TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar njoftoi se opozita do të riparaqesë në Kuvend amendamentin për vendosjen e minimumit jetik, të cilin e cilësoi si “të domosdoshëm, në kushtet e rritjes së çmimeve dhe rënies së fuqisë blerëse”.
Berisha theksoi se situata ekonomike në vend është përkeqësuar ndjeshëm dhe se sipas tij, një ndër faktorët kryesorë ka qenë kursi i këmbimit.
“Zhvlerësimi i euros me 30-35% ka falimentuar mijëra ndërmarrje eksporti, ka shkatërruar dhjetëra-mijëra vende pune dhe ka futur prodhimin industrial në recension”, deklaroi ai.
Kreu i PD-së argumentoi se rritja e të ardhurave në buxhet nuk lidhet me rritje të prodhimit, por me rritje të çmimeve.
“Taksat nuk vijnë se është rritur prodhimi. Taksat rriten se rriten çmimet dhe grabiten xhepat e qytetarëve”, u shpreh ai, duke shtuar se edhe prodhimi bujqësor ka rënë.
Berisha kritikoi edhe sistemin fiskal dhe rregullat e importit, të cilat sipas tij ndikojnë negativisht tek prodhuesit vendas.
“Shqipëria me rregullat e Ballkanit të Hapur dhe me TVSH-në asimetrike i favorizon prodhimet e importit. Kjo është arsyeja pse bie prodhimi vendas”, tha ai.
Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it, Berisha vuri në dukje se kontributi i akomodimeve, shërbimeve dhe profesioneve të lira në ekonomi ka rënë ndjeshëm.
“Nga viti 2023 në 2024 ka rënie drastike të kontributit të turizmit dhe shërbimeve. Profesionet e lira kanë rënë nga 10-12% në vetëm 1%”, theksoi ai.
Berisha theksoi se minimumi jetik është masa më urgjente për të mbrojtur qytetarët.
“Me këtë rritje çmimesh, është e domosdoshme që minimumi jetik të jetë mbi 200 euro. Minimumin jetik nuk e kompenson asnjë lloj rritje tjetër”, deklaroi ai.
Sipas tij, çmimet në vend janë aktualisht shumë më të larta se mundësia e qytetarëve për t’i përballuar.
“Eurostati tregon se çmimet janë deri 17% mbi mesataren e BE-së, ndërsa rrogat janë 4 deri në 5 herë më të ulëta. Në këto kushte, çdo ditë për qytetarët është më e vështirë”, theksoi Berisha.
Ai e konsideroi amendamentin për minimumin jetik si prioritetin kryesor të opozitës në diskutimet për buxhetin 2026.
“Vendosja e minimumit jetik do të jetë beteja jonë në parlament. Është hapi i parë dhe më i domosdoshëm për mbështetjen e qytetarëve”, përfundoi Berisha.
Berisha, e cilësoi buxhetin e vitit 2026 si “një piramidë mashtrimi dhe vjedhjeje ndaj qytetarëve shqiptarë”, duke argumentuar se rritja ekonomike mbi të cilën mbështetet buxheti nuk është reale, por e nxitur nga rritja e çmimeve.
Berisha tha se të dhënat e fundit të INSTAT-it tregojnë “efektin shkatërrimtar të karteleve të drogës mbi ekonominë”.
“Ky buxhet është një piramidë mashtrimi. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se rritja ekonomike ka kontribut minorance nga ekonomia reale”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, për herë të parë pas më shumë se tri dekadash, rritja ekonomike mbështetet kryesisht te kontributi i shtetit.
“Për herë të parë në dy vite, shteti është kontributori kryesor, jo për shkak të prodhimit publik, por sepse rrogat, pensionet dhe sigurimet mbajnë një administratë të fryrë, ndërsa rritja e tyre është fiktive”, theksoi ai.
Ai u ndal edhe te të ardhurat nga taksat, duke theksuar se rritja e tyre nuk vjen nga rritja e prodhimit, por nga çmimet më të larta.
“Çdo rritje çmimi rrit automatikisht taksën. Nëse çmimi i qumështit kalon nga 2 në 4 euro, TVSH e mbledhur nga e njëjta sasi dyfishohet. Kjo nuk është rritje ekonomike, por barrë mbi qytetarët”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së theksoi se rritja e çmimeve po e dobëson fuqinë blerëse.
“Nga viti 2023 deri në 2025, me 200 euro merr më pak seç merrje tre vite më parë me 160 euro. Rritja e çmimeve sipas Eurostat-it është 1% mbi mesataren e BE-së, ndërsa në ushqime arrin në 17%”, deklaroi ai.
Berisha iu referua edhe një studimi të publikuar së fundmi, duke thënë se çmimet në Shqipëri janë shumë më të larta se në vendet e BE-së.
“Një ekspert i pavarur me reputacion ka nxjerrë se çmimet në Shqipëri janë 85% më të larta se mesatarja e BE-së. Unë e besoj studimin e tij”, u shpreh ai.
Sipas tij, kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe rivlerësim të mënyrës sesi hartohet buxheti.
Berisha, u ndal edhe te çështja e emigracionit dhe njoftimet për ngritjen e 28 qendrave të reja pritjeje në vend.
Ai paralajmëroi se Shqipëria po rrezikon një krizë të thellë demografike dhe kërkoi që të ndërmerren politikat e para për ripopullimin e vendit.
Berisha tha se PD do të paraqesë në parlament “elementët bazë të platformës për ripopullimin e Shqipërisë”, duke theksuar se situata demografike është alarmante.
“Nëse nuk bëhen hapat e parë dhe nuk mbështeten financiarisht, ne po ecim drejt një humnere kombëtare. Edhe nëse fillohet këtë vit, duhen 30 deri në 50 vite për t’u rikthyer në nivelin e vitit 2013”, u shpreh ai.
Lidhur me njoftimet për ngritjen e 28 qendrave të reja pritjeje, Berisha kërkoi transparencë dhe ngriti shqetësime mbi ndikimin e tyre.
“Shndërrimi i Shqipërisë në autostradë emigrantësh është një barbari mbi vetë emigrantët. Është dorëzim i këtyre njerëzve në duart e grupeve kriminale më të rrezikshme në Europë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se mungesa e informacionit publik për këtë proces e bën situatën edhe më shqetësuese.
“Nuk është bërë asnjë transparencë. Kjo i ekspozon emigrantët ndaj rreziqeve serioze dhe cenon sigurinë”, theksoi Berisha.
Kreu i PD-së paralajmëroi se çdo politikë që synon zëvendësimin e popullsisë vendase është e rrezikshme.
“Nëse synohet të zëvendësohen shqiptarët që largohen, ky është një rrezik ekzistencial për vendin”, tha ai, duke theksuar se vendi ka nevojë urgjente për politika që nxisin lindshmërinë.
Sipas të dhënave demografike, Berisha u shpreh se situata është e paprecedentë.
“Lindshmëria është sot në nivelet e 100 viteve më parë. Sipas INSTAT-it dhe OKB-së, është ndër treguesit më të ulët në botë, kryesisht për shkak të emigracionit”, përfundoi ai.
/gj.m/r.e/
The post Berisha: Do të riparaqesim në parlament amendamentin për minimumin jetik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.