Djegia e mbetjeve ngre pikëpyetje mbi menaxhimin e landfillit të Bushatit



TIRANË, 24 mars /ATSH/ Një delegacion i Federatës Shqiptare të Futbollit zhvilloi një vizitë zyrtare në Bashkinë Shkodër, ku Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku u prit në takim nga Kryetari i Bashkisë Benet Beci e ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të dy institucioneve. Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe avancimin e projekteve infrastrukturore në shërbim të futbollit, në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Europian U-21.
Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me ndërhyrjet në stadium dhe identifikimin e terreneve stërvitore e ndihmëse që do të shërbejnë për zhvillimin e këtij eventi të rëndësishëm europian.
Në përfundim të takimit, palët arritën një mirëkuptim për disa drejtime konkrete bashkëpunimi. Bashkia Shkodër konfirmoi angazhimin për të marrë përsipër ndërhyrjet infrastrukturore në stadium, në përputhje me nevojat e identifikuara. Gjithashtu, u shpreh gatishmëria për bashkëpunim në zhvillimin e kompleksit sportiv “Zmijani”, sipas kushteve të dakordësuara mes palëve.
Në kuadër të kësaj vizite u zhvilluan edhe inspektime në disa terrene potenciale stërvitore, konkretisht në zonën e Postribës, Barbullushit, si dhe në fushën e “Soccer Star Academy” në fshatin Shtoj.
Palët ranë dakord që në vijim të ndërmerren hapa konkretë për finalizimin e ndërhyrjeve prioritare në stadium, realizimin e vlerësimeve teknike të detajuara për terrenet në shqyrtim dhe formalizimin e dakordësive përmes dokumentacionit përkatës zyrtar.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe krijimit të kushteve më cilësore për zhvillimin e futbollit në qytetin e Shkodrës, si pjesë e përgatitjeve për organizimin e një kompeticioni të rëndësishëm europian.
/e.i/a.f/
The post Përgatitjet për “Euro 2027”, FSHF inspekton infrastrukturën sportive në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 10 mars/ATSH/ Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore në bashkinë Shkodër njoftoi sot faljen plotësisht të detyrimeve vendore deri në vitin 2014.
Vendimi vjen në zbatim të ligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Ndërkohë bazuar në këtë ligj, bashkia e Shkodrës njofton se për vitet 2015–2019, subjektet paguajnë vetëm 50% ose 75% të detyrimit kryesor, ndërsa të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat falen.
Ndërsa për vitet 2020–2024, kërkohet pagesa e plotë e detyrimit kryesor deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa gjobat dhe kamatëvonesat falen.
Nuk përfitojnë nga ky ligj subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose që janë në proces gjyqësor apo hetimi penal për vepra në fushën tatimore dhe doganore.
/m.m/a.f/
The post Bashkia e Shkodrës: Falen plotësisht detyrimet vendore deri në vitin 2014 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Autorë: Ola Mitre; Aida Ciro; Kristi Bashmili dhe Nemanja Živaljević.
Në korrik të vitit 2025, fadromat hynë në Theth dhe brenda pak ditësh, disa ndërtime u shembën në zemër të Alpeve Shqiptare, në një aksion që autoritetet e cilësuan si “rikthim i ligjshmërisë”.
Vetëm një vit më parë, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama nxiti banorët të ktheheshin në fshatin e tyre turistik, të investonin dhe t’i kthenin tokat e tyre në mundësi zhvillimi. Premtimi ishte se pronat e brezave do të pajiseshin me dokumente pronësie dhe se “Paketa e Maleve” do ishte mjeti i rikthimit dhe i mirëqenies së zonave alpine.
“Gjobat për ndërtim pa leje, në këtë zonë do t’i fshijmë të gjitha. Ju keni ndërtuar pa leje sepse nuk keni pasur mundësi të merrni certifikatën e tokës që u takon,” iu përgjigj Rama shqetësimit të banorëve të Thethit, duke njoftuar dhe planet për miratimin e ligjit.
“Na thanë të investonim. Kthehuni, ndërtoni! Dhe ne ndërtuam më lehtë se çdo vit tjetër se ishin votimet,” thotë Kristian Gurra, 27 vjeç.
Kristiani ka mbi dhjetë vite që zhvillon një biznes familjar në Theth. Filloi me një lokal të vogël, ndërsa tani ka një restorant dhe 16 dhoma për turistë, që mbajnë familjen e tij dhe disa punëtorë sezonalë. Investimi i fundit, i menduar për turizëm dimëror, u financua me kredi bankare rreth 100 mijë euro, por u shemb gjatë aksionit të korrikut.
“Sot paguaj kredinë çdo muaj dhe kam edhe gjobë. Shtëpinë në Shkodër e kam lënë kolateral, sepse këtu nuk kam tapi”, thotë ai.
Rasti i tij është tipik për zonat veriore në Shqipëri, ku tokat trashëgohen brez pas brezi pa dokumente pronësie, një problem historik që institucionet nuk e kanë zgjidhur kurrë. “Paketa e Maleve”, e miratuar në mars 2025, synon të anashkalojë këtë ngërç, duke u dhënë banorëve mundësinë të ndërtojnë dhe të zhvillojnë pronën edhe në mungesë të titullit të qartë pronësor.
Por aksioni i prishjeve, i ndërmarrë menjëherë pas miratimit të ligjit, goditi pikërisht atë që kjo “paketë” pretendon të mbështesë: investimet e banorëve në pronat e tyre të trashëguara.
Ndërkohë, të dhënat tregojnë se arkitektura ligjore favorizon investime të mëdha turistike dhe energjetike, shumë larg modelit familjar të premtuar, duke mos përjashtuar as Parkun “Alpet e Shqipërisë”, një territor kyç për iniciativat ndërkufitare të mbrojtjes së natyrës, pjesë e Alpeve Dinarike dhe e Brezit të Gjelbër Evropian.
Alpet Shqiptare përbëjnë një ekosistem të pandashëm me parkun Prokletije në Malin e Zi, por standardet e mbrojtjes janë ndjeshëm të ndryshme sa i përket aktiviteteve të lejuara brenda tyre. Për më tepër, ligji hap rrugë edhe tjetërsimit të pyjeve, kullotave dhe livadheve, duke lejuar ndryshimin e përdorimit të tokës nga natyrore, në urbane apo industriale, çka jo vetëm dobëson mbrojtjen e burimeve natyrore, por cenon vetë funksionin ekologjik të territorit.
Ekspertët paralajmërojnë se qasja e ligjit shqiptar rrezikon pasoja të pakthyeshme për ekosistemin alpin dhe bie ndesh me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërsa centralizimi i vendimmarrjes në nivel qendror hap shteg që përfitimet të shkojnë te subjekte jorezidente dhe jo te komunitetet vendase.
Në prezantimin publik, “Paketa e Maleve” u shfaq si një instrument për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave malore, që prej dekadash jetojnë dhe investojnë në toka pa tituj pronësie. Zgjidhja e këtij problemi u lidh me zhvillimin e strukturave agroturistike, që janë miqësore me mjedisin, si dhe mbajtjen e komuniteteve në territor, në një kohë që shumë zona malore në Shqipëri janë zbrazur si pasojë e emigrimit.
Ligji i miratuar parashikon një seri mekanizmash që, në dukje, synojnë t’u japin banorëve të zonave malore siguri juridike dhe mundësi zhvillimi. Ai u lejon individëve të njohur si posedues jopronar që, me përmbushjen e disa kritereve, të blejnë tokën shtetërore me çmimin simbolik prej 1 euro, të përfitojnë përjashtime nga disa taksa për një periudhë 10-vjeçare, si dhe të kenë akses të thjeshtuar në lejet e ndërtimit.
Por ndërkohë ligji ka përfshirë qartazi edhe investitorët, si persona fizikë apo juridikë të regjistruar, të cilëve iu jepet e drejta të realizojnë projekte investimi, në marrëveshje me poseduesin jopronar.
Përveç kësaj, ligji i miratuar ka krijuar çdo hapësirë ligjore për investime të mëdha turistike dhe energjetike, pasi përcakton se autoriteti kompetent për miratimin e lejes së zhvillimit dhe ndërtimit do të jetë vetëm Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU).
Sipas ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, KKTU-ja, një institucion që drejtohet nga kryeministri, është autoritet përgjegjës për vendimmarrjen vetëm për zhvillime komplekse. Ky dikaster, miraton leje zhvillimi për projektet strategjike në territor, nga resorte të mëdha turistike deri te struktura energjetike dhe infrastrukturore. Po ashtu, legjislacioni specifikon se KKTU-ja mund të miratojë leje ndërtimi vetëm për objekte të larta mbi 6 kate.
Këto kompetenca s’kanë asnjë lidhje me natyrën e agroturizmit apo të bujtinave familjare.
“Agroturizmi, sipas përkufizimit, presupozon iniciativa të vogla, që zhvillohen nga familje dhe janë drejtpërdrejt të lidhura me ekonominë rurale. Është një model turizmi rural i lidhur ngushtë me bujqësinë dhe jetën në fshat, ku shërbimet turistike mbështesin dhe plotësojnë aktivitetin bujqësor ekzistues, pa e zëvendësuar ose deformuar funksionin tradicional të territorit”, thotë Doriana Musai, pedagoge e arkitekturës dhe planifikimit urban.
“Ndërkohë, këto investime që cilësohen strategjike, vijnë me investitorë dhe kompani që favorizojnë investime me kosto të lartë. Me pak fjalë agroturizmi përdoret si narrativë legjitimuese e politikës qendrore, ndërsa rezultati real është turizëm intensiv, i shkëputur nga struktura sociale dhe ekonomike e zonës”, shton ajo.
Edhe për ekspertët e turizmit “modeli i resorteve të mëdha nuk është në përputhje me parimet e zhvillimit lokal dhe përfshirjes së komuniteteve”.
“Ai mund të sjellë investime dhe vende pune, por rrezikon që përfitimet të përqendrohen te investitorët dhe jo te banorët vendas”, thotë Ardiola Alikaj, eksperte e lartë e turizmit në Shqipëri.
Paralelisht, ekspertët kritikojnë anashkalimin e bashkive në vendimmarrjen për zhvillimet në territorin e tyre, kompetenca që i gëzojnë në ligjin aktual për struktura nën 6 kate, përfshirë agroturizmet.
“Cenohet autonomia e autoriteteve vendore dhe planet e tyre të territorit”, thotë Erjon Muharremaj, profesor dhe ekspert i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Mjedisore dhe Proceset e Integrimit në BE.
Ndërsa sipas Musait, “kur miratimi i projekteve bëhet nga lart-poshtë, pra nga niveli qendror, në formë ekzekutive drejt atij vendor cenohet parimi i zhvillimit lokal dhe i subsidiaritetit”.
“Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, si organ qeveritar, duhet të garantojë koherencë kombëtare të planifikimit, dhe jo të zëvendësojë autoritetet vendore në vendime që ndikojnë drejtpërdrejt komunitetet dhe peizazhin lokal”, argumenton ajo.
“Paketa e Maleve” nuk zbatohet në gjithë territorin malor, por vetëm në ato zona që shpallen “zona prioritare të zhvillimit”, të cilat përzgjidhen përmes një procedure të veçantë që nis në nivel vendor dhe finalizohet në nivel qendror. Bashkia mbledh aplikimet e banorëve ose identifikon territoret me “potencial ekonomik” dhe i propozon ato si zona që duhen zhvilluar.
Më pas, relacioni i bashkisë i dërgohet ministrit përgjegjës për pushtetin vendor, i cili vendos nëse propozimi plotëson kriteret për t’u çuar më tej. Vendimi final merret nga Këshilli i Ministrave, i cili shpall zonën zyrtarisht, duke i hapur rrugë më pas miratimit të projekteve.
I gjithë procesi tashmë është finalizuar për Bashkinë Shkodër, në territorin e së cilës janë miratuar 5 zona prioritare të zhvillimit, përfshirë edhe fshatin Theth e Ndërlysaj, që ndodhen brenda parkut kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në kufi me Malin e Zi.

Interesi për të ndërtuar në zonat prioritare ka qenë tejet i lartë, sipas të dhënave të Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Territorial të Bashkisë Shkodër. Pas një kërkese për informacion, kjo drejtori bëri me dije se deri më 9 dhjetor 2025 ishin paraqitur 642 aplikime për 5 tipologjitë që lejonte sistemi i ngritur për këtë qëllim: Agroturizëm, energji e gjelbër, blegtori, projekte sociale dhe tipologjia “tjetër”, që le të hapur çdo lloj kërkese për investime. Pjesa më e madhe lidhej me agroturizimin (434), kategoria “të tjera” kishte 136 aplikime, projektet sociale 35, blegtoria 29 dhe energjia e gjelbër, pra ndërtimi i parqeve diellore dhe eolike, 14 aplikime.


Megjithatë, edhe pse interesi fillestar vjen kryesisht nga banorët e zonës për projekte agroturizmi, vetë arkitektura ligjore e orienton procesin drejt zhvillimeve shumë më të mëdha, që kërkojnë kapital dhe miratim qendror. Ky kontrast bëhet edhe më i mprehtë kur këto zhvillime synohen në zona të mbrojtura, brenda një prej ekosistemeve më të ndjeshme të Ballkanit.
Alpet e Shqipërisë dhe Prokletije në Malin e Zi përbëjnë një prej ekosistemeve më të rëndësishme të rajonit, të njohura për larminë e jashtëzakonshme biologjike dhe habitatet e tyre të brishta. Përveç statusit kombëtar të mbrojtjes, territore të veçanta gëzojnë njohje ndërkombëtare. Alpet janë pjesë e rrjetit EMERALD (Zonat me Interes të Veçantë për Mbrojtje për Europën), Thethi njihet si Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin (IBA) dhe Zonë Kryesore për Biodiversitetin (KBA), ndërsa Lumi i Gashit, rezervë strikte natyrore deri në vitin 2022 e sot pjesë e Parkut të Alpeve, është pjesë e Trashëgimisë Botërore të Natyrës të UNESCO-s.
Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura tregojnë një numër të lartë habitatesh sipas listës së Natura 2000, me rëndësi për ruajtje. Vetëm në Theth dhe zonat përreth janë evidentuar rreth 20 tipe habitatesh, prej të cilave 4 prioritare. Po ashtu, në luginën e Vermoshit dhe Lëpushë – Budaçit janë identifikuar rreth 25 tipe habitatesh, prej të cilave 4 janë prioritare, në Luginën e Valbonës rreth 26 tipe, prej të cilave 4 prioritare, ndërsa në luginën e Lumit të Gashit – Dobërdoll, rreth 14 tipe habitatesh, nga të cilat 2 janë prioritare dhe kërkojnë masa specifike për ruajtje. Parku përfshin edhe një florë të pasur me rreth 1,500 lloje bimësh, 40% e të cilave janë endemike të Shqipërisë, duke i bërë ato veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve dhe zhvillimeve të mundshme. Ahu, rrobulli, bredhi i bardhë dhe arneni janë disa prej llojeve të florës që takohen në zonë.
Po aq e pasur është fauna. Trupat ujorë dhe zonat përreth strehojnë lloje të rralla e të rrezikuara të peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve; rreth 155 lloje shpendësh dhe mbi 60 gjitarë, përfshirë rrëqebullin e Ballkanit, ariun, ujkun, kaprollin, vidrën, shkabën, shqiponjën e maleve dhe gjelin e egër. Një pjesë e madhe e tyre figuron në Shtojcat e Direktivës së Habitateve, Direktivës së Shpendëve, në listat e kuqe të IUCN dhe Shqipërisë, duke e bërë këtë zonë kritike për ruajtjen e biodiversitetit. Edhe në anën malazeze të Prokletijes janë evidentuar mbi 2,000 lloje bimësh, 60 prej të cilave të mbrojtura dhe 161 lloje shpendësh. Ndërkohë që kamerat kurth, vitin e kaluar kanë dokumentuar praninë e rrëqebullit, një prej specieve më të rrezikuara në Ballkan.
Ky masiv malor funksionon si një nyje e vetme ekologjike brenda Alpeve Dinarike dhe Brezit të Gjelbër Evropian, çka e bën mbrojtjen e tij një prioritet rajonal dhe evropian.
“Çdo ndërhyrje në Shqipëri ka ndikim edhe në Mal të Zi dhe anasjelltas”, thotë biologu dhe aktivisti qytetar Vuk Iković, duke kujtuar se zona përfshin edhe shtegun e njohur ndërkufitar “Majat e Ballkanit”.
Por, megjithëse rëndësia ekologjike e Alpeve të Ballkanit është e dokumentuar gjerësisht në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, kjo nuk e pengoi Bashkinë Shkodër dhe qeverinë shqiptare t’i përfshinin në zonat prioritare të zhvillimit.
Në të njëjtën kohë, ndryshimet në udhëzimin që përcakton procedurën e shpalljes së këtyre zonave tregojnë një largim të qartë nga standardet e mbrojtjes së mjedisit. Udhëzimi i parë, i qershorit 2025, kërkonte mbledhjen dhe analizimin e të dhënave socio-ekonomike, mjedisore dhe gjeografike. Por vetëm katër muaj më vonë, një udhëzim i ri i shfuqizoi të gjitha këto kritere, duke e reduktuar procesin në një procedurë që bazohet vetëm në “potencialin ekonomik, industrial apo turistik të zonës”.
Sipas profesor Erjon Muharremajt, ky ndryshim kaq i shpejtë dhe kalimi nga një dokument 70-paragrafësh në një udhëzim me vetëm 30 paragrafë, ngre pikëpyetje serioze.
“Për të shfuqizuar një akt kaq të rëndësishëm pas vetëm katër muajsh do duhej të kishte pasur ndryshime rrënjësore të rrethanave. Por, edhe nëse do të kishte arsye, duhej bërë amendimi i udhëzimit, jo shfuqizimi i tij i plotë”, thotë ai.
“Legjislacioni pasues zakonisht bëhet më i hollësishëm. Në fakt, ka ndodhur e kundërta, çka përgjithësisht, nuk është tregues i vullnetit për përmirësimin e legjislacionit, por ka arsye të tjera”, shton më tej eksperti.
Një tjetër element shqetësues i ligjit lidhet me ndryshimin e statusit të pasurive natyrore. Për herë të parë, “Paketa e Maleve” i hap rrugë tjetërsimit të kategorive që deri më sot kanë qenë të paprekshme: pyjeve, kullotave dhe livadheve.
Neni 8 i ligjit përcakton se këto pasuri nuk konsiderohen më pronë publike e patjetërsueshme, duke u lejuar t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë dhe zhvillimit. Kjo do të thotë se sipërfaqet pyjore, kullosore apo livadhe mund të humbin statusin natyror dhe të shndërrohen me lehtësi në zona urbane, turistike ose industriale, duke shmangur dhe çdo dokument planifikimi territoral, që ka kaluar edhe në filtra mjedisore.
“Kur zona apo projekte shpallen si “strategjike” ato shpesh anashkalojnë Planet e Përgjithshme Vendore dhe Planet e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, pasi qëllimi është të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, duke thjeshtuar procedurat administrative dhe përqendruar vendimmarrjen”, thotë Musai.
“Kjo krijon një sistem paralel vendimmarrjeje, ku planifikimi afatgjatë humbet peshën e tij dhe reduktohet në formalitet, ku nuk është më plani që drejton zhvillimin, por e kundërta”, shpjegon më tej ajo.
Sipas Muharremajt, këto zhvillime nuk mund të kuptohen pa parë edhe ndryshimet e vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, të cilat dobësojnë në mënyrë të ndjeshme mbrojtjen e kategorive më të larta natyrore. Ndryshimet lejojnë zhvillime urbane dhe struktura turistike me pesë yje brenda parqeve kombëtare, madje edhe në nënzonën qendrore, që teorikisht duhet të jetë zonë me mbrojtje strikte.
“Këto janë pasojat katastrofike të ndryshimeve të vitit 2024”, thotë ai.
Ai kritikon edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, e cila rrëzoi kërkesën e organizatave mjedisore për shfuqizim të ndryshimeve.
“Ky vendim regresiv i lejon ekzekutivit dorë të lirë për të miratuar leje zhvillimi apo ndërtimi në zonat e mbrojtura”, shprehet profesori.
Kombinimi i zonave prioritare të zhvillimit me dobësimin e kuadrit të mbrojtjes së mjedisit e vendos në pikëpyetje të ardhmen ekologjike të Alpeve. Zhvillimet e lejuara brenda parkut, pa konsultime publike, pa Vlerësime Strategjike Mjedisore dhe pa verifikim të përputhshmërisë me dokumentet e planifikimit dhe menaxhimit, krijojnë një rrezik real për fragmentimin e habitateve, ndryshimin e përdorimit të tokës dhe humbjen e vlerave natyrore që e bëjnë këtë territor unik në Ballkan.
Situata bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh se rreth 72 % e sipërfaqes së zonës së shpallur për zhvillim mbivendoset me nënzonën Qendrore B të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, duke rrezikuar drejtpërdrejt tërësinë ekologjike të parkut dhe ruajtjen e specieve të florës dhe faunës.

Ndikimet e mundshme negative nuk kufizohen vetëm brenda kufijve administrativë të parkut, por prekin biodiversitetin, lloje dhe habitate me interes për BE-në, ekosistemet ujore dhe korridoret ekologjike ndërkufitare, si edhe objektivat e iniciativave ndërkombëtare si Alpet Dinarike dhe Brezi i Gjelbër Evropian.
Në këtë kontekst, çdo zhvillim i pakontrolluar brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” mund të komprometojë funksionin e tij ekologjik dhe rolin e tij si nyje kyçe e ruajtjes së biodiversitetit në rajon.
Në anën malazeze, Parku Kombëtar Prokletije administrohet me kritere të rrepta: ndërtimet janë të kufizuara dhe çdo projekt i nënshtrohet filtrave të fortë mjedisorë dhe ndërkufitarë. Por në Shqipëri, ligji i ri hap rrugë zhvillimeve të mëdha turistike e energjetike, pa asnjë proces të dukshëm koordinimi me autoritetet e Malit të Zi, pavarësisht se bëhet fjalë për të njëjtin ekosistem.
“Nuk kemi absolutisht asnjë informacion”, thotë kryetari i Komunës së Gucisë, Sanel Balić.
“Gjithçka që ndodh përgjatë kufirit duhet ta dijë qeveria malazeze dhe komunat që kufizohen me këtë zonë. Çfarëdo që ndërtohet atje mund të ndikojë edhe tek ne”, theksoi ai.
Edhe Marinela Đuretić, drejtoresha e Ndërmarrjes Publike të Parqeve Kombëtare të Malit të Zi, nuk ishte në dijeni se Prokletije në anën shqiptare mund të jetë nën presion të investitorëve. Ajo beson se kjo është një çështje komplekse që kërkon përfshirje në nivel shtetëror.
Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut nuk u përgjigj nëse është në dijeni të planeve të Shqipërisë apo nëse planifikon të kontaktojë homologët në Tiranë.
Ndryshe nga autoritetet malazeze, Marija Lekić nga Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) është e informuar për zhvillimet e reja ligjore në vendin fqinj. Edhe pse nuk dihet shkalla e projekteve, Lekić thekson se mund të ketë prerje të pyjeve, ndërtim rrugësh dhe vendosje linjash të transmetimit, aktivitete që bien nën veprimin e Konventës së Espoos.
Ajo thekson se Shqipëria, si palë që nga viti 1991 është e detyruar të njoftojë në kohë shtetet fqinje për projekte që mund të kenë ndikime përtej kufirit.
Në Shqipëri, Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk kthyen përgjigje ndaj një kërkese për koment, duke lënë pa sqarim se si do të mbrohen parqet kombëtare dhe korridoret ekologjike nga zhvillime intensive.
Ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit konfirmoi se nuk është pjesë e procesit të përcaktimit të zonave prioritare të zhvillimit. Në një përgjigje me shkrim AKM tha se roli i saj nis vetëm më pas, në fazën e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektet individuale.
Standardi i dyfishtë i mbrojtjes për Alpet Dinarike rrezikon jo vetëm natyrën, por edhe bashkëpunimin ndërkufitar dhe aksesin në fondet evropiane për projekte të përbashkëta. Drejtoresha e Parqeve të Malit të Zi thekson se BE-ja nuk mbështet politika që lejojnë ndërtim në zona të mbrojtura.
Edhe Progres-Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë ngriti shqetësime, duke vlerësuar se ligji “Paketa e Maleve” “mund të ketë ndikime të rëndësishme në përdorimin e tokës në nivel lokal dhe në menaxhimin mjedisor”.
Nisur nga përvoja personale dhe nga ky vlerësim i Komisionit Evropian, sipas profesor Muharremaj, “mungesa e vullnetit për zbatimin e standardeve mjedisore do të jetë pengesë serioze në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Banorët e Thethit, si Kristian Gurra, e shohin këtë realitet me pasiguri.
“Është gjithmonë për t’u pasur frikë… nuk po kuptojmë më se çfarë po ndodh. Banorët janë stepur. Nevojë ka për investime, por jo në një klimë ku çdo gjë është e paparashikueshme”, thotë ai.
Kjo ndjesi pasigurie në terren përkon me paralajmërimet e ekspertëve në të dy anët e kufirit, të cilët frikësohen për ndikime të mundshme negative në mjedisin e Alpeve të Ballkanit dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm.
“Podgorica zyrtare duhet të reagojë”, thotë biologu dhe aktivisti qytetar Vuk Iković.
Për eksperten e lartë të turizmit Ardiola Alikaj, “për të shmangur skenarin e pasojave të pakthyeshme nevojitet një qasje e kujdesshme, që vendos në qendër kapacitetin mbajtës të zonës së Alpeve, përfshirjen reale të komuniteteve lokale dhe modele turistike më të shpërndara e të qëndrueshme”.
“Me resortet standarde, traditat dhe kulturat vendase shtypen, zhduken ose deformohen, duke u shndërruar në mjete të turizmit dhe jo në gjenerues të një modeli të qëndrueshëm”, përfundon Musai.
*Ky investigim u realizua me mbështetjen e Journalismfund Europe.

The post “Paketa e Maleve”, marrëveshja €1 kërcënon Parqet Kombëtare të Ballkanit appeared first on Citizens.al.
TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Moti i keq ka sjellë sërish rrëshqitje dherash në aksin rrugor Theth-Ndërlysaj.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci bëri me dije se pas këtij fenomeni, ekipet janë angazhuar në terren për hapjen e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.
Beci thekson se puna po vijon pa ndërprerje dhe do të vazhdojë edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes, pasi janë evidentuar edhe disa pika të tjera ku kërkohet ndërhyrje.
Sipas Becit, qëllimi kryesor është rikthimi sa më i shpejtë i qarkullimit dhe garantimi i sigurisë për banorët dhe udhëtarët.
“Për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj problematike, Bashkia Shkodër ka aplikuar për një projekt që parashikon ndërhyrje në pjesën anësore të rrugës, me ndërtimin e pritave mbrojtëse, për të parandaluar rrëshqitje të tjera dhe për të rritur sigurinë në këtë aks të rëndësishëm turistik dhe jetik për zonën”, tha Beci.
/e.i/j.p/
The post Punohet për hapjen e rrugës Theth-Ndërlysaj, e bllokuar nga rrëshqitja e gurëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Prej datës 9 deri në 15 shkurt, Shkodra pritet të kthehet në kryeqendrën e festimeve të Karnavaleve, që tashmë janë kthyer në një traditë të përvitshme artistike.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci zhvilloi sot në bashki një takim me strukturat organizative të këtij aktiviteti, ku u diskutua programi i zgjeruar i organizimeve artistike dhe kulturore.
“Po hyjmë në javën e fundit të përgatitjeve për një festë që e tejkalon të zakonshmen, një javë e tërë magjie, ngjyrash dhe fantazie, ku Shkodra vishet me shpirtin e karnavaleve dhe pulson ndryshe”, tha Beci.
Beci shtoi se do të ketë “butafori artistike, karro alegorike, parada plot energji, personazhe groteske dhe të animuara që dalin nga imagjinata, video mapping që e shndërrojnë qytetin në skenë, koncerte, performanca dhe shumë surpriza të tjera që do ta mbajnë publikun në lëvizje, ditë e natë”.
Karnavalet synojnë të tërheqin jo vetëm banorët e qytetit, por edhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.
Ky organizim ruan traditën e hershme të karnavaleve shkodrane, duke i dhënë qytetit një dimension më modern dhe spektakolar, me synimin për ta kthyer Shkodrën në një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe turistik gjatë kësaj periudhe.
Aktivitetet pritet të zhvillohen gjatë ditëve deri në mbrëmje, duke e vendosur qytetin në qendër të atmosferës festive për një javë.
/e.i/j.p/
The post Shkodra bëhet gati për Karnavalet nga 9-15 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kinema “Republika”, një nga simbolet e Shkodrës po sjell pranë publikut artdashës premiera të prodhimeve më të fundit, duke u kthyer në pol të kulturës në qytet.
Pas rikonstruksionit tërësor të godinës dhe ambienteve të brendshme, kinema “Republika” hapi dyert për qytetarët me premierën e filmit “Avatar: Fire and ASH”, 26 dhjetorin e vitit të kaluar.
Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga qytetarët e shumtë që kanë mbushur sallën e kinemasë “Republika” në Shkodër, tashmë e rilindur.
Për artdashësit, në kinema “Republika” po jepet filmi “Falli 2”, me producent Marjus Dervishin. Në të, interpretojnë disa aktorë të njohur si Behar Merja, Marjana Kondi, Margent Çaushi, Klejdis Shehu, Selma Bakalli dhe Xhoana Karaj.
Publiku ka pasur mundësinë të takohet nga afër me kastin e këtij filmi që shfaqet për herë të parë në kinema “Republika”.
Ndërkohë, investimi në kinema “Republika” ka prekur çdo aspekt të kësaj godine. Ndërhyrja ka përfshirë fasadën e jashtme, duke i dhënë një pamje dinjitoze, si dhe ambientet e brendshme, të cilat janë kompletuar me infrastrukturë, arredim dhe teknologji të kohës për të garantuar cilësinë maksimale të projeksioneve.
Ky transformim e vendos kinema “Republikën” në piedestalin e hapësirave kulturore të qytetit të Shkodrës.
/e.i/j.p/
The post Qytetarët mbushin kinemanë “Republika” në Shkodër, pas rikonstruksionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 22 janar /ATSh/ Bashkia Shkodër, informon se janë 670 aplikues në total që kanë shprehur interes për t’u përfshirë në Paketën e Maleve në territorin e kësaj bashkie, një proces që synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore.
Shifrat janë bërë publike nga drejtori i përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në bashkinë Shkodër, Mikel Kopsaj, gjatë një interviste për mediet.
Sipas të dhënave të publikuara, zonat që kanë regjistruar numrin më të lartë të aplikimeve janë Theth-Ndërlysaj me 274 aplikime dhe Rragam-Sheldi me 51 aplikime.
Bashkia Shkodër ka hapur thirrjen publike për aplikuesit e interesuar, të cilët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës përmes portalit “e-Albania”, me qëllim nisjen e procedurës së njohjes si posedues jopronar.
Sipas bashkisë Shkodër, Paketa e Maleve do të krijojë mundësi konkrete për investime, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik lokal, rritjen e turizmit malor dhe forcimin e qëndrueshmërisë së zonave prioritare.
Bashkia e Shkodrës njofton se duke marrë parasysh potencialin e lartë zhvillimor dhe interesin e shprehur edhe në zona të tjera, është dërguar kërkesë për shpalljen si zona prioritare edhe për fshatra të njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Postribë.
/e.i/a.f/r.e/
The post 670 aplikues për Paketën e Maleve në bashkinë e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 15 janar /ATSH/ Punonjës të shërbimeve publike janë angazhuar për largimin e mbetjeve në plazhin e Velipojës.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau foto nga ky aksion në bregdetin e Velipojës, ndërsa tha se fundjava do e gjejë këtë plazh gati për pushuesit edhe në dimër.
Për shkak të motit të keq të ditëve të fundit dhe si pasojë e vërshimit të lumenjve, në bregdetin e Velipojës kanë dalë mbetje të ndryshme. Ndaj, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të bashkisë Shkodër, janë angazhuar për pastrimin e këtij bregdeti dhe rikthimin në gjendjen e duhur.
Aksionet për pastrimin dhe mbajtjen pastër të vijës bregdetare do të intensifikohen gjatë muajve në vijim, në prag të sezonit veror, për të garantuar një vijë bregdetare të pastër dhe mikpritëse për qytetarët vendas dhe turistët e huaj.
/e.i/
The post Pastrim i vijës bregdetare në Velipojë nga mbetjet e ardhura nga vërshimi i lumenjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 15 janar /ATSH/ Prefektura e qarkut Shkodër bëri sot një përditësim të situatës pas reshjeve të dendura dhe motit të keq të ditëve të fillimjanarit.
Nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, Prefektura Shkodër cilëson se situata hidrologjike paraqitet e përmirësuar, me reduktim të ndjeshëm të sipërfaqes së tokës bujqësore me prezencë uji.
Sipas njoftimit, nga rreth 760 hektarë me prezencë uji ditën e djeshme, sot sipërfaqja ka arritur në 590 hektarë, si rezultat i tërheqjes së niveleve të ujit në zonat e prekura.
Sipas matjeve të realizuara sot në orën 06:30, nivelet e ujit janë në rënie, Buna – Ura e Pazarit: 8.40 m, Drini – Bahçallëk: 7.80 m dhe Buna – Dajç: 6.38 m.
Në njoftim thuhet se në fshatin Obot dhe Njësinë Administrative Dajç është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 20 cm, krahasuar me ditën e djeshme. Po ashtu, vihet re zbritje e nivelit edhe në liqen, duke ndikuar pozitivisht në normalizimin e situatës.
Në rrugën drejt fshatit Obot, qarkullimi sot realizohet me mjete të ushtrisë, duke garantuar lëvizjen dhe aksesin për banorët dhe shërbimet.
Prefektura Shkodër cilëson se sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Bërdicë rreth 10 hektarë, në Velipojë rreth 90 hektarë, në Dajç rreth 70 hektarë dhe Ana e Malit rreth 420 hektarë, totali llogaritet në 590 hektarë.
Reduktimi i sipërfaqes së përmbytur konfirmon trendin pozitiv dhe stabilizimin gradual të situatës.
Mjetet dhe strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri, ndërsa monitorimi i situatës hidrologjike vazhdon pa ndërprerje.
/e.i/j.p/
The post 590 hektarë tokë bujqësore me prezencë uji në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 13 janar/ATSH/ Bashkia e Shkodrës në përditësimin e situatës për shkak të reshjeve të shiut dhe motit të keq të ditëve të fundit, njoftoi se nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territorin e bashkisë Shkodër paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.
Në zonën Obot, është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 100 cm, nga 110 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje rreth 10 cm. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Mjetet e bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë të pranishme edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.
Bashkia Shkodër njofton se gjatë ditës së djeshme është realizuar furnizimi i banorëve me 1 kamion.
Në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.
Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.
Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Dajç rreth 80 hektarë, Velipojë rreth 120 hektarë, Ana e Malit rreth 550 hektarë, Bërdicë rreth 50 hektarë.
Bashkia Shkodër njofton se totali i sipërfaqes në ujë është 800 hektarë.
Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse. /e.i/j.p/
The post Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga reshjet në Shkodër, 800 ha tokë ende nën ujë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Bashkia Shkodër në përditësimin e situatës, si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të shiut të ditëve të fundit vuri në dukje se në krahasim me orën 08:00 të mëngjesit, situata paraqitet me ulje të nivelit të ujit në zonat e Obotit dhe Dajçit, ndërsa vijon monitorimi i vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.
Sipas raportimeve nga KESH, që prej mbrëmjes së djeshme është shënuar ulje e nivelit të shkarkimeve, çka ka dhënë efekt të drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të ujit në zonat me prezencë uji.
Bashkia Shkodër informoi se aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 105 cm, çka e bën të pamundur aksesin me mjete rrugore, përfshirë edhe mjetet e larta të Forcave të Armatosura. Në këto kushte, transporti i banorëve po realizohet me varkat e Forcave të Armatosura.
Në fshatin Obot, 65 banesa paraqesin prani uji në oborre, ndërsa nuk ka raportime për banesa me prezencë uji në brendësi. Gjatë ditës së sotme po vijon furnizimi i banorëve me ujë të pijshëm dhe koncentrat për gjënë e gjallë, në ndihmë të familjeve të prekura.
Më tej, në njoftim thuhet se në zonën Urrelat – Shirq, uji ka dalë në kanalet kulluese të tokave bujqësore. Deri në këto momente, nuk ka raportime për prezencë uji brenda banesave.
Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 hektarë, e shpërndarë sipas njësive administrative është në Dajç rreth 120 hektarë, në Velipojë rreth 195 hektarë, Ana e Malit rreth 600 hektarë dhe Bërdicë rreth 30 hektarë.
Monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse dhe çdo zhvillim i mëtejshëm do të komunikohet në vijim.
/e.i/j.p/
The post Prani uji rreth 105 cm në rrugën drejt fshatit Obot të Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Ekipet e punës së bashkisë Shkodër, janë në terren duke punuar për kriposjen e aksit Bogë-Theth.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci njoftoi se pavarësisht kushteve ekstreme të motit, me temperatura shumë të ulëta, nga -8°C deri në -15°C, po punohet intensivisht për kriposjen e aksit Bogë–Theth.
Beci tha se qëllimi është që të garantohet qarkullimi i mjeteve në këtë aks dhe rritja e sigurisë për drejtuesit e tyre.
Autoritetet lokale u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat malore dhe të përdorin goma dimërore, ndërsa aksioni do të vijojë.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat veriore të vendit, por pastrimi i akseve kombëtare po bëhet rregullisht duke i mbajtur ato të hapura për qarkullimin.
/e.i/j.p/
The post Beci: Kriposje e aksit Bogë-Theth në kushte ekstreme moti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Bashkia e Shkodrës njoftoi sot se situata hidrologjike paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa banesa me prezencë uji në brendësi të tyre.
Sipas bashkisë Shkodër, sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 hektarë, e shpërndarë sipas njësive administrative Dajç rreth 120 hektarë, Velipojë rreth 195 hektarë, Ana e Malit rreth 600 hektarë dhe Bërdicë 30 hektarë.
Sipas bashkisë, prania e ujit është e kufizuar në sipërfaqe të hapura bujqësore. Në Obot, uji është prezent vetëm në oborre, pa depërtim në banesa; qarkullimi është i garantuar dhe realizohet me mjete të Ushtrisë, është i bllokuar kalimi me mjete për shkak të rritjes së nivelit të ujit në rrugë.
Bashkia Shkodër bën me dije se situata e lumenjve mbetet e kontrolluar. Niveli i Bunës në Dajç është 6.64 metra. Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit është 8.70 metra, rreth 0.50 metra nën kuotën kritike (9.50 metra). Në Urën e Bahçallëkut, lumi Drin paraqitet në kuotën 7.70 metra, rreth 2.30 metra nën kuotën kritike (10.00 metra).
Hidrovoret po punojnë në kapacitet të plotë dhe pa ndërprerje, duke mbajtur nivelet e ujit në kuota të sigurta. Furnizimi me energji elektrike është normal. Argjinaturat, kanalet kulluese dhe shkarkuesit e Digës së Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika apo rrezik për përmbytje.
/e.i/j.p/
The post Kuotat e lumenjve nën kontroll, 945 hektarë tokë bujqësore me prani uji në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 7 janar /ATSH/ Pas dëmtimit për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura të shiut, ura prej hekuri në Bleran të Shkodrës, është riparuar në kohë rekord.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci tha se nga dëmtimi i kësaj ure mbetën të izoluara dy fshatra me rreth 600 banorë, duke shkaktuar vështirësi serioze në lëvizje dhe duke bllokuar aksesin drejt varrezave të fshatit.
Beci tha se falë reagimit të menjëhershëm dhe bashkëpunimit institucional me Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Prefektura e Qarkut Shkodër, nën koordinimin e drejtorit të përgjithshëm Haki Çako, nisi puna për vendosjen e një ure prej hekuri, një zgjidhje e qëndrueshme për zonën.
Ndërhyrja po kryhet me profesionalizëm të lartë nga Batalioni Xhenio i Forcave të Armatosura, duke rikthyer qarkullimin normal për komunitetin e prekur.
“Pavarësisht ditëve me reshje intensive dhe prurje maksimale, situata është menaxhuar me përgjegjësi, duke pasur minimumin e problematikave në territor”, tha Beci.
Reshjet e dendura të shiut dhe moti i keq kanë sjellë problematika në infrastrukturë dhe përmbytje në disa qarqe të vendit.
/e.i/a.f/r.e/
The post Riparohet ura në fshatin Bleran të Shkodrës, dalin nga izolimi 600 banorë të dy fshatrave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 6 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë sjellë vështirësi në qarkullim në Shkodër dhe zonat përreth qytetit.
Prefektja e Shkodrës, Holta Duda tha sot në një prononcim për ATSH-në se situata nuk paraqet aq rrezikshmëri, sa për të nisur evakuimin e familjeve.
“Për momentin jam në Malësi të Madhe dhe po lëvizim në drejtim të Vaut të Dejës. Jemi në terren prej mëngjesit herët, me të gjitha strukturat vendore dhe ato të emergjencës për të parë nga afër situatën. Nuk ka rrezik për evakuim familjesh. Në rast të rrezikshmërisë të lartë, autoritetet janë të gjitha në koordinim për monitorim të çdo situate”, tha ajo.
Në një njoftim të Prefekturës Shkodër, lidhur me situatën nga moti i keq bëhet me dije se hidrovoret furnizohen pa ndërprerje. Prej ditës së djeshme, si pasojë e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një sasi aktuale prej 700 m³/sekondë.
Komisioni i Emergjencave civile i Qarkut është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për monitorimin e situatës dhe, deri më tani, nuk është evidentuar asnjë problematikë.
Prurjet nga përrenj në lumenj janë shtuar në sasi të konsiderueshme, por deri tani nuk janë konstatuar probleme në kanale kullimi, argjinatura. Niveli ujit nga Ura Vjetër e Bunës është poshtë kuotës së rrezikut.
Lumenjtë Drin, Kir dhe Gjadër kanë shtuar prurje, por niveli është poshtë kuotës së rrezikut për përmbytje.
Edhe Rezervuari i Shkodrës është poshtë kuotave të rrezikut për përmbytje.
Hidrovoret Vilun e Cas janë në funksion me nga pesë pompa e në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë.
Bashkia Malësi e Madhe
Gjatë gjithë natës kanë vijuar reshje shiu me intensitet mesatar, të cilat vazhdojnë edhe aktualisht.
Deri në këto momente nuk raportohen raste problematike.
Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të Përroit.
Raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona të bashkisë Malësi e Madhe, konkretisht në Kelmend e Shkrel.
Bashkia Vau i Dejës
Vazhdojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë.
Lumi Gjadër ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar rritje të nivelit të ujit në lagjen “Kapedani”.
Bashkia Fushë-Arrëz
Në territorin e kësaj bashkie janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë rurale.
DRV Shkodër
Sipas informacioneve nga kontraktorët e mirëmbajtjes së akseve që administrohen nga DRV Shkodër nuk ka problematika në qarkullimin rrugor.
OSHEE Shkodër
Për momentin rezulton pa energji elektrike zona e Postribës, e cila për pak kohë pritet të vendoset në punë dhe në Kelmend po punohet për rikthimin e energjisë.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci njoftoi se që prej ditës së djeshme, si pasojë e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.
“Aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime këto të monitoruara dhe të menaxhuara nga specialistët e hidrocentraleve”, tha Beci.
Beci bën me dije se bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë.
/e.i/a.f/r.e/
The post Moti i keq në Shkodër, Duda: Vështirësi në qarkullim, strukturat në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Me 30 vota pro, 12 kundër dhe 1 abstenim, këshilli i bashkisë Shkodër miratoi sot buxhetin prej 3,4 miliardë lekësh për vitin 2026.
Në një seancë, e cila zgjati rreth katër orë, mes diskutimeve të këshilltarëve dhe prezantimeve, kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci tha se ky buxhet i sjell Shkodrës, vazhdimësinë e investimeve dhe shërbimeve ndaj banorëve të qytetit.
Beci tha se jo vetëm partneriteti me donatorët e huaj, por edhe me investimin që do të nisë këtë vit me 1,6 milionë euro në banesat për të pastrehët, vëmendja e buxhetit do të jetë për të gjithë shtresat dhe nevojat.
Florjan Bianku, anëtar i PD në këshillin bashkiak, u shpreh se “buxheti 2026 ka nevojë për më shumë lidhje me jetën reale të qytetarëve, më shumë fokus te rinia, sporti dhe studentët. Më shumë cilësi, mirëmbajtje dhe përfundim në kohë të investimeve”.
Para votimit të projektbuxhetit, kryebashkiaku Beci i ftoi të gjithë që ta miratojnë këtë dokument të rëndësishëm për Shkodrën, duke përcjellë mesazhin e bashkëpunimit dhe jo të një lufte apo spektakli politik në dëm të Shkodrës.
Këshilltari për mediet pranë kësaj bashkie, Ergys Kavaja tha për ATSH se në shifra, buxheti i bashkisë Shkodër për vitin 2026 është 15% më i lartë se një vit më parë, ndërkohë që sa i takon investimeve të parashikuara për vitin e ardhshëm, do të realizohen 80% më shumë investime se një vit më parë.
I ndarë sipas sektorëve dhe zërave për vitin 2026, ky buxhet për Shkodrën do të ketë sërish në fokus infrastrukturën, investimet qeveritare, bashkëpunimin me donatorët e huaj, por edhe shtresat sociale.
Sa i takon sportit, në vitin 2026 është parashikuar ndërhyrja në rikonstruksionin e plotë të pallatit të sportit “Qazim Dervishi”, kjo si një domosdoshmëri, por edhe kërkesë e komunitetit sportiv në Shkodër.
/e.i/a.f/r.e/
The post Miratohet buxheti i bashkisë Shkodër, 15% më i lartë se viti i kaluar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ 800 nxënës dhe studentë iu bashkuan dje aksionit për pastrimin e bregdetit të Velipojës.
Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, këta të rinj dhanë një shembull frymëzues në shërbim të një mjedisi të pastër për të gjithë.
Kryeministri Edi Rama, e cilësoi këtë si një “shembull frymëzimi nga 800 nxënës e studentë që morën pjesë në pastrimin e bregdetit të Velipojës”.
Të rinjtë u bashkuan në këtë aksion, pas punës së kryer nga bashkia Shkodër dhe ndërmarrja e shërbimeve publike. Energjia e tyre i dha aksionit një dimension krejt tjetër: jo thjesht pastrim, por vetëdije, model dhe frymë.
Ky aksion shënoi një mobilizim të rëndësishëm qytetar në mbrojtje të mjedisit dhe pritet të vijojë me iniciativa të tjera bashkëpunuese mes të rinjve, institucioneve dhe komunitetit lokal.
Sot në botë, vlerësohet se ka rreth 1 miliard vullnetarë. Rreth 70% bëjnë vullnetarë joformalisht, duke ndihmuar drejtpërdrejt njerëzit në komunitetet e tyre, ndërsa 30% angazhohen përmes organizatave formale.
Këtë vit, nën temën frymëzuese “Çdo kontribut ka rëndësi”, Dita Ndërkombëtare e Vullnetarëve 2025 merr një rëndësi historike pasi shënon fillimin zyrtar global të Vitit Ndërkombëtar të Vullnetarëve për Zhvillim të Qëndrueshëm (IVY 2026).
/e.i/
The post Pastrimi i bregdetit të Velipojës, Rama: Shembull frymëzimi i 800 të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Që në orët e para të mëngjesit, në Velipojë ka nisur një operacion i gjerë pastrimi pas prurjeve të shumta që kanë sjellë një sasi të konsiderueshme mbetjesh në bregdet.
Ekipet e shërbimeve publike të Bashkisë Shkodër dhe tre fadroma të Ndërmarrjeve të Bashkisë janë angazhuar në terren, duke punuar intensivisht për pastrimin e gjithë brezit ranor. Puna pritet të vazhdojë deri në rikthimin e plotë të normalitetit.
Kryeministri Edi Rama solli pamje nga pastrimi në bregdetin e Velipojës, duke theksuar se ekipet e shërbimeve publike dhe fadromat e Ndërmarrjeve të Bashkisë janë në terren, duke punuar për pastrimin e gjithë brezit ranor, për shkak të volumit të madh të mbetjeve që prurjet kanë sjellë në breg, si pasojë e shirave intensivë të javëve të fundit
“Sot të gjithë strukturat po angazhohen me mjetet e tyre për të ndryshuar gjendjen e pastërtisë në këtë plazh. Një aksion i mirëmenduar sot, përfshin një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe mjetesh. Ne kemi ndjekur me shqetësim situatën e krijuar nga depozitimi i këtyre mbetjeve në sipërfaqen ranore të plazhit të Velipojës. Ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim deri në pastrimin total të gjithë sipërfaqes ranore”, tha Alban Preka.
Edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci njoftoi se ekipet e shërbimeve publike dhe tre fadromat e ndërmarrjeve të bashkisë Shkodër, do të qëndrojnë në këtë bregdet, deri në pastrimin e plotë.
Beci u shpreh se situata është një kujtesë e fortë: “Çdo ndotje që i bëjmë natyrës, ajo na e kthen përpara syve. Prandaj mbrojtja e saj fillon nga secili prej nesh”.
/e.i/j.p/
The post Nis pastrimi i plazhit të Velipojës nga mbetjet e nxjerra nga deti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.