Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Mbi 50 raste të dhunës në familje brenda një jave, ekspertët: Problem shqetësues për Kosovën

26 December 2025 at 21:38


Dhuna në familje vazhdon të mbetet një dukuri shqetësuese dhe një ndër problemet e rënda shoqërore në Kosovë. Çdo vit, qindra gra, vajza dhe anëtarë të tjerë të familjes përjetojnë forma të ndryshme të dhunës.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka regjistruar disa raste të dhunës në familje si në Gjakovë e Drenas. Një burrë në Drenas u raportua se në vazhdimësi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Kurse një rast tjetër në Gjakovë, i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë është dërguar në mbajtje për dhunë në familje.

Këto janë vetëm disa nga rastet e fundit të dhunës në familje, bazuar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka trajtuar gjithsej 61 raste të reja gjatë periudhës 19-26 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, pjesa dërrmuese e rasteve ka të bëjë me dhunën në familje, gjithsej me 52 raste. Po ashtu janë trajtuar edhe raste të rënda penale, përfshirë dhunim me 4 raste dhe vepra të tjera penale. Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur edhe 6 kërkesa për urdhër mbrojtje, kërkesa për urdhër mbrojtje Emergjente, Aktvendime të ndërprera, seanca gjyqësore, këshilla juridike etj.

Dhuna në familje vazhdon të jetë një nga dukuritë shqetësuese në shoqërinë tonë. Kështu thonë sociologët, duke i bërë të ditur ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve dhe masat që duhen ndërmarrë.

Sipas sociologut Lavdim Konushevci, shumë raste lidhen me familje të reja që kanë vështirësi në menaxhimin e konflikteve dhe tensioneve.

Ai thekson se ndaj dhunuesve të përsëritur, veçanërisht atyre me histori të veprave penale, shteti duhet të aplikojë masa më të ashpra ndëshkuese përmes ligjeve në fuqi.

Sipas Policisë, gjatë periudhës janar-tetor janë raportuar 2429 raste të dhunës në familje. Nga ky numër 1897 viktima janë femra, kurse 527 meshkuj.

Gjatë një jave, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit trajtoi 52 raste të dhunës në familje./RTK

Tentim vrasje në Gjakovë, viktima dërgohet në spital

22 December 2025 at 09:49


Një vrasje në tentativë ka ndodhur të dielën në Gjakovë rreth orës 19:23.

Si pasojë e të shtënave me armë nga persona të panjohur, një person ka mbetur i plagosur.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori.

Të dyshuarit pasi kanë kryer veprën janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti në procedure hetimore. /Telegrafi/

Lekaj takon banorët e lagjes “Pjetër Bogdani” në Gjakovë: Mora përkrahje e fuqishme për AAK-në

21 December 2025 at 18:39


Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka zhvilluar sot një takim me banorët e lagjes “Pjetër Bogdani” në Gjakovë, ku thotë se është pritur me mikpritje të ngrohtë nga qytetarët e kësaj zone.

Lekaj ka bërë të ditur se familje të respektuara të kësaj lagjeje janë rreshtuar fuqishëm në përkrahje të Aleancës dhe, siç tha ai, ndryshimit për Kosovën.

Sipas tij, mbështetja e shprehur nga qytetarët është dëshmi e qartë e besimit ndaj AAK-së dhe programit të saj, duke e cilësuar këtë përkrahje si konfirmim të fitores së partisë dhe të numrit 129 në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Takimi u karakterizua nga diskutime të hapura me banorët, ku u theksua rëndësia e angazhimit qytetar dhe bashkëpunimit për zhvillimin e Gjakovës dhe të vendit në përgjithësi.


Hamza viziton bizneset në Gjakovë: Do të ndryshojmë ligjin për tatimin në pronë dhe do të ulim çmimin e energjisë

By: Telegrafi
21 December 2025 at 12:31


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar disa biznese në qytetin e Gjakovës, ku është takuar me përfaqësues të sektorit privat dhe punëtorë.

Gjatë vizitës te bizneset Heinze, Geli Fruits, G4SHI dhe Nertili, Hamza ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për bizneset vendore dhe ka theksuar rolin kyç të tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Si Kryeministër, do të jem partner dhe aleat i fuqishëm i sektorit privat, me investime, grante dhe mbështetje institucionale, në mënyrë që bizneset të përmirësojnë kushtet e punës dhe të rrisin pagat për punëtorët e sektorit privat,” ka deklaruar Hamza.

Ai ka bërë edhe zotime konkrete në favor të bizneseve dhe qytetarëve. Së pari, Hamza ka paralajmëruar ndryshimin e ligjit për rritjen e tatimit në pronë për objektet afariste, të miratuar nga qeveria aktuale.

“Ligjin për rritjen e tatimit në pronë do ta ndryshojmë, në mënyrë që barra financiare të mos rëndojë mbi bizneset,” ka theksuar ai.

Po ashtu, Hamza ka njoftuar se qeveria e tij do të heqë TVSH-në për energjinë elektrike, me qëllim të uljes së faturave për qytetarët dhe bizneset.

“Do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, që qytetarët dhe bizneset të paguajnë fatura më të ulëta të energjisë,” ka shtuar Hamza.

Kryetari i PDK-së ka bërë të ditur se ka nisur një tur nëpër qytetet e Kosovës, për t’u takuar drejtpërdrejt me qytetarë dhe biznese, si dhe për të shpalosur programin e tij për punë, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik./Telegrafi/


Vdes një grua në Gjakovë, Policia nis hetimet

20 December 2025 at 09:15


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua është dërguar pa shenja jete në Emergjencën e Gjakovës.

Rasti ka ndodhur të premten, në ora 23:00, në rrugën “Mbretëresha Teutë”.

“Është raportuar se në Emergjencë është sjellë pa shenja jete viktima femër kosovare, vdekjen e të cilës e ka konfirmuar mjeku kujdestar. Sipas mjekut viktima nuk ka pasur shenja të dhunës”, thuhet në raportin policor.

Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion. /Telegrafi/

Pal Lekaj: Përkrahja për Aleancën po rritet çdo ditë në fshatrat e Gjakovës

19 December 2025 at 21:58


Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Pal Lekaj, ka zhvilluar takime me banorë të disa fshatrave të rajonit të Gjakovës, duke theksuar se mbështetja për Aleancën është më e fuqishme se kurrë.

Lekaj ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes ka takuar qytetarë nga fshatrat Fshaj, Ujzë, Mejë, Duznjë, Korenicë, Nec, Ramoc, Cufadol dhe Cermjan, të cilët, sipas tij, e kanë pritur me bindjen se pas 28 dhjetorit Aleanca do ta udhëheqë Kosovën.

Ai ka theksuar se përkrahja për AAK-në po dëshmohet në çdo takim me qytetarët dhe se mesazhi i tyre është i qartë për ndryshim dhe qeverisje të përgjegjshme.

“Aleanca është krah teje! Krah numrit 129!”, ka përfunduar Lekaj, duke bërë thirrje për mobilizim dhe mbështetje në zgjedhjet e ardhshme.


Abdixhiku sot në Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë - prezanton programin politik të LDK-së

18 December 2025 at 09:35


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, do të zhvillojë sot tubime elektorale në Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë.

Gjatë këtyre takimeve, Abdixhiku do të prezantojë programin politik dhe vizionin e LDK-së për një Kosovë më të zhvilluar, më të drejtë dhe me më shumë shpresë për qytetarët.



Në kuadër të tubimeve, përveç shpalosjes së programit qeverisës, do të prezantohen edhe kandidatët e LDK-së nga këto komuna, të cilët cilësohen si figura të dëshmuara, të përkushtuara dhe të gatshme për t’i shërbyer qytetarëve me ndershmëri dhe përgjegjësi. /Telegrafi/


Ndahen çmimet e festivalit mbarëkombëtar “Radiofest 2025”

15 December 2025 at 19:57

PRISHTINË, 15 dhjetor /ATSH/ Festivali mbarëkombëtar i radiove “Radiofest 2025” përmbylli edicionin e tij të 16-të, organizuar nga Radio Gjakova.

Gjakova u shndërrua në qendër të radiostacioneve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” u mbajt manifestimi përmbyllës ku u shpallën fituesit në garën për spot publicitar, raport radiofonik dhe reportazh që iu kushtua trashëgimisë kulturore.

Kështu vendi i parë për radioreportazh i takoi Radio Tiranës dhe autorit Jaho Margjeka, i dyti Radio Kosovës dhe i treti Radio Gjirokastrës. Në vendin e parë për raport radiofonik doli Radio Alba e Klinës, në të dytin Radio Lushnja dhe të tretin Radio Peja.

Ndërsa më të mirët në spote publicitare ishin Radio Plus (Prishtinë) me vendin e parë, pasuar nga Glam Radio (Prishtinë) dhe Radio Klea (Elbasan). Çmimi i organizatorit i takoi Radio Malit të Zi – seksionit shqip, Radio Prizrenit dhe Radio Ylberit (Mitrovicë).

Zëri më i mirë radiofonik i takoi Fitore Istrefi Alushi nga Radio Struga. Shpallja e fituesve në “Radiofest 2025” u shoqërua edhe me një program të pasur artistik me të ftuar nga Kosova dhe Shqipëria. Ky edicion i këtij festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjakovës. /KosovaPress/

The post Ndahen çmimet e festivalit mbarëkombëtar “Radiofest 2025” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dokumentari “Erëza të lashta, shpirt i ri” i televizionit Arte tregon rinovimin e vreshtave dhe traditës kosovare

15 December 2025 at 11:18


Televizioni gjermano-francez "Arte" ka transmetuar të dielën dokumentarin “Erëza të lashta, shpirt i ri”, që i kushtohet vreshtave të Kosovës dhe projekteve inovative të Ali Alijajt në Nivokaz të Gjakovës dhe Brikena Gashit në Drenoc të Rahovecit.

Arte njihet për dokumentarët me cilësi të lartë, të punuar me kujdes dhe kreativitet, dhe ky film përfaqëson një udhëtim të thellë në kulturën dhe traditat kosovare të vreshtarisë.

Publicisti dhe gazetari Enver Robelli ka shkruar në Facebook se dokumentari sjell një portret të gjallë të rinovimit të traditës kosovare.

Dokumentari prezanton Ali Alijajn, i cili pas dekadash qëndrimi në Zvicër, Portugali e Gjermani, është kthyer në Kosovë për të krijuar distilerinë “Vidasus” në Nivokaz. Ai kombinon teknologjinë perëndimore me erëza nga Alpet shqiptare dhe fruta mali, duke rikthyer traditën e prodhimit të pijeve alkoolike dhe duke synuar zhvillim ekonomik lokal.

“Ne kemi tokë të mirë dhe ujë të mjaftueshëm”, thotë Ali Alijaj në dokumentar. “Na duhet vetëm një shtytje e vogël që motori të ndizet”.

Ai synon që, krahas distilerisë ekzistuese, të ndërtojë distilerinë më të madhe në Ballkan, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut.

Alijaj, i cili angazhon vajzat dhe gratë në punëtoritë e tij, është një shembull i fuqizimit gjinor në një industri tradicionalisht të dominuar nga burrat.

Në dokumentar përfshihet edhe historia e Brikena Gashit, e cila ringjalli vreshtat e braktisura të familjes së saj në Drenoc të Rahovecit dhe u bë gruaja e parë në vend që prodhon brendin e saj të rakisë.

“Për mua, ky nuk është vetëm një vresht,” shprehet Gashi, “por një punë që trimëron gratë të bëjnë diçka që ka qenë për një kohë të gjatë e rezervuar vetëm për burrat”.

Përveç prodhimit, ajo planifikon të organizojë edhe një festival muzikor mes hardhive, për të promovuar kulturën dhe traditën e rajonit.

Dokumentari i regjisores Michaela Kirst sjell pamje të peizazheve mbresëlënëse të Kosovës – nga kullat e lashta e rrëfimet historike deri te malet që herë ledhatohen nga dielli, herë mbështillen nga mjegulla – duke nxjerrë në sipërfaqe një Kosovë përtej klisheve dhe duke treguar potencialin e saj për zhvillim ekonomik dhe kulturor. /Telegrafi/


ZKA alarmon: Vetëm 2 nga 11 rekomandime u zbatuan nga MAPL dhe komunat

13 December 2025 at 23:19


Vetëm dy rekomandime janë zbatuar tërësisht, nga 11 sosh, sa Zyra Kombëtare e Auditimit ua kishte përcjellë Ministrisë së Pushtetit Lokal, dhe tri komunave në mars të vitit 2024 në raportin e auditimit të performancës.

Raporti i ri i ZKA-së nxjerr në pah se komunat kanë përdorur të dhëna të ndryshme nga njëra-tjetra për raporti, veprim i vlerësuar se sjell pasoja negative.

Në mars të vitit 2024, Zyra Kombëtare e Auditimit, e kishte publikuar raportin e auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”.

Përpos Ministrisë së Pushtetit Lokal, ishin audituar edhe komunat, Gjakovë, Klinë dhe Viti.

Nga 11 rekomandime, tri ishin për komunat, kurse tetë për MAPL-në.

Ndërsa raporti i ri i ZKA-së i publikuar në dhjetor të këtij viti tregon se nga 11 rekomandime vetëm dy prej tyre janë zbatuar plotësisht, tri janë në fazën përfundimtare të zbatimit, dy kanë filluar të zbatohen, ndërsa dy nuk janë adresuar fare.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kishte bërë përgatitjet e nevojshme për të filluar deklarimin e Performancës Komunale për vitin 2024. Kjo ka shkaktuar vonesa të konsiderueshme si dhe pasiguri për kohën e fillimit të raportimit të të dhënave nga komunat. Rrjedhimisht raporti i performancës komunale është publikuar me 4.5 muaj vonesë gjë që ka shtyrë për po aq muaj procesin e vlerësimit të performancës komunale. Përveç kësaj kjo vonesë e ka bërë të pamundur përcjelljen/vlerësimin e plotë të zbatimit të rekomandimeve, pasi që procesi ende nuk ka përfunduar”- thotë Zyra Kombëtare e Auditimit në raport.

Në pjesën hyrëse të raportit thuhet se dy nga tri komunat e audituara, për raportim kanë shfrytëzuar të dhënat mbi regjistrimin e popullsisë të vitit 2024, ndërsa komuna e Klinës, ka raportuar duke u bazuar në regjistrimin e popullsisë së vitit 2011.

“…Kjo për shkak se MAPL-ja, nuk e kishte analizuar si duhet situatën për të marrë një vendim të qëndrueshëm lidhur me atë se cilat të dhëna duhet përdorur për raportim. Kjo ka krijuar pasiguri te komunat dhe për pasojë jo konsistencë në raportim, duke vënë në rrezik krahasueshmërinë dhe besueshmërinë e të dhënave të performancës komunale për vitin 2024.”- thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Krahas rekomandimeve që janë zbatuar dhe janë në fazë të zbatimit nga të gjitha palët e audituara, ZKA ka ardhur në përfundim se komunat ende nuk përdorin kanale të qarta dhe të formalizuara të komunikimit mes zyrtarëve raportues, koordinatorëve dhe kryetarëve.

Pos kësaj, vonesat në prokurim dhe koordinimi jo i duhur brendshëm në MAPL, thuhet se ka penguar zbatimin e plotë dhe efektiv të disa rekomandimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në procesin e raportimit të performancës komunale./ RTV Dukagjini

JUMBO hapet në Gjakovë: Zbritje dhe argëtim ju presin

12 December 2025 at 18:09


Sot qytetit të Gjakovës ju shtua edhe një destinacion tjetër blerjesh, një prej dyqaneve më të dashura për familjet, Jumbo. Dyqani është hapur në Gjakova Park, rruga “Nënë Tereza”, ku klientët do të gjejnë një përvojë të re blerjesh që u vjen akoma edhe më pranë.

Hapja është pritur me shumë interes nga qytetarët, të cilat kanë ardhur për të parë nga afër gamën e gjerë të produkteve që ofron JUMBO.

“E kemi konceptuar këtë dyqan që klientët të ndihen si në shtëpi, me një organizim praktik, staf të përkushtuar dhe produkte për çdo nevojë të përditshme. Me rastin e hapjes, në datat 12-14 Dhjetor, JUMBO ofron zbritje dhe argëtim për të gjithë.

Hapja e dyqanit Jumbo në Gjakovë është një tjetër hap në rrugëtimin e Jumbo për të qenë gjithnjë pranë klientëve të saj, me produkte cilësore, çmime të përballueshme dhe një përvojë unike blerjeje për çdo sezon.” – shprehet Adelina Sylejmani, përfaqësuese e Jumbo.

JUMBO është një kompani ndërkombëtare e specializuar në shitjen e dekorimeve për shtëpi, lodrave, artikujve për bebe, produkteve sezonale, organizimit, kozmetikës, etj. Të gjitha produktet Jumbo janë të certifikuara sipas rregullave të Bashkimit Europian dhe janë të sigurta për përdorim nga e gjithë familja.

JUMBO është pjesë e Grupit BALFIN, një nga grupet më të rëndësishme dhe më të suksesshme të investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.



Spitali “Isa Grezda” në Gjakovë aktivizon shërbimin e kolonoskopisë me aparaturë të re

12 December 2025 at 13:29


Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar qytetarët se nga dita e hënë do të nisë zyrtarisht ofrimin e shërbimit të kolonoskopisë, pas furnizimit me aparaturë të re nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK).

Me këtë pajisje moderne, spitali synon të rrisë cilësinë e diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve që kanë nevojë për ekzaminime të sistemit tretës.

Institucioni ka bërë të ditur se qytetarët që duan ta marrin këtë shërbim duhet paraprakisht të caktojnë një termin, në mënyrë që të sigurohet menaxhim më i mirë i pritjeve dhe trajtim i rregullt i pacientëve. /Telegrafi/


Handikos Gjakovë pranon donacion të pajisjeve ndihmëse nga organizata zvicerane

11 December 2025 at 14:50


Handikos Gjakovë ka shprehur mirënjohje të thellë për organizatën Mutter Teresa – HWV Schweiz dhe për Nue Zallin, për donacionin e pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas njoftimit, pajisjet tashmë kanë mbërritur te përfituesit që kishin nevojë më të madhe dhe më urgjente.

Po ashtu, Handikos ka falënderuar edhe për mbështetjen financiare të ofruar nga donatorët, duke e cilësuar atë si një kontribut të çmuar që do të përdoret me transparencë dhe përkushtim në shërbim të komunitetit.

“Gjestet tuaja kanë sjellë lehtësim dhe shpresë për shumë familje në komunën tonë. Faleminderit për zemërgjerësinë dhe humanitetin që dëshmoni! Së bashku vazhdojmë të bëjmë ndryshim”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Ministria e Ekonomisë ndan edhe 100 mijë euro për Ngrohtoren e Gjakovës

10 December 2025 at 13:41


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar sot se institucioni që udhëheq ka ndarë edhe 100 mijë euro për Ngrohtoren e Gjakovës, me qëllim të garantimit të furnizimit të qëndrueshëm dhe me çmim të përballueshëm për qytetarët gjatë sezonit të dimrit.

Sipas saj, mbështetja financiare totale e Ministrisë së Ekonomisë për këtë ndërmarrje ka arritur rreth 2 milionë euro që nga funksionalizimi i ngrohtores me sistem kogjenerimi dhe biomasë në vitin 2021, projekt i realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Rizvanolli ka theksuar se pret që Ngrohtorja e Gjakovës të ofrojë shërbim të sigurt dhe stabil për familjet gjatë muajve të ftohtë, duke shmangur rritjen e panevojshme të konsumit dhe duke garantuar komoditetin e qytetarëve në periudhën më të ndjeshme të vitit. /Telegrafi/


Gjakova hap ekspozitën, “Mbrojtja dhe parandalimi i dhunës me bazë gjinore: Njih, Reago, Mbroj!”

9 December 2025 at 09:17


Në Galerinë e Arteve të Gjakovës u hap ekspozita “Mbrojtja dhe parandalimi i dhunës me bazë gjinore: Njih, Reago, Mbroj!”, e organizuar nga Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim, në kuadër të fushatës 16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave.

Në ekspozitë, nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme të Gjakovës prezantuan punimet e tyre artistike, duke transmetuar mesazhe sensibilizuese për rëndësinë e parandalimit të dhunës gjinore.

Udhëheqësi i ZKKK-së, Armend Behluli, gjatë hapjes theksoi: “Dhuna nuk është çështje private, por shoqërore; nuk është fat, por padrejtësi; nuk është e pashmangshme, por e luftueshme”.

Ekspozita mblodhi nxënës, mësues, aktivistë, OJQ dhe prindër, duke krijuar një hapësirë reflektimi dhe bashkëpunimi për një komunitet më të sigurt dhe të ndërgjegjshëm.

Ajo mbetet e hapur për qytetarët që duan të kontribuojnë në kauzën për mbrojtje, reagim dhe solidaritet. /Telegrafi/


Posta e Kosovës prezanton pullat e reja “Sahat Kullat” – një udhëtim postal në historinë urbane të vendit

5 December 2025 at 13:33


Dy prej monumenteve më të dashura të Kosovës kanë marrë sot një hapësirë të re për t’u treguar botës historinë e tyre: në formën e pullave postare.

Posta e Kosovës ka lansuar emisionin e ri filatelik “Sahat Kullat”, duke përfshirë në të Sahat Kullën e Prishtinës dhe Sahat Kullën e Gjakovës, dy prej simboleve që prej shekujsh i kanë dhënë ritmin jetës urbane.

Me këtë edicion, sektori i Filatelisë synon jo vetëm të pasurojë koleksionet e filatelistëve, por edhe të rikthejë vëmendjen te vlerat e trashëgimisë sonë arkitektonike – te ato monumente që shpesh i shohim çdo ditë, por rrallë ndalemi t’i vlerësojmë.

Sahat Kulla e Prishtinës, e ngritur pranë Xhamisë së Mbretit, mbetet një nga pikat më të njohura historike të kryeqytetit. Dikur ishte matësi i kohës së qytetit; sot është dëshmia e një Prishtine që ka kaluar epoka të ndryshme, por ka ruajtur zemrën e saj të vjetër.

Në anën tjetër, Sahat Kulla e Gjakovës, e vendosur në zemër të Çarshisë së Madhe, është pjesë e pandashme e identitetit kulturor të qytetit. Ajo ka sfiduar kohën dhe ngjarjet historike, duke mbetur një prej monumenteve më të dashura për gjakovarët dhe vizitorët.

Vendosja e këtyre dy kullave në pulla postare u jep atyre një jetë të re – një mënyrë për të udhëtuar jashtë kufijve, për të treguar historinë dhe artin e Kosovës në çdo dërgesë që niset nga vendi ynë.

Posta e Kosovës fton qytetarët, koleksionistët dhe bizneset t’i përdorin këto pulla të reja si një mënyrë të thjeshtë, por domethënëse, për të mbështetur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të vendit. /Telegrafi/


Dyshohet se dhunoi një grua në Gjakovë, një person dërgohet në mbajtje

5 December 2025 at 09:39


Një person dyshohet se ka dhunuar një grua të mërkurën në Gjakovë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Gjakovë / 03.12.2025 – NN. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Ekstradohet nga Shqipëria i dyshuari për kultivim të bimëve kanabis, prokuroria kërkon paraburgim

2 December 2025 at 17:11


Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit N.Sh., shtetas i Shqipërisë, i dyshuar për kultivimin e 1,259 bimëve narkotike të llojit kanabis sativa.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.Sh., në bashkëkryerje me të pandehurin O.Sh., nga një datë e pavërtetuar deri më 19 qershor 2024, kanë kultivuar kanabis në tri parcela në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.

Parcelat janë lokalizuar përmes vëzhgimit nga ajri me dron, ku janë identifikuar gjithsej 1,259 bimë narkotike.

I pandehuri N.Sh. ka qenë në arrati që nga koha e kryerjes së veprës penale.

Ai është arrestuar në Shqipëri me urdhër-arrest ndërkombëtar dhe më pas është ekstraduar në Kosovë, ku tashmë Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tij.

Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, rasti kualifikohet si vepër penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, neni 272 paragrafi 1, në lidhje me nenin 31.

Gjendet pa shenja jete një person në Gjakovë, rasti po hetohet

27 November 2025 at 09:20


Një person është gjetur pa shenja jete.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 12:00, në Gjakovë.

Tutje në raport bëhet e ditur se rasti po hetohet.

“Është raportuar se viktima mashkull kosovar, është gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor ku mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Prokuroria në Gjakovë ngre aktakuzë ndaj një personi për shitblerje të narkotikëve

26 November 2025 at 15:16


Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet G.B., i dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve.

Sipas aktakuzës, më 8 shtator 2025, rreth orës 17:55, në fshatin Ponoshec të Komunës së Gjakovës, i pandehuri është kapur duke transportuar substanca të dyshuara narkotike pa autorizim dhe me qëllim shitjeje. Patrulla e Policisë Kufitare SPMK-Ponoshec kishte ndalur automjetin e tij, me targa …, të cilin ai e drejtonte pasi kishte hyrë nga Republika e Shqipërisë.

Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë vërejtur një aromë të dyshimtë për narkotik. Edhe pse i pandehuri ka deklaruar se nuk posedonte asgjë të paligjshme, njësitë policore nën asistimin e Njësisë K9 kanë gjetur në automjet dy qese me marihuanë të fshehura në bagazh, me peshë totale 998.7 gram, si dhe një qese tjetër prej 1.52 gram të fshehur nën plastikën e fshesave të automjetit. Sasia e gjetur është sekuestruar si provë materiale.

Prokuroria ka bërë të ditur se me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i rastit ka propozuar para gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore. /Telegrafi/

❌
❌