ANGLI – Mijëra mjekë fillojnë grevën e katërmbëdhjetë në më pak se dy vjet
LONDËR, 17 dhjetor /ATSH-AFP/ – Mijëra mjekë anglezë filluan sot një tjetër grevë pesëditore, e katërmbëdhjeta në më pak se dy vjet, të cilën qeveria e konsideroi “të papërgjegjshme” vetëm disa ditë para festave të Krishtlindjeve dhe në mes të një epidemie gripi.
Mjekët rezidentë, të krahasueshëm me praktikantët në Francë, po kërkojnë rritje page për të kompensuar inflacionin dhe hodhën poshtë një ofertë të re nga qeveria laburiste të hënën, e cila nuk përfshinte një rritje page, por mbulim të shpenzimeve të caktuara.
Greva e këtyre profesionistëve, të cilët përbëjnë pak më pak se gjysmën e mjekëve në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS) të Anglisë, filloi në mëngjes dhe është planifikuar të zgjasë deri të hënën.
Që nga marsi 2023, mjekët dhe konsulentët rezidentë, profesionistët më me përvojë të kujdesit shëndetësor, kanë organizuar greva të shumta duke kërkuar rritje page.
Sekretari i Shëndetësisë, Wes Streeting paralajmëroi se kujdesi ndaj pacientëve do të ndërpritet, edhe pse spitaleve u është kërkuar të mbajnë 95% të aktivitetit të tyre të zakonshëm.
“Bëra gjithçka që munda për të shmangur këto greva, të cilat vijnë në kohën më të keqe të mundshme për NHS-në. Më vjen vërtet keq për pacientët”, tha Streeting për radion LBC.
”Ata janë të rrezikshëm dhe plotësisht të papërgjegjshëm”, tha kryeministri Keir Starmer në Parlament duke u bërë thirrje mjekëve rezidentë “të mos i braktisin pacientët dhe të punojnë me qeverinë për të përmirësuar kushtet”.
Shoqata Mjekësore Britanike (BMA) po kërkon një rritje pagash prej rreth 26% për mjekët rezidentë për të kompensuar humbjen e fuqisë blerëse për shkak të inflacionit.
Kjo grevë vjen mes një shpërthimi të asaj që NHS e ka quajtur një “supergrip”, me numër rekord rastesh spitalore për këtë kohë të vitit në Angli.
Sipas shifrave të publikuara më 11 dhjetor, këto raste u rritën me 55% brenda një jave, me një mesatare prej 2 660 pacientësh të shtruar në spital çdo ditë midis 1 dhe 7 dhjetorit.
NHS është tashmë në krizë me lista pritjeje të pafundme dhe një humbje të profesionistëve.
Sipas një sondazhi të YouGov të publikuar më 12 dhjetor, vetëm një e treta e britanikëve e mbështesin këtë grevë./ a.jor.
The post ANGLI – Mijëra mjekë fillojnë grevën e katërmbëdhjetë në më pak se dy vjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.