Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Begaj uron 113-vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/- Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh drejtuar Forcave të Armatosura të Shqipërisë me rastin e 113-vjetorit të themelimit.

Presidenti Begaj, njëherësh dhe Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vlerësoi angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e efektivëve të FARSH, si dhe suksesin e arritur  në shërbim të Shqipërisë dhe në të gjitha misionet e operacionet ndërkombëtare ku ata shërbejnë.

“Sot, në ditën e themelimit të Forcave të Armatosura, nderojmë me respekt kontributin, sakrificat dhe shërbimin e vyer të të gjithë efektivëve të FARSH që me atdhedashuri, besnikëri dhe disiplinë i kanë shërbyer atdheut në këto 113 vite. Forcat e Armatosura, me angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre, kanë arritur me sukses të jenë në lartësinë e detyrës për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit”, shprehet Begaj

Kreu i Shtetit shprehu, gjithashtu, vlerësim për të gjitha vajzat, djemtë, gratë dhe burrat e FARSH për misionin fisnik të shërbimit ndaj atdheut.

“Pjesëmarrja në misione dhe operacione të NATO-s, BE-së dhe OKB-së na bën krenarë dhe kontribuues me vlera në sigurinë kolektive. Mirënjohje për çdo efektiv, vajza dhe djem, gra dhe burra të Forcave të Armatosura për shërbimin që i bëjnë atdheut”, shprehet Presidenti Begaj në mesazhin e urimit për Forcat e Armatosura.

The post Begaj uron 113-vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu uron Ditën e Pavarësisë: FA në Kosovë përcjellin mesazhin e krenarisë kombëtare

28 November 2025 at 08:59

TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka uruar sot Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke publikuar një videomesazh të posaçëm nga efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në Kosovë.

Përmes këtij mesazhi solemn, trupat shqiptare përcollën urimet më të përzemërta për këtë ditë të shenjtë që bashkon shqiptarët në vlera, sakrificë dhe krenari kombëtare.

“Në këtë detyrë dhe angazhim tonin, përforcojmë vetëdijen dhe vendosmërinë e sakrificës për të çuar përpara vlerat e kombit shqiptar. Jemi këtu për t’i dalë zot atdheut tonë dhe për të nderuar gjakun e derdhur të atyre që ranë për lirinë e tokës sonë. Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit”, u shpreh një pjesëtar i FA në Kosovë.

Një tjetër pjesëtare përcolli urimet e saj për të gjithë shqiptarët: “Gëzuar festat e nëntorit familjet tona, motra dhe vëllezër shqiptarë kudo ndodhen. Gëzuar ushtarakë dhe çdo anëtar i FA që jetën ia dedikon kësaj uniforme”.

“Urime të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Gëzuar festën e Flamurit! Gëzuar Pavarësinë!”, theksoi një tjetër efektiv.

Sot shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë – një akt historik që vulosi aspiratat shekullore për liri dhe shtet të pavarur.

Nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, te nënshkrimi i Aktit të Pavarësisë më 1912, kjo datë simbolizon qëndresën, unitetin dhe identitetin kombëtar.

Që prej vitit 2017, 28 Nëntori është ditë pushimi zyrtar edhe në Kosovë, si shenjë nderimi për vlerat dhe traditat e përbashkëta të kombit shqiptar.

/gj.m/a.f/

 

The post Vengu uron Ditën e Pavarësisë: FA në Kosovë përcjellin mesazhin e krenarisë kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FA të angazhuara në terren për menaxhimin e situatës së reshjeve

19 November 2025 at 15:18

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot lidhur me angazhimin e Forcave të Armatosura në disa qarqe për menaxhimin e situatës së reshjeve.

Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë vënë në lëvizje Forcat e Armatosura, të cilat janë dislokuar në disa zona të vendit për të asistuar në menaxhimin e emergjencave dhe përballimin e pasojave të përmbytjeve.

Sipas të dhënave zyrtare, njësi të ndryshme të FA-ve po operojnë në terren me efektivë, mjete të specializuara, varka dhe motorpompa, duke ndihmuar në evakuime, transport, pastrim rrugësh dhe përballimin e prurjeve të larta të lumenjve.

Sipas MM, në Thumanë, 10 efektivë me 2 mjete, një motogomone dhe një varkë janë angazhuar për të asistuar qytetarët në zonat e prekura.

Në Kurbin, janë dislokuar 9 efektivë me 2 mjete dhe një varkë shpëtimi.

Në Lezhë, 10 efektivë dhe 2 mjete po punojnë me 3 motorpompa për largimin e ujit nga zonat e përmbytura.

Në Vau të Dejës, janë vendosur 16 efektivë me 4 mjete, 3 varka me motor dhe 3 varka të tjera ndihmëse.

Në Vlorë dhe Fier, 25 efektivë po operojnë me 3 kamiona, 2 motorpompa dhe 5 varka për ndërhyrje në terrene të vështira.

Në Delvinë, Batalioni i Gjirokastrës ka angazhuar 30 efektivë dhe 3 mjete me kalueshmëri të lartë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave rurale.

Në Theth, Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut po vepron me 14 efektivë, 2 fadroma dhe 2 mjete të transportit të rëndë për të pastruar akset dhe për të siguruar qarkullimin.

Gjithashtu MM bën të ditur se në Delvinë, në Kalasë dhe Bistricë lumenjtë janë terhequr ne shtrat, duke liruar rrugën nga uji dhe tashmë qarkullimi është i normalizuar në Shelegar dhe Krane.

Forcat e Armatosura mbeten në gatishmëri të plotë dhe janë të përgatitura të shtojnë ndërhyrjet në çdo zonë që mund të paraqesë probleme nga reshjet.

1 nga 4

/gj.m/a.f/

The post FA të angazhuara në terren për menaxhimin e situatës së reshjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Ekipet e emergjencave civile dhe FA-të të angazhuar në 12 qarqet e vendit

18 November 2025 at 15:51

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Ekipet e emergjencave civile po vijojnë angazhimin maksimal në të 12 qarqet e vendit për koordinimin e punës në përballimin e pasojave të reshjeve intensive të orëve të fundit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur se strukturat në terren janë duke monitoruar zonat me risk dhe po ndërhyjnë për normalizimin gradual të situatës.

Forcat e Armatosura mbeten të angazhuara, së bashku me të gjitha strukturat lokale, qendrore dhe bashkitë, për normalizimin e situatës, sigurinë e banorëve dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm, theksoi Vengu.

Sipas autoriteteve, puna vijon në mënyrë të pandërprerë, ndërsa theksohet se institucionet janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar çdo situatë emergjente.

/gj.m/ /a.g/

The post Vengu: Ekipet e emergjencave civile dhe FA-të të angazhuar në 12 qarqet e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dronë të tjerë mbi objekte ushtarake në Danimarkë

28 September 2025 at 15:06

Më shumë dronë janë detektuar mbi objekte ushtarake daneze gjatë natës, tha Ushtria e Danimarkës të dielën. Kjo është dita e dytë me radhë që Danimarka detekton dronë, teksa shteti në javët e fundit është përballur me disa incidente të tilla.

“Forcat e Armatosura mund të konfirmojnë se janë parë dronë mbi disa lokacione të ushtrisë gjatë natës. Kemi dislokuar disa kapacitete”, tha ushtria përmes një njoftimi.

Ushtria nuk ofroi detaje lidhur me incidentet apo për përgjigjen e saj. Mediat daneze raportuan se asnjë aeroport nuk është mbyllur gjatë natës. Shfaqja e dronëve në mbarë Danimarkën dhe Norvegjinë që nga 22 shtatori ka detyruar autoritetet të mbyllin disa aeroporte.

Vengu: Krenar për skuadrën e ushtarakëve dhe civilëve të Mbrojtjes

19 September 2025 at 20:46

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mblodhi sot në ditën e rimandatimit në këtë post dhe betimit në Presidencë skuadrën e ushtarakëve dhe civilëve të mbrojtjes.

Vengu në një postim në rrjetet sociale shprehu krenarinë për atë çka bëjnë çdo ditë Forcat e Armatosura në tokë, në det, në ajër e në hapësirën kibernetike.

Vengu gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj Kryeministrit Edi Rama, për mbështetjen e vazhdueshme dhe mundësinë për t’i shërbyer vendit përgjatë më shumë se një dekade, aty ku detyrat shtetformuese të kësaj skuadre politike e kërkonin.

“Nuk mund të mos falënderoj në këto momente të gjithë personelin e angazhuar në misione të rrezikshmërisë së lartë dhe familjet e tyre – ata që qëndrojnë gjithmonë në gatishmëri që qytetarët tanë të jetojnë, punojnë dhe gëzojnë jetën të sigurt”, u shpreh Vengu.

Vengu theksoi se, ata janë njësia matëse e një shteti që mbron dhe nuk dorëzohet përballë sfidave, duke shprehur krenarinë për skuadrën e ushtarakëve dhe civilëve të Ministrisë së Mbrojtjes.

Pirro Vengu është lindur më 24 prill 1986, në Elbasan. Prej korrikut 2024 ai ka mbajtur postin e Ministrit të Mbrojtjes.

Nga viti 2019 e deri në vitin 2024, Vengu ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës.  Në periudhën 2017 deri në 2019, ai ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Antikorrupsionit në Kryeministri.

Ndërsa nga viti 2013 deri në 2017, ka qenë shefi i kabinetit në Ministrinë e Jashtme. Më herët, gjatë viteve 2010 – 2013, Vengu ka mbajtur rolin e Koordinatorit të Programeve Kërkimore, European Council on Foreign Relations (Paris, Francë).

/gj.m/j.p/

The post Vengu: Krenar për skuadrën e ushtarakëve dhe civilëve të Mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kingji: Shqipëria, e angazhuar në rritjen e investimeve në infrastrukturën ushtarake dhe logjistike

19 September 2025 at 18:43

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji zhvilloi një takim me zëvendëskomandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar Aleate në Napoli, gjenerallejtënant Peter Scott.

Në takim u diskutua mbi rolin e rëndësishëm të kësaj komande në zonën e saj të përgjegjësisë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

Kingji shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e JFC Napolit në përfshirjen e Korridorit VIII në rishikimin e Planeve Rajonale të Evropës Juglindore.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura theksoi se, Shqipëria mbetet e angazhuar në rritjen e investimeve në infrastrukturën ushtarake dhe logjistike, me qëllim lehtësimin e lëvizshmërisë, forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me aleatët, teksa shtoi se, prioriteti i Shqipërisë është qëndrueshmëria dhe siguria në rajon, ndërsa vlerësojmë lart rolin e misionit KFOR në këtë drejtim.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

 

The post Kingji: Shqipëria, e angazhuar në rritjen e investimeve në infrastrukturën ushtarake dhe logjistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ballkani mes dronëve të NATO-s dhe raketave nga Lindja

14 September 2025 at 09:41


Modernizimi ushtarak në Ballkanin Perëndimor nuk është thjesht çështje pajisjesh. Ai reflekton garën mes fuqive të mëdha për ndikim.

Serbia manovron me armë nga Perëndimi, Kina, Rusia, ndërsa fqinjët e saj mbeten kryesisht të pajisur me teknologji perëndimore.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, thotë se ky kombinim e ka shndërruar Ballkanin prej kohësh në një miniaturë të rivalitetit global. Dhe, pasojat e këtij pozicionimi shtrihen përtej fushës së mbrojtjes.

“... sepse siguria sot nuk është vetëm çështje mbrojtjeje. Siguria është çështje infrastrukture, teknologjie, politike, ekonomike dhe ushtarake. Marrë parasysh këto, raportet që i ka krijuar Serbia [me Rusinë dhe Kinën] janë çështje e një shqetësimi jo të vogël”, thotë Mediu për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.Harmonizimi i modernizimit ushtarak me synimet e deklaruara euroatlantike mbetet çështje e diskutueshme edhe për Nikolla Lluniqin, konsulent në Beograd për çështje gjeopolitike dhe të sigurisë.

“Do të ishte e pritshme që - nëse të gjitha vendet synojnë të anëtarësohen një ditë në NATO dhe sigurisht në Bashkimin Evropian - struktura evropiane e sigurisë të ishte plotësisht e përputhshme. Kjo nënkupton që blerjet ushtarake të koordinohen. Por kjo, normalisht, nuk ndodh në rajonin tonë, për shkak të historisë sonë të papërfunduar dhe narrativëve shpesh nacionalistë dhe agresivë”, thotë Lluniq.Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s; Kosova dhe Bosnje e Hercegovina aspirojnë të anëtarësohen, ndërsa Serbia - edhe pse ushtarakisht neutrale - është pjesë e programit të NATO-s “Partneriteti për paqe”.

Vendet anëtare të NATO-s, në parim, kanë armatim të dizajnuar ose të përshtatur që të jetë i ndërveprueshëm. Kjo do të thotë se pajisjet duhet të flasin “gjuhën” e njëjtë teknologjike.

Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës konfirmojnë për Exposenë se “të gjitha armët e blera nga Kosova në katër vjetët e fundit janë sipas standardeve të NATO-s. Kryesisht janë armë të blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Gjermania etj”.

Zëdhënësja Liridona Gashi nuk zbulon se sa është shpenzuar këtë vit për armatim, por thekson se kjo qeveri ka investuar “shumëfish më shumë” se të kaluarat.

Këtë muaj, Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të shndërrimit në ushtri me kapacitete të plota, ka pranuar dronë të blerë nga Shtetet e Bashkuara - modeli RQ-20 Puma LE.

FSK-ja vazhdimisht trajnohet në baza amerikane dhe evropiane dhe merr pjesë edhe në ushrime shumëkombëshe, si “Defender Europe”.

Në fund të vitit të kaluar, Kosova ka bërë edhe një marrëveshje me Turqinë për ndërtimin e fabrikës së parë të municionit. Gashi, nga Ministria e Mbrojtjes, thotë se pritjet janë që ajo të funksionalizohet “brenda dy vjetësh”. Ndërsa, për bashkëpunimin ushtarak të shpallur në mars mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, thotë se aktualisht “është duke u përpiluar plani i përbashkët i aktiviteteve”.Në vijë me NATO-n janë edhe Forcat e Armatosura të Bosnje e Hercegovinës. Sipas planit të shpallur vjetor, ato do të marrin pjesë në 17 ushtrime këtë vit, përmes bashkëpunimit me NATO-n, nismave rajonale dhe marrëveshjeve dypalëshe në fushën e mbrojtjes.

Nga të dhënat doganore në këtë vend duket se Bosnje e Hercegovina eksporton armë kryesisht në shtetet perëndimore dhe ato të Lindjes së Mesme, ndërsa importon kryesisht nga vendet fqinje dhe më gjerë.

Ajo që dallon në rajon është Serbia. Pjesëmarrja në programin “Partneriteti për paqe” i mundëson bashkëpunim të kufizuar me NATO-n, por ndërveprimet me Kinën dhe Rusinë e vendosin jashtë modelit të fqinjëve të saj.Deri para pushtimit rus të Ukrainës, Serbia mbështetej kryesisht tek armët ruse, ndërsa pas ndryshimeve gjeopolitike, ajo iu drejtua Kinës, nga ku bleu, mes tjerash, dronë luftarakë e sisteme raketore.

Korrikun që shkoi, njësitë speciale të ushtrisë serbe zhvilluan edhe stërvitjen e tyre të parë të përbashkët me ushtarë nga Kina, në provincën Hebei, pavarësisht paralajmërimeve të BE-së, ku Serbia synon të anëtarësohet.

Javën e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte në një samit në Kinë dhe paralajmëroi blerje të reja armësh nga shteti komunist.

“Sot, Kina është investitori më i madh në Serbi, si vend i vetëm - me 7.2 miliardë euro. Këtë vit, Republika Popullore e Kinës dhe Serbia do të kenë rreth 8.5 miliardë euro shkëmbime tregtare”, tha Vuçiq.Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia ka bërë shpenzimet më të mëdha ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë pesë vjetëve të fundit, duke blerë armatim si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja.

Vetëm në vitin 2024, ajo ndau 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë - rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, që është anëtare e NATO-s. Kosova ndau rreth 162 milionë, krahasuar me 90 milionë të ndarë në vitin 2020.

Për Mediun, çekuilibri i tillë në investimet ushtarake ngre "flamurin e kuq".

“Serbia - po t’i shohësh politikat e saj në Bosnje e Herecegovinë e në mënyrë të veçantë në Kosovë - nuk ka hequr dorë kurrë nga pretendimet për të mbrojtur, siç thotë ajo, popullsinë serbe. Është i njëjti narrativ që ka përdorur edhe Rusia [për pushtimin e Ukrainës]. Pra, ajo s’ka për të hequr dorë nga dominimi në rajonin e Ballkanit”, thotë Mediu.

Si arsyetim për armatosjen e Serbisë, Vuçiq shpesh përmend “kërcënimet nga fqinjësia”, pa specifikuar se prej kujt. “Ne nuk do të prekim askënd, vetëm do të mbrojmë territorin dhe integritetin tonë”, deklaroi javën e kaluar në Pekin.

Për Lluniqin, kjo retorikë është për përdorim të brendshëm. Por, përpjekjet e tij për të balancuar mes të gjithëve, përfshirë Kinën dhe Rusinë, në një moment të caktuar mund t’i kthehen bumerang.

“Nëse kriza aktuale gjeopolitike eskalon, atëherë edhe vetë Serbia do të ishte në një situatë shumë të ndjeshme, ku askush nuk do ta pranonte statusin e saj neutral. Në një situatë të tillë, të gjithë do ta perceptonin Serbinë si një partnere të pabesueshme”, vlerëson Lluniq.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar koment edhe nga NATO-ja, edhe nga BE-ja për orientimin e Serbisë gjithnjë e nga Kina, por nuk ka marrë përgjigje prej asnjërit institucion.Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kina kërkon pikëmbështetje në Evropë dhe Serbia, me nevojat e saj ekonomike dhe me lëkundjet e vazhdueshme mes Lindjes e Perëndimit, është partnere tërheqëse.

Shea nuk e përjashton mundësinë që Vuçiq, për shkak të trazirave të brendshme dhe tensioneve rajonale, të ndjekë një qasje më konfrontuese edhe ndaj fqinjëve.

Ai thotë se NATO-ja duhet t’i monitorojë nga afër zhvillimet e sigurisë, sidomos përgjatë kufijve dhe në zonat e prira për trazira, dhe të jetë e gatshme të reagojë shpejt nëse tensionet përshkallëzohen.

“Mendoj se është e rëndësishme tani që NATO-ja të ketë një të dërguar të posaçëm në rajon, i cili do të punonte bashkë me përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-së”, thotë Shea për Exposenë.

Për Kosovën, Serbia mbetet kërcënimi kryesor për sigurinë dhe stabilitetin. Dy vjet më parë, grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic. Beogradi mohoi përfshirjen, por autoritetet e Kosovës thanë se kanë prova që e lidhin atë drejtpërdrejt me sulmin.

Sipas profesor Fidair Berishës, nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Serbia nuk heq dot dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës.

“Neve na duhet një bashkëpunim i fortë ndërkombëtar sidomos me pesë vendet e QUINT-it. Garancia më e fortë është anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe një bashkëpunim i sinqertë dhe më i thelllë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë ai.Rruga e Kosovës drejt NATO-s është ende e gjatë, meqë katër vende të aleancës nuk e njohin shtetësinë e saj. Dhe për më tepër, siç vlerësojnë komentuesit, Ballkani Perëndimor ka zbritur në listën e prioriteteve të Perëndimit - i tejkaluar nga lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.

Mediu sugjeron krijimin e kapaciteteve të përbashkëta ushtarake.

“E vetmja mënyrë për t’i bërë ballë këtij lloj agresioni politik të Serbisë në bashkëpunim me Kinën dhe Rusinë, është t’i ndërtojmë tri elemente të rëndësishme: një deterrancë ushtarake të vendeve të NATO-s në rajonin e Ballkanit, një deterrancë politike për një analizë të përbashkët të çështjeve të sigurisë dhe një deterrancë ekonomike. Këto janë të lidhura me njëra-tjetrën”, thotë ish-ministri shqiptar i Mbrojtjes.

Duke iu referuar përvojës së vendeve baltike, ai e vlerëson nismën e Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për bashkëpunim në mbrojtje, me shpresën që ajo të ngrihet në një nivel më të avancuar.

Serbia, nga ana e saj, e ka kundërshtuar ashpër atë, duke paralajmëruar se nuk do të pranojë veprime të njëanshme që, sipas saj, cenojnë integritetin territorial.

Shea, i njohur si zëri i NATO-s gjatë luftës në Kosovë më 1999, e mbyll me një mesazh thelbësor: askush nuk duhet lejuar të zihet në befasi. Sipas tij, filozofia e Napoleonit të Madh e përmbledh thjesht këtë parim: “Mund të të falet nëse humb një betejë, por jo nëse të kapin të papërgatitur”./Radio Evropa e Lirë/

Ndihmë në shuarjen e zjarreve, Kingji pret komandantin e Komandës së Bashkuar Operacionale të EBA

20 August 2025 at 16:48

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, priti sot në një takim zyrtar komandantin e Komandës së Bashkuar Operacionale të Emirateve të Bashkuara Arabe, gjeneralmajor Awad Saeed Al-Ahbabi.

Gjatë takimit, gjenerallejtënant Kingji shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e forcave të Emirateve të Bashkuara Arabe në operacionet e shuarjes së zjarreve në Shqipëri, duke e konsideruar këtë kontribut si një dëshmi të thellë të miqësisë dhe solidaritetit mes dy vendeve.

Nga ana e tij, gjeneralmajor Al-Ahbabi shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe për të zgjeruar më tej fushat e partneritetit.

Që prej dy javësh, dy helikopterë “Black Hawk” të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe janë dislokuar në Bazën Ajrore të Kuçovës, duke mbështetur operacionet e shuarjes së zjarreve në të gjithë territorin e vendit dhe duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit diskutuan mbi rritjen dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe shkëmbimin e eksperiencave mes forcave të armatosura të të dy vendeve, si dhe vlerësuan rëndësinë e forcimit të partneritetit dhe angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.

Më pas, gjeneralmajor Awad Saeed Al-Ahbabi, i shoqëruar nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Altin Kurti, ka zhvilluar dhe një vizitë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku ka inspektuar nga afër trupat e Forcave të Emirateve të Bashkuara Arabe të dislokuara aty, të cilat janë angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në vend.

/gj.m/r.e/j.p/

The post Ndihmë në shuarjen e zjarreve, Kingji pret komandantin e Komandës së Bashkuar Operacionale të EBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Xheniot e FA, pjesë e stërvitjes së brigadës shumëkombëshe të NATO-s në Letoni

14 August 2025 at 15:19

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Forcat e Armatosura të Shqipërisë marrin pjesë në stërvitjen VERBOOM të Brigadës Shumëkombëshe të NATO-s në Letoni.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ndau sot foto nga pjesëmarrja e xheniove të Forcave të Armatosura në ushtrimin intensiv me qëllim shkëmbimin e eksperiencës në terren midis vendeve aleate dhe promovimin e sigurisë kolektive në Evropë.

“Forcat tona në stërvitjen VERBOOM të Brigadës Shumëkombëshe të NATO-s në Letoni. Xheniot e Forcat e Armatosura të Shqipërisë pjesë e ushtrimit intensiv me qëllim shkëmbimin e eksperiencës në terren midis vendeve aleate dhe promovimin e sigurisë kolektive në Evropë”, shkroi Vengu në një postim në rrjetet sociale.

1 nga 5

/gj.m/j.p/

The post Vengu: Xheniot e FA, pjesë e stërvitjes së brigadës shumëkombëshe të NATO-s në Letoni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret, Vengu: 1300 zjarrfikës dhe mbi 1000 Forca të Armatosura të dislokuara në mbarë vendin

12 August 2025 at 18:08

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu foli sot për situatën e zjarreve në vend.

Nga Gramshi, ku po ndjek nga afër operacionet për shuarjen e zjarreve që kanë prekur këtë zonë, Vengu u shpreh në një prononcim për mediet se, “jemi në një situatë dinamike në mbarë vendin”.

“Duhet të kuptojmë që jemi në këto momente duke bërë evakuime po aq të rëndësishme si këtu në Gramsh, edhe në bashkinë e Poliçanit. Gjithashtu në Tepelenë kemi një agravim të situatës sa i përket zonës së Ujit të Ftohtë. Elementë përsëri vatrash në Finiq, Delvinë që kërcënojnë po ashtu zona të banuara. Dhe lajmi i fundit, vatra që ishte në lartësitë e Muzinës, ka kaluar në Dropull, çka na detyron praktikisht që të bëjmë një rishpërndarje përsëri të forcave”.

“Kemi nxjerrë urdhra evakuimi edhe për fshatrat në Gramsh, edhe për fshatrat në Poliçan dhe po vazhdojmë të monitorojmë një situatë komplekse që ka nisur në momentet e fundit praktikisht, ky është informacioni i fundit që kam, në bashkinë e Selenicës”, tha Vengu.

Ministri u shpreh se, banorët nuk duhet të shqetësohen nga këto urdhra evakuimi.

“Jeta e tyre është prioriteti ynë. Forcat vendore dhe Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të jenë, siç kanë qenë gjithë këto ditë. 1300 zjarrfikës vendorë, mbi 1000 Forca të Armatosura të dislokuara në mbarë vendin”, tha Vengu.

Ministri shtoi se “është një situatë dinamike në mbarë vendin, i gjithë Mesdheu lindor është nën pushtetin e flakëve”, ndaj ai ritheksoi se “elementët e zjarrvënies të qëllimshme duhet patjetër që të marrin ndëshkimin maksimal, sepse po i shkaktojnë një dëm vendit shumë të madh nga pikëpamja e jetëve dhe nga pikëpamja mjedisore, dhe e kostos që ka për gjithë ekonominë vendore”.

I pyetur lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama që zjarrvënia e qëllimshme duhet barazuar në Kodin Penal me vrasjen, Vengu tha se, “është absolutisht e drejtë nga momenti që Kodi Penal duhet të reflektojë një realitet të ri. Realiteti i ri në mbarë Mesdheun është realiteti i zjarreve masive. Ndaj dhe i gjithë Mekanizmi Evropian po riformatohet për të pasur resurse në mbarë rajonin sa i përket zjarreve masive dhe ne do të vijojmë ta kemi këtë bashkërendim, qoftë me aleatët italianë, qoftë me aleatët kroatë, sllovakë dhe atyre emiratas, të cilët gjej rastin t’i falënderoj, sepse kanë reaguar në kohë rekord duke ardhur nga Emiratet me dy helikopterë të dedikuar, që kanë operuar kryesisht në zonat e banuara të Tiranës”.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Zjarret, Vengu: 1300 zjarrfikës dhe mbi 1000 Forca të Armatosura të dislokuara në mbarë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Evakuime në Rrogozhinë / Vazhdojnë zjarret në pyje, urdhër evakuimi dhe në Poliçan

12 August 2025 at 18:30

Të paktën 30 vatra aktive zjarri raportohen në të gjithë vendin. Situata është përkeqësuar në Kavajë e Rrogozhinë. Ekipet e emergjencës dhe Forcat e Armatosura kanë evakuuar banorët, pasi flakët iu afruan shtëpive në fshatrat Spanesh dhe Kazie.

Terreni është i vështirë dhe flakët po përhapen me shpejtësi, ndërsa ekipet po punojnë për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Situatë e vështirë paraqitet edhe në Poliçan. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit në njësinë Administrative Terpan. Zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve në Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”, të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

Pasi mori përmasa alarmante, zjarri në zonën turistike të Syrit të Kaltër është neutralizuar. Mirëpo, situata gjatë së martës është shqetësuese, pasi flakët kaluan në fshatin Pecë.

Shërbimet zjarrfikëse të Finiqit, Delvinës dhe Sarandës, së bashku me banorët e zonës, po punojnë ndërprerje për të mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarrit. Terreni i thyer dhe malor ka vështirësuar ndërhyrjen nga toka, ndërsa era e fortë ndikoi në përhapjen e shpejtë të flakëve, të cilat arritën deri në rrugën nacionale.

Për të garantuar sigurinë e banorëve, autoritetet kanë evakuuar banorët e fshatit Pecë. Ministria e Mbrojtjes raporton se për shkak të vatrave aktive, situata në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër vazhdon të jetë problematike, ndërsa në terren po operohet me kapacitete të shtuara, 8 mjete zjarrfikëse, dhe rreth 90 forca operacionale, mbështetur nga helikopteri i Forcës Ajrore shqiptare, 2 avionë grek, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.

Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në Tepelenë dhe Memaloaj. Flakët që u ndezën fillimisht në Lekël, kanë përfshirë edhe fshatrat Labovë dhe Hormovë. Terreni i thyer dhe malor është në disfavor të grupeve të emergjencave civile për të ndërhyrë nga toka. Terreni i thyer dhe malor është në disfavor të grupeve të emergjencave civile për të ndërhyrë nga toka. Zjarret kanë shkaktuar dëme në kullota por situata ngelet shqetësuese si pasojë e përhapjes me shpejtësi të flakëve drejt zonave të banuara.

Dhjetarë vatra aktive zjarri raportohen edhe në territorin e bashkisë së Tiranës. Konkretisht në malin e Bërzhitës, fshati Ibë. Gjithashtu zjarre ka edhe në njësinë Administrative të Vaqarrit.

Në zall herr rrezikohen banesa, forcave në terren i është bashkuar me ndihmë nga ajri helikopterë Blackhawk të Emirateve të Bshkuara Arabe.

Zjarri i rënë në një terren të thyer në fshatin Xath të Fushë Arrëzit nuk mundëson ndërhyrjen nga forcat tokësore. Zjarri ka marrë përmasa, ndërsa po punojnë për të neutralizuar flakët 80 forca operacionale vendore dhe 65 ushtarake.

Vatra aktive zjarri raportohen gjithashtu edhe në qarqe të tjera të vendit, Kukës, Lezhë, Durrës, Elbasan. Flakët favorizohen nga temperaturat e larta që pritet të arrijnë deri në 41 gradë.

/abcnews.al/

Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës, ndonëse u premtuan të paktën dy

28 July 2025 at 15:00

Në një vend ku zjarret kanë shkatërruar qindra mijëra hektarë tokë në dekadën e fundit, premtimet politike për përforcimin e flotës ajrore me avionë zjarrfikës nuk janë çështje retorike, por çështje jetike. Megjithatë premtimi i bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, se Shqipëria do të kishte dy avionë zjarrfikës të gatshëm për sezonin veror, rezulton i pambajtur.

Flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion duke filluar nga kjo verë, janë bërë marrëveshjet, dy avionë zjarrfikës në gatishmëri për ne pa pritur që të vijnë nga një vend apo nga një vend tjetër” , tha kryeministri gjatë fushatës elektorale në 29 Mars 2025.

Vera erdhi, zjarret nisën, por Shqipëria ende nuk ka asnjë avion zjarrfikës.

Një kërkesë për informacion që Faktoje i drejtoi Ministrisë së Mbrojtjes konfirmon zyrtarisht se, ndryshe nga sa u premtua, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk disponojnë asnjë avion zjarrfikës. Në përgjigjen e kthyer zyrtarisht, ministria njofton thjesht:

“Ju informojmë se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) aktualisht nuk disponojnë avionë zjarrfikës.”

E në fakt për zjarret aktive në vend avionët zjarrfikës erdhën nga vendet e Bashkimit Europian në kuadër të programit EU Solidarity.

Gjatë ditëve të fundit flakët kanë përfshirë zona të ndryshme të Shqipërisë si Delvina, Bulqiza, Borshi, Lukova, Kanina, Berati dhe Pusteci. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes civile njoftoi më 28 Korrik se “gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra zjarri nga të cilat 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar”.

Mungesa e avionëve zjarrfikës është denoncuar edhe nga kreu i institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, sipas të cilit Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk disponon asnjë avion apo helikopter të dedikuar për shuarjen e zjarreve nga ajri.

Premtimi i ricikluar për avionë zjarrfikës

Premtimi për avionë zjarrfikës nuk është i ri për qeverinë socialiste. Ai është një riciklim i deklaratave të mëparshme.

Në janar të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi publikisht se Shqipëria po përgatiste dokumentacionin për blerjen e dy avionëve shumëfunksionalë, të përshtatshëm për ndërhyrje në raste zjarresh dhe për mbështetje agrokulturore.

Janë disa mjete më modeste në kosto, më të manovrueshme dhe më të përshtatshme për situatat tona të zjarreve,” u shpreh ministri Peleshi asokohe.

Pyetjet që ngrihen nga kjo mospërputhje mes deklaratave politike dhe realitetit janë disa. Sa ka kushtuar dështimi për të pajisur vendin me avionë zjarrfikës në kohë? Sa sipërfaqe mund të ishte shpëtuar? Sa jetë njerëzish dhe burimesh janë vënë në rrezik për shkak të mungesës së logjistikës ajrore?

Në mungesë të transparencës, publiku nuk ka mundësi të gjykojë nëse vonesat janë për arsye financiare, burokratike apo thjesht për mungesë vullneti politik. Asnjë informacion për tendera, kontrata apo faza të prokurimit nuk është bërë publik deri më sot.

Nisur nga të dhënat, premtimi i bërë gjatë fushatës zgjedhore për vendosjen e dy avionëve zjarrfikës në dispozicion të flotës ajrore shqiptare konsiderohet i pambajtur.

The post Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës, ndonëse u premtuan të paktën dy appeared first on Faktoje.al.

Pajisjet ushtarake, ku dhe si do i blejë Shqipëria? Marrëveshje me disa shtete

17 July 2025 at 20:30

Qeveria ka vendosur të bëjë disa ndryshime në lidhjen e kontratave për blerjen e pajisjeve ose mjeteve ushtarake, si dhe për blerjen e armëve, municioneve apo materialeve luftarake për qëllime operacionale. Në kuadër të ringritjes së industrisë ushtarake, gjatë vitit të kaluar u vendos krijimi i kompanisë shtetërore KAYO për prodhimin dhe tregtimin e armëve, […]

The post Pajisjet ushtarake, ku dhe si do i blejë Shqipëria? Marrëveshje me disa shtete appeared first on BoldNews.al.

Hasani me kontingjentin e FA në Kampin “Adazi”: Shembull i angazhimit të Shqipërisë ndaj NATO-s

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ndodhet në një vizitë zyrtare në Letoni.

Gjatë vizitës së tij, Hasani ka vizituar edhe kontingjentin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Kampin “Adazi”, në Letoni.

“Krenar për secilin prej 22 burrave dhe grave që shërbejnë me profesionalizëm dhe përkushtim – të vlerësuar nga partnerët tanë letonezë dhe përfaqësues të angazhimit të palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s dhe mbrojtjes kolektive”, shkruan Hasani.

Një ditë më parë Hasani u mirëprit nga ministrja e Jashtme, Baiba Braze, ku u diskutua për mundësitë konkrete për bashkëpunim më të ngushtë në fusha si arsimi, siguria kibernetike, turizmi dhe shkëmbimet kulturore.

Këtë vit shënohen 97 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Letonisë, dhe 33 vite nga rivendosja e tyre. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të thelluar partneritetin me Letoninë dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë në Evropë dhe më gjerë.

Hasani, vizitë në kontingjentin e FA në Kampin Adazi
1 nga 26

/m.q//a.f//r.e/

The post Hasani me kontingjentin e FA në Kampin “Adazi”: Shembull i angazhimit të Shqipërisë ndaj NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kingji në Belgjikë: Shqipëria, plotësisht e angazhuar për paqen, sigurinë dhe vlerat e përbashkëta të NATO-s

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së SACEUR/ USEUCOM të mbajtur në Mons të Belgjikës.

“Kisha nderin të marr pjesë në ceremoninë zyrtare e të marrjes së detyrës së Gjeneral Alexus G. Grynkeëich në krye të Komandës Supreme Aleate (SACEUR) dhe Komandës Evropiane të SHBA (USEUCOM), duke pasuar gjeneral Christopher G. Cavoli”, u shpreh Kingji, në një postim në rrjetet sociale.

Kingji shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për gjeneralin Cavoli për lidershipin e tij të jashtëzakonshëm, përkushtimin ndaj sigurisë euroatlantike dhe mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura.

Ai u shpreh i bindur se ky bashkëpunim i ngushtë do të vijojë edhe më tej nën drejtimin e gjeneralit Grynkewich.

“Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për paqen, sigurinë dhe vlerat e përbashkëta të Aleancës dhe bashkëpunimit strategjik me SHBA”, theksoi Kingji.

/gj.m//r.e//a.f/

The post Kingji në Belgjikë: Shqipëria, plotësisht e angazhuar për paqen, sigurinë dhe vlerat e përbashkëta të NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Marshim i madh në Teheran në mbështetje të forcave të ushtrisë

By: user 5
24 June 2025 at 20:33

Një turmë e madhe njerëzish është mbledhur në qendër të Teheranit për të shprehur solidaritet me forcat e armatosura të Iranit, sipas mediave shtetërore.

Agjencitë iraniane të lajmeve IRNA, Fars dhe Mehr raportojnë për një pjesëmarrje të gjerë qytetarësh në Sheshin e Revolucionit, ku janë shfaqur shenja të mbështetjes publike ndaj ushtrisë iraniane.

Sipas këtyre burimeve, pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetjen e tyre për “përgjigjen shkatërruese” të forcave iraniane ndaj veprimeve të fundit të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Demonstruesit, thuhet se janë zotuar të qëndrojnë “krah për krah me ushtrinë deri në fund”.

Pamjet e transmetuara nga televizionet iraniane tregojnë qytetarë që valëvitin flamuj kombëtarë dhe mbajnë postera të Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, ndërsa brohorasin në mbështetje të autoriteteve.

Aktualisht nuk ka informacion të konfirmuar nëse tubimi është organizuar drejtpërdrejt nga autoritetet iraniane apo është zhvilluar në mënyrë spontane.

The post Marshim i madh në Teheran në mbështetje të forcave të ushtrisë appeared first on Lapsi.al.

Vihen nën kontroll flakët në Krastë të Elbasanit

By: user 5
17 June 2025 at 21:01

Pas një ndërhyrjeje nga forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura, është vënë nën kontroll zjarri që përfshiu malin e Krastës në Elbasan.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se aktualisht po vijon puna për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të vatrave të mbetura, ndërsa monitorohet terreni për të parandaluar riaktivizimin e flakëve për shkak të erës.

Aktualisht, forcat zjarrfikëse dhe strukturat e përfshira në operacion vazhdojnë punën intensive për izolimin e plotë dhe shuarjen përfundimtare të vatrave të mbetura. Po ashtu, vijon monitorimi i terrenit për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm për shkak të erës.

Në këtë operacion morën pjesë 12 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një mjet zjarrfikës nga Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale Mengël.

Ndërkohë, strukturat e mbrojtjes civile, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbeten në gatishmëri të plotë për të mbrojtur komunitetin dhe pasuritë natyrore të zonës.

The post Vihen nën kontroll flakët në Krastë të Elbasanit appeared first on Lapsi.al.

❌
❌