TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Që prej datës 1 shtator, ka nisur fushata kombëtare e depistimit falas për kontrollin e qafës së mitrës. Kitet e testimit janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore në vend, ku të gjitha gratë e vitlindjeve 1975-1985 mund ta bëjnë kontrollin falas.
Prof. asc. Dorina Toçi, përgjegjëse e sektorit të sëmundjeve kronike pranë Institutit të Shëndetit Publik, tha për ATSH-në se deri tani janë kryer 3500 depistime, por deri në fund të vitit pritet të kryhen më shumë se 7000 depistime.
“Qëllimi kryesor i fushatës së depistimit për kancerin e qafës së mitrës është të parandalojë dhe të ulë ndjeshëm incidencën dhe vdekshmërinë nga kjo sëmundje, përmes zbulimit sa më të hershëm të infeksionit HPV dhe lezioneve parakanceroze, përpara se ato të shndërrohen në kancer invaziv. Në Shqipëri, ky program është pjesë e Programit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit dhe synon të krijojë një sistem të qëndrueshëm parandalimi, krahas vaksinimit HPV. Më shumë se 60 000 gra e kanë kryer ekzaminimin që nga fillimi i programit, me një mbulesë depistimi prej më shumë se 40%”, tha Toçi.
Programi i depistimit në Shqipëri përfshin gratë e moshës 40-50 vjeç dhe të gjitha testet e depistimit primar e ekzaminimet e mëtejshme sigurohen falas në pikën e kujdesit, pavarësisht nga fakti nëse pacientët janë të përfshirë ose jo në skemën e sigurimit shëndetësor.
“Gratë thirren në mënyrë aktive nga mjeku i familjes dhe infermierja e lagjes, nëpërmjet listës së popullatës të regjistruar në qendrat shëndetësore. Paralelisht, ISHP dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale zhvillojnë fushata informuese publike përmes mediave dhe rrjeteve sociale, për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës. Shërbimi është falas, i integruar në kujdesin parësor dhe pa nevojë për referime të komplikuara. Në bazë të kornizës teknike të programit kombëtar të depistimit, qendrat shëndetësore ftojnë gratë për t’u testuar sipas udhëzimeve”, vijoi ajo.
Depistimi rekomandohet çdo 5 vjet për gratë 40–50 vjeç, nëse rezultati është negativ, ndërkohë Pap Testi, i cili vijon të praktikohet në disa mosha të tjera apo te gratë që kanë rezultuar HPV pozitive, rekomandohet çdo 1-3 vjet.
“Teksa të gjithë kanceret e tjerë në Shqipëri kanë shënuar rritje, numri i rasteve të reja nga kanceri i qafës së mitrës është pakësuar me mesatarisht 2,5% në vit. Në periudhën 2015-2019 regjistroheshin mbi 125 raste të reja në vit, ndërkohë që në 2024 u regjistruan vetëm 101 raste. Depistimi i kancerit të qafës së mitrës me testin HPV ka potencialin të parandalojë rastet e kancerëve, nëse gratë HPV pozitive monitorohen sistematikisht dhe format parakanceroze trajtohen në kohë”, vijoi mjekja Toçi.
Depistimi kryhet në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor, nën mbikëqyrjen e mjekut të familjes dhe infermierëve të trajnuar për marrjen e mostrës cervikale.
“Ky është një ndryshim thelbësor nga praktika e mëparshme, kur gratë duhej të shkonin vetëm tek gjinekologu. Gruaja mund ta marrë vetë mostrën, edhe në kushtet e shtëpisë, e udhëzuar nga personeli shëndetësor, bazuar në instruksionet që dërgon çdo vit ISHP. Vetëm në rastet kur testi rezulton pozitiv ose kërkohet ekzaminim shtesë, gruaja referohet në qendrat e specializuara për kolposkopi. Kjo e bën programin më të aksesueshëm dhe efikas”, tha Toçi.
Mjekja Toçi u ndal edhe te vaksina HPV, si një formë parandalimi primar për zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës. “Ajo mbron nga llojet më onkogjene të virusit, që janë përgjegjës për rreth 70% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës. Në Shqipëri, vaksina është pjesë e kalendarit kombëtar dhe u ofrohet vajzave 13 vjeç. Qëllimi afatgjatë është që, së bashku me depistimin, vaksina të çojë drejt eliminimit të kancerit të qafës së mitrës si sëmundje e parandalueshme”, pohoi ajo.
Mjekja tha se në edukimin e grave dhe vajzave për kujdes ndaj shëndeti riprodhues, ka shumë faktorë që ndikojnë. Mes tyre, nevojitet një qasje e integruar edukimit shëndetësor në shkolla, sensibilizim i prindërve, trajnim i mjekëve të familjes, gjinekologëve, stafit shëndetësor dhe mësuesve në shkolla dhe përdorimi i platformave digjitale dhe rrjeteve sociale për të çuar mesazhe të thjeshta, të besueshme dhe të kuptueshme nga të rinjtë.
Nga ana e saj, mjekja obstetre-gjinekologe, dr. Evis Binaj, pranë Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, tha për ATSH-në se “rreziku i kancerit të qafës së mitrës rritet me kalimin e moshës, duke prekur kryesisht gratë mbi 35 vjeç”.
“Shumica e rasteve diagnostikohen te gratë nën 60 vjeç, dhe faktori kryesor i rrezikut është infeksioni i qëndrueshëm me virusin e papilomës humane (HPV). Kontrolli i rregullt i qafës së mitrës midis moshave 25 dhe 64 dhe vaksina HPV janë mënyrat më të mira për të ulur rrezikun”, tha ajo.
Sipas Binajt, përmirësimi i metodave të kontrollit ka bërë që të diagnostikohen në kohë dhe të trajtohen lezionet prekanceroze para se të avancojnë në kancer, si të bëhet zbulimi i kancerit në stade të hershme, kur është akoma i mjekueshëm.
Disa nga shenjat e hershme që duhet t’i drejtojnë gratë te mjekët, sipas Binajt janë “hemorragjia vaginale, sekrecionet hemoragjike jashtë ciklit, hemorragji vaginale postmenopauzale, dhimbjet pelvike, etj.”.
“Ka tre opsione testesh të rekomanduara për kapjen e lezioneve prekanceroze, të cilat mund të zhvillohen në kancer të qafës së mitrës: Pap test, HPV test, ko-testi që kombinon të dyja teknikat bashkë. Tashmë, HPV testi ofrohet falas në çdo qendër shëndetësore për gratë e moshës 40-50 vjeç që nga 1 shtatori, ndërsa Pap Testi ofrohet në spitalet universitare obstetrike-gjinekologjike”, pohoi Binaj.
“Rekomandohet që kontrolli i kancerit të qafës së mitrës të fillojë në moshën 21-vjeçare, me mundësi të ndryshme për gratë e moshës 30-65 vjeç, duke përfshirë testim të HPV çdo 5 vjet. Për moshën 21-29 vjeç, Pap testi rekomandohet çdo 3 vjet. Një ekzaminim gjinekologjik është një procedurë e shpejtë dhe zakonisht jo e dhimbshme, megjithëse disa gra mund të ndiejnë parehati ose shqetësim të lehtë. Zgjat 5-10 min. Vetëmarrja e një mostre në kushte shtëpie për testimin e HPV-së, mund të jetë një zgjedhje e preferuar për gratë, gjë që ka treguar se është po aq e besueshme, sa mostrat e mbledhura nga personeli shëndetësor”, cilësoi Binaj.
Mjekja Binaj tha se “kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm dhe i trajtueshëm, nëse kapet herët”, ndërsa e mbyll me një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat: Shkoni për kontroll gjinekologjik dhe bëni PAP Testin ose testin HPV sipas rekomandimit të mjekut, sepse kujdesi për veten nuk është luks, është nevojë. Vaksino fëmijën tënd. Kontrollo veten. Bëhu shembull. Një kontroll i thjeshtë sot mund të të shpëtojë jetën”.
/e.i/r.e/j.p/
The post Toçi dhe Binaj për ATSH-në: 60 mijë gra kontroll falas për kancerin e qafës së mitrës, ulje e rasteve me 2,5% në vit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.