Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

BM – Mbi 41 000 migrantë kaluan La Manshin në 2025-n

21 December 2025 at 16:13

LONDËR, 21 dhjetor /ATSH-DPA/- Më shumë se 41 000 migrantë kanë kaluar kanalin e La Manshit me varka të vogla këtë vit.

Rreth 803 migrante ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm në 13 gomone nga Francën veriore, gjatë natës së të premtes dhe deri të shtunën.

Numri i përgjithshëm i kalimeve në La Mansh për vitin 2025 ka arritur në 41 455 persona.

Kalimet e së shtunës përbëjnë numrin më të madh të migrantëve që nga 8 tetori, ku vetëm në një ditë kaluan 1 075 refugjatë.

Gjithashtu, ky ishte një numër rekord kalimesh për një ditë në dhjetor, krahasuar me të dhënat që shtrihen deri në vitin 2018.

Dhjetori është, tradicionalisht një nga muajt më të qetë për kalimet në La Mansh, për shkak të temperaturave të ulëta, dukshmërisë së dobët dhe motit me stuhi që e bën udhëtimin veçanërisht të vështirë.

Numri më i madh i mbërritjeve të regjistruara në muajin dhjetor ka arritur në 3 254, në vitin 2024.

Rreth 2 163 persona kanë mbërritur deri më tani, në dhjetor.

Këtë javë, Gjermania miratoi një ligj të ri që ndëshkon trafikantët e qenieve njerëzore me deri në 10 vjet burg për përpjekjen për të sjellë migrantë në Britaninë e Madhe.

Ndryshimi i ligjit, i cili do të hyjë në fuqi para fundit të vitit, synon t’u japë më shumë kompetenca zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve, dhe të rrisë shkëmbimin e informacionit midis Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Ndërkohë, Franca planifikon të ndalojë anijet e vogla në det përpara se ato të marrin migrantë që shkojnë në Britaninë e Madhe. //a.i/

The post BM – Mbi 41 000 migrantë kaluan La Manshin në 2025-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM-Greqi, nënshkruhet pakti për të luftuar kontrabandën e qenieve njerëzore

19 December 2025 at 10:27

LONDËR, 19 dhjetor /ATSH-AA/ – Britania e Madhe ka nënshkruar një pakt të ri migracioni me Greqinë që synon forcimin e sigurisë kufitare dhe ndërprerjen e bandave të kontrabandës së qenieve njerëzore që veprojnë në të gjithë Evropën dhe Mesdheun.

Sekretarja e jashtme britanike, Yvette Cooper, nënshkroi marrëveshjen gjatë një vizite në Athinë, ku po takohet me homologun e saj grek, George Cerapetritis.

Partneriteti do të rrisë bashkëpunimin mbi kthimet, zbatimin e ligjit dhe adresimin e nxitësve të migracionit.

Sipas marrëveshjes, Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë trajnime për agjencitë greke të zbatimit të ligjit për të ndihmuar në luftimin e krimit të organizuar të imigracionit dhe për të ndërprerë zinxhirët e furnizimit të përdorur për të lehtësuar kalimet me anije të vogla.

Pakti bazohet në operacionet e përbashkëta të kohëve të fundit midis autoriteteve greke dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar.

“Kalimet e paligjshme dhe të rrezikshme me anije po dëmtojnë sigurinë kufitare si në Kanal ashtu edhe në Mesdhe. Përballimi dhe parandalimi i migracionit të paligjshëm dhe ndjekja e bandave kriminale të kontrabandistëve me vlerë shumë milionë funtash është një përparësi kryesore si për Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe për Greqinë”, tha Cooper, duke shtuar se krimi i organizuar i imigracionit është një kërcënim global.

Ajo gjithashtu tha se marrëveshja do të ndihmojë në trajtimin e rritjeve të kontrabandës më herët përgjatë rrugëve të migracionit, duke ndihmuar në “adresimin e këtyre problemeve para se të arrijnë në brigjet tona”.

Vizita përfshin edhe një njoftim për financim të ri të Mbretërisë së Bashkuar për projekte në Algjeri, Egjipt dhe Tunizi.

Financimi do të mbështesë krijimin e vendeve të punës dhe do të ndihmojë në devijimin e mijëra migrantëve potencial drejt punësimit më afër shtëpisë, duke reduktuar presionet që çojnë në kalime të rrezikshme të Mesdheut.

Pakti me Greqinë vjen pas një serie marrëveshjesh të fundit të Mbretërisë së Bashkuar mbi migracionin, duke përfshirë një marrëveshje kthimi me Francën dhe partneritete të reja me Gjermaninë, Irakun dhe vendet në Ballkanin Perëndimor.  /os/

The post LONDËR – BM-Greqi, nënshkruhet pakti për të luftuar kontrabandën e qenieve njerëzore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Njerëzit kanë ndezur zjarr 400,000 vjet më parë, shumë më herët nga sa mendohej dikur

10 December 2025 at 20:15

LONDËR, 10 dhjetor /ATSH/- Shkencëtarët në Britani të Madhe thanë se njerëzit e lashtë mund të kenë mësuar të ndezin zjarrin shumë më herët sesa besohej më parë, pas zbulimit të provave se ndezja e qëllimshme e zjarrit ka ndodhur – në atë që tani është Anglia lindore – rreth 400,000 vjet më parë, sipas AP.

Hulumtimi i botuar në revistën “Nature”, zbuloi një datë më të hershme të ndezjes së zjarrit, rreth 350,000 vjet më parë.

Deri më tani, provat më të vjetra të konfirmuara ishin siguruar nga vendet e Neandertalit – në atë që tani është Franca veriore – që datojnë rreth 50,000 vjet më parë.

Zbulimi u bë në Barnham, një vend paleolitik në Sufolk që është gërmuar për disa dekada me radhë.

Një ekip i udhëhequr nga Muzeu Britanik identifikoi një copë argjile të djegur, sëpata dore prej guri të thyera nga nxehtësia intensive dhe dy fragmente pirit hekuri, një mineral që prodhon shkëndija kur goditet me gur.

Hulumtuesit shpenzuan katër vjet për të kryer studimin – duke përjashtuar mundësitë e zjarreve natyrore.

Testet gjeokimike treguan se temperaturat kishin tejkaluar 700 gradë Celsius – me prova të djegies së përsëritur në të njëjtin vend.

“Ky model, është në përputhje me një vatër të ndërtuar dhe jo me një goditje rrufeje”, thanë studiuesit.

“Kombinimi i temperaturave të larta, djegies së kontrolluar dhe fragmenteve të piritit tregon se si e kane ndezur vërtetë zjarrin dhe faktin që po e bënin atë”, tha Rob Davis, një arkeolog paleolitik në Muzeun Britanik.

Piriti i hekurit nuk ndodh natyrshëm në Barnham. Prania e tij sugjeron që njerëzit që jetonin atje e kanë mbledhur qëllimisht për shkak të vetive të tij dhe për ta përdorur për të ndezur shkopinj.

Ndezja e qëllimshme e zjarrit rrallë ruhet në të dhënat arkeologjike. Hiri shpërndahet lehtësisht, qymyri dekompozohet dhe sedimentet e ndryshuara nga nxehtësia mund të gërryhen.

Megjithatë, në Barnham, depozitat e djegura u vulosën brenda sedimenteve të lashta të pellgjeve, duke u lejuar shkencëtarëve të rindërtonin se si njerëzit e hershëm e përdorën vendin.

Arkeologët thanë se Barnhami ishte vendi që përputhej me një model më të gjerë në të gjithë Britaninë e Madhe dhe Evropën kontinentale midis 500,000 dhe 400,000 vjet më parë, kur madhësia e trurit tek njerëzit e hershëm filloi t’i afrohej niveleve moderne dhe kur provat për sjellje gjithnjë e më komplekse u bënë më të dukshme. //a.i/

 

The post Njerëzit kanë ndezur zjarr 400,000 vjet më parë, shumë më herët nga sa mendohej dikur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IBM thuhet se është pranë një marrëveshjeje prej 11 miliardë dollarësh me kompaninë e infrastrukturës së të dhënave Confluent

8 December 2025 at 12:31


IBM thuhet se po zhvillon bisedime të avancuara për të blerë kompaninë e infrastrukturës së të dhënave Confluent për rreth 11 miliardë dollarë.

Confluent ofron një platformë open-source që përpunon rrjedha të mëdha të dhënash në kohë reale, duke përfshirë transaksionet bankare dhe klikimet në ueb.

Marrëveshja mund të shpallet që në ditët e ardhshme, por asnjëra nga kompanitë nuk e ka konfirmuar ende lajmin.

Kapitalizimi i tregut të Confluent është rreth 8.09 miliardë dollarë, ndërsa vlera e IBM është afërsisht 287.84 miliardë dollarë.

Interesi i IBM vjen pas raportimeve për rritje më të ngadaltë në biznesin e saj kryesor të softuerit cloud, duke nxjerrë në pah nevojën për përforcim të performancës së softuerit.

Blerja e mundshme gjithashtu pasqyron kërkesën në rritje për infrastrukturë të të dhënave, e nxitur nga garat korporative për zhvillimin e inteligjencës artificiale gjenerative. /Telegrafi/

LONDËR – BM vendos sanksione ndaj agjencisë ruse të spiunazhit, GRU për sulmin me agjent nervor në vitin 2018

4 December 2025 at 14:39

LONDËR, 4 dhjetor /ATSH/- Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj agjencisë së inteligjencës – GRU të Rusisë dhe thirri sot ambasadorin e Moskës, pasi një hetim arriti në përfundimin se presidenti Vladimir Putin ishte përgjegjës për një sulm me agjent nervor, në tokën britanike në vitin 2018, sipas AP.

Qeveria tha se GRU po sanksionohej tërësisht për shkak të sulmit në qytetin e Salisbury-t që synonte Sergei Skripal, një ish-agjent sovjetik i cili kishte dezertuar në Britani të Madhe.

Skripal dhe vajza e tij Yulia u sëmurën rëndë, por mbijetuan. Moska ka mohuar çdo rol në sulm.

Një grua britanike, Dawn Sturgess, dhe partneri i saj u rrëzuan pasi ranë në kontakt me një shishe parfumi – që përmbante agjentin nervor “Novichok”.

Ajo kishte spërkatur parfumin në kyçin e dorës dhe vdiq disa ditë më vonë. Partneri i saj mbijetoi.

Një oficer policie, Nick Bailey, gjithashtu u sëmur, por mbijetoi.

Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Britanisë së Madhe, Anthony Hughes, i cili drejtoi hetimin për vdekjen e Sturgess, tha se sulmi ndaj Skripal duhej të ishte autorizuar në nivelin më të lartë nga Putini.

Ai arriti në përfundimin se Sturgess ishte një viktimë e pafajshme e një përpjekjeje nga oficerët e një organizate shtetërore ruse – për të kryer një vrasje në rrugët e Salisbury duke përdorur një agjent nervor shumë toksik.

Njoftimi i sanksioneve të Britanisë së Madhe përmendi gjithashtu tetë oficerë të dyshuar të inteligjencës ushtarake kibernetike që punonin për GRU-në.

Ministria e Jashtme e BM-së tha se ata kishin shënjestruar Yulia Skripal me program keqdashës, pesë vjet para sulmit me agjentin “Novichok”. //a.i/

 

The post LONDËR – BM vendos sanksione ndaj agjencisë ruse të spiunazhit, GRU për sulmin me agjent nervor në vitin 2018 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Marrëveshje BM – SHBA: Importet e barnave pa tarifa

1 December 2025 at 17:18

LONDËR, 1 dhjetor /ATSH/ – Qeveria britanike ka nënshkruar një marrëveshje me Donald Trump që garanton heqjen e tarifave mbi importet e barnave britanike në SHBA dhe angazhimin e Britanisë për të rritur shpenzimet për ilaçe, sipas the “Guardian”.

Sipas administratës Trump, marrëveshja do të sigurojë vazhdimin e investimeve nga kompanitë farmaceutike britanike në SHBA dhe do të krijojë vende pune atje.

SHBA-ja gjithashtu premtoi se do të sigurojë qasje për qytetarët britanikë tek arritjet më të fundit në farmacitë dhe se nuk do të synojë praktikat e çmimeve të barnave britanike gjatë mandatit të Trumpit.

Kjo marrëveshje vjen gjashtë muaj pas një marrëveshjeje të  kryeministrit Keir Starmer me Trump, e cila kufizonte tarifat në 10% për shumicën e eksporteve. Tregtia e barnave ka qenë kryesisht pa tarifa që nga një marrëveshje e Organizatës Botërore të Tregtisë e vitit 1994, por Trump e shkelu këtë marrëveshje pas zgjedhjes së tij, duke vendosur tarifa mbi importet nga furnizues kyç si Britania dhe BE-ja.

Thelbi i marrëveshjes së re BM-SHBA është ulja e një “rebate” nën skemat e diskutueshme të pagesave midis kompanive farmaceutike. Nën këtë skemë, kompanitë farmaceutike duhet të paguajnë një përqindje të të ardhurave nga shitjet e barnave të markave, nëse përdorimi tejkalon një normë të rënë dakord. Ky sistem mban çmimet për NHS-në të ulëta për barnat e markave nëse kërkesa tejkalon kapacitetin vjetor.

Në vendet e tjera evropiane, shkalla mesatare e këtyre pagesave është më e ulët, si 9% në Irlandë dhe 7% në Gjermani. Në kuadër të marrëveshjes me SHBA, kjo pritet të ulet në Britani. /Ad.Ab./

The post FOKUS – Marrëveshje BM – SHBA: Importet e barnave pa tarifa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Migrimi neto bie më shumë nga parashikimet

18 November 2025 at 20:49

LONDËR, 18 nëntor /ATSH-DPA/ – Migrimi neto drejt Mbretërisë së Bashkuar vitet e fundit arriti kulmin në një nivel më të lartë se sa ishte vlerësuar fillimisht dhe që atëherë ka rënë më ndjeshëm, tregojnë shifrat e fundit.

Metodat e përmirësuara nga Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS) sugjerojnë se migracioni neto arriti një pikë më të lartë dhe pak më herët, në 944 000 për vitin që përfundoi në mars 2023, krahasuar me parashikimin e mëparshëm prej 906 000 për vitin që përfundoi në qershor 2023.

Pas kësaj, ndodhi një rënie më e thellë sesa ishte raportuar fillimisht, me migracionin në dhjetor 2024 të vlerësuar tani në 345 000, më pak se parashikimi origjinal prej 431 000 i publikuar nga ONS në maj të këtij viti.

Shkaku kryesor i ndryshimit në shifrat e migracionit neto është përmirësimi i mënyrës se si ONS llogarit migracionin e shtetasve britanikë.

Migracioni neto është diferenca midis numrit të njerëzve që migrojnë afatgjatë në MB dhe atyre që largohen nga vendi.

”Vlerësimet për migracionin neto të shtetasve britanikë më parë bazohej në Anketën Ndërkombëtare të Pasagjerëve (IPS), e cila kishte një madhësi shumë të vogël të mostrës dhe ishte zgjatur përtej qëllimit të saj origjinal, ndaj nuk konsiderohej më një matës i besueshëm”, tha ONS.

Tani vlerësimet prodhohen duke përdorur të dhëna më të forta dhe gjithëpërfshirëse nga Departamenti i Punës dhe Pensioneve, që përfshin të gjithë personat me numër sigurimi kombëtar dhe mund të përdoret për të përcaktuar statusin e mundshëm të migracionit të individëve në Britaninë e Madhe.

Këto të dhëna të përmirësuara kanë çuar në rishikimin në rritje të vlerësimeve për emigracionin e shtetasve britanikë.

Në vitin 2024, tani vlerësohet se rreth 257 000 shtetas britanikë kanë lënë vendin krahasuar me parashikimin fillestar prej 77 000 personash./  /Ad.Ab./

The post BM – Migrimi neto bie më shumë nga parashikimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Mahmood njofton ndryshimet për një sistem më të ashpër azili

17 November 2025 at 22:09

LONDËR, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood deklaroi se Britania e Madhe po shënjestrohej nga trafikantët e qenieve njerëzore nëpër Evropë, ndërsa prezantoi sot planet për të ashpërsuar sistemin e azilit në vend.

Mahmood njoftoi ndryshime të gjera, të hartuara për të hedhur poshtë idenë sipas së cilës BM është një vend tërheqës për azilkërkuesit dhe për të forcuar procesin e largimit të personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vend.

Planet, të paraqitura në një deklaratë qeveritare, kanë hasur tashmë rezistencë nga laburistët.

Por, kryeministri Keir Starmer tha se sistemi i azilit nuk ishte projektuar për të përballuar një botë më të paqëndrueshme dhe më të pasigurt ose një situatë ku kërkuesit e azilit kalonin përmes shumë vendeve të sigurta, përpara se të përpiqeshin të kalonin La Manshin me varka.

”Nëse duam të shohim më pak kalime në La Mansh, më pak shfrytëzim dhe një sistem më të drejtë me rrugë të sigurta dhe legale, na duhet një qasje me efekt më të fortë pengues dhe rregulla që zbatohen me rigorozitet”, tha ai.

Sekretarja e Brendshme tha se MB-ja shihej nga kërkuesit e azilit si një destinacion më tërheqës se vendet e tjera europiane.

”Ndërsa disa janë refugjatë të vërtetë, të tjerë janë migrantë ekonomikë, që kërkojnë të përfitojnë nga sistemi i azilit”, shtoi ajo.

Masat përfshijnë shkurtimin e kohës që refugjatët mund të qëndrojnë fillimisht në BM nga pesë vjet në një sistem mbrojtjeje bazë 30-mujore, i cili mund të rinovohet vetëm nëse nuk është e sigurt të kthehen.

Nuk do të ketë të drejtë automatike për ribashkimin familjar për refugjatët nën mbrojtje.

Strehimi dhe pagesat javore nuk do të jenë më të garantuara për kërkuesit e azilit, dhe ata që mund të punojnë ose kanë pasuri do të duhet të kontribuojnë në kostot e tyre në MB.

Mahmood foli gjithashtu për një qasje të planifikuar më të fortë për largimin e kërkuesve të azilit që kanë dështuar.

”Ne do të largojmë njerëz që nuk i kemi larguar më parë, përfshirë familjet që kanë një vend të sigurt ku mund të kthehen”, përfundoi ajo./   /Ad.Ab./

 

The post BM – Mahmood njofton ndryshimet për një sistem më të ashpër azili appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – BM në alarm për stuhinë ”Claudia”

15 November 2025 at 10:10

LONDËR, 15 nëntor /ATSH-DPA/ – Një alarm është lëshuar në Britaninë e Madhe, ndërsa pasojat e stuhisë ”Claudia” vazhdojnë, me më shumë shira dhe përmbytje që priten sot në pjesën më të madhe të Anglisë dhe Uellsit.

Një paralajmërim i verdhë për motin me shi që ka përfshirë Anglinë qendrore dhe veriore, Jugperëndimin dhe Uellsin skadoi në orën 06:00 (06:00 GMT).

Por, Uellsi ka lëshuar katër paralajmërime të rënda përmbytjesh, pas kësaj ore, që do të thotë se ka rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe priten ndërprerje të konsiderueshme (trafiku ose energjie) për komunitetin.

Ekipet e shpëtimit po punojnë së bashku me policinë e Gwent, Shërbimet e Ambulancës Uellsiane NHS Trust (WAST), SARA, Rojën Bregdetare dhe shërbimet fqinje të zjarrfikësve dhe shpëtimit për të kryer kontrolle, evakuime apo shpëtime.

Sipas Zyrës Meteorologjike, shiu i pjesshëm dhe shiu i imët do të vazhdojnë në të gjithë Anglinë dhe Uellsin, ndërsa Irlanda e Veriut dhe Skocia mund të presin kushte më të thata dhe ndoshta edhe disa periudha me diell.

Më shumë se 90 paralajmërime për përmbytje – që do të thotë se priten përmbytje – ishin në fuqi sot në mëngjes, sipas Agjencisë së Mjedisit.

Sipas Zyrës Meteorologjike, shiu ka të ngjarë të përkeqësojë përmbytjet, veçanërisht në pjesë të Anglisë lindore dhe të Irlandës së Veriut.

Reshjet e dendura do të zëvendësohen shpejt nga një valë të ftohti, që do të fillojë nga sot, çka mund të sjellë dëborë dhe shi në brigjet dhe kodrat veriore./ a.jor.

The post METEO – BM në alarm për stuhinë ”Claudia” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Grevat e mjekëve rrezikojnë reduktimin e stafit dhe shërbimet shëndetësore për qytetarët

14 November 2025 at 14:04

LONDËR, 14 nëntor /ATSH-DPA/ – Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Britanisë së Madhe (NHS) mund të detyrohet të ulë numrin e stafit si dhe të kufizojë takimet dhe operacionet për pacientët nëse grevat e mjekëve vazhdojnë, kanë paralajmëruar drejtuesit e lartë shëndetësorë.

Ndërsa mijëra mjekë dolën sot në grevë në të gjithë Anglinë për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi pagat, ”NHS Confederation” dhe ”NHS Providers”, që përfaqësojnë sindikatat shëndetësore, thanë se veprimet e vazhdueshme po ushtrojnë presion mbi buxhetet që tashmë janë të mbingarkuara.

Kjo grevë pesëditore është e 13-ta e mjekëve që nga marsi 2023, me grevën e fundit në korrik që vlerësohet se i ka kushtuar shërbimit shëndetësor 300 milionë paund.

”NHS Confederation” dhe ”NHS Providers” thanë se ”nëse NHS vazhdon të mbulojë kostot e grevave, kjo mund të çojë në shkurtim të stafit dhe në kryerjen e pakët të testeve, takimeve dhe operacioneve”.

Pasojat për pacientët janë se ata do të detyrohen të presin më gjatë për trajtim dhe shumë mund të mos jenë më në gjendje të punojnë pa trajtimin që u nevojitet./   /Ad.Ab./

The post BM – Grevat e mjekëve rrezikojnë reduktimin e stafit dhe shërbimet shëndetësore për qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – 10 të plagosur pas sulmit në një tren, reagojnë Starmer dhe Mahmood

2 November 2025 at 08:33

LONDËR, 2 nëntor /ATSH-ANSA/ – Dhjetë persona janë në spital, me nëntë prej tyre me lëndime të rënda, pas sulmit me thikë që ndodhi mbrëmë në bordin e një treni që udhëtonte nga Doncaster për në King’s Cross në Cambridgeshire.

Njësia Antiterroriste Britanike po heton gjithashtu incidentin.

Qen të trajnuar për të nuhatur çdo lloj rreziku, duke përfshirë armët dhe narkotikët, u vendosën gjithashtu në tren.

Mediet në vendngjarje theksuan se hetuesit do të duhet të “kenë një mendje absolutisht të hapur” për të përcaktuar nëse diçka tjetër, siç janë armët e fshehura ose narkotikët, mund të jetë ende në tren që mund të paraqesë një kërcënim.

”Sky” raporton se Shërbimi i Ambulancës së Anglisë Lindore tha se kishte vendosur një “përgjigje në shkallë të gjerë”.

Një zëdhënës shpjegoi se ambulanca të shumta, komandantë taktikë dhe Ekipi i Reagimit të Zonës së Rrezikshme shkuan në vendngjarje, së bashku me ekipet e kujdesit intensiv dhe helikopterët nga ”East Anglian Air” dhe ”Essex & Herts Air Ambulance”.

“Mund të konfirmojmë se kemi transportuar pacientë të shumtë në spital”, tha zëdhënësi.

Policia Britanike e Transportit ka arrestuar dy persona.

BBC raporton se, sipas policisë, alarmi u dha në orën 19:39 dhe më shumë se 30 oficerë, përfshirë oficerë të armatosur, shkuan në vendin e ngjarjes.

“Incidenti i tmerrshëm në një tren pranë Huntingdon është thellësisht shqetësues. Mendimet e mia janë me të gjithë të prekurit dhe falënderimet e mia shkojnë për shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre. Kushdo në zonë duhet të ndjekë këshillat e policisë”, shkroi kryeministri Keir Starmer në X.

“Jam thellësisht e trishtuar kur mësova për sulmet me thikë në Huntingdon”, shkroi sekretarja e Brendshme britanike Shabana Mahmood në X.

“Dy të dyshuar u arrestuan menjëherë dhe u lanë në paraburgim. Po marr përditësime të rregullta mbi hetimin. I bëj thirrje njerëzve të shmangin komentet dhe spekulimet në këtë fazë të hershme”, shtoi ajo./ a.jor.

The post BM – 10 të plagosur pas sulmit në një tren, reagojnë Starmer dhe Mahmood appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Britania i shet Turqisë 20 avionë “Typhoon”

27 October 2025 at 17:28

LONDËR, 27 tetor /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe ka arritur një marrëveshje me Turqinë për shitjen e 20 avionëve luftarakë “Eurofighter Typhoon”, me vlerë deri në 8 miliardë paund. Kryeministri britanik Keir Starmer e nënshkroi sot marrëveshjen gjatë vizitës së tij në Ankara.

Starmer e quajti marrëveshjen “një fitore për punëtorët britanikë, për industrinë e mbrojtjes dhe për sigurinë e NATO-s”, duke theksuar se bashkëpunimi me Turqinë e forcon edhe vetë aleancën.

Kjo është marrëveshja më e madhe e eksporteve ajrore të Britanisë në gati dy dekada dhe porosia e parë e re për avionët “Typhoon” që prej vitit 2017, duke garantuar mijëra vende pune në Britaninë e MAdhe.

Avionët prodhohen nga një konsorcium ndërmjet Britanisë, Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë.

Sipas qeverisë britanike, rreth 37% e prodhimit realizohet në Britani, përfshirë montimin final në uzinat “BAE Systems” në Warton dhe Samlesbury. Vetëm në këto dy qendra, programi “Typhoon” mbështet rreth 6 000 vende pune, ndërsa qindra të tjera sigurohen në sektorë të tjerë të zinxhirit të furnizimit.

Dorëzimi i avionëve pritet të nisë në vitin 2030.

Gjatë vizitës, kryeministri Starmer vendosi një kurorë te mauzoleumi i Mustafa Kemal Atatüuk, përpara se të finalizonte marrëveshjen në pallatin presidencial me presidentin Recep Tayyip Erdogan. /Ad.Ab./

 

The post LONDËR – Britania i shet Turqisë 20 avionë “Typhoon” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BBC: Franca tërhiqet nga premtimi për të ndaluar anijet me emigrantë në Kanalin e La Manshit

23 October 2025 at 12:45

PARIS, 23 tetor /ATSH/- Franca po tërhiqet nga një angazhim i kohëve të fundit për të ndërhyrë me forcë në det – për të ndaluar anijet e vogla të kalojnë Kanalin e La Manshit, sipas BBC.

Ekzistojnë prova se trazirat aktuale politike në Francë janë pjesërisht fajtore, por kjo do të vijë si një goditje për përpjekjet e qeverisë së Britanisë së Madhe për të trajtuar çështjen.

Ndërkohë, anijet e mbipopulluara vazhdojnë të largohen nga bregu pothuajse çdo ditë, nga një kanal i cekët baticor pranë portit të Dunkirkut.

Ndërsa personi përgjegjës për sigurinë kufitare në BM, Martin Hewitt, ka shprehur “zhgënjimin” e tij për vonesën e Francës për të vepruar.

Sipas burimeve të BBC, premtimet për një “doktrinë detare” të re – e cila do të angazhonte anijet patrulluese për të kapur anijet e mbipopulluara dhe për t’i tërhequr ato sërish në breg – ishin të kota.

Ndërsa personi përgjegjës për sigurinë kufitare në BM, Martin Hewitt, ka shprehur tashmë “zhgënjimin” e tij për vonesën e Francës për të vepruar – të lidhura me premtimet për një “doktrinë detare” të re – e cila do të angazhonte anijet patrulluese për të kapur anijet e mbipopulluara dhe për t’i tërhequr ato sërish në breg – ishin boshe.

“Është thjesht një marifet politik”, tha një zyrtar i lidhur ngushtë me sigurinë detare franceze.

Ish-ministri i Brendshëm Bruno Retailleau u vlerësua gjerësisht, jo vetëm në BM për drejtimin e një qasjeje më agresive në Kanalin e La Manshit.

Kjo kulmoi korrikun e kaluar me një samit midis presidentit Emmanuel Macron dhe kryeministrit Sir Keir Starmer.

Fokusi, atëherë ishte në planet për të kapur të ashtuquajturat “anije taksi” që tani përdoren nga kontrabandistët për të lundruar pranë vijës bregdetare, duke mbledhur emigrantët që tashmë qëndronin në ujë.

Policia franceze rrallë ndërhyn kundër “anijeve taksi” të mbipopulluara, pasi kjo konsiderohet një rrezik shumë i madh si për oficerët ashtu edhe për civilët. //a.i/

 

The post BBC: Franca tërhiqet nga premtimi për të ndaluar anijet me emigrantë në Kanalin e La Manshit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BM konfirmon angazhimin në misionin e NATO-s në Kosovë deri më 2028

22 October 2025 at 16:41

LONDËR, 22 tetor /ATSH/ – Forcat e Armatosura Britanike do të vazhdojnë të mbështesin një mision paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë për të paktën tre vjet të tjera, shkruan faqja zyrtare e qeverisë britanike, gov.uk.com.

Britania e Madhe ka kontribuar me vendosmëri në Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) që nga hyrja e saj e parë në Kosovë në vitin 1999 si një forcë paqeruajtëse për të sjellë paqe dhe stabilitet pas konfliktit të viteve ’90.

Angazhimi përqendrohet rreth një force rezervë prej qindra ushtarësh britanikë që mund të vendosen në Kosovë për të ndihmuar misionin me një njoftim të shkurtër, nëse është e nevojshme. Vendosja e fundit e madhe e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur misionin u zhvillua në vitin 2023 pas një sulmi të dhunshëm kundër policisë në veri të Kosovës.

Zgjatja e mbështetjes së Britanisë së Madhe për KFOR-in deri të paktën në dhjetor 2028 përmbush qasjen e qeverisë duke rritur njëkohësisht sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Njoftimi vjen ndërsa kryeministri priti sot ‘’Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor’’ në Londër për të diskutuar bashkëpunim më të ngushtë për të trajtuar sfidën e përbashkët të migracionit të parregullt.

‘’Angazhimi i Britanisë së Madhe për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. Duke i dhënë mbështetjen tonë Forcës së NATO-s në Kosovë, ne po demonstrojmë rolin tonë si një aleat kryesor i NATO-s dhe po qëndrojmë pranë vlerave tona të stabilitetit dhe demokracisë. Bashkëpunimi i ngushtë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është jetik, jo vetëm për stabilitetin rajonal, por edhe për të siguruar sigurinë këtu në vend’’, deklaroi kryeministri britanik Keir Starmer.

Kosova është një partner i rëndësishëm. Britania e Madhe ka qenë vendi i parë që njohu pavarësinë e saj në vitin 2008.

Misioni ndërkombëtar paqeruajtës i NATO-s, i mbështetur nga më shumë se 30 vende, u krijua pas fushatës ajrore 78-ditore të NATO-s në vitin 1999 kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, që synonte parandalimin e një katastrofe humanitare në Kosovë.

Ky mission vjen ndërsa ministria e Mbrojtjes përgatitet të nisë ‘’një kurs të ri të synuar’’ në vendet e Ballkanit Perëndimor i cili do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm, i projektuar për mbrojtjen dhe sigurinë, por edhe duke përfshirë promovimin e rolit të grave në mbrojtje.

Trajnimi i këtij lloji shihet gjerësisht si një nga metodat më efektive që kontribuon në parandalimin e konflikteve dhe do të inkurajonte zhvillimin e një rrjeti partnerësh në rajon, të cilët mund të konsultohen në të ardhmen.

Britania e Madhe do të ftojë Shqipërinë, Bosnjën – Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për të marrë pjesë.

‘’Trupat tona kanë kryer qindra misione gjatë dekadave në mbështetje të KFOR-it dhe ky zgjerim i angazhimit tonë do ta mbajë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor më të sigurt. Paqeruatja është një komponent kritik i angazhimit tonë për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar të sigurt brenda dhe të fortë jashtë vendit. Do të doja të falënderoja qindra trupa britanike që mbeten të gatshme të ndërmarrin hapa për të mbajtur Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën të sigurt’’, deklaroi ministri i Mbrojtjes,  Al Carns.

KFOR-i vepron si një nga ofruesit kryesorë të sigurisë në Kosovë, me trupa të kontribuara nga më shumë se 30 vende, përfshirë Italinë, Turqinë, Poloninë dhe SHBA-në, si dhe Britaninë e Madhe.  /os/

 

The post FOKUS – BM konfirmon angazhimin në misionin e NATO-s në Kosovë deri më 2028 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM ndërpret fluturimet mbikëqyrëse në Gaza pas kthimit të pengjeve

16 October 2025 at 17:48

LONDËR, 16 tetor /ATSH-DPA/- Britania e Madhe ka përfunduar fluturimet e saj të mbikëqyrjes mbi Gazën pas lirimit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi, tha sot Ministria e Mbrojtjes (MoD).

Avionët britanikë të mbikëqyrjes kanë kryer fluturime mbi Gazë që nga dhjetori 2023, pasi qeveria britanike njoftoi që tha se ata ishin të angazhuar vetëm për të gjetur pengje.

Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi sot se fluturimet kishin përfunduar me arritjen e marrëveshjes se planit të paqes, të hënën – të ndërmjetësuar nga SHBA-ja – që mundësoi lirimin e 20 pengjeve të mbetura gjallë.

Fluturimi i fundit u zhvillua më 10 tetor, tre ditë përpara se marrëveshja e paqes të nënshkruhej zyrtarisht.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey tha se ishte krenar për përpjekjet e Britanisë së Madhe – për të mbështetur kthimin e sigurt të pengjeve dhe profesionalizmin e personelit të shërbimit të përfshirë.

“Kthimi i sigurt i të gjithë pengjeve, së bashku me rivendosjen e menjëhershme të ndihmës, janë hapat e parë në përpjekjet për të siguruar një paqe të qëndrueshme”, shtoi ai. //a.i/

 

The post LONDËR – BM ndërpret fluturimet mbikëqyrëse në Gaza pas kthimit të pengjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Protesta pro palestineze, pavarësisht paralajmërimeve të Starmerit

8 October 2025 at 07:35

LONDËR, 8 tetor /ATSH-AFP/ – Disa mijëra njerëz morën pjesë në protestat pro palestineze në Londër dhe qytete të tjera në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht kritikave nga kryeministri Keir Starmer, i cili kishte bërë thirrje që marshime të tilla të mos mbaheshin në përvjetorin e dytë të gjenocidit, më 7 tetor 2023.

Në Londër, disa qindra studentë nga disa universitete demonstruan, duke brohoritur “Lironi Palestinën”, “Izraeli, një shtet terrorist” dhe “Ndaloni gjenocidin në Gaza”.

Dy vjet pas sulmit të paprecedentë të kryer nga lëvizja islamiste Hamas në Izrael, i cili çoi në një luftë shkatërruese në Gaza, këto tubime, të mbajtura gjithashtu në Sheffield dhe Edinburg, ishin objekt i një paralajmërimi të ashpër nga Starmer.

“Nuk është britanike të kesh kaq pak respekt për të tjerët”, shkroi udhëheqësja e Partisë Laburiste në ”The Times”, duke denoncuar “mungesën e empatisë dhe humanizmit”.

“Mendoj se të qenit këtu sot është ajo që na bën britanikë”, u përgjigj Sim Junaid, një ish-studente 23-vjeçare e ”King’s College”.

“Kryeministri nuk e kupton se çfarë po ndodh këtu dhe mendoj se ne mund të tregojmë solidaritet (me viktimat) e 7 tetorit dhe të vazhdojmë të demonstrojmë për popullin palestinez”, tha ajo.

Disa ditë pas sulmit në një sinagogë në Mançester që la të vdekur dy besimtarë hebrenj, Keir Starmer tha gjithashtu se demonstratat pro palestineze, të mbajtura rregullisht në Mbretërinë e Bashkuar, po përdoreshin nga disa si “një justifikim i neveritshëm për të sulmuar hebrenjtë britanikë për diçka për të cilën ata nuk mbajnë përgjegjësi”.

“Është e rëndësishme të ngrihemi kundër mizorive që po ndodhin në Lindjen e Mesme dhe nuk është antisemite të denoncosh atë që po ndodh”, tha një student 19-vjeçar hebre.

David MacFadyen, një burrë 56-vjeçar nga Glasgou, i quajti komentet e Keir Starmer “të neveritshme” dhe akuzat për antisemitizëm “qesharake”.

Megjithatë, një grua 34-vjeçare izraelite, Emily Schrader, e cila erdhi për të vizituar familjen e saj në Londër, e konsideroi mbajtjen e këtyre demonstratave “vërtet të papërgjegjshme”.

“Fakti që po e bëjnë këtë më 7 tetor, ditën kur (Hamasi) rrëmbeu, vrau dhe përdhunoi njerëz, nuk ka asgjë pro palestineze në lidhje me të, sinqerisht”, tha ajo.

Pas sulmit në sinagogën e Mançesterit më 2 tetor, qeveria kishte bërë thirrje tashmë për shtyrjen e demonstratave pro palestineze, nga frika se ato do të “nxisnin tensione”.

Por, 1 000 protestues u mblodhën në Londër të shtunën në mbështetje të organizatës së ndaluar ”Palestina Action”, të cilën qeveria e klasifikon si “terroriste”.

Sulmi i Hamasit në tetor 2023 vrau 1 219 persona, kryesisht civilë, sipas një llogaritjeje bazuar në shifrat zyrtare izraelite.

Nga 251 personat e marrë peng atë ditë, 47 mbeten në Gaza, 25 prej të cilëve janë të vdekur, sipas ushtrisë izraelite.

Fushata hakmarrëse ushtarake e Izraelit ka vrarë të paktën 67 160 palestinezë, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi, të cilin Kombet e Bashkuara e konsiderojnë të besueshëm./ a.jor.

The post BM – Protesta pro palestineze, pavarësisht paralajmërimeve të Starmerit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjermania, BM dhe Franca paralajmërojnë Iranin për rrezikun e përshkallëzimit pas sanksioneve të OKB-së

By: D Marku
28 September 2025 at 19:55

Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca paralajmëruan sot Iranin për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve pas rivendosjes së sanksioneve të OKB-së mbi programin bërthamor të Teheranit.

“Ne i kërkojmë Iranit të përmbahet nga çdo veprim përshkallëzues dhe të kthehet në përmbushjen e detyrimeve të tij ligjore të mbrojtjes”, thanë ministrat e Jashtëm të tre vendeve në një deklaratë të përbashkët.

“Rivendosja e sanksioneve të OKB-së nuk është fundi i diplomacisë”, thuhet në deklaratë.

Sanksionet, të cilat përfshijnë një embargo armësh dhe një ndalim të pasurimit të uraniumit, u rivendosën sot në mëngjes pasi negociatat e mëparshme dështuan.

Tre fuqitë evropiane, të gjitha palë në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, aktivizuan të ashtuquajturin mekanizëm “rikthimi” muajin e kaluar, duke përmendur shkeljet e marrëveshjes nga Teherani.

Të tre vendet thanë se do të vazhdojnë të punojnë me të gjitha palët drejt një zgjidhjeje të re diplomatike – për të siguruar që Irani të mos fitojë kurrë të drejtën për ndërtimin e armëve bërthamore.

Alarm për bombë, evakuohet në ditën e zgjedhjeve ambasada e Moldavisë në Bruksel
Ata gjithashtu theksuan një fokus në zbatimin e shpejtë të kufizimeve të rivendosura.

“Ne i nxisim të gjitha shtetet anëtare të OKB-së të zbatojnë këto sanksione”, thuhet në deklaratë.

The post Gjermania, BM dhe Franca paralajmërojnë Iranin për rrezikun e përshkallëzimit pas sanksioneve të OKB-së appeared first on Albeu.com.

BM – Mbi 1,5 milionë nënshkrime për peticionin kundër kartave digjitale të identitetit

27 September 2025 at 13:33

LONDËR, 27 shtator /ATSH-DPA/ – Një peticion që i bën thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të mos prezantojë kartat digjitale të identitetit, ka marrë më shumë se 1,5 milionë nënshkrime.

Kryeministri Keir Starmer njoftoi të premten se qeveria do të prezantojë një sistem të ri identifikimi deri në vitin 2029 që do të jetë i detyrueshëm për njerëzit që punojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Peticioni i bëri thirrje qeverisë të angazhohet për të mos futur kartat digjitale të identitetit  duke thënë se “ne mendojmë se ky do të ishte një hap drejt mbikëqyrjes masive dhe kontrollit digjital dhe se askush nuk duhet të detyrohet të regjistrohet me një sistem identifikimi të kontrolluar nga shteti”.

Ai mori më shumë se 6 800 nënshkrime brenda një ore sot në mëngjes, ndërsa arriti më shumë se 1 564 000 firma.

Peticionet në faqen e internetit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që marrin më shumë se 100 000 nënshkrime do të merren në konsideratë për një debat.

Udhëheqësi i ”Reform UK”, Nigel Farage, e kritikoi skemën e planifikuar, duke e quajtur atë “një kartë antibritanike”.

Duke shkruar në ”Daily Express”, ai tha se “plani i qeverisë laburiste për të imponuar kartat digjitale të identitetit për të gjithë të rriturit nuk do të bëjë asgjë për të luftuar imigracionin e paligjshëm. Por, do t’i japë shtetit më shumë pushtet për të kontrolluar popullin britanik”.

Ministrat kishin thënë më parë se karta e identitetit do të nevojitej vetëm si provë se dikush ka të drejtë të punojë në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e një përpjekjeje për të ulur imigracionin e paligjshëm.

Por Darren Jones, i cili po drejton politikën si sekretar kryesor i kryeministrit, sugjeroi që kartat digjitale të identitetit mund të ketë përdorime shumë më të gjera në të ardhmen.

Ai i tha samitit ”Global Progress Action” në Londër se “nëse e bëjmë këtë sistem të identifikimit digjital të funksionojë dhe publiku të jetë me ne, ky do të jetë themeli i shtetit modern dhe do të lejojë një reformë vërtet emocionuese të shërbimit publik në të ardhmen”.

Njerëzit nuk do të jenë të detyruar të mbajnë kartën e identitetit, e cila do të mbahet në telefonat inteligjentë ose t’u kërkohet ta paraqesin atë./  a.jor.

The post BM – Mbi 1,5 milionë nënshkrime për peticionin kundër kartave digjitale të identitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Personazhe të famshëm i kërkojnë Starmerit të pranojë gjenocidin e Izraelit

27 September 2025 at 12:44

LONDËR, 27 shtator /ATSH-DPA/ – Një numër personazhesh të famshëm i kanë kërkuar kryeministrit britanik, Keir Starmer të thotë se Izraeli po kryen një gjenocid në Gaza.

Duke u shfaqur në një video të publikuar nga Fushata e Solidaritetit për Palestinën (PSC) përpara konferencës së Partisë Laburiste, komediani dhe aktori Steve Coogan tha se “Starmer thotë se nuk është gjenocid, por ai është gjenocid”.

Klipi dyminutësh paraqet gjithashtu muzikantin Paul Weller, aktoren Maxine Peake, këngëtaren Paloma Faith, yllin e “The Crown” Khalid Abdalla, aktorin e “Alien: Earth” Alex Lawther, këngëtaren Nadine Shah, yllin e “Extraordinary” Bilal Hasna, muzikantin Brian Eno dhe të mbijetuarin e Holokaustit, Stephen Kapos.

Videoja ndërthur pamje të luftës me klipe të figurave publike që thonë “është gjenocid”.

Ata gjithashtu rendisin organizatat dhe njerëzit që i kanë njohur veprimet e Izraelit si gjenocid, duke përfshirë organizatën bamirëse Oxfam dhe Komisionin e Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit të OKB-së.

Komiteti i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit (PSC) do të udhëheqë sot një demonstratë kombëtare në konferencën e Partisë Laburiste në Liverpool.

Ben Jamal, drejtor i KPM-së, tha se “pothuajse dy vjet pas fillimit të gjenocidit të Izraelit në Gaza, është një shenjë turpi e përhershme që Partia Laburiste e Keir Starmer ende refuzon ta quajë atë siç është – një gjenocid – dhe të ndërmarrë veprime kuptimplote për t’i dhënë fund bashkëfajësisë së BM-së”.

“Nuk është çudi që një fluks i paparë mocionesh mbi Palestinën është dërguar në konferencën vjetore të Partisë Laburiste, duke kërkuar që qeveria të mbrojë të drejtat e popullit palestinez. Kryeministri duhet ta dëgjojë këtë zemërim publik në rritje dhe ta pranojë gjenocidin, të sanksionojë Izraelin dhe t’i japë fund të gjitha shitjeve të armëve”, tha ai.

Aktori Abdalla tha se “Gaza është Iraku i Keir Starmer. Refuzimi i qeverisë së tij për të përdorur fjalën gjenocid është një mënyrë e egër për të shmangur detyrimet ligjore të Britanisë sipas Konventës së Gjenocidit. Është një dështim moral dhe politik që po gërryen demokracinë tonë dhe që do të njollosë Partinë Laburiste dhe BM-në për dekada. Ne duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’i dhënë fund bashkëfajësisë britanike dhe të qëndrojmë në solidaritet me popullin e Palestinës. E ardhmja jonë kolektive varet prej kësaj”./  a.jor.

The post BM – Personazhe të famshëm i kërkojnë Starmerit të pranojë gjenocidin e Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR  – Starmer : ID digjitale e detyrueshme për punësim në BM

26 September 2025 at 13:59

LONDËR, 26 shtator /ATSH/ – Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi se qeveria do të fusë një skemë të re të ID-së (karta e identitetit) digjitale, e cila do të bëhet e detyrueshme për të gjithë ata që duan të punojnë ligjërisht në Britaninë e Madhe  sipas BBC.

Starmer deklaroi se skema e re do të bëjë më të vështirë punësimin e paligjshëm dhe do të sjellë “përfitime të panumërta” për qytetarët.

Qeveria tha se po shqyrton mënyra për të siguruar që shërbimi të jetë i aksesueshëm edhe për ata që nuk kanë mundësi të përdorin një smartphone dhe do të hapë një konsultim për mënyrën e implementimit më vonë gjatë vitit.

“Kjo do të përbëjë një mundësi të madhe për vendin dhe do të vështirësojë punësimin e paligjshëm”, tha Starmer.

ID-ja digjitale do të ruhet në telefonat e qytetarëve, në mënyrë të ngjashme me aplikacionin e NHS apo kartat e pagesave pa kontakt.

Ajo do të përfshijë emrin, datën e lindjes, një fotografi, kombësinë dhe statusin e banimit. Ata që nuk përdorin smartphone mund të marrin një kartë fizike.

Qytetarët nuk do të jenë të detyruar ta mbajnë me vete ose t’ua tregojnë të tjerëve, por do të duhet për të provuar të drejtën për të punuar.

Plani ka shkaktuar reagime të forta nga opozita dhe qeveritë rajonale.

“Reform UK” e quajti skemën një “lojë cinike” për të mashtruar votuesit, ndërsa liderja konservatore Kemi Badenoch tha se nuk do të ndalojë anijet që sjellin migrantë.

Liberaldemokratët kundërshtojnë detyrimin e qytetarëve për të dhënë të dhënat e tyre private. Qeveritë e Skocisë dhe Irlandës së Veriut e kanë quajtur planin të papranueshëm. /Ad.Ab./

 

The post LONDËR  – Starmer : ID digjitale e detyrueshme për punësim në BM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌