Kur saturimi bie – çfarë po ndodh realisht në trupin tuaj?
Cilat vlera janë normale, kur duhet të shqetësoheni dhe pse ndryshimi i numrave është më i rëndësishëm se vetë numri
Kur saturimi i oksigjenit në gjak fillon të bjerë, në praktikën mjekësore gjithmonë nisemi nga supozimi se ky rënie mund të vazhdojë deri në nivelin ku bëhet e nevojshme dhënia e oksigjenit shtesë. Për këtë arsye, saturimi nuk shihet si një numër i izoluar, por si një tregues dinamik që mund të sinjalizojë përkeqësimin e gjendjes shëndetësore edhe para shfaqjes së simptomave të rënda.
Çfarë është saturimi dhe çfarë tregon realisht kjo vlerë
Saturimi, përkatësisht ngopja e gjakut me oksigjen (SaO₂), përfaqëson përqindjen e oksigjenit që është e lidhur me hemoglobinën në qelizat e kuqe të gjakut. Hemoglobina është një nga përbërësit kyç të gjakut, dhe aftësia e saj për t’u lidhur me oksigjenin varet nga funksioni i mushkërive, i zemrës, por edhe nga vetë sasia e hemoglobinës në gjak.
Tek personat e shëndetshëm, në gjendje qetësie vlerat normale të saturimit janë 97–98 për qind, ndërsa të gjitha vlerat mbi 95 për qind konsiderohen të rregullta.
Kur është e detyrueshme matja e saturimit
Matja e saturimit bëhet e domosdoshme në të gjitha situatat kur ekziston dyshimi për çrregullim të frymëmarrjes ose të shkëmbimit të gazeve në mushkëri. Është veçanërisht e rëndësishme:
• kur shfaqet gulçim, ndjesi e mungesës së ajrit ose shtrëngim në gjoks
• gjatë infeksioneve virale dhe bakteriale që mund të prekin mushkëritë
• gjatë trajtimit në shtëpi të sëmundjeve respiratore
• tek personat me sëmundje kronike të mushkërive dhe zemrës
• në rast anemie, sepse sasia e ulët e hemoglobinës ndikon në furnizimin e përgjithshëm me oksigjen
• gjatë përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes së përgjithshme, me lodhje, dobësi ose konfuzion.
Saturimi është i rëndësishëm të matet edhe në mënyrë të përsëritur, pra disa herë, sepse një vlerë normale e matur vetëm një herë nuk e përjashton përkeqësimin e mëvonshëm, transmeton Telegrafi.
Vlerat normale, kufitare dhe alarmante
95–100% – oksigjenim normal
93–94% – vlera kufitare, kërkojnë mbikëqyrje të shtuar
90–92% – shenjë e çrregullimit të rëndësishëm të oksigjenimit
nën 90% – gjendje alarmante
Saturimi nën 90 për qind tregon se në mushkëri nuk po ndodh shkëmbimi adekuat i gazeve dhe përbën një sinjal të qartë për t’u paraqitur urgjentisht te mjeku dhe për të filluar terapinë me oksigjen, pavarësisht nga shkaku.
Pse ndryshimi është më i rëndësishëm se vetë numri
Në praktikën klinike shpesh rezulton se dinamika e rënies së saturimit është më e rëndësishme se vetë vlera absolute. Personat me sëmundje kronike të mushkërive ose zemrës mund të jetojnë për vite me saturim rreth 90 për qind dhe ta tolerojnë relativisht mirë. Ndërsa, tek një person plotësisht i shëndetshëm, një rënie e menjëhershme nga 97 në 93 për qind mund të jetë shenjë e hershme e një përkeqësimi serioz.
Nëse gjatë trajtimit saturimi fillon të bjerë dhe nuk kthehet në vlerat fillestare, konsiderohet se ekziston rreziku që rënia të vazhdojë deri në nivelin që kërkon mbështetje me oksigjen.
Çfarë mund të shkaktojë rënien e saturimit
Ulja e oksigjenimit të gjakut (hipoksemia) mund të ndodhë si pasojë e sëmundjeve të mushkërive (pneumoni, astmë, HOBP, fibrozë pulmonare), sëmundjeve të zemrës, trombit në arterien pulmonare, qëndrimit në lartësi të madhe mbidetare, anemisë, apneas së gjumit, veprimit të disa barnave (përfshirë sedativët dhe narkotikët), por edhe cilësisë së dobët të ajrit në ambiente të mbyllura.
Është e rëndësishme të theksohet se jo çdo rënie e saturimit është shenjë e pneumonisë, por kërkon monitorim dhe vlerësim në kontekstin e simptomave.
Simptomat që tregojnë rënie serioze të nivelit të oksigjenit në gjak
Rënia e saturimit mund të shoqërohet me dhimbje koke, të përziera dhe të vjella, lodhje dhe dobësi të theksuar, përgjumje, konfuzion dhe ndryshime në sjellje. Gjithashtu, mund të shfaqen frymëmarrje dhe rrahje të përshpejtuara të zemrës, ngjyrë kaltërosh e buzëve dhe e gishtërinjve, si dhe ndjesi mbytjeje edhe gjatë sforcimeve minimale.
Këto shenja kërkojnë vlerësim urgjent mjekësor dhe, nëse është e nevojshme, ndërhyrje të menjëhershme.
Pulsoksimetri në kushte shtëpie
Pulsoksimetri është një pajisje e thjeshtë, pa dhimbje dhe jo-invazive që mundëson matjen e shpejtë të saturimit dhe pulsit. Edhe pse është i përshtatshëm për përdorim në shtëpi, vlerat e marra duhet të interpretohen gjithmonë së bashku me simptomat dhe ndryshimet e tyre me kalimin e kohës, dhe jo si kriteri i vetëm i gjendjes shëndetësore. /Telegrafi/
