TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura kryesisht në pjesën e parë të ditës. Prej orëve të mesditës e pasdite vranësirat do të përqendrohen në relievet malore në lindje.
Parashikohet reshje shiu me intensitet të ulët hera –herës deri mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurta që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes.
Gjatë ditës reshjet humbasin intensitet, me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të territorit si dhe shtrëngata afatshkurtra përgjatë relieveve malore. Në orët e pasdites pritet ndërprerje graduale e reshjeve.
Në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore verilindje – juglindje të vendit, parashikohet reshje dëbore me intensitet të ulët lokalisht mesatar.
Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 5m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era pritet të fitojë shpejtësi 9m/s, me valëzimin në det të forcës 1-2ballë.
Si rrjedhojë e reshjeve të dendura të shiut përmbytet një pjesë e shëtitores Spile në Himarë.
Ujërat e shiut që vijnë nga pjesa kodrinore, kalojnë në kanalin kullues i cili nuk po përballon dot prurjet e larta.
Kjo gjë më pas ka bërë që ujërat që vijnë nga ky kanal të dalin mbi shëtitore duke përmbytur një pjesë të saj.
Ndërkohë ka ndikuar sipas banorëve edhe shembja e një barriere mbrojtëse gjatë gjatësisë së kanalit e cila parandalonte përmbytjet në zonë./abcnews.al/
ATHINË, 6 shkurt /ATSH-ANA/ – Një burrë rezulton i zhdukur pasi tentoi të kalonte me makinë një rrugë të përmbytur pranë Komotinit, në Greqinë veriore, ndërsa reshjet e dendura në disa rajone të vendit shkaktuan probleme serioze në qarkullim dhe çuan në mbylljen e shkollave.
Sipas një dëshmitari, shoferi i zhdukur u përpoq të kalonte një kalim ujor në zonën Ifestos, afër Komotinit, ku që nga orët e para të së enjtes ka pasur reshje të forta.
Dyshohet se automjeti i tij u rrëmbye nga ujërat e rrëmbyeshme të lumit Vozvozis.
Operacionet e kërkim-shpëtimit u vështirësuan për shkak të nivelit të lartë të ujit, ndërsa në terren u angazhuan shërbimet emergjente, policia greke dhe zyrtarë të Mbrojtjes Civile për të lokalizuar makinën dhe drejtuesin e saj.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Pyrgos, Stathis Kannis, në Peloponezin veriperëndimor, urdhëroi mbylljen e shkollave fillore dhe të mesme për sot, për shkak të kushteve të rrezikshme të motit dhe problemeve në infrastrukturën e qytetit dhe rrjetin rrugor. Një rrëshqitje dhe shembja e një ure mbi lumin Kladeos, në zonën Koskina të Olimpisë së Lashtë, dëmtuan tubacionin kryesor të ujësjellësit, duke lënë pa ujë Pyrgosin dhe Olimpin antik.
Kannis bëri të ditur gjithashtu se tre shkolla u evakuuan në një zonë të Pyrgosit me histori përmbytjesh, ndërsa shprehu shqetësim për rrezikun e daljes nga shtrati të lumit Alfios.
Në ishullin e Samothrakës, reshjet e vazhdueshme i kthyen përrenjtë në rrjedha të furishme, duke rrëmbyer degë, gurë dhe dhe.
Kryebashkiaku Thanassis Vitsas tha se ishulli është mësuar me pamje të tilla, pasi relievi i tij bën që të nevojiten reshje të gjata për të ndikuar seriozisht në qarkullim.
Duke bërë një bilanc të reshjeve, Observatori Kombëtar i Athinës njoftoi se sasitë më të dendura të shiut u regjistruan në disa zona të Peloponezit.
Sipas rrjetit të stacioneve automatike, reshjet më të mëdha u shënuan në Andritsena të prefekturës Ilia (114 milimetra), pasuar nga Stemnitsa në Arkadi (98,6 milimetra) dhe Mystras në Lakoni (88,6 milimetra).
Observatori theksoi se reshje pati pothuajse në të gjitha rajonet e Greqisë./ /Ad.Ab./ a.jor.
Ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet fillimisht me kthjellime e alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura.
Duke filluar prej orëve të mesditës reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.
Pas orëve të pasdites reshjet e shiut të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar në të gjithë territorin.
Në orët e vona të mbrëmjes në zonën e Alpeve, verilindje-lindje-juglindje në lartësitë mbi 900-1000 metër reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.
Era me drejtim juglindje-verilindje me shpejtësi mesatare 10 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 25m/s
Valëzimi në det i forcës 5-6 ballë.
TIRANË, 29 janar/ATSH/ Reshjet e borës të rëna gjatë natës, të shoqëruara me ortekë në Qafë Thore, janë pastruar nga mjetet e mirëmbajtjes duke e bërë të kalueshme drejt Thethit.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se aktualisht po punohet në terren për zgjerimin e pjesës kaluese të rrugës, me qëllim garantimin e qarkullimit sa më të sigurt.
Sipas qarkullimi është i hapur, por për shkak të punimeve në zhvillim dhe pranisë së ngricave, kërkohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e mjeteve.
AKMC tha se “automjetet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë”.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në zonat malore në verilindje mbi 900-1000 metra dhe në juglindje mbi 1000-1100 metra lartësi gjatë ditës së sotme ka reshje dëbore.
Bazuar në informacionet e #IGJEO dhe #SHMU, gjatë ditës së sotme priten reshje në disa qarqe të vendit, lokalisht intensive dhe të shoqëruara me shtrëngata.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkon rritje e vëmendjes dhe gatishmërisë nga strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse në nivel vendor dhe qendror, për marrjen e masave parandaluese.
Bashkitë në zonat me risk më të lartë të forcojnë gatishmërinë operacionale dhe të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren.
Prefekturat të përcjellin informacionin pranë bashkive dhe të raportojnë në kohë çdo situatë pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.
Instituti i Gjeoshkencës (IGJEO) informoi se sot pasdite dhe nesër në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarqet Shkodër dhe Korçë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjera reshjet priten mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në veri, lindje dhe juglindje në lartësitë mbi 900 m nga niveli […]
Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron disa qarqe të vendit, të cilat do të jenë nën ndikimin e reshjeve të shiut. Shkodra pritet të ketë intensitet më të lartë të tyre, ndërsa në Kukës e Vlorë do të jenë të dobëta deri në mesatare dhe me shtrëngata.
IGJEUM njofton se reshjet mund të shkaktojnë rënie gurësh dhe përmbytje në disa zona urbane në Shkodër.
RESHJET:
“Sot pasdite (e shtunë, dt. 24) në qarkun Shkodër priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të dobëta. Nesër (e diel, dt. 25) priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarkun Shkodër, ndërsa të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Kukës dhe Vlorë të shoqëruara me shtrëngata. Në të gjitha qarqet e tjera priten reshje të dobëta.
Në veri në lartësitë mbi 900 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si rënie gurësh e inertesh dhe vërshime të ujit në zonat urbane të lokalizuara, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarkun Shkodër.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 11 / 19 °C
në vendet e ulëta: 9 / 19 °C
në vendet malore: 2 / 12 °C
Sot pasdite (e shtunë, dt. 24) dhe nesër (e diel, dt. 25) era pritet të fryjë mesatare deri e fortë kryesisht në bregdet dhe në vendet malore”, thuhet në postimin në rrjetet sociale.
TIRANË, 14 janar/ATSh/ Reshjet intensive të ditëve të fundit janë ndërprerë, ndërsa puna për sistemimin e dëmeve vijon pa ndërprerje edhe në Gjirokastër, si në të gjithë vendin.
Kryebashkiaku Flamur Golemi deklaron se strukturat bashkiake janë të angazhuara maksimalisht për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.
Sipas tij, ndërhyrjet po kryhen me durim dhe përkushtim, duke përdorur të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike, kudo ku ka nevojë. “Reshjet intensive ikën, por ne s’e ndalim punën për të sistemuar gjithçka të dëmtuar. Me durim e përkushtim e me të gjitha kapacitetet që kemi po ndërhyjmë kudo ku ka nevojë. Lajm i mirë që sot bëmë të kalueshme edhe rrugën e Gjatit”, shprehet Golemi.
Bashkia Gjirokastër garanton se monitorimi i situatës do të jetë i vazhdueshëm dhe çdo problematikë do të trajtohet në kohë.
TIRANË, 14 janar/ATSh/ Bashkia Shijak ka përfunduar procesin e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve në banesat e përmbytura, si pasojë e reshjeve të fundit.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana, përmes një reagimi publik, ku ai thekson se strukturat përkatëse të bashkisë janë angazhuar që në momentet e para, duke iu gjendur pranë banorëve dhe duke shkuar derë më derë për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet.
Sipas të dhënave 43 banesa në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Shijak janë konstatuar dhe vlerësuar nga grupet e punës.
Ndërkohë që nesër mbledhja e këshillit bashkiak do të transmetohet drejtpërdrejt, për t’i hapur rrugë procedurave të dëmshpërblimit për qytetarët e prekur.
Kryebashkiaku Arbana tha se “të gjithë qytetarët e dëmtuar do të përfitojnë dëmshpërblim sipas vlerësimeve të kryera”.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të sigurojnë pronat e tyre ndaj çdo fatkeqësie natyrore, si tërmete, përmbytje apo zjarre, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së pasurive të tyre.
Prefektura e Korçës ka ndarë detaje lidhur me situatën aktuale nga reshjet e shiut dhe përmbytjet në këtë qark. Në njoftimin e mëposhtëm thuhet se temperaturat kanë qenë nën zero dhe është kryer kriposje në zonat problematike. Ndërkohë në segmentet Ersekë–Leskovik dhe Maliq–Kufi Gramsh qarkullimi vijon normalisht. Bëhet me dije se ka një numër të […]
“Dëmet kalojnë mbi 15 milionë lekë. Hajde shikoji vetë dhe le t’i vlerësojë kush të dojë.” Kështu e përshkruan situatën Aurel Mrroku, banor i ish-Kënetës në Durrës, i zhvendosur aty prej më shumë se 30 vitesh.
Edhe pse ka kaluar një javë nga reshjet e dendura që përmbytën disa zona të vendit, situata në terren mbetet problematike në Durrës.
Në ish-Kënetë, uji vijon të bllokojë hyrjet e shtëpive dhe jetën e përditshme të banorëve, disa prej të cilëve janë kthyer në banesa për të bërë llogaritë e dëmeve.
Citizens ishte pranë tyre dhe pa nga afër gjendjen e vështirë të shkaktuar nga përmbytja. Elektroshtëpiake, mobilje, krevate dhe veshje jashtë përdorimit, për të mos thënë pastaj për kushtet e banesave, shumica prej të cilave u ishin dëmtuar dyert.
Të dëshpëruar, banorët thanë se përmbytjet ishin kthyer në një rutinë vjetore pa zgjidhje afatgjatë. Por njëzëri ata konfirmuan se kjo ishte ndër përmbytjet më të mëdha që kishin pësuar.
Çdo vit të përmbytur, dëmshpërblimet mungojnë
Mrroku tregoi se shtëpia e tij ishte përmbytur për të tretin vit radhazi. Ai tha se nuk kishte marrë asnjëherë kompensim për dëmet, gjë e cila e kishte bërë shumë pesimist për përmbytjen e radhës.
Sipas tij, situata zor se do të ndryshojë. “Janë mësuar njerëzit. Përmbytu një herë, dy herë, tre herë. S’vjen njeri ta blejë shtëpinë, as ta falë,” thotë ai.
Gjendja e jashtëzakonshme nuk u shpall, edhe pasi kishte kaluar një javë nga përmbytja dhe qindra banorë ishin detyruar të shpërnguleshin. Shpallja do ta detyronte qeverinë të merrte më shumë përgjegjësi për ndihma dhe dëmshpërblim të të prekurve.
Në një postim në rrjetet sociale, kryetarja e Bashkisë Durrës Emiriana Sako tha se ishin verifikuar 1,314 banesa. Nga këto, për 527 raste ishin mbajtur aktet e konstatimit të dëmeve.
Megjithatë, banorët thonë se procesi mbetet i paqartë dhe pa transparencë. Askush nuk u ka shpjeguar se kur dhe si do të dëmshpërblehen.
Shtëpia e përmbytur e Llesh Lleshaj/Citizens.al
Llesh Lleshaj, një tjetër banor i zonës, është shpërngulur nga banesa e tij. Aktualisht ai po qëndron në ambientet e Kavalishencës, rezidencë qeveritare për pritje zyrtare.
Lleshin e takova jashtë shtëpisë së tij, teksa kishte ardhur për të parë dëmet dhe punën e zjarrfikëseve që po përpiqeshin të hiqnin ujin me pompa.
Ai tregoi se natën e parë pas përmbytjes fjeti në makinë. Më pas u zhvendos, ndërsa uji kishte hyrë deri në 60 centimetra lartësi brenda shtëpisë.
“Të gjitha tubacionet janë të bllokuara,” tha Lleshaj. Sipas tij, punonjës të bashkisë erdhën vetëm simbolikisht dhe pa ndërhyrje reale, pavarësisht ankesave të banorëve të zonës.
“Erdhën një ditë ato të bashkisë, u ulën hëngrëm e pinë… A e mbaruat? Po, po e mbaruam! I thashë për njerëzillëk bëni, sikur punoni,” tregoi Lleshaj.
Familje të tjera ndodhen gjithashtu në kushte kritike dhe në limit të mbijetesës. Familja Sina tha se deri tani ishte ndihmuar vetëm nga shoqata “Fundjavë Ndryshe”.
Orenditë e shtëpisë i kishin nxjerrë në ballkon pasi ishin lagur dhe konsiderohen të pashfrytëzueshme.
“Për Vitin e Ri i blemë. Këtë vit i vendosëm. Na gjeti viti me copa,” tregoi Entela Sina teksa bashkëshorti i saj shtoi se përfaqësues të bashkisë u kishin thënë të përpilonin disa dokumente. Por ai nuk kishte asnjë informacion për procedurën e dëmshpërblimit.
Situata e përmbytjeve solli zemërim dhe protesta përpara bashkisë së qytetit. Qytetarët u mbështetën edhe nga forcat opozitare dhe partitë e reja si Lëvizja Bashkë, kërkuan shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Ndërkohë, banorë të ish-Kënetës tentuan dy herë të takonin kryetaren e bashkisë. Emriana Sako reagoi vetëm përmes rrjeteve sociale. Ajo nuk mbajti asnjë deklaratë publike dhe nuk u përball me protestuesit.
“Fondet janë, buxheti është, por administrata është shkatërruar,” u shpreh Flamur Balaj gjatë protestës. Ai tha se protestat nuk do të ndalen pa largimin e përgjegjësve politikë.
Në protestë u bashkuan edhe grupe që kundërshtojnë projekte të tjera urbanistike në Durrës. Aktivistja Rita Kazazi kritikoi qeverinë për mungesë reagimi institucional.
“Pse nuk e shpall kryeministri emergjencën? Ka frikë se do t’i paguajë lekë kesh? Veshin çizmet për foto dhe ikin në shtëpi,” tha ajo. Sipas saj, emergjenca nuk shpallet për të shmangur pagesat e dëmshpërblimeve.
Dorina Prethi, nënkryetare e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, tha se qytetarët ndihen të shantazhuar. Sipas saj, banorët kanë frikë se protesta do t’i penalizojë për dëmshpërblimin.
“E drejta e dëmshpërblimit ju takon të gjithëve,” tha Prethi teksa shtoi se fondet ekzistojnë, por mungon vullneti politik.
Ndërsa uji tërhiqet ngadalë, pasiguria mbetet. Banorët e ish-Kënetës thonë se përmbytjet janë bërë pjesë e jetës, ndërsa zgjidhja vazhdon të mungojë.
TIRANË, 11 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në nisje të sezonit të ri të Podkastit “Flasim”, përmblodhi disa nga zhvillimet kryesore të fillimit të janarit 2026.
Në “Shënimet e Javës”, Rama u ndal fillimisht tek përmbytjet e ditëve të fundit, ku theksoi se moti ekstrem i ditëve të fundit nuk është një fenomen i izoluar vetëm në Shqipëri, por pjesë e një vorbulle atmosferike që ka përfshirë një hartë të gjerë të Evropës Juglindore, nga Italia deri në Turqi.
“Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje e me dëborë, një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye të lidhur me vendin tonë, nga ato arsyet që ziejnë në 700 tenxheret politike mediatike të mexhelisit shqiptar, por ka prekur një hartë të tërë nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë e deri lart në Serbi, në Kroaci, e nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku Stambolli përjetoi një situatë filmash apokaliptikë, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë e të njëjtat përmbytje e bllokime, kanë krijuar të njëjtën situatë psikologjike për njerëzit”, u shpreh Kryeministri.
“Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me ajër të ngrohtë e të lagësht nga Mesdheu, dhe ka krijuar pikërisht këtë vorbull atmosferike mbi Evropën Juglindore, duke sjellë reshje të vazhdueshme dhe temperatura të ulëta. Prandaj edhe lumenjtë rriten përsëri para se të bien. Prandaj edhe toka mbetet e ngopur me ujë. Prandaj edhe reshjet e shiut e të dëborës marrin përmasa anormale”, tha Rama.
Ai theksoi se ndryshimi klimatik nuk nënkupton vetëm vera më të nxehta.
“Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm vera më të nxehta, por do të thotë stinë të çrregullta, sisteme atmosferike të ngadalta, ku nuk ka qarkullim normal të këtyre flukseve, prandaj edhe krijohen vorbulla dhe pastaj të papriturat e një moti më ekstrem e më këmbëngulës në atë ekstremitetin e vet. Më shumë thatësira e më shumë zjarre, më shumë vorbulla atmosferike e më shumë përmbytje, është tashmë një kuadrat i ri i klimës ku jetojmë, e cila nuk është më klima ku jemi rritur”, u shpreh Rama.
Duke folur për situatën e krijuar nga reshjet intensive ditë me radhë, Rama vlerësoi përgatitjen e institucioneve dhe investimet e bëra ndër vite. Sipas Ramës, përmasat e përmbytjeve këtë herë janë dukshëm më të ulëta krahasuar me të shkuarën.
“Por, unë jam shumë krenar për faktin se në çdo situatë emergjence, ne jemi më të gatshëm, më të përgatitur, më efikasë, falë investimeve masive që kemi bërë gjatë kësaj dekade, rreth çerek miliardë euro në infrastrukturën e kullimit e të mbrojtjes, si edhe falë investimit në strukturën e Emergjencave Civile, që sot kanë skuadra të stërvitura, pajisje bashkëkohore e çdo vit më shumë mjete, vuri në dukje Kryeministri.
“Një fakt: Të dalësh nga kjo vorbull atmosferike me vetëm 13 mijë e 160 hektarë të mbuluara nga uji, është realisht një ngushëllim shumë i madh dhe një tregues se jetojmë në një Shqipëri tjetër, sepse kjo vorbull deri 10 vjet më parë do kishte përmbytur e papenguar dy apo trefishin e kësaj sipërfaqeje, sikundër edhe ka ndodhur”, tha Rama.
TIRANË, 10 janar /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) informoi se pasditen e sotme (e shtunë) dhe të dielën mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave në qarqet Shkodër Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve të rëna me intensitet të lartë ditën e sotme, pritet që nesër të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë.
Rrezik të shtuar për përmbytje lokale, në vazhdim të ditës së sotme dhe nesër, do të kenë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat, lumi Vjosa. Lumi Drin-Buna dhe liqeni i Shkodrës do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve dhe rrezik të shtimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.
Gjithashtu priten reshje dëbore në zonat në veri, lindje dhe juglindje në territorit. Reshjet e dëborës do të pasohen nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugore.
Sot pasdite (e shtunë, dt. 10) dhe nesër (e diel, dt. 11) priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Elbasan, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata.
Në lartësitë mbi 600 m mbi nivelin e detit në veri, lindje dhe juglindje reshjet do të jenë në formë dëbore.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë, në bregdet: 9/10 °C; në vendet e ulëta: 8/9 °C dhe në vendet malore: -2/0 °C.
Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Drejtuesi Politik i qarkut të Elbasanit, Arbjan Mazniku dhe kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, kanë qenë në Gjinar për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës, si dhe për të monitoruar nga terreni masat e marra për përballimin e kushteve të vështira të motit.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat paraprake për pastrimin dhe kriposjen e akseve malore në territorin e bashkisë, të cilat janë mbuluar nga bora.
“Kemi marrë të gjitha masat paraprake për ta bërë të mundur kriposjen e të gjitha akseve malore që janë mbuluar nga bora në bashkinë e Elbasanit, ku edhe këtu në Gjinar vijon hedhja e skories”, u shpreh Llatja.
Ai theksoi se masat nuk kanë qenë të përqendruara vetëm te qarkullimi rrugor, por edhe te siguria e këmbësorëve dhe funksionimi i shërbimeve bazë.
“Edhe në këto ditë në vijim kemi marrë të gjitha masat paraprake, si për mjetet ashtu edhe për këmbësorët, që të mos kemi probleme”, tha Llatja.
Sipas tij, punonjësit e ndërmarrjes publike kanë qenë në terren gjatë gjithë natës së kaluar dhe vijojnë të jenë të angazhuar për përballimin e situatës.
“Gjatë gjithë natës së djeshme, por edhe në vijim, punonjësit e ndërmarrjes publike kanë qenë në terren për t’i bërë ballë situatës, por edhe emergjencave shëndetësore, të cilat i kemi pasur prioritet absolut,” deklaroi kryebashkiaku.
Llatja bëri me dije se paralelisht janë marrë masa për të garantuar furnizimin normal me ujë të pijshëm, duke monitoruar rrjetin dhe duke ndërhyrë për të shmangur problematika nga ngrirja e tubacioneve.
“Doja t’u bëja thirrje të gjithë qytetarëve të Elbasanit, si në pallate ashtu edhe në shtëpi private, të jenë të kujdesshëm, pasi si pasojë e uljes së temperaturave mund të ketë ngrirje të tubacioneve”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, Drejtuesi Politik Arbjan Mazniku theksoi rëndësinë e angazhimit maksimal të të gjitha strukturave në këto kushte atmosferike.
“Në këto momente është e rëndësishme që të gjitha forcat të jenë të angazhuara në krye të detyrës, të jemi gati me fadroma dhe me skorie, me qëllim që të mos kemi probleme në qarkullim”, tha Mazniku.
Ai vuri në dukje se Gjinari, si zonë turistike malore, po përjeton një fluks të lartë vizitorësh gjatë sezonit dimëror.
“Sot në Gjinar nuk ka asnjë dhomë bosh, të gjitha bujtinat dhe dhomat janë të zëna”, u shpreh Mazniku, duke shtuar se kjo e bën edhe më të rëndësishme garantimin e shërbimeve bazë.
Mazniku i bëri thirrje turistëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes.
“Turistët që vijnë këtu duhet të jenë të pajisur me zinxhirë, pasi edhe në ditët në vijim pritet të ketë ndryshime të temperaturave, por e rëndësishme është që njerëzit ta shijojnë dëborën”, theksoi Mazniku.
Bashkia Elbasan bën me dije se të gjitha strukturat përkatëse janë në gatishmëri për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, sigurimin e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, si dhe garantimin e shërbimit shëndetësor për banorët e zonës.
Banorët dhe vizitorët këshillohen të njoftojnë autoritetet për çdo problematikë që mund të hasin gjatë këtyre ditëve me kushte të vështira moti.
Ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura. Reshje shiu të herëpashershme me intensitet mesatar në formën e shtrëngatave në pjesën më të madhe të vendit që në orët e para të 24-orëshit. Në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit reshjet parashikohen me intensitet hera-herës deri të lartë.
TIRANË, 9 janar/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana bëri të ditur sot se të gjitha strukturat e bashkisë janë të angazhuara për të menaxhuar situatën pas reshjeve të fundit dhe për të mbështetur banorët e prekur nga përmbytjet.
“Bashkia është në terren dhe po punon pa ndërprerje për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të ofruar ndihmë të menjëhershme familjeve të prekura”, deklaroi ai.
Arbana informoi se tashmë është punuar për pastrimin dhe sistemimin e rrugëve dhe kanaleve kulluese, për të siguruar qarkullimin e lirë dhe sigurinë e qytetarëve. Po ashtu, është bërë kontroll dhe pastrim i pusetave, për parandalimin e përmbytjeve dhe funksionimin normal të rrjetit kullues.
Nga ana tjetër, Arbana tha se është bërë edhe shpërndarja e pakove ushqimore dhe ndihmave për familjet e prekura. Ndërkohë ka nisur edhe puna për vlerësimin dhe dokumentimin e dëmeve në banesa, biznese dhe infrastrukturë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo problematikë pranë strukturave përgjegjëse.
“Bëni vetëdeklarimin e dëmeve nëse nuk jeni kontaktuar ende nga grupet e terrenit”, apeloi Arbana.
TIRANË, 9 janar/ATSH/ Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se efektivë të Komandës Mbështetëse dhe të Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut të Forcës Tokësore janë dislokuar në zonat e prekura nga përmbytjet, me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e pasojave nga situatat emergjente.
Aktualisht, mbi 155 efektivë, 37 mjete dhe 7 motopompa janë angazhuar në qarqet Vlorë, Fier, Durrës dhe Gjirokastër, si dhe në zona të tjera ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja.
Në qarkun e Vlorës janë angazhuar 37 efektivë, 4 mjete, 3 gomone dhe një ambulancë me dy efektivë mjekësorë.
Në Durrës po operojnë 61 efektivë me 17 mjete, 5 gomone dhe 7 agregate motopompa, nga të cilat 4 me fuqi të lartë thithëse, 1 me fuqi të mesme dhe 2 me fuqi të vogël.
Në Gjirokastër janë angazhuar 27 efektivë me 4 mjete, ndërsa në zonën e urës së Mifolit, në fshatin Ferras të qarkut Fier, po punojnë 23 efektivë me 34 mjete dhe një motovarkë.
Ndërkohë, në Kurbin është zhvilluar një operacion xhenier për pastrimin e rrugëve, ku janë angazhuar 3 efektivë dhe 2 mjete.
Ministria siguron se Forcat e Armatosura, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.
TIRANË, 9 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini bëri të ditur sot se pas orëve të gjata dhe të vështira, fatmirësisht niveli i ujit në lumin Vjosë ka nisur të ulet ndjeshëm.
Në një prononcim për mediet, Mersini u shpreh se aktualisht niveli i Vjosës është nën 8 metra.
“Kjo ka bërë që ne të kalojmë në një fazë të dytë, duke filluar të hapim rrugët. Pavarësisht se të gjitha rrugët e fshatrave janë të aksesueshme ngel një segment rrugor në Bishan”, tha ajo.
Sipas Mersinit, ka qenë një punë e jashtëzakonshme e të gjitha strukturave. “Janë angazhuar 255 forca me 40 mjete që kanë ndihmuar edhe për evakuimin e banorëve dhe bagëtive. Fokusi ka qene te jetët njerëzore”, tha ajo.
Ndërkohë kryebashkiakja e Vlorës njoftoi qytetarët se pritet një tjetër stuhi e fortë ere gjatë ditës së sotme.
Ajo u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
“Për çdo shqetësim apo situatë emergjente, të kontaktojnë shërbimet përkatëse, të cilat do të vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë. Prioriteti ynë mbetet shëndeti dhe siguria e çdo qytetari”, u shpreh ajo.
TIRANË, 9 janar /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi sot mbi situatën e krijuar si pasoje e motit të keq në vend.
AKMC beri të ditur se, reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta kanë krijuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve.
Sipas AKMC, qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike.
Në Bashkinë Gjirokastër ka prezencë dëbore në njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino në aksin Gjirokastër–Tepelenë i është afruar trupit të rrugës, gjë që ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës. Në disa fshatra: Odrie, Lunxhëri dhe Zagori po ndërhyhet në disa akse rrugore të bllokuara dhe në një urë të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë.
Në Bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa po punohet për lirimin e akseve: Pogon–Dropull, Zagori-Libohovë të bllokuar nga dëbora.
Puna e forcave në terren po vijon edhe në aksin Përmet–Dogana e Tre Urave është i bllokuar si dhe në njësinë administrative Frashër dhe disa fshatra përreth, ku ka problematika për shkak të reshjeve të dëborës.
Në Bashkinë Memaliaj ka problematika të shkaktuar nga lumi Vjosë në tokat bujqësore, ndërsa në Tepelenë qarkullimi në aksin Tepelenë–Gjirokastër realizohet vetëm me një korsi në zonën “Shkalla e Zezë”.
Qarku Lezhë është përfshirë nga reshje dëbore edhe në zona të ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës. Strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri për mbajtjen hapur të akseve rrugore. Është përfunduar riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë.
Qarku Vlorë paraqet një përmirësim sa i përket rënies së prurjeve në lumin Vjosë. Nënkalimi në fshatin Bishan është i bllokuar, por nuk raportohen banesa të përmbytura, vetëm prezencë uji në oborre.
Qarku Elbasan po përballet me dëborë dhe ngrica në zonat malore të bashkive Elbasan dhe Peqin, ku disa akse rurale janë bllokuar nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave. Mjetet dhe punonjësit janë në terren për normalizimin e situatës.
Qarku Dibër mbetet një nga zonat më të prekura gjithashtu. Forcat e emergjencave civile po punojnë në disa akse me prezencë të akullit apo rrëshqitje dherash. Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në njësitë administrative Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë. Disa segmente rrugore janë aktualisht të pakalueshme, por forcat e policisë janë në terren për të orientuar qarkullimin.
Forcat e Armatosura, strukturat e mbrojtjes civile, policia e shtetit, shërbimet bashkiake, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë të angazhuara në terren me mjete dhe personel për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit.
AKMC u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo emergjencë pranë strukturave përkatëse.