Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Bashkimi triumfon me rezultat të thellë ndaj Prishtinës

4 February 2026 at 22:29


Bashkimi ka bërë një hap të madh drejt finales së Kupës së Kosovës në basketboll, pasi ka regjistruar fitore bindëse në gjysmëfinalen e parë.

Të mërkurën mbrëma, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, skuadra vendase triumfoi ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 83:67, duke krijuar një avantazh të konsiderueshëm para ndeshjes së kthimit.

Takimi nisi më mirë për mysafirët nga kryeqyteti, të cilët fituan çerekun e parë me shifrat 20:14. Sigal Prishtina ruajti epërsinë edhe në periudhën e dytë, e cila përfundoi 19:18 në favor të saj, duke shkuar në pushim me epërsi 39:32.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pauzës. Bashkimi shpërtheu në çerekun e tretë, të cilin e fitoi bindshëm 27:13, duke përmbysur rezultatin dhe marrë kontrollin e plotë të ndeshjes. Në çerekun e fundit, prizrenasit vetëm sa e rritën diferencën për të vulosur fitoren.

Lejson Zeqiri ishte më i dalluari te Bashkimi me 17 pikë, tetë kërcime dhe tri asistime. Isaiah Cousins kontribuoi me 19 pikë, tri asistime dhe dy kërcime, ndërsa Shannon Shorter shtoi 18 pikë dhe pesë kërcime. Dequon Lake e mbylli ndeshjen me 15 pikë dhe pesë kërcime.

Te Sigal Prishtina, më efikasi ishte Elijah Clarence me 20 pikë, nëntë kërcime dhe pesë asistime, ndërsa Altin Morina realizoi 15 pikë dhe gjashtë kërcime.

Ndeshja e kthimit e kësaj gjysmëfinale do të zhvillohet pas një jave në Prishtinë, por Bashkimi udhëton me një epërsi të madhe drejt duelit vendimtar. /Telegrafi/

KB Bashkimi i “fortë” për Prishtinën

31 January 2026 at 21:06


Pas një fillimi relativisht të baraspeshuar, Bashkimi e rriti intensitetin në pjesën e dytë të çerekut të dytë dhe në vazhdimësi arriti të krijojë epërsi të qëndrueshme.

Në pushimin mes pjesëve, vendasit hynë me avantazh të qartë, ndërsa në çerekun e tretë e thelluan edhe më shumë diferencën, duke e mbyllur atë pjesë me rezultat 65-42.

Në çerekun e katërt, Bashkimi vazhdoi me lojë të organizuar në të dyja fazat e lojës, duke mos i dhënë mundësi Sigal Prishtinës të afrohet në rezultat. Diferenca maksimale arriti në +28, ndërsa ndeshja u mbyll me shifrat përfundimtare 84-63.

Te Bashkimi, më efikasi ishte S. Shorter me 24 pikë (9/14 nga loja), ndërsa I. Nwamu zhvilloi paraqitje shumë efikase me 21 pikë (9/12 nga loja). Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe L. Zeqiri me 11 pikë, D. Lake me 8 pikë dhe 7 kërcime, si dhe M. Armstead me 7 pikë dhe 3 asistime. Nga banka u veçua T. Bickerstaff me 4 pikë dhe 6 kërcime.

Te Sigal Prishtina, më të dalluarit ishin K. Dukes me 17 pikë dhe E. Clarance gjithashtu me 17 pikë dhe 5 asistime, ndërsa V. Kakruki kontribuoi me 7 pikë. Megjithatë, mysafirët patën vështirësi në realizim nga distanca, duke përfunduar ndeshjen me vetëm 4/24 për tri pikë.

Në statistikat ekipore, Bashkimi realizoi 50% nga loja (31/62) dhe përfitoi nga gabimet e kundërshtarit me 18 pikë nga topat e humbur, ndërsa dominoi edhe në pikët nga tranzicioni dhe rastet e dyta. Sigal Prishtina, pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti ta mbajë ritmin ofensiv dhe mbeti prapa gjatë gjithë pjesës së dytë.

Me këtë fitore, Bashkimi e konfirmon formën e mirë para ndeshjeve të radhës, ndërsa Sigal Prishtina do të kërkojë reagim në takimet në vijim.

Bashkimi ka shënuar fitore si vendas ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 84-63, në një ndeshje ku vendasit dominuan nga çereku i parë e tutje dhe nuk e lëshuan kontrollin deri në fund./Telegrafi

Trepça fiton derbin me Bashkimin dhe vazhdon të prijë si lider

25 January 2026 at 21:01


Trepça regjistroi fitoren e tetë radhazi në Superligën e Kosovës në basketboll, duke mposhtur Bashkimin 90:81 në kryendeshjen e xhiros së 17-të në “Minator”.

Pjesa e parë ishte e niveluar. Çereku i parë u takoi mitrovicasve 28:19, por Bashkimi u kthye më pas në periudhën e dytë, të cilën e fitoi 25:19.

Shkëputja e “xehetarëve” u bë në çerekun e tretë. Trepça e fitoi 26:17 periudhën e tretë, ndërsa e katërta u takoi prizrenasve, 20:17.

Mitrovicasit kryesojnë tani me 31 pikë (14 fitore, 3 humbje), ndërsa Bashkimi mbetet me 28 pikë (11 fitore, 6 humbje).


Te Trepça, Akili Vining ishte lider me 23 pikë, 9 asistime e 2 kërcime, ndihmuar nga Mikaile Tmusic (16 pikë, 6 kërcime) dhe Kenny Hasbrouck (16 pikë).

Te Bashkimi, më të mirët ishin Tj Bickerstaff (8 pikë, 8 kërcime), Shanon Shorter (13 pikë, 7 kërcime) dhe Isaiah Cousins (13 pikë).


Trepça vijon formën e shkëlqyer të fundvitit, ndërsa mesjavë siguroi avancimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Bashkimi gjithashtu avancon pas dy fitoreve ndaj GO+ Pejës. /Telegrafi/

Tifozët e Pejës ndërprenë ndeshjen për disa minuta, Bashkimi avancon në gjysmëfinale

22 January 2026 at 21:12


Bashkimi e ka siguruar gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës duke eliminuar GO+ Pejën në përballjen mjaftë dramatike.

Skuadra prizrenase triumfoi me rezultat 70-73 (22-20, 17-22, 11-12, 20-19).

Peja e nisi më mirë për ta mbyllur çerekun e parë me dy pikë avantazh, mirëpo Bashkimi u këndell në çerekun e dytë duke e përmbysur rezultatin, për të shkuar tre pikë përpara.

Çereku i tretë ishte tepër i baraspeshuar, ku Bashkimi e mbylli me një pikë avantazh (11-12), ndërsa pavarësisht përpjekjeve Peja nuk arriti të shkaktonte ndonjë përmbysje për t’i thyer mysafirët (20:19).

Vlen të ceket së në minutën e fundit, ndeshja u ndëprrerë për disa minuta shkaku i pakënaqësive të tifozëve të Pejës që hodhën gjësende në parket.

Tifozët vendas në shenjë proteste gjuajtën mjete tymosëse si dhe bënë fyerje në drejtim të kryesisë së klubit pejan.

Më i dalluari në këtë sfidë ishte Lake me 17 pikë, ndihmuar nga Armstead me 13 sosh. Ndërsa te Peja më i dalluari doli të jetë Flatten me 17 pikë./Telegrafi/

Bashkimi shkëlqen në dy çerekët e fundit dhe mposht Rahovecin

18 January 2026 at 21:57


Bashkimi shënoi fitore të rëndësishme ndaj Rahoveci 029 me shifrat 90:70 (19:19, 18:22, 24:16, 29:13), në javën e 16-të të ProCredit Superligës.

Përballja e zhvilluar në Prizren në pjesën e parë ishte e baraspeshuar me çerekun e parë që përfundoi 19:19, derisa mysafirët për një nuancë ishin më të mirë në periudhën e dytë, 18:22.

Megjithatë, prizrenasit u rikthyen fuqishëm në pjesën e dytë për të shënuar fitore me 20 pikë dallim, 90:70.

Lejson Zeqiri ishte më i miri te vendasit me 21 pikë e gjashtë kërcime, kurse te ‘Vreshtarët’, Bardh Rexha kishte 20 pikë e katër kërcime.

Bashkimi është në vendin e dytë me 11 fitore e pesë humbje, kurse Rahoveci 029 ka pesë e 11 humbje./Telegrafi

Tjetër skandal në basketbollin kosovar: Asistenti i Bashkimit goditet me shishe nga tifozët e Vëllaznimit

14 January 2026 at 19:52


Një incident serioz ka ndodhur në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë gjatë zhvillimit të ndeshjes së basketbollit mes Vëllaznimit dhe Bashkimit.

Një tifoz i Vëllaznimit nga tribunat ka goditur me shishe ndihmëstrajnerin e skuadrës së Bashkimit nga Prizreni, Bledar Gjeqaj.

Si pasojë e goditjes, Gjeqaj ka pësuar lëndim dhe është rrëzuar në parket, duke shkaktuar reagime të menjëhershme nga stafet dhe zyrtarët e ndeshjes.

Pas këtij incidenti, gjyqtari kryesor vendosi ta ndërpresë ndeshjen, për shkak të mungesës së sigurisë dhe pamundësisë për vazhdimin normal të takimit.

Ky rast vjen vetëm pak ditë pas një tjetër ngjarjeje shqetësuese në Prizren, ku basketbollisti i Pejës, Dardan Berisha, ishte goditur nga tifozët e Bashkimit, duke ngritur sërish alarmin për dhunën në sport dhe mungesën e kontrollit në palestra.

Ngjarja pritet të ketë jehonë të madhe në organet disiplinore të basketbollit kosovar, ndërsa kërkohet reagim institucional për të garantuar sigurinë e sportistëve dhe stafit teknik në ndeshjet e ardhshme./Telegrafi/

Bora e fiton dramën ndaj Bashkimit

10 January 2026 at 22:55


Në një dramë të vërtetë të zhvilluar në Prizren, Bora fitoi ndaj Bashkimit me shifrat 83:85 (20:18, 21:22, 23:25, 19:20), në javën e 14-t të ProCredit Superligës.

Përballja ka qenë mjaft interesante, duke u vendosur në sekondat e fundit. Çerekun e parë për një nuancë e fituan vendasit, 20:18, derisa lojë e baraspeshuar u zhvillua edhe në periudhën e dytë dhe të tretë.

Prishtinasit katër minuta nga fundi ishin duke fituar 76:81, kur Portokallezinjtë me një seri të suksesshme përmbysën shifrat në 83:81, por skuadra prishtinase nuk u dorëzua, derisa Alex Hunter shënoi trepikësh dhjetë sekonda nga fundi për 83:85.

Te vendasit Shannon Shorter ishte më i miri me 23 pikë, derisa te mysafirët Hunter e përfundoi ndeshjen me 19 pikë, aq sa edhe Shaquan Jules, kurse Tyler Cheese kishte 24 pikë.

Bashkimi ka nëntë fitore e pesë humbje, ndërsa Bora gjashtë fitore e tetë humbje./Telegrafi

KB Bashkimi merr një dënim të rëndë nga FBK-ja pas incidentit në ndeshjen ndaj Pejës

9 January 2026 at 17:39


Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë masa të rrepta ndaj Bashkimit të Prizrenit pas incidenteve që ndodhën gjatë ndeshjes së së enjtes mbrëma kundër Pejës, një përballje për Kupën e Kosovës që u ndërpre për më shumë se 40 minuta.

Si pasojë e vendimit të FBK-së, Bashkimi është i detyruar të paguajë një gjobë prej 3,200 eurosh dhe do të luajë tri ndeshjet e ardhshme pa praninë e tifozëve në tribunën ballore, pjesë që zakonisht zë shumicën e mbështetësve të skuadrës.

Ky vendim ka për qëllim të parandalojë përsëritjen e sjelljeve të rrezikshme dhe të sigurojë një ambient të sigurt për lojtarët dhe stafit.

Incidenti që shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes ndodhi kur kapiteni i Pejës, Dardan Berisha, u godit me një shkrepëse në kokë nga një nga tifozët, duke bërë që gjyqtari të ndërpresë përballjen për më shumë se 40 minuta derisa situata u qetësua.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta nga klube, lojtarë dhe opinion publik, të cilët kanë kërkuar masa të ashpra për të parandaluar dhunën në basketbollin kosovar.

Ky vendim i FBK-së për Bashkimin nuk është i izoluar, Federata ka qenë e qartë se nuk do të tolerojë sjellje që rrezikojnë sigurinë e lojtarëve apo eprorëve të ndeshjes.

Ndërkohë, Peja do të vazhdojë garën e Kupës pa pasur ndikim të drejtpërdrejtë nga incidenti dhe kapiteni Dardan Berisha është rikuperuar nga goditja, sipas raportimeve zyrtare të klubit./Telegrafi/

FBK reagon pas sulmit ndaj Dardan Berishës në Prizren, paralajmëron masa të rënda ndëshkuese për Bashkimin

9 January 2026 at 12:36


Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dënon me ashpërsi incidentin gjatë ndeshjes KB Bashkimi – KB Go+ Peja, ku lojtari i ekipit mysafir, Dardan Berisha u godit me një shkrepëse dhe pati fyerje të tifozëve, duke cenuar rëndë sportivitetin dhe imazhin e basketbollit kosovar. FBK paralajmëron masa drastike ndaj çdo përsëritjeje të këtij lloji sjelljeje në palestrat e vendit.

Gjatë çerekfinales së Kupës së Kosovës në Prizren, lojtari i KB Go+ Peja, Dardan Berisha, u godit nga tribuna me një shkrepëse, një akt që Federata e Basketbollit e konsideron të papranueshëm dhe rrezik për sigurinë e sportistëve.

Përveç kësaj, gjatë ndeshjes janë dëgjuar fyerje dhe sharje ndaj ekipit mysafir, duke cenuar rëndë atmosferën sportive dhe reputacionin e basketbollit.

FBK ka hapur menjëherë procedura disiplinore dhe paralajmëron se organizatori dhe klubet përgjegjëse do të përballen me masa të rënda ndëshkuese, që mund të përfshijnë gjoba, mbyllje palestrash apo humbje të ndeshjeve me rezultat zyrtar.

Federata thekson se toleranca për dhunë dhe sjellje fyese është ZERO dhe bën thirrje për respekt dhe sportivitet të pakompromis.

Komunikata e FBK-së

Komunikatë për Media

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme incidentin e rëndë të ndodhur gjatë ndeshjes ndërmjet KB Bashkimi dhe KB Go+ Peja, e zhvilluar mbrëmë në Prizren në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës.

Gjatë minutës së tretë të çerekut të dytë, lojtari i KB Go+ Peja, Dardan Berisha, është goditur nga tribuna me një shkrepëse, një akt i rrezikshëm, i turpshëm dhe absolutisht i papranueshëm në një ngjarje sportive. Po ashtu, gjatë ndeshjes janë dëgjuar fyerje dhe sharje ndaj ekipit mysafir, të cilat cenojnë rëndë imazhin e basketbollit dhe çdo normë të sportivitetit.

FBK njofton publikun dhe opinionin sportiv se ka hapur menjëherë procedurë disiplinore dhe se organizatori do të përballet me masa të rënda ndëshkuese, sipas akteve normative në fuqi. Toleranca për dhunë, sulme fizike apo sjellje fyese në palestrat tona është ZERO.

Federata kërkon nga klubet që të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë në tribunat e tyre dhe paralajmëron se çdo përsëritje e incidenteve të kësaj natyre në të ardhmen do të sjellë masa drastike, përfshirë gjoba të larta, mbyllje palestrash dhe/ose humbje të ndeshjeve me rezultat zyrtar.

FBK u bën thirrje të gjithë tifozëve të vërtetë të basketbollit që të mos tolerojnë individë apo grupe që e njollosin sportin tonë. Ata nuk e përfaqësojnë basketbollin kosovar dhe nuk do të lejohen ta shkatërrojnë atmosferën sportive.

Me respekt

Federata e Basketbollit të Kosovës

/Telegrafi/

Bashkimi triumfon në derbin e tensionuar ndaj GO+ Pejës

8 January 2026 at 21:43


Bashkimi ka regjistruar fitore të rëndësishme ndaj GO+ Pejës në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll, në një përballje të zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, e cila u shoqërua edhe me incidente serioze.

Takimi u ndërpre rreth shtatë minuta para përfundimit të pjesës së parë, pasi nga tribunat u hodhën gjësende në parket, duke shkaktuar lëndim te kapiteni i Pejës, Dardan Berisha, i cili pësoi një të çarë në ballë.

Pas incidentit, skuadra mysafire u tërhoq nga parketi, ndërsa loja rifilloi pas afro 40 minutash, pasi një pjesë e tribunës qendrore u zbraz me vendim të organeve përkatëse.

Pavarësisht ndërprerjes së gjatë, loja vazhdoi dhe Bashkimi arriti ta ruajë epërsinë, duke triumfuar me rezultat 96:90. Prizrenasit e mbyllën pjesën e parë me avantazh prej tetë pikësh, 48:40.

Çereku i tretë ishte i barabartë, 24:24, ndërsa në dhjetëminutëshin e fundit, GO+ Peja u tregua më efikase duke e fituar atë 26:24, por pa arritur ta përmbysë rezultatin final.

Shannon Shorter ishte lojtari më i dalluar te Bashkimi, duke realizuar 27 pikë, katër kërcime dhe katër asistime.

Kontribut të rëndësishëm dha edhe Isiah Cousins, i cili regjistroi një “double-double” me 17 pikë dhe 10 asistime, të shoqëruara edhe me pesë kërcime.

TJ Bickerstaff shtoi 16 pikë, ndërsa Ike Nëamu dhe Dequon Lake kontribuuan me nga 11, përkatësisht 10 pikë.

Te GO+ Peja, kapiteni Dardan Berisha, pavarësisht lëndimit, e mbylli ndeshjen me 20 pikë, katër kërcime dhe dy asistime.

Performancën më të plotë statistikisht e pati Tajh Green, i cili regjistroi “double-double” me 10 pikë dhe 12 kërcime, duke shtuar edhe një asistim.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas dy javësh në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ku do të përcaktohet ekipi që do të sigurojë dy fitore dhe do të avancojë në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës./Telegrafi/

Ndërpritet ndeshja në Prizren, Dardan Berisha goditet në kokë nga gjësendet e hedhura nga tifozët

8 January 2026 at 19:46


Ndeshja çerekfinale e Kupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Pejës u ndërpre pas incidenteve të papranueshme nga tifozët në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Shikuesit hodhën gjësende drejt parketit, duke shkaktuar ndërprerjen e takimit dhe alarmuar lojtarët dhe stafin teknik. Rezultati në ato momente ishte 32-21 në të mirë të Bashkimit.

Si pasojë e këtyre veprimeve, basketbollisti i Pejës, Dardan Berisha, pësuar lëndime në kokë nga goditjet dhe objekte të hedhura nga publiku, duke e detyruar skuadrën pejane të largohej nga parketi drejt dhomës së zhveshtjes.

“Basketbollistit tonë Dardan Berisha i është dëmtuar koka nga goditjet dhe hedhjet e publikut në Prizren. Për sigurinë e lojtarëve tanë, skuadra largohet në drejtim të zhveshtoreve”, thuhet në njoftimin e klubit të Pejës.


Autoritetet e klubit dhe organizatorët e ndeshjes po bëjnë vlerësimin e situatës për të vendosur masat e mëtejshme dhe sigurinë e lojtarëve dhe publikut.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi”, ku pritet të garantohet një ambient i sigurt për të dy skuadrat. /Telegrafi/

Bashkimi rikthehet tek fitoret pas katër humbjeve, mposht Golden Eagle Yllin

18 December 2025 at 20:57


Pas katër humbjeve, Bashkimi u rikthye te fitorja, duke mundur Golden Eagle Yllin në Therandë me rezultat 78:77 në javën e 12-të në ProCredit Superligës.

Në një sfidë interesante dhe të luftuar deri në momentet e fundit, ishin prizrenasit më të vëmendshëm në fund, që u ndihmoi të shënojnë fitore, derisa therandasit tentuan deri në fund, por pa sukses.

Kyan Anderson kishte 22 pikë e tetë asistime te prizrenasit, ndërsa Lejson Zeqiri shtoi 15 pikë e shtatë kërcime, ndërsa te therandasit Antëan Scott shënoi 23 pikë.

Bashkimi pas 12 javësh ka tetë fitore e katër humbje, kurse Golden Ealge Ylli tri fitore e nëntë humbje./Telegrafi/

Prishtina fiton derbin ndaj Bashkimit, në ndeshjen që u ndërpre për më shumë se një orë

14 December 2025 at 22:20


Në një sfidë dramatike, Sigal Prishtina shënoi fitore ndaj Bashkimit me rezultat 72:70 (17:24, 25:15, 16:18, 14:13), në javën e 11-të të ProCredit Superligës.

Ndeshja ishte ndërprerë në çerekun e parë për shkak të incidenteve të tifozëve. Dhjetëra tifozë të Prishtinës, të njohur si “Plisat”, hynë në palestër dhe hodhën mjete tymosëse, duke krijuar një situatë kaotike. Protesta e tyre është për kryesinë e klubit, pas vitesh pa titull kampioni. Ndeshja vazhdoi pas më shumë se një ore.


Në çerekun e parë mysafirët kishin epërsi konstante, duke fituar këtë pjesë 17:24, por kundërpërgjigja e prishtinasve erdhi menjëherë në periudhën e dytë, për të shkuar në pushim me rezultat 42:39.

Perioda e tretë ishte e barabartë dhe e luftuar nga të dy skuadrat, duke e bërë sfidën në kryeqytet edhe më interesante, derisa fituesi u vendos në dhjetëminutëshin e fundit.

Dramë u zhvillua deri në fund, me bardhekaltrit që ishin më të vëmendshëm në momentet vendimtare, derisa në aksionin e fundit për prizrenasit Anderson nuk ishte i saktë për tri pikë.


Kelby Kramer kishte dhjetë pikë e 15 kërcime te vendasit, kurse Kyan Anderson 20 pikë te mysafirët.

Sigal Prishtina ka gjashtë fitore e pesë humbje, ndërsa Bashkimi shtatë fitore e katër humbje. /Telegrafi/

Plisat vazhdojnë protestën ndaj kryesisë, ndërpritet ndeshja Prishtina - Bashkimi

14 December 2025 at 19:55


Ndeshja mes Sigal Prishtinës dhe Bashkimit u ndërpre që në çerekun e parë për shkak të incidenteve të tifozëve.

Dhjetëra tifozë të Sigal Prishtinës, të njohur si “Plisat”, hynë në palestër dhe hodhën mjete tymosëse, duke krijuar një situatë kaotike dhe duke detyruar gjyqtarin të ndalojë përkohësisht takimin.

Zhvillohej minuta e shtatë e takimit, kur rezultati ishte 7-9 në të mirë të mysafirëve.

Incidenti vjen pas një periudhe të tensionuar mes tifozëve dhe kryesisë së klubit, ku “Plisat” kanë shprehur shpesh pakënaqësitë e tyre ndaj menaxhimit të Sigal Prishtinës.


Protestat ndaj presidentit Blerand Stavilevci dhe drejtuesit Florian Miftari ka javë që kanë filluar, ku po kërkohet largimi i tyre.

Ende nuk dihet se kur do të vazhdojë takimi, ndërsa klubi dhe organizatorët po shqyrtojnë hapat e mëtejshëm për të garantuar një ambient të sigurt për lojtarët dhe tifozët e mbetur. /Telegrafi/

Bashkimi përballet me krizë lëndimesh pas tre disfatave rresht

11 December 2025 at 20:19


Pas disfatës 71:64 ndaj Trepçës në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, në kuadër të xhiros së dhjetë të elitës së basketbollit kosovar, Bashkimi ka bërë të ditur gjendjen e vështirë të ekipit për shkak të lëndimeve të shumta.

Kjo humbje shënoi disfatën e tretë rresht për skuadrën.

Klubi përballoi nënkampionen pa dy lojtarët amerikanë të lënduar, ndërsa gjatë ndeshjes u dëmtua edhe Valon Bunjaku.

“Jemi duke kaluar një periudhë të vështirë pas lëndimit të katër lojtarëve tanë, Valon Bunjaku, Isaiah Cousins, Jeremiah Bailey dhe Besim Bytyqi, një situatë që padyshim ka ndikuar në rezultatet e ekipit tonë në tri ndeshjet e fundit. Megjithatë, sfida të tilla na focojnë edhe më shumë”, ka deklaruar Bashkimi.

Klubi ka njoftuar gjithashtu se në ditët e ardhshme do të bëhen zyrtare disa transferime të reja, për të mbushur boshllëkun e krijuar nga lojtarët e lënduar.

Pas dhjetë ndeshjeve, Prizrenasit kanë arritur shtatë fitore dhe kanë pësuar tri humbje. /Telegrafi/

Trepça fiton derbin ndaj Bashkimit me përmbysje spektakolare

10 December 2025 at 20:47


Trepça ka triumfuar në Prizren ndaj Bashkimit, në derbin e javës së dhjetë të ProCredit Superligës.

Mitrovicasit fituan 64:71 (22:10, 14:18, 14:20, 14:23), ku edhe pse ishin duke mundur me 15 pikë dallim, arritën të shënojnë fitore me shtatë pikë dallim.

Sfida ishte interesante, me prizrenasit që e nisën fuqishëm 18:3, derisa çereku i parë përfundoi 22:10.

Por, më pas filluan të rikthehen mysafirët, që në tre periodat e radhës shënuan nga 14 pikë, por në fund fituan kampionët 64:71.

Më i miri te Portokallezinjtë ishte Dequon Lake me 20 pikë e 13 kërcime, ndërsa te ‘Xehetarët’ më i miri ishte Mikaile Tmusic me 20 pikë, shtatë kërcime e tri asistime.

Bashkimi pësoi humbjen e tretë radhazi pas shtatë fitoreve radhazi, ndërsa Trepça ka gjashtë fitore e tri humbje./Telegrafi/

Rahoveci 029 merr fitore të madhe duke mposhtur liderin Bashkimin

6 December 2025 at 19:27


Rahoveci 029 ka shënuar fitore shumë të rëndësishme dhe të madhe, duke fituar ndaj liderit Bashkimit me rezultat 77:72.

Pjesa e parë ishte kryesisht e baraspeshuar, me vendasit që për një nuancë ishin më të mirë, duke fituar çerekun e parë 19:17 dhe atë të dytë 21:17, për të shkuar në pushim me shifrat 40:34.

Perioda e tretë i takoi tërësisht mysafirëve që ishin më të mirë 11:20, por në periudhën e fundit dhe atë vendimtare, ‘Vreshtarët’ bën përmbysjen për të fituar 26:18.

Më i miri te vendasit ishte Kentrell Pullian me 26 pikë, pesë kërcime e nëntë asistime, derisa te mysafirët më i miri ishte Kyan Anderson me 28 pikë e gjashtë asistime.

‘Vreshtarët’ kanë katër fitore e pesë humbje, ndërsa për Portokallezinjtë ishte humbja e dytë radhazi pas shtatë fitoreve radhazi./Telegrafi/

Kupa e Kosovës në basketboll sjell çerekfinale të forta

2 December 2025 at 16:16


Fituesja aktuale e Kupës së Kosovës, Trepça, do të ketë një sfidë të fortë në çerekfinale, ku do të përballet me Golden Eagle Yllin.

Shorti për këtë fazë u tërhoq të martën në ambientet e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Një duel mjaft interesant pritet edhe ndërmjet Bashkimit dhe Pejës, ndërsa ndeshje e balancuar shihet ajo mes Rahovecit 029 dhe Borës.

Po ashtu, shumë vëmendje pritet të marrë edhe përballja Vëllaznimi – Sigal Prishtina, që konsiderohet një nga sfidat më të forta të raundit.

Sipas njoftimit të FBK-së: Fituesi i çiftit Bashkimi – GO+ Peja do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e duelimit Vëllaznimi – Sigal Prishtina.

Ndërsa fituesi i sfidës Trepça – Golden Eagle Ylli do të ndeshet me fituesin e takimit Rahoveci 029 – Bora.

Në këtë fazë, skuadrat do të luajnë nga dy ndeshje, dhe ekipi me rezultat më të mirë total do të avanconi në gjysmëfinale. Edhe gjysmëfinalet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. /Telegrafi/

Superliga rikthehet në aksion, derbi mes Pejës dhe Trepçës

2 December 2025 at 13:50


ProCredit Superliga rikthehet në aksion pas ndeshjes së Kosovës me shumë ndeshje interesante.

Derbi i xhiros së tetë do të zhvillohet të enjten mbrëma mes GO+ Peja dhe Trepçës, që është përballja e fundit e kësaj xhiro. Sfidat ndërmjet këtyre dy skuadrave kanë dhuruar gjithmonë emocione dhe kështu pritet të enjten, me të dy skuadrat që kanë dhuruar shumë spektakël në këtë edicion dhe kanë ambicie të mëdha. Pejanët kanë gjashtë fitore e një humbje, derisa mitrovicasit katër fitore e dy humbje. Në takimin e parë në Mitrovicë fituan verdhezinjtë 80:86.

Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli është një përballje ku dy skuadrat synojnë fitoren, pasi që kohët e fundit nuk kanë pasur shumë rezultate pozitive. Bardhekaltrit kanë katër fitore e tri humbje, ndërsa therandasit një fitore e gjashtë humbje. Takimin e parë në Therandë e fituan kryeqytetasit 76:78, ndërsa edhe takimi i së mërkurës do të zhvillohet në Therandë.

Rahoveci 029-Bora po ashtu është një përballje shumë interesante dhe shumë e rëndësishme. ‘Vreshtarët’ kanë tri fitore e katër humbje, kurse prishtinasit një fitore e pesë humbje. Duelin e parë në kryeqytet e fitoi skuadra nga Rahoveci me rezultat 84:95.

Të enjten do të sfidohen Bashkimi me Vëllaznimin, ndeshje që do të zhvillohet në Gjakovë, pasi takimi i parë ishte zhvilluar në Prizren. Portokallezinjtë janë skuadra e vetme pa asnjë humbje me shtatë fitore në shtatë ndeshje, kurse Kuqezinjtë një fitore e gjashtë humbje. Përballjen e parë e fituan prizrenasit 69:106.

ProCredit Superliga-Java 8

E mërkurë

18:45 Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli

18:45 Rahoveci 029-Bora

E enjte

18:45 Bashkimi-Vëllaznimi

20:00 GO+ Peja-Trepça

Bashkimi arrin fitore të madhe, mposht ekipin e njohur italian Pallacanestro Reggiana

12 November 2025 at 21:19


Bashkimi arriti një fitore të madhe në arenën evropiane, duke triumfuar me rezultat të ngushtë 77:76 ndaj skuadrës italiane Pallacanestro Reggiana, në kuadër të xhiros së pestë të Grupit J në FIBA Europe Cup.

Sfida, e zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi”, përfundoi me një skenë spektakolare – një bllokadë vendimtare nga qendra amerikane De’Quon Lake, që ndali tentimin e fundit të Jaime Echenique dhe vulosi fitoren për skuadrën portokalli.

Ndeshja ishte një betejë e vërtetë nervash, me ritëm të lartë dhe ndryshime të shpeshta në rezultat.

Gjatë gjithë takimit, asnjë ekip nuk arriti të shkëputej ndjeshëm, ndërsa fundi ishte i denjë për film sportiv.

Një minutë e 19 sekonda para fundit, TJ Bickerstaff shënoi të dyja gjuajtjet e lira për ta kaluar Bashkimin në epërsi 76:75.

Italianët tentuan të riktheheshin, por humbën disa aksione të rëndësishme, ndërsa Jeremiah Bailey realizoi për 77:76, vetëm 11 sekonda para fundit.

Në aksionin e fundit të ndeshjes, Reggiana kërkoi fitore me një goditje të shpejtë, por Lake ndërhyri në mënyrë perfekte, duke bllokuar topin dhe shpëtuar Bashkimin.

Me këtë fitore, ekipi prizrenas arrin suksesin e dytë në grup, duke u barazuar me vetë Reggianan, të dyja me bilanc 2-3.

Ndërkohë, Dijoni dhe Cibona kryesojnë me nga tri fitore dhe dy humbje, por Bashkimi mbetet fuqishëm në garë për kalimin në fazën tjetër./Telegrafi/

❌
❌