Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Komuna e Prizrenit ndalon fishekzjarret prej 25 dhjetorit deri më 3 janar, përjashtim 1 orë për Vitin e Ri

18 December 2025 at 08:36


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nxjerrë një urdhëresë me të cilën ndalohet ndezja e fishekzjarrëve dhe përdorimi i mjeteve piroteknike në hapësira të hapura publike dhe në zona të banuara në të gjithë territorin e komunës.

Sipas urdhëresës, ndalesa do të jetë në fuqi nga data 25 dhjetor 2025 deri më 3 janar 2026.

Përjashtim nga kjo masë është bërë vetëm për natën e ndërrimit të viteve, më 31 dhjetor 2025, kur përdorimi i fishekzjarrëve do të lejohet nga ora 23:30 deri në 00:30 të 1 janarit 2026, për një periudhë prej një ore, raporton Telegrafi.

Nga Komuna e Prizrenit u bëhet thirrje qytetarëve që ta respektojnë këtë urdhëresë, e cila ka për qëllim ruajtjen e rendit publik, sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e shëndetit dhe ambientit gjatë festave të fundvitit.

Versioni i plotë dhe i detajuar i urdhëresës është bërë publik nga Komuna e Prizrenit. /Telegrafi/

Publikohet lista përfundimtare e përfituesve për “Dimrin Kulturor” në Prizren

17 December 2025 at 16:35


Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit ka bërë të ditur se është publikuar lista përfundimtare e përfituesve nga thirrja publike për shfrytëzimin e shtëpizave të drurit, në kuadër të aktivitetit “Dimri Kulturor”, që do të mbahet në “Sheshin e Lidhjes”.

Sipas njoftimit të komunës, lista përfshin aplikuesit që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara dhe që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, i cili synon promovimin e kulturës, artizanatit dhe zhvillimit ekonomik lokal gjatë sezonit dimëror.

Komuna e Prizrenit njofton se lista e plotë dhe e detajuar e përfituesve është publikuar në uebfaqen zyrtare të institucionit.

Linku i dokumentit këtu. /Telegrafi/

Komuna e Prizrenit vazhdon aksionet për pastrimin e kanalit kullues në Marash

15 December 2025 at 15:29


Ekipet e mirëmbajtjes së “Eko Regjion-it” kanë vijuar sot punimet për pastrimin e kanalit kullues në lagjen Marash të Prizrenit.

Sipas njoftimit të Komunës, gjatë aksionit janë larguar mbeturinat, balta dhe materialet e grumbulluara, me qëllim parandalimin e bllokimeve dhe përmbytjeve të mundshme, si dhe rikthimin e pamjes së pastër dhe të hijshme në këtë zonë të gjelbër në qendër të qytetit.

Komuna e Prizrenit thekson se këto aksione janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe sigurimin e një ambienti të pastër dhe të sigurt për qytetarët. /Telegrafi/


Prizreni hap “Dimrin Kulturor” me atmosferë festive dhe shtëpiza druri

12 December 2025 at 11:14


Me muzikë dhe aktivitete festive, mbrëmë në Prizren u shënua hapja e edicionit të ri të “Dimrit Kulturor”, i cili do të ofrojë argëtim dhe kulturë për qytetarët dhe vizitorët deri më 5 janar 2026.

Shtëpizat e drurit, të dekoruara me stil dhe të shoqëruara me ofertat e gastronomëve lokalë, kanë krijuar një destinacion ideal për festat e fundvitit.

Atmosferën festive e përforcon edhe prania e bashkatdhetarëve që rikthehen në qytet për të kaluar festat me familjet e tyre, duke i dhënë Prizrenit energji të ngrohtë dhe dinamizëm të veçantë.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka ftuar të gjithë qytetarët dhe vizitorët të shijojnë këtë periudhë festive dhe të bashkohen në aktivitete, duke e bërë “Dimrin Kulturor 2026” një përvojë të paharrueshme për të gjithë. /Telegrafi/


Nga trotuaret te sallat e sportit – kryetari i Hanit të Elezit monitoron investimet komunale

12 December 2025 at 10:24


Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi ka inspektuar sot disa nga projektet që po zhvillohen në territorin e komunës, duke vlerësuar përparimin e punimeve dhe duke u takuar me ekipet që po punojnë në terren.

Ai ka theksuar se projektet po ecin sipas planit dhe standardeve të vendosura.

Gjatë vizitës, kryetari ka parë nga afër punimet në disa lokacione kyçe, përfshirë parkingun pranë oborrit të xhamisë në fshatin Paldenicë, trotuarin që lidh rrugën "Adem Jashari" me Paldenicën, punimet në sallën e sporteve të ShFMU “Ilaz Thaçi”, si dhe parkun te pishat në fshatin Gorancë.

Ballazhi njoftoi gjithashtu se shumë projekte të tjera janë në zhvillim e sipër ose në procedurë për fillimin e punimeve.

Kryetari theksoi se këto investime janë me rëndësi të madhe për komunitetin dhe se komuna do të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe përgjegjësi për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet për qytetarët. /Telegrafi/


Shaqir Totaj betohet për mandatin e dytë si Kryetar i Prizrenit

10 December 2025 at 10:52


Në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Kryetari Shaqir Totaj u betua për mandatin e tij të dytë, duke premtuar se do t’i përmbushë detyrat dhe do të ushtrojë kompetencat e tij me nder, besnikëri dhe paanshmëri, me qëllim krijimin e kushteve për një jetë më të qetë dhe më cilësore për të gjithë qytetarët e komunës.

Në fjalën e tij, Totaj falënderoi qytetarët për besimin dhe mbështetjen e dhënë, duke theksuar se angazhimi i tij do të jetë për të gjithë pa dallim, raporton Telegrafi.

“Zotohem se së bashku do ta bëjmë Prizrenin edhe më funksional, edhe më të bukur, ashtu siç e meriton, përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me qytetarin”, tha ai.

Në të njëjtën seancë, u betuan edhe asambleistët e rinj, të cilëve Kryetari Totaj u uroi suksese në mandatin e tyre, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në proceset që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në të gjithë komunën. /Telegrafi/

Komuna nis rehabilitimin dhe rivitalizimin e “Kejit” në Shadërvan

8 December 2025 at 15:54


Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka filluar punimet për rehabilitimin dhe rivitalizimin e “Kejit” në zonën e Shadërvanit, një prej hapësirave më të frekuentuara të qytetit dhe pjesë e rëndësishme e shëtitores përgjatë Lumbardhit.

Sipas njoftimit komunal, intervenimi ishte i domosdoshëm për shkak të degradimit të sipërfaqeve dhe nevojës për përmirësimin e sigurisë, funksionalitetit dhe pamjes së këtij segmenti të rëndësishëm urban.

Projekti synon rikthimin e estetikës dhe gjallërisë në këtë zonë, e cila mbetet një prej pikave më atraktive për qytetarët dhe vizitorët, përcjell Telegrafi.

Punimet pritet të përfshijnë sanimin e infrastrukturës ekzistuese, rregullimin e hapësirave për këmbësorë dhe shtimin e elementeve që kontribuojnë në përmirësimin e përvojës publike në qendër të Prizrenit.

Komuna ka paralajmëruar se ndërhyrjet do të zhvillohen me kujdes të shtuar për të ruajtur karakterin kulturor e historik të Shadërvanit, ndërsa qytetarët janë ftuar për mirëkuptim gjatë kohës së zhvillimit të punimeve. /Telegrafi/


Nga salla e kinemasë te ekonomia lokale, ndikimi i DokuFest në Prizren dhe Kosovë

5 December 2025 at 10:12


DokuFest ka publikuar një studim të pavarur nga Instituti GAP, që tregon se festivali nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por edhe një motor i rëndësishëm ekonomik për Prizrenin dhe Kosovën.

Rezultatet e studimit konfirmojnë atë që qytetarët, bizneset dhe vizitorët e ndjejnë çdo gusht: DokuFest sjell jetë, energji dhe përfitime të prekshme për qytetin dhe vendin.

Sipas analizës, çdo 1 euro e investuar në DokuFest gjeneron 9 euro aktivitet ekonomik. Për edicionin e 24-t, i mbajtur këtë gusht, studimi tregon se vizitorët e festivalit kanë shpenzuar mbi 5.2 milionë euro për akomodim, ushqim, transport dhe shërbime të tjera në qytet, ndërsa kontributi i festivalit në Bruto Prodhimin Vendor të Kosovës arrin rreth 3.7 milionë euro, përcjell Telegrafi.

GAP Institute ka kombinuar të dhënat nga anketimi i vizitorëve me statistikat e bizneseve lokale për të kuptuar më mirë se si DokuFest ndikon në turizëm, modele shpenzimesh dhe vizitat e reja në Prizren.

“Ky raport është një dëshmi se investimi në kulturë është gjithashtu investim në zhvillimin lokal”, theksojnë organizatorët e festivalit.

Gjatë më shumë se dy dekadave, DokuFest është shndërruar në një platformë ku takohen filmat, ekspozitat, ligjëratat, punëtoritë edukative, koncertet dhe programet muzikore, duke sjellë përfitime konkrete për qytetin dhe komunitetin.

Teksa DokuFest përgatitet për edicionin jubilar të 25-vjetorit, raporti dërgon një mesazh të qartë për institucionet, median, partnerët dhe qytetarët: mbështetja e kulturës në Kosovë nuk është thjesht një vlerë artistike, por sjell përfitime ekonomike dhe sociale, nga vendet e reja të punës te turistët e rinj dhe tregimi i historive të qytetit për botën.. /Telegrafi/

Prizreni drejt përfundimit të Shtëpisë së Kulturës në Pouskë të Zhupës

4 December 2025 at 14:01


Komuna e Prizrenit ka njoftuar se po shkojnë drejt përfundimit punimet në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Pouskë të Zhupës, një projekt i realizuar nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS).

Sipas komunës, ky investim do të krijojë një hapësirë të re funksionale, e cila do të shërbejë si qendër për aktivitete të ndryshme kulturore dhe komunitare, duke ofruar mundësi të reja për banorët e zonës.

Institucioni komunal ka theksuar se projekti synon të fuqizojë jetën kulturore lokale dhe të ofrojë një ambient të përshtatshëm për organizime artistike, takime dhe aktivitete të tjera shoqërore. /Telegrafi/


Kryetari Totaj pret delegacionin e KfW-së, diskutohet për projekte të ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave

3 December 2025 at 14:25


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot një delegacion nga Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, i përbërë nga Georg Grüner, Menaxher i Projekteve për Infrastrukturën Komunale në Kosovë, Uwe Arras, Inxhinier i Lartë, dhe Premtim Islami, Specialist i Infrastrukturës Komunale nga zyra e KfW-së në Prishtinë.

Gjatë takimit u diskutua për koordinimin e projekteve në sektorin e ujërave të zeza dhe për mundësitë e avancimit të shërbimeve infrastrukturore për qytetarët e Prizrenit.

Një nga temat kryesore ishte projekti për rehabilitimin dhe modernizimin e deponisë së mbeturinave në Landovicë, i cili përfshin nxjerrjen e gazit dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Projekti aktualisht ndodhet në fazën e dizajnimit.

Kryetari Totaj shprehu mbështetjen e komunës për realizimin e këtyre investimeve, duke theksuar se përmirësimi i shërbimeve publike mbetet prioritet.
“Komuna e Prizrenit do ta vazhdojë mbështetjen për ndërmarrjet publike, me synim krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët”, deklaroi ai. /Telegrafi/


Komuna e Prizrenit shpërndan drurë dhe paketa ushqimore për familjet në nevojë

2 December 2025 at 10:46


Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim ka përfunduar shpërndarjen e druve për ngrohje, si dhe paketave ushqimore dhe higjienike për vitin 2025.

Ndihma është adresuar për rastet skamnore nga komunitetet turk, boshnjak, serb, rom, ashkali dhe egjiptian.

Në total, përfitues janë 355 familje, të cilat kanë përfituar nga ky mbështetje për përballimin e nevojave bazë gjatë dimrit.

Komuna e Prizrenit thekson rëndësinë e këtyre aktiviteteve për sigurimin e mirëqenies dhe mbështetjen e komuniteteve më në nevojë. /Telegrafi/


Rrëshqitje dheu në Lubinjë të Poshtme, Komuna e Prizrenit merr masa urgjente

26 November 2025 at 11:31


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, mbajti sot një takim urgjent me Shtabin Emergjent Komunal lidhur me situatën e krijuar nga rrëshqitja e dheut në fshatin Lubinjë të Poshtme.

Gjatë takimit, u miratuan masat e menjëhershme për garantimin e sigurisë së banorëve të zonës.

"U bëjmë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës deri në normalizimin e plotë të situatës", u shpreh Totaj.

Autoritetet komunale po mbajnë situatën nën monitorim dhe sigurojnë ndërhyrje të shpejta nëse nevoja shtohet. /Telegrafi/


Komuna e Prizrenit aktivizon ekipet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e Lumbardhit

26 November 2025 at 08:14


Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka filluar aktivitetet për mirëmbajtjen e shtratit të Lumbardhit, një prej pikave më të rëndësishme mjedisore dhe turistike të qytetit.

Sipas komunës, ky proces konsiderohet i domosdoshëm për ruajtjen e pastërtisë, sigurisë dhe funksionalitetit të rrjedhës së lumit, i cili përbën një simbol të identitetit prizrenas, raporton Telegrafi.

Në njoftim theksohet se mirëmbajtja e rregullt e Lumbardhit është thelbësore jo vetëm për infrastrukturën e qytetit, por edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit lokal, duke pasur parasysh fluksin e madh të vizitorëve që frekuentojnë këtë zonë gjatë gjithë vitit.

Komuna ka paralajmëruar se punimet do të vazhdojnë sipas planit operativ, ndërsa ekipet përgjegjëse do të monitorojnë situatën për të siguruar një ambient të pastër, të sigurt dhe tërheqës për qytetarët dhe turistët. /Telegrafi/


Reshje të dendura në Prizren, Komuna vendos të gjitha ekipet në gatishmëri

18 November 2025 at 11:09


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar qytetarët se pas paralajmërimeve të IHMK-së për reshje të dendura shiu dhe rrezik të vërshimeve të shpejta, Komuna ka aktivizuar Shtabin Emergjent.

Shtabi monitoron situatën në kohë reale dhe ka vënë në gatishmëri të gjitha ekipet komunale, zjarrfikësit, shërbimet teknike dhe Njësinë e Mbrojtjes dhe Shpëtimit.

Qytetarëve u bëhet thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht:

të shmangin qarkullimin pranë lumenjve dhe zonave të ulëta;

të raportojnë çdo situatë të rrezikshme;

të ndjekin njoftimet zyrtare dhe rekomandimet e institucioneve.

Kryetari Totaj thekson se ekipet janë në terren dhe në shërbim të qytetarëve, duke apeluar për vëmendje, kujdes dhe solidaritet për tejkalimin e situatës. /Telegrafi/


Punime për debllokimin e kanalizimit në lagjen “Bajram Curri” në Prizren

18 November 2025 at 10:26


KRU Hidroregjioni Jugor në Prizren ka njoftuar konsumatorët e lagjes Bajram Curri se ekipet e Departamentit të Ujërave të Ndotura (DUN) po kryejnë punime për debllokimin e kanalizimit.

Gjatë kryerjes së punimeve, qytetarët mund të përballen me lëvizje të kufizuara të automjeteve dhe mundësi për shfaqje të aromave të pakëndshme në zonë.

Kompania bën të ditur se punimet do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të sanimit dhe falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/


Ndërprerje të furnizimit me ujë në disa lagje të Prizrenit

13 November 2025 at 10:55


KRU Hidroregjioni Jugor ka njoftuar qytetarët e disa rrugëve dhe lagjeve të qytetit se, sot, më 13.11.2025, do të zhvillohen punime për riparimin e defekteve teknike të sistemit të furnizimit me ujë.

Si pasojë e këtyre punimeve, mund të ketë mungesë të ujit dhe rënie të presionit të furnizimit me ujë për disa zona.

Puna do të zhvillohet në rrugët dhe lagjet si më poshtë: Fshati Kobaj, Rr. "Gani Bajrami", Rr. "Bulevardi V. Frashëri", Rr. "Prevezë", Rr. "Xhevat Berisha", Rr. "Sefë Kosharja", Rr. "De Rada", Rr. "Saraji", Lagjia Dardania, përcjell Telegrafi.

KRU Hidroregjioni Jugor ka shtuar se punimet do të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur për të rikthyer furnizimin normal me ujë. /Telegrafi/


Nisin punimet për ndërtimin e Tregut të Gjelbër dhe parkingut nëntokësor në Prizren

13 November 2025 at 10:20


Në Prizren kanë filluar punimet për ndërtimin e Tregut të Gjelbër dhe parkingut nëntokësor pranë Gjimnazit “Gjon Buzuku”, një nga projektet e premtuara gjatë fushatës nga kryetari i Komunës, Shaqir Totaj.

Sipas njoftimit të kryetarit Totaj, aktualisht po zhvillohen punime intensive në terren, ku janë duke u vendosur kabllot e energjisë elektrike nëntokë dhe po zëvendësohen gypat e ujësjellësit nga asbesti me gypa të rinj, të cilët plotësojnë standardet moderne të sigurisë, përcjell Telegrafi.

Gjithashtu, po vendoset sistemi i ri i kanalizimit, ndërsa rruga ekzistuese do të shtrohet me kalldrëm për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe për t’i dhënë zonës një pamje më funksionale dhe estetike.

Ky projekt konsiderohet si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në qendër të Prizrenit, që pritet të përmirësojë qasjen, higjienën dhe funksionalitetin urban të qytetit. /Telegrafi/


Komuna e Prizrenit vazhdon afatin për aplikim për projektin “Ngritja e pemishteve me pemë arrore”

7 November 2025 at 11:31


Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Komunës së Prizrenit ka njoftuar se është vazhduar afati për thirrjen publike për aplikim të fermerëve për përfitim në kuadër të projektit me bashkëfinancim “Ngritja e pemishteve me pemë arrore”.

Fermerët e interesuar mund të aplikojnë sipas kritereve të përcaktuara dhe të përfitojnë mbështetje për ngritjen e pemishteve, përcjell Telegrafi.

Të gjitha detajet lidhur me thirrjen dhe procedurat e aplikimit mund t’i gjeni në faqen zyrtare të komunës:
https://prizren.rks-gov.net/.../Njoftim-nga-DBZhR-per...

Ky projekt synon të mbështesë zhvillimin e bujqësisë dhe të kontribuojë në rritjen e prodhimit të pemëve arrore në komunën e Prizrenit. /Telegrafi/


Prizreni do të ketë fusha moderne tenisi, punimet në fazën përfundimtare

4 November 2025 at 15:16


Fushat e reja të tenisit në Prizren po marrin formë, ndërsa punimet në Qendrën Sportive të qytetit kanë hyrë tashmë në fazën përfundimtare të konstruksionit metalik.

Ky projekt, nën investimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, synon të ofrojë hapësira moderne për zhvillimin e tenisit, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe sportistët e qytetit.

Sipas të dhënave zyrtare, fushat e reja do të përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare dhe do të shërbejnë si një qendër për aktivitete sportive, gara dhe trajnime për tenistë amatorë dhe profesionistë.

Ministria bën të ditur se projekti përfshin jo vetëm ndërtimin e fushave, por edhe përmirësimin e infrastrukturës përreth, duke siguruar që Prizreni të ketë një ambient të përshtatshëm për sport dhe aktivitet fizik. /Telegrafi/

Përurohet parku i ri në lagjen Ortakoll të Prizrenit

31 October 2025 at 15:17


Në lagjen Ortakoll të Prizrenit është përuruar një park i ri publik, i cili përfshin gjelbërim të shtuar, kënde lojërash dhe hapësira rekreative për banorët e zonës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili tha se projekti synon të ofrojë më shumë hapësira të gjelbra për qytetarët dhe të përmirësojë cilësinë e jetës në lagjet e qytetit.

“Pamje magjepsëse në Ortakoll. Përuruam parkun te bunkeri me gjelbërim të ri, kënde lojërash dhe hapësira rekreative për banorët e njërës prej lagjeve më ikonike të qytetit. Rritja e hapësirave të gjelbra për komunitetin do të jetë prioritet edhe në mandatin e dytë”, ka deklaruar Totaj. /Telegrafi/


❌
❌