Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Totaj: Aksion pastrimi dhe krasitjeje në disa lagje të Prizrenit, procesi do të vazhdojë në gjithë qytetin

4 February 2026 at 15:11


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se ekipet e ndërmarrjes “Eko Regjioni” kanë realizuar sot një aksion pastrimi dhe krasitjeje të drunjve dhe shkurreve në disa pjesë të qytetit.

Sipas Totajt, aksioni është zhvilluar në lagjet “Ortakoll” dhe “Jeta e Re”, si dhe përgjatë rrugës “Wesley Clark”, me synim përmirësimin e mjedisit dhe të hapësirave publike.

“Ekipet e Eko Regjionit realizuan sot aksion pastrimi dhe krasitjeje të drunjve e shkurreve në lagjet ‘Ortakoll’ dhe ‘Jeta e Re’, si dhe në rrugën ‘Wesley Clark’ në Prizren, me qëllim përmirësimin e mjedisit dhe hapësirave publike”, ka deklaruar Totaj.

Ai ka bërë të ditur se ky proces nuk do të ndalet vetëm në këto zona, por do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të qytetit.

“Ky proces do të vazhdojë edhe në pjesët e tjera të qytetit”, ka theksuar kryetari i Prizrenit.

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se aksione të tilla janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe rregullimin e hapësirave publike në qytet. /Telegrafi/


Xheladini: Nis vlerësimi në terren i dëmeve në Komunën e Dragashit

4 February 2026 at 08:24


Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se ka nisur procesi i vlerësimit të dëmeve në terren, pas takimit dhe konsultimeve me Komisionin Qeveritar.

Ai ka njoftuar se sot ka mbledhur Komisionin Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, me qëllim të fillimit zyrtar të punës në terren.

“Pas takimit dhe konsultimit të djeshëm me Komisionin Qeveritar, sot mblodha Komisionin Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, për të filluar në terren”, ka deklaruar Xheladini.

Sipas tij, gjatë mbledhjes janë përcaktuar detyrat konkrete për secilin anëtar të komisionit, si dhe është bërë shpërndarja e dokumentacionit dhe aplikacioneve të nevojshme për procesin e vlerësimit.

“Gjatë mbledhjes u caktuan detyrat konkrete për secilin anëtar të Komisionit, si dhe u bë shpërndarja e dokumentacionit përkatës dhe aplikacioneve të nevojshme, me qëllim që procesi i vlerësimit të zhvillohet në mënyrë efikase, transparente dhe në përputhje me procedurat ligjore”, ka theksuar ai.

Nga Komuna e Dragashit bëhet e ditur se procesi i vlerësimit të dëmeve do të realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e përcaktuara nga institucionet përgjegjëse. /Telegrafi/


Vazhdojnë shkyçjet nga lidhjet ilegale në rajonin e Prizrenit

3 February 2026 at 15:52


KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se gjatë muajit janar 2026, Inspektoriati i saj, në bashkëpunim me njësitë operuese, ka vazhduar aksionin për identifikimin dhe shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të lidhjeve ilegale.

Sipas njoftimit, gjatë këtij muaji janë realizuar gjithsej 28 shkyçje për lidhje ilegale, të ndara sipas njësive:

  • Prizren – 7 shkyçje
  • Suharekë – 20 shkyçje
  • Malishevë – 1 shkyçje

KRU “Hidroregjioni Jugor” ka theksuar se nuk do të ketë asnjë formë tolerance ndaj konsumatorëve që keqpërdorin ujin e pijshëm ose realizojnë lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit.

“Ftojmë të gjithë konsumatorët që të respektojnë rregullat, të legalizojnë lidhjet dhe të kryejnë obligimet e tyre me kohë, në mënyrë që të sigurohet furnizim i rregullt dhe i qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjithë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Totaj: Po vazhdojnë punimet për dislokimin e largpërçuesve dhe kalimin e linjave nëntokësore në Prizren

3 February 2026 at 14:34


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për dislokimin e largpërçuesve, me qëllim zëvendësimin e linjave ajrore me linja nëntokësore në disa lagje të qytetit. Njoftimi është bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Po vazhdojnë punimet për dislokimin e largpërçuesve, ku pas largimit të shtyllave, linjat ajrore, që janë edhe pengesë në disa lagje, do të zëvendësohen me linja nëntokësore”, ka shkruar Totaj.

Sipas tij, aksioni ka nisur me heqjen e shtyllës së transitit dhe po vazhdon në drejtim të lagjes Ortakoll. “Aksioni ka filluar me heqjen e shtyllës së transitit dhe po vazhdon në drejtim të lagjes Ortakoll”, ka theksuar kryetari i komunës.

Totaj ka bërë të ditur se projektet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike për modernizimin e infrastrukturës energjetike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Projektet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike për modernizimin e infrastrukturës energjetike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, investime të cilat rrisin sigurinë, stabilitetin dhe cilësinë e furnizimit me energji për qytetarët”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/


Spirale prehistorike në shkëmbin e Kobajës në Vlashnjë

3 February 2026 at 10:53


Kameramani dhe fotografi Arben Llapashtica ka publikuar në Facebook një zbulim arkeologjik, që sipas tij konsiderohet ndër më të lashtët në Kosovë. Bëhet fjalë për disa rrathë spiralë të gdhendur në shkëmbin e Kobajës, në fshatin Vlashnjë të Prizrenit, të cilët ai i përshkruan si simbole diellore dhe jo thjesht vizatime në gur.

“Ja edhe një zbulim tjetër, besoj ndër më të lashtat në Kosovë. Këta rrathë nuk janë thjesht vizatime në gur, por spirale në formë dielli, shkëmbi i Kobajës në Vlashnjë”, ka shkruar Llapashtica.

Ai ka theksuar se veçantia e këtij zbulimi qëndron edhe te teknika e përdorimit të ngjyrave, të cilat sipas tij kanë arritur t’u rezistojnë mijëvjeçarëve.

“Të habit teknika e ngjyrave, se si kanë arritur t’i mbijetojnë mijëvjeçarëve”, ka theksuar ai.

Për ta bërë më të qartë vendndodhjen e lokalitetit, Llapashtica ka publikuar edhe një fotografi shtesë nga hapësira poshtë shkëmbit, ku shihet Drini i Bardhë.

“Për me e pas më të qartë se ku gjendet ky vend, po ia bashkëngjiti edhe një foto nga lokaliteti poshtë shkëmbit, Drini i Bardhë”, ka shkruar ai.

Sipas Llapashticës, Vlashnja ndodhet në rajonin e Prizrenit dhe përfaqëson një zonë me rëndësi të veçantë arkeologjike.

“Vlashnja është në rajonin e Prizrenit dhe ka disa lokalitete shumë shtresore të arkeologjisë aty”, ka përfunduar ai.

Zbulimi i publikuar ka nxitur interesim në rrjetet sociale, ndërsa pritet që institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore të japin vlerësime profesionale lidhur me rëndësinë historike të këtyre gjetjeve. /Telegrafi/


AAK në koalicion me PDK-në në Suharekë, Muharremaj prezanton kabinetin e ri drejtues

2 February 2026 at 15:22


Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka formuar kabinetin e ri drejtues, i cili përbëhet nga nënkryetarja dhe drejtorët e drejtorive komunale që do të udhëheqin sektorët kyç të administratës komunale.

Sipas emërimeve të caktuara nga Muharremaj, bëhet e ditur se AAK në Suharekë ka bërë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas njoftimit të Komunës së Suharekës, kabineti i ri synon rritjen e efikasitetit institucional, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.

Përbërja e kabinetit të ri është kjo: Arta Gashi është emëruar nënkryetare e Komunës, Kymete Bajraktari drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Gent Gashi drejtor i Inspekcionit, Erza Ramadani drejtoreshë e Ekonomisë, Buxhetit dhe Financave, Liridon Jollxhiu (PDK) drejtor i Administratës, Armend Krasniqi (PDK) drejtor i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë, Remzi Bajselmani drejtor i Arsimit, Amir Hoxha (PDK) drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Donjete Kabashi drejtoreshë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Mërgatës, Mensur Selimaj drejtor për Shërbime Pronësore, Gjeodezi dhe Kadastër, si dhe Visar Kuqi drejtor i Urbanizmit, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit.

Kryetari Muharremaj u ka uruar suksese anëtarëve të kabinetit të ri, duke theksuar se puna e tyre do të bazohet në profesionalizëm, transparencë dhe përkushtim ndaj interesit publik. /Telegrafi/


Disa zona të Prizrenit, Suharekës dhe Malishevës pritet të mbesin pa ujë

2 February 2026 at 13:15


KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar konsumatorët se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga kompania KEDS në njësitë operative të Prizrenit, Suharekës dhe Malishevës, mund të paraqiten probleme në furnizimin me ujë të pijshëm.

Nga KRU “Hidroregjioni Jugor” bëhet e ditur se furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas rikthimit të rregullt të energjisë elektrike, duke siguruar normalizimin e shërbimit.

“Konsumatorëve u kërkojmë mirëkuptim për këtë situatë dhe i falënderojmë për bashkëpunimin,” thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Totaj: Drejt përfundimit punimet për rehabilitimin e “Kejit” në Shadërvan

29 January 2026 at 14:58


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se punimet për rehabilitimin dhe rivitalizimin e “Kejit” në zonën e Shadërvanit janë drejt përfundimit.

Përmes një postimi në Facebook, Totaj ka theksuar se ndërhyrja po realizohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe ka për qëllim rikthimin e sharmit dhe funksionalitetit të një prej pjesëve më të frekuentuara dhe më të rëndësishme të qytetit.

“Drejt përfundimit punimet për rehabilitimin dhe rivitalizimin e ‘Kejit’ në Shadërvan, intervenim i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, me qëllim të rikthimit të sharmit dhe funksionalitetit të kësaj pjese të frekuentuar dhe të rëndësishme të Prizrenit”, ka shkruar Totaj.

Sipas tij, ky projekt synon përmirësimin e hapësirave publike dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët dhe vizitorët, duke ruajtur njëkohësisht identitetin urban dhe historik të kësaj zone qendrore të Prizrenit. /Telegrafi/


Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit dhe Drejtoria Komunale e Shëndetësisë diskutojnë avancimin e shërbimeve shëndetësore

29 January 2026 at 13:24


Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, Osman Hajdari, së bashku me menaxhmentin e spitalit, ka pritur në takim drejtorin e Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë së Komunës së Prizrenit, Sylejman Baxhaku, me bashkëpunëtorët e tij.

Në takim morën pjesë edhe drejtori mjekësor Dr. Shefki Xharra, drejtoresha e Infermierisë Burbuqe Gashi, drejtori i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta Lumrim Murtezaj, si dhe përfaqësues të Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë, përfshirë udhëheqësin e Sektorit të Shëndetësisë Komunale Shpëtim Rahmanaj, zyrtaren e lartë për cilësi Dormira Brahimaj-Musaj dhe zyrtaren ligjore Qëndresa Racaj.

Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” dhe Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore, më efikase dhe më të shpejta për qytetarët.

Në fokus të diskutimeve ishin shkëmbimi i përvojave profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, koordinimi dhe avancimi i shërbimeve emergjente, procesi i referimit dhe transportimit të pacientëve, si dhe inicimi i ngritjes së një qendre të veçantë për transportimin e pacientëve nga vendi i ngjarjes, QKMF-të, spitali dhe QKUK-ja. Po ashtu, u trajtua shfrytëzimi optimal i burimeve njerëzore dhe financiare, pajisjeve mjekësore, shërbimeve teknike, si dhe koordinimi i shërbimeve diagnostike dhe laboratorike.

Palët diskutuan gjithashtu ngritjen e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe iniciativave që vendosin pacientin në qendër të kujdesit shëndetësor.

Në përfundim të takimit, drejtuesit e të dy institucioneve u dakorduan që bashkëpunimi të vazhdojë përmes takimeve të rregullta dhe ndërmarrjes së hapave konkretë për zbatimin e çështjeve të diskutuara, përfshirë inicimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërinstitucional, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet dy drejtuesve që nga marrja e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Spitalit nga Osman Hajdari në shtator 2025 dhe marrja e detyrës së drejtorit të Shëndetësisë Komunale nga Dr. Sylejman Baxhaku në janar 2026. /Telegrafi/


Fshati Dedaj i Prizrenit mbetet pa ujë

28 January 2026 at 10:26


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se si pasojë e një intervenimi teknik në pusetën e ujëmatësit kryesor në fshatin Dedaj, Njësia Prizren, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm.

Sipas njoftimit, ndërprerja do të prekë të gjithë konsumatorët e fshatit Dedaj dhe do të zgjasë deri në riparimin e plotë të defektit.

Nga KRU “Gjakova” u kërkohet mirëkuptim qytetarëve të prekur nga kjo ndërprerje, duke theksuar se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me ujë. /Telegrafi/


Kosovë/ Jo vetëm Prizreni, të gjitha komunat nën ‘lupën’ e Prokurorisë për manipulim votash

27 January 2026 at 17:17

Të gjitha prokuroritë në vend kanë lëshuar autorizime për grumbullimin e informatave lidhur me dyshimet për manipulim të votave.

Këtë e ka bërë të ditur koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula. Ajo ka theksuar se autorizimet janë dhënë për ato zona ku janë evidentuar dyshime për manipulim dhe ku procesi i rinumërimit ka përfunduar.

“Janë lëshuar autorizime nga të gjitha prokuroritë për grumbullimin e informatave në vendet ku ka dyshime për manipulim të votave dhe aty ku ka përfunduar rinumërimi,” ka deklaruar Pula.

Sipas saj, prokuroritë aktualisht janë në pritje të rezultateve të hetimeve, pas së cilave do të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale.

Pula ka theksuar se nuk do të ketë amnisti për askënd që ka shkelur vullnetin e qytetarëve.

Përveç Prizrenit, Prokuroritë kanë nisur grumbullimin e informacioneve në Drenas, Gjakovë, Malishevë etj.

/Klankosova.tv/

KRU “Hidroregjioni Jugor” ndërhyn me sukses në rrjetin e kanalizimit në Dragash

27 January 2026 at 15:13


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” njofton se ekipet e Njësisë së Dragashit kanë realizuar një intervenim në debllokimin e sistemit të kanalizimit të ujërave të ndotura në qendrën e qytetit.

Sipas njoftimit, pas vlerësimit se bëhej fjalë për një defekt më të madh, i cili kishte bllokuar kolektorin kryesor të qendrës së Dragashit, në ndihmë janë angazhuar edhe ekipet e mirëmbajtjes së sistemit të ujërave të ndotura nga Prizreni.

Ndërhyrja është përmbyllur me sukses, duke mundësuar rikthimin e funksionimit normal të rrjetit të kanalizimit dhe parandalimin e problemeve të mëtejshme për qytetarët dhe mjedisin.

Nga KRU “Hidroregjioni Jugor” falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se ekipet e kompanisë mbeten të përkushtuara për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe reagim të shpejtë ndaj çdo situate. /Telegrafi/


Takim ndërinstitucional në Prokurorinë e Prizrenit për luftimin e kontrabandimit me migrantë

26 January 2026 at 15:34


Në Prokurorinë Themelore në Prizren u zhvillua një takim ndërinstitucional me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Prokurorisë së Kukësit, Policisë së Trafiqeve nga Tirana, Policisë për Hetimin e Trafikimit dhe Kontrabandimit me Migrantë, si dhe përfaqësuesve të Departamentit për Kufij të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Prokurorja e Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë e Prizrenit, Ervehe Gashi, e priti delegacionin dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të kontrabandimit me migrantë.

Gjatë takimit u diskutua për shkëmbimin e informatave, koordinimin e veprimeve hetimore dhe mekanizmat konkretë për një reagim më efikas ndaj këtij fenomeni, i cili përbën shqetësim serioz për sigurinë dhe sundimin e ligjit në rajon.

Pjesëmarrësit u dakorduan për vazhdimin e komunikimit të rregullt dhe forcimin e bashkëpunimit praktik, me qëllim parandalimin dhe luftimin efektiv të kontrabandimit me migrantë dhe formave të tjera të krimit të organizuar ndërkufitar.

Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në forcimin e partneritetit me institucionet homologe brenda dhe jashtë vendit, në funksion të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit publik. /Telegrafi/


EC Ma Ndryshe: Humbjet e ujit në rrjet arrijnë deri në 50 për qind në disa zona të Kosovës

26 January 2026 at 11:37


Organizata për zhvillim dhe mbrojtje të mjedisit “EC Ma Ndryshe” ka ngritur alarmin për gjendjen e rënduar të furnizimit me ujë në Kosovë, duke theksuar se humbjet e ujit brenda rrjetit të ujësjellësit në disa zona arrijnë deri në 50 për qind.

Sipas organizatës, kjo do të thotë se gjysma e ujit të prodhuar humbet para se të arrijë tek konsumatorët, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit dhe sigurinë e furnizimit me ujë të pijshëm.

“Prishjet e shpeshta në rrjet, tubat e vjetëruar prej azbesti, si dhe lidhjet e paligjshme, kanë ulur ndjeshëm efikasitetin e ujësjellësit për vite me radhë”, thuhet në njoftimin e EC Ma Ndryshe.

Organizata vlerëson se kjo situatë përbën një nga sfidat më të mëdha në menaxhimin e burimeve ujore në vend dhe kërkon ndërhyrje urgjente institucionale për modernizimin e rrjetit të ujësjellësit, parandalimin e humbjeve dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për qytetarët.

EC Ma Ndryshe apelon për rritjen e investimeve në infrastrukturë, transparencë në menaxhimin e ujit dhe përfshirje më të madhe të komunitetit në mbrojtjen e këtij burimi jetik. /Telegrafi/


Njoftim për ndërprerje të furnizimit me ujë në Suharekë dhe fshatrat përreth

26 January 2026 at 11:19


KRU Hidroregjioni Jugor njofton konsumatorët e Njësisë së Suharekës se, për shkak të sanimit të defektit në gypin fi 400 mm në stacionin e pompave te Pusi i Atit, ekipet e kompanisë janë angazhuar në terren për riparimin e sa më të shpejtë të këtij defekti.

Si pasojë e punimeve, do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm në këto zona:

  • Fshati Gelanc
  • Fshati Gjinoc
  • Fshati Leshan
  • Fshati Tërnje
  • Fshati Nepërbisht
  • Fshati Shirokë
  • Qyteti i Suharekës

KRU Hidroregjioni Jugor apelon te qytetarët për mirëkuptim dhe informon se furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas përfundimit të riparimeve. /Telegrafi/


Ambasadori gjerman shkruan për 100 ditët në Kosovë: Ngrohtësia e njerëzve e bën vendin të veçantë

23 January 2026 at 23:32


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka ndarë përshtypjet e tij për 100 ditët e para të qëndrimit në Kosovë, duke veçuar ngrohtësinë e jashtëzakonshme të mikpritjes që ka ndjerë gjatë vizitave në vende të ndryshme të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rudolph theksoi se që nga ardhja e tij në Prishtinë është pritur me mirësi, hapje dhe buzëqeshje të sinqerta, një përvojë që, sipas tij, e ka shoqëruar kudo që ka udhëtuar në Kosovë.

Ai tregoi se kurioziteti për ta njohur vendin përtej kryeqytetit e ka çuar në ecje në malet pranë Brodit, vizita në qytetin e vjetër të Prizrenit, në manastirin e Deçanit, si dhe udhëtime në veri të Kosovës.

“Kudo që kam qenë, përvoja ka qenë e njëjtë: njerëz mikpritës, biseda kuptimplote dhe një ndjenjë e thellë lidhjeje me Gjermaninë,” ka deklaruar ambasadori gjerman.

Rudolph vlerësoi gjithashtu bukurinë natyrore të Kosovës, duke theksuar se ajo është e pranishme edhe në jetën e përditshme. Sipas tij, bukuria e vendit nuk kërkon udhëtime të gjata, por fillon që në pragun e shtëpisë, gjatë vrapimeve të fundjavës në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Në përfundim, ambasadori shprehu entuziazmin për vazhdimin e misionit të tij diplomatik në Kosovë, duke theksuar se pret me padurim shumë ditë të tjera të bukura në vend./Telegrafi/


Kuvendi i Prizrenit miraton buxhetin për vitin 2026

23 January 2026 at 17:14


Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka miratuar buxhetin komunal për vitin 2026, si dhe parashikimet buxhetore për vitet 2027 dhe 2028.

Sipas njoftimit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, buxheti është miratuar me 21 vota për, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, ku si pikë e vetme e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i propozim-buxhetit.

“Me 21 vota për, në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës u miratua pika e vetme e rendit të ditës: shqyrtimi dhe miratimi i propozim-buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2026, si dhe parashikimet buxhetore për vitet 2027 dhe 2028”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Prizrenit.

Ai ka theksuar se buxheti i miratuar pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të komunës.

“Buxheti i miratuar do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.

Miratimi i buxhetit hap rrugën për realizimin e projekteve dhe investimeve të planifikuara nga Komuna e Prizrenit për vitin e ardhshëm dhe periudhën afatmesme. /Telegrafi/


Në Suharekë mërgimtarët kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të Njësisë së Zjarrfikësve

23 January 2026 at 16:41


Komuna e Suharekës ka përfituar një donacion të vlefshëm pajisjesh dhe veshmbathjeje për Njësinë e Zjarrfikësve, falë kontributit të bashkatdhetarit Albin Morina nga fshati Reshtan, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka shprehur mirënjohje të veçantë për këtë mbështetje, duke vlerësuar kontributin e mërgimtarëve në forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e sigurisë publike në komunë.

Donacioni është realizuar përmes bashkëpunimit të Albin Morinës me kompaninë e transportit Gani Transport, e cila ka mundësuar bartjen e pajisjeve nga Zvicra në Suharekë.

Sipas njoftimit, Komuna e Suharekës po vazhdon investimet në rritjen e sigurisë publike, ndërsa në një të ardhme të afërt pritet edhe funksionalizimi i objektit të ri për zjarrfikësit, me synimin për ofrimin e shërbimeve më efikase dhe menaxhimin sa më të mirë të rasteve emergjente.

Nga Komuna u bë e ditur se kontributet e mërgimtarëve vazhdojnë të jenë një shtyllë e rëndësishme në zhvillimin dhe mirëqenien e vendlindjes, duke ndihmuar drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. /Telegrafi/


Xheladini emëron Raisa Shabani-Jelmazin si Drejtoreshë e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shërbime Publike në Dragash

19 January 2026 at 15:49


Në kuadër të formimit të Kabinetit të ri të qeverisjes lokale, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar sot emërimin e Raisa Shabani Jelmazi si drejtoreshë të Drejtorisë për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike.

Ky emërim shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të barazisë gjinore në institucionet lokale, pasi Jelmazi bëhet drejtoresha e dytë grua në Kabinetin e kryetarit Xheladini.

Sipas tij, kjo tregon përkushtimin për një përfaqësim të denjë të grave në pozita vendimmarrëse dhe për mbështetjen e barazisë gjinore në qeverisjen lokale.

Përveç aspektit gjinor, Jelmazi përfaqëson edhe komunitetin joshumic, duke kontribuar në vizionin e qeverisjes gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, pa dallime etnike apo sociale.

Kryetari Xheladini i ka uruar drejtoreshës Jelmazi suksese në detyrën e re dhe ka theksuar pritshmërinë për një bashkëpunim të frytshëm në shërbim të interesit publik dhe të qytetarëve të Dragashit. /Telegrafi/


Totaj shpreh zhgënjim për parregullsitë në rinumërimin e votave në Prizren, kërkon përgjegjësi dhe rivlerësim nga KQZ-ja

19 January 2026 at 11:13


Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe njëherësh kryetar i Degës së PDK-së në këtë qytet, Shaqir Totaj, ka reaguar pas evidentimit të parregullsive gjatë procesit të rinumërimit të votave, duke e cilësuar situatën si cenim të drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve dhe të demokracisë zgjedhore.

Totaj ka deklaruar se është thellësisht i zhgënjyer me atë që ka dalë nga rinumërimi i votave në Prizren.

“Çdo tentim për tjetërësim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar se, në cilësinë e kryetarit të degës së PDK-së në Prizren, do të kërkojë përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë për çdo shkelje të konstatuar.

“Çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, ka theksuar Totaj.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Totaj ka siguruar se Partia Demokratike e Kosovës do të mbrojë vullnetin e votuesit dhe procesin demokratik.

“PDK di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij”, ka deklaruar ai.

Në fund, Totaj ka shtuar se parregullsitë e shfaqura në procesin zgjedhor, sipas tij të pranishme në parti të ndryshme, kërkojnë një rivlerësim tërësor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet përkatëse.

“Kërkohet një menaxhim i kujdesshëm i procesit të numërimit në mënyrë që të ruhet deri në fund mbarëvajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”, ka përfunduar Totaj. /Telegrafi/


❌
❌