SPANJË – Sanches: Të gatshëm të dërgojmë trupa për ruajtjen e paqes në Palestinë
MADRID, 8 janar /ATSH-AFP/ – Kryeministri socialist spanjoll, Pedro Sánchez tha sot se ishte gati të dërgonte trupa paqeruajtëse në Palestinë, kur të lindte mundësia, siç kishte bërë edhe me Ukrainën.
“Do t’i propozoj parlamentit, kur të lindë mundësia, që të dërgojmë trupa paqeruajtëse në Palestinë, kur më në fund të shohim se si të ecim përpara me këtë përpjekje paqësimi dhe… në afat të mesëm ose shpresojmë më shpejt, të njohim dy shtetet, Izraelin dhe Palestinën”, tha Sánchez gjatë një ceremonie përshëndetëse të Vitit të Ri për ambasadorët spanjollë të mbledhur në Madrid.
“Padyshim që nuk po harrojmë as Palestinën dhe Rripin e Gazës”, tha udhëheqësi socialist, pasi përsëriti mbështetjen e tij për dërgimin e forcave paqeruajtëse në Ukrainë.
“Spanja duhet të marrë pjesë aktive në rindërtimin e shpresës në Palestinë. … Situata atje mbetet e patolerueshme”, shtoi ai.
“Pa dyshim, një shtet palestinez i pavarur, i qëndrueshëm dhe i sigurt do të jetë zgjidhja për stabilizimin, zhvillimin dhe përparimin e një rajoni me rëndësi të madhe, gjithashtu nga një pikëpamje gjeopolitike dhe gjeostrategjike, për kontinentin tonë dhe për vendin tonë”, argumentoi më tej ai.
Qeveria spanjolle, e cila njohu Shtetin e Palestinës në vitin 2024, ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në Evropë që nga nisja e ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, e shkaktuar nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, në Izraelin jugor./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post SPANJË – Sanches: Të gatshëm të dërgojmë trupa për ruajtjen e paqes në Palestinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.