TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Mjekët e Spitalit Universitar të Traumës gjatë këtyre ditëve festive apelojnë për kujdes të shtuar.
Në një video të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mjekët e këtij spitali u bëjnë apel qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të bëjnë kujdes në konsumimin e pijeve alkoolike dhe të tregojnë kujdes në përdorimin e mjeteve piroteknike.
Dr. Ervin Sulaj, shef i shërbimit të Anestezi-Reanimacionit pranë këtij spitali, tha se “është rritur cilësia e shërbimit në Spitalin Universitar të Traumës me investimet që janë bërë së fundmi qoftë në reanimacion, qoftë në ambientet e sallave, aparaturat e reja që kanë ardhur. Jemi në gatishmëri, të përballojmë në mënyrë cilësore të gjitha urgjencat që paraqiten këtu”.
Sulaj u bën apel qytetarëve që në këtë periudhë festash të jenë më të kujdesshëm gjatë lëvizjes me automjete.
Dr. Agustin Suma, shef shërbimi i Urgjencës, u shpreh se “ne trajtojmë çdo ditë trauma, politrauma dhe dëmtime nga më të ndryshmet, kjo nuk na dekurajon por na motivon që 24 orë të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve që paraqiten pranë nesh”.
Ndërsa mjekja okuliste Leodita Gjana theksoi se “në kuadrin e festave të fundvitit meqenëse me përdorimin e shtuar të alkoolit, të fishekzjarreve, të kapsollave rastet me trauma perforative okulare shtohen, doja të tërhiqja vëmendjen për një kufizim dhe përkujdesje ndaj këtyre efekteve”.
Dr. Admir Mustafa, mjek imazherist, tha se “patologjia e Urgjencës në spitalin e Traumës është një nga sektorët kryesorë që kërkon një shpejtësi diagnostikuese me përdorimin e grafive, ekove dhe skanerit. Ne kemi aparatura të një gjenerate të re që na mundëson kryerjen e këtyre ekzaminimeve duke respektuar mbi të gjitha protokollet dhe standardet bashkëkohore”.
Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në gatishmëri 24 orë në ditët festive. Urdhri, i firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala përcakton sigurimin e gatishmërisë të shërbimeve shëndetësore gjatë sezonit të festave, me qëllim garantimin e kujdesit shëndetësor dhe sigurisë për qytetarët, pa asnjë ndërprerje, veçanërisht në datat 31 dhjetor 2025 dhe 1-2 janar 2026.
/k.s/r.e/
The post Mjekët e Spitalit të Traumës apel qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë festave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.