TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, bëri të ditur se punonjësit dhe mjetet e bashkisë, janë në terren, për të mbikëqyrur nga afër situatën e krijuar si pasojë e motit të keq.
Filo, bëri të ditur se të gjitha ekipet e shërbimeve dhe eskavatorët po punojnë në çdo njësi administrative për menaxhimin e situatës deri në vënien nën kontroll të plotë të gjithë problematikave.
Konkretisht Filo theksoi se në Njësinë Voskopojë po vijon puna për sistemimin dhe pastrimin e rrugës që të çon drejt varrezave.
Në njësinë Bulgarec, sipas Filos në fshatin Çiflig, po kryhen pastrimet e tombinove me eskavator përgjatë unazës.
Në njësinë Mollaj, po bëhet kontrolli i prurjeve në lumin e Kamenicës dhe në degëzimet mbi Dvoran si dhe kryhet verifikimi i rezervuarit dhe gjendjes së urave në territor.
Në njësinë Vithkuq, Filo bëri të ditur se ura që lidh Lubonjën me Rehovën është bërë e kalueshme dhe se ekipet vijojnë punimet në rrugën e Rehovës për garantimin e qarkullimit normal.
Në njësinë Voskop, ekskavatorët po punojnë në riparimin e argjinaturave të dëmtuara dhe fadroma po pastron dhe sistemon rrugën e varrezave në Voskop.
Në njësinë Drenovë sipas Filos është monitoruar situata e borës në Dardhë dhe niveli i lumenjve në zone, ndërsa në Qatrom është vënë në funksion një çezmë e re për furnizimin me ujë të banorëve.
Në njësinë Lekas, vazhdojnë punimet për hapjen dhe funksionalizimin e rrugës Tudas–Lavdar–Bozdovec–Mazrekë.
/m.q/a.f/
The post Filo: Reshjet, po punojmë në çdo njësi për vënien e situatës nën kontroll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.