Mbrëmjen e djeshme, një tragjedi në familje ka ndodhur në Lezhë, ku një 42-vjeçar u gjet i pajetë në dyqanin e tij me vegla pune.
Policia njofton se shtetasi A. M., 42-vjeç, banues në fshatin Lalm, Lezhë, ka vdekur dhe dyshohet se vdekja ka qenë natyrale.
Por, nëna e tij, kur ka mësuar lajmin e rëndë,në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet se ka varur veten. Ajo u gjet e pajetë nga familjarët në ambientet e banesës në fshatin Lalm i Ri, Lezhë.
Lezhë/Informacion paraprak:
Rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme, në lagjen Gurra, Lezhë, në dyqanin e tij me vegla pune, është gjetur pa shenja jete shtetasi A. M., 42-vjeç, banues në fshatin Lalm, Lezhë. Nga veprimet e para hetimore nuk janë konstatuar shenja dhune dhe paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Ndërkohë, dyshohet se nëna e tij, shtetasja P. M., 72-vjeçe, pas marrjes së lajmit për humbjen e jetës së djalit të saj, në gjendje të rënduar psikologjike, dyshohet se ka varur veten e cila u gjet e pajetë nga familjarët në ambientet e banesës në fshatin Lalm i Ri, Lezhë.
Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore dhe përcaktimin e saktë të shkakut të humbjes së jetës.
Trupat dhe zemrat tona nuk e harrojnë, madje shpesh na duhet edhe më shumë kur nuk jemi më fëmijë. Pse është i rëndësishëm përqafimi i nënës edhe kur rritemi?
Përqafimi i nënës është diçka që na shoqëron që nga sekondat e para të jetës. Por edhe teksa rritemi, trupat dhe zemrat tona nuk e harrojnë kurrë, madje në moshë të rritur shpesh na duhet më shumë sesa e pranojmë.
Kur mendojmë për fëmijërinë, shumë prej nesh së pari kujtojnë ngrohtësinë e përqafimit të nënës, një siguri e pashpjegueshme që na qetësonte ankthin, na zbuste dhimbjen dhe na rikthente ndjenjën se jemi të dashur. Por pse ky përqafim qëndron me ne edhe shumë kohë pasi rritemi, bëhemi vetë prindër dhe marrim udhën tonë?
Shkenca dhe zemra janë dakord për këtë çështje: përqafimi i nënës është një nga format më të fuqishme të rregullimit të stresit, sigurisë dhe ndjenjës së përkatësisë që një person mund të përjetojë. Dhe kjo vlen edhe në moshën e rritur, transmeton Telegrafi.
Trupi mban mend edhe kur mendja harron
Edhe pse trupat tanë rriten, kjo nuk do të thotë se fëmija i brendshëm rritet me to. Në secilin prej nesh mbetet një pjesë që kërkon siguri, pranueshmëri, dashuri të pakushtëzuar dhe përqafimi i nënës shpesh aktivizon pikërisht këtë pikë kujtese. Prekja, sidomos ajo e njohura, i thotë trupit: “Je mirë. Nuk je vetëm. Diku ka dikë që të do, pa kushte.”
Prekja çliron oksitocinë, hormonin e lidhur me besimin, sigurinë dhe ngrohtësinë. Përqafimet ulin hormonin e stresit - kortizolin, qetësojnë rrahjet e zemrës dhe ulin tensionin. Edhe pse kjo zakonisht studiohet te fëmijët, shumë kërkime konfirmojnë se kontakti fizik, sidomos me të dashurit, ka efekte shëruese edhe në moshën e rritur.
Përqafimi nuk është vetëm fizik, është urë energjetike
Përqafimi i nënës nuk është vetëm kontakt trupor. Ai mban brenda energjinë e disa brezave, kujdesin, ndërgjegjësimin e heshtur, afërsinë intuitive. Kur një nënë përqafon fëmijën e saj të rritur, duket sikur bashkohen dy realitete: ajo që ka qenë dhe ajo që është. E mes tyre, mijëra mendime të pathëna, kujtime dhe një ndjenjë e qetë përkatësie.
Përqafimi është një mënyrë për t’u rilidhur me burimin tonë, me atë lidhje të parë që na ka përcaktuar ndjenjën e sigurisë në botë. Edhe nëse marrëdhënia me nënën tonë nuk është (ka qenë) e përsosur (dhe rrallë është e tillë), përqafimi mund të ketë fuqinë e një lidhjeje të menjëhershme, aty ku fjalët humbin dhe mbetet vetëm thelbi: prania. Lexoni edhe një letër emocionale për nënën.
Po kur nuk ka më nënë, as përqafim?
Shumë njerëz i humbin nënat para se të kenë mundësi të rilidhen me to në moshën e rritur. Në këtë rast, përqafimi i nënës mund të bëhet një hapësirë e brendshme që e ushqejmë me butësi, kujtime dhe vizualizim të brendshëm. Por ndodh edhe që përqafimi i nënës kurrë të mos ketë qenë ashtu siç kemi dëshiruar - dhe edhe atëherë, si të rritur, mund t’i japim vetes mundësinë të krijojmë një përvojë të re sigurie.
Kjo mund të nënkuptojë t’i lejojmë vetes të jemi të afërt me një person tjetër të dashur. Të kërkojmë kontakt që është i sigurt, pa gjykim, i pranishëm. Ose të shërojmë plagët e vjetra në terapi dhe për herë të parë të ndiejmë se kemi të drejtë të jemi të dashur pa kushte. /Telegrafi/
TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka dorëzuar në Kuvend një nismë ligjore, e cila synon të njohë zyrtarisht si punë të papaguar angazhimin e nënave që kujdesen me kohë të plotë për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, sindromën Down apo aftësi të tjera të kufizuara që u pamundësojnë pavarësinë.
Në një deklaratë publike, Tabaku u shpreh se gjatë vitit të fundit ka takuar dhjetëra familje “të jashtëzakonshme”, të cilat luftojnë çdo ditë për të ofruar siguri, edukim dhe stabilitet për fëmijët e tyre. Shumë nëna, tha ajo, kanë lënë punën dhe karrierën për t’iu përkushtuar 24 orë në ditë fëmijëve që kanë nevojë të veçantë.
“Kjo është punë e papaguar. Është sakrificë, është përgjegjësi, është dashuri. Por është edhe një standard europian dhe njerëzor që shteti duhet ta njohë”, theksoi Tabaku.
Sipas saj, nisma ligjore synon që ky angazhim i nënave të njihet si kontribut real, duke u mundësuar mbështetje të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Tabaku argumentoi se kostoja për buxhetin është minimale dhe krejtësisht e përballueshme, sidomos në krahasim me shpenzimet e projekteve të tjera publike që nuk kanë impakt të qartë social.
“Nuk është koncesion, nuk është partneritet publik-privat, nuk është kosto e jashtëzakonshme. Është një mbështetje modeste, por thelbësore për mijëra familje që jetojnë në kushte të vështira ekonomike”, nënvizoi deputetja.
Tabaku i bëri thirrje organizatave të shoqërisë civile, profesionistëve dhe familjeve të përfshihen në këtë proces duke dhënë sugjerime për ta pasuruar nismën dhe për t’i dhënë zë atyre që kanë më shumë nevojë.
“Është momenti të vendosim një standard njerëzor për këto familje dhe për këto nëna të jashtëzakonshme, të cilat i japin shoqërisë shumë më tepër sesa marrin”, përfundoi Tabaku, duke shprehur besimin se Kuvendi do ta trajtojë me seriozitet dhe përgjegjësi këtë çështje.
Një nënë e moshuar e ulur në një stol në zonen e Astirit ne Tirane, me pak rroba, bastunin dhe qenin e saj pranë, po kalonte natën e dytë rrugëve, në të ftohtë, e vetme.
Prej dy muajsh, ajo jetonte në errësirë, pa drita dhe pa ujë, duke mbajtur shpresën se do t’ia dilte me pensionin e saj të vogël. Por kur nuk mundi më të paguante qiranë, u nxor jashtë nga pronari i shtëpisë.
Faqja JOQ nxori foton e saj, të vetme në të ftohtë, cka solli një shpërndarje të gjerë dhe shumë reagime.
Ina Malhani, vullnetare për njerëzit në nevojë, u njoftua për rastin dhe pa humbur kohë, kontaktoi drejtoreshën e Qendrës “Ismail Bej Vlora 2”, znj. Agetina Hidershaj.
Rreth orës 03:00 të mëngjesit, zonja Hidershaj vetë shkoi në Astir për ta marrë nënën e braktisur, bashkë me qenin e saj.
“Vetëm qeni më qëndroi besnik”, ishte shprehur nëna teksa makina largohej nga stoli i ftohtë që për dy net ishte bërë “shtëpia” e saj.
Ina Malhani, tregon për Dritare TV se nëna, e cila i ka kaluar të 70-tat, kishte vetëm dy vajza. Ato jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërsa kanë humbur kontaktin prej kohësh.
Me origjinë nga Skrapari, e moshuara nuk kishte asnjë familjar dhe prej kohësh jetonte e vetme në Astir, vetëm me pensionin e saj.
Sot, ajo ndodhet e strehuar, e ngrohur, e ushqyer dhe nën kujdes në Qendrën “Ismail Bej Vlora 2” në Sauk.
Është e vetëdijshme, pa probleme serioze shëndetësore dhe mbi të gjitha, nuk është më vetëm. Pranë saj është ende ai që nuk iu largua kurrë, qeni i saj besnik.
Florina Cani, nëna e Martinit, të miturit i cili u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij një vit më parë në Tiranë, ka reaguar e tronditur pas lajmit se ka ndërruar jetë sot 15-vjeçari që u plagos me thikë në Durrës.
Në një reagim për gazetaren Kristi Gongo, Florina kritikon institucionet që duhet të reagojnë dhe të marrin masa.
Këto ngjarje thotë ajo, janë alarm për gjithë shoqërinë.
“Më është tronditur shpirti përsëri. Për Erjonin kam shkruar shumë herë; dua të jem zëri i fëmijëve tanë, por e vërteta është e dhimbshme. Pse nuk reagojnë institucionet? Shkolla duhet të jetë vend sigurie, jo lufte. Martini, Eraldo, Erjoni.
Emra fëmijësh që nuk duhet të ishin kurrë pjesë e lajmeve të dhunës, janë plagë për zemrat tona dhe alarm për gjithë shoqërinë.
Unë kërkoj mbrojtje për fëmijët tanë. Mos na i prekni fëmijët, mos na i merrni fëmijët. Zgjohuni! Merrni masa, ndaloni dhunën. Fëmijët tanë kanë të drejtë të jetojnë”, thuhet në mesazh.
I mituri Erion Boba që u plagos rëndë nga bashkëmoshatari i tij në Durrës më 25 nëntor, ndërroi jetë.
Ai nuk mundi ta fitojë betejën, ndonëse mjekët bënë të pamundurën dhe vetë 15-vjeçari luftoi fort për jetën.
Në Akademinë Përkujtimore të mbajtur sot në Çair, nëna e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, Gjylymsere Kasapi, ka prekur zemrat e të gjithë të pranishmëve me fjalët e saj të ndjera. Ajo e nisi fjalimin duke falënderuar mikun e familjes, kryetarin e sapozgjedhur të Çairit, Izet Mexhitin, për organizimin e këtij nderimi.
“Faleminderit zotëri Izet Mexhiti, miku im, që organizove këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, gjysmës së shpirtit tim, Shpatit,” tha ajo mes dëshpërimit.
Pavarësisht karrierës së gjatë në arsim, Gjylymsere Kasapi rrëfeu se përballë kësaj humbjeje, fjalët i kishin humbur peshën. “Sot do thoni pse nuk jam në gjendje të flas. 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. Dhe e dinë të gjitha nënat që e kanë humbur fëmijën e vet.”
Në mesin e dhimbjes, ajo u shpreh krenare për dashurinë masive që publiku kishte për djalin e saj. “Në një aspekt tjetër, jam shumë krenare dhe e lumtur që paskam lindur një djalë, jo vetëm i imi, por i të gjithë juve. Ju e paskeni dashur dhe unë nuk e kam ditur që e keni dashur kaq shumë.”
Momentet më prekëse ishin ato kur Gjylymsere zbuloi se vitin e fundit të jetës së Shpatit nuk kishte qenë i lehtë për familjen. “Le të prehet në paqe. Le të jetë i qetë atje, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Kjo ka qenë parandjenjë e gjithë neve që jemi shqetësuar si familje.”
Në fund, ajo bëri një lutje prekëse për anëtarët e tjerë të familjes, duke thënë: “E lus Zotin, me lutjet e mia më të fuqishme që të më ruajë fëmijët e tjerë, dritat e syve: Albinin, Jehonën, nipërit, mbesat, Roelin dhe Selvijen, që do më mbajnë të gjallë nëse jam në jetë tutje. Le të prehet në lulet e xhenetit.”
Shpat Kasapi u përcoll për në banesën e fundit të dielën në Tetovë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur muzikore dhe një familje të pikëlluar.
Si ndikon lidhja e tepruar me nënën në zhvillimin e burrërisë dhe pavarësisë emocionale
Njëri nga psikologët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Carl Jung, i ka dhuruar botës shumë urtësi dhe fakte që lidhen kryesisht me familjen dhe marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve.
Ai i kushtoi shumë vëmendje studimit të ndikimit që kanë rritja dhe edukimi te fëmijët meshkuj. Jung arriti në përfundimin se mënyra e gabuar e rritjes mund të çojë në një kompleks të njohur si burrë/fëmijë.
Çfarë do të thotë ky kompleks?
Kompleksi burrë/fëmijë është një gjendje në të cilën burri mbetet i lidhur ngushtë me nënën dhe nuk arrin të pavarësohet e të bëhet burrë i vërtetë.
Ai shfaqet kur nëna nuk i kushton mjaftueshëm vëmendje dhe dashuri bashkëshortit - babait të djalit, gjë që e shtyn të kërkojë një lidhje më të fortë me djalin, më shumë sesa është e shëndetshme. Kujdesi dhe përkujdesja e tepruar, që në fakt duhet drejtuar te bashkëshorti, përqendrohet te djali, duke e lidhur atë tepër me nënën dhe duke ia vështirësuar shkëputjen emocionale.
Një marrëdhënie e tillë mund të bëjë që djali të mos zhvillojë ndjenjën e pavarësisë, si edhe t’i mungojë guximi dhe vendosmëria për të bërë ndryshime të rëndësishme në jetë.
Është e qartë se një qëndrim i tillë ndikon në mbarështrimin e tij si burrë dhe në aftësinë për të marrë kontrollin mbi jetën, gjë që shpesh kërkon rrezik dhe përgjegjësi, transmeton Telegrafi.
Nuk ka nevojë të theksohet se një lidhje e tillë mund të jetë e dëmshme për të dy. Nëna lidhet tepër emocionalisht me fëmijën dhe nuk i lejon atij të bëhet burrë i pavarur, ndërsa djali, nga ana tjetër, mund të ketë vështirësi të ndërtojë një marrëdhënie të shëndetshme me një grua.
Kjo mund të shfaqet si kërkesë e vazhdueshme për kujdes dhe vëmendje nga partnerja, gjë që natyrshëm dëmton zhvillimin e një marrëdhënieje të balancuar në të ardhmen.
Si të shmanget ky model?
Që një burrë të bëhet i pavarur dhe i vetëqëndrueshëm, ai duhet të arrijë të shkëputet emocionalisht nga nëna. Por kur kjo ndodh vetëm në moshë të rritur, shpesh është tepër vonë. /Telegrafi/
Një javë më parë, emisioni Piranjat solli historinë e një nëne të re, e cila prej 7 vitesh endej dyerve të institucioneve pasi nuk mund të merrte djalin e saj, të mbajtur peng nga gjyshërit, Hamit dhe Evladije Hoxha. Afërdita është 25 vjeçare nga Dibra. Ky konflikt absurd nisi pas një tragjedie që i mori […]
Nëna e Andon Janaqit, i cili vrau bashkëshorten dhe më pas veten në Francë, ka reaguar për mediat. E pikëlluar dhe mes lotësh, ajo pohon se nuk ishte në dijeni të konflikteve në çift që kanë çuar në ngjarjen makabre.
“Jam në një gjendje që s’di se ca ka bërë. Nuk e di se ça ka bërë djali aty. Ishin mirë dhe bukur. Më tha një nga Franca, mori në telefon; më tha mblidh mendjen yt bir ka vrarë nusen dhe veten. Nuk e di që të kishin konflikte. Nuk di. Evlat e kishte ajo (për krushkën), evlat dhe unë”, thotë duke qarë nëna e shqiptarit.
NGJARJA
Alarmi u dha rreth orës 16:30, kur një banor i lagjes Europe njoftoi policinë për dëgjimin e dy të shtënave me armë në adresën 101 Rue Général-Paulet.
Forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe gjetën trupat e një burri dhe një gruaje me origjinë shqiptare, të moshës 30 dhe 36 vjeç, si dhe një pushkë gjahu pranë tyre.
Sipas raportimeve nga mediat franceze, hetuesit po e orientuan çështjen drejt pistës së vrasjes së gruas dhe më pas vetëvrasjes së autorit të dyshuar.
Çifti ishte prindër i dy fëmijëve. Njëri prej tyre nuk arriti të kthehej në shtëpi pas të shtënave, ndërsa fëmija më i vogël ndodhej në shkollë në momentin që ndodhi tragjedia.
Vrasja e shqiptarit Sulo Halili në Skourta, Viotia, Greqi ka marrë përmasa edhe më të dhimbshme. Pak ditë pasi policia greke gjeti trupin e 27-vjeçarit shqiptar, punëtor ndërtimi, të vrarë dhe djegur brenda makinës së tij, nëna e tij ka ndërruar jetë pas një arresti kardiak, e mposhtur nga dhimbja për humbjen e të birit. […]
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Trieste të Italisë , ku një nënë nga Ukraina ka vrarë me thikë djalin e saj 9-vjeçar.
Krimi i tmerrshëm, sipas Corriere Della Serra, ndodhi në Muggia, provincën e Triestes.
Një nënë nga Ukraina, 55-vjeçarja Olena Stasiuk, vrau djalin e saj nëntëvjeçar duke i prerë fytin me një thikë të madhe kuzhine dhe më pas u përpoq të kryente vetëvrasje duke prerë kyçet e duarve të saj.
Trupi i pajetë i fëmijës u zbulua të mërkurën në mbrëmje (12 nëntor) nga policia, e cila u njoftua nga babai, një burrë 56-vjeçar nga Trieste, i cili nuk po mundej të kontaktonte gruan nga e cila është divorcuar.
Gruaja, siç raportohet, ajo duhej t’ia kthente fëmijën, të cilin ai ia kishte besuar, në orën 21:00.
Me të mbërritur në shtëpinë në qendër të Muggia-s, policia e gjeti nënën në gjendje shoku dhe arriti të konfirmonte vetëm vdekjen e fëmijës, i cili u gjet në banjo.
Gruaja, e cila ishte arrestuar, mori ndihmën e parë nga mjekët dhe më pas u transferua në Spitalin Katinara.
Sipas mediave në Itali 55-vjeçarja vuante nga probleme të shëndetit mendor, ajo ishte nën kujdesin e Gjykatës dhe Qendrës së Shëndetit Mendor. Sipas raportimeve fillestare, kjo ishte një nga herët e para që ajo e mbante fëmijën vetëm.
Nënat janë ‘strehë e sigurt’ ku fëmijët nxjerrin emocionet që kanë mbajtur gjatë ditës
A e ke vënë re ndonjëherë se fëmijët e tu sillen si engjëj me të tjerët - me gjyshen, mësuesit apo edhe me të panjohurit në rrugë, por sapo mbeten vetëm me ty, shndërrohen në djallusha të vegjël?
Blogerja dhe nëna Kate Baltrusky shpjegon pse ndodh kjo. Sipas saj, duhet të ndihesh shumë mirë për këtë, sepse kjo do të thotë që po bën gjithçka si duhet.
Kate, autore e blogut KateSurfs.com, tregon me humor se burri i saj shpesh i thotë:
“Nuk e kuptoj! Fëmijët janë të mrekullueshëm kur janë me mua, por sapo të të shohin ty, gjithçka del jashtë kontrollit.”
Ajo kujton edhe një “studim të rremë” që kishte lexuar në faqen Momnewsdaily.com, ku thuhej se fëmijët sillen “800% më keq” kur nëna është në dhomë. Edhe pse qeshi me këtë, ajo pranon se koncepti është plotësisht i vërtetë!
Fëmijët vërtet sillen më keq kur janë pranë nënës së tyre, por ja pse:
“Sepse ti, e dashur nënë, je vendi i tyre i sigurt. Ty mund të të tregojnë të gjitha problemet e tyre. Nëse ti nuk mund t’i ndihmosh, kush tjetër mundet? Ti je ‘grumbulluesja’ e emocioneve të tyre të vështira.
shutterstock
Nëse gjatë ditës kanë përjetuar stres, zhgënjim apo ndjenja të pakëndshme, sapo të të shohin, ata lirojnë gjithçka që kanë mbajtur brenda - qajnë, ankohen, shpërthejnë... është mënyra e tyre për t’u çliruar.”
Edhe pse pas një dite të lodhshme ndoshta është gjëja e fundit që dëshiron të përballosh, kjo është shenja më e qartë e lidhjes së fortë mes jush.
Nëse fëmija të përqafon, qan apo ankohet sapo futesh në shtëpi, mos mendo se është i përkëdhelur. Përkundrazi, kjo tregon se ai ndihet i sigurt me ty për të shprehur çdo emocion.
“Herën tjetër kur të ndodhë kjo, kujto se është shenjë dashurie, jo mungesë sjelljeje. Dërgoji vetes pak dashuri e mirëkuptim, sepse ne nënat e dimë sa lehtë mund të na çmendin këto momente!”
Tani e di: nëse fëmijët sillen “më keq” vetëm me ty - do të thotë se po bën një punë të shkëlqyer si nënë! /Telegrafi/
Një studim i ri i publikuar në revistën The Lancet Global Health tregon se ky është rezultat i përmirësimit të shërbimit në kujdesin shëndetësor për nënat dhe forcimin e planifikimit familjar. Studimi, i cili analizoi të dhëna nga 195 vende zbuloi se 61.2% e kësaj rënieje vjen nga përmirësimet në kujdesin për nënat, ndërsa 38.8% […]
Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur dy mjekë obstetër të maternitetit “Koço Gliozheni”, Ervis Vata dhe Aida Hoxha, pas hetimeve mbi ngjarjen e rëndë që çoi në vdekjen e një foshnje gjatë lindjes. Sipas dosjes hetimore, ngjarja ndodhi gjatë një lindjeje të komplikuar, ku mjekët përdorën forcepsin, një instrument obstetrik që përdoret në raste emergjente, kur lindja […]
Një nënë e dy fëmijëve të vegjël nga Skocia u befasua nga një gjest i ngrohtë i vajzës së saj më të madhe pasi foshnja e tyre e porsalindur filloi të qajë.
Videoja e regjistruar nga Kiera Crawford u bë shpejt virale, dhe shumë prindër gjetën në të inkurajim dhe shpresë.
Kiera ishte në shtëpi me vajzën e saj 19-muajshe, Cadie, kur foshnja e tyre më e vogël, vetëm nëntë javëshe, u bë e shqetësuar.
"Cadie sapo u zgjua nga gjumi i pasdites dhe filloi të luajë, ndërsa beba Hallie filloi të kërkonte gji", rrëfeu Kiera për Newsweek.
Derisa atëherë, Cadie rrallë i kushtonte vëmendje motrës së saj. "Në fakt, ajo kurrë nuk ka komunikuar me të. Mendoj se janë thjesht shumë afër në moshë dhe ajo vetë është ende një bebe", shpjegoi ajo.
Por atëherë ndodhi diçka që e befasoi plotësisht. "Papritmas u kthye dhe iu afrua Hallie. Vendosa ta lija të afrohej dhe të regjistroja çfarë do të bënte, që videoja të mund t’i tregohej babait të saj", shtoi Kiera.
Kiera nuk e dinte çfarë të priste kur ndezi kamerën. Mendoi se ndoshta do të regjistronte një grindje të parë mes motrave, por ndodhi krejt e kundërta.
Në video shihet se e vogla Cadie merr gji dhe ia kthen butësisht motrës në gojë. Pas këtij momenti, Cadie filloi të tregonte më shumë vëmendje ndaj motrës së saj.
Studimet konfirmojnë se rritja e dy fëmijëve të vegjël mund të jetë jashtëzakonisht shteruese. Një studim i vitit 2018 tregoi se ardhja e fëmijës së dytë rrit ndjeshëm stresin dhe presionin në jetën e përditshme të prindërve. /Telegrafi/
Një nënë mendonte se vajza e saj kishte oreks të madh, derisa zbuloi se kush në të vërtetë po e “ndihmonte” ta hante vaktin.
Pamjet e vajzës së vogël dhe ndihmësve të saj me katër putra u bënë shpejt virale dhe bënë që miliona përdorues të rrjeteve sociale të qeshin, shkruan Newsweek.
Alison Meneses nga Meksika publikoi në profilin e saj në TikTok një video të vajzës së saj, e cila, të paktën në shikim të parë, po hante me rregull në karrigen e ngrënies.
Por shpejt doli se vajza kishte një strategji shumë të veçantë për të “pastruar pjatën”. Sa herë që nëna i kthente shpinën, vajza fshehurazi hidhte copa ushqimi në tokë, ku e prisnin me padurim dy qentë e familjes.
Ndërkohë që qentë i hanin me gëzim “mbetjet”, nëna ishte e bindur se vajza e saj po hante me oreks të jashtëzakonshëm.
“Mendova se e kishte ngrënë të gjithën”, tha Meneses për Newsweek, duke shtuar se nuk kishte planifikuar fare ta filmonte këtë moment qesharak.
“Po regjistroja një video për vlogun tim të përditshëm si nënë që punon nga shtëpia. Vendosa kamerën ndërsa vajza po hante, dhe unë po përgatisja mëngjesin. Mendova se e kishte ngrënë gjithë ushqimin që i kisha përgatitur, por më vonë, në video, pashë se ajo po e ndante me qentë”.
Madje, shton ajo, vajza i kërkoi edhe një racion shtesë “Mendova se ishte vërtet e uritur, derisa zbulova çfarë kishte ndodhur në të vërtetë”. /Telegrafi/
Dua Lipa mahniti fansat e saj me turneun “Radical Optimism” të këtij viti, gjatë së cilit, ajo dhe grupi i saj, interpretuan një këngë ndryshe çdo natë, duke bërë homazh për artistët e qytetit ku performojnë.
Prej Australisë, ku luajtën “Highway to Hell” të AC/DC, deri në Zelanda e Re, Evropë dhe Amerikën e Veriut, Dua dhe ekipi i saj kanë prezantuar 57 këngë të ndryshme çdo natë, shpesh me mysafirë të ftuar të veçantë.
Në katër shfaqjet në New York, repertoari përfshinte këngë nga Alicia Keys, Blondie, Chic dhe Lenny Kravitz. Performimi i këtyre këngëve ikonike kërkon përgatitje intensive, veçanërisht kur ato janë në gjuhë të ndryshme ose të lidhura me kulturën e vendit pritës, shkruan Variety.
Screenshot/Variety
Dua dhe basisti i saj, Matty Carroll, treguan se procesi përfshin listime paraprake, prova intensive dhe improvizim për t’i dhënë publikut një performancë të pashembullt çdo natë.
Për pjesën më të madhe të këngëve që nuk janë anglisht, Dua i mësoi vetë fonetikisht, duke ushtruar gjithë ditën për të përsosur intonacionin dhe theksin.
Screenshot/Variety
Grupi ka pasur mbështetje nga artistë të ndryshëm, si Kevin Parker nga Tame Impala, Troye Sivan, Neil Finn nga Crowded House, Billie Joe Armstrong i Green Day, Chaka Khan dhe babai i Duas, Dukagjin Lipa, që iu bashkua në Kosovë.
Çdo performancë është një sfidë, por edhe një mundësi për të treguar shkathtësinë dhe spontanitetin e ekipit.
Screenshot/Variety
Dua e përshkruan konceptin si ide e saj: “Pas një eksperiencë argëtuese me Chris Stapleton, mendova se do të ishte fantastike të bënim një këngë të ndryshme çdo natë. Ekipi e pranoi menjëherë”.
Përzgjedhja e këngëve është punë ekipore, me pjesëmarrjen aktive të secilit anëtar të grupit dhe mysafirëve të ftuar, duke siguruar që secila këngë të interpretohet bindshëm.
Screenshot/Variety
Performancat më të vështira përfshijnë këngë si “Derniere Danse” e Indilës në frëngjisht dhe “Conga” e Gloria Estefan në stilin e saj origjinal, ndërsa këngët më argëtuese për Duan kanë qenë ato të Lenny Kravitz dhe hitet klasike të Australisë si “Highway to Hell”.
Përsa i përket një albumi me këto cover-e, Dua preferon të mos zbulojë detaje për momentin.
Mesditën e kësaj të diele, një ngjarje e rëndë është regjistruar në Maliq, ku një banesë është përfshirë nga flakët, ndërsa dyshohet se nëna, Merjeme Azisllari, ka humbur jetën nga asfiksia.
Sipas informacioneve, dy fëmijët e saj janë transportuar në spitalin e Korçës.
Shërbimet e policisë ndodhën në vendngjarje.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit V. A.
Si pasojë janë dëmtuar dhe janë dërguar menjëherë për ndihmë shëndetësore në spital shtetasja Merjeme Azisllari dhe dy fëmijët e saj të mitur, 14 dhe 6-vjeç.
Dyshohet se si pasojë e asfiksisë shtetasja M. A., ka ndërruar jetë në spital.
Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e zjarrit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Zjarri që u përfshiu banesën, u mori jetën nënë e bir në familjen Azisllari në qytetin e Maliqit. Nëna 40-vjeçare ndërroi jetë si pasojë e asfiksisë, ku më vonë ndërroi jetë edhe djali 14-vjeçar.
Vajza e mitur, 6 vjeçe ndodhet në spitalin e Korçës në gjendje të rëndë. Gazetari i ABC News raporton se sipas informacioneve paraprake shkak i zjarrit fatal, dyshohet të jetë bërë soba me dru.
Ndërkohë për mikrofonin e ABC News, komshinjtë e familjes Azisllari, thanë se dy familja jetonte në gjendje të vështirë ekonomike.
“Unë jam komshi këtu, fëmijët ishin me autizëm, ndërsa mamaja ishte mirë. Nuk punonte, ishte shtëpiake. Vetëm burri punonte. Ishin në kushte të vështira ekonomike. Janë dy vëllezër që jetojnë ngjitur, këta sikur ishin më ndryshe nga ekonomia. Nuk e di si ndodhi ngjarja, unë madje sa e dëgjova, nuk e dija që ishte në lagjen time sa e mora vesh dola”, tha Sefer Shkëmbi.