TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Tirana’s Glass Hub po sfidon konceptet e zakonshme mbi artizanatin dhe po krijon një hapësirë ku ndërthuren arti, inovacioni dhe qëndrueshmëria.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj vizitoi nga afër këtë qendër inovacioni, ku riciklimi takon artin dhe inovacionin.
“Me filozofinë Zero Waste (zero mbeturina), shishet dhe kavanozët e vjetër kthehen në krijime artizanale me jetë të re. Nën drejtimin e artistes Joana Dhiamandi, qelqi i ricikluar shndërrohet me dorë në bizhuteri, objekte dekorative dhe produkte funksionale që promovojnë ekonominë qarkulluese dhe kujdesin për mjedisin”, tha Jaupaj.
Ministri Jaupaj vlerësoi si mbresëlënës koleksionin e frymëzuar nga Vjosa, që sipas tij “është një xhevahir i vërtetë që tregon se mbrojtja e natyrës frymëzon edhe industrinë”.
“Tirana’s Glass Hub është një model i ekonomisë qarkulluese që materialet e qelqit nuk përfundojnë në landfill apo në pikat grumbullimit të mbetjeve dhe riciklohen nëpërmjet këtyre produkteve”, nënvizoi Jaupaj.
Ministri Jaupaj u shpreh se “e ardhmja është e gjitha tek riciklimi dhe ripërdorimi i materialeve. Ripërdorimi në mënyrë kaq kreative jam i bindur që biznesi ka për tu rritur dhe do të bëhet edhe një brand”.
Çdo produkt që prodhohet nga Tirana’s Glass Hub nuk ka asnjë mbetje, asnjë thërrime nuk ikën dëm si pasojë e teknikës që përdoret për prodhimin e tyre.
Koleksionet vijnë nga natyra shqiptare si Alta Blu që ka elementin e ujit të detit Jon, koleksioni Vjosa ka lumin Vjosa, dhe koleksionet e tjera kanë disa forma të cilat mund të jenë më universale. Alta Blu, Vjosa dhe Karamele Zana, që sipas Dhimandit janë më të preferuarat dhe më të kërkuarat.
Përveç krijimit të produkteve të bukura, Tirana Glass Hub promovon ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 76”. Në pranga ka rënë 37-vjeçari, Gjergji Ceka alias Gjergj Kola.
Ky shtetas akuzohet nga Gjykata e Malagës, për kultivim të bimëve narkotike.
Gjithashtu ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Malagës, Spanjë, me vendimin e datës 14.11.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.
TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ – Agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve, Associated Press ka publikuar sot një galeri me foto nga më pikantet nga e gjithë bota, ku përcjell festimet e këtij fundviti.
Mes tyre spikat edhe atmosfera në kryeqytetin shqiptar.
Associated Press ka përzgjedhur momentin kur qytetarë të shumtë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për koncertin festiv dhe ceremoninë e ndezjes së dritave të pemës së madhe, më 6 dhjetor.
Përveç Tiranës, Associated Press sjell foto nga Londra, Shën Petërsburgu, Nju Jorku, Parisi, Berlini, Seuli apo Dakari./ a.jor.
Një vilë qeveritare është shndërruar në hapësirë eventesh elitare me dyer të mbyllura ku projektet arkitekturore marrin jetë larg syve të publikut.
Nën hijen e mungesës së transparencës dhe dyshimeve për shppërdorim të fondeve publike, vila është vënë në shërbim të festivalit “Bread & Heart” (Bukë dhe Zemër), tashmë i formalizuar si fondacion.
Ajo funksionon si pavijon i arkitektëve të preferuar të pushtetit, duke vënë në pikëpyetje kufirin mes krijimtarisë, privilegjit dhe marrëdhënieve të ngushta me qeverinë.
E kuqja majë kodrës
Një vilë gjak e kuqe spikat skajin lindor të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. Fshehur mes ferrave dhe pemëve të një prej kodrave të Saukut, ajo bën përshtypje dhe tërheq shikimet e kalimtarëve që ecin në digën e liqenit.
Ajo është “Vila Nr.5”, një rezidencë qeveritare, e cila për nga natyra duket më shumë e errët se sa e kuqe.
Më 8 qershor Kryeministri Edi Rama shtroi aty një drekë të veçantë, “Survivor’s Lunch”, (Dreka e të mbijetuarve), për miqtë e tij “star arkitektë”, të ftuar në festivalin “Bread & Heart” (foto).
Festa ishte private. Vetëm një pjesë e vogël e atyre që kishin blerë biletën e plotë të festivalit (€360) arritën të bëheshin pjesë, pasi eventi ishte me ftesa nominale.
Në programin e festivalit, vila prezantohej si “Villa Number Red” (shkurt, No. Red), një emër i ri që nuk lidhej me asnjë ndërtesë në Tiranë, të paktën deri në fillim të qershorit.
Ka gjasa që ky emërtim jozyrtar të jetë zgjedhur enkas për të mbajtur të fshehtë prapavijën e zhvillimeve të rezidencës.
Ilustrim grafik, Vila Nr.5 nga ana lindore/Citizens.al
Ajo ndodhet në rrugën “Herman Gmeiner”, disi e veçuar nga zona e “Pallatit Presidencial” (Pallati i Brigadave), nën rojën e Gardës së Republikës. Faktikisht, nuk ka asnjë shenjë zyrtare në hyrje, ndërsa kangjellat me ngjyrë të kuqe të fortë, dallojnë nga e zeza e zakonshme.
Nga jashtë, duket krejtësisht e thjeshtë. Porta kryesore pa ndonjë madhështi (foto), me hapje të brendshme që fiksohet nga katër shula për toke dhe një kabinë sigurie anash.
Për ironi, pranë rrethimit lejohet parkimi, madje falas, edhe pse kemi të bëjmë me një ndërtesë të rëndësisë së veçantë.
Nga ana tjetër, vila kufizohet pa gardh nga rruga “Memo Bejko” me një “mur” të natyrshëm shkurresh dhe pemësh (foto).
Ky përshkrim i gjatë nxitet edhe nga përpjekjet e jashtëzakonshme të disa institucioneve për ta mbajtur atë të fshehtë.
Faktet tregojnë se nga një godinë gjysmë e rrënuar, ajo u rindërtua me procedura të fshehta dhe një shpenzim i majmë prej 6 milionë eurosh.
Në letër thuhet se u projektua brenda 45 ditësh dhe u ndërtua brenda 6 muajsh nga studio dhe kompani shqiptare.
Në realitet projekti u bë nga një studio e huaj, punimet u zgjatën rreth dy vite dhe u mbikëqyrën nga një zyrë, pronari i së cilës u arrestua dhe dënua për ryshfet në sigurimin e tenderëve publikë.
Për ironi, cilësia e punimeve duket se nuk i ka mbijetuar as shirave të parë të vjeshtës. Në një nga vizitat e Citizens.al në zonë, shquhen disa punonjës që po riparojnë soletën dhe gjurmë rrjedhe uji të lënë në ullukun anësor.
Vila duket se fsheh pas abuzime serioze për plotësime tekash personale të Kryeministrit, i cili gjithmonë e më shumë po i trajton zyrat dhe pronat shtetërore si prona personale.
Punonjës duke shtruar hidroizolim të ri mbi soletë, dhjetor 2025/Citizens.al
Pas “Parkut Eden” në Kryeministri, projekti i të cilit u realizua nga studio e arkitektit Chris Precht dhe kushtoi rreth 5 milionë euro, ky duket të jetë një tjetër shpenzim i tepruar “për estetikë” i qeverisë.
Vila dhe transformimi i festivalit në fondacion
Nuk mund të kishte vend më domethënës për të mbyllur festivalin “Bread & Heart” sesa vila qeveritare “No. Red”, një ndërtesë shtetërore e shndërruar në skenë ekskluzive për evente me ftesa private.
Pavarësisht kërkesave për transparencë, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare (DSHQ) nuk sqaruan se kush e pagoi festivalin dhe çfarë buxheti u shpenzua.
Zyrtarisht në festival morën pjesë rreth 2,300 persona ku vetëm 43% e tyre ishin me bileta, pjesa tjetër ishin “stafe organizative, teknike, ndihmëse dhe programatike”. Pati rreth 150 arkitektë, studiues dhe sipërmarrës të ftuar dhe 44 folës që u përfshinë në programet e datave 5-8 qershor.
Sipas dy agjencive qeveritare nga biletat u përftuan rreth 80 mijë euro të ardhura, udhëtimi dhe akomodimi i të ftuarve u mbulua privatisht ndërsa organizimi i festivalit me angazhim “pjesërisht vullnetar”.
“[…] procesi i konsolidimit financiar përfundimtar është në zhvillim në bashkëpunim me DSHQ-në,” tha AZHT.
“Bread & Heart” është njoftuar se do të zhvillojë edicionin e dytë në 3-4-5 qershor 2026.
Në një skenë ku mungonin arkitektët dhe akademikët shqiptarë, “Bread & Heart” e shfaqi hapur Ramën si porositës dhe vlerësues “par excellence” të vizionit dhe estetikës së çdo ndërtese të lartë në Shqipëri.
“Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se e gjithë Evropa,” shpalli Rama në një fjalim vetëlavdërues që kapi një “standing ovation” nga “star arkitektët” kryesor të ftuar – një pjesë e të cilëve janë në marrëdhënie klienteliste me pushtetin e Ramës.
Në këtë atmosferë me “shije klientelizmi”, më 12 tetor, Rama i priti sërish “star arkitektët” në vilën e kuqe “No. Red”. Kësaj here kur u njoftua fituesi i thirrjes së Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), Bjarke Ingels për Parkun e Besimit.
Gjatë eventit me dyer të mbyllura, Rama prezantoi për të pranishmit arkitekten spanjolle Carme Pigem Barceló (nga RCR Arquitectes) si drejtuese të asaj që zyrtarisht më pas u njoftua të ishte “Fondacioni Bread & Heart”.
Citizens.al iu drejtua zyrës RCR për të marrë një koment nga Znj. Pigem, por nuk mori përgjigje.
Nga eventi ku u njoftua krijimi i fondacionit “Bread & Heart”/Citizens.al
Atë event, më 12 tetor, brenda vilës u vu re një instalacion i ndricuar me shkrimi “Bread and Heart Foundation” që sugjeron se vila tashmë është kthyer në seli për fondacionin.
Por, sipas Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), deri në fund të tetorit nuk ka pasur marrëveshje për dhënien me qira apo përdorim të vilës. Madje as akte, të cilat autorizojnë një përdorim të tillë.
DSHQU mohoi që vilës t’i jetë hequr statusi i “objektit me siguri kombëtare” dhe t’i jetë ndërruar përdorimi. Ndërkohë, gjykata e Tiranës konfirmoi për Citizens.al se kërkesa për regjistrimin e fondacionit ishte në proces. Por që, të paktën deri në fund të muajit tetor, nuk kishte pasur ende vendim.
Kjo ngre dyshime se vila mund të jetë dhënë për përdorim në kundërshtim me ligjin, pa dokumentacion të ri ligjor, ndërkohë që fondacioni nuk ishte ende i regjistruar.
DSHQ theksoi se aktivitetet e zhvilluara kanë qenë pjesë e veprimtarive protokollare nën kujdesin e Kryeministrit, duke cituar një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2016 që lejon pritje për “personalitete të veçanta pa rang zyrtar”, përfshirë drejtues fondacionesh dhe përfaqësues arti e kulture.
Citizens.al kërkoi informacione të tjera nga AZHT dhe AKPT mbi procedurat që çuan në shndërrimin e festivalit në fondacion si dhe marrëveshjet apo memorandumet e bashkëpunimit me të.
AZHT kërkoi më shumë kohë për shkak të volumit të dokumenteve, ndërsa AKPT nuk u përgjigj duke pranuar të gjobitet për mohim të të drejtës për informim, pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Për festivalin “Bread & Heart” nuk pati transparencë për shpenzimet, fondet dhe angazhimet e ndërmarra teksa organizohej nga agjencitë qeveritare AZHT-AKPT, kthimi në fondacion e bën me premisa edhe më pak transparente.
Në këtë kuptim, qasja me “Bread & Heart” shton edhe më shumë dyshimet për abuzime me fondet publike, ndërkohë që nga “starkitektët” dhe “kritizerët” pranë tyre nuk ka pasur asnjë qëndrim për këtë pjesë.
Taksat e qytetarëve shqiptar, përdoren për rikonstruksione vilash ekskluzive, dreka, darka dhe festa private të asaj që në dukje po shfaqet dhe sillet gjithnjë e më shumë si “një oborr arkitektësh” pranë qeverisë.
TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Komisioni i Disiplinës dhe Etikës i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka gjobitur Tiranën, Vllazninë dhe Teutën për sjellje të gabuar të tifozëve.
Në vendimet e publikuara nga FSHF, nga skuadrat e Superligës vërehet se janë gjobitur tri skuadra.
Sipas vendimeve, KF Vllaznia është dënuar me 50.000 lekë për sjellje të gabuar të spektatorëve gjatë sfidës me Bylisin, përfshirë hedhjen e sendeve në fushë dhe ndezjen e mjeteve piroteknike.
KF Tirana u gjobit po ashtu me 50.000 lekë për mosrespektim të detyrimeve dhe përgjegjësive, duke shkaktuar vonesa në fillimin e lojës.
Ndërkaq, KF Teuta mori një gjobë në masë 50.000 lekë për mosrespektim të përgjegjësive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke lejuar persona të paautorizuar në ambientet e brendshme të stadiumit.
Vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në FSHF:
KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe ndezje mjetesh piroteknike, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
KF Tirana, për mosrespektimin e detyrimeve dhe përgjegjësive dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa në fillimin e lojës, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
KF Teuta, për mosrespektim të përgjegjësive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke lejuar persona të paautorizuar në ambientet e brendshme të stadiumit, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
KF Iliria, për mosrespektim të përgjegjësive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke cënuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, ku janë përdorur kore fyese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë, si dhe me zhvillimin e 5 ndeshjeve pa praninë e spektatorëve. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Në zbatim të nenit 58 të Rregullores së Aktivitetit, KF Iliria urdhërohet të dërgojë për miratim listën e zyrtarëve të cilët do të qëndrojnë në tribunë, tek delegati i ndeshjes, të paktën 48 orë përpara fillimit të çdo ndeshje deri në përfundim të dënimit.
Lojtari i KF Iliria, Brajan Selmani, për kërcënim të zyrtarëve të ndeshjes si dhe për mosrespektim të vendimit nr. 15, datë 05.12.2025, në bazë të neneve 14/1/k dhe 29/1/d të KDE, dënohet me pezullim nga çdo veprimtari e organizuar nga FSHF për një periudhë prej 10 ndeshjesh. Kohës së re të dënimit i shtohet periudha e pashlyer e dënimit të mëparshëm të vendimit nr. 15, datë 05.12.2025.
Zyrtari i KF Iliria, Petrit Selmani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
Zyrtari i KF Skënderbeu, Gentian Lico, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Lojtari i KF Skënderbeu, Mario Gjata, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtar, dënohet me 3 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Lojtari i KF Laçi, Taleb Khalil, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtar, dënohet me 3 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
FC Lushnja, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 50.00 lekë. Gjoba të aplikohet në masën 50%.
Zyrtari i FK Kukësi, Florian Biba, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
Zyrtari i FC Lushnja, Mario Sula, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
*Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 ditëve përpara Komisionit të Apelit.
PRISHTINË, 15 dhjetor /ATSH/ Festivali mbarëkombëtar i radiove “Radiofest 2025” përmbylli edicionin e tij të 16-të, organizuar nga Radio Gjakova.
Gjakova u shndërrua në qendër të radiostacioneve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” u mbajt manifestimi përmbyllës ku u shpallën fituesit në garën për spot publicitar, raport radiofonik dhe reportazh që iu kushtua trashëgimisë kulturore.
Kështu vendi i parë për radioreportazh i takoi Radio Tiranës dhe autorit Jaho Margjeka, i dyti Radio Kosovës dhe i treti Radio Gjirokastrës. Në vendin e parë për raport radiofonik doli Radio Alba e Klinës, në të dytin Radio Lushnja dhe të tretin Radio Peja.
Ndërsa më të mirët në spote publicitare ishin Radio Plus (Prishtinë) me vendin e parë, pasuar nga Glam Radio (Prishtinë) dhe Radio Klea (Elbasan). Çmimi i organizatorit i takoi Radio Malit të Zi – seksionit shqip, Radio Prizrenit dhe Radio Ylberit (Mitrovicë).
Zëri më i mirë radiofonik i takoi Fitore Istrefi Alushi nga Radio Struga. Shpallja e fituesve në “Radiofest 2025” u shoqërua edhe me një program të pasur artistik me të ftuar nga Kosova dhe Shqipëria. Ky edicion i këtij festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjakovës. /KosovaPress/
TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Tirana është një prej destinacioneve më të vizituara në rajon, duke tërhequr mijëra turistë të huaj nga e gjithë bota që zgjedhin kryeqytetin për të përjetuar festat e fundvitit.
Isabell Mathersx dhe Lydia Bright janë dy vajza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë të parën vizitë të tyren në vendin tonë.
Ato shprehen se Shqipëria është një vend i bukur, me njerëz mikpritës, ndërsa e etiketojnë Tiranën si një qytet ideal për të kaluar disa ditë pushimesh.
“Kjo është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Jemi këtu nisur nga kurioziteti, pasi kemi dëgjuar shumë të flitet për vendin tuaj. Na pëlqen kultura, tradita, ushqimi. Kemi vizituar qytetin e Beratit, kemi parë shpellën e Pëllumbasit në Tiranë, që ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ju keni shumë vende të bukura, por sidomos natyra është fantastike”, u shprehën ato.
Një tjetër grup prej tre të rinjsh, thanë për ATSH se kanë ardhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë nga Indonezia.
“Do të qëndrojmë këtu një javë dhe mezi presim të eksplorojmë Tiranën dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë”.
Gerjan Duri, udhërrëfyes i një kompanie turistike në Tiranë, teksa shoqëron një grup prej 37 turistësh izraelitë, shprehet se ka interes të shtuar dhe grupe të mëdha të huajsh që zgjedhin ta vizitojnë Tiranën, sidomos gjatë festave.
Ai tha se ky grup turistësh do të zhvillojë një tur pesëditor në Tiranë gjatë të cilit do të vizitojnë edhe Shkodrën, Beratin dhe Krujën.
“Sipas Durit, turistët shprehen të kënaqur me Tiranën dhe qytetet e tjera, veçanërisht gjatë periudhës së festave të dhjetorit. Ata vizitojnë pikat kryesore turistike dhe konsumojnë gatimet tradicionale.”
Tirana po konsolidohet si një destinacion i sigurt dhe mikpritës, ndërsa rritja e numrit të turistëve të huaj po e forcon profilin e kryeqytetit si destinacion turistik gjithëvjetor.
TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ U luajtën sot 3 përballjet e para të vlefshme për javën e 16-të të kategorisë Abissnet Superiore, ku spikatën fitoret e Elbasanit dhe Partizanit.
Verdheblutë mposhtën në frymën e fundit Vorën me rezultatin 1 me 0, duke ruajtur kreun e tabelës.
Partizani bëni detyrën në shtëpi ndaj Flamurtarit me rezultatin 2 me 1.
Ndërkohë dueli tjetër, ai mes Teutës dhe Tiranës u mbyll në barazim 1 me 1.
Të dielën do të luhen dy takimet e tjera: Vllaznia-Bylis dhe Dinamo-Egnatia.
TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Teuta dhe Tirana janë ndalur në një barazim 1-1 në stadiumin “Niko Dovana”, në një ndeshje të luftuar nga minuta e parë deri në fund, e vlefshme për javën e 16-të të Superiores.
Bardheblutë e Tiranës e nisën më mirë takimin, duke kaluar shumë shpejt në avantazh.
Që në minutën e 4-t, Ndong gjeti rrugën e rrjetës dhe i dha epërsinë skuadrës kryeqytetase. Pas golit të pësuar, Teuta reagoi duke rritur presionin dhe duke kërkuar me ngulm barazimin.
Përpjekjet e durrsakëve u shpërblyen më pas, kur Beshiraj u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke rikthyer ekuilibrat në rezultat. Pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja ekipet në pjesën e mbetur të ndeshjes, shifrat mbetën të pandryshuara deri në vërshëllimën finale.
Pas këtij barazimi, Tirana mbyll klasifikimin me 8 pikë, ndërsa Teuta renditet në vendin e pestë të tabelës.
Partizani mposhti Tiranën me rezultatin e pastër 2-0 në derbin e kryeqytetit. Bardheblutë në kaos total nuk arritën të reagonin pas humbjes 6-2 ndaj Dinamos, ndërsa Partizani konfirmoi kthesën në lojë dhe rezultat. Sfida u zhbllokua që në minutën e 7-të, kur Human, pas një goditjeje këndi, përfitoi nga hutimi i mbrojtjes së Tiranës dhe […]
Partizani ka kaluar në avantazh përballë Tiranës në sfidën që po luhet prej orës 18:00 në “Air Albania”. Derbi u zhbllokua në minutën e 7-të ndërsa për të kuqtë realizoi Rowan Human. Pas zhvillimit të një goditje këndi, topi shkon te Human i cili i vetëm para Tafas dërgon topin në rrjetë.
Truall dhe leje për një kullë 20-katëshe në “këmbim” të rikonstruksionit të Pallatit të Kongreseve. Ky është modeli që ka zgjedhur qeveria për të financuar ndërhyrjen në një objekt që mban statusin Monument Kulture, kategoria II-të.
Rasti përforcon serinë e gjatë të projekteve të ngjashme ku interesi publik zbehet në sfond të zhvillimeve intensive, të cilat favorizojnë interesat tregtare të ndërtuesve privatë në Tiranë.
Thirrja e Korporatës
Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) hapi më 27 nëntor thirrjen “duo, projektim dhe ofertë për investim” për projektin “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”, e cila do të presë propozime deri më 26 janar 2026. Thirrja parashikon rikonceptimin e hapësirave të brendshme e të jashtme dhe ndërtimin e një kulle me funksione të kombinuara: hoteleri, shërbime, qendër tregtare, banim.
Privati përfiton 4,760 m² truall publik rreth Pallatit dhe të drejtën për të ngritur deri në 50,000 m² sipërfaqe ndërtimi mbi tokë. Me koeficientin tipik të shfrytëzimit 30-50%, kjo përkthehet në një ndërtesë deri 20 kate, që sipas planimetrisë së zonës ka gjasë të ngrihet në lulishten pas objektit, pranë rrethrrotullimit të rrugës “Papa Gjon Pali II”, pronësia e truallit, që sot shërben si park, iu kalua KISH-së nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në muajin korrik.
Projektuesve u jepet liri të ndërtojnë parking të përbashkët për godinën ekzistuese dhe kullën, ndërsa kushti i vetëm për Pallatin është “ruajtja e elementëve arkitektonikë origjinalë, pa tjetërsuar volumin ekzistues”.
Ndërhyrjet e kërkuara që në janar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila e administron Pallatin e Kongreseve, përfshijnë mjedise pune për Drejtorinë, ambiente zyrash, konferencash dhe hapësira multifunksionale për evente artistike dhe kulturore.
Edhe pse godina është restauruar dy herë brenda dhjetë vitesh, gjatë vizitës së Papa Françeskut (2014) dhe për Samitin e Berlinit (2024), KISH argumenton në thirrjen e saj se ato nuk mjaftojnë për ta sjellë objektin në standarde bashkëkohore.
Institucioni e justifikon ndërhyrjen me raportet e Institutit të Ndërtimit, që evidentojnë probleme me vërshimin e ujërave në katet nëntokë, ajrin e kondicionuar, hidrosanitaret dhe impiantet teknike.
Proces i mjegullt, vendimmarrje pa transparencë
Sinjalet për një kullë të re u dhanë që më 24 korrik, kur Këshilli Bashkiak miratoi kalimin në administrim të KISH të lulishtes 2,261 m² pas Pallatit të Kongreseve – thuajse gjysma e totalit të truallit që sot po i ofrohet privatit.
Në debatet e asaj seance, shumica socialiste pranoi se nuk kishte asnjë informacion teknik për propozimin. Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, deklaroi se nuk e dinte nëse do të ndërtohej ndonjë kullë, nëse do të ndodhnin rikonceptime apo dhe vetë shembje e mundshme e Pallatit të Kongreseve. Megjithatë, vota e kolegëve të saj u dha.
Sikurse raportoi asokohe Citizens.al, thirrja e parë e KISH, publikuar më 1 prill si “Rikonstruksion i Pallatit të Kongreseve”, ishte tërësisht boshe: pa relacione, pa vlerësime, pa planimetri. Kjo qasje ushqeu dyshimet e opozitës se procesi synonte t’i ofronte privatëve truall publik nën idenë e mjegullt të “rikonstruksionit”.
Kështu, kalimi i lulishtes u bë me procedurë të shpejtuar, pa transparencë mbi planet e ndërtimit, pa konsultim publik dhe pa garanci për ruajtjen e hapësirës së gjelbër. Thirrja e KISH e konfirmon hapur modelin e zgjedhur: përmbushjen e interesit privat përpara interesit qytetar, edhe në objekte me vlerë arkitektonike dhe historike për Tiranën.
Qeveria duket se nuk gjen dot para as për rikonstruksionin e një ndërtese historike si “Pallati i Kongreseve”, buxheti për të cilin mund të përballohej lehtësisht pa qenë nevoja të jepet në këmbim asgjë.
Por kjo nuk është hera e parë që qeveria aplikon të njëjtën formulë.
Rastet e ndjekura dhe kritikuara vazhdimisht nga Citizens.al me Stadiumin “Selman Stermasi”; Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, “Bibliotekën Kombëtare“, ish-Agjencinë Telegrafike Shqiptare etj – e theksojnë edhe më tej këtë gjë.
TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Klubi i Futbollit Tirana ka njoftuar zyrtarisht afrimin e Basilio Ndong, një mbrojtës krahu me përvojë në Europë dhe mbi 50 paraqitje me përfaqësuesen e tij.
Lojtari u prezantua dje nga drejtori sportiv Omer Bunjaku dhe konsiderohet një përforcim strategjik për skuadrën bardheblu në vazhdimin e sezonit aktual.
Klubi i uroi Ndong mirëseardhjen dhe shumë suksese me fanellën e KF Tiranës, duke shpresuar që përvoja e tij të ndihmojë skuadrën në arritjen e objektivave të sezonit.
Në stadiumin legjendar “Selman Stërmasi”, ku dikur festoheshin 26 tituj kampionë, sot mbizotëron një heshtje e rëndë. Klubi i Futbollit Tirana, trashëgimtari i “17 Nëntorit” të famshëm, po përjeton një nga periudhat më të vështira në historinë e tij të gjatë. Situata aktuale është alarmante. Pas 13 javësh në Kategorinë Superiore për sezonin 2024/2025, skuadra bardheblu gjendet në fundin e…
Imami Ylli Gurra ka ngritur alarmin për prezencën e disa xhamive në Shqipëri, të cilat sipas tij janë kthyer në filiza të ekstremizmit dhe radikalizmit.
Gurra përmendi konkretisht një xhami brenda Unazës së Tiranës, duke akuzuar Komunitetin Mysliman se nuk ka ndërhyrë për të rikthyer rendin dhe për të emëruar imam të duhur.
“Duhet të bëhet një ndarje mes besimit të sinqertë të myslimanëve dhe atyre që manipulojnë ideologjinë. Ka xhami që janë kthyer në filiza ekstremizmi, duke dërguar qytetarë shqiptarë në Siri dhe Jemen. Një nga këto objekte është brenda Unazës së Tiranës, ndërkohë që ka raste edhe në Pogradec, Pukë dhe Kryeviz,” tha Gurra për A2CNN.
Ai kujtoi ndërhyrjen e forcave të sigurisë dhe të SHISH në Xhaminë e Mëzezit në vitin 2014, ku u vendos që të caktohej një imam për të frenuar predikimet radikale dhe keqpërdorimet e besimit.
Gurra shtoi se, për fat të keq, disa xhami në Tiranë dhe në vend mbeten të paprekura dhe disa individë vazhdojnë të shfrytëzojnë objektet e kultit për përfitime personale në emër të islamit.
Më tej akuzoi rrogëtarët e Komunitetit Mysliman për apati dhe mosbashkëpunim, duke nënvizuar se ky qëndrim mund të lejojë përhapjen e ideologjive ekstremiste edhe në të ardhmen.
“Komuniteti nuk tregoi vullnet për të përfshirë xhaminë e Unazës së Re me imam të emëruar dhe të funksionojë siç duhet, si gjithë objektet e tjera të kultit në Shqipëri,” përfundoi Gurra.
TIRANË, 29 nëntor /ATSH/ Egnatia mori një fitore me shumë peshë në “Selman Stërmasi”, duke mposhtur minimalisht Tiranën në sfidën e Javës së 13-të të Superiores.
Kampionët e nisën ndeshjen më kërkues dhe gjetën shpejt avantazhin me Ruçin, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Dominimi i tyre u konkretizua në minutën e 27-të, kur Bakayoko realizoi me penallti.
Pavarësisht disa rasteve të mira, Tirana nuk arriti të barazojë, duke regjistruar humbjen e katërt në pesë ndeshjet e fundit. Bardheblutë mbeten në fund të renditjes, me vetëm 7 pikë.
Falë këtij suksesi, Egnatia ngjitet në vendin e dytë me 25 pikë, njësoj si Elbasani kryesues, duke kaluar Vllazninë.
Ndërkohë, në Ballsh, Dinamo u ndal në një barazim pa gola ndaj Bylisit në “Adush Muça”. Të dyja skuadrat prodhuan lojë dhe raste, por nuk arritën të dërgonin topin në rrjetë.
Ky rezultat e mban Dinamon në vendin e pestë me 20 pikë, ndërsa Bylisi qëndron në vendin e tetë me 13 pikë.
Egnatia ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë kundër Tiranës, në takimin e javës së 13-të të Superiores. Përballja e luajtur në “Selman Stërmasi” u mbyll me shifrat 0-1. Goli vendimtar u shënua në minutën e 27-të nga Bakayoko, i cili tund rrjetën nga pika e bardhë, duke i dhënë epërsinë kampionëve në fuqi. […]
Tirana njoftoi një afrim të ri sot në skuadër. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë, Basilio Ndong, i cili prej muajsh ishte pa kontratë dhe lojtar i lirë. 26-vjeçari nga Guinea Ekuatoriale do të provojë aventurën e parë në Shqipëri, ndërsa më herët ka luajtur edhe me Shkupin në Maqedoninë e Veriut. “Tirana njofton afrimin […]
TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Festimet për 113-vjetorin e Pavarësisë kanë vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes së sotme në rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit.
Qindra qytetarë u janë bashkuar aktiviteteve festive për 28-29 Nëntorin të cilat nisën në orën 10:00, me ceremoninë e Nderimit të Flamurit dhe vijuan gjatë ditës me veprimtari kulturore dhe artistike.
Me flamuj në duar dhe simbolet kombëtare, qytetarët kanë ndjekur koncertet festive në disa nga pikat kryesore të Tiranës, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri te sheshi “Skënderbej”.
Fotoreporter Andrin Hoxha
Nga festimet e Ditës së Flamurit dhe Nata e Bardhë në Tiranë
TIRANË, 27 nëntor /ATSH-Ermira Isufaj/ Reshjet e shiut i përballin qytetarët e Tiranës me trafik të rënduar, duke nxjerrë në pah një problematikë të vazhdueshme, ku rrugët bllokohen veçanërisht në orët e para të ditës dhe të pasdites.
Mbërritja në kohë në destinacion, në punë apo dërgimi i fëmijëve në çerdhe, kopshte e shkolla bëhet akoma më e vështirë sa herë kryeqyteti përballet me përkeqësim të kushteve të motit për shkak edhe të rritjes së numrit të mjeteve dhe përdoruesve të tyre.
Situata shfaqet e njëjtë pothuajse në të gjitha rrugët e Tiranës, trafik i rënduar, punonjës të policisë në kryqëzime dhe akse rrugore për menaxhimin e situatës si dhe qytetarë që u duhet të presin për disa minuta në stacionet e autobusëve.
Më e vështirë bëhet situata në ditët me shi për drejtuesit e linjave të transportit publik edhe për shkak të mungesës së korsive të dedikuara në disa akse për autobusë dhe parkimet vend e pa vend nga ana e shoferëve të papërgjegjshëm.
Rajmond Shkëmbi, shofer i linjës së autobusëve “Qendër-Ish-Uzina e Autotraktorëve”, që prej 16 vitesh operon në këtë linjë, thotë se “moti me shi ndikon jashtëzakonisht keq në qarkullimin e mjeteve dhe në mbërritjen në kohë në destinacion”.
“Moti ndikon shumë sepse ka edhe shumë makina. Problem mbetet edhe parkimi nga ana e makinave në korsitë e dedikuara për autobusët. Jemi ankuar, edhe te Policia dhe me thënë të drejtën kemi pasur mbështetjen e tyre për të larguar këto makina dhe për të liruar trafikun”, tha Shkëmbi.
Ai thotë se ankesat nga ana e qytetarëve janë të përditshme, pasi vonohen për të shkuar në punë, në shkollë apo kudo tjetër që kanë programuar ditën e tyre.
Një tjetër drejtues i autobusëve i linjës “Qendër –Maternitet i Ri” thotë se moti me shi ndikon “100% në rëndimin e trafikut të Tiranës”.
“Sa herë që ka shi, kjo punë është me trafikun në Tiranë. Ne na vështirësohet edhe më shumë puna, pasi duhet të menaxhojmë trafikun, këtej ankesat e pasagjerëve që duan të mbërrijnë në kohë dhe plot probleme të tjera. Rrugët e ngushta ndoshta, makinat e shumta, por edhe parkimet vend e pa vend janë të gjithë elementë që ndikojnë”, shprehet Shpëtim Lani.
Nga ana tjetër, janë qytetarët të cilët ngrenë zërin për vonesa.
“Jemi vonë për punë. Mos na vononi më shumë. Ju e shikoni se sa keq është situata me trafikun sa herë që bie shi”, ishin disa nga shqetësimet e qytetarëve të linjës së Autotraktorëve.
Tashmë Tirana ka hyrë në javën e dytë me reshje të vazhdueshme shiu dhe apeli i vazhdueshëm i punonjësve të policisë është respektimi i sinjalistikës dhe i rregullave të qarkullimit për të mos penguar lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe emergjencës.
Krahas menaxhimit të situatës për lirimin e trafikut, efektivët e Policisë së Shtetit në bashkëpunim edhe me Policinë Bashkiake vijojnë kontrollet për ndalimin e parkimeve të dyfishta, largimin e automjeteve në korsitë e dedikuara për autobusët dhe emergjencën dhe çdo shkelje që pengon qarkullimin normal të automjeteve.
Në këtë kuptim, merr rëndësi transporti publik efikas në mënyrë që të mos penalizohen qytetarët në arritjen e orarit të punës apo dërgimin në kohë të fëmijëve në kopshte e çerdhe.
Ditët me shi tregojnë se edhe transporti publik vuan trafikun.