Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Bie niveli i ujërave në tokat e përmbytura në qarkun e Shkodrës

16 January 2026 at 09:25

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Situata në territorin e qarkut Shkodër, paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim gradual.

Në përditësimin e situatës, Prefektura Shkodër njofton se në zonën e Dajçit vërehet rënie e nivelit të ujit, ndërsa te “Urrelat e Shirqit” nuk ka më prani uji. Aksi rrugor i Obotit vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm, por me tendencë rënieje të vazhdueshme.

Prefektura e qarkut Shkodër informoi se transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i lumit Drin në Bahçallëk është në kuotën 7.2 m, ndërsa lumi Buna regjistrohet në kuotën 8.30 m në Pazar dhe 6.40 m në Dajç. Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.

Nga DRV Shkodër raportohet se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor. Në akset malore rekomandohet qarkullimi me goma dimërore dhe/ose zinxhirë.

Sipas Prefekturës Shkodër, kontraktorët e mirëmbajtjes rrugore shprehen se qarkullimi në akset Qafë Mali – Fierzë dhe K/Hadroj – Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë.

Akset rrugore Dedaj–Razëm, Bogë–Qafë Thore-Theth dhe Hani Hotit-Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën.

/e.i/j.p/

The post Bie niveli i ujërave në tokat e përmbytura në qarkun e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

590 hektarë tokë bujqësore me prezencë uji në Shkodër

15 January 2026 at 09:01

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Prefektura e qarkut Shkodër bëri sot një përditësim të situatës pas reshjeve të dendura dhe motit të keq të ditëve të fillimjanarit.

Nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, Prefektura Shkodër cilëson se situata hidrologjike paraqitet e përmirësuar, me reduktim të ndjeshëm të sipërfaqes së tokës bujqësore me prezencë uji.

Sipas njoftimit, nga rreth 760 hektarë me prezencë uji ditën e djeshme, sot sipërfaqja ka arritur në 590 hektarë, si rezultat i tërheqjes së niveleve të ujit në zonat e prekura.

Sipas matjeve të realizuara sot në orën 06:30, nivelet e ujit janë në rënie, Buna – Ura e Pazarit: 8.40 m, Drini – Bahçallëk: 7.80 m dhe Buna – Dajç: 6.38 m.

Në njoftim thuhet se në fshatin Obot dhe Njësinë Administrative Dajç është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 20 cm, krahasuar me ditën e djeshme. Po ashtu, vihet re zbritje e nivelit edhe në liqen, duke ndikuar pozitivisht në normalizimin e situatës.

Në rrugën drejt fshatit Obot, qarkullimi sot realizohet me mjete të ushtrisë, duke garantuar lëvizjen dhe aksesin për banorët dhe shërbimet.

Prefektura Shkodër cilëson se sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Bërdicë rreth 10 hektarë, në Velipojë rreth 90 hektarë, në Dajç rreth 70 hektarë dhe Ana e Malit rreth 420 hektarë, totali llogaritet në 590 hektarë.

Reduktimi i sipërfaqes së përmbytur konfirmon trendin pozitiv dhe stabilizimin gradual të situatës.

Mjetet dhe strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri, ndërsa monitorimi i situatës hidrologjike vazhdon pa ndërprerje.

/e.i/j.p/

The post 590 hektarë tokë bujqësore me prezencë uji në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prani uji rreth 105 cm në rrugën drejt fshatit Obot të Shkodrës

12 January 2026 at 17:17

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Bashkia Shkodër në përditësimin e situatës, si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të shiut të ditëve të fundit vuri në dukje se në krahasim me orën 08:00 të mëngjesit, situata paraqitet me ulje të nivelit të ujit në zonat e Obotit dhe Dajçit, ndërsa vijon monitorimi i vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.

Sipas raportimeve nga KESH, që prej mbrëmjes së djeshme është shënuar ulje e nivelit të shkarkimeve, çka ka dhënë efekt të drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të ujit në zonat me prezencë uji.

Bashkia Shkodër informoi se aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 105 cm, çka e bën të pamundur aksesin me mjete rrugore, përfshirë edhe mjetet e larta të Forcave të Armatosura. Në këto kushte, transporti i banorëve po realizohet me varkat e Forcave të Armatosura.

Në fshatin Obot, 65 banesa paraqesin prani uji në oborre, ndërsa nuk ka raportime për banesa me prezencë uji në brendësi. Gjatë ditës së sotme po vijon furnizimi i banorëve me ujë të pijshëm dhe koncentrat për gjënë e gjallë, në ndihmë të familjeve të prekura.

Më tej, në njoftim thuhet se në zonën Urrelat – Shirq, uji ka dalë në kanalet kulluese të tokave bujqësore. Deri në këto momente, nuk ka raportime për prezencë uji brenda banesave.

Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 hektarë, e shpërndarë sipas njësive administrative është në Dajç rreth 120 hektarë, në Velipojë rreth 195 hektarë, Ana e Malit rreth 600 hektarë dhe Bërdicë rreth 30 hektarë.

Monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse dhe çdo zhvillim i mëtejshëm do të komunikohet në vijim.

/e.i/j.p/

The post Prani uji rreth 105 cm në rrugën drejt fshatit Obot të Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trafik i rënduar në rrugën e Dajtit

11 January 2026 at 19:00

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e borës të orëve të fundit kanë qenë një arsye më shumë që qytetarët t’i drejtohen Parkut Kombëtar të Dajtit për një aventurë mes natyrës dhe borës.

Por, e gjithë situatë ka sjellë trafik të rënduar dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve në aksin që lidh Tiranën me Dajtin.

Fluksi i lartë i qytetarëve që kanë zgjedhur Dajtin për të shijuar dëborën, ka krijuar radhë të gjata automjetesh dhe lëvizje të ngadaltë në këtë zonë.

Më herët, drejtuesja e komanduar e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani u shpreh se aksi rrugor Qafë Priskë – Shëngjergj, i cili ishte i mbuluar nga bora, është pastruar dhe është trajtuar me kripë për të mundësuar qarkullimin e automjeteve.

Megjithatë, për shkak të temperaturave të ulëta dhe mundësisë së ngricave, u është bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ulin shpejtësinë gjatë lëvizjes dhe të sigurohen që automjetet të jenë të pajisura me zinxhirë dëbore për gomat, me qëllim shmangien e aksidenteve.

/e.i/j.p/

The post Trafik i rënduar në rrugën e Dajtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejt përmirësimit situata në Adriatik të Kurbinit/ Kryeplaku: Grup pune për vlerësimin e dëmeve

By: xhir jeta
10 January 2026 at 11:37

Situata në fshatin Adriatik të Kurbinit, duket se po shkon drejt përmirësimit. Pas izolimit të argjinaturës së lumit Drojë, ditën e djeshme, dukshën situata po shkon drejt normalizimit në këtë fshat.

Uji po tërhiqet falë dhe punës së hidrovoreve, ndërsa me mjetet e bashkisë së Kurbinit është bërë i mundur edhe izolimi i një ure e cila sillte prurje të mëdha. Pjetër Preni kryeplaku i fshatit Adriatit tregon për masat e marra nga bashkia e Kurbinit dhe bordi kullimit, ndërkohë pritet të bëhen edhe bilancet e dëmeve.

“Situata është stabilizuar, është mbyllur argjinatura e Drojës. Bashkia me bordin e kullimit, ndërhynë për të mbyllur hyrjen te ura e kompleksit, me materiale në ngurta. Niveli i ujit ka rënë mbi 30 cm. Këtu ku ndodhemi ka qenë zona më e përmbytur. Nuk kemi patur familje të evakuara, por dëme ka në bazë ushqimore. Bashkia ka qenë prezent gjithë kohën, kemi ngritur grup pune për të cuar ndihma ushqimore në familjet e përmbytura. Për probleme të tjera, është një komision tjetër që do bëjë vlerësimin” u shpreh ai.

Gjatë kësaj jave si rezultat i reshjeve të dendura, disa fshatra në Kurbin janë përmytur, familje të tëra të rrethuara nga uji, dukr krijuar situatë të vështirë për banorët./abcnews.al

Moti i keq, shërbimet e Policisë në gatishmëri të shtuar në terren

9 January 2026 at 22:10

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Strukturat e Policisë së Shtetit janë gatishmëri të shtuar në terren për shkak të motit të keq.

Policia njofton se vijojnë patrullimet, monitorimi i zonave urbane dhe rurale për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës dhe qytetarëve në rast nevoje, si dhe për parandalimin e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Rreth 5500 punonjës të Policisë së Shtetit kanë qenë të angazhuar në territor duke mbështetur të gjitha strukturat për shkak të motit të keq. Ndërsa, janë 700 mjete të Policisë së Shtetit të cilat janë vendosur në dispozicion për të mbështetur dhe ndihmuar qytetarët në të gjithë vendin.

Për shkak të motit të keq dhe fushëpamjes së kufizuar gjatë natës, Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të moderojnë shpejtësinë dhe të telefonojnë në 112 në rast nevoje.

/e.i/r.e/

The post Moti i keq, shërbimet e Policisë në gatishmëri të shtuar në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta, por duhet ndihmë reale për njerëzit

9 January 2026 at 08:48

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama drejtoi sot mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile nga Zyra Operacionale e Situatës në Kryeministri, ku po bëhet një përditësim i situatës së krijuar nga moti i keq i ditëve të fundit, si pasojë e nivelit tejet të lartë të reshjeve të shiut.

Rama u shpreh se, këto kanë qenë ditë të lodhshme dhe të mundimshme për të gjithë.

“Kanë qenë shumë të mundimshme, qoftë për ato familje që kanë përjetuar praninë e ujit në shtëpi, qoftë për të gjithë shërbëtorët e shtetit që kanë qëndruar ditë e natë në krye të detyrës për përballimin e kësaj emergjence natyrore”, tha Rama.

“Të gjithë i ka lodhur ky shi i gjatë dhe i ftohtë i madh, ku nga pamjet e rrugëve të përmbytura, shtëpive të dëmtuara apo punëve të ndërprera, te vështirësia e rritur e qarkullimit e deri te dëmtimet e pronës dhe humbjet e gjësë së gjallë, krijohet stres, frustrim dhe në disa raste edhe zemërim”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se durimi është i domosdoshëm në kushte të tilla, duke shtuar se ajo që po përjetohet nuk është thjesht mot i keq.

“Shiu nuk ndalet me shpifje, si ato se nuk punojnë hidrovoret. Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta që nuk kanë lidhje fare me arsyen pse përmbyten shtëpitë e ndërtuara në territore shumë vulnerabël. Retë nuk shpërndahen me slogane, si ai slogani kronik që në çdo gjendje atmosferike të rënduar të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, “këto janë reagime që ushqejnë nervozizëm, jo zgjidhje; ushqejnë ndarje, jo ndihmë; ushqejnë çoroditje, jo siguri. Në një situatë si kjo nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë”.

“Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë britma, shpifje dhe teori konspiracioni, por për më shumë solidaritet, mbështetje dhe bashkim forcash”, tha Rama.

/gj.m/a.f/

The post Rama: Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta, por duhet ndihmë reale për njerëzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet intensive, situata më problematike në gjashtë qarqe

8 January 2026 at 10:35

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë shkaktuar problematika në qarqe të ndryshme të vendit.

Si pasojë e reshjeve intensive, gjatë orëve të fundit ka pasur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.

Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve, ku është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve.

Situata sipas qarqeve paraqitet si më poshtë:

Qarku Shkodër
Ka rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Po ashtu ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë. 15 banesa janë të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës. Në disa fshatra të Malësisë së Madhe ka rrugë të bllokuara dhe prezencë uji. Ndërsa në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët auto-rurale, që kanë shkaktuar dëmtime.

Qarku Lezhë
Rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë. Është bërë evakuimi i dy familjeve, një në fshatin ishullin Shëngjin dhe një në fshatin Kakariq. Rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Po ashtu ka rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh. Po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, në fshatin Dukagjin.

Qarku Vlorë
Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Nuk ka prezencë uji në banesa.

Qarku Durrës
Aktualisht situata është drejt përmirësimit, por po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, ish-Kënetës, Shkozet dhe Nish Tullë. Në terren ndodhen ekipe të vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve. 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit te Ushtrisë, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme. ⁠Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tonës janë në kuotat maksimale. Disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.

Bashkia Krujë: Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Drojë ka vërshime uji në dy fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.

Bashkia Shijak: Ka prani uji në 15 banesa. Situata problematike paraqitet veçanërisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.

Qarku Gjirokastër
Si pasojë e reshjeve të dendura ka rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë–Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar. Po punohet për rikthimin e energjisë në disa zona malore. Nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet.

Qarku Kukës
Lumenjtë janë në kuota të larta, por pa problematika aktuale.

Qarku Tiranë
Ka rritje e niveleve të lumenjve në Rrogozhinë dhe Kavajë, por pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.

Qarku Korçë
Janë disa rrugë të pakalueshme në Devoll. Po ashtu janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Përrenjas. Në Maliq ka sipërfaqe të tokave bujqësore nën ujë.

Qarku Berat
Rreth 95 hektarë toka bujqësore janë nën ujë. Është evidentuar rritje e nivelit të lumit Osum. Në lagjen 22 Tetori dhe Gorricë, janë marrë masa për sigurimin e bizneseve dhe punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.

Qarku Fier
Rreth 200 ha tokë bujqësore janë të përmbytura. Ka prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra.

Ministri e Mbrojtjes njofton se në qarqet e tjera nuk paraqiten problematika serioze.

Në total Forcat e Armatosura kanë angazhuar rreth 150 efektivë; mbi 20 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe të tonazhit të rëndë; 10 gomone/motobarka shpëtimi;  15 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe të vogël.

Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier, në funksion të evakuimeve, përforcimit të argjinaturave dhe largimit të ujërave.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë banorëve në zonat e prekura të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të Mbrojtjes Civile, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zona të përmbytura ose me rrëshqitje dherash.

Po ashtu qytetarët duhet të raportojnë menjëherë çdo situatë rreziku pranë strukturave përgjegjëse, si dhe të bashkëpunojnë në rastet e evakuimit për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.

Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë.

/m.m/a.f/

The post Reshjet intensive, situata më problematike në gjashtë qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet e shiut/ Bashkia e Vlorës: Në Novoselë situata po rëndohet, banorët të shmangin lëvizjet e panevojshme

8 January 2026 at 08:52

Në njësinë administrative Novoselë të Bashkisë Vlorë situata po rëndohet për shkak të rritjes së nivelit të ujit, duke krijuar rrezik për banorët dhe pronat.

Bashkia Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, thotë se ka angazhuar të gjitha kapacitetet në terren dhe ndodhet në gatishmëri për t’ju ardhur në ndihmë banorëve, duke përfshirë evakuimin dhe masat për mbrojtjen e bagëtive.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e strukturave në terren dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në normalizimin e situatës.

Riparohet ura në fshatin Bleran të Shkodrës, dalin nga izolimi 600 banorë të dy fshatrave

7 January 2026 at 14:46

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Pas dëmtimit për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura të shiut, ura prej hekuri në Bleran të Shkodrës, është riparuar në kohë rekord.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci tha se nga dëmtimi i kësaj ure mbetën të izoluara dy fshatra me rreth 600 banorë, duke shkaktuar vështirësi serioze në lëvizje dhe duke bllokuar aksesin drejt varrezave të fshatit.

Beci tha se falë reagimit të menjëhershëm dhe bashkëpunimit institucional me Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Prefektura e Qarkut Shkodër, nën koordinimin e drejtorit të përgjithshëm Haki Çako, nisi puna për vendosjen e një ure prej hekuri, një zgjidhje e qëndrueshme për zonën.

Ndërhyrja po kryhet me profesionalizëm të lartë nga Batalioni Xhenio i Forcave të Armatosura, duke rikthyer qarkullimin normal për komunitetin e prekur.

“Pavarësisht ditëve me reshje intensive dhe prurje maksimale, situata është menaxhuar me përgjegjësi, duke pasur minimumin e problematikave në territor”, tha Beci.

Reshjet e dendura të shiut dhe moti i keq kanë sjellë problematika në infrastrukturë dhe përmbytje në disa qarqe të vendit.

/e.i/a.f/r.e/

The post Riparohet ura në fshatin Bleran të Shkodrës, dalin nga izolimi 600 banorë të dy fshatrave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jani: 304 persona të evakuar në qarkun Durrës, strukturat në gatishmëri në terren

7 January 2026 at 10:24

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut kanë vazhduar dhe gjatë natës, duke sjellë përkeqësim të situatës për shkak të motit të keq në Durrës.

Prefekti i qytetit bregdetar, Emilian Jani tha sot për ATSH-në, se të gjithë strukturat vendore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Emergjencat Civile janë të shpërndara në terren për të monitoruar situatën.

“Deri mbrëmë në orët e vona të natës, janë evakuar disa persona. Numri i individëve që janë evakuuar deri tani është rreth 304 persona. Ata janë sistemuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe në godinat e Ministrisë së Mbrojtjes. Zonat më problematike janë ato të ish-NISH Tulla dhe zona e ish-Kënetës. Po mbikëqyrim çdo situatë dhe jemi pranë çdo familjeje”, tha Jani.

Ndërkohë, bëhet me dije se uji është tërhequr nga akset rrugore kryesore në qytet, duke i bërë ato të kalueshme për qytetarët dhe makinat.

/e.i/a.f/r.e/

The post Jani: 304 persona të evakuar në qarkun Durrës, strukturat në gatishmëri në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Mbi 100 efektivë të FA-ve u angazhuan për përballimin e pasojave nga moti i keq

TIRANË, 7 janar/ATSH/- Përkeqësimi i motit dhe reshjet intensive të shiut përkeqësuan situatën mbrëmjen e djeshme në disa lagje të qytetit të Gjirokastrës.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu shprehu mirënjohje të veçantë për efektivët e Repartit të Gërhotit, të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë qenë në terren duke luftuar me prurjet e vrullshme të ujit në Gjirokastër.

Ai vlerësoi edhe angazhimin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës së krijuar në disa zona të vendit.

Ministri nënvizon se mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete si dhe pompa me kapacitet të lartë janë angazhuar në qarqet Lezhë, Durrës dhe Gjirokastër, si edhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja.

The post Vengu: Mbi 100 efektivë të FA-ve u angazhuan për përballimin e pasojave nga moti i keq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Monitorim i vazhdueshëm për mbrojtjen e pasurive kulturore

TIRANË, 7 janar/ATSH/- Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se në vijim të situatës së reshjeve intensive, strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore vijojnë monitorimin e pandërprerë në territor me prioritet, mbrojtjen e pasurive kulturore.

Gonxhja thekson se në qarkun Shkodër dhe zonat përreth, reshjet kanë vazhduar ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës.

“Situata paraqitet e përkeqësuar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit, duke ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin nga niveli i lartë i lumit”, bën të ditur ministri.

Gonxhja pohon se në pasuritë e tjera kulturore në territor situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, deri në këto momente nuk janë konstatuar përkeqësime.

“Nga monitorimi i kryer në një pjesë të urave në juridiksionin e DRTK Vlorë, nuk janë evidentuar problematika, ndërsa po vijon vëzhgimi edhe në sektorin Sarandë, ku deri tani, sipas kontakteve në terren, nuk raportohet për situata shqetësuese. Informacion më i detajuar do të përcillet në vijim”, deklaron ai.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja shton se monitorimi në terren vijon me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore dhe reagimin në kohë ndaj çdo risku të mundshëm.

The post Gonxhja: Monitorim i vazhdueshëm për mbrojtjen e pasurive kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodër, nivelet e ujit në lumenj nën kuotat e rrezikut për përmbytje

6 January 2026 at 16:00

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Reshjet intensive kanë rritur prurjet e lumenjve në qarkun e Shkodrës, por deri tani nuk raportohen problematika.

Prefektura e qarkut Shkodër në një deklaratë për shtyp, informoi sot se deri në këto momente nuk janë konstatuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat dhe digën e rezervuarit Shtodër.

Sipas prefekturës, nivelet e ujit në lumenjtë Buna, Drin, Kir dhe Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga 5 pompa secili dhe janë në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë, në rast nevoje. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment.

Në territorin e bashkisë Vau i Dejës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Në fshatin Hoten është raportuar një banesë me prani uji, ku banorëve u është dhënë ndihma e menjëhershme nga grupi i Emergjencave Civile. Situata po monitorohet në vijimësi nga strukturat përkatëse.

Sipas prefektit, në territorin e bashkisë Malësi e Madhe kanë vijuar reshjet e shiut me intensitet mesatar gjatë gjithë natës dhe në orët në vijim. Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të përroit. Në zonat Rrazë dhe Veshtë është konstatuar prezencë uji, por pa rrezik për banesat. Po punohet për furnizimin me energji elektrike në zonën e Kelmendit. Gjithashtu po punohet për hapjen e rrugës pranë lumit në zonën e Dragovojës.

Në territorin e bashkisë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë rurale. Deri në këto momente nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa.

Në territorin e bashkisë Shkodër janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Grupi i Emergjencave Civile po kryen inspektime në terren dhe është në monitorim të afërt të çdo situate emergjente.

Në njoftim thuhet se në kaskadën e Drinit, prurjet aktuale natyrore arrijnë vlerën 3500 m³/s, duke reflektuar një situatë hidrike të qëndrueshme.

Nivelet e liqeneve paraqiten si më poshtë:

Fierza: 281,2 m;

Koman: 174,2 m;

Vau i Dejës: 75 m.

Shkarkimet aktuale nga hidrocentralet janë të kontrolluara dhe të qëndrueshme: HEC Vau i Dejës 700 m³/s dhe HEC Koman 700 m³/s. Deri tani nuk raportohen problematika.

Prefekti i Qarkut Shkodër vijon ndjekjen nga afër të situatës në koordinimin me të gjitha strukturat vendore e qendrore për menaxhimin e emergjencave.

/e.i/r.e/a.f/

The post Shkodër, nivelet e ujit në lumenj nën kuotat e rrezikut për përmbytje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha për situatën në Durrës: Pasojë e betonizimit nga Dako dhe Rama

6 January 2026 at 12:09

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha publikoi sot pamje nga Durrësi, ku reshjet e shiut kanë shkaktuar problematika në zona të banuara dhe akset kryesore rrugore.

Duke iu referuar situatës, Berisha shkruan: “Durrësi i Betonit apo Gjushit dhe Ramaduros!”, duke e cilësuar gjendjen si pasojë të drejtpërdrejtë të “betonizimit pa kriter dhe keqmenaxhimit të qytetit”.

Sipas Berishës, përmbytjet janë rezultat i politikave të dështuara urbanistike dhe mungesës së investimeve në infrastrukturë dhe sistemin e kanalizimeve, përgjegjësi që i atribuohen qeverisë dhe pushtetit lokal. Pamjet dëshmojnë edhe një herë se çdo episod reshjesh e kthen Durrësin në emergjencë, ndërsa qytetarët përballen me pasoja të përsëritura nga neglizhenca institucionale.

Berisha thekson se situata tregon nevojën për ndërhyrje emergjente në Durrës, që situata të tilla të mos përsëriten.

/a.f/r.e/

The post Berisha për situatën në Durrës: Pasojë e betonizimit nga Dako dhe Rama appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq, bashkia Tiranë: Grupet e punës në terren, në shërbim të përforcuar

6 January 2026 at 10:57

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut dhe moti i keq kanë përfshirë vendin prej disa orësh.

Burime zyrtare pranë bashkisë Tiranë, bëjnë me dije për ATSH-në se situata nuk paraqet rrezikshmëri në kryeqytet.

Të njëjtat burime shprehen se deri në orën 10:00 të paradites së sotme, në shërbimin zjarrfikës nuk ka mbërritur asnjë telefonatë emergjence.

Bashkia njofton se grupet e punës kanë kaluar në shërbim të përforcuar në terren, për të ndjekur nga afër situatën në çdo lagje dhe rrugë të kryeqytetit.

/e.i/r.e/a.f/

The post Moti i keq, bashkia Tiranë: Grupet e punës në terren, në shërbim të përforcuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe probleme në disa qarqe të vendit

6 January 2026 at 10:44

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë shkaktuar një situatë problematike në disa zona të vendit.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, më problematike paraqitet situata në Lezhë (105 mm reshje) dhe Shkodër, ku ka banesa të përmbytura.

Në jug, rënia e inerteve ka bllokuar pjesërisht rrugët nacionale. Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë për të menaxhuar nivelet e ujit.

Në qarkun Shkodër si pasojë e reshjeve intensive të shiut ka përmbytje banesash të mbi 15 familjeve në Malësi të Madhe si dhe dëmtime infrastrukturore në Kamicë.

Nivelet e lumenjve Buna dhe Drin mbeten nën kuotat e rrezikut, teksa rekomandohet qarkullim me kujdes në akset Bogë-Theth dhe Hani i Hotit-Vermosh.

Në qarkun Gjirokastër ka reshje shiu dhe erëra të forta në gjithë qarkun.

Gjithashtu ka probleme në aksin Tepelenë-Gjirokastër për shkak të rënies së inerteve dhe qarkullim me një kalim.

Në qarkun Vlorë ka reshje shiu me intensitet të ulët dhe erëra. Janë shfaqur probleme të përkohshme me energjinë elektrike në bashkinë Finiq dhe disa zona periferike të Vlorës. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe situata hidrike janë normale.

Në qarkun Kukës, reshjet e shiut me intensitet të lartë në gjithë territorin.

Akset nacionale janë të qarkullueshme.

Në qarkun Lezhë, si pasojë e reshjeve intensive të shiut (deri në 105 mm në 24 orë) ka pasur përmbytje të banesave, tokave bujqësore dhe oborreve të shkollave në disa bashki.

Lumi Drin është në kuota kritike, pranë nivelit të rrezikut të lartë, teksa hidrovorët janë në punë me kapacitet maksimal. Po kryhet ndërhyrje në terren nga strukturat e emergjencës.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që në rast nevoje apo rreziku të kontaktojnë menjëherë Emergjencat Civile dhe Policinë e Shtetit

1 nga 3

/gj.m/a.f/r.e/

The post Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe probleme në disa qarqe të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fëmija 3 vjeç konfirmohet me fruth, Toçi për ATSH: Situata, jo alarmante

26 December 2025 at 20:17

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Një fëmijë është konfirmuar me fruth në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Burime pranë MSHMS, konfirmuan se ky rast është paraqitur që në datën 22 dhjetor në spitalin e Pediatrisë, me temperaturë shumë të lartë dhe i pavaksinuar, por rasti është hetuar epidemiologjikisht dhe ndjekur nga ISHP.

Sipas MSHMS-së, nga dy raste me simptoma, vetëm njëri rast është fruth, ndërsa rasti tjetër nuk është konfirmuar i tillë.

Hetimi epidemiologjik i ndjekur nga ISHP ka konfirmuar diagnozën e fruthit për këtë fëmijë që është i moshës 3 vjeç.

Prof. Asoc. Dorina Toçi, drejtoreshë e Përgjithshme e ISHP-së, tha sot për ATSH-në se situata e fruthit në vend nuk është aspak alarmante dhe nuk ka vend për panik. Sipas Toçit, raste të konfirmuara me fruth ka pasur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, madje në 2025 ka pasur më pak raste se vitet e kaluara.

Deputeti i PS,  Erjon  Braçe u bën thirrje prindërve që të mos e ndërpresin kalendarin e vaksinimit kundër fruthit, ndërsa thekson se rrymat antivaksinë në media apo rrjetet sociale duhet të braktisen.

“Fëmijët janë të pavaksinuar, për fruthin po e po, por edhe për sëmundje të tjera; Është tre vjeç por kalendari i vaksinimit të tyre është ndërprerë që në muajin e gjashtë, prindërit nuk e kanë ndjekur më kalendarin e vaksinimit të tyre. Fruthi është pasoja e parë. Unë nuk e di sa i gjerë është fenomeni, po kam frikë se pas pandemisë dhe fushatës agresive kundër vaksinimit me konotacion të gjerë, ndalja nga prindërit të kalendarit të vaksinimit ka marrë përmasë“, tha Braçe.

Vatra më e fundit me fruth në Shqipëri ishte ajo e këtij fillimviti në Fier me 10 fëmijë nga mosha 4-9 vjeç  ndërsa tre të tjerë u identifikuan në Vaun e Dejës, Lezhë dhe Tiranë ku ISHP konfirmoi gjithsej 12 raste, të gjithë të pavaksinuar. Mbulesa vaksinale me dozën e parë të vaksinës ndaj fruthit gjatë kësaj periudhe ra në 73% ndërsa me dy doza në  87% në shkallë vendi.

/e.i/j.p/

The post Fëmija 3 vjeç konfirmohet me fruth, Toçi për ATSH: Situata, jo alarmante appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Mattarella: Moska dëshiron të përcaktojë kufijtë me forcë, e papranueshme

16 December 2025 at 13:46

ROMË, 16 dhjetor /ATSH/ – Në fjalimin e tij, presidenti Italian Sergio Mattarella u ndal tek situata në Ukrainë ku përdori nota kritike qasjen në konflikt të Rusisë, shkruan tgcom24.it.

‘’Agresioni rus kundër Ukrainës vazhdon, duke rezultuar në viktima dhe shkatërrim të gjerë, dhe me qëllimin e gabuar, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme negociuese’’, theksoi ai.

Moska me politikat e saj shkel parimin e refuzimit për të ripërcaktuar me forcë ekuilibrat dhe kufijtë e Evropës. Ky veprim u konsiderua i papërgjegjshëm dhe i papranueshëm më shumë se 50 vjet më parë në Konferencën e Helsinkit për Bashkëpunimin dhe Sigurinë Evropiane”, theksoi kreu presidenti Matterella. /os/

The post ITALI – Mattarella: Moska dëshiron të përcaktojë kufijtë me forcë, e papranueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Infrastruktura e kullimit drejt normalitet, uji po tërhiqet nga sipërfaqet e përmbytura

23 November 2025 at 11:34

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit, kanë krijuar problematika në zona të ndryshme të vendit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla u shpreh sot se shirat gjatë natës kanë qenë me intensitet më të ulët, çka ka krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrjet në terren.

Në një reagim në rrjetet sociale, Salla tha se si rezultat, situata në infrastrukturën e kullimit po normalizohet, me ulje graduale të niveleve të ujit.

“Në ultësirën perëndimore, infrastruktura e kullimit po kthehet gradualisht në normalitet dhe uji po tërhiqet nga sipërfaqet e përmbytura. Paralelisht, nivelet në lumenj kanë pësuar rënie dhe rrjedhat po stabilizohen brenda shtratit natyral dhe argjinaturave ekzistuese”, tha Salla.

Ministri Salla nënvizoi se ekipet e drejtorive të ujitje-kullimit në Fier, Korçë, Durrës dhe Lezhë vijojnë pa ndërprerje në terren për stabilizimin e situatës, kryesisht në zonat më problematike.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me AKMC dhe Drejtoritë e Ujitje-Kullimit, vazhdon të monitorojë situatën dhe do të ndërhyjë sipas nevojës për parandalimin e përmbytjeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve dhe tokave bujqësore. /e.i/a.f/

/e.i/

The post Salla: Infrastruktura e kullimit drejt normalitet, uji po tërhiqet nga sipërfaqet e përmbytura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌