Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Peja fiton ndaj Sigal Prishtinës, Musab Mala shkëlqen në derbi

8 February 2026 at 20:00


Peja arriti një fitore të madhe në kryeqytet, duke mundur Sigal Prishtinën me rezultatin 82:78 në ndeshjen e xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Ndeshja u zhvillua të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe u vendos kryesisht falë paraqitjes fantastike të fundorit Musab Mala, i cili përfundoi takimin me 22 pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime, pa asnjë top të humbur dhe me një top të rrëmbyer.

Te Peja spikatën edhe qendra Logan Routt me 19 pikë dhe 11 kërcime, si dhe Oshowen Williams me 14 pikë, nëntë asistime dhe tetë kërcime. Tajh Green shtoi 16 pikë e pesë kërcime, duke kontribuar në fitoren vendimtare të ekipit pejan.


Te Sigal Prishtina, paraqitjen më të mirë e bëri Adrio Bailey me 25 pikë e nëntë kërcime, ndërsa Kahlil Dukes shtoi 13 pikë dhe Valmiir Kakruki 12.

Ndeshja nisi me një çerek të parë të barabartë, ndërsa Prishtina bëri një shkëputje prej shtatë pikësh në të dytin, duke përfunduar pjesën e parë 42:34 në favor të skuadrës vendase.

Por Peja reagoi fuqishëm në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 26:15, duke kaluar në avantazh 60:57. Në çerekun e katërt, skuadra e verdhë arriti të shkëputej deri në dhjetë pikë dhe mbajti epërsinë deri në fund, pavarësisht presionit të shtuar të Prishtinës.


Kjo ishte fitorja e dhjetë e Pejës këtë sezon, me nëntë humbje, duke mbajtur vendin e tretë me 29 pikë. Prishtina pësoi humbjen e 11-të dhe mbetet në vendin e gjashtë me tetë fitore dhe 27 pikë, të barabarta me Yllin në vendin e pestë. /Telegrafi/

Michail Kakiouzis nuk do të jetë më trajner i KB Prishtinës

5 February 2026 at 20:47


Michail Kakiouzis nuk do të jetë më trajner i KB Prishtinës, duke ndarë rrugët mes tyre me një njoftim në rrjetet sociale.

Në njoftimin e klubit prishtinas bëhet e ditur se trajneri grek është larguar për “arsye familjare”.

“Klubi ynë shpreh falënderimet më të sinqerta për trajnerin Michail Kakiouzis për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë këtij sezoni, si dhe për bashkëpunimin korrekt dhe angazhimin e vazhdueshëm në punën me ekipin”.


“Për arsye familjare, nga dita e sotme, trajneri Michail Kakiouzis nuk do të jetë më pjesë e klubit tonë. I urojmë shumë shëndet, suksese dhe çdo të mirë në vazhdim të karrierës dhe jetës personale”, shkruan në njoftimin e KB Prishtinës.

Nën drejtimin e tij, Prishtina, nuk pati rezultate të kënaqshme.Prishtina është në vendin e gjashtë me 26 pikë. Nga 18 ndeshje ka tetë fitore e dhjetë humbje. /Telegrafi/

Bashkimi triumfon me rezultat të thellë ndaj Prishtinës

4 February 2026 at 22:29


Bashkimi ka bërë një hap të madh drejt finales së Kupës së Kosovës në basketboll, pasi ka regjistruar fitore bindëse në gjysmëfinalen e parë.

Të mërkurën mbrëma, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, skuadra vendase triumfoi ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 83:67, duke krijuar një avantazh të konsiderueshëm para ndeshjes së kthimit.

Takimi nisi më mirë për mysafirët nga kryeqyteti, të cilët fituan çerekun e parë me shifrat 20:14. Sigal Prishtina ruajti epërsinë edhe në periudhën e dytë, e cila përfundoi 19:18 në favor të saj, duke shkuar në pushim me epërsi 39:32.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pauzës. Bashkimi shpërtheu në çerekun e tretë, të cilin e fitoi bindshëm 27:13, duke përmbysur rezultatin dhe marrë kontrollin e plotë të ndeshjes. Në çerekun e fundit, prizrenasit vetëm sa e rritën diferencën për të vulosur fitoren.

Lejson Zeqiri ishte më i dalluari te Bashkimi me 17 pikë, tetë kërcime dhe tri asistime. Isaiah Cousins kontribuoi me 19 pikë, tri asistime dhe dy kërcime, ndërsa Shannon Shorter shtoi 18 pikë dhe pesë kërcime. Dequon Lake e mbylli ndeshjen me 15 pikë dhe pesë kërcime.

Te Sigal Prishtina, më efikasi ishte Elijah Clarence me 20 pikë, nëntë kërcime dhe pesë asistime, ndërsa Altin Morina realizoi 15 pikë dhe gjashtë kërcime.

Ndeshja e kthimit e kësaj gjysmëfinale do të zhvillohet pas një jave në Prishtinë, por Bashkimi udhëton me një epërsi të madhe drejt duelit vendimtar. /Telegrafi/

KB Bashkimi i “fortë” për Prishtinën

31 January 2026 at 21:06


Pas një fillimi relativisht të baraspeshuar, Bashkimi e rriti intensitetin në pjesën e dytë të çerekut të dytë dhe në vazhdimësi arriti të krijojë epërsi të qëndrueshme.

Në pushimin mes pjesëve, vendasit hynë me avantazh të qartë, ndërsa në çerekun e tretë e thelluan edhe më shumë diferencën, duke e mbyllur atë pjesë me rezultat 65-42.

Në çerekun e katërt, Bashkimi vazhdoi me lojë të organizuar në të dyja fazat e lojës, duke mos i dhënë mundësi Sigal Prishtinës të afrohet në rezultat. Diferenca maksimale arriti në +28, ndërsa ndeshja u mbyll me shifrat përfundimtare 84-63.

Te Bashkimi, më efikasi ishte S. Shorter me 24 pikë (9/14 nga loja), ndërsa I. Nwamu zhvilloi paraqitje shumë efikase me 21 pikë (9/12 nga loja). Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe L. Zeqiri me 11 pikë, D. Lake me 8 pikë dhe 7 kërcime, si dhe M. Armstead me 7 pikë dhe 3 asistime. Nga banka u veçua T. Bickerstaff me 4 pikë dhe 6 kërcime.

Te Sigal Prishtina, më të dalluarit ishin K. Dukes me 17 pikë dhe E. Clarance gjithashtu me 17 pikë dhe 5 asistime, ndërsa V. Kakruki kontribuoi me 7 pikë. Megjithatë, mysafirët patën vështirësi në realizim nga distanca, duke përfunduar ndeshjen me vetëm 4/24 për tri pikë.

Në statistikat ekipore, Bashkimi realizoi 50% nga loja (31/62) dhe përfitoi nga gabimet e kundërshtarit me 18 pikë nga topat e humbur, ndërsa dominoi edhe në pikët nga tranzicioni dhe rastet e dyta. Sigal Prishtina, pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti ta mbajë ritmin ofensiv dhe mbeti prapa gjatë gjithë pjesës së dytë.

Me këtë fitore, Bashkimi e konfirmon formën e mirë para ndeshjeve të radhës, ndërsa Sigal Prishtina do të kërkojë reagim në takimet në vijim.

Bashkimi ka shënuar fitore si vendas ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 84-63, në një ndeshje ku vendasit dominuan nga çereku i parë e tutje dhe nuk e lëshuan kontrollin deri në fund./Telegrafi

Prishtina kthehet te fitorja, triumfon ndaj Rahovecit

24 January 2026 at 20:37


KB Prishtina i është rikthyer fitores në Superligën e Kosovës në basketboll pas një serie prej tri humbjesh radhazi, duke marrë një triumf të rëndësishëm ndaj Rahovecit 029.

Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në palestrën “Mizahir Isma”, Prishtina e mposhti Rahovecin 029 me rezultat 68:59, në kuadër të xhiros së 17-të të kampionatit. Kjo fitore vjen vetëm pak ditë pasi skuadra kryeqytetase siguroi edhe kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, duke i dhënë fund një periudhe jo të lehtë në kampionat.

Takimi nisi më mirë për Rahovecin 029, i cili e fitoi çerekun e parë me rezultat 14:13. Megjithatë, Prishtina reagoi fuqishëm në vazhdim, duke marrë kontrollin e lojës dhe duke fituar çerekun e dytë 23:20, si dhe të tretin 22:13, diferencë që rezultoi vendimtare për epilogun e ndeshjes. Çerekun e fundit e fitoi Rahoveci 029 me rezultat 12:10, por kjo nuk mjaftoi për ta rrezikuar fitoren e vendasve.

Te Sigal Prishtina u dallua Adrio Bailey, i cili regjistroi një paraqitje të kompletuar me nëntë pikë, 12 kërcime dhe pesë asistime. Kontribut të madh dha edhe Khalil Dukes, që ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes për Prishtinën me 20 pikë, tri kërcime dhe pesë asistime.

Në anën tjetër, te Rahoveci 029 më efikasi ishte Julian Roche me 14 pikë dhe tetë kërcime./Telegrafi

Prishtina pëson nga Vëllaznimi, por kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

22 January 2026 at 21:09


Sigal Prishtina pësoi humbje ndaj Vëllaznimit të enjten mbrëma në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Kupës së Kosovës në basketboll. Megjithatë, fitorja 74:69 e arritur në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë nuk mjaftoi që skuadra gjakovare të kalojë më tej.

Triumfi i Sigal Prishtinës në ndeshjen e parë, të zhvilluar para dy javësh në palestrën “Shani Nushi”, me rezultat 82:68, vendosi fatin e gjysmëfinales për “bardhekaltërve”.

Në ndeshjen e kthimit, tifo-grupi “Plisat” mbështeti skuadrën, madje udhëheqësi i tyre, Rinor Grajqevci, mori rolin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të klubit, një vendim i nënshkruar nga Bekë Berisha.

Sigal Prishtina mbylli pjesën e parë me epërsi minimale, 38:36. “Bardhekaltrit” dominuan edhe në çerekun e tretë, 16:10, duke hyrë në periudhën e fundit me tetë pikë avantazh. Vëllaznimi e barazoi rezultatin në 54:54, rreth shtatë minuta e gjysmë para fundit, më pas kaloi në epërsi dhe e mbajti deri në fund. Megjithatë, diferenca nga ndeshja e parë bëri që Sigal Prishtina të eliminohej.

Kelby Kramer udhëhoqi skuadrën me 14 pikë dhe 7 kërcime, Deondre Burns shtoi 10 pikë, 6 asistime dhe 4 kërcime, ndërsa Altin Morina kontribuoi me 5 pikë, 5 kërcime dhe 4 asistime.


Te Vëllaznimi, më e spikatura ishte Jericole Hellems me 25 pikë, 8 kërcime dhe 1 asistim, ndërsa Samir Zekiqi shtoi 13 pikë, 7 kërcime dhe 3 asistime.

Në gjysmëfinale, Sigal Prishtina nuk do të jetë pjesë, ndërsa Vëllaznimi do të përballet me Bashkimin, që eliminoi GO+ Pejën.

Granit Rugova hedh kandidaturën për kryetar të KB Prishtinës

17 January 2026 at 19:20


Ish basketbollisti Granit Rugova publikisht ka hedhur kandidaturën për kryetar të klubit Prishtina.

Gjatë ditës së diele, në mediat lokale u raportua se Bekë Berisha ka dhënë dorëheqje nga pozita e krytarit të Prishtinës, pozitë që e mori vetëm javën e kaluar.

Nuk ka vonuar shumë, dhe Rugova, që dikur ka mbrojtur fanellën e skuadrës më të trofeshme kosovare thotë se ka të gjitha “njohuritë, përvojën dhe energjinë për ta menaxhuar klubin”.

Për më shumë, lexoni postimin e tij të plotë pa ndërhyrje:

“Sot e ndiej obligim moral të marr përgjegjësi dhe ta shpreh haptas vullnetin tim për të kandiduar për pozitën e kryetarit të klubit të zemrës. Jo për ambicie personale, por sepse besoj se kam njohuritë, përvojën dhe energjinë për ta menaxhuar siç duhet klubin dhe, së bashku me PLISAT, qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë dashamirët e tij, ta çojmë aty ku e meriton.

Prishtina ka qenë pjesë e pandashme e jetës sime që nga paslufta. Në këtë klub jam rritur si basketbollist, si sportist dhe si njeri. Kam përjetuar fitore, sfida dhe momente historike që më kanë mësuar çfarë do të thotë përgjegjësia ndaj fanellës dhe qytetit.

Pas karrierës si lojtar, e vazhdova kontributin tim në udhëheqjen e sportit në Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe më pas si Drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës. Kjo përvojë më ka dhënë një pamje të qartë se si duhet të udhëhiqet një klub i madh: me vizion, stabilitet dhe transparencë.

Prishtina nuk është thjesht një klub sportiv.

Është identitet i kryeqytetit.

Është krenari qytetare.

Kjo është një thirrje për bashkim.

Për punë të ndershme.

Për vizion të qartë.

Për Prishtinën.

Për kthimin në rrugën e fitoreve dhe kupave.

Bashkë mundemi dhe do t’ia dalim”, shkroi ai./Telegrafi

Bekë Berisha jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Sigal Prishtinës

17 January 2026 at 18:43


Bekë Berisha nuk do të vazhdojë detyrën si kryetar i Sigal Prishtinës. Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se Berisha ka dhënë dorëheqje gjatë ditës së shtunë, vetëm pak ditë pas emërimit të tij në krye të klubit bardhekaltër.

Berisha ishte emëruar kryetar i Sigal Prishtinës më 14 janar, ndërsa dorëheqja e tij ka ardhur pas vetëm tri ditësh në këtë post.

Vendimi lidhet edhe me reagimet institucionale, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte theksuar se mbajtja njëkohësisht e postit të deputetit dhe e drejtimit të një klubi sportiv përbën konflikt interesi, duke kërkuar që Berisha të zgjedhë njërën prej tyre.

Situata në klub ka qenë e tensionuar edhe më herët. Tifogrupi “Plisat” ka pasur përplasje të vazhdueshme me kryesinë e vjetër, ndërsa pakënaqësitë e tyre nuk janë zbutur as pas emërimit të Berishës si kryetar.

Sipas tyre, klubi është keqmenaxhuar dhe nevojiten ndryshime të thella në drejtim.

Të shtunën ishte paralajmëruar një konferencë për shtyp nga ora 18:00, por ajo nuk u mbajt. Në vend të saj, është zhvilluar një takim me dyer të mbyllura mes përfaqësuesve të “Plisave” dhe zyrtarëve të klubit, takim që ende po vazhdon.

Sipas informacioneve të siguruara nga Telegrafi, pritet që në ditët në vijim Sigal Prishtina të emërojë një kryetar të ri të përkohshëm, deri në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për drejtimin e klubit./Telegrafi/

Vendos çereku i fundit, Ylli e fiton dramën ndaj Prishtinës

15 January 2026 at 21:22


Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore në shtëpi ndaj KB Prishtinës, sfidë që u vendos në çerekun e fundit.

Skuadra suharekase triumfoi me rezultat 94-82 (26:14, 17:30, 23:22, 28:16).

Pas vetëm shtatë minutave lojë kishte ndërprerje, pasi “Plisat” hodhën gjësende në parket, duke fyer bordin e Prishtinës që vendosën ta bënin Bekë Berishën kryetar të klubit.

Policia pastaj ndërhyri duke i larguar nga palestra, ku pastaj vazhdoi ndeshja. Ylli e fitoi çerekun e parë me plot 12 pikë dallim, pra 26:14.

Prishtina u këndell në çerekun e dytë, ku e mbylli me 13 pikë epërsi (17:30), si dhe kompletuar përmbysjen në pjesën e parë 33:34.

Ylli e barazoi rezultatin në çerekun e tretë, duke e fituar çerekun me një pikë epërsi 23:33. Krejt në fund, suharekasit dominuan plotësisht me 12 pikë dallim (28:16).

Lis Soshi e Bamforth ishin më të dalluarit te Ylli me 20 pikë, ndërsa te Prishtina u dallua Burns me 29 sosh./Telegrafi/

“Plisat” hedhin gjësende në parket, ndërpritet ndeshja Ylli – Prishtina

15 January 2026 at 19:16


Ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe KB Prishtinës është ndërprerë pas vetëm shtatë minutave lojë.

Ishin tifozët e Prishtinës “Plisat” që hedhen gjësende në parket, prandaj edhe gjyqtari përkohësisht e suspendoi lojën.

E tërë kjo situatë erdhi si pakënaqësi e tifozëve kundër vendimit të Prishtinës për ta emëruar Bekë Berishën si kryetar të klubit.

MKRS-ja e kundërshtoi këtë vendim, megjithatë mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet situata në ditët e ardhshme.

Kujtojmë, aktualisht Ylli ishte në epërsi të madhe prej nëntë pikëve 17-8, ndërsa kishin mbetur edhe 3 minuta e 12 sekonda për t’u mbyllur çereku i parë./Telegrafi

MKRS kërkon respektim të ligjit pas zgjedhjes së Bekë Berishës kryetar të Sigal Prishtinës

15 January 2026 at 15:19


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit te Sigal Prishtina, pas zgjedhjes së Bekë Berishës në një pozitë udhëheqëse në klub, në Kuvendin e mbajtur më 14 janar 2026.

MKRS ka bërë të ditur se është njoftuar zyrtarisht për këtë vendim dhe ka rikujtuar detyrimin për respektimin e Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke pasur parasysh se Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Sipas këtij ligji, zyrtarët e lartë publikë mund të jenë anëtarë të organeve drejtuese të organizatave joqeveritare nga fusha e sportit, por nuk mund të ushtrojnë funksione menaxheriale, përfaqësuese apo mbikëqyrëse në persona juridikë privatë fitimprurës, as të jenë bartës të funksioneve drejtuese, siç përcaktohet në nenet 13 dhe 14 të ligjit në fjalë.

Po ashtu, ligji obligon që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet ose të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës.

Në këtë kontekst, MKRS ka kërkuar që, pas betimit dhe marrjes së mandatit në legjislaturën e re, Bekë Berisha të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt të interesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ministria ka theksuar se do ta përcjellë nga afër këtë situatë dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë./Telegrafi/

Plisat kundërshtojnë ashpër emërimin e Bekë Berishës si kryetar i Sigal Prishtinës

14 January 2026 at 21:36


Tifogrupi i njohur “Plisat” ka dalë me një reagim të ashpër publik pas zhvillimeve të fundit në klubin e basketbollit Sigal Prishtina, duke e cilësuar zgjdhjen e kryetarit të ri si një nga ngjarjet më të turpshme në historinë e sportit të kryeqytetit.

Sipas Plisave, në një “kuvend të paligjshëm”, është zgjedhur në mënyrë të dhunshme dhe tinëzare kryetari i ri i klubit, pa transparencë dhe pa një proces të hapur garues.

Ata theksojnë se zgjedhja e udhëheqjes së klubit do të duhej të bëhej përmes ideve dhe vizionit për të ardhmen e KB Prishtinës, e jo në mënyrë të fshehtë.

Plisat akuzojnë drejtuesit aktualë të klubit për mungesë dashurie dhe interesi për zhvillimin e klubit, duke pretenduar se veprimet e tyre janë të motivuara nga frika dhe përpjekja për të mbuluar, siç thonë ata, keqpërdorime dhe shkatërrim të klubit ndër vite.

Në reagim përmendet edhe emri i Bekë Berishës, i cili sipas Plisave është zgjedhur kryetar i klubit, duke e cilësuar atë si joprofesional dhe të papërshtatshëm për këtë pozitë, si dhe si një person pa lidhje me klubin, sportin apo qytetin e Prishtinës.

“Plisat” kështu kanë deklaruar qartë se nuk i japin mbështetje këtij emërimi dhe as kryesisë aktuale.

Reagimi i plotë nga "Plisat":

/Telegrafi/

Bekë Berisha, kryetar i KB Sigal Prishtina

14 January 2026 at 19:27


Bekë Berisha është zgjedhur kryetar i klubit të basketbollit Sigal Prishtina, duke marrë shumicën e votave në Kuvendin Zgjedhor të klubit.

KB Prishtina ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor, ku tashmë klubi i basketbollit ka një president të ri, me Bekë Berishën, që ka fituar shumicën e votova.

Ka qenë vetë Berisha që e ka konfirmuar për Telegrafin, zgjedhjen e tij në krye të klubit më të trofeshëm të basketbollit në vend.

Ai e zëvendëson Blerand Stavilecin, i cili më parë ka udhëhequr klubin dhe ishte kundërshtuar fuqishëm nga tifo-grupi “Plisat”, sidomos në muajt e fundit, ku edhe kishin mbajtur protesta.

Bekë Berisha ka një profil aktiv politik; ai ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe do të jetë edhe deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Me këtë zgjedhje, klubi synon të nisë një kapitull të ri nën drejtimin e Berishës dhe të forcojë stabilitetin organizativ dhe performancën sportive. /Telegrafi/

Sigal Prishtina triumfon bindshëm ndaj Vëllaznimit në Gjakovë

8 January 2026 at 21:02


Sigal Prishtina ka hedhur një hap të madh drejt gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në basketboll, duke regjistruar një fitore të bindshme ndaj Vëllaznimit në Gjakovë.

Në ndeshjen e parë çerekfinale, të zhvilluar në palestrën “Shani Nushi”, kryeqytetasit triumfuan me rezultatin 82:68.

Skuadra mysafire e nisi takimin më mirë, duke fituar çerekun e parë 17:14. Vëllaznimi reagoi në periodën e dytë dhe arriti ta fitojë atë ngushtë me rezultat 20:19, por kjo nuk mjaftoi për të përmbysur rrjedhën e lojës.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, Sigal Prishtina tregoi superioritet të plotë, duke kontrolluar ritmin dhe lojën në të dyja anët e fushës. Çereku i tretë u fitua 25:15, ndërsa edhe periudha e fundit përfundoi në favor të prishtinasve 21:19, duke vulosur fitoren me 14 pikë diferencë.

Deondre Burns ishte një nga lojtarët më të dalluar te “bardhekaltërit”, duke regjistruar 16 pikë, shtatë asistime dhe dy kërcime. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Kahlil Dukes me 17 pikë dhe Adrio Bailey me 16 pikë të tjera.

Te Vëllaznimi, paraqitjen më të mirë e pati Jericole Hellems, i cili realizoi 25 pikë, siguroi 12 kërcime dhe shpërndau tri asistime, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

Ndeshja e kthimit do të vendosë përfundimisht ekipin që do të sigurojë dy fitore dhe do të avancojë në gjysmëfinale, ku përballë do të ketë fituesin e çiftit Bashkimi – GO+ Peja./Telegrafi/

U deshën vazhdimet - Sigal Prishtina humb ndaj Tindastolli në ENBL

6 January 2026 at 22:17


Sigal Prishtina ka pësuar humbje në ligën ndërkombëtare ENBL. Të martën mbrëma, në Pallatin e Sportit dhe në një ambient me pak spektatorë, ekipi prizrenas u mposht nga Tindastolli me rezultat 104:98, pas një vazhdimi prej pesë minutash.

Për Prishtinën, Deondre Burns ishte më i dalluari, duke shënuar 31 pikë, shtatë kërcime dhe pesë asistime.

Adrio Bailey kontribuoi me 27 pikë, 12 kërcime dhe dy asistime, ndërsa Don Polloshka dhe Dion Haxhosaj realizuan nga 11 pikë secili.


Te mysafirët nga Islanda, Dedrick Basile udhëhoqi skuadrën me 27 pikë, duke shtuar edhe pesë kërcime dhe pesë asistime.

Pas kësaj humbjeje, Sigal Prishtina ka bilanc prej katër fitoreve dhe tre humbjeve në këtë sezon të ENBL-së. /Telegrafi/

Sigal Prishtina triumfon ndaj Vëllaznimit në Prizren

20 December 2025 at 21:42


Sigal Prishtina fitoi duelin ndaj Vëllaznimit me rezultat 74:68, përballje që u zhvillua në Prizren.

Bardhekaltrit e nisën ndeshjen shumë mirë, duke fituar bindshëm çerekun e parë, e më pas, përkundër tentimeve nga mysafirët, arritën të ruajnë epërsinë për të fituar në fund 74:68.

Adrio Bailey u dallua te kryeqytetasit me 21 pikë e 12 kërcime, derisa Jericole Hellems e mbylli ndeshjen me 29 pikë e gjashtë kërcime.

Sigal Prishtina numëron shtatë fitore e gjashtë humbje pas 13 javësh në ProCredit Superligës, kurse Vëllaznimi katër fitore e tetë humbje./Telegrafi/

GO+ Peja e mposht bindshëm Sigal Prishtinën

17 December 2025 at 20:51


GO+ Peja shënoi fitore bindëse ndaj Sigal Prishtinës me shifrat 98:67 (29:20, 15:12, 32:14, 22:21), në javën e 12-të të ProCredit Superligës.

Verdhezinjtë ishin më të mirë nga fillimi deri në fund, duke shënuar fitore të merituar. Vendasit ishin shumë më të mirë sidomos në periodën e tretë, ku u bë shkëputja e madhe, derisa triumfuan në fund 98:67.

GO+ Peja në pushim shkoi me 11 pikë epërsi, 44:32, ndërsa dallimi shumë i madh në rezultat u bë në çerekun e tretë që u mbyll 32:14.


Te vendasit më i miri ishte Skyler Flatten me 21 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime, derisa te mysafirët u dalluan Kelby Kramer me 16 pikë e tetë kërcime dhe Arian Azemi me 19 pikë.

GO+ Peja ka tetë fitore e katër humbje, ndërsa Sigal Prishtina gjashtë fitore e gjashtë humbje. /Telegrafi/

Prishtina fiton derbin ndaj Bashkimit, në ndeshjen që u ndërpre për më shumë se një orë

14 December 2025 at 22:20


Në një sfidë dramatike, Sigal Prishtina shënoi fitore ndaj Bashkimit me rezultat 72:70 (17:24, 25:15, 16:18, 14:13), në javën e 11-të të ProCredit Superligës.

Ndeshja ishte ndërprerë në çerekun e parë për shkak të incidenteve të tifozëve. Dhjetëra tifozë të Prishtinës, të njohur si “Plisat”, hynë në palestër dhe hodhën mjete tymosëse, duke krijuar një situatë kaotike. Protesta e tyre është për kryesinë e klubit, pas vitesh pa titull kampioni. Ndeshja vazhdoi pas më shumë se një ore.


Në çerekun e parë mysafirët kishin epërsi konstante, duke fituar këtë pjesë 17:24, por kundërpërgjigja e prishtinasve erdhi menjëherë në periudhën e dytë, për të shkuar në pushim me rezultat 42:39.

Perioda e tretë ishte e barabartë dhe e luftuar nga të dy skuadrat, duke e bërë sfidën në kryeqytet edhe më interesante, derisa fituesi u vendos në dhjetëminutëshin e fundit.

Dramë u zhvillua deri në fund, me bardhekaltrit që ishin më të vëmendshëm në momentet vendimtare, derisa në aksionin e fundit për prizrenasit Anderson nuk ishte i saktë për tri pikë.


Kelby Kramer kishte dhjetë pikë e 15 kërcime te vendasit, kurse Kyan Anderson 20 pikë te mysafirët.

Sigal Prishtina ka gjashtë fitore e pesë humbje, ndërsa Bashkimi shtatë fitore e katër humbje. /Telegrafi/

Plisat vazhdojnë protestën ndaj kryesisë, ndërpritet ndeshja Prishtina - Bashkimi

14 December 2025 at 19:55


Ndeshja mes Sigal Prishtinës dhe Bashkimit u ndërpre që në çerekun e parë për shkak të incidenteve të tifozëve.

Dhjetëra tifozë të Sigal Prishtinës, të njohur si “Plisat”, hynë në palestër dhe hodhën mjete tymosëse, duke krijuar një situatë kaotike dhe duke detyruar gjyqtarin të ndalojë përkohësisht takimin.

Zhvillohej minuta e shtatë e takimit, kur rezultati ishte 7-9 në të mirë të mysafirëve.

Incidenti vjen pas një periudhe të tensionuar mes tifozëve dhe kryesisë së klubit, ku “Plisat” kanë shprehur shpesh pakënaqësitë e tyre ndaj menaxhimit të Sigal Prishtinës.


Protestat ndaj presidentit Blerand Stavilevci dhe drejtuesit Florian Miftari ka javë që kanë filluar, ku po kërkohet largimi i tyre.

Ende nuk dihet se kur do të vazhdojë takimi, ndërsa klubi dhe organizatorët po shqyrtojnë hapat e mëtejshëm për të garantuar një ambient të sigurt për lojtarët dhe tifozët e mbetur. /Telegrafi/

"Më mirë të luash në Kosovë, se sa në Kroaci" - basketbollist kroat flet për eksperiencën te klubet kosovare

14 December 2025 at 16:33


Basketbollisti kroat Henrik Sirko ka folur hapur për përvojën e tij disa vjeçare në basketbollin e Kosovës, duke e krahasuar atë drejtpërdrejt me kampionatin kroat.

Sirko u rikthye këtë sezon në Kroaci pas pesë sezoneve të kaluara në Kosovë, por thekson se atje ka gjetur një ambient dhe një pasion që mungon në ligën vendase. Ai luajti për klube si Peja, Prishtina, Ylli dhe Bora.

Sipas tij, investimi në basketboll dhe interesimi i tifozëve në Kosovë janë në nivel dukshëm më të lartë. Ai të gjitha këto i foli në Sportcast që prodhohet nga mediumi Sportske Novosti.

“Jam i lumtur që Cibona luajti kundër Bashkimit këtë sezon, i cili nuk është një ekip i fortë në Kosovë, kështu që pamë se si u paraqit Cibona në transfertë, para një salle plot. Në Kosovë, sallat janë plot, ka tension të madh, investohet shumë në basketboll, pritet një rezultat, dhe kjo është ajo që më tërhoqi”, deklaroi Sirko.

Kroati thekson se edhe cilësia e huajve dhe trajnerëve është më e lartë në Kosovë se sa në Kroaci, duke e bërë ligën më konkurruese.

“Liga atje ka tetë klube, dhe vit pas viti liga është e barabartë, kushdo mund të mposhtë këdo. Ata kanë një rregull prej pesë të huajsh, tre prej të cilëve mund të jenë në fushë. Ata sjellin trajnerë nga liga turke, ish-trajneri i kombëtares së BiH-së Adis Beciragic ka qenë atje për gjashtë sezone, shumë nga trajnerët tanë kanë qenë në Kosovë ose kanë qenë atje”, tregon ai.

Ai shton se dallimi kryesor mes dy ligave është atmosfera dhe kultura sportive.

“Dallimi më i madh midis ligës së Kosovës dhe ligës sonë është se klubet atje kanë shumë spektatorë, ka një dëshirë të tillë për të blerë një biletë. Ne nuk e kemi atë pritshmëri për ndeshjet, ndërsa ata e kanë.”

“Për shembull, fiton një trofe dhe pastaj 1,500 njerëz të ndjekin në një palestër mysafire me një kapacitet prej 3,000 personash, dhe pastaj ka 8,000 njerëz përreth teje në festë. Kjo është ajo që më tërhoqi, nuk ishte as kontrata”, shtoi ai.

Në fund, ai jep një konstatim të drejtpërdrejtë dhe kritik për realitetin e basketbollit kroat.

“Është e trishtueshme që është më mirë të shkosh të luash në Kosovë ose Rumani sesa të qëndrosh në Kroaci, por lojtarët duhet të gjejnë rrugën e tyre”, përfundoi Sirko. /Telegrafi/


- YouTube www.youtube.com

❌
❌