueshme e fëmijëve.

“Shëtitorja e Himarës u mbush me buzëqeshje, emocione dhe gëzim të pafund për fëmijët tanë. Me rastin e festës së Krishtlindjes, u shpërndanë dhurata për më të vegjlit, duke sjellë ngrohtësi, dashuri dhe frymën e vërtetë të festës në çdo cep të qytetit.
Momenti më i veçantë i ditës ishte pa dyshim ardhja surprizë e Babagjyshit, këtë vit jo nga deti, por nga ajri, duke zbritur mbi Himarë dhe duke kthyer këtë ditë në një përvojë magjike që fëmijët do ta mbajnë mend gjatë”, theksoi Tavo.

Ardhja e Babagjyshit nga ajri ishte një surprize e bukur për të gjithë në një dite feste, ku Himara këtë vit ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të festuar së bashku me banorët dhe fëmijët.

“Himara feston me zemër të madhe, me vëmendje për fëmijët dhe me aktivitete që forcojnë ndjenjën e komunitetit dhe gëzimin e përbashkët. Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë”, shkruan Tavo.

Mes gëzimit të festës dhe këtij momenti të veçantë nuk kanë munguar urimet edhe nga fëmijët e banorë të Himarës në festën e Krishtlindjeve.

/k.s/a.f/

The post Babagjyshi vjen nga ajri, surprizon fëmijët në shëtitoren e Himarës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjeve në qendrën “Gonxhe Bojaxhi”

25 December 2025 at 15:34

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka shtruar drekën e Krishtlindjeve në qendrën komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, në kryeqytet.

E kthyer tashmë në një traditë të përvitshme nga bashkia Tiranë, festat fetare vijnë më pranë qytetarëve dhe sidomos shtresave më në nevojë.

E pranishme ishte edhe kryetarja e komanduar e Bashkisë së kryeqytetit, Anuela Ristani e cila theksoi se kjo qendër shërben si një familje e madhe, ndërsa ditë pas dite e gjithë lagjja “5 Maji” ka pësuar një transformim të madh.

“Sot është ditë shumë e gëzuar dhe të ndash ushqim, është mënyra më e mirë për t’u njohur dhe për të falënderuar njëri-tjetrin. Ashtu si ndajmë edhe për familjet tona. Një tryezë pak më e madhe se ajo e shtëpive tona, por me të njëjtën ëmbëlsi, dhe të njëjtën ngrohtësi, ashtu si do ta kishim në shtëpitë tona. Më bëhet shumë qejfi që kjo qendra shërben si një familje e madhe”, tha Ristani.

Duke sjell në vëmendje investimet e realizuara në lagjen e re të pesë majit, Ristani thekson se “e gjithë lagjja ka marrë një lloj krenarie që nuk është më ajo që quhej “Bregu i Lumit”, por është lagjja e re “5 Maji”. Një lagje për të qenë krenarë, për të qenë në shtëpi, për t’u ndjerë të respektuar, por edhe për t’u ndjerë ngrohtë edhe mirë me njëri-tjetrin”.

Në fund, Ristani përcolli edhe një urim për festat e fundvitit, me apelin për të qenë gjithmonë pranë njëri-tjetrit.

“Ata nga ju që kanë mundësi, të ndihmojnë të tjerët. Ndonjëherë vetëm një fjalë e mirë, është shumë më e ngrohtë se çdo ndihmë tjetër materiale. Duhet prania dhe ngrohtësia e secilit. Puna jonë është punë fizike. Por ajo që është më e rëndësishme, është të bëjmë të tjerët të ndihen më mirë. Dhe ky do ishte mesazh dhe urimi për këtë vit, të jeni sa më mirë me veten, me njëri-tjetrin, me familjet tuaja. Suksese dhe shëndet të gjithëve. Gëzuar”, deklaroi Ristani.

Dreka e Krishtlindjeve në qendrën “Gonxhe Bojaxhi”
1 nga 3

/e.i/a.f/

The post Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjeve në qendrën “Gonxhe Bojaxhi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Besimtarët e krishterë në rrethe festojnë Krishtlindjen

25 December 2025 at 15:31

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Mijëra besimtarë të krishterë në të gjithë vendin festuan sot Krishtlindjen, ku morën pjesë në meshat e organizuara ku u lutën për më shumë paqe dhe begati.

Në qytetin e Shkodrës mesha e shenjtë e Krishtlindjes u kremtua në katedralen “Shën Shtjefni”, ku Arqipeshkëvi Giovani Peragine udhëhoqi meshën e parë të Krishtlindjes që pas emërimit të tij në këtë detyrë.

Besimtarët uruan njëri-tjetrin, ndërsa një urim përcolli edhe Imzot Angelo Masafra.

Në qytetin e Korçës qindra besimtarë ortodoksë që në mëngjes herët iu drejtuan Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Korçë ku ndoqën meshën e drejtuar nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e tij Imzot Anastasi.

Qindra besimtarë të krishterë në Lezhë iu bashkuan ritualit fetar të lindjes së Krishtit në Katedralen e Shën Nikollit në Lezhë, ndërsa mesha e shenjtë u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Otavio Vitale, i cili vuri theksin tek mungesa e paqes në botë.

Në Durrës besimtarët e krishterë morën pjesë në meshën e zhvilluar në Kishën Dioqezane Tiranë–Durrës, si edhe në Katedralen e Shën Astit dhe Apostullit Pal. Momente lutjeje, reflektimi dhe paqeje u bashkuan në këtë festë të shenjtë.

Krishtlindja u kremtua edhe në qytetin e Gjirokastrës, ku besimtarët uruan njëri-tjetrin për më shumë shëndet dhe mbarësi.

Besimtarët u bënë pjesë e meshës edhe në qytetin e Fierit dhe Lushnjës, ndërsa Krishtlindja u kremtua edhe në qytete të tjera të vendit.

/k.s//a.f/

The post Besimtarët e krishterë në rrethe festojnë Krishtlindjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krishtlindja ne Tiranë u prit me koncertin “Tinguj dhe fjalë” në sheshin Skënderbej

25 December 2025 at 15:16

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Mbrëmjen e djeshme, bashkia e Tiranës organizoi koncertin festiv “Tinguj & Fjalë, Koncert Simfonik i Natës së Krishtlindjes”, duke kthyer Sheshin Skënderbej në një skenë të hapur të muzikës klasike, elegancës dhe emocioneve të festës së shenjtë.

Nën drejtimin e dirigjentit Armand Broshka, Orkestra Sinfonike solli për publikun një program të pasur artistik, me vepra nga kompozitorë të mëdhenj si Bizet, Johann Strauss, Brahms, Dvořák, Mascagni, Verdi dhe Gruber, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e festive në zemër të kryeqytetit.

Publiku shijoi interpretimet brilante të sopranos Eva Golemi, baritonit Armando Likaj, si dhe solistëve Edmea Krasniqi (violinë), Albana Kola (violinë) dhe Igert Zeqiri (violonçel), ndërsa drejtimi artistik u mbajt nga Ronald Gjura.

Mbrëmja festive u ndoq nga qytetarë e vizitorë te huaj, të cilët përjetuan një Krishtlindje me muzikë të përzgjedhur në zemër të Tiranës.

/e.i/a.f/

The post Krishtlindja ne Tiranë u prit me koncertin “Tinguj dhe fjalë” në sheshin Skënderbej appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjidhet formacioni më i mirë i javës së 18-të të superligës

25 December 2025 at 14:43

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Pas përfundimit të javës së 18-të të kampionatit “Abissnet Superiore”, trajnerët e ekipeve Kombëtare kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës, sipas skemës 1-3-4-3.

FSHF njofton se në portë është Mario Dajsinani i Egnatias.

Treshja e mbrojtjes është Jaime Serrano Guillem (Egnatia), Emir Azemovic (AF Elbasani) dhe Jurgen Vrapi (Vora).

Sipas FSHF-së, në mesfushë janë përzgjedhur Kastriot Selmani (Egnatia), Irgi Kasalla (Vora), Klevi Qefalija (Dinamo City) dhe Andrey Yago (Vllaznia).

Në repartin ofensiv janë Dejvi Bregu (Dinamo City), Bekim Balaj (Vllaznia) dhe Serge Tabekou (Tirana).

Trajneri më i mirë i javës së 18-të është përzgjedhur tekniku i Dinamo City, Ilir Daja.

/e.i/a.f/

 

The post Zgjidhet formacioni më i mirë i javës së 18-të të superligës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu uron Krishtlindjen me grafikën e realizuar nga i ati

25 December 2025 at 14:24

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu ka ndarë sot një urim me rastin e Krishtlindjeve, duke publikuar një grafikë të realizuar nga i ati, Jorgaq Gogu në fillim të viteve ’90.

Në postimin e tij me grafikën e skenës së Lindjes së Krishtit, Gogu shprehet se ndonëse i ati nuk jeton më, kjo vepër artistike i kujton se dashuria nuk largohet kurrë, por lë gjurmë të forta dhe mbetet gjithmonë pranë njeriut.

“Gëzuar Krishtlindjen! Këtë skenë të Krishtlindjes e ka vizatuar im atë, Jorgaqi (Gaqo), në fillim të viteve ’90; ai nuk është më mes nesh, por kjo grafikë më kujton se dashuria nuk largohet kurrë, por lë gjurmë dhe na mban fort”, shkruan Gogu.

Në reflektimin e tij për festën e Krishtlindjes, ministri Gogu një besimtar i krishterë protestant thekson se kjo ditë përkujton afrimin e Perëndisë me njerëzit jo si një ide abstrakte.

“Sot festojmë se Perëndia na u afrua jo si ide, por si Njeri: Ai hyri në historinë tonë për të nisur ripërtëritjen, që të mos mbetemi rob të errësirës, fajit apo dëshpërimit”, tha Gogu.

Gogu e mbyll mesazhin e tij me urimin që kjo Krishtlindje të sjellë paqe në shtëpi, butësi në zemër dhe guxim për të nesërmen, sepse mëshira e Perëndisë e nis rishtas jetën, edhe aty ku shihet vetëm zbrazëti.

/e.i/a.f/

The post Gogu uron Krishtlindjen me grafikën e realizuar nga i ati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VIDEO/ Aksident i rëndë në Kamëz, raportohet për 4 të plagosur

By: Fax Web
25 December 2025 at 15:24

Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme në zonën e Valiasit në Kamëz.

Dy automjete, një tip Audi dhe një tip Toyota, janë përfshirë në aksident duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Siç mëson Fax News, si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të plagosur 4 persona, të cilët janë transportuar në spital.

Ndërkohë, është shoqëruar në polici drejtuesi i “Audit”.

Pritet njoftimi i Policisë mbi dinamikën e ngjarjes.

Digjet banesa në Laç, ja shkaku

By: Fax Web
25 December 2025 at 14:56

Një banesë në fshatin Sanxhak të Laçit është përfshirë nga flakët gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00, në shtëpinë që e 64-vjeçarit me iniciale M. L.

Sipas hetimeve të para nga policia, dyshohet se zjarri nuk ka qenë i qëllimshëm. Shkaku kryesor mendohet të ketë qenë pakujdesia gjatë gatimit me një bombol gazi, e cila ka shkaktuar përhapjen e flakëve në banesë.

Fatmirësisht, nga raportimet e deritanishme nuk njoftohet për të lënduar, por vetëm për dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të konfirmuar plotësisht shkakun e zjarrit.

“Tuneli i Llogarasë”, dëshmia e vartëses së Ballukut: Firmosa nën presionin e Evis Berberit

By: Fax Web
25 December 2025 at 17:10

Vartësja e Belinda Ballukut u ka rrëfyer prokurorëve të posaçëm se është detyruar nga ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, të firmosë dokumentacionin për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

Pas kësaj dëshmie, SPAK deklaron se Belinda Balluku ka ushtruar presion ndaj vartëses së saj, fakt që sipas prokurorisë provohet edhe nga përgjimet. Këto rrethana janë pasqyruar në kërkesën që SPAK i ka dorëzuar Kuvendit për marrjen e lejes për arrestimin e zëvendëskryeministres.

E pandehura Mirzeta Kashnica ka deklaruar se i kujtohet se, në procedurën e parë të prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, e cila më pas u anulua, ajo, në cilësinë e anëtares së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kishte vlerësuar se operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. i përmbushte kriteret dhe duhej të shpallej fitues.

Ajo ka deklaruar se këtë qëndrim ua ka përcjellë me email anëtarëve të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe, për dijeni, edhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë. Sipas saj, menjëherë pasi ka dërguar email-in, rreth orës 17:05, pa u mbyllur ende procesi i vlerësimit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, është telefonuar nga shtetasi Evis Berberi, i cili i ka thënë se nuk duhej të shprehej me email.

Ajo ka deklaruar se Berberi i ka komunikuar se, pasi ai të kishte folur dhe procedura të ishte mbyllur, ajo do të anulohej, pasi asnjë nga operatorët ekonomikë nuk ishte në rregull.

Mirzeta Kashnica ka deklaruar gjithashtu se, në lidhje me procesverbalin e datës 18.03.2021 për vlerësimin e ofertave, ku janë anuluar të gjitha ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë, ajo e ka nënshkruar dokumentin pasi është ushtruar trysni ndaj saj nga shtetasi Evis Berberi, që të vazhdonte me procedurën.

 

Sipas deklarimeve të saj, Evis Berberi ishte anëtar i komisionit dhe personi që diktonte vendimmarrjen e tij. Në lidhje me procedurën e rishpallur të prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, ajo ka deklaruar se sa herë që mblidhej komisioni, anëtarët e tjerë merrnin vendime mes tyre dhe e intimidonin atë për shkak të qëndrimeve të saj.

SPAK thekson se Belinda Balluku po ushtron frikësim ndaj dëshmitarëve dhe se kjo është një nga arsyet kryesore pse ka kërkuar leje për arrestim.

“Në vijim të hetimit, nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se, nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshme, ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K.(vartëse e saj)”, thotë SPAK.

Drejt një viti në rritje dyshifrore për tregun e sigurimeve

By: Fax Web
25 December 2025 at 14:27

Tregu i sigurimeve është i projektuar drejt një viti në rritje dyshifrore.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto për 11-mujorin janar-nëntor 2025 arritën vlerën e 25.2 miliardë lekëve, në rritje me 10.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e tregut është përmirësuar në krahasim me nivelin prej 7.3% që shënohej në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e çmimit mestar për sigurimin e detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta ka pasur një rol mjaft të rëndësishëm në rritjen më të madhe të tregut.

Statistikat e AMF-së tregojnë se primet e shkruara bruto nga ky produkt u zgjeruan me 13.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pesha e këtij produkti ka arritur në 57.6% të tregut (nga 55.8% një vit më parë), ndërsa sigurimet e detyrueshme motorike në tërësi (duke përfshirë kartonin jeshil dhe policën kufitare) sollën 68.2% të primeve të shkruara bruto në tregun e Jo-Jetës.

Nisja e aplikimit të sistemit të ri për përcaktimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve ka sjellë një rritje të çmimeve për përdoruesit, në terma mesatarë.

Rregullorja “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” hyri në fuqi në fillim të vitit 2025 dhe parashikon se në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.

Klasat e tjera të sigurimit po shfaqin përgjithësisht ecuri të dobët, me përjashtim të sigurimit Kasko të mjeteve tokësore, që është në rritje vjetore me 10.5%.

Ndërkohë, produkti kryesor i sigurimit vullnetar, sigurimi nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore vazhdon të shfaqë një rritje anemike, me 4.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Tregu i sigurimit të Jetës ngelet i vogël në përmasa, por në rritje më të lartë krahasuar me tregun e Jo-Jetës. Shifrat tregojnë një rritje me 13.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ndërsa vazhdon të mbështetet gjerësisht te sigurimi i jetës së debitorit. Ky produkt sjell pothuajse 83% të volumit total të primeve të shkruara bruto. Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare.

Shumica e bankave kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë afatgjatë. Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme dhe janë kusht i detyrueshëm për marrjen e kredisë, shkruan “Monitor”.

VIDEO/ Aksident në dalje të Bulqizës, një i plagosur

By: Fax Web
25 December 2025 at 14:08

Një aksident automobilistik ka ndodhur në Rrugën e Arbrit, në dalje të qytetit të Bulqizës në drejtim të Dibrës.

Dy automjete janë përplasur ballë për ballë, duke shkaktuar plagosjen e një personi.

I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin e Bulqizës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin që lidh qytetin e vjetër të Bulqizës me Rrugën e Arbrit, një segment i njohur për rrezikshmëri të lartë, ku më parë janë regjistruar edhe aksidente të tjera, disa prej tyre me pasoja fatale.

Materialet e ndërtimit u importuan 8.3% më lirë këtë vit

25 December 2025 at 14:00

Importet e materialeve të ndërtimit në vlerë pësuan ulje këtë vit, por në sasi ato u rriten për shkak se çmimet e tyre në tregjet ndërkombëtare ishin më të ulëta.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT sasia e materialeve të importuara është rritur lehtë në rreth 1.26 milionë tonë në 11-mujor ose rreth 1.3% më shumë . Kjo tregon se volumi fizik i materialeve ka qenë disi më i lartë.

Në të kundërt, vlera totale ka shënuar rënie të ndjeshme. Ajo ka zbritur nga rreth 111.2 miliardë lekë më 11 mujorin 2024 në 103.3 miliardë lekë këtë vit, me një tkurrje prej afro 7.9 miliardë lekësh, ose 7.1%.

Për rrjedhojë ecuria e çmimit për kilogram, ka pësuar ulje me 8 për qind për periudhën në krahasim. Një kg materiale ndërtimi nga importi në 80.96 lekë këtë 11 mujor nga 88.3 lekë për kilogram që ishte çmimi në 2024.

Ulja prej rreth 7.3 lekësh për njësi, ose 8.3%, tregon një presion të fortë rënës mbi çmimet e materialeve të ndërtimit në tregjet ndërkombëtare.

Kjo ulje e çmimeve të importit nuk u reflektua në tregun e brendshëm pasi të dhënat mbi kostot e ndërtimit tregun se në tremujorin e tretë çmimet e materialeve të ndërtimit në pikat e pakicës ishin ulur vetëm 0.1%.

Çmimet në tregjet ndërkombëtare të lëndëve të para janë normalizuar pas rritjeve të forta të viteve 2021–2023. Materiale si çeliku, çimentoja, alumini apo produktet e tjera bazë të ndërtimit kanë pësuar ulje çmimesh në tregjet ndërkombëtare, duke u reflektuar drejtpërdrejt edhe në çmimet e importit në Shqipëri. Kjo ka bërë që, edhe me volume më të larta, vlera totale të jetë më e ulët.

Nga anën tjetër duket se ka ndryshuar edhe struktura e kërkesës, e cila është zhvendosur drejt materialeve më bazike dhe më pak të kushtueshme. Operatorët e tregut pohojnë se ka rritje të importit të hekurit nga kina, që më parë nuk ishte burim kryesor furnizimi.

Forcimi i lekut ndaj euros gjatë vitit 2025 ka ndikuar në uljen e vlerës në lekë të importeve, edhe kur çmimet në valutë ose sasitë nuk kanë ndryshuar ndjeshëm. Ky efekt i kursit të këmbimit reflektohet drejtpërdrejt në statistikat e tregtisë së jashtme.

Gjithashtu vërehet një ngadalësim i rritjes së kërkesës për materiale për shkak të ritmit më të moderuar të projekteve të reja.

Burimi: INSTAT

The post Materialet e ndërtimit u importuan 8.3% më lirë këtë vit appeared first on Revista Monitor.

❌
❌