Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 December 2025Main stream

Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar drejt BE-së

29 December 2025 at 20:02

PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar një ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, ku partia e tij doli e para nga ky proces.

Kryeministri në detyrë, Kurti theksoi se ardhmja e Kosovës është e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian (BE), raporton KosovaPress.

Kurti në platformën X, ka falënderuar të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuan që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe pa incidente.

“Dje, populli i Kosovës na dha edhe një herë një mandat të fuqishëm. Është gjithmonë një nder të fitosh besimin e popullit, veçanërisht kur kjo vjen pas kryerjes së mandatit të parë të plotë në historinë e vendit. Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuan për të siguruar që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe i zhvilluar pa incidente. Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, vendet individuale dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin progresin demokratik të Kosovës. Një falënderim i veçantë për partitë tona simotra dhe lëvizjen më të gjerë progresive, ndërsa ne angazhohemi për të ndërtuar shoqëri ku dinjiteti dhe mirëqenia e popullit janë në qendër. E ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian”, shkruan Kurti.

Pas procesimit të rezulateve paraprake në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49,30% të votave.

/KosovaPress/

The post Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Kushtetuese përgënjeshtron deklaratat mbi pezullimin e vendimeve ndaj zv.kryeministres Balluku

29 December 2025 at 20:15

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Gjykata Kushtetuese përgënjeshtroi sot deklaratat publike lidhur me procedurën dhe rezultatin e votimit për pezullimin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Posaçme, që lidhen me masën “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj zëvendëskryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta”, thuhet në një deklaratë për mediet.

Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026 do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

“Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi”, citohet deklarata.

Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.

/r.e/

The post Gjykata Kushtetuese përgënjeshtron deklaratat mbi pezullimin e vendimeve ndaj zv.kryeministres Balluku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VIDEO/ Humbi tragjikisht të vëllain, Gjesti reagon për herë të parë

By: M C
29 December 2025 at 16:17

Këngëtari Gjesti është bërë i “gjallë” në rrjete sociale. Ai ka reaguar për herë të parë me zë e figurë që pas ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të vëllait të tij, Elidion Kelmendi.

Gjesti falenderon të gjithë ndjekësit dhe jo vetëm, që i kanë qëndruar afër në periudhën më të vështirë të tij. Gjesti thekson se në Janar të vitit 2026 do t’i rikthehet muzikës, aty ku ai thotë se e ka vendin.

“Përshëndetje të gjithëve. Shpresoj të jeni mirë. Uë bë kohë që nuk jam parë. Ju falenderoj që më keni qëndruar afër mua dhe familjes time në këtë periudhë të vështirë.

Ka qenë e rëndësishme që këtë kohë të rrija larg rrjeteve sociale, të merresha me veten dhe familjen time. Ju kam pasur në mendje dhe zemër siç më keni pasur ju mua.

Ju uroj vitin e ri të gjithëve. Të keni shëndet, lumturi dhe familje, të tjerat bëhen. Dua t’iu tregoj se në vitin 2026, në Janar i kthehem muzikës, aty ku e kam vendin. Ju dua! Faleminderit shumë!”-shprehet Gjesti në videon e publikuar.

VIDEO

The post VIDEO/ Humbi tragjikisht të vëllain, Gjesti reagon për herë të parë appeared first on Albeu.com.

OSHEE: Shpërthimi në Shkodër nuk lidhet me boksin e matësve të energjisë

29 December 2025 at 12:43

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka reaguar lidhur me ngjarjen në Shkodër, ku një person humbi jetën pas një shpërthimi në një pallat.

Në reagimin zyrtar, OSHEE bën me dije se, “sipas informacioneve paraprake, shpërthimi nuk ka ndodhur si pasojë e boksit të matësve të energjisë elektrike”.

Strukturat teknike kanë kryer verifikimet e para në terren dhe se nga të dhënat fillestare nuk rezulton që shkaku i shpërthimit të jetë i lidhur me pajisjet e matjes së energjisë.

Reagimi vjen pasi në raportimin e policisë për ngjarjen thuhet se në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësve të energjisë elektrike. /j.p/

The post OSHEE: Shpërthimi në Shkodër nuk lidhet me boksin e matësve të energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

PARIS – Macron: Vajtojmë B.B legjendën e shekullit

28 December 2025 at 11:58

PARIS, 28 dhjetor /ATSH-AFP/ – Brigitte Bardot, e cila vdiq sot në moshën 91-vjeçare dhe që njihej ndryshe edhe me inicialet B.B, mishëroi një jetë të lirë dhe ne po vajtojmë një legjendë të shekullit, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Filmat e saj, zëri i saj, fama e saj verbuese, inicialet e saj, hidhërimet e saj, pasioni i saj bujar për kafshët…, Brigitte Bardot mishëroi një jetë të lirë”, shkroi Macron.

”Një ekzistencë franceze, një shkëlqim universal. Ajo na preku. Ne vajtojmë një legjendë të shekullit”, shtoi ai.

Një yll global, një ikonë femërore e kinemasë dhe një avokate e pasionuar për të drejtat e kafshëve, e njohur për deklaratat e saj kontroverse: aktorja franceze Brigitte Bardot ka vdekur në moshën 91-vjeçare, shumë kohë pasi u tërhoq nga fama dhe bota e filmit.

“Fondacioni ‘Brigitte Bardot’ njofton me trishtim të madh vdekjen e themelueses dhe presidentes së saj, Brigitte Bardot, aktores dhe këngëtares me famë botërore, e cila zgjodhi të hiqte dorë nga karriera e saj prestigjioze për t’i kushtuar jetën dhe energjinë e saj mirëqenies së kafshëve dhe Fondacionit të saj”, tha fondacioni në një deklaratë.

Aktorja, e njohur për rolet e saj në “Dhe Zoti krijoi gruan” dhe “Përçmim”, vdiq të dielën në mëngjes në rezidencën e saj të famshme, La Madrague, në Saint-Tropez, në jug të Francës./  a.jor.

The post PARIS – Macron: Vajtojmë B.B legjendën e shekullit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fëmija 3 vjeç konfirmohet me fruth, Toçi për ATSH: Situata, jo alarmante

26 December 2025 at 20:17

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Një fëmijë është konfirmuar me fruth në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Burime pranë MSHMS, konfirmuan se ky rast është paraqitur që në datën 22 dhjetor në spitalin e Pediatrisë, me temperaturë shumë të lartë dhe i pavaksinuar, por rasti është hetuar epidemiologjikisht dhe ndjekur nga ISHP.

Sipas MSHMS-së, nga dy raste me simptoma, vetëm njëri rast është fruth, ndërsa rasti tjetër nuk është konfirmuar i tillë.

Hetimi epidemiologjik i ndjekur nga ISHP ka konfirmuar diagnozën e fruthit për këtë fëmijë që është i moshës 3 vjeç.

Prof. Asoc. Dorina Toçi, drejtoreshë e Përgjithshme e ISHP-së, tha sot për ATSH-në se situata e fruthit në vend nuk është aspak alarmante dhe nuk ka vend për panik. Sipas Toçit, raste të konfirmuara me fruth ka pasur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, madje në 2025 ka pasur më pak raste se vitet e kaluara.

Deputeti i PS,  Erjon  Braçe u bën thirrje prindërve që të mos e ndërpresin kalendarin e vaksinimit kundër fruthit, ndërsa thekson se rrymat antivaksinë në media apo rrjetet sociale duhet të braktisen.

“Fëmijët janë të pavaksinuar, për fruthin po e po, por edhe për sëmundje të tjera; Është tre vjeç por kalendari i vaksinimit të tyre është ndërprerë që në muajin e gjashtë, prindërit nuk e kanë ndjekur më kalendarin e vaksinimit të tyre. Fruthi është pasoja e parë. Unë nuk e di sa i gjerë është fenomeni, po kam frikë se pas pandemisë dhe fushatës agresive kundër vaksinimit me konotacion të gjerë, ndalja nga prindërit të kalendarit të vaksinimit ka marrë përmasë“, tha Braçe.

Vatra më e fundit me fruth në Shqipëri ishte ajo e këtij fillimviti në Fier me 10 fëmijë nga mosha 4-9 vjeç  ndërsa tre të tjerë u identifikuan në Vaun e Dejës, Lezhë dhe Tiranë ku ISHP konfirmoi gjithsej 12 raste, të gjithë të pavaksinuar. Mbulesa vaksinale me dozën e parë të vaksinës ndaj fruthit gjatë kësaj periudhe ra në 73% ndërsa me dy doza në  87% në shkallë vendi.

/e.i/j.p/

The post Fëmija 3 vjeç konfirmohet me fruth, Toçi për ATSH: Situata, jo alarmante appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Familja e Fjollës me reagim publik: Një grua që ka kaluar sfida të mëdha në jetë!

By: gaze tare
22 December 2025 at 12:37

Familjarët dhe mbështetësit e këngëtares Fjolla Morina kanë reaguar me një deklaratë të fortë pas zhvillimeve të fundit brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova. Ata shprehen shqetësimin e tyre për mënyrën se si është trajtuar këngëtarja gjatë disa momenteve të fundit, duke e konsideruar gjuhën dhe sulmet ndaj saj si të papranueshme dhe jashtë çdo norme respekti.

Në reagimin e tyre publik, ata kujtojnë se Fjolla nuk është thjesht një banore e reality show, por një artiste dhe nënë që ka kaluar sfida të mëdha në jetë. Sipas familjarëve, çdo sulm ndaj dinjitetit të saj prek edhe ata dhe komunitetin e saj të mbështetësve jashtë shtëpisë së BBVK-së.

Një pjesë e deklaratës u drejtohet direkt organizatorëve të programit, me kërkesën për një reagim të menjëhershëm dhe masat e nevojshme për të parandaluar përdorimin e gjuhës ofenduese dhe sulmeve personale ndaj banorëve. Ata theksojnë se një emision me audiencë të madhe ka përgjegjësinë të vendosë standarde të qarta për komunikimin dhe respektin brenda shtëpisë.

Familjarët dhe mbështetësit e Fjollës shprehin vendosmërinë për të mos heshtur dhe për të mbrojtur integritetin e këngëtares gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj në BBVK. Ata nënvizojnë se respekti nuk është opsional, por një detyrim për të gjithë, duke paralajmëruar se do të qëndrojnë të bashkuar dhe vigjilentë për çdo situatë që mund të cenojë figurën dhe dinjitetin e saj.

The post Familja e Fjollës me reagim publik: Një grua që ka kaluar sfida të mëdha në jetë! appeared first on iconstyle.al.

Teuta: Lojtarët tanë u dhunuan nga tifozët dhe lojtarët e Flamurtarit, ndeshja nuk duhej vijuar

20 December 2025 at 13:52

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Klubi Sportiv Teuta e konsideron një skandal hyrjen e tifozëve në fushë gjatë sfidës së luajtur mbrëmjen e të premtes mes Flamurtarit dhe skuadrës durrsakë, e cila u ndërpre për rreth 30 minuta.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes, që mbylli ditën e parë të javës së 17-të të Superligës, në minutën e 69’, pas një përplasjeje mes një lojtari të Flamurtarit dhe një lojtari të Teutës, në fushë hynë tifozët e tribunës përballë, të cilët goditën lojtarët “miq”.

Gjyqtari ndaloi lojën, duke e rifilluar pas largimit të tifozëve nga stadiumi. Në një reagim për mediat, Teuta publikoi edhe pamje nga incidenti dhe kërkoi masa të ashpra nga FSHF.

“Një ngjarje e paprecedentë dhune u regjistrua në Vlorë, në ndeshjen Flamurtari–Teuta, ku futbollistët e ekipit tonë u dhunuan barbarisht nga lojtarët kundërshtarë dhe tifozët vlonjatë. KF Teuta kërkon të informojë publikun për dhunën që ndodhi në stadiumin e Flamurtarit, ku Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht nga lojtarët e Flamurtarit dhe më pas nga tifozët që mësynë fushën në minutën e 69-të”, thuhet në njoftim.

“Ky episod tronditi lojtarët, të cilët kaluan në një gjendje shoku psikologjik, por çuditërisht delegati i ndeshjes, Armando Mandro, kërkoi që loja të vazhdonte dhe i kërkoi policisë të boshatiste tribunën përballë (C). KF Teuta insistoi se ekipi nuk mund të vazhdonte ndeshjen, pasi ishte në gjendje të rënduar psikologjike, por delegati vendosi që ndeshja duhej të vazhdonte, pa u marrë parasysh dhuna e paprecedentë në fushë”, vijon njoftimi.

KF Teuta nënvizoi se ndeshja u kthye në “ferr” dhe lojtarët nuk ishin të gatshëm për të luajtur futboll.

“KF Teuta disponon edhe një video tjetër ku tifozët e Flamurtarit nuk u larguan nga stadiumi, por shkuan në tribunën pas porte. KF Teuta kërkon nga FSHF-ja që të merren masat për këtë ngjarje të rëndë dhe të zbardhet dinamika e saj. Urojmë që skena të tilla të mos përsëriten, pasi njollosin futbollin shqiptar”, thuhet në njoftim.

Sfida mes Flamurtarit dhe Teutës, që u luajt dje në stadiumin e Vlorës, përfundoi në barazim 2-2. Ndeshja ofroi emocione deri në sekondat e fundit. Ndeshja u ndërpre kur rezultati ishte 1-0 në favor të Teutës, ndërsa pas rifillimit vlonjatët përmbysën rezultatin, por pa arritur të marrin tri pikë, pasi Teuta barazoi gjithçka në sekondat e fundit.

/e.i/a.f/r.e/

The post Teuta: Lojtarët tanë u dhunuan nga tifozët dhe lojtarët e Flamurtarit, ndeshja nuk duhej vijuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Analiza e investimeve të huaja nuk duhet të kufizohet vetëm te mediat

20 December 2025 at 10:45

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, reagoi sot ndaj nismës së qeverisë për të kryer një analizë të burimeve të investimeve të huaja në vend.

Përmes një videomesazhi, Tabaku u shpreh se ky është një legjislacion që pak muaj më parë e ka propozuar në parlament, ndërkohë që sipas saj në nismën e propozuar nga qeveria “djalli ndodhet në detaje”.

Tabaku tërhoqi vëmendjen për dy elementë kryesorë të kësaj nisme ligjore. Së pari, ajo nënvizoi se analizë e sigurisë së burimeve të kompanive që do të vijnë këtu në Shqipëri do ta bëjë vetë qeveria, që sot zyrtarisht është nën akuzë dhe nën hetim si grup i strukturuar kriminal.

“Së dyti kjo analizë do të fokusohet vetëm tek medie. Po çfarë do të ndodhë me gjithë sektorët e tjerë, me infrastrukturën, me energjinë, me teknologjinë e informacionit? A do të hetohen, do të analizohen investitorët e huaj që vijnë në këto sektorë?”, u shpreh Tabaku.

Ajo mori si shembull projektin e fundit që qeveria po zhvillon për sa i përket kamerave “smart city”.

“Cilët janë nënkontraktorët dhe si do të sigurohemi ne që këta investitorë që po vijnë janë nga burime dhe vende të sigurta. Pra, një grup i cili zyrtarisht është nën akuzë si grup i strukturuar kriminal, përveçse të dhënave të gjendjes civile, e-Albania, dosjeve hetimore, mund të ketë nesër edhe këto të kamerave të qytetarëve”, tha ajo.

Ky, sipas Tabakut, është një problem i jashtëzakonshëm sepse lidhet jo vetëm me një angazhim për procesin e integrimit dhe për një ligj që na duhet për procesin e integrimit për analizën e investimeve të huaja, por lidhet edhe me një detyrim, me norma, standarde dhe vlera që duhet të ketë Shqipëria.

/a.f/

The post Tabaku: Analiza e investimeve të huaja nuk duhet të kufizohet vetëm te mediat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – A do ta bëjë marrëveshja amerikane TikTok-un më të sigurt, por më pak të rëndësishëm?

19 December 2025 at 22:28

UASHINGTON, 19 dhjetor /ATSH/ – Pronari kinez i TikTok-ut, ByteDance, ka nënshkruar një marrëveshje me investitorët për të drejtuar biznesin e tij në SHBA, sipas BBC.

Por, çfarë do të thotë kjo për mbi 170 milionë amerikanë (ose të paktën kështu pretendon platforma e mediave sociale) që përdorin aplikacionin?

Çelësi mund të qëndrojë në mënyrën se si menaxhohet algoritmi i rekomandimeve të TikTok-ut – sistemi i fuqishëm që kuron faqen “Për ty” të platformës për të parashikuar përmbajtjen që mund të shikoni – kur ajo ndërron duar.

Eksperti i industrisë së mediave sociale, Matt Navarra, i tha BBC-së se pyetja nuk do të jetë nëse TikTok do të mbijetojë, por “cili version i TikTok do të mbijetojë”.

Aktualisht, sistemi i TikTok varet nga sasi të mëdha të dhënash globale, të cilat mund të ndryshojnë rekomandimet në një çast.

Sipas kushteve të marrëveshjes, algoritmi i TikTok-ut, i cili do të licencohet nga investitori Oracle, do të ritrajnohet në të dhënat e përdoruesve amerikanë.

Navarra tha se kjo mund ta bëjë aplikacionin të ndihet “më i sigurt dhe më i fortë”, por gjithashtu e lë atë në rrezik të “bëhet më pak thelbësor nga ana kulturore” si rezultat.

“Fuqia e TikTok ka ardhur gjithmonë nga ndjesia paksa jashtë kontrollit – përmbajtje e çuditshme, e veçantë, e pakëndshme, ndonjëherë politikisht e mprehtë për këdo tjetër ose para se të shkojë diku tjetër”, tha ai.

“Nëse filloni t’i zbutni ato, nuk ndryshoni vetëm moderimin. Mendoj se ndryshoni rëndësinë e tij”, theksoi ai.

Nëse versioni amerikan do të ndryshojë nga TikTok që shumë njerëz e njohin dhe e përdorin tashmë, mund të varet gjithashtu nëse ai merr “të gjitha veçoritë e reja, përditësimet e sigurisë dhe përmirësimet e platformës” sapo të marrë versionin ndërkombëtar, tha gazetari i teknologjisë Will Guyatt për BBC.

Dhe ekspertja e informatikës, Kokil Jaidka nga Universiteti Kombëtar i Singaporit tha se priste që gjërat që e bëjnë platformën popullore – të tilla si videot e saj të shkurtra dhe blerjet – ka të ngjarë të “qëndrojnë të paprekura” pasi këto veçori nuk varen nga algoritmi.

Ajo tha se ndryshimet mund të jenë më delikate dhe graduale, varësisht nëse të dhënat më të ngushta të versionit amerikan “të izoluar” mund të përputhen me shtrirjen globale të aplikacionit.

“Nëse TikTok operon me një version të licencuar ose pjesërisht të holluar të algoritmit të tij të rekomandimeve, disa nga pikat e verbëra të sistemit mund të fillojnë të kenë më shumë rëndësi”, tha ajo./ a.jor.

The post FOKUS – A do ta bëjë marrëveshja amerikane TikTok-un më të sigurt, por më pak të rëndësishëm? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Dhuna nuk është alternativë politike, ligjet nuk i bëjnë flakadanët

18 December 2025 at 13:38

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu reagoi sot pas seancës plenare me tensione në Kuvend, duke theksuar se mazhoranca ka përmbushur detyrimin kushtetues për të votuar ligje në shërbim të qytetarëve, pavarësisht përpjekjeve për bllokim të punimeve.

“Sot në Kuvend bëmë atë që qytetarët na kanë ngarkuar: të votonim ligje, duke debatuar e duke miratuar ligje që u shërbejnë atyre, për ekonominë e tyre, për mbrojtjen sociale dhe zhvillimin e vendit tonë”, u shpreh Gogu në reagimin e tij.

Ministri kritikoi ashpër sjelljen e opozitës, duke theksuar se seanca nuk u shoqërua me debate parlamentare apo përplasje argumentesh, por me akte dhune dhe kaosi.

Ai nënvizoi se mazhoranca e ka bërë të qartë që në fillim të sesionit parlamentar se dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë alternativë politike.

“Dhuna nuk është alternativë politike dhe ne nuk do rrimë as ta dëshmojmë; kaosi nuk e zëvendëson votën e shqiptarëve dhe flakadani nuk bën dot ligje. Ligjet i bëjnë njerëzit”, tha ai.

Sipas ministrit, projektligjet u miratuan sepse shteti nuk mund të ndalet dhe nuk mund të dorëzohet përballë papërgjegjshmërisë.

“Kjo opozitë është e dëshpëruar për një protestues më shumë ditën e hënë, për një kamerë më shumë. Për këtë është gati të djegë Kuvendin e shqiptarëve. Kur nuk bind dot me ide, përpiqet të imponohet me dhunë dhe me tym”, u shpreh Gogu.
.
Në fund të reagimit, ministri theksoi se mazhoranca ka zgjedhur një rrugë tjetër. “Ne kemi zgjedhur ligjet, punën dhe shërbimin për qytetarët. Ata kanë zgjedhur sherrin në ekran, ne zgjedhim vendimet për shqiptarët”, tha ai, duke shtuar se Parlamenti është shtëpia e demokracisë dhe nuk mund të kthehet në skenë dhune.

“Debati bëhet me fjalë, ku përplasen idetë. Vendimet merren me votë. Kështu ndërtohet shteti serioz dhe kështu mund të ecë Shqipëria përpara”, përfundoi Gogu.

/m.m/j.p/

The post Gogu: Dhuna nuk është alternativë politike, ligjet nuk i bëjnë flakadanët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ZYRTARE/ Përleshje fizike në stërvitje, klubi i Flamurtarit, përjashton përfundimisht kapitenin

By: M C
17 December 2025 at 20:05

Përpos formës së dobët dhe mungesës së rezultateve në Superiore, te ekipi i Flamurtarit ka ndodhur një ngjarje e paprecedentë.

Në stërvitjen e sotme, futbollistët Idriz Batha dhe Cristian Nunez kanë debatuar me tone të ashpëra dhe më pas situata ka degraduar në konflikt fizik.

Nuk ka vonuar reagimi i Flamurtarit. Klubi vlonjat ka marrë vendimin ekstrem përmes njoftimit në rrjetet sociale, ndërprerjen e kontratës me Idriz Bathën, të cilit i ishte besuar edhe shirit i kapitenit. Ja njoftimi i plotë:

“Deklaratë zyrtare: Për shkak të ngjarjes së paprecedentë të ndodhur gjatë seancës stërvitore të datës 17.12.2025, Flamurtari Football Club ndërpret në mënyrë të menjëhershme bashkëpunimin me lojtarin Idriz Batha. Për Klubin tonë fanella, respekti dhe disiplina janë mbi të gjitha!”

The post ZYRTARE/ Përleshje fizike në stërvitje, klubi i Flamurtarit, përjashton përfundimisht kapitenin appeared first on Albeu.com.

U tha se në fundvit priten temperatura -20°C, reagon Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

17 December 2025 at 10:03


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar pas parashikimit të motit që bëri një ditë më parë menaxheri i Departamentit meteorologjik në Ofruesi e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (KANS), Sherif Gosalci.

Sipas reagimit të bërë në rrjetin social në Facebook thuhet se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, është i vetmi institucion që mund të bëjë njoftime të tilla bazuar në ligjin Ligjin Nr. 06/L -035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike, Neni 13 Sistemi i paralajmërimit të hershëm për ngjarjet e jashtëzakonshme hidrometeorologjike, neni 28 Lëshimi i informacionit të përgjithshëm meteorologjik dhe hidrologjik.

“Neni 9, pika 2 mes tjerash thuhet: Parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive të mundshme natyrore me origjinë hidrometeorologjike për Republikën e Kosovës jepet nga IHMK dhe janë ekskluzivitet i IHMK-së. Andaj çdo supjekt apo individ tjetër që bënë njoftim, parashikim apo paralajmërim për motin, fillimisht është i jashtëligjshëm e më pas jo preofesional dhe shkenctarisht i pa drejtë”, thuhet në reagim.

Sipas IHMK-së standardet e parashikimit të motit përfshijnë rregullat globale të Organizats Botrore Meteorologjike (OBM) për të dhënat, terminologjinë dhe saktësisë, me besueshmri të lartë (80%+) për parashikimet afatshkurtra (1-3 ditë) dhe saktësi në rënie për periudha më të gjata, duke përdorur kode dhe kritere të standardizuara.

“Shërbimet Hidrometeorologjike Nacionale janë institucionet kompetente për vrojtime dhe Paralajmërime të Hershme të motit. Matja e elementëve kryesorë atmosferikë si temperatura, presioni, era, lagështia, reshjet dhe mbulesa e reve, duke përdorur mjete si satelitë, radarë dhe sensorë tokësor. Parashikuesit më pas i analizojnë këto kushte aktuale me modele moti dhe modele historike për të parashikuar gjendjet e ardhshme, duke lëshuar alarme (vëzhgime, paralajmërime, këshilla) bazuar në nivelet e besimit dhe pragjet specifike të rrezikut”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Rama: Do të përgatitemi për të mbajtur qëndrim të drejtë ndaj kërkesës së SPAK për Ballukun

16 December 2025 at 17:05

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot pasi Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) i kërkoi autorizimin Kuvendit për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kryeministri u shpreh se “pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zëvendëskryeministren – me burg ose në shtëpi”.

“Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur sesa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standardet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se “nuk do ta paragjykojë kërkesën e prokurorit special”, ndërsa siguroi se “do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”.

“Por, sigurisht që në rastin në fjalë ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, u shpreh Rama.

/m.m/j.p/r.e/

The post Rama: Do të përgatitemi për të mbajtur qëndrim të drejtë ndaj kërkesës së SPAK për Ballukun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj dënon sulmin terrorist: Shqipëria në solidaritet të plotë me Australinë

14 December 2025 at 17:54

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me sulmin terrorist të ndodhur në Bondi Beach, Australi, duke e dënuar atë me forcë dhe duke shprehur solidaritetin e Shqipërisë me popullin australian.

Kreu i Shtetit shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave të pafajshme dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit, duke theksuar se akte të tilla dhune janë të papranueshme dhe cenojnë vlerat themelore njerëzore.

Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Australinë në luftën kundër terrorizmit dhe urrejtjes.

“Dënoj me forcë sulmin terrorist në Bondi Beach, Australi. Ngushëllime familjeve të viktimave të pafajshme, shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria është në solidaritet të plotë me Australinë kundër terrorizmit dhe urrejtjes”, shkruan Presidenti në reagimin e tij.

SIDNEJ – 12 të vdekur në një plazh pas të shtënave në një festë hebraike, policia vret sulmuesit

/a.f/

The post Begaj dënon sulmin terrorist: Shqipëria në solidaritet të plotë me Australinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Reflektim ndërinstitucional për garantimin e suksesit të Reformës në Drejtësi

14 December 2025 at 17:16

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X pas sqarimit publik të Byrosë Kombëtare të Hetimit lidhur me episodin e ndodhur në ambientet e Kryeministrisë.

Në reagimin e tij, Kryeministri sqaron se kritika e bërë prej tij nuk kishte të bënte me armëmbajtjen pa leje, por me, siç e cilëson ai, “padijen etike dhe ligjore” që i shtyu hetuesit  e BKH të tentonin të hynin në ambientet e Kryeministrisë të armatosur.

“Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!

Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.”, shkruan Rama.

“Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re”, shkroi Rama.

Në përfundim, Rama bën thirrje për një reflektim serioz, profesional dhe ndërinstitucional, me synimin për të garantuar suksesin e Reformës në Drejtësi.

“Gjithsesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur të nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, tha Rama.

/e.xh/a.f/

 

The post Rama: Reflektim ndërinstitucional për garantimin e suksesit të Reformës në Drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Gjyqtarët kërkojnë nga Kushtetuesja rritje page nga 1600 deri në 3100 euro

9 December 2025 at 15:51

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama komentoi sot kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 euro mbi aktualen.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama sqaroi se në fakt se kjo është kërkesa e magjistratëve dhe këshilltarëve të zakonshëm.

Ndërsa ata të GJKKO-së dhe SPAK-ut, sipas kryeministrit kërkojnë rritje rroge me 3100 euro, për të marrë si përfundim paga prej 9230 eurosh në muaj.

“Mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në Republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh! Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj”, u shpreh Rama.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

“S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen!

Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në Republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh!

Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj.

Si ka mundësi?!

Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?!

Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve?!

/m.m/r.e/

The post Rama: Gjyqtarët kërkojnë nga Kushtetuesja rritje page nga 1600 deri në 3100 euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Strazimiri: Kandidatët për Avokatin e Popullit nuk kanë mbështetjen e PD

9 December 2025 at 12:45

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri bëri të ditur sot se grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka tërhequr mbështetjen për cilindo nga kandidatët në garë për Avokatin e Popullit, ndaj sipas tij, asnjë prej kandidatëve nuk plotëson kushtet për të vijuar garën.

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ku po shqyrtohet plotësimi i kushteve ligjore për kandidatët që kanë marrë mbështetjen me jo më pak se 28 firma për vendin vakant të Avokatit të Popullit, Strazimiri theksoi se deputetët e PD-së kanë tërhequr mbështetjen për secilin prej kandidatëve në garë.

“Nëse merrni parasysh këtë, asnjëri prej kandidatëve nuk e ka mbështetjen sipas kushteve të nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, madje edhe sikur të llogarisësh vetëm firmat e grupit parlamentar të PS-së”, tha ai.

Duke iu drejtuar kryetarit të komisionit Ulsi Manja, Strazimiri i kërkoi që të informojë komisionin që “firmat e deputetëve të PD-së nuk mund të llogariten sepse ka tërhequr mbështetjen për të gjithë kandidatët”.

Po ashtu, Strazimiri theksoi se një deputet nuk mund të mbështesë më tepër se një kandidat në garë.

“Shkelet kushti që një deputet duhet të mbështesë vetëm një kandidat. Ndaj jemi në pikën zero dhe asnjë nga kandidatët nuk i plotëson kushtet që kemi vendosur në mbledhjen e datës 17 nëntor”, tha Strazimiri.

Pas qëndrimit të deputetit Strazimiri, Komisioni i Ligjeve votoi me 9 vota pro dhe 3 kundër kalimin në seancë plenare të raportit me gjashtë kandidatë për Avokat të Popullit. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja theksoi se në raport do të jetë edhe qëndrimi i deputetëve të Partisë Demokratike për tërheqjen e firmave dhe do të jetë seanca plenare që do të duhet të shprehet për këtë qëndrim.

/a.f/r.e/

The post Strazimiri: Kandidatët për Avokatin e Popullit nuk kanë mbështetjen e PD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama-gjyqtarëve: Gaboni nëse mendoni se do të mbyll gojën, funksioni im u godit në pavarësinë e vet

9 December 2025 at 12:52

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve lidhur me deklaratat për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukut nga GJKKO.

Duke iu përgjigjur Shoqatës së Gjyqtarëve e cila ngre pretendimin për “presion” ndaj Gjykatës Kushtetuese, Rama kujtoi se nuk mund të mbyllë gojën edhe kur është vetë palë në një gjyq kushtetues, kur është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës.

Nga ana tjetër, Rama bëri të ditur se “Shoqata e Gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 eurosh plus pagës aktuale, të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre”.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu:

Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta – madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.

Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milion shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.

Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.

Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.

Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia.

/m.m/a.f/r.e/

The post Rama-gjyqtarëve: Gaboni nëse mendoni se do të mbyll gojën, funksioni im u godit në pavarësinë e vet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmanit iu montuan foto me politikanë serbë, Presidenca: Policia të marrë masa

PRISHTINË, 9 dhjetor/ATSH/ Presidenca e Kosovës ka reaguar lidhur me një fotografi të manipuluar e cila po qarkullon në rrjetet sociale.

Në reagimin zyrtar theksohet se fotoja e montuar me kryeparlamentaren e Serbisë, Ana Bërnabiç dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, “është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani”.

“Një fotografi e manipuluar dhe e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale po qarkullon në rrjete sociale, me qëllim të vetëm, denigrimin e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe ushqimin e narrativave të fabrikuara që u shërbejnë agjendave të huaja. Kjo pamje është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet, përkushtim dhe integritet institucional, mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, thuhet në reagimin për mediet.

Presidenca thekson se përdorimi i materialeve të rreme për ta goditur Presidenten është jo vetëm i ulët, por edhe i rrezikshëm.

“Këto tentime për përhapje të dezinformatave nuk janë të rastësishme dhe janë pjesë e një fushate të mirorganizuar që synon të baltosë Presidenten e Republikës”.

Presidenca i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj këtyre dezinformatave, “të cilat jo vetëm cenojnë sigurinë publike, por përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për institucionet dhe për stabilitetin e vendit. Përhapja e dezinformatave të tilla duhet të trajtohet me seriozitet maksimal”.

/r.e/

The post Osmanit iu montuan foto me politikanë serbë, Presidenca: Policia të marrë masa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌