Ceremoni përkujtimore në nderim të dy punonjësve të Policisë, rënë në krye të detyrës
TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Në Rrëshen dhe Lezhë u zhvilluan sot ceremoni përkujtimore në nderim të dy punonjësve të Policisë, të rënë në krye të detyrës, duke lënë një shembull sakrifice dhe përkushtimi për jetën e qytetarëve.
Në 20-vjetorin e rënies në krye të detyrës të ish-punonjësit të Policisë, Fran Kaçorri, i shpallur “Dëshmor i Atdheut”, u zhvillua një ceremoni në Rrëshen, ku morën pjesë familjarët e dëshmorit, drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Mirditë, kolegë dhe punonjës policie, si dhe të afërm të Kaçorrit.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për sakrificën e tij, u vendosën kurora me lule. Fran Kaçorri ra në krye të detyrës më 8 shkurt 2006, duke dhënë jetën në shërbim të rendit, sigurisë dhe qytetarëve.
Po gjatë ditës së sotme, në Lezhë, u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 28-vjetorit të rënies në krye të detyrës të ish-punonjësit të Policisë, Bardhok Marku, gjithashtu i shpallur “Dëshmor i Atdheut”.
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë morën pjesë familjarët, kolegë dhe punonjës policie të Komisariatit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Bardhok Marku ra në krye të detyrës më 8 shkurt 1998, duke dhënë jetën në shërbim të rendit, sigurisë dhe qytetarëve.
/r.e/
The post Ceremoni përkujtimore në nderim të dy punonjësve të Policisë, rënë në krye të detyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.