Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

FFK i kundërpërgjigjet MKRS-së, thotë se ka miratuar ndryshimet statutore

19 January 2026 at 19:21


Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të hënën ka publikuar një video, duke i dërguar mesazh MKRS-së lidhur me ndryshimet statutore.

MKRS-ja e informoi FFK-në para disa ditëve se duhen kompletuar disa statute para se ta zhvillojnë Kuvendin Zgjedhor, i cili është paraparë të mbahet në muajin shkurt.

Sidoqoftë, FFK-ja përmes një video pesëminutëshe thotë se ka miratuar të gjitha ndryshimet statutore të harmonizuara plotësisht me Ligjin e ri të Sportit, si dhe me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s.

“FFK ka miratuar ndryshimet statutore të harmonizuara plotësisht me Ligjin e ri të Sportit, si dhe me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s në punimet e Kuvendit të kaluar.

Faktet flasin vetë, prandaj e risjellim momentin e këtyre ndryshimeve”, shkroi ndër të tjera FFK-ja.

Së fundmi reagoi edhe presidenti i FFK-së Agim Ademi, i cili publikoi një foto me Gianni Infantinon e FIFA-s dhe Aleksander Ceferin të UEFA-s.

“TË harmonizuar. UEFA, FIFA, FFK. Në 125-vjetorin e themelimit të Federatës së Futbollit të Hungarisë”, shkroi ai.

Përndryshe, Kuvendi Zgjedhor i FFK-së është paraparë të zhvillohet më 5 shkurt 2026./Telegrafi

MKRS me shkresë zyrtare në drejtim të FFK-së

16 January 2026 at 17:21


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i ka dërguar email zyrtar Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) para Kuvendit Zgjedhor, që do të zhvillohet më 5 shkurt.

MKRS-ja e ka paralajmëruar FFK-në të bëjë disa ndryshime statutare para se ta zhvillojë Kuvendin Zgjedhor.

“Para se të procedohet me mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të paralajmëruar për datën 05 shkurt 2026 është e domosdoshme që FFK të ndërmarrë harmonizimin e disa çështjeve thelbësore të Statutit dhe akteve të tejra normative konkretisht:”.

“Harmonzimi sipas dakordimit të arritur gjatë procesit të licencimit në vitin 2023 në mes të përfaqësuesve të UEFA-s, FIFA-s dhe MKRS dhe harmonizimin e Statutit të FFK-së me Ligjin për Sport dhe Udhëzimin Administrativ përkatës që rregullon procedurat e lejimit të ushtrimit të veprimtarisë sportive të federatave”.

Ndër të tjera, MKRS-ja i ka kujtuar FFK-së që të përfundojë edhe procesin e lincencimit për shtatë lidhje rajonale si dhe licendimin për shoqatat profesionale, me këtë të fundit që thuhet se ka qenë kusht nga MKRS edhe gjatë vitit 2025.

Më poshtë lexoni emailin e plotë./Telegrafi/.

FBK përgjigjet për çështjen e emërimit të Bekë Berishës si kryetar i KB Sigal Prishtinës

16 January 2026 at 11:47


Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është përgjigjur për Telegrafin rreth pyetjeve të drejtuara për situatën e krijuar pas emërimit të Bekë Berishës si kryetar i klubit basketbollistik, Sigal Prishtina.

Bekë Berisha është zgjedhur kryetar i ri i klubit të basketbollit Sigal Prishtina, duke marrë shumicën e votave në Kuvendin Zgjedhor të klubit të mbajtur të mërkurën.

Megjithatë, emërimi i tij ka shkaktuar shumë bujë. Fillimisht me protestat e tifozërisë ‘Plisat’ e pastaj edhe me reagimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

MKRS bëri të ditur se Bekë Berisha nuk ka të drejtë të jetë kryetar i KB Sigal Prishtinës, pasi aktualisht është deputet në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se ai duhet të zgjedhë mes funksionit politik dhe atij sportiv.

Për të sqaruar situatën, Telegrafi i është drejtuar FBK-së në lidhje me emërimin e Berishës si kryetar i Sigal Prishtinës dhe sipas tyre, institucioni kryesor i basketbollit në Kosovë është i përkushtuar ndaj respektimit të plotë të legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe standardeve të qeverisjes së mirë në sport

“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dëshiron të theksojë se si institucion i pavarur sportiv, ne jemi të përkushtuar ndaj respektimit të plotë të legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe standardeve të qeverisjes së mirë në sport. Në këtë drejtim, FBK është duke ndjekur me kujdes të gjitha zhvillimet e raportuara dhe komunikimet e institucioneve relevante”, thuhet fillimisht në përgjigjen e FBK-së për Telegrafin.

“FBK do të bashkëpunojë ngushtë me MKRS-në, Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe me vetë klubin, për të siguruar që çdo proces të jetë në përputhje me kornizën ligjore dhe me rregullat që garantojnë integritetin sportiv. Çdo veprim i ndërmarrë nga ana jonë do të bazohet në vlerësime zyrtare, në kompetencat tona statutare dhe në parimin e transparencës”

“Si gjithmonë, prioritet mbetet funksionimi i rregullt i garave, respektimi i normave ligjore dhe mbrojtja e interesit të sportit të basketbollit në Kosovë”, mbyllet përgjigja e FBK-së. /Telegrafi/

MKRS kërkon respektim të ligjit pas zgjedhjes së Bekë Berishës kryetar të Sigal Prishtinës

15 January 2026 at 15:19


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit te Sigal Prishtina, pas zgjedhjes së Bekë Berishës në një pozitë udhëheqëse në klub, në Kuvendin e mbajtur më 14 janar 2026.

MKRS ka bërë të ditur se është njoftuar zyrtarisht për këtë vendim dhe ka rikujtuar detyrimin për respektimin e Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke pasur parasysh se Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Sipas këtij ligji, zyrtarët e lartë publikë mund të jenë anëtarë të organeve drejtuese të organizatave joqeveritare nga fusha e sportit, por nuk mund të ushtrojnë funksione menaxheriale, përfaqësuese apo mbikëqyrëse në persona juridikë privatë fitimprurës, as të jenë bartës të funksioneve drejtuese, siç përcaktohet në nenet 13 dhe 14 të ligjit në fjalë.

Po ashtu, ligji obligon që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet ose të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës.

Në këtë kontekst, MKRS ka kërkuar që, pas betimit dhe marrjes së mandatit në legjislaturën e re, Bekë Berisha të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt të interesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ministria ka theksuar se do ta përcjellë nga afër këtë situatë dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë./Telegrafi/

Stadiumi Nacional përfshihet në buxhetin e vitit 2026, ndahen 4 milionë euro

13 January 2026 at 12:19


Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Sportit, Bislim Bislimi, ka bërë të ditur se ndërtimi i Stadiumit Nacional të Kosovës është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2026, me një fond fillestar prej 4 milionë eurosh.

Sipas Bislimit, ky projekt do të vazhdojë edhe në vitet pasuese dhe vlera totale e investimit pritet të tejkalojë 20 milionë euro, raporton RTK.

Ai theksoi se ndërtimi i Stadiumit Nacional konsiderohet një domosdoshmëri për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.

Megjithatë, ende nuk është përcaktuar lokacioni ku do të ndërtohet stadiumi, ndërsa autoritetet kompetente pritet të dalin me vendim në fazat e ardhshme të projektit.

Publikohet dokumentari "Historia e futsallit kosovar - sporti që për 15 vite po prek majat"

9 January 2026 at 10:52


Gjatë ditës së djeshme (e enjte), 8 janar 2026, është publikuar dokumentari me titull "Historia e futsallit kosovar - sporti që për 15 vite po prek majat", i cili është promovuar me anë të një kokteji në 'HaPiTe Space' dhe ka si autor gazetarin e sportit Shkumbin Pireva, të mbështetur finaciarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Dokumentari “Historia e futsallit kosovar – sporti që për 15 vite po prek majat” sjell një rrëfim autentik për rrugëtimin e këtij sporti në Kosovë. Nga vitet e hershme, kur futbolli i vogël luhej nëpër lagje, qytete e fshatra, deri te hapat e parë drejt organizimit zyrtar.

Pjesë e dokumentarit janë figurat më eminente që kontribuuan në ndërtimin dhe zhvillimin e futsallit kosovar, teksa tregohet procesi i themelimit të Ligës së Futsallit dhe sfidat e para institucionale.

Huar Morina, Suad Keçi, Faik Fazliu, Arian Henci, Abaz Beqa, Bledion Bryma, Xhemajl Beqiri, Ramadan Alaj, Agon Ramadani, Rasim Gimolli dhe Hysni Gjinovci, janë njerëzit që me prononcimet e tyre kanë pasuruar këtë dokumentar, duke treguar historitë e nisjes dhe suksesit të futsallit deri në ditët e sotme.

- YouTube www.youtube.com

Në këtë dokumentar, një kapitull i veçantë i kushtohet paraqitjes në garat evropiane të ekipeve kosovare dhe ekipit kombëtar të Kosovës, si dhe rritjes së vazhdueshme të nivelit konkurrues.

Një histori përkushtimi, pasioni dhe suksesi, që dëshmon se futsalli kosovar ka prekur majat brenda vetëm 15 vitesh, teksa tani po kërkon nivele edhe më të larta.

Autor i dokumentarit është gazetari i sportit, Shkumbin Pireva, ndërsa kamera dhe montazhi janë kryer nga Pjetër Monreca.

Ky dokumentar është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /Telegrafi/

Kosova publikon Strategjinë për Ekonominë Kreative 2026–2035, konsultimi publik i hapur deri më 20 janar

7 January 2026 at 11:15


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar Strategjinë për Ekonominë Kreative të Kosovës 2026–2035 në platformën për konsultime me publikun.

Kosova bëhet vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që harton një strategji të dedikuar posaçërisht për ekonominë dhe industritë kreative.

"Strategjia synon të shfrytëzojë potencialin e plotë të sektorëve kreativë, të fuqizojë talentin, të mbështesë sipërmarrjen dhe të forcojë lidhjen ndërmjet kulturës, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik", thuhet në njoftim.

Ministria thekson se konsultimi publik është thelbësor për të siguruar që strategjia të reflektojë nevojat reale dhe të formësohet bashkërisht nga institucionet, sektori privat, shoqëria civile dhe profesionistët kreativë.

Konsultimi publik është i hapur deri më 20 janar 2026, dhe qytetarët mund të regjistrohen dhe të adresojnë komentet e tyre përmes këtij linku: rb.gy/4l1vfm /Telegrafi/

Ndërron jetë Davide Tizzano

29 December 2025 at 21:39


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka lëshuar komunikatë zyrtare për ndarjen nga jeta të Davide Tizzano, Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

Tizzano ishte një personalitet i shquar i sportit ndërkombëtar, një udhëheqës me integritet dhe vizion, si dhe një mik i dëshmuar i Kosovës.

Telegrami i plotë i MKRS-së:

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Davide Tizzano, President i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

Davide Tizzano ishte një personalitet i shquar i sportit ndërkombëtar, një udhëheqës me integritet dhe vizion, si dhe një mik i dëshmuar i Kosovës. Angazhimi dhe mbështetja e tij e vazhdueshme për sportin, për vlerat olimpike dhe mesdhetare, si dhe për aspiratat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, do të mbeten në kujtesën tonë.

Kontributi i tij në forcimin e bashkëpunimit sportiv dhe në avancimin e Lojërave Mesdhetare përbën një trashëgimi të çmuar, që do të vazhdojë të frymëzojë brezat e sportistëve dhe drejtuesve sportivë.

Në emrin tim personal dhe në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Tizzano, bashkëpunëtorëve të tij dhe gjithë komunitetit të Lojërave Mesdhetare”./Telegrafi

Çeku: 50 milionë euro për rinovimin total të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve

17 December 2025 at 14:26


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në detyrë, Hajrulla Çeku ka njoftuar nisjen e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në Prishtinë, që synon rijetësimin e plotë të Pallatit të Rinisë në prag të Lojërave Mesdhetare dhe kthimin e tij në një qendër moderne për sport, art dhe rini.

Çeku ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 milionë euro për rinovimin e plotë të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Projekti përfshin modernizim total të objektit, përfshirë edhe sallën e djegur, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas Çekut, në bazë të marrëveshjes me Bankën Evropiane për Investime tashmë janë angazhuar studiot projektuese që do të hartojnë projektin e rijetësimit, duke i hapur rrugë fazës së ardhshme të punimeve.

Ai ka theksuar se ekspertiza profesionale vendore dhe ndërkombëtare është bashkuar për ta shndërruar Pallatin e Rinisë në një hapësirë moderne dhe plotësisht funksionale, në shërbim të sportistëve, artistëve dhe të rinjve.

Postimi pa ndërhyrje i Hajrulla Çekut

50 milionë euro për Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Rinovim total, përfshirë sallën e djegur, në përgatitje për Lojërat Mesdhetare, dhe në shërbim të sportistëve, artistëve e të rinjve tanë.

Në bazë të marrëveshjes sonë me Bankën Evropiane për Investime, janë angazhuar studiot projektuese që do të hartojnë projektin e rijetësimit të Pallatit, për t’i hapur rrugë më pas edhe nisjes së punimeve.

Ekspertiza profesionale vendore dhe ndërkombëtare është bërë bashkë për të krijuar një model për modernizimin dhe funksionalizimin e plotë të kësaj ndërtese ikonike të kryeqytetit.

/Telegrafi/

Fillojnë punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos

12 December 2025 at 12:15


Trajneri i xhudos, Driton Kuka ka njoftuar se sot (e premte), 12 dhjetor, kanë filluar punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos.

Pritjes si duket po i vjen fundi. Peja pritet të bëhet me ndërtimin e Qendrën Nacionale të xhudos, projekt i shumëpritur.

Është vet trajneri i madh i xhudos, Driton Kuka, i cili ka njoftuar se investimi i përbashkët i MKRS-së dhe federatës së xhudos po jetësohet.

Në postimin e tij në rrjetin social, Facebook, Kuka uroi që kjo qendër të gëzohet me shumë medalje e suksese të reja.

Njoftimi i Driton Kukës

Sot me mëngjes në pjesën më të bukur të qytetit tim bagerët filluan punën për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos!

Investim i MKRS në marrëveshje me federatën tonë!

Aty ku u ndërtuan 5 medaljet Olimpike prej tyre 3 të arta do bahet një qendër moderne për sportin e xhudos!

E gëzofshim me shumë medalje e suksese të reja!

/Telegrafi/

Kryeministri në detyrë, Kurti thotë se do të investohen 12 milionë euro në transformimin e Stadiumit të Prizrenit

5 December 2025 at 14:18


Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar me anë të faqes zyrtare se do të investohet plotë 12 milionë euro në transformimin e tërësishëm të Stadiumit të Prizrenit, ndërsa në gjithë vendin do të investohen mbi 200 milionë euro në stadiume të futbollit.

Në njoftimin e bërë në profilin e tij në Facebook, Kurti ka njoftuar se tribunave në lindje dhe perëndim të stadiumit "Përparim Thaçit" do t’i shtohen edhe ato në veri e jug.

Sipas tij, ky stadium do të jetë një nga arenat sportive më moderne në vend, dhe do të ketë nga gati 7800 ulëse.

Përveç tij, Kurti ka njoftuar se do të investohet edhe mbi 200 milionë euro tjera në stadiume të futbollit gjithandej dhe Kosova do ta ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon.


Postimi pa ndërhyrje i Albin Kurtit

Mbi 12 milionë euro për transformimin e tërësishëm të Stadiumit të Prizrenit. Kontrata është nënshkruar. Punët përgatitore kanë nisur. Tribunave në lindje dhe perëndim të "Përparim Thaçit" do t’i shtohen edhe ato në veri e jug. Ai do të jetë një nga arenat sportive më moderne në vend, dhe vendi ku tifozët besnik dhe sportdashësit e shumtë do mund të mbështesin klubin e tyre të qytetit, KF Lirinë, nga gati 7800 ulëse. Po investojmë mbi 200 milionë euro në stadiume të futbollit gjithandej Republikës. Kosova do ta ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon.

/Telegrafi/

Nis restaurimi i kullës së Astrit Kryeziut në Gjakovë

12 November 2025 at 08:25


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar se ka filluar procesi i restaurimit të Kullës së Astrit Kryeziut (Tosun Beut) në Gjakovë, një prej monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë arkitekturore në këtë qytet.

Sipas MKRS-së, ndërhyrjet po realizohen me kujdes profesional, me qëllim që të ruhet autenticiteti dhe vlera historike e objektit, i cili përfaqëson një nga shembujt më karakteristikë të ndërtimit tradicional prej guri.

Projekti është pjesë e programit të gjerë të ministrisë për mbrojtjen dhe ringjalljen e trashëgimisë arkitekturore në gjithë vendin. /Telegrafi/


Prizreni do të ketë fusha moderne tenisi, punimet në fazën përfundimtare

4 November 2025 at 15:16


Fushat e reja të tenisit në Prizren po marrin formë, ndërsa punimet në Qendrën Sportive të qytetit kanë hyrë tashmë në fazën përfundimtare të konstruksionit metalik.

Ky projekt, nën investimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, synon të ofrojë hapësira moderne për zhvillimin e tenisit, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe sportistët e qytetit.

Sipas të dhënave zyrtare, fushat e reja do të përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare dhe do të shërbejnë si një qendër për aktivitete sportive, gara dhe trajnime për tenistë amatorë dhe profesionistë.

Ministria bën të ditur se projekti përfshin jo vetëm ndërtimin e fushave, por edhe përmirësimin e infrastrukturës përreth, duke siguruar që Prizreni të ketë një ambient të përshtatshëm për sport dhe aktivitet fizik. /Telegrafi/

Ferizaj ruan një pjesë të historisë, restaurimi i Kishës “Engjëlli i Mirë” drejt përfundimit

4 November 2025 at 10:25


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se po vazhdojnë me intensitet punimet për restaurimin e Kishës Katolike “Engjëlli i Mirë” në Ferizaj, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe fetare të qytetit.

Sipas MKRS-së, projekti ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e këtij objekti me vlera të veçanta historike, arkitekturore dhe shpirtërore, i cili përbën një simbol të rëndësishëm të identitetit kulturor të Ferizajt, përcjell Telegrafi.

Punimet po realizohen me dinamikë të lartë, ndërsa pritet që pas përfundimit, kisha të rifitojë plotësisht pamjen e saj origjinale dhe të vazhdojë të shërbejë si një qendër e trashëgimisë kulturore e fetare për komunitetin lokal.

Ky investim i MKRS-së vlerësohet si një hap i rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e monumenteve historike dhe për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore të vendit. /Telegrafi/


Vazhdojnë punimet restauruese në Xhaminë “Sudi Efendi” në Prishtinë

4 November 2025 at 09:06


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se po vazhdojnë me intensitet punimet restauruese në Xhaminë “Sudi Efendi”, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në kryeqytet.

Kjo ndërhyrje, që po zhvillohet në zemër të Prishtinës, ka për qëllim ruajtjen dhe konservimin e vlerave historike, artistike dhe shpirtërore që mbart kjo xhami, e cila përbën një pjesë të rëndësishme të identitetit arkitektonik të qytetit, përcjell Telegrafi.



Me arkitekturën e saj karakteristike, elementet e punuara në dru dhe detajet ndërtimore të veçanta, Xhamia “Sudi Efendi” mbetet një nga simbolet më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore.

MKRS po investon në restaurimin e saj me qëllim që ky monument të ruhet dhe t’u transmetohet me përkushtim brezave të ardhshëm. /Telegrafi/

Rikthehet në lavdinë e dikurshme shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë

29 October 2025 at 15:26


Pas dëmtimeve të rënda nga një zjarr që e kishte përfshirë vite më parë, një prej shtëpive më të vjetra dhe më karakteristike të Mitrovicës – ajo e familjes Koroglu – po i kthehet shkëlqimit të dikurshëm.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se punimet e restaurimit janë drejt përfundimit, me fokus në ruajtjen e elementeve origjinale të arkitekturës tradicionale, që e bëjnë këtë objekt një pasuri të veçantë të trashëgimisë kulturore të qytetit, raporton Telegrafi.



“Shtëpia e familjes Koroglu po shkëlqen përsëri. Po punohet në detajet e fundit të restaurimit në këtë perlë të trashëgimisë sonë kulturore”, ka bërë të ditur MKRS-ja, duke theksuar rëndësinë që ky monument të ruhet për brezat e ardhshëm.

Sipas ministrisë, restaurimi i shtëpisë së Korogluve është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për mbrojtjen dhe valorizimin e trashëgimisë arkitekturore në të gjitha rajonet e Kosovës, në mënyrë që këto vlera të trashëgohen si dëshmi e identitetit dhe historisë sonë kulturore. /Telegrafi/

Nisin së shpejti punimet për restaurimin e Xhamisë së Madhe në Ferizaj

24 October 2025 at 14:54


Xhamia e Madhe në Ferizaj, një nga monumentet më të vjetra dhe më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e fetare në qytet, pritet të marrë pamje të re pas restaurimit të planifikuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Punimet, që do të nisin në ditët në vijim, synojnë të rikthejnë shkëlqimin dhe autenticitetin e këtij objekti historik, i cili prej dekadash është një simbol i identitetit fetar, kulturor dhe arkitektonik të Ferizajt, raporton Telegrafi.



Sipas njoftimit të Bashkësisë Islame të Kosovës, projekti i restaurimit do të ruajë elementet origjinale të ndërtimit, duke respektuar vlerat arkitekturore të periudhës osmane dhe duke përdorur materiale të përshtatshme për konservimin afatgjatë të monumentit.

Xhamia e Madhe është një nga vendet më të frekuentuara të qytetit dhe një pikë e rëndësishme referimi për komunitetin mysliman të Ferizajt. Me përfundimin e restaurimit, ajo pritet të rifitojë rolin e saj të plotë si qendër fetare, kulturore dhe historike.

Ky projekt vlerësohet si një shembull i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare dhe atyre shtetërore në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës. /Telegrafi/

Përfundon restaurimi i shtëpisë së Hynilerëve, perlë e arkitekturës tradicionale

24 October 2025 at 11:40


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar për përfundimin e restaurimit të shtëpisë së Hynilerëve, një nga më të vjetrat dhe më të bukurat në kryeqytet.

E ruajtur me fanatizëm ndër shekuj nga familja Hyniler, kjo ndërtesë përfaqëson një vlerë të veçantë të trashëgimisë kulturore të Prishtinës.

Pas ndërhyrjes së realizuar nga ministria, shtëpia është rikthyer në gjendjen e saj origjinale dhe do të ruhet si një thesar i arkitekturës tradicionale për brezat e ardhshëm. /Telegrafi/

Arkivi Ndërkomunal i Pejës merr pamje të re pas restaurimit

23 October 2025 at 13:59


Pas një periudhe intensive punimesh, Arkivi Ndërkomunal i Pejës është transformuar në një hapësirë moderne dhe funksionale, e përshtatshme për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë arkivore të rajonit të Pejës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se ndërhyrjet kanë përfshirë përmirësimin e kushteve teknike dhe mjedisore, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurt për dokumentet me vlerë historike.



Ky investim vjen si pjesë e angazhimit të MKRS-së për ruajtjen, digjitalizimin dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare në mbarë vendin. /Telegrafi/

Vazhdojnë punimet në Stadiumin e Atletikës në Kamenicë

21 October 2025 at 14:16


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton se punimet për ndërtimin e Stadiumit të Atletikës në Kamenicë, i vetmi i këtij lloji në Kosovë, vazhdojnë me ritme të shpejta.

Ky projekt do të ofrojë kushte moderne dhe bashkëkohore për atletët dhe komunitetin sportiv të vendit, përcjell Telegrafi.

Sipas njoftimit, disa nga objektet kryesore të stadiumit janë përfunduar, ndërsa aktualisht po punohet në fasadim, rregullimin e brendshëm dhe ndërtimin e tribunave.



Ministria thekson se punimet po ecin sipas planit të parashikuar, duke siguruar që stadiumi të jetë gati për të ofruar standarde të larta sportive dhe infrastrukturore.

Ky stadium do të shërbejë si qendër për stërvitje dhe gara të atletikës, duke kontribuar në zhvillimin e sportit në Kosovë dhe mbështetur atletët e rinj në arritjen e rezultateve të larta. /Telegrafi/

❌
❌