FOKUS – Edhe Gjermania shqyrton ndalimin e medias sociale për fëmijët
BERLIN, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman për Çështjet Digjitale, Karsten Wildberger, ka shprehur hapur miratimin e tij ndaj një ndalimi të medias sociale për fëmijët si ai në Australi.
“Mund të shoh shumë merita në këtë. E konsideroj çështjen e një kufizimi moshe më shumë se të justifikuar”, tha ai.
“Pra, tani pyetja është se si t’u mundësojmë atyre të kenë një zhvillim të shëndetshëm, siç kishin pasur brezat e mëparshëm pa median sociale?”, shton ai.
Wildberger, ish-kreu i konglomeratit të madh të dyqaneve të teknologjis MediaMarktSaturn, është ministri i parë i çështjeve digjitale në Gjermani.
Ndalimi i medias sociale i Australisë për ata nën moshën 16 vjeç hyri në fuqi më 10 dhjetor dhe që atëherë ka nxitur diskutime në shumë vende nëse duhet ta ndjekin.
Ligji australian e bën të paligjshëm që ata nën moshën 16 vjeç të mbajnë llogaritë e tyre në shumë platforma të medias sociale.
Canberra tha se synon të mbrojë të rinjtë nga ngacmimi kibernetik, përdorimi problematik dhe përmbajtja shqetësuese.
Studimet, raportet dhe vëzhgimet tregojnë se sa thellë ndërhyjnë mediet sociale në zhvillimin e të rinjve.
Duke iu referuar një komisioni ekspertësh të emëruar nga qeveria gjermane për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve në Epokën Digjitale, Wildberger tha se duhet të ketë një diskutim mbi moshën e duhur që të rinjtë të angazhohen në mediet sociale.
Paneli i akademikëve dhe praktikuesve, të cilët vijnë pjesërisht nga fushat e mjekësisë dhe shërbimeve të mbrojtjes së të rinjve, filloi punën e tij disa muaj më parë dhe pritet të zhvillojë rekomandime deri në verë. Kjo përfshin, ndër të tjera, kufizimet e mundshme të moshës, si dhe çështjen shumë të debatuar të ndalimit të telefonave celularë në shkolla./ /os/
The post FOKUS – Edhe Gjermania shqyrton ndalimin e medias sociale për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.