Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 8 February 2026Main stream

Gonxhja: Memoriali i Fishtës do të kthehet në një qendër ndërkombëtare arti

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja informoi sot se Memoriali i Fishtës do të kthehet në një qendër ndërkombëtare arti.

Në një reagim lidhur me një kronikë televizive për këtë memorial, Gonxhja tha se “Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë po përgatitet të kthehet në një qendër multifunksionale kreative të përmasave ndërkombëtare. Një bashkëpunim strategjik mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe një prej shkollave më prestigjioze të fotografisë në Francë (ESPN), falë përkrahjes nga partnerë evropianë, do të sjellë nga kjo pranverë një frymë të re në zemër të trashëgimisë sonë”.

Sipas Gonxhes, ky projekt ambicioz i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do ta shndërrojë këtë hapësirë në një pikëtakim për ekologjinë, shkrimin dhe fotografinë.

Ky destinacion i ri kulturor do të përfshijë rezidenca artistike dhe shkëmbime, ku artistë e studentë francezë dhe shqiptarë do të bashkëpunojnë në programe trajnimi dhe kërkimi shkencor. Itinerari i Gjurmëve Fishtjane është si një rrugëtim hulumtues që lidh historinë e Fishtës me arkivën e jashtëzakonshme të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

“Në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë dhe institucione ndërkombëtare, por edhe me promotorët lokalë e agroturizmat e zonës, ky projekt do të kthejë edhe vëmendjen e turistëve drejt bukurive dhe shijeve unike të itenerareve historike të Lezhës. Me mbylljen këtë janar të proceseve të kolaudimit, regjistrimit dhe kalimit në administrim, në mars pritet të nisë zbatimi dhe jetësimi i projektit”, theksoi Gonxhja.

Shtëpia-muze dhe Memoriali i at Gjergj Fishtës ndodhen në fshatin Fishtë (Lezhë), në vendlindjen e poetit, atdhetarit dhe figurës madhore të kulturës shqiptare, at Gjergj Fishta, autor i veprës epike “Lahuta e Malcis”.

Shtëpia-muze ruan objekte personale, dorëshkrime dhe dokumente të rëndësishme që pasqyrojnë jetën dhe veprën e Fishtës, duke shërbyer si një qendër reflektimi për letërsinë dhe identitetin kombëtar.

Memoriali i at Gjergj Fishtës, i ndërtuar mbi truallin e kullës ku ai lindi, është pjesë e projektit “Gjurmë Fishtane” dhe përfshin 12 pika pelegrinazhi që rrëfejnë historinë, kontributin dhe ndikimin e tij në kulturën shqiptare.

/k.s/r.e/

The post Gonxhja: Memoriali i Fishtës do të kthehet në një qendër ndërkombëtare arti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja, muzetë dhe gastronomia, atraksionet që e bëjnë Gjirokastrën qytet turistik

8 February 2026 at 12:29

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Gjirokastra njihet si perla e jugut të Shqipërisë, ku tradita dhe bukuria natyrore bashkohen nën hijen e kalasë madhështore.

Pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Gjirokastra tërheq vizitorë nga e gjithë bota për arkitekturën e saj të veçantë, rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë tipike me çati guri.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau sot foto të qytetit të “pushtuar” nga turistët edhe këto ditë shkurti.

Një nga atraksionet kryesore është Kalaja e Gjirokastrës, e ndërtuar në shekullin e 12-të, që dominon qytetin dhe ofron pamje panoramike mbi luginën e Drinos. Brenda kalasë ndodhet Muzeu i Armëve, ku ruhen eksponate historike që pasqyrojnë ngjarjet dhe luftërat që kanë shënjuar historinë e rajonit.

Gjirokastra njihet gjithashtu për kulturën dhe traditat e saj folklorike. Festimet dhe aktivitetet kulturore, tërheqin artistë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe bota, duke promovuar muzikën dhe vallëzimin tradicional.

Qyteti është vendlindja e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare dhe ruan atmosferën e vjetër osmane, duke e bërë një destinacion të veçantë për ata që kërkojnë jo vetëm bukuri natyrore, por edhe histori dhe kulturë.

Vizitorët mund të eksplorojnë edhe shtëpitë muze të qytetit, si Shtëpia e Kadaresë, që ofron një pasqyrë të jetës dhe veprës së shkrimtarit.

Gastronomia lokale, e bazuar në produkte vendase dhe receta tradicionale, plotëson përvojën e vizitorëve, duke e bërë Gjirokastrën një destinacion të plotë turistik dhe kulturor.

/r.e/

The post Kalaja, muzetë dhe gastronomia, atraksionet që e bëjnë Gjirokastrën qytet turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

“Mallorca Diario” artikull për Shqipërinë, Gonxhja: Interes në rritje si destinacion autentik

7 February 2026 at 15:40

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Shqipëria si një destinacion i jashtëzakonshëm turistik vjen sërish në vëmendjen e medias ndërkombëtare, këtë herë përmes artikullit të publikuar në prestigjiozen “Mallorca Diario”.

Gazeta e njohur spanjolle i ka kushtuar një artikull të veçantë vendit tonë, pas takimit në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR në Madrid, duke theksuar rolin në rritje të Shqipërisë në hartën turistike ndërkombëtare.

Artikulli përfshin një intervistë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili paraqiti vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë.

“Ky vlerësim nga një media prestigjioze evropiane konfirmon interesin në rritje për Shqipërinë si një destinacion autentik, konkurrues dhe me potencial të jashtëzakonshëm për të ardhmen”, iu referua Gonxhja artikullit në median spanjolle.

Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, në Madrit, Spanjë, tërhoqi interes të lartë nga vizitorë dhe operatorë turistikë nga vende të ndryshme të botës, duke reflektuar rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj Shqipërisë si destinacion turistik.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në FITUR 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e turizmit shqiptar në tregjet ndërkombëtare, për forcimin e bashkëpunimit me operatorë turistikë dhe për rritjen e numrit të vizitorëve të huaj në vend.

Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit të kaluar. Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik po konsolidohet.

/e.i/j.p/

The post “Mallorca Diario” artikull për Shqipërinë, Gonxhja: Interes në rritje si destinacion autentik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 20 mijë vizitorë vizituan sitet kulturore gjatë janarit

7 February 2026 at 08:58

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Mbi 20,000 vizitorë vendas dhe të huaj vizituan sitet kulturore në Shqipëri, gjatë muajit janar 2026, duke treguar një interes për trashëgiminë tonë kulturore.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë këtij muaji janë regjistruar 11,315 vizitorë në muzetë kombëtarë, 6,012 vizitorë në parqet arkeologjike, si dhe 2,693 vizitorë në kala dhe monumente kulturore.

Sa i përket 5 siteve më të vizituara, sipas të dhënave të publikuara nga Gonxhja, në krye renditet Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, me 4,948 vizitorë, i ndjekur nga Parku Arkeologjik i Shkodrës me 3,475 vizitorë dhe Kalaja e Gjirokastrës me 2,167 vizitorë.

Ndërkohë, Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat është vizituar nga 1,604 persona, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit ka pritur 1,100 vizitorë gjatë muajit janar.

/m.q/a.f/

The post Mbi 20 mijë vizitorë vizituan sitet kulturore gjatë janarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Dosja e “Motit të Madh”, ëndërr e arbëreshëve dhe detyrimi ynë si shtet

5 February 2026 at 13:27

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjendet në Vatikan, ku është takuar edhe me përfaqësues të komunitetit arbëresh si dhe u bë pjesëmarrës së bashku me Ettore Bonanno, në podcast-in “Pop Arbëresh”.

Gjatë bisedës së zhvilluar me gazetarin arbëresh, ministri Gonxhja preku tema të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare siç është dosja e “Motit të Madh” në UNESCO, Muzeu Arbëresh etj.

Ministri Gonxhja përmendi gjatë bisedës projekte që ruajnë kujtesën, identitetin dhe historinë e arbëreshëve. Konferenca e mbajtur në mjediset e Vatikanit shoqërohej nga një miniekspozitë për kulinarinë shqiptare si dhe veshjet arbëreshe dhe të tjera elemente tradicionale.

“Aplikimi me dosjen e “Motit të Madh” është një ëndërr e rëndësishme e komunitetit arbëresh, por edhe detyrim i yni si shtet. Po punojmë shumë edhe për ‘Culturalb’, një fondacion shtetëror që kemi ngritur, për të pasur një tjetër energji në diasporat tona, ato të reja por edhe ato të lashta si arbëreshët, në mënyrë që të kemi një prani kulturore, sociale të qendrave tona në këto vende. Në Itali do kemi një shtëpi shqiptare, një qendër kulturore shqiptare”, u shpreh ministri i MTKS.

Ministri përmendi Muzeun Arbëresh i cili pritet të ngrihet në Vuno, në brigjet prej nga ku nisi eksodi. “Ky do të jetë një muze i vogël, por shumë i dashur dhe shumë i rëndësishëm për historinë dhe dedikuar krejtësisht tregimit mbi arbëreshët”, tha Gonxhja.

Ministri tha se të rinjtë, fëmijët tanë duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për krenarinë e cila nuk lidhet vetëm me Shqipërinë dhe gjuhën por lidhet me një rrënjë e cila sot na bën të ndihemi shumë evropianë, sepse Evropa ka filluar në Mesdhe, atje ku ne kemi qenë zot të vendit, të dokeve e traditave.

/r.e/a.f/

The post Gonxhja: Dosja e “Motit të Madh”, ëndërr e arbëreshëve dhe detyrimi ynë si shtet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: 600 të rinj përfituan nga Programi i Praktikave të Punës

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se 600 praktikantë përfituan nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës në vitin 2025.

Në takimin përmbyllës të thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, Gonxhja tha se “shpesh dëgjojmë se Evropa është “atje jashtë”, diku ku duhet të ikësh për ta gjetur. Por e vërteta është se Evropa që ne duam nuk është një destinacion gjeografik, është një standard jetese që po e ndërtojmë këtu, bashkë. Për vite me radhë, administrata publike është parë si një “kafaz burokratik”, një mjedis statik, i ngadaltë dhe shpeshherë i shkëputur nga aspiratat e qytetarëve”.

Por sot, vijoi Gonxhja, ky imazh i përket të shkuarës.

“Ju jeni dëshmia e këtij transformimi rrënjësor. Sot shteti nuk flet nga lart, por ecën krah për krah me të rinjtë dhe ju fton të bashkoheni e të kontribuoni për vendin. Prania juaj sot thyen barrierat e kohës, sfidon status quo-në dhe sheh meritokracinë si të vetmen matëse të suksesit. Ju nuk jeni thjesht punonjës të rinj, por arkitektët e një administrate moderne, transparente dhe në shërbim të plotë të realitetit që na rrethon. Jeni ata që do ta bëni shtetin të vrapojë me shpejtësinë e ambicies suaj. Përmes Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, nuk po hyjnë thjesht emra të rinj në listëpagesa, po hyn një mendësi e re: 600 praktikantë përfituan nga ky program në vitin 2025 duke zgjedhur të japin kontributin e tyre real”, nënvizoi Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “për herë të parë në vitin 2025, puna juaj u çmua financiarisht, si certifikata e parë e dinjitetit, një mesazh i qartë se dija juaj ka vlerë dhe shteti e respekton atë që në hapin e parë. Dhe mbi të gjitha, janë 250 kontrata të para pune që vërtetojnë se në këtë program, rruga nga bankat e shkollës te mundësitë e punësimit konkret kalojnë vetëm përmes meritës”.

“Shqipëria e re ka nevojë për mendjen, zemrën dhe energjinë tuaj pa komplekse për ta kthyer Shqipërinë 2030 në stacionin më të rëndësishëm të rajonit në të gjitha dimensionet: ekonomike, turistike, kulturore, sportive”, tha Gonxhja.

Gjatë vitit 2025 u ofruan 1401 praktika, ku 600 të rinj u përfshinë në institucione publike. Ndërkohë 600 praktikantë kanë marrë kompensim financiar prej 10 000 lekë/muaj për 3 muaj, një vlerë prej 2,6 milionë lekë më shumë buxhet për vitin 2025.

Gjithashtu gjatë 2025 janë kryer 6 cikle trajnimesh me ASPA (aftësi digjitale, etikë, financa, administratë). Nga 600 të rinj, rreth 250 prej tyre do të përfitojnë kontratë pune 1-vjeçare në institucionet përkatëse, ndërsa 1600 persona janë punësuar gjatë këtyre 9 viteve.

/k.s/r.e/a.f/

The post Gonxhja: 600 të rinj përfituan nga Programi i Praktikave të Punës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Rritja e imazhit të Shqipërisë ndërkombëtarisht, themeli i punës dhe përpjekjeve tona

3 February 2026 at 12:40

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në një konferencë me gazetarët, tha se sfidat e vitit që sapo ka nisur janë të jashtëzakonshme sepse të tilla janë pritshmëritë e qytetarëve dhe ambiciet e Qeverisë.

Gonxhja nënvizoi se në zbatim të programit të Qeverisjes Shqipëria 2030 për rritjen e ekosistemit të mikpritjes, së promovimit të vendit dhe identitetit tonë, të mirëmenaxhimit të pasurive publike, si bregu ujor, plazhet dhe destinacinet turistike mbrotjes së trashëgii kulturore, mbështetja e një kalendari spektakolar aktivitetesh mes traditës dhe modernes, dhe natyrës dhe itinierarit.

“Rritja e imazhit të Shqipërisë ndërkombëtarisht, e vizitueshme 365 ditë të vitit është themeli i punës dhe përpjekejve tona. Bashkimi i kulturës, rinsië dhe sportit flet qartë për sinergjinë organike dhe natyrshmërinë e sektorëve në organika dhe mision”, tha Gonxhja.

“Hartimi dhe përditësimi i strategjive sektoriale në koordinim mes tyre janë garancia e një akritekture të qendrueshme dhe afatgjatë. Lufta jonë parësore është që të kërkojmë përtej tavaneve buxhetore, jo vetëm sepse edhe në kohët të mira ato nuk mjaftojnë, por sepse Shqipëria duhet të shpikë shumëfish fonde nëse duam të kapim kohën e humbur, të shpëtojmë thesaret tona të rrezikuara, të maksimizojmë vlerën e aseteve tona historike në funksion të zhvillimit të komunitetece të turizmit dhe ekonomisë”, vijoi Gonxhja.

vijon…

/e.i/a.f/

The post Gonxhja: Rritja e imazhit të Shqipërisë ndërkombëtarisht, themeli i punës dhe përpjekjeve tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily

2 February 2026 at 10:50

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Revista prestigjioze e arkitekturës ArchDaily ka nominuar Mozaikun e Tiranës për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri me dije lajmin, ndërsa tha se ky monument është një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore.

Sipas Gonxhes, ky nominim e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes.

Mozaiku i Tiranës daton që prej shek. III dhe është zbuluar në vitet ’70 të shekullit të kaluar gjatë punimeve për ndërtimin e një blloku pallatesh.

Mozaiku i Tiranës është një hapësirë e re moderne që shërben si platformë për prezantimin e mozaikëve më të rëndësishëm, ndërsa po kthehet në një destinacion të rëndësishëm kulturor për Tiranën.

Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative me fëmijët e të rinjtë, kjo hapësirë vjen si një dritare e re e interpretimit bashkëkohor të trashëgimisë sonë arkeologjike.

Kjo godinë, përpos historikut të saj, shërben edhe si pikë informacioni vizuale për të gjithë mozaikët që mbart nëntoka e pasur arkeologjike shqiptare.

/e.i/a.f/r.e/

The post Gonxhja: Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministri Gonxhja: Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily

By: lindita
2 February 2026 at 09:40

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë me dije se revista prestigjioze e arkitekturës ArchDaily ka nominuar Mozaikun e Tiranës për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”. Sipas Gonxhes, ky nominim e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes. “Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit…

Source

Gonxhja: Fitim Makashi i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim dhe pasion

31 January 2026 at 20:59

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja ka reaguar për ndarjen sot nga jeta të aktorit Fitim Makashi.

“Një tjetër yll i teatrit dhe kinematografisë shqiptare u nda sot nga jeta”, shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.

Gonxhja vlerëson figurën e Fitim Makashit si aktor, pedagog dhe emër i paharruar i skenës dhe ekranit, që i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt.

Ai la gjurmë në skenë me role si Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës” dhe Filipoviç në “Inspektori”.

Në kinematografi u bë pjesë e filmave që sot janë klasikë: “Nga mesi i errësirës”, “Duel i heshtur”, “Prita”, “Njesiti gueril”, “Ndërgjegjia”, “Larg barbarëve”, “Shpella e piratëve”, “Vdekja e kalit”, “Tre njerëz me guna”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Intendenti”, “Ilegalët”, “Rrugicat që kërkonin diell”.

“U prehtë në paqe!”, shkruan Gonxhja.

/r.e/

The post Gonxhja: Fitim Makashi i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim dhe pasion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shuhet Fitim Makashi, ministri Gonxhja: I dha artit më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt

By: redi
31 January 2026 at 20:36

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja ka reaguar pas ndarjes nga jeta të aktorit Fitim Makashi. Gonxhja shkruan se u nda nga jeta një yll i teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Gonxhja tha se Makashi i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt. “Një tjetër yll i teatrit dhe kinematografisë shqiptare u nda sot nga jeta. Fitim Makashi, aktor…

Source

Gonxhja: Instrumente të reja financiare në shërbim të sportit dhe rinisë

30 January 2026 at 21:13

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dorëzoi sot flamurin kombëtar ekipit olimpik Team Albania që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore 2026, të cilat do të zhvillohen në datat 6-22 shkurt në Milano dhe Cortina d’Ampezzo të Italisë.

I pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Pallatin e Brigadave, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se po konsultohet në publik ligji i ri i sponsorizimeve, i cili do t’i japi një energji të munguar sportit.

“Do t’i hapim një dritare krejt tjetër dhe një mundësi krejt të re për të çliruar ato energji që deri më tani kanë qenë të munguara në shërbim të sportit. Do të kemi një instrument tjetër që do të sjell një fond i cili do të jetë një fond special, që do të jetë në shërbim të artit, kulturës, sportit. Ne të gjitha këto ia dedikojmë edhe rinisë në mënyrë direkte, sepse ku ka më shumë rini sesa në këto sfera”, tha Gonxhja.

“Gjithashtu sapo kaluam në qeveri, aktet nënligjore të lojërave të fatit, që do të bëjë të kemi shumë shpejt zbatueshmërinë e një ligji, i cili do të sjellë një divident të sigurt, të menjëhershëm, goxha të lartë për sportin. Kështu që jemi në prag të ditëve shumë të mira”, vijoi ai.

Ministri Gonxhja falënderoi presidentin e Federatës së Skive, duke e etiketuar një biznesmen të shkëlqyer. Gonxhja shprehu mirënjohjen edhe për figura të tjera sportive që lartësojnë emrin e Shqipërisë në këtë disiplinë sportive si Lara Colturi, Denni Xhepa, Semire Dauti dhe Elisa Brunga.

/e.i/r.e/a.f/

The post Gonxhja: Instrumente të reja financiare në shërbim të sportit dhe rinisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë”

30 January 2026 at 10:53

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joanin.

“Falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, u bë i mundur shpëtimi nga trafikimi i pasurive me vlera kulturore kombëtare”, tha ministri gjatë takimit duke shpjeguar më tej se, ekspertët identifikuan 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, të cilat po i rikthehen Kishës Ortodokse pas 14 vitesh mungesë.

Ministri Gonxhja theksoi se, kthimi i këtyre pasurive kulturore është shembull domethënës që dëshmon se sa jetik është regjistrimi i pasurive kulturore si mjeti i vetëm dhe i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre, në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen apo humbasin.

“Ky rikthim nuk është vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore”, tha Gonxhja.

Ministri siguroi se do të vijojë bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, me kryepeshkopin Joan dhe të gjitha komunitetet e tjera fetare, me qëllim gjetjen dhe rikthimin e objekteve të tjera të deklaruara të humbura, në një angazhim të pa kompromis për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kryepeshkopit Joan falënderoi të gjithë ata njerëz që i gjetën dhe i mblodhën 10 ikona shumë të bukura dhe shumë të rëndësishme për historinë tonë. Ai shprehu mirënjohjen ndaj ministrit, i cili pati angazhimin dhe dëshirën për t’ia kthyer përsëri Kishës Ortodokse, këto ikona.

“Ne jemi të gjithë të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë e këtë identitet dhe kjo është një nga pasaportat tona edhe për identitetin tonë evropian, e të kulturës evropiane”, tha kryepeshkopi Joan. /j.p/

 

1 nga 4

The post Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Tish Daija i dha muzikës sonë dinjitet dhe përmasë ndërkombëtare

30 January 2026 at 10:12

 

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kujtoi në 100-vjetorin e lindjes kompozitorin Tish Daija duke e cilësuar si një nga figurat më themelore të kulturës dhe muzikës shqiptare.

“Tish Daija ishte kompozitor, akademik, pedagog dhe krijues vizionar, që vendosi gurë themeli në artin skenik e simfonik kombëtar”, shkroi ministri Blendi Gonxhja.

Me një krijimtari të jashtëzakonshme, nga baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, te operat, operetat, veprat simfonike, muzika e filmit dhe muzika e lehtë, Tish Daija ndërtoi ura mes folklorit burimor dhe shprehjes bashkëkohore, duke i dhënë muzikës sonë identitet, dinjitet dhe një përmasë ndërkombëtare.

Tish Daija ka qenë edhe drejtues i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe pedagog formues i brezave të tërë artistësh, duke mbetur pishtar i trashëgimisë dhe i shijes artistike shqiptare.

“Në këtë përvjetor jubilar, përulemi me mirënjohje përpara veprës së tij madhore, që vijon të frymëzojë, të edukoje dhe të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet në skenat e botës”, u shpreh kreu i MTKS-së. /j.p/

The post Gonxhja: Tish Daija i dha muzikës sonë dinjitet dhe përmasë ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministri Gonxhja: Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë

By: redi
29 January 2026 at 16:09

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja së bashku me kryetarin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, pritën në një takim të veçantë, kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Ministri bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë dhe mënyrat se si mund të pasurohet jeta kulturore e qytetit.

Source

Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë

29 January 2026 at 15:14

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryetarin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, pritën në një takim të veçantë, kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Ministri bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë dhe mënyrat se si mund të pasurohet jeta kulturore e qytetit.

“Projekte interesante u paraqitën edhe për muzeun e ri të qytetit, një hapësirë që do të kontribuojë në rritjen e turizmit dhe do të sjellë më shumë vizitorë vit pas viti”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ky takim vjen pas vendimit se MTKS do të investojë rreth 1.4 milion euro për rijetësimin e kinemave në vend, gjatë vitit 2026.

Synimi është të rikthehet magjia e filmit tek publiku anekënd vendit. Pritet që, 7 salla kinemaje të përfitojnë nga modernizimi i teknologjisë dhe ambienteve, duke krijuar një hapësirë më tërheqëse dhe komode për të gjithë shikuesit që duan të shijojnë artin e filmit.

/j.p/

The post Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja në FITUR 2026, takim me Presidenten e Ishujve Baleare

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjatë panairit ndërkombëtar të turizmit në Madrid, Fitur 2026 zhvilloi një takim me Marga Prohens, Presidente e Ishujve Baleare.

Gonxhja dhe Prohens shkëmbyen eksperienca mbi politikat e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, menaxhimin e destinacioneve dhe promovimin kulturor, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.

Gjithashtu, gjatë ditëve të panairit u zhvilluan një seri takimesh zyrtare dhe dypalëshe në stendën e Shqipërisë me përfaqësues të nivelit të lartë institucional dhe drejtues të kompanive kryesore ndërkombëtare të turizmit dhe investimeve.

“Paralelisht, zhvilluam takime profesionale me përfaqësues të KPMG, LeadPro Advisors, Transat, IMC, Grupo Piñero dhe THB Hotels, të fokusuara në mundësitë e investimeve strategjike, strukturimin e projekteve turistike, partneritete afatgjata dhe interesin konkret për tregun shqiptar”, u shpreh Gonxhja në rrjetet sociale.

Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Madrid, stenda shqiptare tërhoqi interes të jashtëzakonshëm nga vizitorët dhe profesionistët e industrisë.

Vizitorët u njohën nga afër me ofertën turistike të vendit përmes prezantimeve inovative që përfshijnë përvoja virtuale (VR), degustime të produkteve tradicionale, performanca artistike live, artizanat dhe elemente të traditës shqiptare të mikpritjes.

Në këtë panair, Shqipëria u promovua si një destinacion turistik gjithëvjetor, autentik dhe gjithëpërfshirës, duke synuar zgjerimin e pranisë së saj në tregjet ndërkombëtare dhe forcimin e imazhit si një destinacion me potencial të lartë turistik.

/k.s/j.p/r.e/

The post Gonxhja në FITUR 2026, takim me Presidenten e Ishujve Baleare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja në FITUR 2026, takim me mbretin Felipe VI dhe mbretëreshën Letizia

24 January 2026 at 19:26

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim përshëndetës me mbretin e Spanjës, Felipe VI, dhe mbretëreshën Letizia, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, që po mbahet në Madrid.

Gjatë këtij takimi, ministri Gonxhja përcolli ngushëllimet më të thella për viktimat e aksidenteve hekurudhore që tronditën Spanjën javën e kaluar, ku përplasja e dy trenave me shpejtësi të lartë shkaktoi dhjetëra viktima dhe qindra të lënduar.

Ai uroi gjithashtu, në emër të kryeministrit Edi Rama, Qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar, një rikthim sa më të shpejtë në normalitet për Spanjën.

Në kuadër të aktivitetit, ministri Gonxhja, së bashku me ministrat e turizmit të disa prej vendeve pjesëmarrëse në FITUR 2026, mori pjesë në foton familjare me Mbretin dhe Mbretëreshën e Spanjës.

Gjatë këtyre momenteve miqësore u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, veçanërisht në fushën e promovimit të turizmit të qëndrueshëm, zhvillimit të lidhjeve me tregun spanjishtfolës dhe vendet e Amerikës Latine, si dhe përfitimit nga përvoja e gjerë ndërkombëtare e Spanjës në sektorin e turizmit.

FITUR konsiderohet një nga panairet lider të turizmit në nivel global dhe mbetet një platformë kyçe për dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë sektor.

Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Madrid, stenda shqiptare ka tërhequr interes të jashtëzakonshëm nga vizitorët dhe profesionistët e industrisë. Vizitorët po njihen nga afër me ofertën turistike të vendit përmes prezantimeve inovative që përfshijnë përvoja virtuale (VR), degustime të produkteve tradicionale, performanca artistike live, artizanat dhe elemente të traditës shqiptare të mikpritjes.

Në këtë panair, Shqipëria po promovohet si një destinacion turistik gjithëvjetor, autentik dhe gjithëpërfshirës, duke synuar zgjerimin e pranisë së saj në tregjet ndërkombëtare dhe forcimin e imazhit si një destinacion me potencial të lartë turistik.

1 nga 3

/r.e/

The post Gonxhja në FITUR 2026, takim me mbretin Felipe VI dhe mbretëreshën Letizia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Interes për të zbuluar e përjetuar Shqipërinë në panairin Fitur në Madrid

24 January 2026 at 10:28

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, në Madrit, Spanjë, ka tërhequr interes të lartë nga vizitorë dhe operatorë turistikë nga vende të ndryshme të botës, duke reflektuar rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj Shqipërisë si destinacion turistik.

Në stendën shqiptare prezantohen destinacionet kryesore turistike të vendit, vlerat e trashëgimisë kulturore, si dhe produktet tradicionale, të cilat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të ofertës turistike kombëtare. Ky prezantim synon të pasqyrojë diversitetin e Shqipërisë dhe potencialin e saj për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet në stendën e Shqipërisë, duke theksuar interesin dhe kureshtjen e vizitorëve për të njohur më nga afër destinacionet shqiptare.

“Çdo moment pulson me interes dhe kureshtje për të zbuluar e përjetuar Shqipërinë në të gjitha dimensionet e saj”, u shpreh ministri Gonxhja.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në FITUR 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e turizmit shqiptar në tregjet ndërkombëtare, për forcimin e bashkëpunimit me operatorë turistikë dhe për rritjen e numrit të vizitorëve të huaj në vend.

Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit që lamë pas.

Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik po konsolidohet.

e.xh/j.p/

The post Gonxhja: Interes për të zbuluar e përjetuar Shqipërinë në panairin Fitur në Madrid appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja, takim me kryebashkiakun e Madridit gjatë panairit “Fitur”

23 January 2026 at 22:41

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja takoi në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026 në Madrid, kryebashkiakun e qytetit, José Luis Martínez-Almeid.

Gonxhja ndau në rrjete sociale momente nga takimi me kryetarin e bashkisë së Madridit, José Luis Martínez-Almeida në një panair lider qv siç u shpreh ai që mbetet një platformë kyçe për dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e turizmit.

Më herët gjatë ditës së sotme, ministri Gonxhja u takua me Sekretaren e Përgjithshme, të UN Tourism, Sheikha Al Nowais.

Panairi Fitur është  nga më të mëdhenjtë në fushën e turizmit, i njohur për numrin e lartë të kontratave dhe marrëveshjeve që lidhen gjatë ditëve të para të tij. Shqipëria po merr pjesë me synimin për të zgjeruar ofertën turistike gjatë gjithë vitit. /j.p/

 

The post Gonxhja, takim me kryebashkiakun e Madridit gjatë panairit “Fitur” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌