Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kiara Tito zbulon detaje të reja nga filmi i ri me Luizin

By: V K
5 January 2026 at 11:35

Këtë të hënë, e ftuar në studion e “Wake Up”, ka qenë moderatorja e njohur Kiara Tito, që këtë sezon e shohim edhe në “Big Brother Fan Club”.

Si po e përjeton ajo këtë rol të ri, si e sheh edicionin e pestë të “Big Brother VIP” dhe a ka ajo ndonjë banor të preferuar?

Çfarë mund të na thuash për filmin e ri “Loja e fundit”, ku personazhet do të jenë Kiara Pipo dhe Luiz Bejlli?

Prej vitesh jemi Kiara dhe Luiz dhe do jetë më e thjeshtë për publikun, që të qëndrojmë tek emrat tanë por me mbiemra të tjerë. Nuk ka të bëjë me historinë tonë të dashurisë, por mesazhi është pak a shumë i njejti. Kemi dhe një detaj tjetër. Do të jetë dhe Heidi tek një pjesë. Do ta shohim si aktore, ka dalë shumë bukur, do shihni një anë tjetër të saj.

Si u bëtë bashkë ju të dyja?

Kiara: Ka ardhur gradualisht. Heidi ka qenë e ftuar në “Portokalli”. Ka qenë një gjë që lindi shumë natyrshëm. Ka ngjitur pozitiviteti, energjia. Nëse dikush ka energji të mirë, e dua afër vetes. Heidi nuk ka fare kunja. Shoh shumë nga vetja ime tek Heidi.

Heidi: Nuk ka fare negativitet. Më pëlqen ajo qetësia.

Filmi del në shkurt, pse kjo zgjedhje?

Kemi dashur shumë ta nxjerrim në shkurt. Nuk ka gjë më të bukur që të kalosh muajin e dashurisë në kinema për të ndjekur një histori dashurie nga dy personazhe që i njeh publiku./TAR

The post Kiara Tito zbulon detaje të reja nga filmi i ri me Luizin appeared first on Albeu.com.

In Memoriam: Brigitte Bardot (1934-2025) - biondja që revolucionarizoi kinemanë franceze

29 December 2025 at 12:01


Nga: Sam Woodhouse / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Brizhit Bardo [Brigitte Bardot], e cila ka vdekur në moshën 91-vjeçare, fshiu nga kinemaja përshkrimin e ndrojtur të grave në kinemanë e viteve ’50 të shekullit XX, duke u bërë mishërim i një epoke të re të çlirimit seksual.

Në ekran ajo ishte një përzierje franceze e hijeshisë lozonjare dhe sensualitetit kontinental. Një botim e quajti “princesha e zymtësisë dhe kontesha e joshjes”, por ishte një imazh të cilin ajo vazhdimisht e urrente.

E prezantuar pamëshirshëm si një seks-simbol i hedonizmit, ajo ishte e zhgënjyer në ambicien e saj për t’u bërë aktore serioze. Më në fund, e braktisi karrierën e saj për të bërë fushatë për mirëqenien e kafshëve.

Vite më vonë, reputacioni i saj u dëmtua kur bëri fyerje homofobike dhe u gjobit disa herë për nxitje të urrejtjes racore. Djali i saj gjithashtu e paditi për dëmtim emocional, pasi ajo tha se do të kishte preferuar të “lindte një qen të vogël”.

Ishte një plagë në kujtesën e një ikone, e cila - në kulmin e saj - vuri bikinet, dëshirën femërore dhe kinemanë franceze në hartë.

Ndihmoi që bikinet të pranoheshin në shoqërinë e viteve ’50 të shekullit XX: Foto bardhezi për fotografët e Festivalit të Kanës më 1953(Lido/Shutterstock)

Brizhit Ana-Mari Bardo [Brigitte Anne-Marie Bardot] lindi në Paris më 28 shtator 1934.

Ajo dhe motra e saj, Marie-Jeanne, u rritën në një apartament luksoz në lagjen më të pasur të qytetit.

Prindërit e saj katolikë ishin të pasur dhe të devotshëm dhe kërkonin standarde të larta nga fëmijët e tyre.

Miqësitë e vajzave kontrolloheshin rreptësisht. Kur ato thyen vazon e preferuar të prindërve, u ndëshkuan me rrahje.

Bardo, më 1946: Prindërit e saj donin që ajo të bëhej balerinë(Roger Viollet via Getty Images)

Me gjermanët që pushtonin Parisin gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bardo kalonte shumicën e kohës në shtëpi, duke kërcyer me disqe gramafoni.

E ëma e inkurajoi interesin e saj dhe e regjistroi në klasa baleti që në moshën shtatëvjeçare.

Mësuesi i saj në Konservatorin e Parisit e përshkroi si një nxënëse të shkëlqyer, dhe ajo vazhdoi të fitonte çmime.

Jeta si vajzë e re

Por, ajo e ndiente jetën klaustrofobike. Në moshën 15-vjeçare, ka thënë më vonë, “po kërkoja diçka, ndoshta një përmbushje të vetvetes”.

Një mik i familjes e bindi të pozonte për kopertinën e revistës Elle - revista kryesore e grave në Francë, dhe fotografitë shkaktuan sensacion.

Fotografitë e Bardos në kopertinat e revistave, riformësuan modën dhe konceptin e bukurisë (foto e vitit 1955)(Bettmann Archive/Getty Images)

Në atë kohë, gratë me stil kishin flokë të shkurtër, aksesorë të kombinuar me kujdes, dhe xhaketa të qepura me veshje të mëndafshta nate.

Flokët e Brizhitës vareshin në supe. Me trupin e hollë dhe atletik të një balerine, ajo nuk i ngjante aspak modeleve të tjera.

E fotografuar në një seri veshjesh rinore dhe moderne, ajo u bë mishërimi i një stili të ri jeune fille (vajzë e re).

Në moshën 16-vjeçare, ajo u perceptua si vajza më e famshme në kopertinat e Parisit.

Fotot e saj tërhoqën vëmendjen e regjisorit të filmit Marc Allegret, i cili i dha urdhër ndihmësit të tij, Roger Vadim, ta gjente atë.

Bardo përqafon Roger Vadimin, ndërsa ai është ulur në një tavolinë duke punuar në shtëpinë e tyre, më 1952: Ajo e dashuronte marrëzisht regjisorin aspirant Vadim(QUINIO/Gamma-Rapho via Getty Images)

Provat në ekran nuk ishin të suksesshme, por Vadimi - gjashtë vjet më i vjetër - e mori nën kujdes, fillimisht si favorite, pastaj si të fejuarën e tij.

Ata filluan një lidhje intensive, por kur prindërit e Bardos zbuluan lidhjen, kërcënuan ta dërgonin në Angli.

Bardo e shtrirë në bar, në një pamje nga filmi “Nusja është shumë e bukur” [La mariée est trop belle] i vitit 1956: Roger Vadim ndihmoi gruan e tij adoleshente të niste karrierën kinematografike(S.N. Pathe Cinema/Getty Images)

Roger Vadim, “ujku i egër” i saj

Si kundërpërgjigje, ajo u përpoq t’ia merrte jetën vetes, por u zbulua dhe u ndalua në çastin e fundit.

Brizhita ishte e mahnitur pas regjisorit aspirant.

Atij i dukej si një “ujk i egër”.

“Ai më shikonte, më frikësonte, më tërhiqte dhe unë nuk e dija më ku isha”, shpjegoi ajo më vonë.

Bardo dhe Vadim, duke qëndruar pranë altarit, gjatë ceremonisë së tyre të martesës në dhjetor të vitit 1952(Hulton Archive/Getty Images)

Nën një presion të tillë, prindërit e saj u dorëzuan, por ia ndaluan çiftit të martohej deri sa Brizhita të mbushte 18 vjeç.

Sapo ky prag u kapërcye, çifti u martua.

Të bëhesh ikonë

Vadimi filloi ta formësonte Bardon në yllin që ai besonte se ajo mund të bëhej.

Ai ia shiti fotografitë e martesës së tyre revistës Paris-Match dhe e udhëzoi se si të sillej në publik.

Ai e ndihmoi gruan e tij të re të gjente role të vogla në një duzinë filmash të parëndësishëm, shpesh duke luajtur tema dashurie të një femre tërheqëse, por të pafajshme.

Por, deri në vitin 1956, ajo ishte kryesisht e famshme për pozimin me bikini - deri atëherë një veshje e ndaluar në Spanjë, Itali dhe pjesën më të madhe të Amerikës, për shkak se ishte në kufirin e skajshëm të mirësjelljes - dhe për popullarizimin e modelit të flokëve “koshere” [beehive].

Pastaj erdhi shpërthimi dhe roli që e bëri yll.

Atë vit, filmi debutues i Vadimit, Dhe Zoti krijoi gruan [Et Dieu... créa la femme] u shfaq në Paris. Ai dështoi financiarisht në Francë, por shkaktoi trazira në Shtetet e Bashkuara.

Bardo në plazh, në një skenë nga filmi “Dhe Zoti krijoi gruan”, veshur me një fustan pjesërisht të hapur nga fundi, që hapet për t’ia zbuluar kofshën, ndërsa qëndron pranë një burri të shtrirë me fytyrën poshtë(Marka/Universal Images Group via Getty Images)

Në një vend të mësuar me aktoren Doris Day, Bardo ishte një sensacion.

Personazhi i saj ndjek dëshirat e veta seksuale, pa turp, ashtu si burrat. Ajo vallëzon zbathur në një gjendje transi, me lëkurën që i shkëlqen nga djersa dhe me flokë të lëshuar lirshëm.

Mungesa e saj e frenimit bëri që rendi shoqëror të shembet; jashtë kinemasë, reagimi ishte po aq i fortë.

Filozofja ekzistencialiste Simone de Beauvoir e çmoi si ikonë të “lirisë absolute” - duke e ngritur Brizhitën në statusin e një filozofie.

Por, u mobilizua shumica morale amerikane. Filmi u ndalua në disa shtete dhe gazetat e dënuan si të degjeneruar.

Për publikun, Bardo u bë e pandashme nga personazhi që luante. Paris-Match e etiketoi si “imorale nga koka te këmbët”.

Dhe, kur ajo iku me aktorin tjetër të filmit, Jean‑Louis Trintignant, imazhi i saj si libertine e shfrenuar u bë i pashmangshëm.

Brizhit Bardo, në një plazh shkëmbor, në një pamje nga filmi “Manina, vajza në bikini” [Manina, la fille sans voiles] me regji të Willy Rozierit, më 1958(Atlantis Films/Pictorial Parade/Courtesy of Getty Images)

Ajo u divorcua nga Vadimi, i cili reagoi ashtu siç vetëm një francez mund të reagojë.

“Preferoj të kem një grua të tillë”, tha ai, “duke e ditur që është e pabesë, sesa të zotëroj një grua që më do vetëm mua dhe askënd tjetër.”

Ai vazhdoi të punonte sërish me Bardon dhe më vonë jetoi me aktore Catherine Deneuve dhe u martua me aktoren Jane Fonda.

Një nënë e pavullnetshme

Në vitin 1959, Brizhita - pas disa lidhjesh dashurie - u martua me aktorin Jacques Charrier, me të cilin luajti në filmin Babeta shkon në luftë [Babette s'en va-t-en guerre].

Çifti pati një djalë, Nicolasin, por Bardo e urrente shtatzëninë e saj: e godiste vazhdimisht veten në bark dhe i lutej një mjeku për morfinë që të shkaktonte abort.

“E shikoja barkun tim të sheshtë dhe të hollë në pasqyrë si një mik të dashur mbi të cilin isha gati të mbyllja kapakun e arkivolit”, ka thënë ajo më vonë.

Brizhit Bardo, veshur me këmishë nate, duke mbajtur djalin e saj: Bardo më vonë u padit nga i biri për dëmtim emocional(AFP via Getty Images)

Pas divorcit të pashmangshëm, Nicolasi nuk e pa nënën e tij - për dekada.

Ai e paditi Bardon për dëmtim emocional kur ajo botoi një autobiografi në të cilën shprehej se do të kishte preferuar të “lindte një qen të vogël”.

Brizhita ishte tani aktorja më e paguar në Francë, dhe disa sugjeronin se ajo kishte më shumë vlerë për tregtinë e jashtme sesa industria franceze e makinave.

Por, ajo donte të merrej seriozisht si aktore. “Nuk kam pasur shumë mundësi për të aktruar”, ankohej ajo, “kryesisht më është dashur të zhvishem”.

Ajo filloi të tërhiqte vëmendjen e regjisorëve më të respektuar të Evropës, duke marrë lëvdata për dramën e fuqishme të Valës së Re të regjisorit Jean-Luc Godard, Neveria [Le Mépris].

Por, cilësia e përgjithshme e veprave të saj ishte e përzier, veçanërisht kur e sprovoi veten jashtë Francës dhe në Holivud.

Një martesë e tretë, me një plejboj milioner gjerman, u pasua nga një sërë dashnorësh - ndonëse, në mënyrë të pazakontë, ajo refuzoi aktorin Sean Connery.

Bardo u lodh nga imazhi i saj si seks-simbol dhe hoqi dorë nga aktrimi për të bërë fushatë për mirëqenien e kafshëve(Bettmann Archive/Getty Images)

Ajo realizoi dhjetëra disqe muzikorë, përkrah kantautorëve Serge Gainsbourg dhe Sacha Distel.

Me Gainsbourgun incizoi këngën provokuese Të dua ... as unë nuk të dua [Je T’aime ... Moi Non Plus], ndonëse iu lut atij të mos e publikonte.

Një vit më vonë, ai e incizoi sërish atë këngë me aktoren britanike Jane Birkin. Kënga u bë hit i madh në gjithë Evropën, ndërsa versioni i Bardos qëndroi i pazbuluar për 20 vjet.

Aktiviste për të drejtat e kafshëve

Pas gati 50 filmash, më 1974 njoftoi se po tërhiqej për t’ia kushtuar jetën mirëqenies së kafshëve.

“Ia dhashë bukurinë dhe rininë time burrave”, tha ajo. “Kafshëve do t’ua jap tash mençurinë dhe përvojën time”.

Brizhit Bardo duke parë një nga 50 ujqërit hungarezë që shpëtoi(Philippe Caron/Sygma/Getty Images)

Ajo mblodhi tre milionë franga për të themeluar Fondacionin “Brigitte Bardot”, duke nxjerrë në ankand bizhuteritë dhe kujtimet e saj filmike.

Bardot - ose B.B., siç njihej në Francë - bëri fushatë kundër therjes vjetore të fokave në Kanada dhe zemëroi disa bashkëkombës të saj duke dënuar ngrënien e mishit të kalit.

Ajo u bë vegjetariane, sulmoi qeverinë kineze për “torturimin” e arinjve dhe shpenzoi qindra-mijëra për një program sterilizimi të qenve endacakë në Rumani.

Brizhit Bardo duke mbajtur dy pankarta teksa protestonte kundër tregtisë së gëzofit(Sygma via Getty Images)

Një fund i trazuar për një jetë të trazuar

Në vitet e mëvonshme, ajo u ndoq disa herë penalisht për urrejtje racore.

Ajo kundërshtoi mënyrën se si besimet islame dhe hebraike therin kafshët për ushqim.

Por, mënyra se si ajo e shprehu kritikën e saj ishte e pafalshme dhe - në fakt - e paligjshme.

Në vitin 1999, ajo shkroi se “atdheu im është pushtuar nga një mbipopullim i të huajve, veçanërisht myslimanëve”. Kjo e çoi Bardon drejt një gjobe të madhe.

Ajo vazhdoi të kritikonte martesat ndër-racore dhe të fyente burrat homoseksualë të cilët, sipas fjalëve të saj, “tundin të pasmet, ngrenë gishtat e vegjël në ajër dhe me zëra të hollë si kastratët ankohen për vuajtjen që ua kanë shkaktuar ata heteroseksualë të tmerrshëm”.

Ajo ishte aq shpesh në gjykatë saqë, në vitin 2008, prokurori deklaroi se ishte “lodhur” duke e ndjekur penalisht.

Bardo jashtë Pallatit Elize(Gilles BASSIGNAC/Gamma-Rapho via Getty Images)

Në vitet ’60 të shekullit XX, Brizhit Bardo u zgjodh si fytyra zyrtare e Marianës - emblemës së lirisë franceze.

Më pas, vetë ajo u bë ikonë: një grua e bukur, e çliruar, moderne, e cila refuzoi të përshtatej me stereotipat e vjetruar.

Pas tri martesash të dështuara dhe disa tentativash për vetëvrasje, ajo hoqi dorë nga qendra e vëmendjes për të bërë fushatë kundër mizorisë ndaj kafshëve. Për habinë e saj, magjepsja e mediave ndaj saj vazhdoi, edhe kur fama u kthye në nam të keq.

Ajo ka lënë pas bashkëshortin e saj të katërt, Bernard d’Ormale - ish‑këshilltar i politikanit të ndjerë të ekstremit të djathtë, Jean‑Marie Le Pen.

Dhe, në një fund të trazuar për një jetë të trazuar, pikëpamjet politike të Bardos bënë që ajo t’i kalonte vitet e fundit në një gjysmë izolim, duke u përballur me akuza për urrejtje racore në gjykata. /Telegrafi/

”Zonja me pëllumba”/ Historia tragjike eaktorja që u identifikua me Krishtlindjet

By: V K
23 December 2025 at 10:29

Aktorja irlandeze Brenda Fricker, që luajti rolin ikonik të “Zonjës së Pëllumbave” në “Home Alone 2”, ka zbuluar se si është ndjerë e lënë pas dore në fazat e fundit të karrierës së saj.

Aktorja ka një numër rolesh të shkëlqyera në karrierën e saj, por për shumicën dërrmuese të audiencës ajo do të jetë përgjithmonë e huaja zemërmirë që ndihmoi Kevin McCallister, në aventurën e tij të Krishtlindjeve.

Së bashku me “ushtrinë” e saj të pëllumbave, ajo e mori nën mbrojtje heroin e Macaulay Culkin në filmin e vitit 1992, ndërsa “Liquid Bandits” e ndiqnin atë nëpër rrugët e Nju Jorkut.

Në finale, ai e shpëton situatën duke hedhur fara në kokat e Harrit dhe Marvit, duke bërë që pëllumbat e Central Park të sulmojnë keqbërësit.

Megjithatë, siç e thekson vetë, “zonja me pëllumba”, meriton shumë më tepër respekt. Fricker ka dhënë performanca të shkëlqyera dhe ishte aktorja e parë irlandeze që fitoi një çmim Oscar.

Në vitin 1990, ajo u nderua me çmimin për Aktoren më të Mirë në Rolin Mbështetës për filmin “My Left Foot”, duke bërë histori.

Më pas ajo u shfaq në filma të tillë si “So I Married an Axe Murderer”, “Angels in the Outfield”, “A Time to Kill”, “Veronica Guerin”, “Inside I’m Dancing” dhe “Albert Nobbs”.

Pavarësisht karrierës së saj të shkëlqyer, aktorja zbuloi se pasi mbushi 70 vjeç, ofertat për punë pothuajse u zhdukën.

Në një intervistë me Times, ajo përshkroi ndjesinë e “padukshmërisë” që ndjeu kur hyri në dekadën e shtatë të jetës. “Nuk shkruajnë role për gra të moshuara”, tha ajo.

“Shekspiri shkroi, por shkrimtarët e rinj jo. Ka kaq shumë gra interesante me histori dhe përvoja”.

Madje ajo kujtoi një citat nga Richard Harris, i cili i kishte thënë se në moshën 70-vjeç bëhesh i padukshëm.

“Në ditëlindjen time mendova se ai kishte gabim. Një javë më vonë e kuptova saktësisht se çfarë donte të thoshte. Është e çuditshme. Duhet të bërtasësh që të të dëgjojnë. Nuk jam pa punë për ndonjë arsye tjetër. Thjesht nuk ka role”.

Sot, Fricker përballet me probleme serioze shëndetësore, të cilat, thotë ajo, e kanë detyruar të qëndrojë në shtrat.

Pa dhënë detaje, ajo pranon se jeton “çdo ditë me dhimbje” dhe ndihet vazhdimisht e rraskapitur. Në një intervistë të kohëve të fundit me Guardian, aktorja 80-vjeçare tha se i merrej fryma edhe kur flet.

Nuk kam përjetuar kurrë një lodhje të tillë në jetën time. Ndihem e rraskapitur. Pyes veten nëse do të ngrihem përsëri. Është një vdekje e tmerrshme, vdes çdo ditë nga dhimbja. Ndoshta do të jetoj deri në 100 vjeç”, tha ajo me humor të hidhur.

Kur nuk mund të flejë, ajo gjen ngushëllim duke parë serialin “Real Housewives of Beverly Hills”, i cili, thotë ajo, e argëton më shumë se çdo gjë tjetër.

Pavarësisht faktit se emri i saj është identifikuar me një nga filmat më të dashur të Krishtlindjeve të të gjitha kohërave, ajo ka pranuar se nuk i do veçanërisht Krishtlindjet.

Në një intervistë të mëparshme me BBC Radio 1, ajo tha se të jetosh vetëm dhe në pleqëri mund të jetë një kohë e errët.

Ajo e fik telefonin, ul perdet, shikon programe të regjistruara paraprakisht dhe kalon kohë me qenin e saj.

“Është thjesht një lloj tjetër Krishtlindjesh”, shpjegoi ajo, duke shtuar se ajo që e gjen vërtet të vështirë nuk është aq shumë vetë festa, por nata e Vitit të Ri.

The post ”Zonja me pëllumba”/ Historia tragjike eaktorja që u identifikua me Krishtlindjet appeared first on Albeu.com.

“Klubi i Filmit”, diskutim për propagandën në kinematografinë shqiptare

17 December 2025 at 15:24

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ “Klubi i Filmit” titullohej aktiviteti i përbashkët mes Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Të pranishmit në aktivitet, diskutuan mbi filmin “Vitet e para”, i bazuar në romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës. Ata trajtuan marrëdhëniet mes artit, propagandës dhe historisë gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Diskutimi e lidhi filmin me kinematografinë dhe teatrin shqiptar të prodhuar në vitet e diktaturës, si mjete të indoktrinimit dhe ndërtimit të një kujtese të deformuar.

“Klubi i Filmit” propozon që filmat e kësaj periudhe të vijojnë të shfaqen për publikun, por të shoqëruar me komente dhe analiza kritike, me qëllim që të sqarohet e vërteta historike e ngjarjeve dhe e personazheve, përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive reale, duke ndihmuar veçanërisht brezat e rinj të dallojnë propagandën nga realiteti.

Ky takim është pjesë e cikleve të klubit të filmit “Mësojmë nga e kaluara”, ku në fokus janë temat e luftës së klasave, shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, dënimi i inxhinierëve të Maliqit nga regjimi, si edhe simbolika filmike që pasqyron realitetin e një epoke të errët të historisë sonë.

/r.e/j.p/

The post “Klubi i Filmit”, diskutim për propagandën në kinematografinë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jafar Panahi është regjisori më i rëndësishëm i Iranit - u dënua me burg pas këtij interviste

5 December 2025 at 13:28


Intervistë me regjisorin iranian, Jafar Panahi
Intervistoi: Adam White / The Independent

Jafar Panahi dëshiron të kthehet në shtëpi. “Që të jem i sinqertë, koha ime po shpenzohet krejt kot me gjithë këto udhëtime,” më tha regjisori nga një dhomë hoteli në Nju-Jork, në mes të një turneu ndërkombëtar për shtyp që ka zgjatur me muaj. “Nuk po pres dot sa të përfundojë gjithë kjo, të kthehem në Iran, të ulem dhe të filloj me punën.” Si krijues profesionist i ngatërresave dhe po aq disident politik - njëkohësisht i përbuzur dhe i frikshëm për autoritetet iraniane - Panahi buzëqesh me ironi. “Dua të propozoj një zgjidhje ligjore për të vazhduar tutje,” thotë ai me një ironi të theksuar. “Të gjithë regjisorët duhet të kenë ndalesë nga braktisja e vendeve të veta, në mënyrë që të mund të bëjnë realisht ndonjë punë.”

Të enjten pasdite, kur folëm, ky koment më bëri të qesh. Të hënën në mbrëmje - kur dëgjova lajmin që Panahi është dënuar sërish me burg nga qeveria e vendit të tij - më bëri të stepem. Por, nëse është dikush më i aftë për të përballuar kërcënimet fizike dhe ekzistenciale, ai është njeriu që ka sfiduar sundimin autoritar për 25 vjet - duke mbijetuar një ndalesë 20-vjeçare për të udhëtuar, duke vuajtur dy qëndrime të mëparshme në burg dhe një ndalesë për të bërë filma.

Lexo po ashtu:
- Për “armikun e popullit” dhe kampionin që nuk gjunjëzohet!
- Q... shtetin që s’ka film!
- Pse filmat e Iranit janë ndër më të mirët në botë?

Duke folur me optimizëm, me një zë të gërvishtur dhe të çjerrë nga jeta me cigare, Panahi është armik i shtetit në stilin e Fred Hamptonit ose Jane Fondas. Ai është i guximshëm. I palëkundur. Pothuajse i frikshëm në qetësinë e vet. Filmat e tij - ndër ta drama e ndjeshme e vitit 1995, Balona e bardhë, si dhe filmi i sivjetshëm fitues i Palmës së Artë në Kanë, Ishte thjesht një aksident që jepet këtë javë në kinema - janë pamje të ndjeshme të Iranit bashkëkohor. Ato shpesh aludojnë, por nuk ushqehen patjetër nga temat e shtypjes shtetërore, mizogjinia dhe brutaliteti policor, dhe janë pëlqyer gjerësisht në të gjithë botën: Ishte thjesht një aksident pritet të marrë vëmendjen për Oscar vitin e ardhshëm, ndërsa Panahi ndërkohë ishte i zënë duke marrë, të hënën, tri çmime Gotham në Nju-Jork - për Regjisorin më të Mirë, Skenarin Origjinal më të Mirë dhe Filmin Ndërkombëtar më të Mirë - kur mësoi për dënimin e tij të ri. Shumë nga filmat e tij janë gjithashtu, sipas sundimtarëve të Iranit, “propagandë kundër qeverisë” dhe janë nën sulm të vazhdueshëm.

Nëntë filmat e fundit të Panahit janë ndaluar në vend dhe, pavarësisht çmimeve ndërkombëtare (ka fituar çmimet më të mëdha në festivalet e Berlinit dhe Venecias), ai është përballur me censura të përsëritura: në vitin 2010 u dënua me gjashtë vjet burg për “propagandë kundër shtetit” dhe u lirua pas tre muajsh. Në vitin 2022 kaloi edhe shtatë muaj të tjerë për përfshirje të dukshme në protesta kundër qeverisë, dhe u lirua vetëm pasi bëri një grevë 48-orëshe urie. Dënimi i tij i fundit i papritur, i cili përfshin një vit burg dhe një ndalim dyvjeçar për të braktisur Iranin, ishte rezultat i aktiviteteve të panjohura “propagandistike” - njoftoi të hënën avokati i tij, Mostafa Nili. Ata shtoi se do të apelojnë, por Panahi do të kthehet gjithashtu në Iran, pavarësisht kërcënimit ndaj tij. Arratisja nuk është stil i 65-vjeçarit.

Ka pasur mundësi të mëparshme për të ikur, shpjegon ai. Ndalimi 20-vjeçar për të udhëtuar përfundoi para kohe në vitin 2023, pas 14 vjetësh, dhe Panahi së bashku me gruan e tij lanë Iranin për në Paris ku ai montoi filmin Ishte thjesht një aksident. “Por, unë nuk jam në gjendje të përshtatem diku tjetër,” thotë ai duke folur përmes përkthyeses Iante Roach. “Problemi qëndron brenda meje. Mund të jetoj vetëm në Iran. Nuk kam njohje të thellë për njerëzit në vendet e tjera - le të themi në Angli, apo në Francë. Dhe, nëse do të bëja një film për ta, do të ishte vetëm sipërfaqësor.”

Panahi u ndalua zyrtarisht të bënte filma në vitin 2010, dhe për një moment mendoi të pranonte fatin e tij. “U trondita thellë në aspektin psikik,” kujton ai. Por, dënimi gjithashtu përkoi me statusin e tij të sapo fituar si frymëzim për regjisorë më të rinj ose aspirantë. Ai e gjente veten teksa ata afroheshin dhe e pyesnin se si mund të bënin - sikurse ai - vepra interesante dhe armiqësore në kushte të vështira. Shumë prej tyre tashmë kanë hequr dorë. “E pyeta veten çfarë duhet të bëja,” thotë Panahi. “A duhet të bëhem një nga këta njerëz që ulen dhe ankohen se sa të vështira janë bërë gjërat? Apo duhet të përpiqem të gjej një mënyrë? Në fund, vendosa të bëj gjithçka që duhej për të vazhduar punën.”

Ajo që bëri ishte të përkulte me zgjuarsi rregullat e ndëshkimit të vet. Së pari, e bëri një dokumentar për rrethanat e tij dhe e quajti Ky nuk është film. “Dhe, pastaj e pyeta veten çfarë tjetër mund të bëja,” thotë ai. “Mendova, epo mirë, mund të ngas makinën - kështu që mund të bëhem shofer taksie, por nëse bëhem shofer taksie atëherë mund të vendos një kamerë në taksi dhe pasagjerët do t’i tregojnë historitë e veta.” Pra, kështu u bë filmi i tij i vitit 2015, Taksi. Një film tjetër, një pseudo-dokumentar i quajtur Pa arinj, u bë në fshehtësi të rreptë në vitin 2021.

“Filmat më të mirë që bëhen sot në Iran janë bërë ilegalisht,” thotë ai. “Dhe, njerëzit gjejnë mënyrat e veta për t’i bërë - shumë prej tyre marrin leje të miratuara nga shteti për të bërë një film të caktuar, por më pas e bëjnë ndryshe ose shtojnë një mesazh nënçmues brenda tij.” Ai nuk ka asnjë bezdi ndaj filmave më komercial që lejohen nga sundimtarët e Iranit. “Unë vetëm kërkoj që shteti të tolerojë filmat e mi, sa për t’i lejuar që të shfaqen,” shton ai. Vetëm Balona e bardhë dhe vazhdimi i tij i vitit 1997, Pasqyra, janë shfaqur ligjërisht në vend.

E pyes Panahin nëse, me raste, ka ndonjë emocion nga fakti që ia del mbanë dhe bën një film të suksesshëm nën radar; cilido qoftë konteksti që i rrethon, a ka ndonjëherë ndonjë zbavitje? Ai buzëqesh. “E di ti, po e bëjmë një intervistë serioze, por gjithashtu po qeshim mjaftueshëm në të njëjtën kohë,” thotë ai. “E tillë është jeta. Nëse ia heq të qeshurën jetës, gjithçka bëhet artificiale, dhe bëhet shumë e vështirë.” E marr këtë si një “po”.

Ishte thjesht një aksident është, ndoshta, filmi më i drejtpërdrejt politik i Panahit deri më sot. Ai ka në qendër Vahidin (luajtur nga Vahid Mobasseri), një ish-i burgosur politik që tani punon si mekanik dhe i cili është i bindur se ka hasur njeriun e cili e kishte marrë në pyetje, me dhunë, disa vite më parë. Ai e bazon këtë bindje vetëm në zërin e tij dhe në kërcitjen e veçantë të këmbës së tij protetike, megjithëse është i vetëdijshëm se mund ta ketë gabim. Vahidi gjithsesi e rrëmben atë dhe më pas kërkon ndihmë nga miqtë e tjerë disidentë për të vendosur çfarë të bëjë me të. Është një film i tensionuar dhe shpesh tronditës - kurrë didaktik, pavarësisht diskutimeve rrethanore për dhunën dhe hakmarrjen - dhe ndërtohet drejt një kulmi mbresëlënës të xhiruar në një plan të vetëm të gjatë.

Përvojat vetjake të Panahit në burg e formësuan historinë e filmit. “Të burgosurit kanë përvojë të përbashkët, dhe ajo është marrja në pyetje,” thotë ai. “Na detyrojnë të ulemi në një karrige përballë një muri, pa praninë e avokatit tonë, dhe me një hetues që na bën pyetje nga pas. Ajo që u ndodh të burgosurve është se, në vend që të mendojnë për pyetjet dhe t’u përgjigjen atyre, ata përfshihen plotësisht në përpjekjen për të hamendësuar dhe përcaktuar se kush është ky hetues. Si duket? Sa vjeç është? Dhe, nëse e shoh pronarin e këtij zëri jashtë burgut, a do ta njoh?”

Panahi, për aq sa di, nuk i ka hasur ndonjëherë hetuesit e tij në jetën reale, dhe nuk është i sigurt se si do të reagonte nëse kjo do të ndodhte. Por, ai nuk dëshiron që audienca të ngecet patjetër te detajet specifike të subjektit të filmit; përkundrazi, ai dëshiron që ata të shtrojnë pyetje më të gjera pasi ta shohin. “Vërtet dua që njerëzit të përballen me [idenë për] ciklin e dhunës,” thotë ai. “A duhet që hakmarrja të lejohet të vazhdojë, apo duhet të përfundojë në një moment?”

E pyes Panahin për njerëzit që shfaqen në filmat e tij, të cilët zakonisht janë një përzierje aktorësh dhe jo-aktorësh. Si ai, ata janë të vetëdijshëm se po përfshihen në një punë që fare lehtë mund të vendos një shënjestër mbi ta. A i paralajmëron ai për rreziqet? I ngre supet. “Ata e dinë shumë mirë se me kë u kërkohet të punojnë, dhe të gjithë janë gjithashtu të etur të bëjnë diçka ndryshe,” thotë ai.

Ai përmend lëvizjen Gratë, Jetë, Liri e cila filloi në vitin 2022 dhe ku qytetarët iranianë dolën në rrugë për të protestuar kundër shtypjes dhe korrupsionit të qeverisë - nxitur nga një incident ku një grua u arrestua nga policia e moralit e vendit sepse nuk e vuri, siç duhet, hixhabin.

“Që atëherë, shumë prej nesh në Iran kemi vendosur të bëjmë diçka për këtë lëvizje, në çfarëdo forme qoftë,” thotë ai. Për Panahin dhe ata që marrin pjesë në filmat e tij, kjo arrihet përmes artit. “Të gjithë jemi më të shqetësuar për të krijuar një vepër të mirë sesa për pasojat që mund të sjellë ajo.”

Siç dëshmoi edhe kjo javë, pasojat kanë ardhur sërish për Panahin. Por, ai nuk do - dhe, e pranon se nuk mundet - të punojë apo të mendojë në ndonjë mënyrë tjetër. Më tregon për kohën kur bëri një triler 30-minutësh psikologjik gjatë shkollës së filmit, që ishte kryesisht një kopjim i stilit dhe gjuhës vizuale të Alfred Hitchcockut - një nga frymëzimet e tij të para.

“Dukej bukur, por nuk kishte shpirt,” kujton ai. Kështu, ndoshta në aktin e tij të parë të vërtetë të kundërshtimit, ai hyri fshehurazi në laboratorin e filmit të shkollës, gjatë natës, dhe vodhi negativët e filmit. “Dhe, pastaj i shkatërrova që askush të mos mund ta shihte ndonjëherë filmin tim,” qesh ai. “Sigurisht, në atë kohë askush nuk dinte kush isha. Isha thjesht një nga shumë studentët e filmit që përpiqeshin të gjenin veten. Megjithatë, e kuptova se nënshkrimi yt ka vlerë, dhe se nuk mund ta vësh thjesht mbi çdo film. E dija se çfarë do të thoshte të vendosje shenjën tënde mbi diçka.” /Telegrafi/

Francis Ford Coppola: Nuk ka asnjë moshë të gruas që nuk është e bukur

1 December 2025 at 16:16


Nga: Hermione Eyre / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Shumë shpejt pasi mbërrita në hotelin e Francis Ford Coppolas në rajonin Basilikata të Italisë jugore, u ndesha - rastësisht - me vetë regjisorin e madh duke punuar në kuzhinën e hapur të hotelit. Ai kishte veshur një palë rroba të gjelbra, mjaft elegante, dhe po priste perimet. U ndala, e habitur. A kishte rënë deri këtu? Ishte përhapur gjerësisht lajmi se regjisori i madh kishte shitur një nga kantinat e tij të verës për të siguruar 90 milionë paundë [afro 104 milionë euro] për të financuar filmin e tij më të fundit Megalopolis, dhe që atëherë janë raportuar shitjet nga ai të orëve të çmuara si dhe dorëzimi i qirasë së një ishulli privat për të “mbajtur anijen mbi ujë.” Por, të punonte në kuzhinë?

Përveçse, natyrisht, nuk ishte kështu. Ai thjesht kishte dëshirë të papritur për të gatuar një pulë kaçatore për mysafirët e tij - me ndihmën e stafit të hotelit të tij. Atë mbrëmje, ai shërbeu gjellën ngjyrë kafe me piper për mua dhe për dy nga miqtë e tij kineastë, së bashku me një rrëke debatesh dhe poezish dhe, në fund, megjithëse nuk u konsumua vera, u këndua së bashku Noel Cowardi. “Një ditë do të të gjej / shkëlqimi i Hënës pas teje.” Ai nuk dukej si një njeri i shqetësuar nga telashet financiare. “Sapo mora një lajm të mirë,” tha në një moment gjatë darkës, duke parë orën e tij Apple. Ai nuk tha asgjë më tepër, por më bëri të kuptoj se bëhej fjalë për projektin e tij të ardhshëm filmik - ende të pashpallur.

Lexo po ashtu:
- Jeta në periferinë e një familjeje të famshme
- “Apocalypse Now” i Francis Ford Coppolas: Thelbi i të keqes
- Pesëmbëdhjetë fakte që nuk i dinit për “Kumbarën”

Coppola, 86 vjeç, është një legjendë e gjallë e kinemasë. Ai mund të më kishte përzënë, ose ta mbyllja gojën, siç bëri kur po pozoi për fotografin tonë, duke refuzuar të hiqte syzet e tij të errëta - ai preferon të qëndrojë më shumë pas kamerës sesa përballë saj. Por, ai ishte çuditërisht mikpritës dhe i muhabetit. Kur e pyeta nëse mund t’ia dhuroja një kopje të një romani që kisha shkruar, ai bëri sikur u emocionua dhe kërkoi të shkruaja një dedikim: “Jo, jo për ‘z. Coppola’! Shkruaje ‘për xhaxhi Frankun’”.

Salloni në “Palazzo Margherita”, hoteli i familjes Coppola, i restauruar me dashuri në BernaldaFoto: Giovanni Cipriano

Mund ta kuptoja pse aktorët dhe ekipi i tij e adhuronin atë, duke punuar me të përsëri e përsëri, si një familje; pse e ndiqnin atë në avangardë, duke realizuar Përgjimin [The Conversation, fituesi i Palmës së Artë i vitit 1974, një parashikim i frikshëm i skandalit Uotërgejt) dhe në ferr e prapa për të realizuar Apokalipsin sot [Apocalypse Now, 1979]. Sukseset e tij kanë qenë ekstreme; falimentimet e tij të shumta. Një temë e përgjithshme e shumë prej tregimeve që më tha ishte se si e anashkaloi këtë ose atë rregullore burokratike për të bërë një film që kishte pak gjasa për sukses.

Politikisht, ai ende flet si një radikal i viteve ’60 të shekullit XX. Beson se së shpejti nuk do të kemi më shtete. “Ato nuk janë më të logjikshme. Në të ardhmen shoh një botë që ka të gjitha kulturat e kombeve të ndryshme, por pa vetë kombet. Kjo do të ndodhë. E di ti, përpara vitit 1914 askush nuk kishte pasaporta. Ne jemi një familje njerëzore. Është Toka jonë.”

Ai beson se të Ardhurat Bazike Universale (UBI) do të ndodhin. “Është e sigurt. Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time.” Dhe, sa i përket sendeve materiale, ai fliste si dikush që nuk e kishte shumë të vështirë të hiqte dorë nga ato orë të bukura që do t’i nxjerrë në ankand më 6-7 dhjetor. “Luksi,” më tha ai, “është tregu më shpërthyes, por është një nxitës i madh i pakënaqësisë.”

Kur e pyeta se ku i mban gjashtë çmimet e tij Oscar, ai bëri një grimasë, duke ngritur pak supet: “As që e di ku janë çmimet e mia Oscar. Janë te një kompani vere që kisha në pronësi ...” Një pauzë. Ai gjithmonë ka pasur një, le të themi, marrëdhënie të dyzuar me këto çmime, duke i hedhur ato nga dritarja kur ishte nevrik gjatë përzgjedhjes së aktorëve për Apokalipsin. Më tha: “Ajo që e konsideroj më të rëndësishme [se statujat e arta] është kur kineastët e rinj më thonë se u futën në këtë profesion sepse panë një nga filmat e mi.” Shembujt e tij janë Edward Berger dhe Alfonso Cuarón.

Francis Ford Coppola me gruan e tij, Eleanor, në vitin 1987Foto: Juergen Vollmer/Popperfoto

Coppola mund të jetë duke shitur pasuritë e veta, por ai ende beson se Megalopolis do ta nxjerr investimin. “E njëjta gjë ndodhi me Apokalipsin. Interesi ishte i lartë në ato ditë, rreth 20 për qind. Dhe, unë duhej të jepja një përqindje të madhe të të ardhurave bruto për Marlon Brandon [11.5 për qind]. Mendova, nuk do t’i kthej kurrë paratë e mia. Por, ende sjell të ardhura, 40 vjet më vonë. Në industri, ata e quajnë ‘bisht i gjatë’.”

Më tha, me një buzëqeshje djaloshare, se planifikon të nxjerrë një version të tij të Megalopolisit, që do të quhet Megalopolis Unbound. Ky version do të ketë pamje shtesë, si skena me aktoren britanike Kathryn Hunter - e shfrytëzuar pak në versionin origjinal si një matriarke romake. “Do të jetë vërtet i çmendur.” Shumë vetë e panë edhe versionin fillestar si mjaft të çmendur. Ai dukej i mençur, tundi kokën. “Njerëzit kanë nevojë për pak kohë për të pëlqyer gjërat e reja.”

“Palazzo Margherita” ndodhet mbi kreshtën e kodrës së Bernaldës, jo larg pamjeve të gjera drejt detit Jon. Mrekullitë e rajonit përfshijnë qytetin-shpellë të lashtë, Matera, të mbrojtur nga UNESCO dhe, afër hotelit, tempullin dedikuar Herës në Metaponto. I njohur si Magna Graecia, rajoni dikur ishte kolonizuar nga Greqia. “Disa njerëz ende flasin greqishte të lashtë, kështu që është sikur papritur je në një bisedë me Sofokliun ...” - tha Coppola.

E bleu “Palazzo Margherita”-n në vitin 2004. Ishte e papërmbajtshme: një perlë neoklasike që të kujtonte [filmin] Leopardi [Il Gattopardo, 1963] të Viscontit, në mes të qytetit të prejardhjes familjare të tij. Coppolat jetuan në Bernaldë për shumë breza, duke inovuar (gjyshi i tij mekanik, Agostino, ndihmoi në sjelljen e energjisë elektrike në rrethinë) dhe duke u martuar brenda fisit. “Dy herë,” thotë Francisi me ironi, “ishte nevoja për një leje papnore që një Coppola të mund të martohej me një tjetër Coppola.” Por, ky ishte rajoni më i varfër i Italisë, dhe ashtu si Korleonët fiktivë, Coppolat emigruan në Nju-Jork në kërkim të punës, në vitin 1904, dhe nuk u kthyen më. Francisi u rrit në Nju-Jork dhe në Los Anxhelos, me një emër të mesëm klasik amerikan.

“Dëgjonim tregime për ‘Bernaldën e bukur’ që na vinin që nga fëmijëria, dhe duhej të hanim gjithë atë ushqim italian. Ishim fëmijë, e urrenim. E di çfarë është lampashoni? Qepëza hajaçinti, të skuqura. E di çfarë është kapucele? Gjysma e kokës së një qengji. I haja trutë sepse doja të bëhesha i zgjuar.”

Një vështrim brenda “Palazzo Margherita”Kredi: Giovanni Cipriano

Në vitin 1962, Coppola, në moshën 22-vjeçare, e kuptoi se ishte në distancë të arritshme nga vendi i vjetër. “Po punoja në një film në Dubrovnik dhe pashë hartën dhe e pashë që ishte afër. Mora tragetin për në Bernaldë.” Megjithëse nuk e fliste gjuhën, njerëzit e njohën mbiemrin e tij. Nuk kishte hotele, por ia gjetën një shtrat për të fjetur atë natë. “Një çift i sapomartuar më priti, fjeta në shtrat me burrin; mendoj se gruaja ka fjetur në hambar. Mendo pak!” Ai pati një kthim më ndryshe, në vitet ’70 të shekullit XX. “Kur u ktheva, pasi kisha bërë Kumbarën [The Godfather], ishte një sukses aq i madh saqë më vendosi në hartë në mënyrën që nuk e prisja. Kisha më shumë kushërinj sesa e kisha kuptuar ndonjëherë.”

Coppola bleu “Palazzo Margherita”-n nga brezi i katërt i familjes Margherita, të cilët bënë pasuri duke eksportuar vaj ulliri. Ai e donte për shtëpi, por e dinte se do të mungonte shpesh, ndaj kishte kuptim ta shndërronte në një hotel me nëntë dhoma. Ai kontraktoi dizajnerin e famshëm francez të interierit, Jacques Grange. “Ideja ishte të ruhej një patinë e moshës,” thotë Coppola, duke treguar murin e rrënuar në mënyrë romantike në oborr. “Kjo është dy herë më e vështirë se një restaurim.”

Bari “Cinecittà” i hotelit është një faltore për kinemanë italiane. “Bëra një film në studiot ‘Cinecittà’ në Romë dhe, sinqerisht, nuk më pëlqeu mënyra se si menaxhohej,” thotë Coppola. “Kishte policë gjithandej, duhej të kishe flamurin italian ... gjëja më e mirë e saj ishte bari.”

Salloni i madh në katin e parë shndërrohet në kinema shtëpiake me shtypjen e një butoni, teksa projektori zbret dhe llambadari, duke u lëkundur paksa, ngrihet. Një listë shikimi me rreth 200 filma, të zgjedhur nga Coppola, thekson neorealizmin italian, si dhe vepra nga familja dhe miqtë, plus disa filma nga “Pixar”-i për më të vegjlit. Stafi me uniformë është në mënyrë diskrete mahnitës. Nëse mendon se tingëllon si hoteli i ëndrrave të Wes Andersonit, ke të drejtë - ai është vizitor i rregullt. Pishina është gjysmë me klor, gjysmë me kripë, krejtësisht joshëse. “Është e pazakontë, sepse veshja e pishinës është e zezë,” thotë menaxherja, Rossella De Filippo. “Kjo ishte ideja e z. Coppola.”

Vajza e tij, regjisorja e filmave Sofia Coppola, u martua me muzikantin francez, Thomas Mars - këtu, në vitin 2011. “Ishte një natë e mrekullueshme,” thotë ai, duke kujtuar kamerierët që sillnin ushqim nga restorantet lokale. “Në cilën dhomë po qëndron?” - më pyet. E përshkruaj tavanin e harkuar, afresket e bardha - “Ah, je te ‘George Lucas’. Aty qëndroi ai kur erdhi për dasmën e Sofias.”

Kur e kuptoi ai që Sofia do të bëhej gjithashtu regjisore? “Ajo gjithmonë ishte e pazakontë, edhe kur ishte e vogël, unike. Më erdhi kur ishte 13 ose 14 vjeçe dhe tha ‘jam vetëm një diletante?’ ‘Po studioj pikturë, por më pëlqen moda, më pëlqen të shkruaj tregime, por gjithashtu më pëlqen fotografia.’ I thashë, Sofia, thjesht bëj atë që ti do. Në gjimnaz bënë një film, Lëpije yllin [Lick the Star], mund ta gjesh në internet. E pashë dhe thashë, ajo vajzë është regjisore.”

Thashetheme filmash ka plot. “E di çfarë i pëlqente Olivia de Havillandit? Shampanja. Sofia dhe unë ia çuam një shishe kur mbushi 100 vjet. Mund të bëhesh më i mirë në aktrim nëse punon për këtë - shiko Kevin Spaceyn. Më ofruan të shkruaja filmin Kauboji i mesnatës [Midnight Cowboy], por isha i ri, nuk kisha asnjë referencë për atë se çfarë ishte një mashkull që shet trupin, pastaj sigurisht e pashë filmin dhe e pëlqeva. John Schlesinger ishte shumë mbështetës, një njeri i mrekullueshëm .... Ken Russell, tani, ai ishte një ndikim për të gjithë ...”

Al Pacino dhe Francis Ford Coppola gjatë xhirimeve të “Kumbarës” në vitin 1990Burimi: ScreenProd / Photononstop / Alamy Stock Photo

Kujtimet e fëmijërisë dalin në sipërfaqe. I ati e mësoi të luante në tubë që të mund të merrte një bursë në Akademinë Ushtarake të Nju-Jorkut. Një ide e shkëlqyer, përveçse ai e urrente, dhe vendosi menjëherë të largohej. A e takoi Trumpin, i cili studioi gjithashtu atje? “Jo, ai ishte më i ri se unë. Ai ishte një fëmijë i pasur, unë isha e kundërta. E shita uniformën time për shumën e mrekullueshme prej 200 dollarësh. Kisha frikë të kthehesha në shtëpi, kështu që rrija në Nju-Jork, krejtësisht vetëm, flija në strehimore të lira, shpenzoja paratë për gra profesioniste që do të kërcenin me ty për disa dollarë.” Për fat të mirë, me vete kishte librin perfekt të asaj kohe: Gjuetari në thekër [The Catcher in the Rye] i JD Salingerit.

Tani, ai sapo ka lexuar Midëmarçin të George Eliot-it, Kim të Rudyard Kipling-ut, dhe një biografi të Herbert Spencerit. Ndoshta ca të dhëna nëse filmi i tij i ardhshëm do të jetë i vendosur në Angli. I pëlqeu libri i Katherine Rundellit, Super-Infinit, për poetin anglez John Donne. Është i fiksuar pas Christopher Marloweit. “Pa të, s’do të kishte Shakespeare!”

E pyeta nëse botoksi është në rregull për aktoret. “Epo, kjo është e frikshme. Lulëzimi i rinisë është në moshën 27 vjeçe. Por, në çdo dekadë, gratë janë të bukura. Nuk ka asnjë moshë gruaje që nuk është e bukur. Gjithmonë më ka pëlqyer t’i ftoja për drekë zonjat 90-vjeçare, prej të cilave pata fatin të njihja disa. Janë magjepsëse, do të të tregojnë histori për jetën.” Në të vërtetë, gjatë gjithë intervistës sonë ai ka përmendur me admirim zonja të mëdha, si shoqëruesja amerikane Lee Radziwill dhe Antonia Fraser (“do të mund të bëje ti atë që bëri ajo? Të ikësh me Harold Pinterin pasi e takove në një festë?”). “Thjesht, mos u përpiq të dukesh e lulëzuar kur je lule. Fillon vetëm me pak këtu, dhe pastaj ajo bie, dhe bën më shumë, dhe kur përfundon, nuk dukesh më as si njeri!”

Pjesa më e bukur e hotelit të tij është kopshti. I freskuar nga një shatërvan tradicional prej guri, është i mbjellë me shtigje të vogla dhe vende të fshehta për t’u ulur nën dritën e diellit mes gjelbërimit.

Pas mëngjesit, e pash rastësisht të ulur në një prej këtyre vendeve, vetëm, me laptopin e tij. Më ftoi të ulesha me të, dhe filloi të fliste për gruan. Ai ishte i martuar me Eleanor Coppolan - mbiemri i vajzërisë Neil - për 61 vjet. “Dhe, e humba një vit më parë,” thotë ai. “Koha ime e preferuar me të [Eleanor] ka qenë gjithmonë në mëngjes. Gjithë jetën time kisha dikë për t’u lidhur emocionalisht - kështu që tani, unë ... nuk e di ku jam. A mundem?” Ai ma kapi dorën shkurtimisht.

Coppola dhe Hermione Eyre në kopshtin e “Palazzo Margherita”-sBurimi: Hermione Eyre

Ajo ishte artiste. “Mësova aq shumë vetëm nga bisedat e përditshme me të. Më tregoi për artin konceptual, se si gjithçka mund të jetë art - dikush që qëron një patate mund të jetë art. Mendova se ishte gjëja më budallaqe që kisha dëgjuar ndonjëherë, por ishte interesante - edhe nëse nuk e kuptoja apo nuk pajtohesha me të.”

Ai beson në martesë. “E di çfarë shpresoj të mbijetojë në të ardhmen? Martesa. Ka shumëçka më tepër në martesë sesa besnikëria.” Ai e lëvizte Eleanorin dhe tre fëmijët e tyre sa herë që xhironte një projekt të madh. “Gjithmonë e merrja të gjithë familjen, i nxirrja fëmijët nga shkolla - ata e adhuronin aventurën. Por, Eleanor kishte gjëra që ndodhnin në jetën e saj. Ajo tha: ‘Çfarë do të bëj unë?’ I thashë: Pse të mos bësh një dokumentar për filmin, dhe ia bleva një kamerë dore për film artistik. Ajo ishte një nga më të mirat që kam parë ndonjëherë. E mbante atë në mënyrë që unë nuk mund ta bëja kurrë.”

Dokumentari i saj, i vlerësuari Zemrat e errësirës: Apokalipsi i regjisorit [Hearts of Darkness: A Filmmaker’s Apocalypse], u shfaq në vitin 1991. Në moshën 84-vjeçare, ajo publikoi filmin e saj të parë artistik, Parisi mund të presë [Paris Can Wait], me Alec Baldwinin dhe Diane Lanein. Një kujtim i ri nga Eleanora, Dy nga vetja [Two Of Me], për jetën e saj paralele si artiste, grua dhe nënë, botohet pas vdekjes këtë muaj. Ajo nuk ishte e pranishme për premierën e Megalopolisit, por vdiq duke ditur se ai më në fund e kishte përfunduar. “E pa,” ai tund kokën. “E pa, në versionin e tij përfundimtar.”

Për të ruajtur qetësinë pa Eleanoran, ai ka zhvilluar një rutinë të re të mëngjesit. Më tregoi laptopin e tij. “Çdo mëngjes shkruaj një listë me 10 fjalë pozitive, të cilat i kthej në një poezi. Dhe, mësoj një fjalë të re.” Fjala e sotme është rescind. “Është e vështirë të gjesh një burim të mirë të ri për fjalë.”

Coppola kohët e fundit ka jetuar në Londër. “Arsyeja pse u shpërngula në Putni ishte se nuk kisha jetuar kurrë atje me të.” Një fillim i ri, pa kujtime - përveç atyre gazmore nga hera e fundit që kishte qëndruar atje në vitet ’60 të shekullit XX. “Ka disa vajza boheme në Putni që duan të kujdesen për mua, dhe të më çojnë në shfaqje. Kemi kaluar shumë mirë. Kam qenë duke qëndruar me një ish-të dashur të mikut tim, shkrimtarit britanik David Benedictus.”

Coppola e takoi Benedictusin në vitin 1964 - i cili kishte bërë bujë me romanin e tij të parë, Katër qershor [The Fourth of June], për seksin, snobizmin dhe sadizmin në Eton, dhe po rikuperohej nga një lidhje me aktoren Sarah Milesin. (Ai u bë për vazhdimin e tregimeve të Vini Pu / Winnie-the-Pooh të A.A. Milneit, por ajo kthesë do të vinte më vonë.)

Francis Ford Coppola dhe Eleanor në ndarjen e çmimeve Oscar në vitin 2022Burimi: ABC

“David ishte një djalë shumë interesant në atë që atëherë njihej si Londra Ritmike [Swinging London]. Mora të drejtën e përshtatjes së romanit të tij Tashmë je djalë i rritur [You’re a Big Boy Now] dhe ishte filmi im i parë. Kishte plot vajza të bukura në shtëpinë e tij dhe të dyve na pëlqente të shihnim filma - ai kishte një projektor 16 milimetërsh. Filmin Gjenerali [The General] të Buster Keatonit e pashë për herë të parë me të.”

Miqësia vazhdoi. “Unë isha thjesht ky tipi i çmendur dhe pastaj u bëra ai që bëri Kumbarën, dhe edhe Davidi e ndjeu emocionin e kësaj. Filmin tim më të fundit, Megalopolis, ia dërgoja në versione të ndryshme. Pastaj mora një shënim të trishtë nga vajza e tij, Jessica, që thoshte se kishte vdekur.” Ai ndaloi.

“I dua njerëzit dhe kam kaluar një jetë dashurie. Miqtë janë një fe për mua ... Familja ime thoshte se nga tre fëmijët, vëllai im Augusti është ai i zgjuari, motra ime Talia është e bukura, por Francisi është ai i dashuri.”

Ai qesh, por me të vërtetë ka shpërndarë dashuri. Babai i tij, Carmine Coppola, për shumë vite një muzikant i zhgënjyer, fitoi një Oscar për Muzikën më të Mirë Origjinale për Kumbarën, pjesa II; motra e tij, Talia Shire, u nominua për Oscar për interpretimin e saj si Koni Korleone në të njëjtin film.

Në këtë moment të bisedës sonë, prushi i mbrëmjes po shuhej, dhe ai filloi të këndojë. Coppola është këngëtar i shkëlqyer, i njohur për këtë mes miqve të tij. Ulur pranë tij në tryezë, iu bashkova këngës, teksa ai këndonte, fjalë për fjalë, Cole Porterin dhe [dyshen] Gilbert dhe Sullivan: “Dhe tani jam kapiten në marinën e mbretëreshës.”

“Si,” thotë ai, “mund të jenë njerëzit të trishtuar, kur ka kaq shumë pasuri për t’u shijuar?” /Telegrafi/

Pse gruaja dhe djali i Shekspirit mbeten ende një mister

27 November 2025 at 14:48


Filmi i ri Hamnet, që po përflitet për çmime Oscar, paramendon jetën familjare të Uilliam dhe Agnes Shekspirit - dhe humbjen e djalit të tyre. Është një histori prekëse që mbush shumë boshllëqe.

Nga: Caryn James / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Hamnet - romani i elokuent i Maggie O'Farrellit nga viti 2020 dhe filmi i ri i bazuar mbi të - gruaja e Shekspirit [William Shakespeare], Agnesa, paraqitet si herbaliste që njeh mjekësinë natyrore dhe ka aftësi pothuajse të mbinatyrshme për të ndier të ardhmen. Por, ajo nuk arrin ta shpëtojë djalin e saj të vogël nga murtaja - një vdekje që e shtyn të atin e djalit të shkruajë një nga veprat më të mëdha të letërsisë: Hamletin. Dhe, thuajse asgjë nga kjo nuk është e vërtetuar. Në letër dhe në ekran, Hamneti është një vepër e imagjinatës, një eksplorim i thellë i dhimbjes dhe humbjes, i ndërtuar mbi pak fakte të njohura. Nuk mund të thuash se O’Farrell - që ka shkruar gjithashtu edhe skenarin e filmit bashkë me regjisoren Chloé Zhao - ka shtrembëruar të vërtetën, sepse nuk ekziston një histori e dokumentuar, pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare të historianëve për të zbardhur të kaluarën e Shekspirit.

Faktet e pakta rreth familjes së Shekspirit janë shumë më të pakta në numër nga pyetjet që ato ngrenë. Regjistrimet tregojnë se në vitin 1582, Ulliam Shekspiri, atëherë 18 vjeç, u martua me 26-vjeçare Anne Hathaway, e cila ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të parë, Susanna. Tre vjet më vonë lindën binjakët e tyre, Judith dhe Hamnet - një emër që në atë kohë përdorej në mënyrë të ndërrueshme me Hamlet. Në vitin 1596, kur ishte vetëm 11 vjeç, Hamneti vdiq. U varros më 11 gusht, dhe është pothuajse e sigurt që Shekspiri, i cili ndodhej në udhëtim me trupën e tij teatrale, nuk ka mundur të kthehet me kohë në Stratford për funeralin. Rreth katër vjet më vonë, ai shkroi Hamletin. Nxirrni çfarë të doni nga kjo.

Paul Mescal dhe Jessie Buckley interpretojnë Uilliam dhe Agnes Shekspirin në filmin “Hamnet” (Burimi: Alamy)

Askush nuk e di nëse Shekspiri u detyrua të martohej me Annen sepse ajo ishte shtatzënë, apo nëse ishin lidhur vërtet nga dashuria. Askush nuk e di saktësisht si vdiq Hamneti, por murtaja ishte përhapur shumë në atë kohë dhe është shkaku më i mundshëm. Më e rëndësishmja për librin dhe filmin, askush nuk di shumë për vetë Annen, përfshirë nëse ajo dinte të lexonte e të shkruante. Letërsia ia jep asaj një personalitet të fortë (siç e portretizon fuqishëm Jessie Buckley në një rol që pritet të nominohet për Oscar), dhe një romancë pasionante me Shekspirin (të luajtur nga Paul Mescal). Në të vërtetë, Hamneti flet për Agnesën.

Në shënimet e autores në fund të romanit, O’Farrell pranon se dihet shumë pak për Hamnetin dhe prindërit e tij. Por, ajo e mbush rrëfimin e saj me kërkime të kujdesshme për fundin e shekullit XVI, duke e vendosur ngjarjen në kontekstin historik. Gjatë hulumtimit, ajo i tha BBC-së: "U tërhoqa paksa nga mënyra se si historia dhe studimet akademike e kanë trajtuar keq gruan e Shekspirit, gruan që na mësuan ta quajmë Anne Hathaway. Na është dhënë vetëm një version për të, dhe shumica e biografëve thjesht janë pajtuar me të - se ajo ishte një fshatare analfabete e cila e detyroi atë në martesë, se ai e urrente, se iku në Londër për të qenë larg saj”.

Edhe emri i saj është i pasigurt. Babai i saj, një fermer i suksesshëm, ia la asaj një pajë në testament, duke e quajtur Agnes. O’Farrell zgjodhi t’ia japë personazhit të saj këtë emër, duke arsyetuar: “[nëse] ndokush do ta dinte emrin e saj, do të ishte i ati.” Ajo thotë: “U ndje vërtet si simbolikë që, përveç gjithçkaje tjetër, nuk kemi arritur as emrin t’ia dimë saktë.”

O’Farrell ka një argument të fortë sa i përket demonizimit të gruas së Shekspirit. Jo Eldridge Carney, autore e studimit Gratë i kundërpërgjigjen Shekspirit: Adaptime dhe përshtatje bashkëkohore dhe profesoreshë e gjuhës angleze në Kolexhin e Nju-Xhersit, i tha BBC-së:

“Ky portretim nga O’Farrelli është mohim i qëllimshëm i shekujve të paragjykimeve dhe supozimeve të pabazuara për Annen - qoftë si shenjtore e duruar, por e mërzitshme, që ruante vatrën në Stratford, qoftë si grua e përdalë që e joshi Shekspirin në një martesë të mjerë.”

Ky vizatim në formë portreti nga viti 1708, është imazhi i vetëm i mbijetuar që mund të paraqesë gruan Anne Hathaway - ose Agnes, siç quhet në film.(Burimi: Getty Images)

Zbulimi i emrit të saj të vërtetë është më i ndërlikuar. David Scott Kastan, një studiues i njohur i Shekspirit dhe profesor emeritus i anglishtes në Universitetin Jejlit, i tha BBC-së: “Në thuajse të gjitha dokumentet ajo quhet Anne, dhe vetëm në një - testamentin e të atit - quhet Agnes.” Asgjë tjetër nuk është e sigurt. Është e mundur, thotë ai, “që ajo të jetë pagëzuar Agnes, por të jetë quajtur Anne.” Ai shton: “Më pëlqen mënyra se si romani e shfrytëzon këtë mundësi për t’ia dhënë asaj një identitet të vetin, të ndarë nga martesa për të cilën dimë shumë pak dhe që gjithnjë e shohim përmes lentes së Shekspirit.”

Për të krijuar personazhin e veçantë të Agnesës, O'Farrell e përpunoi atë nga dramat e Shekspirit. “Ajo çfarë bëra ishte të kthehesha te dramat dhe t’i rilexoja në një mënyrë tjetër, duke parë nëse mund ta gjeja aty - sepse gjithnjë kam ndier se e shoh Hamnetin te Hamleti. Por, pyesja veten - mendoja se duhej të ishte diku.”

Një frymëzim për intuitën e Agnesës vjen nga këto rilexime. “Ka shumë vizione dhe parandjenja në dramë,” thotë O’Farrell. “Mendo për shembull për orakullin te Jul Cezari’.” Njohuritë letrare të Agnesës për bimët dhe ilaçet kanë gjithashtu një paralelizëm me dramat e Shekspirit - veçanërisht në monologun e Ofelisë te Hamleti, kur ajo duket se humb mendjen dhe u shpërndan lule e bimë personazheve të tjerë, duke përmendur vargjet: “Rozmarina është për kujtesën.”

“Lexova që çdo shtëpi, në atë kohë, kishte një kopsht mjekësor,” thotë O’Farrell. “Dhe, do të ishte përgjegjësi e gruas së shtëpisë, matriarkes, të dinte si të përgatiste ilaçe dhe të trajtonte sëmundjet. Nuk ishte diçka që burrat dinin.” Për këtë pjesë të dialogut, O’Farrell thotë se mund të paramendohet se Shekspiri është mbështetur te njohuritë e gruas së tij.

Të shohësh Agnesën si partnere të barabartë në martesë, kjo na ofron - ndoshta si një dëshirë e fshehtë - një Anne/Agnes për shekullin XXI. Agnesa e Buckleyt është lloji i gruas që mund të donim që Shekspiri të kishte - që është e veçantë në mënyrën e saj. Ajo është aq e pazakontë saqë përflitet, siç paralajmëron nëna e Shekspirit në film, se është “fëmijë i një magjistareje të pyllit.” Është e mençur, me bindje të forta dhe mjaft e kuptueshme për ta pranuar se burri i saj duhet të ndjekë thirrjen e tij artistike në Londër. Ajo është një grua për të cilën gjeniu mund të kishte rënë në dashuri - dhe ne kuptojmë se pse Shekspiri i Mescalit ndien një tërheqje ndaj saj që në fillim.

Ilustrim i shekulli XIX: Shekspirit duke recituar “Hamletin” për familjen e tij, me gruan ulur në karrige djathtas dhe djalin e tij, Hamnet, pas tij në të majtë(Burimi: Alamy)

Ky konceptim i Anne/Agnesës nuk është domosdo një dëshirë romantike. Carney thotë: “Edhe pse mund të jetë joshëse ta shohim Annen e O’Farrellit si përpjekje për ta kthyer atë thjesht në një feministe të epokës së hershme moderne - një figurë më e përputhshme me ndjesitë tona - ky portretizim, në fakt, përputhet me atë që dimë për jetën e shumë grave të asaj kohe.” Ajo shton: “E dimë se shumë gra drejtonin me sukses atë që sot do ta quanim ‘biznes të vogël’: prodhimin e birrës, mjekësinë bimore, përpunimin e elbit, tregtinë, endjen dhe më shumë. Shkalla e edukimit të nevojshëm për këto profesione ka qenë më e vështirë për t’u vlerësuar.”

Ne ende nuk e dimë nëse gruaja e Shekspirit dinte të lexonte. Agnesa fiktive, në roman, mundet, por vetë O’Farrell mendon se në versionin real të saj ajo ka qenë ndoshta analfabete. “Do të ishte e kotë të edukohej vajza e një blegtori për të shkruar dhe lexuar,” thotë ajo.

Martesa që përshkruhen në libër dhe në film, bëhet më e distancuar kur Shekspiri largohet nga familja për periudha të gjata kohore, duke jetuar në Stratford-mbi-Ejvën ndërsa punon në teatër në Londër - mungesa që janë historikisht të dokumentuara. Por, kur bëhet fjalë për vdekjen e Hamnetit dhe pasojat e saj të dhimbshme, ka vetëm spekulim.

O’Farrell, në përputhje me esenë me ndikim të studiuesit të Shekspirit, Stephen Greenblatt, Vdekja e Hamnetit dhe krijimi i Hamletit (2004), sheh një lidhje të drejtpërdrejtë me dramën, përtej ngjashmërisë së emrit. Në film, kur Agnesa udhëton drejt Londrës për ta parë vetë dramën - një shtesë e sajuar artistike - ne shohim, ashtu si ajo, se aktori që luan Hamletin është veshur dhe stilizuar që të ngjajë me Hamnetin. Në një zgjedhje brilante të kastit, Jacobi Jupe luan djalin Hamnet, ndërsa Noah Jupe, vëllai i tij, luan Hamletin në skenë. Ngjashmëria vizuale mes tyre është e padiskutueshme. Në këtë interpretim, drama nuk është vetëm një mënyrë për Shekspirin për të shprehur pikëllimin e tij - por, edhe një mundësi për t’ia thënë lamtumirën të birit në skenë, ashtu siç nuk mundi ta bënte në jetë.

Kastan thotë për lidhjen mes vdekjes së Hamnetit dhe dramës: “Ajo patjetër duhej të kishte një ndikim - thjesht nuk e dimë se çfarë ishte. Është joshëse, ndoshta e parezistueshme, ta lidhësh vdekjen e djalit me Hamletin. Vdekja e Hamnetit/Hamletit duhet të jetë ndier nga Shekspiri dhe familja e tij si humbje shkatërrimtare për shpirtin. Mund të ketë qenë, të paktën pjesërisht, arsyeja se pse, brenda pak vitesh nga vdekja e djalit, Shekspiri iu kthye një drame të vjetër (ndoshta nga Thomas Kyd) për një djalë të quajtur Hamlet dhe një fantazmë që thërret për ‘hakmarrje’ - për të shkruar Hamletin e tij, në të cilin do të interpretonte edhe vetë.” Është spekuluar prej kohësh se Shekspiri vetë e luajti rolin e fantazmës në dramën e tij - duke përmbysur rolet mes të gjallit dhe të vdekurit. Por, ka shumë ndikime të tjera në dramë, si letrare, ashtu edhe kulturore. “Lidhjet mes ngjarjeve të jetës dhe artit të Shekspirit janë thjesht spekulime - sado intriguese që janë,” thotë Kastano.

Kulmi emocional i filmit “Hamnet” ndodh kur Agnesa udhëton drejt Londrës për të parë vetë Hamletin(Burimi: Alamy)

Fakti është që nuk ekziston asnjë provë e mbijetuar që të tregojë se çfarë ka menduar apo ndier Shekspiri për gruan dhe familjen e tij - as edhe një copë letre. Por, studimet e reja mbi një fragment letre nga një dërgues i panjohur, mund të hedh ose të mos hedh dritë mbi martesën e Shekspirëve. Matthew Steggle, profesor i gjuhës angleze në Universitetin e Bristolit, sugjeron se një letër drejtuar “Zonjës Shekspir” në Londër, mund të ketë qenë për Annen. Kjo do të nënkuptonte se ajo ka jetuar në Londër me burrin e saj midis viteve 1600 dhe 1610 - dhe do të dëshmonte se ajo dinte shkrim-lexim. Vetë Steggle ka thënë se kërkimi i tij thjesht “hap derën” ndaj kësaj mundësie, se “është një mundësi që duket e vështirë për t’u mohuar, por jo e sigurt.”

Megjithatë, më shumë sesa çdo kërkim studimor, ky film me vlerë ka më shumë gjasa të ndryshojë perceptimin publik për gruan e Shekspirit, duke e përforcuar atë si Agnes. Kjo do të ishte “shumë bukur, nëse është e vërtetë,” thotë O’Farrell. Por, “ndoshta do të jetë një gjë kalimtare. Ndoshta, ashtu si kjo letër, do të dalë në dritë diçka tjetër dhe të gjithëve do të na duhet të ndryshojmë mendim përsëri.” Ajo shton dy fjalët që përkufizojnë aq shumë nga ajo që dimë për Shekspirët dhe për djalin e tyre: “Kush e di?” /Telegrafi/

Kiara Tito shpërthen ndaj sulmeve të organizuara, merr vendimin drastik për filmin

By: M C
19 November 2025 at 22:08

Gëzimi i publikimit të pamjeve të para të filmit të shumëpritur me Luiz Ejllin është zbehur paksa për Kiara Titon, e cila orët e fundit është përballur me një valë sulmesh kibernetike në profilin e saj në Instagram.

Vetëm pak kohë pas publikimit të teaser-it, moderatorja ka njoftuar se është detyruar të marrë një vendim drastik: mbylljen e komenteve në postimet e saj.

Në një reagim zyrtar, ajo sqaroi se shkak për këtë u bënë “komentet e ulëta dhe fjalori i pisët” që vërshuan menjëherë në profilin e saj.

Kiara nuk e la me kaq, por vendosi të “demaskojë” publikisht atë që ajo e quan një sulm të orkestruar. Ajo publikoi disa ‘screenshot’-e të komenteve negative (si “keq keq”, “cringe”, “shfaqje e pakuptimtë”), të cilat vinin kryesisht nga profile pa foto ose me emra të huaj e të dyshimtë.

E revoltuar, ajo shkroi: “Janë disa grupe të organizuara që mundohen të prishin postimet, si nuk lodheni duke hap accounts, pse nuk shikoni punën tuaj?”

Në një përgjigje të ashpër ndaj këtyre sulmeve anonime, Kiara u shpreh: “Nuk e di kush ka më shumë energji këtu, unë që bëj punën time, apo adresat fake që krijohen çdo 5 minuta vetëm për të shkruar vrer. Imagjino të mos kesh as emër, as foto, as identitet, por të kesh mendim për çdo gjë.”

Ajo e mbylli reagimin e saj me një mesazh force, duke ndarë qartë pozicionin e saj nga ai i “urrejtësve” anonimë: “Flisni, shkruani, shpikni, unë prapë jam këtu me emër, me fytyrë dhe me jetë. Ju, vazhdoni me komentet. Unë vazhdoj me suksesin.”

The post Kiara Tito shpërthen ndaj sulmeve të organizuara, merr vendimin drastik për filmin appeared first on Albeu.com.

Filmi i Luiz Ejllit dhe Kiara Titos, konfirmohet data e publikimit në kinema

By: D Marku
18 November 2025 at 19:49

Luiz Ejlli dhe Kiara Tito, një nga çiftet më të komentuara dhe më të dashura të publikut shqiptar, kanë konfirmuar zyrtarisht se projekti i tyre më i ri, një film i shumëpritur është drejt finalizimit. Pas muajsh pritjeje dhe aludimesh, dyshja njoftuan se filmi do të shfaqet për herë të parë në shkurt të vitit 2026.

Lajmi është bërë publik përmes rrjeteve të tyre sociale, ku Luiz dhe Kiara ndanë një postim të shkurtër, por shumë domethënës: “Shkurt 2026 në kinema.” Ky konfirmim ka ngjallur menjëherë reagime të shumta, si nga fansat e çiftit, ashtu edhe nga ndjekës të filmit shqiptar që presin të shohin çfarë historie do të sjellin dy protagonistët.
Filmi, për të cilin çifti ka punuar prej kohësh në heshtje, besohet të jetë një ndër projektet më personale të tyre. Edhe pse detajet rreth skenarit, zhanrit apo kastës së aktorëve nuk janë zbuluar ende, burime pranë ekipit kanë sugjeruar se projekti përfshin elemente dramatike, romancë dhe momente të frymëzuara nga vetë eksperiencat e tyre të përbashkëta.

Ky është herën e parë që Luiz dhe Kiara sjellin një projekt artistik të përbashkët në formë filmi, duke e ngritur edhe më tej profilin e tyre si figurat publike që nuk ndalen së befasuari audiencën.

The post Filmi i Luiz Ejllit dhe Kiara Titos, konfirmohet data e publikimit në kinema appeared first on Albeu.com.

Begaj: Digjitalizimi i filmave kombëtarë, trashëgimi për brezat e rinj

17 November 2025 at 17:49

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj vizitoi sot Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Gjatë vizitës Begaj vlerësoi trashëgiminë kulturore audiovizuale, duke e cilësuar atë si pjesë të kujtesës kolektive që ndihmon në edukimin dhe formimin e brezave bazuar në historinë e vendit tonë.

“Është një memorie e kombit, ka të bëjë me identitetin, me mentalitetin, me ngjarjet, me emocionet e atyre njerëzve që kanë qenë shumë të përkushtuar, prandaj jam këtu për të shprehur mirënjohje për të gjithë këta njerëz, të cilët janë pasionantë dhe shumë të përkushtuar për trashëgimi tonë”, u shpreh Presidenti Begaj për gazetarët, mbi qëllimin e vizitës në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, të parën e një Kryetari Shteti në këtë institucion.

Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu, se filmat tanë kombëtarë janë mësues të heshtur për të rinjtë, përmes të cilëve ata kuptojnë të shkuarën dhe kanë mundësi të reflektojnë mbi të ndërsa ndërtojnë të ardhmen.

Një rëndësi të veçantë, sipas Presidentit Begaj, ka ruajtja dhe restaurimi i materialeve audiovizive historike.

Ndërsa vlerësoi punën e kryer nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Presidenti i Republikës shprehu mbështetje për shpëtimin e këtyre materialeve.

“Duhet të investojmë më shumë në digjitalizimin e pasurisë filmike që kemi trashëguar, për ta bërë të aksesueshme për brezat e rinj dhe studiuesit”, theksoi Presidenti Begaj gjatë bashkëbisedimit me drejtues e specialistë të këtij institucioni, si dhe kineastë nga Kosova.

Veç shkëmbimit të pikëpamjeve për rëndësinë e filmit kombëtar, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit u shfaq filmi me metrazh të shkurtër “117” i regjisorit Besim Sahatçiu, një material mbi vlerat e familjes shqiptare.

Me këtë rast, mbesa e regjisorit Sahatçiu, këngëtarja e famshme shqiptare Rita Ora, përcolli një përshëndetje të posaçme.

1 nga 5

/a.f/r.e/

The post Begaj: Digjitalizimi i filmave kombëtarë, trashëgimi për brezat e rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Filmi i ri “Christy” pati performancë të dobët në kinema, reagon Sydney Sweeney!

By: D Marku
13 November 2025 at 19:55

Aktorja e njohur amerikane, Sydney Sweeney, ka reaguar pas rezultateve të filmit të saj të fundit, “Christy”, një dramë biografike për boksieren e famshme, Christy Martin. Filmi, i cili u lansua më 7 nëntor në mbi 2,000 kinematë amerikane, arriti të fitojë 1.3 milion dollarë në javën e tij të parë të premierës, duke u renditur në vendin e 11-të mes filmave të tjerë të shfaqur atë fundjavë. Megjithatë, ndonëse shifrat nuk ishin ato që priteshin, audienca ka reaguar pozitivisht, me një vlerësim 99% në Rotten Tomatoes.

Në një postim emocionues në rrjetet sociale, Sweeney shprehu krenarinë e saj për këtë projekt dhe për ekipin që e krijoi atë. Ajo theksoi se ky film përfaqëson mbijetesën, guximin dhe shpresën dhe se ka ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për dhunën në familje. “Ky film është një nder i madh për mua. Jam krenare për këtë histori që treguam dhe për mundësinë për të përfaqësuar dikë si Christy Martin, një grua kaq e fortë dhe e qëndrueshme,” shkroi aktorja.

Sweeney beson se arti nuk është gjithmonë për shifra, por për ndikimin që lë tek të tjerët. Ajo e mbylli postimin duke falenderuar publikun për mbështetjen dhe duke shtuar se nëse filmi ka ndihmuar një grua të bëjë hapin e parë drejt sigurisë, atëherë ata e kanë arritur qëllimin e tyre.

“Christy” tregon historinë e boksieres Christy Martin, një gruaje që luftoi për t’u bërë një nga boksierët më të njohur në botë, duke sfiduar normat dhe presionet shoqërore.

The post Filmi i ri “Christy” pati performancë të dobët në kinema, reagon Sydney Sweeney! appeared first on Albeu.com.

Filmi ndërkombëtar horror “The Sixth” xhirohet tërësisht në Kosovë, paralajmërohet konferencë për media te Shpella e Gadimës

By: D Marku
6 November 2025 at 19:46

Kosova po bëhet sërish skenë e produksioneve ndërkombëtare me filmin e ri horror “The Sixth”, me regji nga Michael Caissie dhe producent Clayton Turnage nga Hollywoodi. Projekti është realizuar në bashkëpunim me kompaninë kosovare Kras Production dhe synon të promovojë vendin përmes bukurive natyrore dhe lokacioneve unike, duke treguar potencialin e Kosovës si destinacion për produksione ndërkombëtare.

Filmi është xhiruar tërësisht në Kosovë, duke përfshirë lokacione si Trepça, Prishtina dhe Shpella e Gadimes, dhe është pjesë e një serie projektesh të producentëve kosovarë që jetojnë në SHBA, Fitim dhe Fahri Krasniqi, të cilët vazhdojnë të sjellin projekte ndërkombëtare në vendin tonë.

“The Sixth” është një film i zhanrit horror që kombinon elemente dramatike dhe thriller me lokacione natyrore dhe historike të Kosovës, duke ofruar një eksperiencë tërheqëse vizuale dhe emocionale për audiencën ndërkombëtare. Ky projekt tregon edhe mundësitë e jashtëzakonshme që vendi ynë ofron për produksione të mëdha dhe të profilit të lartë.

Producentët kosovarë po bashkëpunojnë ngushtë me ekipin ndërkombëtar për të garantuar një standard të lartë të produksionit dhe për të krijuar një film që të shërbejë si promovim i Kosovës në skenën globale të kinemasë.

Për të ndarë më shumë detaje rreth filmit dhe përvojës së xhirimeve, ekipi i filmit ka planifikuar një konferencë për media, që do të mbahet më 7 nëntor në Shpellën e Gadimes, në Lipjan. Në këtë ngjarje do të prezantohen regjisorët dhe producentët, si dhe do të diskutohen sfidat dhe eksperiencat gjatë xhirimeve në Kosovë.

Filmi “The Sixth” synon të vendosë Kosovën në hartën e kinemasë botërore, duke treguar se vendi jonë mund të jetë një destinacion ideal për produksione ndërkombëtare dhe projekte artistike me profil të lartë.

The post Filmi ndërkombëtar horror “The Sixth” xhirohet tërësisht në Kosovë, paralajmërohet konferencë për media te Shpella e Gadimës appeared first on Albeu.com.

Rama: “Liri a Vdekje”, rivjen në cilësinë 4K, filmi i restauruar do t’i flasë brezave të rinj të kinemasë

By: berti
26 September 2025 at 16:09

Nga Albert Vataj Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale lajmin e rikthimit të filmit “Liri a vdekje” (1979) në versionin e restauruar 4K, duke e cilësuar si një vepër monumentale të kinemasë shqiptare. Ky film historik, që portretizon heroizmin e Çerçiz Topullit dhe luftën e Mashkullorës, vjen si një homazh i fuqishëm ndaj rezistencës për liri dhe pavarësi. Restaurimi i tij synon të…

Source

New York Times rekomandon filmin “Pikë uji”: Kinematografia shqiptare me sukses të madh ndërkombëtar

By: D Marku
21 September 2025 at 14:07

Prestigjiozja Amerikane NYT Përfshin Filmin e Robert Budinës në Listën e 5 Filmave Ndërkombëtarë për t’u Parë

New York Times ka përfshirë filmin “Waterdrop” (Pikë Uji) të regjisorit Robert Budina në listën prestigjioze të “Five International Movies to Stream Now”, duke i dhënë kinematografisë shqiptare një platformë që rrallë ka pasur në median prestigjioze amerikane.
Në artikullin e publikuar më 19 shtator 2025 nga kritikja Devika Girish, New York Times rekomandon filmin shqiptar bashkë me katër filma të tjerë ndërkombëtarë, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e kinematografisë botërore në një mënyrë të paprecedentë.

New York Times përshkruan filmin si një vepër që tregon “atmosferën e zymtë të korrupsionit” duke ndjekur historinë e Aida-s (Gresa Pallaska) dhe bashkëshortit të saj Ilir (Arben Bajraktaraj), të cilët “jetojnë në një pallat të lartë mbi qytetin e Pogradecit në Shqipëri, me dritare të mëdha xhami që ofrojnë një pamje mahnitëse të Liqenit të Ohrit.”

Kritikja e New York Times vlerëson veprën e regjisorit Robert Budina, duke thënë se “ai i mbështjell personazhet në një atmosferë të zymtë me ngjyra blu dhe gri dhe perspektiva të shtrembëruara, duke theksuar kalbëzimin e thellë që shtrihet nën sipërfaqen e jetëve të të pasurve dhe të fuqishmëve.”

Suksesi i New York Times vjen pas një sërë vlerësimesh pozitive nga publikimet më të respektuara të industrisë së filmit:

Variety – Një Dramë Kaptivuese

Variety e përshkroi filmin si “një dramë kaptivuese shqiptare” që eksploron “sistemin që krijon rrethana të tilla që lejojnë” personazhet e privilegjuar “ta afrojnë atë që bënë me indiferencën e privilegjuarve.”

Cineuropa – Një Akuzë e Fuqishme

Cineuropa e quajti filmin “një akuzë realiste të përfshirjes kolektive në sistemet patriarkale dhunore” dhe theksoi se “një pikë është e gjitha që nevojitet për të thyer digën.”

Rotten Tomatoes – Performanca e Përsosur

Kritikët e Rotten Tomatoes theksuan “performancën e fuqishme” të Gresa Pallaska-s, duke e quajtur “një grua shumë ambicioze që bëri atë që duhej të bënte për të pasur sukses dhe për të lulëzuar në qytetin e vogël shqiptar ku u rrit.”

Filmi është një bashkëpunim ndërkombëtar i prodhuar nga Erafilm e Shqipërisë, Redibis Film e Italisë, Avanpost e Rumanisë, Iliria Film e Kosovës dhe Manufaktura Production e Maqedonisë së Veriut me producente Sabina Kodra.

Siç ka thënë vetë regjisori Robert Budina: “Ne donim të kishim një lloj anatomie të shoqërisë sonë, por edhe të marrëdhënies që keni me familjen, karrierën, shoqërinë dhe politikën.” Filmi trajton tema universale por me një këndvështrim specifik shqiptar, duke eksploruar “sistemin toksik të dhunës mizogjine dhe lojës së pushtetit” në kontekstin e një shoqërie post-komuniste.

New York Times rekomandon shikimin e filmit në platformën Film Movement Plus, duke e bërë të aksesueshëm për audiencën amerikane dhe ndërkombëtare. Rekomandimi i New York Times për “Pikë Uji” përfaqëson një nga arritjet më të mëdha të kinematografisë shqiptare në dekada. Filmi i Robert Budina-s po hap rrugë të reja për artistët shqiptarë dhe po tregon se kinematografia kombëtare mund të konkurrojë me veprat më të mira botërore.

The post New York Times rekomandon filmin “Pikë uji”: Kinematografia shqiptare me sukses të madh ndërkombëtar appeared first on Albeu.com.

In Memoriam, Robert Redford (1936–2025): Kinematografia e pavarur amerikane i ka borxh mbretit të “Sundance”-it

17 September 2025 at 12:00


Nga: Adrian Horton / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Robert Redford, i cili vdiq të martën në moshën 89-vjeçare, me të drejtë do të mbahet mend si një nga aktorët kryesorë më të mirë të Holivudit, si një yll i vërtetë filmi dhe aktor i sigurt në vetvete i cili, për të cituar nënën time dhe me siguri shumë të tjerë, ishte “shumë, shumë i pashëm”. Interpretimet e tij ikonike - në filmat Butch Cassidy and the Sundance Kid, All the President’s Men, The Way We Were, The Sting dhe të tjerë - lanë padyshim gjurmë të pashlyeshme në kinemanë amerikane. Por, ndoshta ai duhet të mbahet mend më shumë për punën e tij pas kamerës, si bamirësi më i madh i kinemasë së pavarur amerikane.

Përmes festivalit të filmit Sundance dhe institut të tij jofitimprurës, Redfordi vuri në dispozicion famën dhe fondet e tij për kinemanë e pavarur amerikane dhe krijoi atë që edhe sot është shtylla më e qëndrueshme dhe më e fortë e mbështetjes së saj. Ai u dha hapësirë kineastëve të pavarur dhe novatorë në një treg të vrullshëm, duke ndihmuar në nisjen - për breza me radhë - të karrierës së regjisorëve të vlerësuar nga kritika. Me Sundance-in Redford luajti rolin e mentorit, mbështetësit, kampionit të të vegjëlve dhe të guximshmëve - ai ishte nuni bujar i kinemasë së pavarur. Pikërisht përmes Sundance-it - më shumë sesa filmave të tij - Redfordi u bë, siç e përshkroi themeluesi i faqes The Black List, Franklin Leonard (në platformën X), “ndoshta figura më me ndikim në industrinë e filmit amerikan gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit”.

Redfordi themeloi në vitin 1981 Institutin Sundance - i emërtuar sipas personazhit të tij në filmin e vitit 1969 - si një mënyrë për të mbështetur zërat që rrezikonin të mbetnin jashtë sistemit të studiove të Holivudit. Misioni kishte të bënte me zhgënjimin e vërtetë - të aktorit 44-vjeçar të asaj kohe - me industrinë e filmit. “E nisëm këtë pa ndonjë pritshmëri”, i tha Redfordi kritikut Roger Ebert në vitin 1981, në një nga edicionet e hershme të festivalit të filmit. “Nuk kam asnjë ide se në çfarë do të shndërrohet kjo. Ajo që di është se është gjithnjë e më e vështirë të shpërndash siç duhet filmin në këtë vend, përveç nëse ka potencialin të fitojë miliona dollarë”. Si një eksperiment alternativ, Redfordi ftoi 10 skenaristë që të zhvillonin skenarët e tyre me buxhet të vogël në një kabinë në malet Uasaç të Jutahut, aty ku ylli i tërhequr nga vëmendja kishte blerë tokë dhe kishte ndërtuar shtëpinë e vet.

Instituti i vogël Sundance u bë festival i vogël pasi në vitin 1984 Redfordi bleu festivalin e filmit që ishte në krizë, Utah/US. Deri në vitin 1989, kur filmi Sex, Lies and Videotape i Steven Soderberghut pati premierën në atë që tashmë ishte kthyer në një ngjarje vjetore në janar në Park-Siti, festivali i filmit Sundance (siç u riemërtua në vitin 1991) përfaqësonte pararojën krijuese. Disa nga filmat më me ndikim dhe më të qëndrueshëm të viteve ‘90 të shekullit XX dolën nga ky festival - si Reservoir Dogs, Before Sunrise dhe The Blair Witch Project, si dhe dokumentarët Hoop Dreams dhe Paris Is Burning.

Festivali ka ndërtuar reputacionin e një kanali për talente të ndryshme; regjisorë të njohur si Quentin Tarantino, Richard Linklater, Chloé Zhao, Ava DuVernay, Ryan Coogler, Nicole Holofcener, David O. Russell, Darren Aronofsky, dyshja Daniels dhe Celine Song janë mbështetur në një moment të hershëm të karrierës së tyre nga Sundance-i. Në vitin 2022, Coda, me regji nga Sian Heder dhe me një buxhet prej 10 milionë dollarësh, u bë filmi i parë që debutoi në festival dhe fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë. “Coda erdhi në vëmendjen e të gjithëve falë Sundance”, shkroi në platformën X aktorja kryesore e filmit, Marlee Matlin. “Dhe, Sundance-i ndodhi falë Robert Redfordit”.

Krahas filmave të guximshëm artistikë dhe jashtë rrjedhës, festivali është kthyer edhe në destinacionin kryesor për dokumentarët që përballen me çështje të vështira. Bumi i transmetimeve me dokumentarë, në një farë mënyre, nisi në festivalin e vitit 2017, kur Netflix-i bleu Icarus-in - një film për skandalin rus me doping, që më pas fitoi çmimin Oscar, të parin për Netflix-in - atëherë për një shumë mbresëlënëse prej pesë milionë dollarësh. Për disa vjet me radhë pas kësaj, festivali u bë një treg tërheqës për dokumentarë - të mëdhenj e të vegjël. Yjet si Taylor Swift, Brooke Shields dhe Michael J. Fox debutuan me filmat për veten në Jutah; dokumentarët për figurat si Christopher Reeve, lideri opozitar rus Alexei Navalny dhe Hillary Clinton krijuan titujt ndërkombëtarë dhe u shitën për shuma gjithnjë e më të mëdha. Megjithëse tregu është sot më i vakët, festivali mbetet një inkubator për dokumentarë me rëndësi aktuale - këtë vit pati filma për ligjet “vija në rërë” [Stand-your-ground] në Floridë, burgjet e tmerrshme në Alabama dhe ndalimet e librave në shkollat amerikane - si dhe pretendentë për çmime. Dokumentarët e mbështetur nga instituti kanë fituar gjithsej 20 çmime Oscar; të gjithë këta, përveç njërit nga nominimet për dokumentarin më të mirë vitin e kaluar, debutuan në festival.

Duke qenë në qendër të vëmendjes, me këtë vijnë edhe personazhet e famshme dhe, me ta, turmat, sponsorët dhe influencerët. Duke filluar nga viti 2010, festivali është bërë edhe sinonim për të famshmit me rroba trendi të dimrit, radhë të gjata dhe lokale të përkohshme të markave të njohura, po aq sa edhe me filmin e pavarur. Pas viteve me sfida logjistike - për çfarë dikur tërhiqte vetëm disa qindra dashamirës të kinemasë, ndërsa sot sjell mbi 85 mijë vizitorë në çdo janar - festivali njoftoi më herët këtë vit se do të zhvendoset më 2027 në Bolder të Kolorados.

Megjithatë, instituti ka mbetur besnik ndaj misionit themelues të Redfordit. Sipas Sundance-it, më shumë se 11 mijë artistë, në fillim të karrierës, kanë marrë mbështetje - që nga themelimi - në formën e granteve, laboratorëve, programeve intensive, mentorimeve dhe bursave. Unë personalisht njoh kineastë dhe skenaristë që kanë aplikuar për laboratorin që është konsideruar si maja e mentorimit për fazën e hershme të karrierës - një shenjë miratimi dhe besimi. Dhe, që nga themelimi i programit për amerikanët autoktonë dhe komunitetet indigjene në vitin 1994, organizata jofitimprurëse ka mbetur një prej mbështetësve kryesor të talentit indigjen në film - një talent që për shumë kohë është injoruar nga Holivudi institucional. Grantet, laboratorët dhe komuniteti i këtij programi kanë ndihmuar në nisjen e karrierave të emrave si Chris Eyre (filmi i të cilit Smoke Signals pati premierën në vitin 1998), Sterlin Harjo dhe Taika Waititi të Reservation Dogs.

Në vitet e mëvonshme, Redfordi shpesh shprehte pakënaqësi për komercializimin e festivalit të cilit i kushtoi gati gjysmën e jetës; “Dua që marketingu gllabërues - markat e vodkës, njerëzit e çantave me dhurata dhe paris-hiltonat - të zhduken një herë e mirë”, i tha një gazetari gjatë festivalit të vitit 2012. Është e vërtetë që festivali nuk është më ai rebeli ikonoklastik që ishte dikur dhe se çdo vit prodhon disa filma imitues të Sundance-it - drama të lehta, me skenar të dobët, peizazhe të bukura dhe dritë natyrale. Por, ndikimi i Sundance-it - në kohë, në hapësirë, në mentorim, para dhe komunitet - është i paçmueshëm për peizazhin e kinemasë amerikane. Qëllimi i Redfordit, siç e tha në fjalimin e tij në Oscar-in e nderit të vitit 2002, ishte “të sigurohej që liria e shprehjes artistike të mbështetej dhe të mbetej gjallë”. Me 40 vjet udhëheqje në Sundance, Robert Redford ka bërë më shumë se shumica për ta siguruar këtë. /Telegrafi/

Sonte hap siparin “Kino Kosova”: 5 net me filma shqip në Bernë

By: KultPlus
10 September 2025 at 12:59

Për pesë ditë do të shfaqen mbi 30 filma dokumentarë e artistikë, nga Kosova, Zvicra dhe diaspora. Portugalia është vendi mysafir i festivalit.

Sonte bëhet hapja e festivalit “Kino Kosova”, në Bernë. Është edicioni i gjashtë i këtij festivali i cili, me çdo edicion të ri po shënon rritje në sasi dhe në cilësi.

Kësaj here, filmdashësit do të kenë rastin që për pesë ditë ose mbrëmje, të shohin mbi 30 filma të përzgjedhur, dokumentarë e artistikë, të metrazhit të shkurtë e të gjatë, nga Kosova, Zvicra dhe diaspora. Vend mysafir i festivalit këtë vit do të jetë Portugalia. Krahas filmave do të ketë edhe debate, koncerte dhe ekspozita të arteve pamore.

Albinfo.ch edhe kësaj here është sponsor medial i festivalit.

Edicioni i gjashtë i “Kino Kosovës” zhvillohet nga 10 (sonte) deri më 14 shtator nën temën “Sense of Purpose”, që pasqyron tensionin midis ndjenjës së humbjes dhe gjetjes së forcës, duke sfiduar audiencën të reflektojë mbi rolin e artistit dhe komunitetit artistik në kohë të trazuar, shkruan albinfo.ch.

Drejtori artistik, Sabahet Meta, thekson se festivali synon të krijojë hapësira ku publiku mund të gjejë frymëzim dhe të ndjejë lidhjen me ngjarjet kulturore dhe politike në vend dhe botë.

Në program janë përfshirë filma nga regjisorë kosovarë si Samir Karahoda, Norika Sefa, Ilir Hasanaj, Ibër Deari, Besim Ugzmajli, Florenc Papas, Belkis Bayrak, Aulona Fetahaj, si dhe një numër filmash nga Portugalia, mysafire e këtij edicioni, në kuadër të programit “Close-up: Portugal”. Zgjedhja e saj lidhet drejtpërdrejt me misionin që ka Kino Kosova: të trajtojë përmes filmit temat e migrimit, identitetit dhe përvojave të përbashkëta njerëzore, duke nxitur dialogun ndërkulturor. Pastaj, Kosova dhe Portugalia ndajnë një histori të rëndësishme në raport me Zvicrën. Të dy komunitetet kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të çmuar në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të vendit,  realitet që pasqyrohet edhe në kinematografinë e tyre.

Në Bernë do të takohen zërat e rinj të kinemasë kosovare me realizmin poetik të kinemasë portugeze. Programi i vendit mysafir është kuruar nga Cíntia Gil, e njohur për punën e saj në festivalin prestigjioz Doclisboa.

Eksplorimi i temave që lidhen me identitetin kulturor

Festivali gjithashtu përfshin programin “Swiss Shorts” dhe projektin “Re-Connect”, bashkëpunim mes artistëve të rinj nga Kosova dhe Zvicra për të eksploruar tema si identiteti, trashëgimia kulturore, demokracia dhe të drejtat e njeriut.

Muzika shqiptare është e pranishme me performanca nga Agona Sporta, ndërsa ekspozita e artistit Yll Xhaferi dhe dy panele diskutimi përforcojnë temën e festivalit.

“Kino Kosova” nuk është thjesht një festival filmi; ai funksionon si një platformë që lidh komunitetin shqiptar me atë zviceran, duke trajtuar çështje shoqërore, kulturore dhe politike dhe duke nxitur dialogun ndërkulturor.

Në këtë edicion publiku do të ketë mundësinë të shohë premierat zvicerane të filmave “Luna Park” dhe “Everybody Calls Redjo”.

Programi i Filmave

Edicioni i këtij viti sjell mbi 30 filma artistikë dhe dokumentarë, të gjatë e të shkurtër, që eksplorojnë ekuilibrin mes shpresës për një të ardhme më të mirë dhe sfidës për t’u përballur me realitetin.

Në një program të veçantë do të prezantohen edhe filma të shkurtër zviceranë, të kuruar nga John Canciani, drejtor artistik i festivalit Kurzfilmtage Winterthur.

Adriana Matoshi, në fokus të festivalit

Në qendër të vëmendjes është aktorja kosovare Adriana Matoshi, e njohur për rolet e saj në filma si Zana, The Marriage, Aga’s House dhe Cold November (aktualisht në Netflix), vepra që janë shfaqur në pesë vitet e fundit në Kino Kosova. Ndërsa në këtë edicion do të shfaqen dy filma me pjesëmarrjen e saj: “Luna Park” dhe “Everybody Calls Redjo”, që do të kenë premierën e tyre zvicerane në Kino Kosova./ Albinfo.ch/ KultPlus.com

Nis Festivali i Filmit të Shkurtër ‘KO:SH 2025’

By: KultPlus
10 September 2025 at 09:37

Prej sot e deri më 13 shtator, në qytetin e Korçës do të zhvillohet Festivali i Filmit të Shkurtër KO:SH Film Fest 2025.

Tema e këtij viti është “Zhvendosja”, qoftë e shkaktuar nga lufta, mungesa e demokracisë, vështirësitë ekonomike apo korrupsioni sistemik, një çështje e cila po formëson jetët e miliona njerëzve anembanë botës.

KO:SH Film Fest është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinematografisë në rajon. Gjatë pesë ditëve të festivalit, do të shfaqen 81 filma nga 40 vende të botës, duke e kthyer Korçën në një qendër të vërtetë të artit dhe kulturës ndërkombëtare.Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep Watc

Aktivitetet do të zhvillohen në Kinema Majestic, Galerinë e Arteve Digjitale Korçë, Bibliotekën e Korçës dhe Qendrën Rinore Korçë.

Vendi në fokus këtë vit është Bullgaria, dhe një program i kuruar nga “In The Palace Short Film Festival”, që do të shfaqet sonte ne mbrëmje. Në program janë 6 filma të shkurtër bullgarë. Programi për fëmijë do të përfshijë shfaqje filmash, punëtori dhe masterklasa, ku fëmijët e moshave të ndryshme do të kenë mundësinë të marrin pjesë.

Gjithashtu, gjatë ditëve të KO:SH Film Fest 2025 do të organizohen edhe seanca diskutimesh mbi tema të ndjeshme, duke e bërë këtë edicion një hapësirë gjithëpërfshirëse për të gjithë.

Bashkia Korçë ftoi të gjithë qytetarët dhe vizitorët të bëhen pjesë e këtyre ditëve të mbushura me art, kulturë dhe diskutime frymëzuese, shkruan atsh.

Me “Ngryk” të Ilirjan Himaj sonte do të fillojë edicioni i 17-të i PriFest 

By: KultPlus
9 September 2025 at 13:22

Edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë paraqet kategorinë e filmave artistik  me metrazh të gjatë nga Ballkani ku vjen speficikisht me 6 filma që rrëfejnë histori prekëse dhe dramatike për lirinë, identitetin dhe dashurinë.

Festivali do të ketë përzierje premierash botërore, rajonale dhe vendore për të përcjellur energjinë e shpirtit të kinemasë.

Përveç filmit “Ngryk” nga regjisori Ilirjan Himaj – Kosovë dhe Shqipëri, garojnë në kategorinë kryesore të “PriFest” edhe filmat:

 Emily” nga Ajola Daja- Shqipëri;

 “The pavilion” nga Dino Mustafiq- Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni e    Veriut, Serbi dhe Mali i Zi;

 “Eternity Package” nga Magdelena Ilieva- Bullgari dhe Itali;

 “Burri i shtëpisë” nga Andamion Murataj- Shqipëri, Itali, Austri, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut;

 “Cycle” nga Erkan Tahhuşoğlu-, Turqi dhe Kosovë.

Sikurse edicionet e fundit, edhe këtë vit, PriFest do të mbahet në Kino Armata. Cermonia e këtij edicioni fillon në ora 19:00, kurse festivali do të zgjasë deri më 14 shtator./ KultPlus.com 

Një univers paranormal, si të shihni sipas radhës filmat e ‘The Conjuring’ deri te ‘Last Rites’

By: Kult Plus
7 September 2025 at 21:30

“The Conjuring: Last Rites” debutoi në kinema më 5 shtator. Patrick Wilson dhe Vera Farmiga u rikthyen në rolet e Ed dhe Lorraine Warren, çiftit të famshëm të hetuesve paranormalë.

“Last Rites” është pjesa e fundit e sagës që nisi në vitin 2013 me “The Conjuring”, i cili tregonte historinë e një familjeje të përndjekur nga fantazmat e cila ndihmohet nga çifti. Përveçse një film i frymëzuar nga figura të njohura paranormale, filmi prekte disa ngjarje të vërteta dhe rastësi të çuditshme shoqëruan xhirimet.

Ndërsa frika shfaqej në ekran dhe jashtë saj, “The Conjuring” grumbulloi mbi 320 milionë dollarë në arkën globale. Nga ai moment, kanë vijuar një seri prodhimesh të tjera të ndërlidhura me të si “Annabelle” (2014) dhe “The Nun” (2018) që së bashku përbëjnë universin e “The Conjuring”.

Në shtator të vitit 2023, “The Nun II” pushtoi kinematë. Në tërësi janë 10 prodhime të realizuara brenda këtij universi filmik që ka grumbulluar një komunitet besnik admiruesish. Nëse po mendoni të shihni “Last Rites” apo thjesht të (ri)shihni gjithë filmat e tjerë, ju tregojmë radhën që duhet të ndiqni.

The Nun (2018)

Edhe pse doli pesë vite pas “The Conjuring”, është kronologjikisht filmi i parë. Ngjarjet ndodhin në Rumaninë e vitit 1952 ku murgesha demon Valak endet në korridoret e një manastiri të largët. Demoni që njihet më shumë si “murgesha”, u shfaq për herë të parë në “The Conjuring 2” dhe shkurtimisht në “Annabelle: Creation”.

Annabelle: Creation (2017)

Shfaqet pak në filmin “The Conjuring”, por kukulla e pushtuar Annabelle u kthye shpejt në një objekt të preferuar për shkak të buzëqeshjes së frikshme dhe origjinës së saj, bazuar në histori të vërtetë. Filmi tregon sesi kukulla u pushtua nga djajtë: një grup vajzash jetime çlirojnë gabimisht një ligësi të lashtë…dhe duhet të luftojnë për jetën e tyre.

The Nun II (2023)

Katër vite pas “The Nun”, pjesa e dytë tregon historinë e motrës Irene, e mbijetuara e vetme që jep mësim në një shkollë me konvikt në Francë. Valak e gjen sërish dhe asaj i duhet të mbrojë nxënësit.

Annabelle (2014)

Në fillim të “The Conjuring”, çifti Warren prezanton kukullën, e cila në të vërtetë gjendet në muzeun e tyre me objekte paranormale. Filmi, i cili u kthye në hit, tregon se në vitin 1967 Annabelle torturoi një çift dhe vajzën e tyre të sapolindur.

The Conjuring (2013)

Filmi është bazuar në një histori të vërtetë të një ferme të pushtuar në Rhode Island. Në film, çifti i hetuesve paranormalë shkojnë të ndihmojnë familjen Perron e cila përballet me ngjarje të çuditshme në shtëpinë e tyre, në vitin 1971. Më pas, ngjarjet përshkallëzojnë në një pushtim të plotë demoniak dhe trupa që fluturojnë në ajër.

Annabelle Comes Home (2019)

Në 1972, çifti Warren largohet për një hetim tjetër dhe punësojnë një dado që të kujdeset për vajzën e tyre, Judy, në shtëpinë ku ndodhet edhe Annabelle. Nuk do shumë dhe Annabelle ia mbath duke thirrur djaj të tjerë. Judy dhe dadoja duhet të luftojnë shpirtrat e ligj dhe të mos pushtohen prej tyre.

The Curse of La Llorona (2019)

Është film që nuk lidhet shumë me të tjerët dhe bazohet në legjendën meksikane të La Llorona, një fantazme hakmarrëse që mbyt fëmijët. Lidhja e vetme e këtij filmi me të tjerët është prifti Perez, i cili shfaqet edhe te “Annabelle”. Filmi nis në vitin 1673 me zanafillën e legjendës dhe më pas ngjarjet vendosën në Los Anxhelesin e 1973-shit, ku Anna përfshihet në ca ngjarje misterioze.

The Conjuring 2 (2016)

“The Conjuring 2” ishte gjithashtu i bazuar në një histori të vërtetë për një familje në periferi të Londrës, vajza e së cilës pushtohet nga demonët. Në të vërtetë, çifti Warren e hetoi këtë ngjarje dhe deklaroi se panë orendi që lëviznin dhe zëra jashtë trupave. Në film, ngjarjet zhvillohen në vitin 1977 dhe pas pushtimit është Valak, por jashtë ekranit kishte shumë skeptikë për këtë ngjarje e cila njihet si Poltergeisti i Enfield.

The Conjuring: The Devil Made Me Do It (2021)

Ngjarjet ndodhi  në vitin 1981 dhe lidhen me gjyqin e vërtetë të Arne Cheyenne Johnson, i cili vrau shefin e bashkëshortes. Një vit më parë, çifti Warren e kishte takuar Johnson ndërsa përpiqeshin të nxirrnin një djall jashtë trupit të një djali të vogël që ai njihte. Gjatë ekzorcizmit, Johnson iu vetëofrua djallit që ai të largohej nga trupi i vogëlushit. Më pas, ai nisi të sillej çuditshëm dhe të përkeqësohej duke arritur të vriste. Ngjarja vazhdon të ketë vëmendje mediatike dhe është trajtuar në kronika të veçanta dhe librin “The Devil in Connecticut” të Gerald Brittle.

The Conjuring: Last Rites (2025)

Filmi më i ri ndodh në vitin 1986 kur çifti Warren është gati të heqë dorë nga hetimi i ngjarjeve paranormale, por një familje ka nevojë për ndihmën e tyre dhe s’mund t’i kthejnë kurrizin. Filmi bazohet te një ngjarje që përfshin një çift në jetën e vërtetë, Janet dhe Jack Smurl, të cilët thanë se një prani demoniake po lëndonte familjen e tyer, madje thanë se po sulmonte seksualisht Jack./KultPlus.com

Ndërpritet shfaqja e filmit ‘Lejleku’ në Podgoricë, reagon edhe BE

By: Kult Plus
7 September 2025 at 19:50

Filmi “Lejleku” i regjisorit Isa Qosja, i cili mori pjesë në festivalin e filmit Xhada në Podgoricë, u ndërpre derisa po shfaqej për publikun në mjedis të hapur më 3 shtator.

Bajrush Kajtazi producent i filmit përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se shfaqja e filmit u ndërpre për shkak të pakënaqësive të shprehura zëshëm nga një grup personash ende të panjohur, të cilëve, siç thuhet, u pengoi fakti që filmi ishte në gjuhën shqipe.

“Ky është një akt i turpshëm dhe i papranueshëm, por fakti që Lejleku ngjalli reagime kaq të forta tregon fuqinë e tij: ky film hap dialog, sfidon tabutë dhe prek plagë që disa përpiqen t’i fshehin”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka thënë se si producent, thotë me krenari se Lejleku do të vazhdojë rrugëtimin e tij në festival, kinematë dhe hapësirat kulturore të rajonit dhe të Evropës.

“Ky film është dëshmi se arti shqip ka zë, ka dinjitet dhe ka mbështetje të forte ndërkombëtare dhe ky zë nuk do të heshtet kurrë, ka shkruar Kajtazi.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe zyra e BE-së në Podgoricë duke thënë se “liria e shprehjes artistike është një nga vlerat thelbësore të demokracisë”./KultPlus.com

❌
❌