Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

“Bllofi” i turistëve, nuk nxitën konsumin në verë

By: Ela
24 December 2025 at 13:19

Me turisttët që sa vijnë e bëhen më koprracë dhe popullsinë vendase që është tkurrur për shkak të emigracionit, bizneset vendase ankohen për konsum të dobët edhe në kulmin e sezonit të verës, çka bëri që shumë mallrat tu mbeteshin stok. Ky perceptim i tyre tashmë konfirmohet dhe nga të dhënat e INSTAT. Sipas INSTAT […]

The post “Bllofi” i turistëve, nuk nxitën konsumin në verë appeared first on BoldNews.al.

Turistë të huaj në kryeqytet për festat

14 December 2025 at 11:30

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Tirana është një prej destinacioneve më të vizituara në rajon, duke tërhequr mijëra turistë të huaj nga e gjithë bota që zgjedhin kryeqytetin për të përjetuar festat e fundvitit.

Isabell Mathersx dhe Lydia Bright janë dy vajza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë të parën vizitë të tyren në vendin tonë.

Ato shprehen se Shqipëria është një vend i bukur, me njerëz mikpritës, ndërsa e etiketojnë Tiranën si një qytet ideal për të kaluar disa ditë pushimesh.

“Kjo është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Jemi këtu nisur nga kurioziteti, pasi kemi dëgjuar shumë të flitet për vendin tuaj. Na pëlqen kultura, tradita, ushqimi. Kemi vizituar qytetin e Beratit, kemi parë shpellën e Pëllumbasit në Tiranë, që ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ju keni shumë vende të bukura, por sidomos natyra është fantastike”, u shprehën ato.

Një tjetër grup prej tre të rinjsh, thanë për ATSH se kanë ardhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë nga Indonezia.

“Do të qëndrojmë këtu një javë dhe mezi presim të eksplorojmë Tiranën dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë”.

Gerjan Duri, udhërrëfyes i një kompanie turistike në Tiranë, teksa shoqëron një grup prej 37 turistësh izraelitë, shprehet se ka interes të shtuar dhe grupe të mëdha të huajsh që zgjedhin ta vizitojnë Tiranën, sidomos gjatë festave.

Ai tha se ky grup turistësh do të zhvillojë një tur pesëditor në Tiranë gjatë të cilit do të vizitojnë edhe Shkodrën, Beratin dhe Krujën.

“Sipas Durit, turistët shprehen të kënaqur me Tiranën dhe qytetet e tjera, veçanërisht gjatë periudhës së festave të dhjetorit. Ata vizitojnë pikat kryesore turistike dhe konsumojnë gatimet tradicionale.”

Tirana po konsolidohet si një destinacion i sigurt dhe mikpritës, ndërsa rritja e numrit të turistëve të huaj po e forcon profilin e kryeqytetit si destinacion turistik gjithëvjetor.

/e.i/a.f/r.e/

The post Turistë të huaj në kryeqytet për festat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rreth 100 mijë vizitorë në muzeun “Onufri” në Berat

14 December 2025 at 08:55

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ – Me pasurinë e tij unike të artefakteve kishtare dhe ikonografisë bizantine Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat edhe në këtë dhjetor është i mbushur me vizitorë.

Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, tha sot për ATSH-në se “edhe pse jemi drejt fundit të vitit, çdo ditë muzeun e vizitojnë grupe turistësh të huaj, por edhe vizitorë vendas”.

“Nga janari deri tani muzeu është vizituar nga rreth 100 mijë vizitorë, 75% prej të cilëve janë të huaj, kryesojnë polakët, francezët, italianët, gjermanët, spanjollët izraelitët, etj.”, tha Pasku.

Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja – sipas mbishkrimeve që mbart – rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine.

Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.

/k.s/j.p/r.e/

The post Rreth 100 mijë vizitorë në muzeun “Onufri” në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trump ashpërson hyrjet për turistët, kërkohet historiku 5-vjeçar i rrjeteve sociale

By: Elva
10 December 2025 at 21:32

Turistëve nga dhjetëra vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, do t’u kërkohet të dorëzojnë historikun e rrjeteve sociale të përdorura gjatë pesë viteve të fundit si kusht për hyrje në Shtetet e Bashkuara, sipas një propozimi të ri të bërë publik nga zyrtarët amerikanë. Kushti i ri do të zbatohet për shtetasit e vendeve që kanë […]

The post Trump ashpërson hyrjet për turistët, kërkohet historiku 5-vjeçar i rrjeteve sociale appeared first on BoldNews.al.

Turistë koprracë, vijnë më shumë, por shpenzojnë më pak

By: Mira Leka
29 November 2025 at 22:12

Turet kulturore të vjeshtës arritën të kompensonin rënien e ritmit turistik veror, duke e mbajtur këtë vit sërish në krye për numrin e vizitorëve të huaj. Deri në tetor, Shqipëria ka pritur 11.1 milionë turistë, një shifër që tregon rritje, edhe pse të moderuar. Pavarësisht numrave, bizneset e sektorit nuk janë të kënaqura. Të ardhurat rezultojnë më të ulëta nga sa pritej dhe operatorët turistikë e lidhin këtë me një ndryshim të qartë në profilin e turistit: sot mbizotërojnë të rinjtë që vijnë të frymëzuar nga rrjetet sociale, të cilët synojnë të shpenzojnë minimalisht. Operatorët turistikë nuk presin surpriza për vitin 2026. Ai shihet si një vijim i natyrshëm i këtij viti. Ajo që vihet në dyshim është qëndrueshmëria. Për të garantuar këtë duhet të merren masa konkrete në përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike, garantimin e furnizimit me ujë dhe energji, si dhe në përmirësimin e shërbimit.

 

Nertila Maho

Thuajse në mbyllje të vitit, bizneset në sektorin e turizmit nuk e thonë dot qartësisht nëse 2025-a ishte një vit suksesi apo zbehjeje.

Operatorët turistikë pohojnë se në shifër vizitorësh, ky vit mbetet i mirë, me një rritje të moderuar që ka ardhur si rrjedhojë e tureve kulturore të pranverës dhe vjeshtës.

Në raport me të ardhurat e gjeneruara, bizneset e sektorit janë skeptikë. Tipologjia e turistit, kryesisht e re, në kërkim të eksperiencave por pa shpenzuar shumë, ka sjellë më pak të ardhura për ta. Ky rezultat vjen si efekt i një “marketingu” që s’mund ta kontrollosh.

Është viraliteti i videove në rrjete sociale që ka bindur një pjesë të mirë të turistëve se Shqipëria është një përvojë për t’u provuar dhe mbi të gjitha, shumë e lirë dhe pikërisht ata kanë kërkuar opsionet më të lira të mundshme.

Në akomodim kanë mbizotëruar apartamentet apo hostel, kurse në konsum blerjet në supermarket apo dyqanet e ushqimit të shpejtë. Sigurisht kjo nuk vlen për të gjithë turistët, por tipologjia mbizotëruese ka qenë kjo.

Balancimin e kanë bërë turistët që vijnë në ture kulturore dhe ata të moshës së tretë nga Europa Perëndimore, të cilët eksperiencën e Shqipërisë nuk e shohin si një “check in” por si një periudhë çlodhjeje me më shumë zgjedhje nga oferta turistike.

 

Turistë ka, por janë kursimtarë, ecuria e vitit 2025

Deri në fund të tetorit, Shqipërinë e vizituan 11.1 milionë të huaj. Të paktën kjo ishte shifra që raportoi Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit me një rritje 7% në raport me janar – tetor 2024.

Gjasat janë që ky vit të regjistrojë një rritje disi më të ulët se ajo e një viti më parë, por në total të tejkalojë rezultatin 11.7 milionë vizitorë që u regjistrua deri në fund të 2024-s.

Pavarësisht një numri më të lartë të hyrjeve të të huajve, konsumi ka qenë më i zbehtë duke lënë kështu më pak para në ekonomi.

Si numër vizitorësh jemi te pritshmëritë që kishim, pra që ky vit do të ishte njësoj si viti 2024. Ndoshta mund të cilësohet pak më i zbehtë sezoni veror. Kanë qenë turistë me kosto të ulët, të cilët kanë zgjedhur Tiranën, vendet rurale, agroturizmet.

Karakteristikë e këtij sezoni veror ishte rënia e turistëve cilësorë, pra atyre që paguajnë më shumë dhe kërkojnë më shumë shërbime. Kishte rënie të këtij grupi në raport me vitin 2024”, shprehet Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa.

Ndryshimi i tipologjisë së turistit duket se lidhet drejtpërdrejt me formën që ka ndikuar zgjedhjen e këtyre të huajve për të ardhur në Shqipëri dhe pjesa më e madhe u janë referuar rrjeteve sociale.

Viraliteti që mori vendi ynë në rrjete sociale, që fillimisht lidhej me bukuritë natyrore, ushqimin e mirë dhe koston e lirë duket se u kthye në një bumerang që ka tërhequr gjithmonë e më shumë “kursimtarë” në një lloj “gare” për eksperiencën sa më të lirë.

“Nuk është se nuk patëm turistë këtë verë. Ndoshta patëm njësoj ose më shumë por ajo që bëri diferencën është tipologjia e turistit.

Kjo është një tipologji e re ku dominojnë kryesisht moshat e reja që parapëlqejnë të shpenzojnë pak dhe të krijojnë eksperienca.

Kërkojnë alternativat më të lira. Kjo moshë kështu sillet kudo jo vetëm në Shqipëri”, – pohon Arben Çipa, nga “Sipa Tours”.

 

Burimi: INSTAT

 

Vjeshta korrigjon verën, turet kulturore gjithmonë e më shumë interes

Teksa vera shfaqi një situatë të zbehtë për turizmin, pranvera dhe tani edhe vjeshta përmirësuan bilancin turistik të vitit.

Operatorët turistikë shprehen se kjo periudhë ka qenë me një ecuri pozitive dhe të huajt po parapëlqejnë gjithmonë e më shumë që në formë të organizuar në periudha kryesisht njëjavore të vizitojnë qytetet më të rëndësishme në aspektin kulturor.

“Vjeshta është shumë mirë. Ka një rritje të qëndrueshme dhe grupe të shumta që vijnë me ture kulturore në formë të organizuar. Po kështu, ka edhe shumë turistë individualë që shpenzojnë pak dhe zgjedhin të qëndrojnë nëpër AirBNB.

Turet kulturore kanë qenë më të qëndrueshëm. Janë turistë që edhe shpenzojnë pak më shumë dhe zgjedhin të qëndrojnë deri në shtatë net duke lëvizur dhe duke eksploruar vende të ndryshme.

Vizitojnë Veriun, pra Valbonën dhe Thethin, vizitojnë vendet historike siç është Berati dhe Gjirokastra dhe ndalen edhe në Sarandë. Deri më tani mund të themi që numrat janë të kënaqshëm”, – nënvizon z. Kasa.

Të njëjtën tendencë konfirmon edhe z. Çipa, i cili nga muajt e vjeshtës veçon shtatorin i cili bëri diferencën edhe për atë bilancin e turizmit të rërës dhe detit.

Turet kulturore të përqendruara sidomos në tetor dhe nëntor mbeten në nivele të kënaqshme.

“Është vënë re një miks i turistit të pavarur, pra që vjen individualisht dhe operatorëve turistikë që sjellin në mënyrë të organizuar vizitorë për ture kulturore.

Këto të fundit kanë pasur ritëm të kënaqshëm dhe akoma edhe sot që jemi në nëntor, shifrat e tureve kulturore mbeten në nivele të mira”, pohon ai.

 

Burimi: INSTAT

 

Nga shërbimi te mungesa e ujit dhe infrastruktura, pikat ku duhet të reflektojmë

Gjatë këtij viti, shërbimi në sektorin e turizmit ka vijuar të shfaqë presionin që sjell mungesa e fuqisë punëtore të thjeshtë, por sidomos asaj të kualifikuar.

Z. Çipa shprehet se shërbimi te ne mbetet ende elementar.

Ai gjykon se ndoshta viti tjetër do ta gjejë më të përgatitur sektorin sepse po rekrutohen vazhdimisht punonjës të huaj.

“Ndoshta mund të evoluojmë pak në shërbim, pasi pjesën më të madhe të stafit po e marrim nga jashtë dhe kjo do të na bëjë të mundur që të përmirësohemi disi, por duhet të vihet theksi te profesionistët e sektorit që janë pika kyçe”, – nënvizon z. Çipa.

Gjatë këtij viti, për rajone të ndryshme në vend, problemet ishin të theksuara dhe në shërbime bazë, të cilat për zonat turistike janë të pakonceptueshme.

Ndër to renditet mungesa e ujit në zonën e Golemit, mungesa e energjisë në disa zona, djegia e mbetjeve në Vlorë. Për z. Kasa këto janë elemente që përkeqësojnë vlerësimin e përgjithshëm turistik të Shqipërisë.

“Problem kryesor ka qenë mungesa e shërbimit. Turistët kanë pasur rezerva për këtë dhe nuk kanë nguruar ta shprehin si ankesë qoftë tek agjencitë e tyre, qoftë në biseda.

Kur ti paguan një dhomë me çmimin 300-400 euro është e pakonceptueshme që të të duhet të presësh 20 minuta për një kafe që është gjëja më e thjeshtë.

Problemeve të tjera ne u kemi dhënë zë vazhdimisht. Kryesisht ankesat janë për kantieret e ndërtimit që mbeten hapur gjatë sezonit.

Pra subjektet ndërtojnë fare pranë strukturave akomoduese dhe kjo e kthen pushimin në një stres për turistët.

Zhurmat që shkakton ndërtimi orar pa orar, inertet por edhe pamja që kanë objektet e papërfunduara nuk është aspak mikpritëse për syrin e një turisti dhe nuk të jep përshtypjen që je në një zonë turistike”, – nënvizon z. Kasa.

 

Burimi: INSTAT

 

Viti 2026 pa surpriza, pritet të ketë të njëjtën ecuri si viti aktual

Viti 2025 pritet të mbyllet me një bilanc pozitiv për hyrjen e të huajve në Shqipëri, ku rritja pritet të jetë më e zbehtë se ajo e vitit paraardhës.

Operatorët turistikë shprehen se edhe për vitin tjetër nuk presin ndonjë surprizë, çka do të thotë se ecuria e sektorit pritet të mbetet pozitive, por ritmet e rritjes më të ngadalta.

Edhe tipologjia e turistit pritet që të mbetet e njëjtë me atë të këtij viti duke qenë se kryesimin e marketimit po e mbajnë rrjetet sociale.

Turizmi i organizuar do të dominohet sërish nga polakët teksa ai individual nga Kosova dhe Italia, edhe pse këto dy grupe po tregojnë luhatje herë pas here.

Duhet të shohim me kujdes këto tendenca, sepse shqiptarët e Kosovës dhe italianët janë dy grupet më të mëdha të turizmit të paorganizuar, kurse polakët më të mëdhenjtë në turizmin e organizuar dhe gjasat janë që kështu të mbetet tendenca edhe vitin tjetër.

Franca, nga ana tjetër, edhe pse me tendencë në rritje ka numër të vogël turistësh. Izraeli është një tjetër treg që ka pasur rritje. Janë të paktën 100 mijë turistë që kanë ardhur nga ky vend nga prilli e deri në tetor.

Ideja është që për Shqipërinë vijon të ketë interes, por ne duhet të reflektojmë dhe të bëjmë korrigjimet tona për të mos humbur terren. Gjasat janë që viti 2026 të jetë i njëjtë si 2025-a”, – shprehet z. Kasa.

Edhe për Arben Çipën, pritshmëritë janë të njëjta për vitin e ardhshëm si në të ardhura, edhe në tipologjinë e turistit.

 

 

 

 

The post Turistë koprracë, vijnë më shumë, por shpenzojnë më pak appeared first on Revista Monitor.

Rama ndan pamje nga Alpet të mbuluara nga dëbora

29 November 2025 at 14:28

TIRANË, 29 nëntor /ATSH/ Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet më tërheqëse gjatë viteve të fundit.

Përveç bregdetit gjatë verës, pushuesit zgjedhin si destinacion edhe bukuritë natyrore të vendit gjatë dimrit.

Një prej tyre janë edhe Alpet Shqiptare, të cilat të mbuluara nga manteli i bardhë i dëborës ofrojnë peizazhe mahnitëse.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga madhështia e Alpeve tona, të mbuluara nga manteli i bardhë i dëborës dhe të frekuentuara nga turistët e shumtë vendas dhe të huaj në Ditën e Çlirimit të vendit.

Alpet shqiptare me bukuritë e tyre natyrore mbeten një atraksion absolut i turizmit duke tërhequr pushues vendas dhe të huaj në çdo periudhë të vitit.

Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruar natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë.

Majat e maleve në këtë territor duket sikur arrijnë qiellin. Bukuria mahnitëse e tyre pasqyrohet në ujërat e kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj., si dhe në liqenet akullnajore të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj., ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline, e cila ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.

Male të tilla si Radohima, Maja e Hekurave, maja e Arapit, maja e Shkëlzenit ofrojnë një panoramë të ndryshme, e cila tundon shpirtin aventuror të çdo vizitori për të parë bukuritë natyrore përreth tyre.

/gj.m/r.e/

The post Rama ndan pamje nga Alpet të mbuluara nga dëbora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mbi 11 milionë turistë në 10 muaj

17 November 2025 at 08:35

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Shqipëria ka mirëpritur 11,137,328 vizitorë të huaj nga janari deri në tetor 2025, ose 7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Shifra u bë e ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Gonxhja tha se “vetëm në tetor 2025 janë regjistruar 908,642 vizitorë, një ritëm që dëshmon transformimin e turizmit gjithëvjetor, duke lënë pas modelin sezonal dhe afirmuar Shqipërinë si një destinacion në zhvillim të qëndrueshëm dhe tërheqës në çdo stinë”.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara në çdo stinë për turizëm historik dhe kulturor.

Po ashtu, vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.

Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare, të cilat tërheqin me bukruinë natyrore të tyre turistë nga e gjithë bota.

/k.s/

The post Gonxhja: Mbi 11 milionë turistë në 10 muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjirokastra bëhet destinacion kryesor turistik, 300,000 vizitorë dhe në rritje

By: melisa
15 November 2025 at 21:07

Qyteti i Gjirokastrës dhe atraksionet e tij turistike po tërheqin një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh vendas dhe të huaj. Kalaja e Gjirokastrës ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme, duke mirëpritur 300,000 vizitorë deri tani në vitin 2025, njoftoi Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. “Kjo shifër rekord tregon qartë rritjen e pandërprerë të interesit që vizitorët…

Source

Gonxhja: 300 mijë vizitorë në kalanë e Gjirokastrës nga janari deri tani

15 November 2025 at 09:36

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Gjirokastra dhe atraksionet e shumta turistike që qyteti i gurtë ofron po kthehen në zgjedhje absolute për mijëra turistë vendas dhe të huaj.

Kalaja e Gjirokastrës është një pjesë e ofertës turistike që prej kohësh po vizitohet nga një numër rekord turistësh.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja vuri sot në dukje se Kalaja e Gjirokastrës ka shënuar një arritje mbresëlënëse, duke mirëpritur 300,000 vizitorë deri në këtë moment të vitit 2025.

“Kjo shifër rekord tregon qartë rritjen e pandërprerë të interesit që vizitorët vendas dhe të huaj po tregojnë për këtë monument mahnitës të trashëgimisë sonë kulturore. Kjo shifër rekord tregon qartë rritjen e pandërprerë të interesit që vizitorët vendas dhe të huaj po tregojnë për këtë monument mahnitës të trashëgimisë sonë kulturore”, u shpreh Gonxhja në postimin në rrjetet sociale.

Kalaja e Gjirokastrës është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit. Krahasuar me kalatë mjesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 metra dhe gjatësia 500 metra. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.

Kalaja e Gjirokastrës vijon të jetë një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në jug të vendit, me një numër vizitorësh që rritet nga viti në vit.

Investimet në ruajtjen dhe promovimin e saj po e kthejnë këtë monument kulture në një destinacion referencë për turistët vendas dhe të huaj.

/e.i/j.p/

The post Gonxhja: 300 mijë vizitorë në kalanë e Gjirokastrës nga janari deri tani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjerimi i paketave turistike rrit kohëqëndrimin e turistëve në Berat, interes për turizmin natyror e të aventurës

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Qyteti i një mbi një dritareve zgjon kureshtjen e turistëve në çdo stinë të vitit, ku rrugicat e kalldrëmta të kalasë dhe lagjet historike të tij gjallërojnë edhe në këtë ditë të parë nëntori.

Turistët, veçanërisht ata të huaj, nuk largohen pa u ndalur në qytetin historik të Beratit, që është kthyer në një ndër qytetet më të vizituar në vend.

Për këtë sezon turistik vendet më të vizituara kanë qenë: Kalaja, Mangalemi dhe Gorica. Pa lënë pa përmendur këtu dhe thesaret që këto lagje mbajnë: muze, kisha dhe xhami.

Drejtori i Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Marius Çepele tha sot për ATSH-në se “nga fillimi i janarit deri në fund të tetorit Berati u vizitua nga 750 mijë turistë vendas e të huaj. Ndërkohë që vetëm në muajt shtator-tetor numri i turistëve që kanë vizituar qytetin e një mbi një dritareve është 280 mijë”.

Sipas tij, në periudhën janar-tetor 2025, 85% e vizitorëve ishin të huaj dhe 15% vendas.

Një interes të veçantë turistët shfaqin edhe për muzeumet e qytetit, ku njihen me historinë dhe trashëgiminë kulturore të Beratit, por jo vetëm.

“Numri i vizitorëve në muzeumet e qytetit ka arritur në 94 204 vizitorë”, tha Çepele.

Por, turistët vendas e të huaj që vizitojnë Beratin, përveç turizmit historik po tregojnë interes edhe për turizmin natyror dhe atë të aventurës.

“Po të dalim jashtë qendrës së qytetit kemi fshatrat turistikë, me agroturizme të zhvilluara, malin e Tomorit, ujëvarën e Bogovës, kanionet e Osumit etj.”, tha Çepele.

Turistët tashmë nuk ndalen vetëm një ditë për të shijuar bukuritë e tij, por qëndrojnë edhe me ditë të tëra. Zgjerimi i paketave turistike përtej qytetit, duke përfshirë fshatra me vlera natyrore dhe agroturizmet, ka shtuar ndjeshëm kohëqëndrimin e tyre.

Kjo gjë vihet re edhe në shtimin e strukturave akomoduese në Berat dhe rrethinat e tij.

“Në vitin 2025, numri i strukturave akomoduese në Berat është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Kjo lidhet me rritjen e vazhdueshme të fluksit turistik që qyteti ka përjetuar, sidomos pas përmirësimeve në infrastrukturë dhe promovimit si destinacion kulturor. Gjithnjë e më shumë banesa tradicionale janë kthyer në bujtina, shtëpi pritëse dhe apartamente për turistë”, theksoi Çepele.

Gjithashtu, vijoi ai, vërehet se në periferitë e qytetit dhe fshatrat afër tij janë shtuar edhe vila e agroturizme.

Numri i njësive akomoduese është rritur me rreth 40–45% krahasuar me 2024-ën, duke reflektuar kërkesën në rritje për qëndrime në qytetin-muze dhe zonat përreth.

“Në 2024 kishim 1 milion vizitorë, me një rritje 35% duke e krahasuar me vitin 2023. Në vitin 2025 kemi 300 struktura akomoduese, hotele, bujtina, shtëpi pritëse ose 25% më shumë se 2023-shin. Ndërsa në vitin 2025 kemi 10 mijë shtretër në funksion të turizmit”, theksoi Çepele.

Në Berat, shtoi Çepele, vihet re edhe rritja e numrit të bizneseve me 93% krahasuar me 2023, rritja e vlerës së pronave me 45% krahasuar me 2023 si dhe rritja e numrit të kredive për biznese turistike, të cilat zënë 65% të totalit të kredive në bankat e nivelit të dytë.

Bashkia e Beratit vijon organizmin e aktiviteteve të ndryshme që tërheqin mijëra vizitorë gjatë gjithë vitit.

“Në funksion të turizmit organizohet edhe paketa e aktiviteteve, ku kemi një stacion datash vjetore që janë kthyer në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare me rreth 35 mijë vizitorë të pranishëm si Festivali i Verës, Mangalem Shades, Christmass Market dhe Festat e Dhjetorit, Maratona e Gjelbër, Festat e fshatrave: Festa e Qershisë, Festa e Fikut në Roshnik, Festa e Ullirit në Bilçë, Festa e Sinjës, Festivali i Xixëllonjave, Festivali i Teatrit Kombëtar për Fëmijë, Fundjavat e Verës në Berat etj.”, tha Çepele.

Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte që janë funksionale. Prej tyre 60 janë monumente të Kategorisë së Parë dhe të tjerat të Kategorisë së Dytë të mbrojtjes.

/k.s/r.e/

The post Zgjerimi i paketave turistike rrit kohëqëndrimin e turistëve në Berat, interes për turizmin natyror e të aventurës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pushuesit vijojnë të shijojnë plazhin në Vlorë

29 October 2025 at 14:55

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Vlora mirëpriti këtë verë turistë nga e gjithë bota, të cilët zgjodhën të zbulojnë bukuritë e fshehura të bregdetit, por edhe kulinarinë e mikpritjen vendase.

Por edhe pse jemi në ditët e fundit të tetorit, fluksi i turistëve po vijon në bregdetin e Vlorës, favorizuar edhe nga temperaturat e larta në vend.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa foto nga plazhet përgjatë Lungomares, të mbushura me qytetarë që shijojnë diellin, por edhe ujërat e kristalta të Adriatikut.

“Ndërsa po hyn nëntori në Vlorë…”, shkruan Rama, krahas pamjeve.

Edhe pse sezoni i plazhit ka përfunduar zyrtarisht, nga fotot e publikuara nga kreu i qeverisë, vihet re se shumë vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur Vlorën për të shijuar rrezet e diellit, duke u larë edhe në det.

Shëtitorja buzë detit në Vlorë është plot edhe në këto ditë fundtetori, ndërsa qytetarë të tjerë zgjedhin të shijojnë rrezet e diellit në bregdet duke shijuar kaltërsinë e detit në distancë.

Bregdeti i Vlorës po shndërrohet në një destinacion gjithëvjetor falë rezervimeve nga turistët e huaj.

Përveç bregdetit, Vlora ofron edhe turizmin malor, si dhe atë të aventurës. Po ashtu, pjesë e ofertës turistike janë muzetë, kultura, kulinaria, tradita e ruajtur dhe promovuar me mjaft kujdes.

/m.m/r.e/

The post Pushuesit vijojnë të shijojnë plazhin në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Ksamilit

25 October 2025 at 18:26

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Plazhi i Ksamilit, mbetet një ofertë turistike jo vetëm gjatë sezonit turistik, por gjatë gjithë vitit.

Falë detit të kristaltë e ishujve me plazhe mahnitëse që arrihen lehtësisht nga bregu, si dhe afërsisë me qytetin antik të Butrintit, Ksamili tërheq çdo vit mijëra turistë vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, teksa shkruan “Ksamili sot”.

Pavarësisht se jemi në javën e fundit të muajit tetor, pushues të shumtë shijojnë motin e ngrohtë dhe plazhin me ujërat e pastra të Jonit.

Ksamili është një qytet i vogël në brezin bregdetar jugor, të quajtur zakonisht Riviera Shqiptare, që shtrihet në detin Jon me ujëra ngjyrë bruz dhe përballë ishullit grek të Korfuzit.

/e.i/r.e/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Ksamilit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodër – Pasi darkuan, 8 turistët spanjollë ‘zhduken’ nga lokali pa paguar faturën/ VIDEO

By: Ela
25 October 2025 at 12:40

Pronari i një lokali në Shkodër ka denoncuar një rast të pakëndshëm, ku një grup turistësh të huaj, dyshohet spanjollë, janë larguar nga lokali i tij pa paguar faturën. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur në momentin kur lokali ishte i mbushur plot me klientë. Ai ka treguar se bëhej fjalë për tetë persona që udhëtonin […]

The post Shkodër – Pasi darkuan, 8 turistët spanjollë ‘zhduken’ nga lokali pa paguar faturën/ VIDEO appeared first on BoldNews.al.

INSTAT: Mbi 1,2 milionë të huaj vizituan Shqipërinë në shtator 

24 October 2025 at 21:40

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Shqipëria po vazhdon të tërheqë një numër gjithnjë e më të lartë vizitorësh të huaj, duke konfirmuar pozicionin e saj si një nga destinacionet më të preferuara turistike në rajonin e Ballkanit.

Sipas të dhënave nga Institutit të Statistikave Kombëtare (INSTAT), për muajin shtator 2025, në territorin e Shqipërisë kanë hyrë 1.965.601 shtetas shqiptarë dhe të huaj, një rritje prej 9,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Vetëm shtetasit e huaj që kanë hyrë në vend numërohen 1.259.684, çka tregon një rritje me 9,9% nga viti i kaluar. Ky trend pozitiv pasqyron jo vetëm zgjerimin e sezonit turistik përtej muajve verorë, por edhe forcimin e ofertës turistike shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Në të njëjtën periudhë, 2.127.386 shtetas janë larguar nga territori shqiptar, ndërsa numri i daljeve të turistëve të huaj ka arritur në 1.354.731, me një rritje prej 10,2%.

Sipas statistikave, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj vijnë nga rajoni i Evropës, ku Evropa Jugore zë 69% të hyrjeve, e ndjekur nga Evropa Perëndimore (12%) dhe Evropa Qendrore/Lindore (11%).

Sa i takon qëllimit të hyrjes në vendin tonë të shtetasve të huaj, në 98% të rasteve është për qëllime personale. Në shtator 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 9,8%, krahasuar me shtator 2024. Ndërkohë që hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale janë rritur me 15,3% për këtë periudhë.

Të dhëna tregojnë se Shqipëria po konsolidohet si një destinacion turistik gjithëvjetor, falë rritjes së kapaciteteve akomoduese, përmirësimit të infrastrukturës dhe diversifikimit të ofertës turistike.

/e.xh/a.f/r.e/

The post INSTAT: Mbi 1,2 milionë të huaj vizituan Shqipërinë në shtator  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TDW: Tirana, destinacioni turistik më i preferuar në Ballkan

23 October 2025 at 08:38

TIRANË, 23 tetor  /ATSH/- Tirana, kryeqyteti i  Shqipërisë dhe një pikë tërheqëse për turistë të panumërt, të cilët shijojnë pamjet e bukura, trashëgiminë historike të kryeqytetit, si dhe inovacionet dhe kulturën e përzier që rrjedh nga rajone të ndryshme të vendit dhe më gjerë, sipas www.travelandtourworld.com

Kryeqyteti shqiptar ka arritur ta pasuroj turizmin duke ofruar eksperienca të ndryshme për çdo vizitor, në çdo periudhë të vitit. Tirana ndërthur modernen me traditat e pasura kulturore dhe bukuritë natyrore gjatë të gjitha stinëve.

 Një Qytet i Pasur me Kulturë dhe Histori

Tirana të tërheq pasi brenda saj qëndron një përzierje e veçantë mes historisë dhe modernes. Si qyteti më i madh i Shqipërisë, Tirana ofron një sërë atraksionesh kulturore dhe historike që zbulojnë trashëgiminë e pasur të vendit dhe i japin vizitorit një kuptim më të thellë për të kaluarën e saj.

Qyteti ka rreth 56 monumente të trashëgimisë kulturore, secili me historinë e tij nga periudha osmane deri tek periudha komuniste dhe më tej.

Një nga vendet më ikonike të Tiranës është “Sheshi Skënderbej”, një qendër aktiviteti dhe zemra e qytetit. Sheshi, i emëruar sipas heroit kombëtar të Shqipërisë, ka kaluar ndryshime të rëndësishme vitet e fundit, duke u shndërruar në një hapësirë të bukur dhe të aksesueshme për turistët.

“Kulla e Sahatit”, pranë “Sheshit Skënderbej”, është një tjetër perlë historike që u rikthye për publikun në vitin 2016 pas restaurimit. Vizitorët mund të ngjiten në kullë për një pamje panoramike të qytetit, një mënyrë e shkëlqyer për të kuptuar strukturën dhe atmosferën e gjallë të Tiranës.

Për ata që janë të interesuar për historinë komuniste të Shqipërisë, muzeu “Shtëpia e Gjetheve” dhe “Bunk’Art ”  janë destinacione të domosdoshme.

“Shtëpia e Gjetheve,” dikur qendër survejimi, është kthyer në muze që tregon historinë e spiunazhit gjatë periudhës komuniste. “Bunk’Art” , dy bunkera nën tokë të transformuar në muze, ofrojnë një vështrim të thellë mbi të kaluarën totalitare të vendit.

Transformimi modern i Tiranës: Inovacion dhe kulturë te Piramida

Një nga shembujt më të dukshëm të transformimit modern të Tiranës është “Piramida”. Dikur muze për diktatorin e ish-republikës komuniste, Enver Hoxha, “Piramida” është rimodeluar dhe e kthyer në një qendër kulturore inovative. E pajisur me struktura me ngjyra, rrëshqitje dhe shkallë, ajo është bërë një atraksion i njohur për vendasit dhe turistët.

Kryeministri Edi Rama ka theksuar suksesin e këtij transformimi, ndërsa ka ndarë imazhe të grupeve të mëdha të turistëve që vizitojnë “Piramidën”, duke e quajtur këtë periudhë “vjeshtë turistike.”

Sot, “Piramida” nuk është vetëm një monument historik, por një qendër aktive kreativiteti, arti dhe teknologjie, që pasqyron përparimin e Shqipërisë drejt inovacionit.

Eksperienca të ndryshme turistike në Tiranë

Tërheqja në rritje e Tiranës si destinacion turistik nuk kufizohet vetëm në vendet historike dhe kulturore.

Qyteti ofron aktivitete të ndryshme për adhuruesit e natyrës, aventurierët dhe ata që preferojnë një eksperiencë më të qetë.

Në periferi të qytetit mund të eksplorohen peizazhet mbresëlënëse, përfshirë malet dhe parqet kombëtarë. Ecjet, çiklizmi dhe turnetë natyrore ofrojnë mundësinë për të zbuluar biodiversitetin e pasur dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë.

Për ata që preferojnë të shijojnë qytetin në mënyrë relaksuese, skena kulinare e Tiranës është një tjetër atraksion i madh.

Restorantet, kafenetë dhe tregjet e qytetit ofrojnë mundësinë për të provuar kuzhinën shqiptare, nga gatimet tradicionale e deri tek ato më moderne dhe ndërkombëtare.

Zona e “Pazarit të Ri” është një vizitë e domosdoshme për adhuruesit e ushqimit, me produkte të freskëta, delikatesa vendase dhe tezga me ushqime rruge, që japin një shije të vërtetë të kulturës dhe stilit të jetesës në Tiranë.

 Rritja e turizmit dhe eventet që tërheqin vizitorë

Rritja e numrit të vizitorëve në Tiranë tregon qartë popullaritetin në rritje të qytetit si destinacion turistik. Ngjarjet dhe festivalet luajnë një rol kyç në tërheqjen e turistëve. Eventet sportive, ekspozitat e artit dhe performancat muzikore ofrojnë një gamë të larmishme për vizitorë të ndryshëm.

Këto evente nuk tërheqin vetëm vizitorë ndërkombëtarë, por edhe njerëz nga rajonet shqipfolëse, duke forcuar rolin e Tiranës si qendër rajonale e turizmit. Ngjarje kulturore dhe artistike, si “Tirana International Film Festival” dhe “Tirana Jazz Festival”, i japin qytetit vëmendje globale dhe promovojnë qytetin si qendër kreativiteti dhe kulture.

Qasja dhe infrastruktura moderne

Tirana ka përmirësuar gjithashtu aksesueshmërinë e saj. Qyteti është i lidhur mirë me pjesë të tjera të Shqipërisë dhe Evropës, duke e bërë të lehtë vizitën. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” ofron fluturime nga qytete të mëdha evropiane, ndërsa transporti publik, rrugët moderne dhe programet e çiklizmit bëjnë të mundur eksplorimin e lehtë të qytetit.

Qeveria shqiptare ka investuar dukshëm në infrastrukturën e turizmit, duke sjellë hotele, restorante dhe hapësira kulturore të reja për të përballuar rritjen e turistëve. Këto përpjekje kontribuojnë në ngritjen e Tiranës si destinacion turistik të nivelit të lartë në Ballkan.

Impakti ekonomik i turizmit

Turizmi po bëhet një shtyllë gjithnjë e më e rëndësishme e ekonomisë së Tiranës. Rritja e vizitorëve ka sjellë zhvillim në sektorë të ndryshëm, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe biznesi për komunitetet lokale dhe duke stimuluar ekonominë shqiptare.

E ardhmja e ndritur e Tiranës si qendër turistike

Tirana është një nga destinacionet në rritje më të rëndësishme në Ballkan. Aty gjen historinë dhe trashëgiminë kulturore, modernen dhe natyrën. Transformimet urbane, si rimodelimi i Piramidës, tregojnë dëshirën për të zgjeruar gamën e aktiviteteve turistike. Qyteti ofron përvojë të pasur për vizitorët, infrastrukturë të zhvilluar dhe transport të përshtatshëm dhe të përballueshëm. Kombinimi i historisë, kulturës, inovacionit dhe bukurive natyrore e vendos Tiranën si një destinacion kryesor në mendjen e vizitorëve ndërkombëtarë dhe rajonalë. /Ad.Ab./

 

The post TDW: Tirana, destinacioni turistik më i preferuar në Ballkan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Piramida, pjesë e ofertës turistike të Tiranës

21 October 2025 at 10:44

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Tirana është kthyer në një qendër atraksioni turistik jo vetëm për vendasit, por edhe për të huajt që vijnë nga rajoni, Evropa dhe gjithë bota.

Kryeqyteti shqiptar ofron një gamë të pasur të të gjithë formave të turizmit, nga ai kulturor, historik, arkitekturor, kulinar, madje dhe turizmin e natyrës dhe atë malor në zonat përreth Tiranës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të turistëve, të cilët në grupe të mëdha kanë zgjedhur të vizitojnë Tiranën, ndërsa u shpreh “vjeshtë turistike”.

Turistët janë ndalur tek Piramida e Tiranës, që tashmë është një qendër inovacioni dhe kulture me kuti shumëngjyrëshe, shkallë dhe pjesë rrëshqitjeje.

Piramida është pjesë e listës së atraksioneve që turistët mund të shohin nga afër në Tiranë, ndërsa po kthehet edhe në një nga qendrat më të mëdha rajonale për inovacionin.

Gjithashtu, Piramida është edhe një stacion i turizmit dhe dëshmi e historisë, se si  një ish-muze i diktatorit Enver Hoxha është kthyer në një pikë atraksioni për vendasit dhe të huajt.

Numri i turistëve ka ardhur gjithnjë në rritje, kjo falë edhe eventeve të ndryshme të organizuara në kryeqytet, sportive dhe artistike, të cilët kanë sjellë vizitorë të huaj si edhe nga trevat shqipfolëse.

Tirana ka rreth 56 objekte të trashëgimisë kulturore dhe 141 pika turistike si Kulla e Sahatit, e cila u rihap në qershor 2016 pas rikonstruksionit të kryer, Piramida, Muzeu “Shtëpia me gjethe”, Bunk’Art 1 dhe 2, sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Kalaja edhe shumë pika të tjera për t’u vizituar.

/e.i/j.p/

The post Piramida, pjesë e ofertës turistike të Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turistët e shumtë shijojnë vjeshtën gjirokastrite

19 October 2025 at 15:31

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Gjirokastra është një ndalesë e përhershme për turistët vendas dhe të huaj që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.

Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart ky qytet si dhe kështjella e tij, vizitorët vendas e të huaj e konsiderojnë atë si destinacionin më të preferuar për të qenë në listën e vendeve për t’u parë.

“E diela në sokakët gumëzhues prej turistëve që shijojnë vjeshtën gjirokastrite”, shkroi sot ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila ndau pamje të turistëve të shumtë që vizitojnë qytetin e gurtë.

Vizitorë vendas dhe të huaj që ecin mbi gurët shekullorë, grupe turistike që vizitojnë dhe prijnë drejt historisë, aparate që shkrepin kujtime, kjo është pamja që ofron qyteti mijëravjeçar.

Panorama nga kalaja e Gjirokastrës është një pamje që ngjall kureshtje te vizitorët, të interesuar për historinë dhe kulturën që ky qytet mbart.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka, ky qytet-muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është Kalaja. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.

/gj.m/r.e/

The post Turistët e shumtë shijojnë vjeshtën gjirokastrite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vlora destinacion i preferuar për turistët, kroçera “Monet” me dhjetëra turistë mbërrin në port

14 October 2025 at 09:03

Vlora është kthyer në një destinacion të preferuar për turistët, duke bërë që të vizitohet jo vetëm gjatë sezonit të verës.

Këtë të martë në orët e para të mëngjesit, në Portin e Vlorës, mbërriti anija kroçera “Monet” me 43 turistë dhe 28 persona ekuipazh.

Kroçera “Monet” që ka ardhur nga porti i Sarandës dhe ka për destinacion Portin e Durrësit, do të qëndrojë në Portin e Vlorës deri në mbrëmje rreth orës 22:00.

/abcnews.al/

Gonxhja: Mbi një milion turistë në sitet kulturore nga janari në shtator 2025

12 October 2025 at 15:50

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Viti 2025 ka shënuar rekorde historike për turizmin kulturor në Shqipëri.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja publikoi sot statistikat, ku rreth 1,259,774 vizitorë kanë vizituar sitet kulturore nga janari deri në shtator të këtij viti.

Referuar shifrave, ministri Gonxhja theksoi se kjo është një rritje me 57% krahasuar me vitin 2023.

“Falë miradministrimit, të ardhurat nga biletat janë rritur me 84%, krahasuar me vitin 2023”, vijoi Gonxhja.

Sipas Gonxhes, sitet më të vizituara janë Parku Arkeologjik Butrint me 257,670 vizitorë, Kalaja e Gjirokastrës me 253,407 vizitorë, Parku Arkeologjik Shkodër me 150,927 vizitorë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me 147,178 vizitorë dhe Parku Arkeologjik i Apolonisë me 109,669 vizitorë.

Turistët e huaj, por edhe ata vendas vizitojnë gjatë gjithë vitit qytetet e vendit tonë, që ofrojnë një gamë të vlerave historike dhe autentike, përmes siteve të trashëgimisë kulturore.

Turizmi kulturor, është kthyer në një qasje gjithëvjetore që gjeneron të ardhura të konsiderueshme për ekonominë.

Pjesa më e konsiderueshme e turistëve përveç atraksioneve si plazhe, natyrë apo gastronomi, preferojnë të vizitojnë parqet e ndryshme arkeologjike, muzetë kombëtarë dhe kalatë e monumentet e tjera të kulturës.

/e.i//a.f/

The post Gonxhja: Mbi një milion turistë në sitet kulturore nga janari në shtator 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Humbën rrugën gjatë eksplorimit në Shebenik, policia ndihmon 2 turistë nga Zvicra

11 October 2025 at 18:12

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Policia u ka ardhur në ndihmë dy turistëve nga Zvicra të cilët kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit të zonës së Shebenikut.

Salla Operative e Komisariatit të Policisë Librazhd mori njoftim se një çift turistësh kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit të malit të Shebenikut.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Librazhdit u nisën drejt zonës për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët. Në mbështetje të tyre shkuan edhe punonjës të zonave të mbrojtura.
Pas disa orësh kërkime, turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore.
Turistët falënderuan punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë, si dhe punonjësit e zonave të mbrojtura.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan u shpreh në njoftim se mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve.

The post Humbën rrugën gjatë eksplorimit në Shebenik, policia ndihmon 2 turistë nga Zvicra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌