TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ – Agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve, Associated Press ka publikuar sot një galeri me foto nga më pikantet nga e gjithë bota, ku përcjell festimet e këtij fundviti.
Mes tyre spikat edhe atmosfera në kryeqytetin shqiptar.
Associated Press ka përzgjedhur momentin kur qytetarë të shumtë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për koncertin festiv dhe ceremoninë e ndezjes së dritave të pemës së madhe, më 6 dhjetor.
Përveç Tiranës, Associated Press sjell foto nga Londra, Shën Petërsburgu, Nju Jorku, Parisi, Berlini, Seuli apo Dakari./ a.jor.
Rreth datës 21 dhjetor, Dielli hyn në shenjën e Bricjapit, duke shënuar një periudhë astrologjike të fuqishme që na fton të jemi më seriozë dhe të vendosur për drejtimin që duam t’i japim jetës sonë. Kjo është një fazë reflektimi, ku ëndrrat e mëparshme fillojnë të kthehen në plane konkrete, që kërkojnë disiplinë, durim dhe angazhim të vazhdueshëm.
Energjia e Bricjapit është tokësore dhe pragmatike. Ajo na ndihmon të vendosim prioritetet, të planifikojmë hapat afatgjatë dhe të ndërtojmë struktura të forta, qoftë në karrierë, qoftë në jetën personale. Gjatë kësaj periudhe, motivimi për punë të qëndrueshme dhe për të marrë përgjegjësi rritet ndjeshëm. Projekte që kërkojnë përkushtim dhe strategji afatgjatë do të kenë më shumë mundësi të sjellin rezultate të qëndrueshme sesa ato të shpejta.
Megjithatë, ndikimi i Bricjapit mund të sjellë edhe rezervë emocionale. Përqendrimi te detyrat dhe objektivat mund të bëjë që ndjenjat dhe marrëdhëniet personale të kalojnë në plan të dytë. Kjo nuk është domosdoshmërisht negative, për sa kohë ruhet ekuilibri dhe nuk neglizhohet bota emocionale.
Në këtë periudhë, ky është momenti ideal për të investuar në vetëdisiplinë, për të planifikuar të ardhmen dhe për të punuar me qëllim. Me durim dhe fokus, ëndrrat mund të transformohen në arritje konkrete, duke hapur rrugë për sukses të qëndrueshëm dhe për zhvillim personal të plotë.
Kur në vitin 2018 qeveria prezantoi figurën e oficerit të sigurisë në shkolla, ajo u shoqërua me pritshmëri të larta. U paraqit si një mekanizëm i ri për të parandaluar dhunën, konfliktet dhe sjelljet problematike tek nxënësit.
Por shtatë vite më vonë, auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ofron një panoramë krejt tjetër: një strukturë e ngritur me nxitim, e paqëndrueshme në bazë ligjore dhe e pambështetur institucionalisht, shkruan Faktoje.al.
Në raportin voluminoz të vitit 2025, KLSH e përkufizon qartë situatën: “Procesi i sigurisë në shkolla nuk ka funksionuar në nivelin e pritshmërive, për shkak të mungesës së një kuadri të konsoliduar rregullator, mbikëqyrjes së pamjaftueshme dhe mbledhjes jo të standardizuar të të dhënave” Ky është vlerësimi më i drejtpërdrejtë institucional i bërë ndonjëherë për këtë shërbim.
Megjithëse numri i oficerëve u rrit gjatë viteve dhe shërbimi u zgjerua në më shumë se 200 shkolla në të gjithë vendin, shtylla kryesore e funksionimit, udhëzuesi i punës, u miratua vetëm në vitin 2023. Për pesë vite me radhë, Oficerët e sigurisë kanë punuar me orientime të pjesshme dhe pa instrumente të qarta ligjore. Kjo ka krijuar një terren ku roli i tyre ushtron ndikim vetëm në varësi të vullnetit individual dhe marrëdhënieve me drejtuesit e shkollës.
Ekspertja e trajnimeve të oficerëve të sigurisë, Erinda Bllaca, këtë e quan “një boshllëk themelor në funksionimin e shërbimit”, duke thënë se oficerët “janë hedhur në terren pa autoritetin dhe mbështetjen e nevojshme”. Ajo shton se mungesa e standardeve operative ka bërë që shumë prej tyre të mos e dinë saktësisht kufirin e kompetencave të tyre, çka e dëmton si ndërhyrjen, ashtu edhe raportimin.
Raportimet
Një nga zbulimet më të rëndësishme të auditimit të KLSH lidhet me mënyrën se si ASCAP mbledh të dhënat për incidentet. Raporti është i qartë: “Linku elektronik i ASCAP-it nuk përbën bazë shtetërore të të dhënave, pasi nuk është krijuar me akt normativ dhe nuk ka detyrim ligjor për t’u përdorur” Kjo do të thotë se i gjithë sistemi kombëtar i raportimit është informal dhe i pambështetur juridikisht.
KLSH shkon edhe më tej, duke nënvizuar se të dhënat e mbledhura nuk mund të konsiderohen përfaqësuese: “Të dhënat e raportuara nuk përputhen me realitetin e sigurisë në shkolla dhe përmbajnë elementë vetëcensurimi”
Ky vetëcensurim, sipas auditorëve, nuk është rastësor. Në dokument thuhet shprehimisht se oficerët “kanë deklaruar presion nga drejtuesit e shkollave për të mos raportuar incidente, me qëllim ruajtjen e imazhit të institucionit”
Për këtë arsye, ASCAP hoqi nga sistemi fushën “Shkolla”, që identifikonte institucionin ku ndodhte incidenti, një veprim që sipas KLSH-së “degradon transparencën e procesit dhe pengon analizën e riskut në nivel institucional”.
Një oficere e sigurisë e intervistuar nga Faktoje.al për këtë artikull e përforcon këtë dinamikë: “Unë pajtohem 99% me raportin e KLSH-së. E di shumë mirë si funksionojnë punët. Siç thotë populli: edhe i vënë prift, edhe i rruajnë mjekrën. Ne kemi gjithë përgjegjësinë, por asnjë mbrojtje” Ajo tregon se ka raportuar një rast dhune të ushtruar nga një mësues ndaj një nxënësi dhe pas kësaj është vendosur nën presion nga drejtoria.
Kur Faktoje kontaktoi dy shkolla të mëdha të Tiranës për të intervistuar oficerët e sigurisë për këtë shkrim, të dy oficerët fillimisht pranuan, por më pas u tërhoqën duke thënë se “duhet leje nga drejtoria”, për të cilën më pas nuk dhanë asnjë përgjigje. Sipas mësuesve të shkollave përkatëse, kjo është një sjellje e zakonshme: “Kanë frikë për vendin e punës. Askush nuk flet”
Çfarë thonë nxënësit
Megjithëse ASCAP raporton rritje të numrit të incidenteve gjatë viteve, përfshirë 599 raste vetëm në vitin 2022-2023, KLSH thekson se këto statistika nuk janë të plota. Kjo del qartë edhe nga krahasimi me perceptimin e nxënësve.
Në sondazhin e realizuar nga KLSH me 227 nxënës në shkolla të ndryshme të vendit, rezulton se:
“15.8 për qind e nxënësve kanë parë armë të ftohta në shkollë të paktën një herë gjatë vitit, ndërsa rreth 25.9 për qind kanë konstatuar përdorim të drogave, alkoolit apo duhanit”
Këto përqindje janë shumë herë më të larta se rastet e raportuara nga oficerët, duke treguar se nënraportimi nuk është episodik, por sistemik.
Dhuna
Në raportin e KLSH, dhuna fizike në shkolla shihet si fenomeni më shqetësues. “Problematika më e shpeshtë e raportuar nga OS është dhuna fizike (892 raste) e ndjekur nga dhuna psikologjike/verbale (333 raste) dhe bullizmi (186 raste)”.
Raporti vëren vështirësi në menaxhimin e dhunës. “Menaxhimi i dhunës fizike është i kufizuar, pjesërisht për shkak të përgatitjes fizike dhe trajnimeve të pamjaftueshme që ofrohen në Akademinë e Sigurisë”, thuhet në raport.
Një rol pa pavarësi
Oficerët e sigurisë punojnë me një pagë që varion rreth 50-60 mijë lekë të reja, një shumë që nuk korrespondon me natyrën e detyrës dhe rëndësinë që mbart. Oficerja e intervistuar thotë: “Detyra mbetet në vullnetin tonë. Pagë minimale, pa asnjë bonus, dhe me shumë pritshmëri. Po çfarë autoriteti kemi ne? Asnjë”
Raporti i KLSH-së konstaton se oficerët e sigurisë shpesh punojnë pa kompjutera, pa printer dhe pa kushtet minimale të dokumentimit. Gjithashtu, “kontrollet fizike dhe kontrolli i mjediseve nuk realizohen”, megjithëse parashikohen në udhëzime.
Nga pesë shkolla të audituara, vetëm në një rast është kryer një kontroll fizik gjatë gjithë periudhës së auditimit.
Oficerja e sigurisë e intervistuar për këtë shkrim e përshkruan situatën me realitetin e saj të përditshëm: “As pajisjet nuk i kemi. Edhe kompjuterin, printerin apo mjete të tjera i kërkojmë tek drejtoria, dhe shpesh na thonë t’i ndajmë me shërbimet sociale të shkollës. Në raste të tjera na thonë se nuk ka fonde. Si të bëjmë raportime të sakta kur s’kemi as mjetet bazë të punës?”
Ajo shton se kjo situatë e bën detyrën edhe më të vështirë dhe rrit varësinë nga drejtoria, pikërisht në një rol që teorikisht duhet të ketë pavarësi funksionale.
Koordinimi
Raporti evidenton se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është i parregulluar dhe shpesh jofunksional. Sipas udhëzimeve, oficerët e sigurisë duhet të njoftojë specialistin e policimit në zonë (SPZ), i cili më pas njofton strukturat e policisë. Por në praktikë, “SPZ mbulon disa shkolla, shpesh nuk reagon dhe në disa raste dosjet e iniciuara pushohen për mungesë dokumentacioni”, thuhet në raport.
Oficerja e intervistuar e përshkruan këtë situatë: “Shpesh duhet të njoftojmë direkt policinë, se SPZ-ja është e pakapshme. Por pastaj policia na e kthen sërish neve përgjegjësinë. Nuk ka zinxhir funksional”
Erinda Bllaca e përmbledh situatën me një fjali të thjeshtë: “Oficerët janë në vijën e parë, por pa mbështetje. Ata shohin gjithçka që ndodh çdo ditë, por janë të fundit që dëgjohen. Dhe kur gjërat shkojnë keq, fajësohen ata”
Oficerja e intervistuar për këtë shkrim e konfirmon: “Kjo detyrë na jep gjithë fajet. Por as autoritet, as pavarësi, as mbështetje nuk kemi. Si mund të funksionojë kështu?”
Cilat janë zgjidhjet?
Në analizën e saj, Erinda Bllaca nënvizon se përmirësimi i situatës nuk mund të vijë nga masa të pjesshme, por kërkon një rikonceptim të të gjithë arkitekturës institucionale që rregullon funksionimin e oficerëve të sigurisë. Ajo propozon që roli i tyre të zhvendoset nga varësia e drejtorisë së shkollës drejt një strukture që garanton pavarësi, mbrojtje dhe autoritet profesional.
Sipas saj, një opsion i zbatueshëm është kalimi i kësaj figure nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Një alternativë tjetër që Bllaca e sheh po aq të vlefshme është ngritja e një drejtorie të dedikuar brenda Ministrisë së Arsimit, e cila do të merrej ekskluzivisht me menaxhimin, funksionimin dhe mbështetjen e oficerëve të sigurisë.
Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e ndërtimit të procedurave operative standarde, të cilat do të qartësonin detyrat, kompetencat dhe kufijtë e ndërhyrjes së OS-ve.
TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) solli për tri net radhazi një nga produksionet më të jashtëzakonshme të sezonit, “Il Trovatore”, duke regjistruar tri mbrëmje sold out (të gjitha biletat e shitura).
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, kjo kryevepër e Giuseppe Verdi-t u rikthye pas 24 vitesh mungese në skenën shqiptare, me një produksion të ri nën regjinë e Roberto Catalani-t dhe në bashkëpunim me teatrot italianë: Teatro “Amilcare Ponchielli” Cremona, Teatro Grande Brescia, Teatro Sociale Como dhe Teatro Fraschini Pavia.
Ndër aktorët kryesorë spikati tenori me karrierë ndërkombëtare Josif Gjipali në rolin e Manricos, ndërsa për herë të parë në Shqipëri debutoi mexosopranoja Enkeleida Shkoza në rolin e Azucenës. Kasti i pasur përfshiu gjithashtu Ankhbayar Enkhbold dhe Armando Likaj si Conte di Luna, Eva Golemi dhe Ramona Tullumani si Leonora, Ivana Hoxha si Azucena, dhe Amadi Lagha si Manrico në kastin e dytë.
Produksioni solli edhe interpretime nga artistë të rinj të teatrit, përfshirë Bledar Domi, Suada Gjergji, Greis Shametaj, Matias Xheli, Redon Sinella dhe Erlind Zeraliu, të mbështetur nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së nën drejtimin e dirigjentit Andrea Solinas dhe dirigjentit të korit Dritan Lumshi.
Ministri Gonxhja theksoi se ky sukses konfirmon angazhimin për të sjellë produksione operistike me standarde ndërkombëtare dhe për të forcuar artin lirik në Shqipëri, duke ofruar për publikun shqiptar eksperienca artistike të nivelit botëror.
Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe ka vendosur për certifikimin e listës së kandidatëve për deputetë të subjektit politik Lista Serbe.
Vendimi erdhi pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe në PZAP, pasi KQZ nuk kishte certifikuar listën e saj të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit të PZAP-së, ankesa e Listës Serbe është aprovuar, ndërsa vendimi i KQZ-së me Nr. Protokolli 01/3771-2025, i datës 10 dhjetor 2025, është ndryshuar. Paneli ka pranuar rekomandimin e Zyrës për Certifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, të datës 11 dhjetor 2025, duke certifikuar listën me 33 kandidatë të këtij subjekti politik.
Me këtë vendim, Lista Serbe do të marrë pjesë në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025./Telegrafi/
TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/- Zhani Ciko është një prej figurave më të shquara të artit shqiptar, muzikanti, violinisti, dirigjenti dhe drejtuesi që ka lënë gjurmë të mëdha në kulturën tonë kombëtare.
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka uruar Mastro Cikon për 80-vjetorin e tij të lindjes.
I lindur në Tiranë më 8 dhjetor 1945, trashëgimtar i një familjeje artistësh dhe djali i ‘Artistit të Merituar’, Mihal Ciko, rrugëtimi i tij fillon që në moshën pesëvjeçare me violinën, instrument i cili do ta udhëhiqte drejt një karriere shembullore në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare.
Që nga vitet e hershme si violinist solist dhe spalë e Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, te misioni i tij si pedagog, drejtues institucionesh dhe themelues i ansambleve të para të harqeve në Shqipëri, Zhani Ciko ka formësuar breza të tërë artistësh dhe ka ngritur standardet e muzikës profesioniste shqiptare.
Në moshën 25-vjeçare ai u emërua Drejtor Artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa më pas vijoi punën si pedagog, drejtues i Liceut Artistik “Jordan Misja”, themelues vizionar, dirigjent dhe udhëheqës i disa prej ansambleve dhe orkestrave më të rëndësishme të vendit.
Si Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH-së (1989–2003) dhe më pas Drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit (2003–2013), ai realizoi qindra koncerte, turne kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe bashkëpunime me teatrot më prestigjiozë të Europës dhe botës, duke i dhënë Shqipërisë një prezencë të re kulturore në skenën globale.
Nën drejtimin e tij u krijuan dhe interpretuan dhjetëra produksione të reja, mes tyre dhe vepra shqiptare të autorëve më të rëndësishëm: Opera “Dhoma”, “Një jetë në stuhi”, “Borana”, “Jeta është ëndërr”, “Lulja e Kujtimit”, “Skënderbeu” Baleti “Migjeniana”, “Lumi i Vdekur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Delina”, “Caravaggio”, “Zorba”, “Arrëthyesi” si dhe një repertor i gjerë veprash botërore, nga Verdi, Puccini, Mozart, Donizetti, Bizet, Strauss, Bellini, Gershëin, Giordano, Offenbach e deri te Ëagner.
Nën drejtimin e tij artistik erdhën në jetë 20 produksione të reja dhe 55 premiera operistike e baleti.
Me orkestrën “Virtuozët e Rinj të Tiranës” dhe ansamblin AMRA, Zhani Ciko fitoi çmime të para dhe vlerësime europiane, mes tyre Çmimi i Parë dhe Çmimi i Madh i Bashkisë së Vjenës në Festivalin Botëror “Vienna 2000”, Summa Cum Laude në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Belgjikë dhe Çmimi i Parë për orkestrën “Virtuozët e Rinj të Tiranës” dhe Çmimi i Madh si dirigjent në Festivalin Europian të Hungarisë
Ciko gjithashtu ka qenë disa herë fitues si violinist solist në “Koncertet e Majit”.
Për veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, Zhani Ciko është nderuar me titujt të lartë kombëtarë dhe ndërkombëtarë: “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, “Kryqi i Nderit për Shkencën dhe Artin” – nga Presidenti i Austrisë, “Kalorës i Artit dhe Letrave” – nga Ministria e Kulturës së Francës, “Ylli i Artë Akademik” – nga Akademia Ndërkombëtare “Imperialis”, Itali, Nderi i Qytetit të Durrësit, Nderi i Qytetit të Patosit ku gjithashtu shkolla e mesme mban emrin e tij (Shkolla e mesme “Zhani Ciko” Patos.) si dhe Urdhëri “Naim Frashëri”.
Ai ka qenë gjithashtu kryetar dhe anëtar i dhjetëra jurive ndërkombëtare në Itali, Francë, Belgjikë, Kosovë, Maqedoni të Veriut e Shqipëri, si edhe kryetar i Shoqatës “Frederik Shopen” dhe anëtar i shoqatave të shumta kulturore gjithashtu tashmë edhe President i Bordit të TKOBAP-së.
TKOBAP e falënderon Mastro Zhani Ciko për kontributin e madh në artin shqiptar, për vizionin, pasionin dhe përkushtimin me të cilin ka formuar breza të tërë artistësh e ka lartësuar kulturën tonë kombëtare. /a.g/
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka rrëzuar sot vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në vendimin e PZAP-së theksohet se pranohet rekomandimi i Zyrës për Certifikim dhe Kontroll Financiar të KQZ-së dhe, si rezultat, Lista Serbe certifikohet për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
“APROVOHET ankesa e subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, e paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr. protokolli 01/3562/2025, datë 02.12.2025, NDRYSHOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr. protokolli 01/3562/2025, datë 02.12.2025, ashtu që PRANOHET rekomandimi i Zyrës për Çertifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, i datës 02.12.2025, ÇERTIFIKOHEТ subjekti politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025”, thuhet në vendim.
DokuFest ka publikuar një studim të pavarur nga Instituti GAP, që tregon se festivali nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por edhe një motor i rëndësishëm ekonomik për Prizrenin dhe Kosovën.
Rezultatet e studimit konfirmojnë atë që qytetarët, bizneset dhe vizitorët e ndjejnë çdo gusht: DokuFest sjell jetë, energji dhe përfitime të prekshme për qytetin dhe vendin.
Sipas analizës, çdo 1 euro e investuar në DokuFest gjeneron 9 euro aktivitet ekonomik. Për edicionin e 24-t, i mbajtur këtë gusht, studimi tregon se vizitorët e festivalit kanë shpenzuar mbi 5.2 milionë euro për akomodim, ushqim, transport dhe shërbime të tjera në qytet, ndërsa kontributi i festivalit në Bruto Prodhimin Vendor të Kosovës arrin rreth 3.7 milionë euro, përcjell Telegrafi.
GAP Institute ka kombinuar të dhënat nga anketimi i vizitorëve me statistikat e bizneseve lokale për të kuptuar më mirë se si DokuFest ndikon në turizëm, modele shpenzimesh dhe vizitat e reja në Prizren.
“Ky raport është një dëshmi se investimi në kulturë është gjithashtu investim në zhvillimin lokal”, theksojnë organizatorët e festivalit.
Gjatë më shumë se dy dekadave, DokuFest është shndërruar në një platformë ku takohen filmat, ekspozitat, ligjëratat, punëtoritë edukative, koncertet dhe programet muzikore, duke sjellë përfitime konkrete për qytetin dhe komunitetin.
Teksa DokuFest përgatitet për edicionin jubilar të 25-vjetorit, raporti dërgon një mesazh të qartë për institucionet, median, partnerët dhe qytetarët: mbështetja e kulturës në Kosovë nuk është thjesht një vlerë artistike, por sjell përfitime ekonomike dhe sociale, nga vendet e reja të punës te turistët e rinj dhe tregimi i historive të qytetit për botën.. /Telegrafi/
Lista Serbe nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, por kjo parti, e cila gëzon mbështetjen e Serbisë, ka bërë ankesë sot në PZAP dhe pret që të jetë pjesë e garës zgjedhore..
Kjo ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e partisë, e cila gëzon mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar dhe kreut të saj Aleksandar Vuçiq.
Në një konferencë për media, kryetari i Listës Serbe Zllatan Elek e ka përmendur Kosovën me emrin e ish-regjimit dhe jo atë kushtetuese.
“Për herë të tretë mbahen zgjedhjet në hapësirën e Kosovës dhe M... këtë vit. Fatkeqësisht, për herë të tretë kemi situatën ku KQZ-ja në Prishtinë shkel të drejtat e popullit serb dhe nuk e certifikon Listën Serbe, thjesht e zhduk Listën Serbe dhe nuk i lejon subjektit tonë politik që të marrim pjesë në këto zgjedhje. Pse e themi këtë? Lista Serbe është bindshëm më e forta si parti serbe në hapësirat e Kosovës e M...”, tha Elek.
Ai tha se kjo parti ka dhjetë kryetarë në komunat me shumicë serbe dhe se ka të drejtë pjesëmarrjeje në zgjedhje.
“Për fat të keq, regjimi i Albin Kurtit në Prishtinë dëshiron t’ia pamundësojë pjesëmarrjen Listës Serbe dhe njëherësh t’ua pamundësojë të drejtën popullit serb që të zgjedhë përfaqësuesit legjitimë nga radhët e popullit serb”, tha ai.
Ai tha se janë ankuar sot në PZAP kundër vendimit të KQZ-së për mos certifikim të Listës Serbe dhe pret që ajo të anulohet, duke shtuar se kjo parti do të fitojë të dhjetë ulëset në zgjedhjet e dhjetorit
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas tentativës së Lëvizjes Vetëvendosje për të mundësuar që diaspora të votojë edhe jashtë ambasadave dhe konsullatave – kërkesë e cila u refuzua nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Në një postim në Facebook, Ahmeti tha se e drejta e votës për diasporën është e padiskutueshme, por mënyra e organizimit të votimit është e përcaktuar qartë në ligjin që është miratuar gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.
“E drejta e votës është e garantuar për çdo shtetas të Republikës së Kosovës të moshës madhore – kudo që jeton. E drejta ndryshon nga mundësia që përcaktohet edhe nga kredibiliteti i procesit”, shkroi Ahmeti.
Ai theksoi se qëllimi i çdo rregullimi zgjedhor është të sigurojë një proces të besueshëm dhe të menaxhuar mirë.
“Askush s’mundet me ma mohu të drejtën e votës, por është në interesin e secilit që vota ime apo e juaja të shkojë aty ku e keni pas njet,” tha ai, duke shtuar se votimi në pika të organizuara me komisionerë, vëzhgues dhe procedura të qarta garanton integritetin e procesit.
Ahmeti kujtoi se Kuvendi gjatë qeverisë Kurti ka miratuar ligjin që mundëson votimin fizik të diasporës në ambasada dhe konsullata – për ta lehtësuar procesin, por edhe për ta bërë atë më të sigurt.
“Me këtë ligj po hyjmë në këtë zgjedhje dhe s’ka mundësi ndryshimi – NUK KA. Për zgjedhjet tjera mund të bëjmë diskutim e ndryshime,” shkroi ai.
Sipas Ahmetit, të gjitha diskutimet e partive për “dashurinë ndaj diasporës” janë thjesht pjesë e fushatës elektorale.
“Çfarëdo diskutimi se kush e don ma shumë diasporën është veç fushatë dhe s’ka kurrfarë baze në mundësi ligjore e në dashni,” ka theksuar ai.
Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të flasin për mënyrën se si do të qeverisin pas zgjedhjeve dhe si do t’ua lehtësojnë jetën qytetarëve, përfshirë diasporën.
“E tash – a po tregoni se si keni me formu qeveri e si keni me përmirësu jetën qytetarëve? Shumë e dhimbshme në çka po synohet me fitu vota,” shkroi Ahmeti./Telegrafi/
Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar pas vendimit të fundit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me qështjen e hapjes së qendrave të votimit për diasporën jashtë përfaqësive diplomatike.
Cakolli e ka cilësuar atë si një zhvillim vendimtar për ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Sipas tij, vendimi nuk është thjesht një korrigjim teknik i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por një rikthim i standardeve të qarta ligjore.
“Vendimi i fundit i PZAP-së nuk është vetëm një korrigjim teknik i KQZ-së. Është një pikë kthese e rëndësishme për integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit,” ka deklaruar Cakolli, duke shtuar se vendimi pritet të konfirmohet edhe nga Gjykata Supreme në rast se çështja dërgohet atje.
Ai ka theksuar se paneli zgjedhor ka ndërprerë tentativat për të krijuar përshtypjen se diaspora po pengohet nga procesi i votimit.
“As PZAP-ja, as parashtruesit e ankesës dhe askush tjetër nuk e ka ‘ndaluar diasporën’. Thjesht, nuk u lejua shkelja e ligjit në emër të narrativave politike dhe ‘kauzave’ elektorale,” ka thënë ai.
Cakolli ka kritikuar partitë që sipas tij po përpiqen të përdorin diasporën për fushata politike.
“Ironia më e madhe është se ata që kontribuan maksimalisht që data e zgjedhjeve të jetë 28 dhjetori – pikërisht me arsyetimin se ‘diaspora do të jetë këtu’ – tani po thonë se as përfaqësitë diplomatike nuk mjaftojnë,” ka theksuar ai.
Sipas tij, kërkesa për qendra shtesë votimi jashtë vendit, përfshirë hapësira private apo fetare, nuk ka qenë e domosdoshme.
“Jo sepse janë të nevojshme, por sepse ndihmojnë narrativën,” ka shtuar Cakolli.
Ai ka kujtuar se edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat ishin me afate më të gjata, qendrat e votimit jashtë Kosovës nuk arritën kapacitetet maksimale të regjistrimit.
“Pra, nuk ka pasur kërkesë që i tejkalon kapacitetet ekzistuese,” ka deklaruar ai.
Cakolli ka vlerësuar vendimin si fitore për demokracinë dhe ka apeluar për shmangien e manipulimeve politike.
“Diaspora nuk duhet të bjerë pre e diskurseve përçarëse. Ajo do të votojë, ashtu siç e përcakton ligji. Kjo është mënyra më e sigurt që vota e çdo qytetari jashtë vendit të ketë vlerë dhe legjitimitet të plotë,” ka përfunduar ai. /Telegrafi/
Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP, ka dhënë vlerësimin e tij lidhur me seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës për bartjen e mjeteve.
Ai thekson se, megjithëse votimi i të enjtes për bartjen e të hyrave mund të ketë qenë në rregull proceduralisht, kjo nuk e konsideron procesin të përfunduar.
“Seanca ende nuk konsiderohet e mbyllur proceduralisht, prandaj pritjet që brenda ditës të tejkalohen problemet buxhetore janë të gabuara”, tha Salihu, përcjell Telegrafi.
Analisti shpjegon se çdo vendim i Kuvendit Komunal duhet të kalojë më pas për shqyrtim të ligjshmërisë nga Ministria e Administratës Publike dhe Lokal (MAPL), një proces që zakonisht zgjat deri në 15 ditë.
Kjo ministri vlerëson nëse votimi ka qenë në përputhje me ligjin dhe nëse janë respektuar të gjitha kushtet ligjore për thirrjen e seancës.
Salihu shtoi se në shumë raste, MAPL ka konstatuar parregullsi, çka mund të detyrojë komunën ose të përsërisë seancën, të pezullojë vendimin, ose nëse ka kundërshtim, lënda mund të përfundojë në gjykatë. /Telegrafi/
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, pas refuzimit të kërkesës së tyre për të organizuar votimin e mërgatës në vende tjera alternativa.
Kryeziu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se “nuk mund të trajtohet mërgata sikur të jetë popull tjetër, e as pronë e një partie politike”.
Sipas tij, popullizmi në emër të “respektimit për mërgatën” nuk është asgjë tjetër veçse një veprim politik për të kapur ndonjë votë më shumë.
“Nuk mund të promovosh votimin nga jashtë si përkrahje të një subjekti politik, duke e shkelur ligjin, e pastaj t’i akuzosh si kundër mërgatës ato subjekte dhe institucione që mbështesin organizimin e zgjedhjeve në përputhje me ligjin. Kjo është një qasje që besoj edhe vetë mërgata e refuzon”, ka shkruar Kryeziu.
Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për hapjen e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.
Me këtë vendim, PZAP rikthen praktikën që votimi jashtë vendit të zhvillohet vetëm në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. /Telegrafi/
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përshëndetur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për hapjen e qendrave të votimit jashtë objekteve diplomatike të Kosovës.
Në një deklaratë për media, LDK vlerëson se ky vendim konfirmon se “përpjekjet për ta zhvendosur procesin e votimit në hapësira private, depo, restaurante, klube apo ambiente të tjera joadekuate kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me parimet e integritetit zgjedhor”.
Partia thekson se vendimi i KQZ-së është marrë “nën presionin e pushtetit” dhe se kjo ka treguar “mungesë pjekurie politike dhe arrogancë institucionale”.
Sipas LDK-së, përpjekjet për të krijuar alternativa për votimin jashtë përfaqësive diplomatike kanë tentuar që shteti të trajtohet si fushë eksperimentesh të papërgjegjshme, ku rregullat ndryshohen sipas tekeve të pushtetit.
“LDK rithekson se demokracia nuk ndërtohet nëpër depo e kafene, e as mbrohet interesi i Mërgatës me qasje improvizuese. Demokracia kërkon përgjegjësi, transparencë, trajtim të barabartë të qytetarëve dhe respekt për institucionet dhe ligjin. Çdo devijim nga këto parime e ul procesin zgjedhor në amatorizëm dhe dëmton besimin e qytetarëve në shtetin e tyre”, thuhet në njoftim.
Partia paralajmëron se “çdo tentim për ta anashkaluar ligjin në funksion të interesave partiake do të përballet me reagimin institucional dhe politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës.”
LDK gjithashtu shpreh mirënjohje për mërgatën, duke theksuar se “pavarësisht pengesave dhe paqartësive të krijuara nga vendimmarrje të tilla, mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të Kosovës dhe proceseve demokratike.”
LDK premton se do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e tyre për të votuar në kushte të sigurta, të rregullta dhe të barabarta, në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike.
Në fund, LDK kujton se LVV që ka propozuar hapjen e qendrave të votimit në ambiente private më parë kishte tentuar të rikthente votimin e mërgatës “me email, një proces i pambrojtur, lehtësisht i manipulueshëm dhe i papranueshëm për çdo shtet serioz.”
Sipas LDK-së, këto tentativa “zbulojnë qartë synimin e tyre: krijimin e mekanizmave jotransparentë për të manipuluar procesin zgjedhor”. /Telegrafi/
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili pranoi ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe anuloi qendrat alternative të votimit jashtë Kosovës, duke lejuar votimin vetëm në përfaqësitë diplomatike.
Murati, përmes një postimi në Facebook, e akuzoi LDK-në se po vepron kundër interesit të diasporës dhe po pengon pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“A din dikush me tregu pse LDK-ja është kaq kundër diasporës?”, shkroi ai, duke shtuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte ofruar hapësira shtesë për votim, përveç ambasadave e konsullatave, për ta afruar procesin me votuesit jashtë vendit.
Sipas Muratit, këto hapësira shtesë do ta lehtësonin procesin e votimit, por LDK-ja ka kundërshtuar këtë përmes ankesës në PZAP, e cila u miratua.
“LDK paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim për diasporën. PZAP e miraton ankesën e LDK-së. Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë”, theksoi Murati./Telegrafi/
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për hapjen e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.
Me këtë vendim, PZAP rikthen praktikën që votimi jashtë vendit të zhvillohet vetëm në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Sipas vendimit PZAP pranon ankesën e LDK-së, ndërkaq ndryshon vendimin e KQZ-së të 26 nëntorit.
Qendrat e votimit jashtë vendit do të jenë vetëm në përfaqësitë diplomatike të Kosovës ose hapësirat e tyre, ndërsa eliminohet mundësia për qendra votimi në lokacione të tjera shtesë.
PZAP thotë se KQZ ka shkelur ligjin duke miratuar hapjen e qendrave të reja jashtë misioneve diplomatike.
Paneli thekson se nuk janë respektuar: Neni 96(3) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme si dhe Neni 2.2 i Rregullores 05/2024 për qendrat e votimit.
Ligji përcakton qartë se votimi fizik jashtë vendit bëhet vetëm brenda përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës.
KQZ kishte pretenduar se vendimi për hapje të qendrave shtesë ishte i nevojshëm për të shmangur vonesa dhe probleme në regjistrimin e votuesve të diasporës.
PZAP e konsideroi këtë arsyetim të pabazuar, duke deklaruar se votimi vetëm në hapësirat diplomatike është një masë mbrojtëse për integritetin e votës dhe se kjo nuk paraqet pengesë për votuesit jashtë vendit.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesit jashtë Kosovës mund të votojnë: Fizikisht në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, përmes kutive të KQZ-së.
Ligji nuk lejon alternativa të tjera për qendra votimi jashtë vendit.
Po ashtu, votimi në përfaqësitë diplomatike duhet të zhvillohet një ditë para zgjedhjeve në Kosovë./Telegrafi.
Euro NCAP do të ashpërsojë ndjeshëm kërkesat për sigurinë e veturave në vitin 2026.
Veturat e reja do të kenë më vështirë të arrijnë notën maksimale 5 yjesh. Testimet e reja fokusohen te katër fusha kryesore: vozitja e sigurt, shmangia e aksidenteve, mbrojtja gjatë aksidenteve dhe siguria pas aksidenteve.
Sistemet e ndihmës për shoferin duhet të funksionojnë natyrshëm dhe jo të ngarkojnë shoferin me paralajmërime të vazhdueshme.
Testimet përfshijnë shmangien e përplasjes me këmbësorë, biçikletë dhe motoçikleta, si dhe reagime të sakta në qendrat urbane.
Siguria pas aksidenteve është veçanërisht e rëndësishme për veturat elektrike, ku duhen funksionale dyert, izolim i baterisë dhe njoftime për shërbimet emergjente.
Kabinat plotësisht digjitale pa butona kyç funksional do të penalizohen. Kjo rrit sigurinë rrugore, edhe pse do të jetë më e vështirë të fitohet 5 yje. /Telegrafi/
Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, ka reaguar lidhur me thirrjen e mbledhjes nga Kryetari i Prishtinës, duke e cilësuar atë si të pa ligjshme.
Sipas Salihut, me certifikimin e asambleistëve të rinj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), mandati i përbërjes së vjetër të Kuvendit Komunal përfundon automatikisht.
“Nga ky moment, vetëm asambleistët e rinj gëzojnë legjitimitet dhe të drejtë për të marrë vendime”, theksoi ai, përcjell Telegrafi.
Salihu shtoi se hapi i radhës duhet të jetë organizimi i seancës konstituive, e cila sipas ligjit duhet të thirret brenda 15 ditëve nga certifikimi i asambleistëve të rinj.
“Çdo tentim për mbledhje me përbërjen e kaluar është i pa efekt juridik. Megjithatë, duket se ka një konsensus të gjerë nacional që praktikat jo të rregullta dhe të pa bazuara në norma ligjore nuk duhet të ndikojnë në kalimin e vendimeve”, tha ai.
Reagimi i analistit vjen në një kohë kur qyteti i Prishtinës po përballet me sfida në organizimin e organeve të reja komunale pas zgjedhjeve lokale. /Telegrafi/
Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e kthyer çështjen për rivendosje në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Gashi ishte ankuar fillimisht në PZAP, duke kërkuar rinumërimin e votave dhe verifikimin e materialit zgjedhor në disa vendvotime të caktuara, mirëpo ankesa e tij ishte refuzuar si e pabazuar më 14 nëntor. Pas këtij vendimi, ai iu drejtua Gjykatës Supreme.
Supremja konstatoi se PZAP nuk ka vepruar në përputhje me vërejtjet e mëparshme të gjykatës dhe nuk ka respektuar nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i jep PZAP-së kompetencë për të urdhëruar rinumërimin e votave dhe shqyrtimin e materialit zgjedhor si pjesë e hetimeve.
Sipas Gjykatës Supreme, rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të garantuar saktësinë e rezultatit zgjedhor dhe integritetin e procesit, në pajtim me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës.
PZAP tani obligohet që, në rivendosje, të shqyrtojë përsëri të gjitha pretendimet e ankuesit, provat e dorëzuara dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme, duke siguruar që çdo votë të numërohet drejt dhe të mos devijohet vullneti i qytetarëve./Telegrafi/
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkonte përsëritjen e votimit të balotazhit për kryetar të Mitrovicës.
Më 14 nëntor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte vendosur që të mos ketë rivotim, pasi e kishte cilësuar të pabazë ankesën e PDK-së për fletëvotime të përziera ndërmjet klasave dhe për probleme me shfaqjen e numrit serik.
PZAP kishte theksuar se nuk ishin prezantuar prova që do të dëshmonin parregullsi.
PDK më pas kishte dërguar ankesë në Gjykatën Supreme, por instanca më e lartë e gjyqësorit të enjten njoftoi se e ka refuzuar vendimin e kërkuar, duke e vërtetuar qëndrimin e PZAP-së.
Në njoftim thuhet se gjatë shqyrtimit të lëndës, “asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar”, duke theksuar se nuk ka bazë ligjore që dëshmon shkelje substanciale që do të ndikonin në integritetin e procesit zgjedhor ose rezultatin përfundimtar. Prandaj, sipas Supremes, dëshmitë e paraqitura “nuk krijojnë bazë të mjaftueshme” për të urdhëruar rivotim.
Në balotazhin për kryetar të Mitrovicës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, e kishte mposhtur kandidatin e PDK-së, Arian Tahirin.