Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

Kastrati dhe stafi i komunës sjellin gëzim për fëmijët në prag të Vitit të Ri

23 December 2025 at 12:42


Me rastin e festave të fundvitit 2025, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me mësimdhënësit dhe prindërit, organizuan një aktivitet të veçantë për fëmijët e komunës, duke sjellë buzëqeshje dhe atmosferë festive në prag të Vitit të Ri.

Gjatë aktivitetit, fëmijët u pritën me dhurata simbolike, argëtim dhe programe artistike të përgatitura posaçërisht për ta. Kryetari Kastrati uroi të gjithë fëmijët dhe familjet e tyre për shëndet dhe suksese në vitin e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e kujdesit dhe investimit në mirëqenien e brezit të ri.

“Fëmijët janë e ardhmja e komunitetit tonë, dhe institucioni do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që synojnë edukimin, argëtimin dhe zhvillimin e tyre”, tha Kastrati.

Prindërit dhe të pranishmit vlerësuan nismën si një gjest domethënës që forcon frymën e solidaritetit dhe festës në komunitet. Aktiviteti u mbyll me duartrokitje dhe urime për festa të mbara. /Telegrafi/


Arrestohet një person në Gjakovë për dhunë në familje, dy gra të keqtrajtuara

23 December 2025 at 08:33


Një person është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për ushtrim të dhunës në familje, ndaj dy viktimave femra, nënës dhe bashkëshortes së tij.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 22:30, i dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka keqtrajtuar fizikisht dy familjaret e tij.

Si pasojë e dhunës së ushtruar, njëra nga viktimat ka pranuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po trajtohet nga organet e rendit dhe drejtësisë. /Telegrafi/

Yesterday — 22 December 2025Main stream

Rruga Unazore në Junik po finalizohet

22 December 2025 at 08:06


Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka vizituar punimet që po zhvillohen në rrugët “Shyt Idrizi” dhe “Ali Salihu”, në lagjen Berishë, duke theksuar se këto segmente janë pjesë kyçe e projektit për ndërtimin e Rrugës Unazore.

“Nuk ka vikend kur bëhet fjalë për transformimin e Junikut tonë. Sot isha në terren për të parë nga afër ecurinë e punimeve në rrugët ‘Shyt Idrizi’ dhe ‘Ali Salihu’, të cilat janë hallka të rëndësishme që po na çojnë drejt finalizimit të projektit madhor – ndërtimit të Rrugës Unazore”, ka deklaruar Shehu.

Ai ka theksuar se institucionet komunale janë të vendosura që punimet të vazhdojnë pa ndërprerje deri në përfundimin e plotë të projektit.

“Jemi të vendosur që të mos ndalemi asnjë ditë derisa të përfundojmë çdo detaj. Unaza e qytetit po bëhet realitet”, ka shtuar kryetari i Junikut.

Sipas Komunës së Junikut, realizimi i Rrugës Unazore do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit rrugor, lehtësimin e trafikut dhe zhvillimin urban të qytetit, ndërsa punimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Njoftim për ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në Rahovec

19 December 2025 at 10:57


KRU Gjakova njofton qytetarët se, për shkak të rregullimit të një defekti në gypin Fi 160 në rrugën “Dëshmorët e Pashtrikut”, furnizimi me ujë në disa zona të Rahovecit është ndërprerë përkohësisht.

Pa ujë mbeten këto zona:

  • Rruga “Mexhit Mustafa”
  • Rruga “Sheh Myhedini”
  • Fshati Brestovc

Ekipet e KRU Gjakova janë në terren dhe po punojnë intensivisht për sanimin e defektit, me qëllim që furnizimi të rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur.

Kompania falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim. /Telegrafi/


Komisioni për Persona të Zhdukur jep detaje për mbetjet mortore të mundshme të viktimave të luftës në Rahovec

18 December 2025 at 15:49


Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), pas analizimit të të dhënave nga arkivat ndërkombëtare me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), ka nisur aktivitetet kërkimore në një lokacion në rajonin e Rahovecit, i njohur në evidencat kadastrale dhe nga komuniteti lokal si ‘Përzhina’, pranë varrezave të qytetit.

Gërmimet, të cilat kanë filluar ditën e djeshme, kanë rezultuar me gjetjen e dy pjesëve ështërore, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Gjatë ditës së sotme janë gjetur mbetje mortore të të paktën një individi, që mund t’i përkasin viktimave të luftës të përfshira në listën e personave të zhdukur.

Ky proces po realizohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Komisioni njofton se ky lokacion është i fundit që adresohen në kuadër të gërmimeve vlerësuese për vitin 2025.

Një prononcim për media lidhur me ecurinë e aktiviteteve kërkimore në këtë dhe lokacione të tjera do të mbahet të nesërmen, më 19 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 11:00, direkt nga lokacioni.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet e angazhuara në këtë proces theksojnë përkushtimin e tyre për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke respektuar ndjeshmërinë e procesit dhe dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre. /Telegrafi/


Kastrati falënderon Britaninë e Madhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës

18 December 2025 at 14:47


Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në dobi të qytetarëve.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, Kastrati e ka cilësuar takimin si të ngrohtë dhe miqësor, duke theksuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Malishevës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Malishevë Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, mikun tim, Jonathan Hargreaves. Ishte një takim i ngrohtë e miqësor, ku biseduam për bashkëpunim në dobi të qytetarëve tanë”, ka shkruar Kastrati.

Ai ka vlerësuar lart rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën, veçanërisht gjatë periudhave më të vështira për vendin.

“Malisheva, me shpirtin e saj mikpritës, vlerëson lart Britaninë e Madhe për rolin dhe mbështetjen e saj në periudhat më të vështira për vendin tonë”, ka theksuar kryetari i Malishevës.

Kastrati e ka falënderuar ambasadorin Hargreaves për vizitën dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj komunës dhe Kosovës. /Telegrafi/


Rikthehet furnizimi me ujë pas intervenimit në Rrugën “Tranzite” në Gjakovë

18 December 2025 at 12:28


KRU “Gjakova” ka njoftuar se punimet e planifikuara në Rrugën “Tranzite” për përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit kanë përfunduar me sukses, dhe furnizimi me ujë për konsumatorët është rikthyer.

Pas përfundimit të punimeve, qytetarët këshillohen që ujin ta lënë të rrjedhë për disa minuta, për të shmangur turbullimin e përkohshëm deri në shpëlarjen e plotë të rrjetit.

KRU “Gjakova” falënderon qytetarët për mirëkuptimin gjatë ndërprerjes së përkohshme të furnizimit dhe thekson se angazhimet për mirëmbajtjen dhe modernizimin e rrjetit të ujësjellësit do të vazhdojnë. /Telegrafi/


Komuna e Junikut u bën thirrje qytetarëve të shlyejnë obligimet për tatimin në pronë

18 December 2025 at 09:49


Komuna e Junikut u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që kanë obligime të papaguara për Tatimin në Pronë të Paluajtshme, që të kryejnë pagesat sa më parë, me qëllim shmangien e ndëshkimeve financiare.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Zyra e Tatimit në Pronë, thirrja bazohet në Ligjin Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, konkretisht në nenin 26, që i jep komunës autoritetin dhe kompetencën për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara që tejkalojnë shumën prej 10 eurosh.

Nga komuna bëhet e ditur se tatimpaguesit që nuk i kryejnë obligimet në kohë do të përballen me interes ndëshkimor prej 0.65 për qind për çdo muaj vonesë.

Po ashtu, në rast të mospagesës, Komuna e Junikut paralajmëron se do të zbatojë Manualin për Zbatimin e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara për Tatimin në Pronë, të miratuar nga Ministria e Financave – Departamenti i Tatimit në Pronë.

Ky manual parasheh një sërë masash, përfshirë dërgimin e letërkujtesave, njoftimin përfundimtar, marrjen e vendimit për ekzekutimin e mbledhjes së detyrueshme, si dhe kontratat për pagesë me këste.

Në fund të njoftimit, Komuna e Junikut falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke i inkurajuar ata që të respektojnë obligimet ligjore për tatimin në pronë.


Disa zona të Gjakovës do mbesin pa ujë të enjten

17 December 2025 at 23:36


KRU “Gjakova” njofton konsumatorët se, në kuadër të punimeve që po zhvillohen sipas projektit në rrugën Tranzite për përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.

Pas vendosjes së shumicës së pjesëve lidhëse, punimet kanë hyrë në fazën kur është e domosdoshme instalimi i dy pjesëve fazonike për kyçjen dhe degëzimin e gypit Ø 800 mm, në drejtim të Gjakova 2 dhe degëzimit për qendrën e qytetit.

Ky intervenim kërkon ndalje totale të rrjedhës së ujit në këtë segment të rrjetit, me qëllim realizimin e punimeve në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.

Ndërprerja e furnizimit me ujë është planifikuar për datën 18 dhjetor 2025, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri në 12:00.

Si pasojë, pa furnizim me ujë do të mbesin zona e rrugës Tranzite, qendra e qytetit, Blloku i Ri, Oriza, Brekoci, Moglica dhe Firza.

KRU “Gjakova” falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të këtyre punimeve, të cilat synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë në qytet. /Telegrafi/


Halil Kastrati ndryshon jetën e një të moshuari brenda 24 orësh

17 December 2025 at 18:57


Humanisti dhe hoxha Halil Kastrati ka ndërmarrë një veprim humanitar të veçantë duke strehuar një të moshuar të vetmuar dhe të braktisur në komunën e Malishevës.

Sipas njoftimit të bërë nga Kastrati në Facebook, i moshuari kishte qenë i rrënuar fizikisht dhe emocionalisht, i ftohtë, i uritur dhe i izoluar, duke shfaqur shenja të qarta lodhjeje dhe dëshpërimi.

Brenda vetëm 24 orëve që pas ndërhyrjes, i moshuari është dërguar në shtëpinë e të moshuarve, ku ka marrë trajtim të plotë: është larë, është veshur, ushqyer dhe ngrohur, ndërkohë që ka marrë mbështetje dhe respekt të plotë.

“Dhe mbi të gjitha, iu kthye shpresa. Sytë që dje ishin të fikur, sot qeshin, trupi që dje mezi qëndronte, sot ecën me dinjitet,” shkruan Kastrati në postim.

Ky rast tregon fuqinë e veprave humanitare të shpejta dhe të përkushtuara, duke ndryshuar jo vetëm pamjen, por edhe jetën e një personi të braktisur.

Kastrati falënderon të gjithë bamirësit që e mbështesin këtë punë dhe i bën thirrje shoqërisë për solidaritet ndaj më të pambrojturve. /Telegrafi/


Komuna e Rahovecit u bën thirrje qytetarëve të kryejnë pagesën e tatimit në pronë për vitin 2025

17 December 2025 at 18:20


Komuna e Rahovecit, përmes Drejtorisë për Buxhet dhe Financa – Zyra e Tatimit në Pronë, ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit që ende nuk e kanë kryer pagesën e tatimit në pronë për vitin 2025, që këtë obligim ta përmbushin brenda afatit ligjor.

Sipas njoftimit zyrtar, pagesa e tatimit në pronë duhet të realizohet më së largu deri më 31 dhjetor 2025, në mënyrë që të shmanget llogaritja e interesit dhe gjobave për vitin 2026.

Nga komuna bëhet e ditur se, në rast të moskryerjes së pagesës brenda këtij afati, do të aplikohen masa ndëshkuese financiare.

Konkretisht, parashihet një gjobë prej 10 për qind mbi shumën e tatimit të papaguar, si dhe interes mujor prej 0.65 për qind mbi borxhin ekzistues.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që ta kryejnë pagesën me kohë, duke theksuar se pagesa e tatimit në pronë përfaqëson një investim në të ardhmen dhe kontribuon drejtpërdrejt në interesin publik dhe zhvillimin e komunës. /Telegrafi/


Halil Kastrati strehon një të moshuar të braktisur në Malishevë

16 December 2025 at 23:28


Hoxha dhe humanisti Halil Kastrati ka ndërmarrë një veprim humanitar në Komunën e Malishevës, pas njoftimit për një të moshuar që jetonte i vetëm dhe në kushte të rënda jetese.

Sipas njoftimit, i moshuari ishte i braktisur nga familja dhe i harruar nga shoqëria, duke jetuar në kushte të papërshtatshme dhe të padenja për jetën njerëzore.

I rënduar nga varfëria dhe vitet, ai kishte shprehur vetëm disa fjalë që pasqyronin gjendjen e tij të vështirë, duke thënë: “Mirë që toka po na mban”, përcjell Telegrafi.

Pas takimit me të moshuarin, Halil Kastrati së bashku me bashkëpunëtorët e tij ndërhynë menjëherë, duke e strehuar atë në një shtëpi për të moshuarit. Aty, ai do të ketë kushte më të mira jetese, ushqim, ngrohtësi, kujdes shëndetësor dhe mbështetje të vazhdueshme, me synimin që të jetojë me dinjitet.

Kastrati ka theksuar se askush nuk duhet të kalojë vitet e fundit të jetës në vetmi dhe se asnjë njeri nuk duhet të ndihet barrë për shoqërinë.

Ai ka shprehur mirënjohje ndaj Zotit dhe bamirësve që mbështesin veprimet humanitare, duke bërë thirrje për më shumë solidaritet dhe kujdes ndaj personave më të pambrojtur në shoqëri. /Telegrafi/


Ndërprerje e furnizimit me ujë në zonën e Çabratit, KRU Gjakova del me njoftim

16 December 2025 at 16:17


Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) Gjakova ka njoftuar se në zonën e Çabratit, që nga ora 13:00, ka mungesë të energjisë elektrike.

Si pasojë e ndërprerjes së rrymës, rezervuari i Çabratit ka nisur të zbrazet, çka pritet të shkaktojë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm për konsumatorët e kësaj zone.

Nga KRU Gjakova bëhet e ditur se furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas rikthimit të energjisë elektrike nga operatori i shpërndarjes, KEDS.

Kompania u ka kërkuar konsumatorëve mirëkuptim, duke theksuar se situata është jashtë kompetencave të saj dhe varet nga rikthimi i furnizimit me energji elektrike. /Telegrafi/


Pal Lekaj merr pjesë në koktejin festiv në Kishën e Novosellës

15 December 2025 at 21:14


Kandidati për deputet Pal Lekaj ka marrë pjesë sonte në një koktej festiv të organizuar në nder të Krishtlindjeve, i mbajtur në Kishën e Novosellës.

Ngjarja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë festive dhe mblodhi së bashku Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, kolegë kandidatë për deputetë dhe anëtarë të Aleancës, ndërsa organizimi u bë nga rinia e Novosellës.

Lekaj theksoi se Krishtlindjet janë më shumë se një festë, duke i cilësuar si një kujtesë për përgjegjësinë ndaj njëri-tjetrit, për respektin, shpresën, si dhe për rëndësinë e familjes dhe të ardhmes.

Ai falënderoi rininë e Novosellës për organizimin dhe energjinë e sjellë në këtë mbrëmje festive, duke vlerësuar rolin e saj në forcimin e bashkimit dhe frymës komunitare.


KRM Çabrati vazhdon pastrimin e rrugëve në qytetin e Gjakovës

15 December 2025 at 15:41


Komuna e Gjakovës njofton se ekipet e mirëmbajtjes së Rrugëve, nga KRM Çabrati, po vijojnë aksionet e pastrimit në rrugët kryesore dhe lagjet e qytetit.

Sipas njoftimit, punimet kanë përfshirë rrugët: Nëna Tereze, Bardhyl Qaushi, UÇK, Ismail Qemajli, Shefki Shasivari, Vëllezërit Frashëri, Skenderbu, Enver Gjerqeku, Migjeni, Mic Sokoli, Faik Konica, Jashar Salihu, Aleksander Moisiu, Kasim Uka, Domenik Pergegaj, Luigj Pala, si dhe shetitoren e lumit Krena.

Komuna apelon tek qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke i ftuar të mos bllokojnë rrugët gjatë kryerjes së punimeve, me qëllim ofrimin e kushteve sa më të sigurta dhe të pastra për qarkullim. /Telegrafi/


Dokumentari “Erëza të lashta, shpirt i ri” i televizionit Arte tregon rinovimin e vreshtave dhe traditës kosovare

15 December 2025 at 11:18


Televizioni gjermano-francez "Arte" ka transmetuar të dielën dokumentarin “Erëza të lashta, shpirt i ri”, që i kushtohet vreshtave të Kosovës dhe projekteve inovative të Ali Alijajt në Nivokaz të Gjakovës dhe Brikena Gashit në Drenoc të Rahovecit.

Arte njihet për dokumentarët me cilësi të lartë, të punuar me kujdes dhe kreativitet, dhe ky film përfaqëson një udhëtim të thellë në kulturën dhe traditat kosovare të vreshtarisë.

Publicisti dhe gazetari Enver Robelli ka shkruar në Facebook se dokumentari sjell një portret të gjallë të rinovimit të traditës kosovare.

Dokumentari prezanton Ali Alijajn, i cili pas dekadash qëndrimi në Zvicër, Portugali e Gjermani, është kthyer në Kosovë për të krijuar distilerinë “Vidasus” në Nivokaz. Ai kombinon teknologjinë perëndimore me erëza nga Alpet shqiptare dhe fruta mali, duke rikthyer traditën e prodhimit të pijeve alkoolike dhe duke synuar zhvillim ekonomik lokal.

“Ne kemi tokë të mirë dhe ujë të mjaftueshëm”, thotë Ali Alijaj në dokumentar. “Na duhet vetëm një shtytje e vogël që motori të ndizet”.

Ai synon që, krahas distilerisë ekzistuese, të ndërtojë distilerinë më të madhe në Ballkan, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut.

Alijaj, i cili angazhon vajzat dhe gratë në punëtoritë e tij, është një shembull i fuqizimit gjinor në një industri tradicionalisht të dominuar nga burrat.

Në dokumentar përfshihet edhe historia e Brikena Gashit, e cila ringjalli vreshtat e braktisura të familjes së saj në Drenoc të Rahovecit dhe u bë gruaja e parë në vend që prodhon brendin e saj të rakisë.

“Për mua, ky nuk është vetëm një vresht,” shprehet Gashi, “por një punë që trimëron gratë të bëjnë diçka që ka qenë për një kohë të gjatë e rezervuar vetëm për burrat”.

Përveç prodhimit, ajo planifikon të organizojë edhe një festival muzikor mes hardhive, për të promovuar kulturën dhe traditën e rajonit.

Dokumentari i regjisores Michaela Kirst sjell pamje të peizazheve mbresëlënëse të Kosovës – nga kullat e lashta e rrëfimet historike deri te malet që herë ledhatohen nga dielli, herë mbështillen nga mjegulla – duke nxjerrë në sipërfaqe një Kosovë përtej klisheve dhe duke treguar potencialin e saj për zhvillim ekonomik dhe kulturor. /Telegrafi/


Spitali “Isa Grezda” në Gjakovë aktivizon shërbimin e kolonoskopisë me aparaturë të re

12 December 2025 at 13:29


Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar qytetarët se nga dita e hënë do të nisë zyrtarisht ofrimin e shërbimit të kolonoskopisë, pas furnizimit me aparaturë të re nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK).

Me këtë pajisje moderne, spitali synon të rrisë cilësinë e diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve që kanë nevojë për ekzaminime të sistemit tretës.

Institucioni ka bërë të ditur se qytetarët që duan ta marrin këtë shërbim duhet paraprakisht të caktojnë një termin, në mënyrë që të sigurohet menaxhim më i mirë i pritjeve dhe trajtim i rregullt i pacientëve. /Telegrafi/


Ruzhdi Shehu jep betimin për mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Junikut

12 December 2025 at 13:16


Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka dhënë sot betimin zyrtar për të nisur mandatin e tij të dytë në krye të komunës. Ceremonia solemne u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal, në prani të përfaqësuesve institucionalë, të ftuarve dhe qytetarëve.

Shehu rifitoi drejtimin e komunës në raundin e balotazhit, duke siguruar besimin e shumicës së votuesve. Bashkë me të, edhe anëtarët e rinj të Asamblesë Komunale dhanë betimin, duke zyrtarizuar fillimin e mandatit të tyre si përfaqësues të Kuvendit.

Në fjalën e tij, kryetari Shehu u zotua për vazhdimësi në punë, transparencë dhe llogaridhënie. Ai theksoi se mandatin e dytë do ta udhëheqë në shërbim të interesit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.

“Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për Junikun, duke ruajtur vlerat tona dhe sjellë zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët”, deklaroi Shehu.

Ceremonia u përmbyll me një koktej rasti, duke krijuar atmosferë festive për nisjen e kapitullit të ri qeverisës në Komunën e Junikut. /Telegrafi/


Juniku miraton buxhetin komunal për vitin 2026

12 December 2025 at 08:34


Kuvendi Komunal i Junikut ka miratuar sot, në një mbledhje të jashtëzakonshme, buxhetin e komunës për vitin 2026, duke finalizuar kështu procesin shumëvjeçar të planifikimit financiar dhe zhvillimor të kësaj legjislature.

Kryesuesi i Kuvendit, Shpejtim Gacaferi, u shpreh mirënjohës ndaj të gjithë asamblistëve për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre gjatë viteve të fundit.

Ai theksoi se kontributi i secilit ka qenë i rëndësishëm për avancimin e proceseve komunale dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Gacaferi gjithashtu u uroi suksese anëtarëve të Kuvendit në angazhimet e tyre të ardhshme, duke falënderuar për përkushtimin e vazhdueshëm në shërbim të komunës së Junikut. /Telegrafi/


Disa zona të Rahovecit pa ujë shkaku i shpërthimit të gypit të ujësjellësit

12 December 2025 at 07:53


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka bërë të ditur se gjatë orëve të fundit ka shpërthyer një gyp me diametër Ø100 në rrugën “8 Dëshmorët e Pashtrikut” në Rahovec.

Sipas njoftimit nga Njësia e Rahovecit, si pasojë e këtij defekti, një pjesë e qytetit të Rahovecit si dhe fshati Brestovc do të mbesin pa furnizim me ujë deri nesër, kur pritet të përfundojnë punimet për riparimin e gypit.

KRU Gjakova ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve deri në sanimin e plotë të problemit. /Telegrafi/


❌
❌