BRUKSEL, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte po kërkon mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën ndërsa viti 2025 po mbaron duke paralajmëruar se Evropa do të përballet me rreziqe në rritje të sigurisë nëse vendosmëria e saj lëkundet.
”Për të parandaluar presidentin rus Vladimir Putin nga përpjekja për një sulm ndaj një anëtari të NATO-s, Ukraina duhet të mbetet e fortë”, tha Rutte në një intervistë të kohëve të fundit me dpa.
Ai gjithashtu theksoi nevojën që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, në përputhje me angazhimet e rëna dakord në samitin e aleancës në Hagë në qershor.
“Nëse i bëjmë këto dy gjëra, jemi mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten dhe Putini nuk do ta provojë kurrë,” tha Rutte, duke iu referuar një sulmi të mundshëm rus ndaj aleancës.
Ish-kryeministri holandez tha se riarmatimi duhet të ndodhë shpejt.
”Në varësi të vlerësimeve të inteligjencës, situata e sigurisë mund të bëhet e rrezikshme që në vitin 2027”, tha ai.
Rutte përmendi shpenzimet ushtarake të Rusisë si provë të kërcënimit që paraqet Putini, duke thënë se Moska tani po i kushton më shumë se 40% të buxhetit të saj shtetëror mbrojtjes.
Ai shtoi se lufta në Ukrainë kishte treguar gatishmërinë e Putinit për të pranuar humbje të rënda, duke cituar vlerësime se rreth 1,1 milionë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur./ a.jor.
Pas goditjeve politike ndaj krerëve të luftës nga Gjyka ta Speciale, ai mbetet i vetmi ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që garon për deputet të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, me numrin 14.
Gjatë luftës çlirimtare, roli i tij ishte vendimtar në diplomaci.
Xhavit Haliti ishte ura lidhëse mes UÇK-së dhe diplomacisë ndërkombëtare, duke ndërtuar kontakte të drejtpërdrejta me diplomatë amerikanë dhe evropianë, në një kohë kur fati i Kosovës vendosej në tavolina të mëdha.
Rëndësia e tij strategjike u konfirmua edhe në proceset gjyqësore në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, kur John Duncan, ish-këshilltar i ish-komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, e cilësoi Xhavit Halitin si person me rëndësi të veçantë për NATO-n, duke kërkuar që çdo diskutim për të të zhvillohej në seancë të mbyllur.
Raportimet u paraqitën si zhvillime të reja strategjike, duke krijuar përshtypjen se Aleanca e Atlantikut të Veriut po shqyrton seriozisht një sulm të parë ushtarak ndaj Rusisë, në përgjigje të asaj që përshkruhet si “sulme hibride” nga Moska.
Në intervistën për Financial Times, Dragone foli për rritjen e shqetësimeve brenda NATO-s lidhur me sulmet hibride ruse, përfshirë sabotimet, sulmet kibernetike dhe kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike në vendet anëtare. Në këtë kontekst, ai theksoi se Aleanca po diskuton se si duhet të reagojë ndaj një forme agresioni që nuk përbën domosdoshmërisht sulm të drejtpërdrejtë ushtarak.
Dragone pranoi se, në nivel teorik, disa vende aleate po ngrenë pyetjen nëse veprime më të vendosura, përfshirë masa që shkojnë përtej reagimit tradicional, mund të konsiderohen vetëmbrojtje në rrethana të caktuara. Megjithatë, ai e bëri të qartë se një qasje e tillë “shkon përtej mendimit tradicional” dhe se mbeten ende pyetje thelbësore ligjore dhe institucionale, përfshirë atë se kush do të kishte kompetencën për një veprim të tillë.
“Ndoshta duhet të veprojmë më agresivisht se kundërshtari,” tha Dragone, duke shtuar menjëherë se dilemat kryesore lidhen me kornizën ligjore dhe zinxhirin e vendimmarrjes.
Në asnjë moment ai nuk deklaroi se NATO ka marrë një vendim për sulm të parë, apo se po përgatitet për një goditje parandaluese ndaj Rusisë.
Si u shtrembërua deklarata në raportime
Në raportimet e publikuara në disa media shqiptare, ky debat konceptual u paraqit si një ndryshim konkret i doktrinës së NATO-s. Diskutimi teorik mbi reagimin ndaj sulmeve hibride u shndërrua në tituj që sugjeronin përgatitje për luftë ose planifikim operacional për sulm.
NATO
Dokumentet bazë të NATO-s, përfshirë Konceptin Strategjik të miratuar në vitin 2022, e përkufizojnë qartë Aleancën si një strukturë mbrojtëse, të ndërtuar mbi parimin e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive. NATO thekson se nuk kërkon përshkallëzim të konfliktit dhe se veprimet e saj synojnë të parandalojnë agresionin, jo ta nisin atë.
Edhe në raport me Rusinë, NATO ka deklaruar vazhdimisht se qëndrimi i saj është reagues dhe mbrojtës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Asnjë dokument apo deklaratë zyrtare nuk flet për një strategji të “goditjes së parë”.
Kufijtë e vetëmbrojtjes
Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, përdorimi i forcës lejohet vetëm në rast vetëmbrojtjeje ndaj një sulmi të armatosur. Koncepti i vetëmbrojtjes parandaluese mbetet shumë i debatueshëm në të drejtën ndërkombëtare dhe zbatohet vetëm në rrethana jashtëzakonisht të kufizuara, kur një kërcënim është i menjëhershëm dhe i pashmangshëm.
Vetë Dragone e pranon këtë paqartësi ligjore, duke theksuar se pikërisht këto dilema e bëjnë një qasje të tillë objekt diskutimi teorik dhe jo politikë të miratuar.
Përfundimi
Pretendimi se NATO po planifikon të godasë e para Rusinë nuk qëndron. Deklarata e admiralit Giuseppe Cavo Dragone është nxjerrë nga konteksti dhe është interpretuar gabimisht si paralajmërim për sulm, kur në fakt ajo lidhej me një diskutim strategjik mbi reagimin ndaj sulmeve hibride dhe me dilema të hapura ligjore e politike.
NATO mbetet, sipas dokumenteve dhe praktikës zyrtare, një aleancë mbrojtëse.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka nisur vizitën zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku mëngjesin e sotëm u prit nga Ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timčo Mucunski.
Spiropali tha se “me kolegun Timčo Mucunski bashkëndajmë vizionin, perspektivën dhe vendosmërinë e përbashkët për të avancuar në rrugën drejt integrimit në BE”.
Spiropali theksoi se “bashkë me Maqedoninë e Veriut, Italinë, Bullgarinë dhe Rumaninë na pret një punë e mirë për projektin strategjik të Korridorit të VIII-të.”
“Forumi i parë që do të mbahet në Tiranë në shkurt të 2026, do të institucionalizojë më tej bashkëpunimin pesëpalësh për këtë projekt që i shërben sigurisë Euro-Atlantike, transformimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në rajon e më gjerë”, tha Spiropali.
Ministri Mucunski deklaroi se thellimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dy vende partnere dhe aleatë në NATO, i shërben në vetvete përparimit të të gjithë rajonit tonë.
Spiropali do të pritet gjatë ditës nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, si dhe Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi.
Ministrja Spiropali do të theksojë përgjatë kësaj vizite rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe e rajonale.
“Sulmi i ardhshëm do të jetë fatal për Putinin”. Kështu e ka përshkruar situatën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke e cilësuar momentin aktual si më të rrezikshmin që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, qëllimi i aleatëve është të sigurojnë që pas një marrëveshjeje paqeje, Ukraina të mos bëhet […]
Eksperti i njohur amerikan i diplomacisë dhe menaxhimit të konflikteve, Edward P. Joseph, ka paraqitur një propozim që po ngjall debat serioz në qarqet politike të Uashingtonit dhe Evropës: futjen e Kosovës dhe Serbisë në NATO.
Po ashtu edhe aplikimin e elementeve të modelit të Kosovës në rajonin e Donbasit të Ukrainës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar ndikimin rus në Evropë.
Joseph, aktualisht lektor në Johns Hopkins University – SAIS, tha se Ballkani nuk është një rajon periferik, por një nyje kyçe e luftës hibride të Rusisë kundër Perëndimit.
“Ukraina është dimensioni kinetik i luftës. Ballkani është dimensioni hibrid. Dhe Serbia është platforma përmes së cilës Rusia ushtron ndikimin e saj në rajon,” deklaroi Joseph.
Sipas Joseph, largimi i Serbisë nga orbita e Moskës do të kishte një efekt shkatërrues për strategjinë ruse në Evropën Juglindore.
“Futja e Serbisë në NATO do të ishte si fundosja e anijes ‘Moskva’ për Rusinë në Ballkan,” tha ai, duke e krahasuar ndikimin strategjik të këtij hapi me humbjen simbolike dhe ushtarake të flotës ruse në Detin e Zi.
Ai theksoi se 96 për qind e investimeve kineze në Ballkan janë të përqendruara në Serbi, ndërsa Rusia e përdor Beogradin për të bllokuar Kosovën dhe për të ushqyer narrativën kundër NATO-s.
Joseph argumenton se ideja nuk është teorike, por e ndërtuar mbi realitete aktuale politike.
“Serbia tashmë është nën presion për shkak të kontrollit rus mbi kompaninë NIS. Ky presion duhet të përshpejtohet. Beogradi po detyrohet të shkëputet nga Moska,” u shpreh ai.
Ai shtoi se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ndodhet në një krizë të brendshme politike dhe se një ofertë e tillë nga Presidenti Donald Trump, i cili gëzon popullaritet në Serbi, do të kishte peshë të jashtëzakonshme.
“Një rrugë drejt NATO-s e propozuar nga Trump nuk do të mund të injorohej nga Vuçiq,” tha Joseph.
Kosova dhe NATO: loja mbyllet
Një element kyç i propozimit është se Kosovës do t’i ofrohej rruga drejt NATO-s, pavarësisht qëndrimit të Serbisë.
“Në momentin që Kosova ka një rrugë drejt NATO-s, strategjia serbe e bllokimit diplomatik bie. Loja praktikisht mbaron,” theksoi Joseph.
Ai shtoi se anëtarësimi në NATO është shumë më i rëndësishëm për Kosovën sesa anëtarësimi në OKB, duke e krahasuar situatën me përvojën e Ukrainës.
Në lidhje me Ukrainën, Joseph propozon përdorimin e modelit të Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila la qëllimisht të hapur çështjen e statusit të Kosovës.
“Modeli i Kosovës e heq sovranitetin nga tryeza e menjëhershme dhe krijon hapësirë për negociata reale,” shpjegoi ai.
Sipas tij, kjo do t’i lejonte Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të mos “dorëzojë territor”, por ta vendosë Donbasin nën administrim ndërkombëtar, me trupa paqeruajtëse dhe referendum final.
“Ironia është se vetë Putini këmbëngul se Kosova dhe Ukraina janë absolutisht të njëjta. Pikërisht këtë argument mund ta përdorë Perëndimi kundër tij,” tha Joseph.
Joseph paralajmëroi se nëse Ballkani nuk stabilizohet, Evropa do të mbetet e cenueshme ndaj ndërhyrjeve autoritare.
“Nëse e hiqni partneritetin strategjik Rusi–Serbi, arkitektura e luftës hibride ruse shembet,” theksoi ai.
Ai bëri thirrje për masa të menjëhershme, përfshirë sanksione ndaj RT dhe Sputnik, mbylljen e qendrave ruse të inteligjencës dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik të rajonit./TheGeoPost.
Anëtarësimi në NATO është më shumë se një dëshirë politike për Kosovën - është nevojë urgjente. Ky është pozicioni që mbajnë jo vetëm autoritetet e vendit, por edhe disa aleatë të rëndësishëm, në kohën kur paralajmërimet për rrezikun në rritje nga Rusia nuk ndalen.
NATO-ja premton se angazhimi i saj për stabilitetin e rajonit do të mbetet i palëkundur, por a mjafton kjo për një vend që ndodhet në vijën e parë të sfidave strategjike?
Qeveria në detyrë e Kosovës konfirmon se anëtarësimi në aleancën ushtarake të Perëndimit mbetet synim i Republikës, por thekson se rruga drejt këtij objektivi “varet edhe nga rrethanat dhe zhvillimet gjeopolitike”.
Zyrtarët nuk i dhanë një përgjigje të drejtpërdrejtë Radios Evropa e Lirë nëse ka plane për një aplikim formal për anëtarësim, por vunë në pah angazhimin e vazhdueshëm të vendit në këtë drejtim.
“Gjatë viteve të fundit i kemi rritur ndjeshëm investimet e dedikuara për mbrojtje. Në vitin 2024, Republika e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, e ka avancuar statusin e tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar. Ndërkaq, tri herë, më 2021, 2023 dhe 2025, kemi qenë vend pjesëmarrës dhe mikpritës i ushtrimeve ushtarake Defender Europe”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtare të NATO-s. Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Kosova mbetet jashtë edhe këtij kuadri bashkëpunimi, për arsye politike.
Në NATO-n 32-anëtarëshe janë katër vende - Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja - që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa për shumicën e aleatëve, normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë mbetet kusht kyç për çdo hap përpara drejt anëtarësimit.
Serbia, nga perspektiva e Kosovës, përbën rrezikun kryesor të sigurisë, ndërsa Rusia shihet si aktori që e ushqen dhe e shfrytëzon këtë tension për të zgjeruar ndikimin e saj destabilizues në Ballkan.
Ndaj, zgjerimi i NATO-s me Kosovën do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal, sipas presidentes Vjosa Osmani.
“Për ne, të jemi në NATO nënkupton të jemi të sigurt. Mendoj se Rusia ka interes afatgjatë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, e përmes tij gjithë kontinentin evropian. Dhe nuk do të heqë dorë nga ky synim”, tha Osmani në një intervistë për Politico-n.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ngriti alarmin më 11 dhjetor, duke paralajmëruar se aleatët e Aleancës janë shënjestra e radhës e Rusisë.
“Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë, dhe Evropa duhet të jetë e përgatitur”, sipas tij.
Qysh prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, para gati katër vjetësh, Kosova ka kërkuar disa herë anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
Radio Evropa e Lirë pyeti në këtë aleancë nëse ka plane për të thelluar angazhimin me Kosovën, përtej misionit paqeruajtës KFOR, apo nëse po shqyrtohen mekanizma që do t’i ofronin Kosovës garanci më të fuqishme sigurie.
Në përgjigjen e marrë nga një zëdhënës thuhet vetëm se “Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, mbetet lart në agjendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e tij është i palëkundur dhe ne nuk do të lejojmë që të ketë vakum të sigurisë”.
Ndërsa pranoi se shtetet autoritare, si Rusia, përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, zëdhënësi i NATO-s nënvizoi gjithashtu situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar dialogun me Serbinë si thelbësor për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
NATO-ja u zgjerua për herë të fundit vitin e kaluar me Suedinë. Pushtimi rus i Ukrainës e nxiti atë dhe Finlandën një vit më herët t’u jepnin fund dekadave të neutralitetit ushtarak dhe të kërkonin siguri kolektive.
Këtë javë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi është i gatshëm të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, në këmbim të garancive të sigurisë. Pavarësisht kësaj, anëtarësimi i Ukrainës në aleancë - anëtaret e së cilës janë të detyruara ta mbrojnë njëra-tjetrën - ka qenë gjithmonë thuajse i pamundur, për shkak të kundërshtimit të Rusisë.
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kosova ndoshta mund të përfitojë nga kjo situatë, sepse NATO-ja nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se Rusia ka të drejtë vetoje mbi vendimmarrjen e saj.
“NATO-ja është krenuar gjithmonë me autonominë e vendimeve të saj. Dhe, nëse për momentin i duhet të heqë dorë nga anëtarësimi i Ukrainës, ajo mund të dëshirojë ta kompensojë këtë duke u zgjeruar drejt dy vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor - Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës - për të treguar se dyert e Aleancës mbeten të hapura”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Neni 10 i Traktatit të NATO-s përcakton kushtet e zgjerimit, duke theksuar se anëtarësimi u ofrohet të gjitha shteteve evropiane që ndajnë vlerat e Aleancës dhe kanë kapacitetin të kontribuojnë në sigurinë e Atlantikut të Veriut.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili ka marrë pjesë në negociatat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, argumenton se Kosova ka përparuar në aspektin ushtarak, por vë në pah pengesat në funksionimin e brendshëm të shtetit. Për pjesën më të madhe të këtij viti, Kosova ka qenë me qeveri në detyrë dhe pa kuvend funksional.
Mediu nënvizon rëndësinë e unitetit politik, duke përmendur edhe përvojën e Shqipërisë, ku pushteti dhe opozita kanë pasur qëndrim të përbashkët gjatë procesit të anëtarësimit.
“Pa këtë, është e pamundur të avancohet në NATO. NATO-ja nuk është vetëm një dëshirë. Është një proces i angazhimeve politike, institucionale, juridike, i luftës kundër krimit, kundër korrupsionit… Kjo është paketa politike. E, pastaj, vjen reforma në forca të armatosura, ku Kosova nuk ka ecur me hapa të ngadaltë, por me hapa pozitivë”, thotë Mediu për Exposenë.
Sipas Mediut, integrimi i Kosovës në NATO nuk vjen vetëm duke u pozicionuar kundër Serbisë apo Rusisë - ai kërkon ofertë konkrete strategjike ndaj aleatëve, veçanërisht SHBA-së.
Marrëdhëniet me SHBA-në, thotë ai, nuk mund të merren si të mirëqena; duhet të jetë e qartë se çfarë ofron Kosova dhe faktori shqiptar në rajon në këmbim.
Ai sheh zgjidhje në integrim gradual de facto: bashkëpunim ushtarak rajonal dhe kapacitete të përbashkëta operative.
“Kjo do të ishte një platformë shumë pozitive për ta përshpejtuar procesin. Nëse Kosova do të përfshihej me vendet tjera të NATO-s në rajonin e Ballkanit, në krijimin e niveleve të përbashkëta operacionale, që kanë të bëjnë me forca të gatshme për të vepruar, me vëzhgimin e hapësirës ajrore, detare, tokësore etj., Kosova, de facto, do të ishte e kyçur në një marrëdhënie me NATO-n”, thotë Mediu.
Në të njëjtën linjë, Shea thotë se Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kroacinë, me të cilat tashmë ka partneritet në fushën e mbrojtjes, për të demonstruar kontributin e saj në stabilitetin rajonal.
Paralelisht, sipas tij, vendi duhet t’i avancojë reformat e brendshme dhe angazhimin diplomatik.
“Mendoj se, së pari, duhet të kemi një marrëdhënie më të mirë pune mes Qeverisë së Albin Kurtit dhe Shteteve të Bashkuara dhe fuqive kryesore evropiane. Të flasim hapur, këto marrëdhënie nuk kanë qenë të lehta gjatë viteve të fundit, dhe Kurti është përballuar me kritika të drejtpërdrejta nga SHBA-ja dhe disa aleatë evropianë. Gjendja e brendshme në Kosovë, me bllokadat në Parlament, dështimin për të zgjedhur kryetar, dhe fakti që tani kemi sërish zgjedhje më 28 dhjetor, ka ndikuar gjithashtu që jostabiliteti politik të mos shkojë në favor të Kosovës”, thotë Shea.
Ai shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte kryesisht përfitime politike, pasi KFOR-i e mbron vendin me vite tashmë. Anëtarësimi do t’i siguronte njohje të plotë, vend në tryezën e NATO-s, kredibilitet ndërkombëtar dhe rol më të fuqishëm në sigurinë rajonale dhe evropiane.
Megjithatë, Shea paralajmëron se çdo reduktim apo ripozicionim i forcave amerikane në Evropë do ta detyronte kontinentin të merrte më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale, përfshirë edhe Kosovën.
Këtë vjeshtë, SHBA-ja ka njoftuar për një reduktim të forcave rotative amerikane në Rumani. Radio Evropa e Lirë ka pyetur Departamentin amerikan të Mbrojtjes më 31 tetor dhe më 16 dhjetor nëse këto ndryshime do të kenë ndonjë ndikim në pozicionimin ushtarak të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka marrë përgjigje.
Në fillim të këtij muaji, në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësuesi republikan, Keith Self, e përshkroi rajonin si një “shkrepëse” dhe theksoi se udhëheqja e SHBA-së duhet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit atje.
“Vendet e NATO-s në Ballkan duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar mbrojtje ushtarake dhe politike. Kosova është veçanërisht e ekspozuar pa anëtarësim në NATO - proces që mbetet i bllokuar për shkak të refuzimit të Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë për ta njohur pavarësinë e saj”, tha Self.
Edhe pse konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm, vendet mosnjohëse nuk kanë lëvizur, por ngjashëm as Kosova nuk ka bërë ndonjë hap të madh, përveçse nga një cikël i rregullt zgjedhor në fillim të vitit në një tjetër të parakohshëm tani në fund.
E, nga këndvështrimi i sigurisë, ky ritëm mund të shihet si një shembull i kuptimit të vonuar të urgjencës strategjike. /REL/
Sulmi terrorist në Banjskë dhe incidentet kundër trupave të KFOR-it në Zveçan janë konsideruar të papranueshme nga NATO.
Si përgjigje, aleanca ka vendosur të përforcojë misionin e KFOR-it në veri me 1000 trupa shtesë dhe ka shtuar aktivitetet patrulluese pranë vijës kufitare administrative.
Kështu tha për Tëvë1, komandanti i KFOR-it në Kosovë Ozkan Ulutash.
Ai në “Këndin e Debatit” tha se KFOR-i po zhvillon patrullime të përbashkëta me Policinë e Kosovës në veri, si dhe patrullime të sinkronizuara me forcat e armatosura të Serbisë nëpër AVN.
Ai tha se situata po monitorohet nga afër dhe nuk janë vërejtur indikatorë që sugjerojnë ndonjë aktivitet të shtuar rreth AVN-së.
“Sulmi në Banjskë dhe sulmi kundër trupave të KFOR-it në Zveçan janë të papranueshme. NATO u përgjigj menjëherë. KFOR-i u përforcua me 1000 trupa shtesë, dhe KFOR-i shtoi aktivitete patrulluese pranë vijës kufitare administrative. Përfshirë patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës në veriun e Kosovës si dhe patrullimet e sinkronizuara mes KFOR-it dhe forcave të armatosura të Serbisë nëpër AVN. Ne nga afër kemi monitoruar situatën dhe nuk kemi parë ndonjë indikatorë që do të sugjeronte për ndonjë aktivitet të shtuar rreth AVN-së. Siç është thënë ne jemi në kontakt të rregullt në nivele të ndryshme me përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë dhe forcave të armatosura në Serbi”, deklaroi ai.
Ndërkohë, tha se për dy vite NATO vazhdimisht ka kërkuar llogaridhënie dhe që sulmuesit të sillen para drejtësisë.
“Ne presim nga autoritetet serbe të bashkëpunojnë në këtë aspekt”, shtoi Ulutash.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Rusia duhet ta kuptojë qartë se çdo përpjekje për të sulmuar sërish Ukrainën pas një marrëveshjeje paqeje do të ketë pasoja të rënda.
Në një deklaratë të fortë, ai theksoi se reagimi i aleatëve do të ishte “shkatërrues”, duke nënvizuar vendosmërinë e Aleancës për të garantuar sigurinë afatgjatë të Ukrainës.
Sipas Rutte, këto paralajmërime janë pjesë e drejtpërdrejtë e mënyrës se si NATO po harton garancitë e sigurisë për Kievin.
NATO's Rutte:
Putin has to know that after a peace deal, if he tries to attack Ukraine again, the reaction will be devastating.
Ai tha se qëllimi kryesor është të parandalohet çdo agresion i ardhshëm dhe t’i dërgohet një mesazh i qartë presidentit rus, Vladimir Putin se një rikthim në konflikt nuk do të tolerohet.
“Nëse pas paqes Rusia tenton të përdorë sërish forcën ushtarake kundër Ukrainës, përgjigjja do të jetë e menjëhershme dhe vendimtare”, deklaroi shefi i aleancës ushtarake, duke shtuar se NATO po punon ngushtë me partnerët për të ndërtuar mekanizma të besueshëm mbrojtjeje.
Deklarata vjen në një kohë kur po diskutohen skenarë të ndryshëm për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe për sigurimin e stabilitetit në Evropën Lindore.
NATO ka përsëritur vazhdimisht se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë dhe se çdo marrëveshje paqeje duhet të shoqërohet me garanci konkrete që do ta pengojnë Rusinë nga një agresion i ri. /Telegrafi/
Një gjeneral i lartë i NATO-s ka deklaruar se Rusia po përparon shumë ngadalë në terren, duke marrë disa territore, por me kosto shumë të lartë në jetë njerëzish, veçanërisht në anën ruse. Në një deklaratë për mediat ndërkombëtare, ai theksoi se ndihmat për Ukrainën nuk do të ndalen, ndërsa shtoi se Kievi është ende […]
Xhavit Haliti është një nga themeluesit e UÇK-së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, me rol të rëndësishëm në kontaktet e para diplomatike të luftës me përfaqësues të Evropës dhe SHBA-së.
Ky angazhim strategjik ka mbetur për vite jashtë vëmendjes publike, si nga vetë Haliti, ashtu edhe nga faktorët ndërkombëtarë.
Rëndësia e tij u konfirmua edhe në procesin gjyqësor në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, kur John Duncan, ish-këshilltari i ish-komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, e cilësoi Halitin si person me rëndësi të veçantë për NATO-n, duke kërkuar që çdo diskutim për të të zhvillohej në seancë të mbyllur.
“Bashkëpunimi i UÇK-së me aleatët ndërkombëtarë dhe NATO-n ishte jetik për lirinë e Kosovës. Këtë mision do ta vazhdoj deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO”, ka shkruar Haliti në llogarinë e tij në Facebook.
Pas luftës, Haliti ka shërbyer si deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, si dhe ka përfaqësuar Kuvendin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke ndërtuar ura të drejtpërdrejta me aleatët strategjikë të Kosovës.
Xhavit Haliti mban numrin 14 në listën e PDK-së për deputet të Kosovës.
Me propozim të Kryeministrit, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj liroi sot nga detyra Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në NATO, rezident, zotin Ilir Gjoni.
“Zoti Ilir Gjoni lirohet nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në NATO, rezident.” thuhet në dekretin që mban firmën e kreut të Shtetit./abcnews.al
Trupat amerikane nga Komanda Rajonale e Lindjes (RC-E) e KFOR-it, po vazhdojnë të zhvillojnë patrulla ditore në të gjithë zonën e përgjegjësisë.
Në një njoftim për media thuhet se aktivitete të tilla sigurojnë prezencë të vazhdueshme në terren dhe kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt.
Trupat e KFOR-it tregojnë përkushtimin e misionit për stabilitet, profesionalizëm dhe respekt për të gjithë banorët e Kosovës.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me aspiratat e vendit të tij për anëtarësim në NATO.
Lideri ukrainas ka zbuluar se ish-presidenti amerikan, Joe Biden i kishte thënë drejtpërdrejt se Ukraina nuk do të bëhet pjesë e aleancës ushtarake.
Në një prononcim publik, ai tha se e ka ngritur këtë çështje vazhdimisht gjatë takimeve me përfaqësues të lartë amerikanë, por se shpesh është përballur me reagime të ftohta ose buzëqeshje nga disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
— (@)
Sipas tij, ata e kanë konsideruar këmbënguljen e tij si “të ashpër”.
“Nuk e di pse”, u shpreh Zelensky, duke nënvizuar zhgënjimin e tij ndaj qëndrimit të Uashingtonit.
Këto deklarata vijnë në një moment delikat për Ukrainën, e cila vazhdon të kërkojë garanci më të forta sigurie nga Perëndimi, ndërsa lufta me Rusinë mbetet një sfidë madhore për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. /Telegrafi/
Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për buxhetet e tyre të financuara nga të dyja palët për vitin 2026, duke miratuar shpenzime në rritje që synojnë forcimin e gatishmërisë dhe aftësive ushtarake të aleancës.
Sipas marrëveshjes, buxheti civil i NATO-s për vitin 2026 është caktuar në 528.2 milionë euro (623 milionë dollarë), ndërsa buxheti ushtarak do të arrijë në 2.42 miliardë euro.
Vendimi u mor të martën në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
NATO tha në një deklaratë se buxhetet e financuara nga të dyja palët për vitin 2026 do të mbështesin aftësitë kritike dhe do të promovojnë gatishmërinë, duke ndihmuar në bërjen e aleancës "më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse".
Buxheti do të kontribuojë në përshtatjen ushtarake të NATO-s, do të përmirësojë ndërveprimin midis forcave aleate dhe do të mbështesë parandalimin dhe menaxhimin e krizave, si dhe sigurinë bashkëpunuese, thuhet në deklaratë.
Financimi do të vazhdojë gjithashtu për Strukturën e Komandës së Integruar të NATO-s, trajnimet dhe ushtrimet e udhëhequra nga NATO, operacionet dhe misionet e aleancës dhe mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve për vendet partnere. /Telegrafi/
Premtimi i vendeve të NATO-s për të shpenzuar 5% të prodhimit të tyre ekonomik për mbrojtje është "suksesi më i madh i politikës së jashtme" i Donald Trump, tha shefi i aleancës.
Në një intervistë me BBC-në, Mark Rutte theksoi se falë Donald Trump që NATO ishte "më e fortë se kurrë", duke shtuar se Trump "është një lajm i mirë për mbrojtjen kolektive, për NATO-n dhe për Ukrainën", përcjell Telegrafi.
Udhëheqësi amerikan ka kritikuar ashpër aleatët evropianë për shpenzimin shumë të pakët për mbrojtje - madje duke kërcënuar të tërheqë mbrojtjen e SHBA-së nëse ata nuk e bëjnë këtë.
Veç kësaj, shefi i NATO-s ka paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë aleatët brenda pesë viteve të ardhshme.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin i hodhi poshtë biseda të tilla si "histeri" të mërkurën.
"E kam thënë vazhdimisht - është një gënjeshtër, një absurditet, një absurditet i pastër, për një kërcënim imagjinar rus ndaj vendeve evropiane", u tha Putin zyrtarëve të mbrojtjes në Moskë.
Pasi Putin nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, ai njoftoi aneksimin e katër rajoneve ukrainase - Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson. Rusia e kishte aneksuar tashmë Krimenë në vitin 2014.
Tani ajo pushton pjesën më të madhe të Luhanskut dhe kuptohet se kërkon tërheqjen e Ukrainës nga i gjithë Donetsku, edhe pse Ukraina ende kontrollon deri në 23% të rajonit lindor.
Putin tha se qëllimet e asaj që ai e quan "operacioni special ushtarak" do të arriheshin. Ai tha se preferonte ta bënte këtë përmes diplomacisë, përpara se të paralajmëronte se "nëse pala kundërshtare dhe patronët e tyre të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do të arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake". /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerësoi homologun e saj amerikan, Donald Trump, për mbështetjen e paqes në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonin e gjerë të Evropës.
Osmani, duke folur në një intervistë me Bloomberg TV të mërkurën, tha se prania e trupave amerikane në Kosovë ishte "pengesa dhe parandalimi më i madh i një përshkallëzimi në rajon".
Ushtarët amerikanë janë pjesë e forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO, që ka qenë në Kosovë që nga fundi i luftës me Serbinë fqinje në vitin 1999, transmeton Telegrafi.
Progresi ekonomik i Kosovës është ngadalësuar nga muaj të tërë të një bllokimi politik, që Osmani tha se shpreson se mund të zgjidhet në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Vendi shkon në një votim të dytë të parakohshëm këtë vit pasi fituesi i zgjedhjeve Albin Kurti nuk arriti të formojë një koalicion shumicë, pasi partitë e shpërfillën stilin e tij të udhëheqjes që ka bezdisur aleatët evropianë dhe amerikanë, shkruan Bloomberg.
Osmani tha se mendon se politikanët kosovarë do të kenë një "qasje më konstruktive" për të punuar së bashku tani.
“Jam shumë, shumë optimiste pasi ne kemi nevojë për institucione në mënyrë që të mund të ecim përpara me projekte të mëdha me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo. /Telegrafi/
Presidenti Volodymyr Zelensky ka bërë një kompromis të rëndësishëm që mund të lehtësojë rrugën drejt paqes në Ukrainë. Në një tërheqje të habitshme nga mocioni parlamentar i shkurtit të vitit 2019 - që sanksiononte në Kushtetutë synimin e Ukrainës për anëtarësim në NATO - Zelensky tani është i hapur ndaj braktisjes së kërkesës së Kievit për t’u anëtarësuar në bllokun euroatlantik.
Gatishmëria e Zelenskyt për të ndërmarrë këtë hap të jashtëzakonshëm varet nga sigurimi i garancive të fuqishme të sigurisë nga partnerët perëndimorë të Ukrainës. Efikasiteti i këtyre garancive mbetet i paqartë. Nëse ato marrin formën e një kontingjenti paqeruajtës me mijëra trupa evropiane, Rusia mund të llogarisë se rreziqet e një lufte të re janë shumë të larta. Në fund të fundit, shantazhi bërthamor i Kremlinit dhe retorika për një Luftë të Tretë Botërore nuk janë përkthyer kurrë në një përballje të drejtpërdrejtë me një aleat të NATO-s.
Nëse kontingjentet ushtarake janë më të vogla dhe ShBA-ja qëndron larg procesit, Rusia mund të trimërohet dhe të rrezikojë duke u mbështetur në vendosmërinë e dobët evropiane. Në këtë skenar, një përsëritje e Memorandumit të Budapestit të vitit 1994 bëhet e mundshme dhe perspektiva e një tjetër marshimi rus drejt Kievit bëhet gjithnjë e më e afërt.
Teksa vendet perëndimore janë relativisht të bashkuara në dëshirën për ta parë të realizuar skenarin e parë optimist, kanë munguar diskutimet përmbajtjesore për mënyrën e parandalimit të agresionit rus. Parandalimi i besueshëm nuk mund të vijë pas një ripushtimi nga Rusia, por gjatë periudhës së gjatë të ndërtimit të mundshëm të një sulmi të ri rus.
Garancitë e sigurisë duhet të mbrojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse kundër veprimeve hibride përshkallëzuese të Rusisë, që mbeten nën pragun e Nenit 5 të NATO-s, dhe duhet të shoqërohen me investime globale në rindërtim. Kjo amalgamë siguron që Rusia të kuptojë se çdo shkelje e sovranitetit të Ukrainës sjell pasoja, ndërsa krijon një përfitim për paqe që mund ta izolojë plotësisht Moskën nëse ajo nxit një luftë tjetër.
Edhe nëse përpjekjet e zjarrta diplomatike të presidentit Donald Trump çojnë në një marrëveshje paqeje, është e pamundur që Rusia të ndalojë përpjekjet për të minuar sovranitetin e Ukrainës. Kjo pasqyron bindjen e presidentit rus, Vladimir Putin, për paligjshmërinë e një Ukraine të pavarur dhe kjo vihet re në historinë e fundit të Ukrainës.
Gjatë periudhave të një paqeje relative përpara pushtimit të plotë të shkurtit 2022, Rusia përdori si armë eksportet e gazit përmes tubacioneve që kalojnë nëpër Ukrainë, përdori para të pista për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në drejtimin që preferonte, ndërsa kreu sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kritike ukrainase.
Këto taktika hibride penguan rrugëtimin e Ukrainës drejt konsolidimit demokratik dhe rilindjes ekonomike, dhe hapën rrugën për luftë në shkallë të plotë. Rusia ishte në gjendje të kryente këto veprime destabilizuese pa u ndëshkuar, sepse NATO nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar këto aktivitete në vende të tjera.
Gjatë sulmeve shkatërrimtare kibernetike të vitit 2007 kundër Estonisë, NATO deklaroi se vendi nuk po përballej me “sulm të armatosur” dhe Neni 5 nuk u aktivizua. Pavarësisht shkeljeve të përsëritura të kufijve të Gjeorgjisë nga Rusia pas luftës së vitit 2008 - dhe rolit të saj në konsolidimin e pushtetit diktatorial të Bidzina Ivanishvilit - asnjë zyrtar rus nuk u sanksionua.
Garancitë e besueshme të sigurisë duhet të ballafaqohen me reagime të ashpra për sulmet hibride të Rusisë ndaj Ukrainës. Edhe nëse Ukraina nuk mund të bëhet zyrtarisht anëtare e NATO-s, forcat e saj të pavarura kibernetike duhet të integrohen në strukturat e aleancës. Amerika dhe BE-ja duhet të investojnë në zhvillimin e shoqërisë civile ukrainase dhe të sanksionojnë akterët vendorë që ndihmojnë ndërhyrjet elektorale të Rusisë.
Nëse Rusia përdor akte sabotimi ndaj infrastrukturës kritike ukrainase apo dhunë politike, përpjekjet e saj të pasluftës për t’u rilidhur me Perëndimin duhet të ndalohen pa kompromis. Duke i treguar Rusisë se të gjitha format e agresionit ndaj Ukrainës janë të papranueshme, Kremlini do të ketë më pak gjasa të llogarisë gabimisht rreziqet e një lufte të në shkallë të plotë.
Përderisa do të ketë tundim nga akterët e jashtëm për të fituar paqen, një Ukrainë e paangazhuar ushtarakisht, por e mbështetur nga Perëndimi, duhet të përpiqet të tërheqë investime nga çdo burim i mundshëm. Nëse vendet miqësore ndaj Rusisë - si Kina, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe - janë të përfshira në proces, Kremlini do të mendohet dy herë për agresionet të cilat mund të dëmtojnë interesat e partnerëve të tij.
Nëse vendet jashtë Perëndimit mund të konsultohen apo përfshihen në dhënien e garancive të sigurisë për Ukrainën, përfitimi i paqes do të rritet ndjeshëm.
Garancitë e sigurisë janë më shumë sesa premtime të paqarta dhe dislokime simbolike trupash. Që të jenë të besueshme, ato duhet të parandalojnë agresionin rus në çdo hap dhe të rrisin ndjeshëm koston e luftës. /Telegrafi/
Ushtarët gjermanë të vendosur në Komandën Rajonale-Lindje të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, vazhdojnë patrullimet e tyre të përditshme dhe të natës në disa komuna brenda zonës së përgjegjësisë RC-E.
Sipas njoftimit të KFOR-it, patrullat synojnë të sigurojnë një prani të dukshme dhe të besueshme në terren, të përmirësojnë ndërgjegjësimin situativ dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal.
“Ata janë pjesë themelore e misionit të vazhdueshëm të KFOR-it për të ofruar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë,” thuhet në njoftim.
Sot, Jan Stoss, sekretar i Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, realizoi një vizitë në Kosovë ku takoi ushtarët gjermanë të angazhuar në këtë mision. Ai u prit fillimisht nga i Ngarkuari me Punë, Christian Böttcher, dhe më pas vizitoi Kampin Film City, ku u prit nga Koloneli Müller, komandanti i kontingjentit gjerman.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe duke mbështetur lirinë e lëvizjes.
Misioni operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
KIEV, 15 dhjetor /ATSH-AA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka quajtur garancitë dypalëshe të sigurisë me SHBA-në, Evropën dhe vendet e tjera një “kompromis” për pranimin e Ukrainës në NATO.
Duke folur për gazetarët, Zelensky kujtoi qëndrimin e hershëm të vendit të tij për t’u bashkuar me aleancën pasi kjo i siguron vendit “garanci reale të sigurisë”, por tha se disa nga partnerët e Kievit në SHBA dhe Evropë nuk e mbështesin këtë rrugë.
Ai tha se Ukraina tani po ndjek garanci dypalëshe të sigurisë me SHBA-në, përkatësisht “garanci të ngjashme me Nenin 5”, duke iu referuar Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, si dhe garanci nga vendet evropiane dhe të tjera, përfshirë Kanadanë dhe Japoninë.
“Këto garanci të sigurisë për ne janë një mundësi për të parandaluar një tjetër agresion rus. Dhe, ky tashmë është një kompromis nga ana jonë”, tha Zelensky.
Komentet e presidentit ukrainas shënojnë një ndryshim të madh në qasjen e Kievit ndaj anëtarësimit në NATO, që u përcaktua si objektiv në Kushtetutën e Ukrainës pas një votimi parlamentar për të futur ndryshime kushtetuese në vitin 2019.
Rusia vazhdimisht ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj pranimit të Ukrainës në NATO. /os/