Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 February 2026Main stream

Hamza: Rambujeja ishte momenti kur Kosova zgjodhi anën e drejtë të historisë

6 February 2026 at 10:50


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kujtuar sot 27-vjetorin e fillimit të Konferencës së Rambujesë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më vendimtare në historinë moderne të Kosovës.

Hamza në një postim në Facebook shkruan se Kosova në Rambuje për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten, duke u rreshtuar qartë në anën e paqes, lirisë dhe vlerave perëndimore, nën udhëheqjen e Hashim Thaçit.

“Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë. Kosova foli dhe vendosi për vetveten. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, si kryesues i delegacionit, zgjodhëm paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë. Nëntë vjet më vonë, shpallëm edhe Pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar kryetari Hamza.

Ai ka shtuar se kjo rrugë drejt lirisë dhe shtetndërtimit nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e heronjve dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.

“Sot nderojmë heronjtë tanë dhe falënderojmë të gjithë aleatët, që na mbështetën në çdo hap të lirisë dhe shtetndërtimit”, ka theksuar kreu i PDK-së.

Në fund të reagimit të tij, Hamza ka nënvizuar se perspektiva euroatlantike e Kosovës lidhet ngushtë edhe me drejtësinë për ish-krerët e luftës që po mbahen në Hagë.

“E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë”, ka përfunduar Hamza. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Hamza takon Përfaqësuesin Special të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor: Kosova ka nevojë për mbështetje të koordinuar ndërkombëtare

4 February 2026 at 10:30


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Anzhej Frangesh.

Gjatë takimit, Hamza shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin konstruktiv të partnerëve ndërkombëtarë në proceset e dialogut dhe në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

“Ne diskutuam edhe për rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërmjet BE-së dhe SHBA-së për forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Hamza.

Kryetari i PDK-së më tej theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe për procese të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt rezultateve konkrete, në funksion të stabilitetit afatgjatë dhe integrimit euroatlantik të vendit. /Telegrafi/

Hamza i përgjigjet Kurtit për Presidentin

21 January 2026 at 22:37


Kryetari i partisë së dytë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Bedri Hamza, ka thënë se nuk e ka problem të takohet me kreun e partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, për marrëveshje politike.

Megjithatë, ai ka thënë se përgjegjësia i takon Albin Kurtit për ta konstituuar Kuvendin dhe ta formojë qeverinë.

“I ka 57 ulëse në Kuvend, sigurisht se e bën koalicionin edhe me deputetët e komuniteteve joshumicë, që nuk janë serbë, por të komuniteteve tjera, dhe e ka numrin e mjaftueshëm për të formuar qeverinë. Ka përgjegjësi për të formuar qeverinë, për konstituim të Kuvendit. Ka përgjegjësi që pa vonesa ta konstituojë Kuvendin, të gjitha pozicionet e Kuvendit, edhe të kryetarit e edhe të nënkryetarëve. Ne i votojmë nënkryetarët, për shkak se e kemi edhe nënkryetarin nga radha e PDK-së. Për të gjitha pozicionet tjera, përgjegjësia është e tyre”, u shpreh Hamza mes tjerash në intervistën e parë ekskluzive pas zgjedhjeve të dhjetorit.

I pyetur se a do ta votojë PDK-ja kryetarin e Kuvendit, Hamza tha: “Pse me pasë ne votë? I kanë ata, i mjaftojnë. Dhe normalisht, pa marrëveshje politike, nuk votojmë”.

Tutje, kreu i PDK-së tha se nuk janë në pritje të asnjë partie për marrëveshje, teksa potencoi se partia e tij ka qenë gjithmonë bashkëpunuese për tema në interes të vendit, për çka tha se do të jetë edhe në të ardhmen.

“Asnjëherë nuk u ikim bisedave. Nuk do të thotë se pajtohemi, por bisedave dhe takimeve asnjëherë nuk u ikim. Varet tema dhe mënyra e ftesës. Sepse edhe me të ftu, duhet me të ftu mirë dhe mbarë. Kjo i bie që mos me ta çu ftesën mirë dhe qartë, me pas çfarëdo prapavie apo tendence, nuk funksionon”, deklaroi Hamza në Rubikon të Klan Kosova.

Duke folur për postin e Presidentit, i cili duhet të zgjidhet për rreth 1 muaj e gjysmë, ai shprehu vullnet për të biseduar me Kurtin për këtë çështje, por tha se sërish përgjegjësia i bie partisë së parë.

Ndër të tjera, ai kujtoi edhe rastet e së kaluarës se si janë zgjedhur presidentët.

“Nuk ka kurgjo të keqe me folë, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë. Presidenti Rugova herën e parë e ka dhënë postin e kryeministrit, ku ka qenë zotëri Rexhepi, dhe vetë ka qenë president. Herën e dytë ia ka dhënë zotit Haradinaj, dhe vetë ka qenë president. Herën e tretë është zhgjedhur zoti Sejdiu me përkrahje të PDK-së, dhe kryeministër ka qenë zoti Thaçi. Mirëpo, PDK i ka pasur shumicën, por e ka marrë kryeministrin dhe e ka zgjedhur presidentin me marrëveshje politike”.

“Në hapin e radhës, zoti Pacolli është zgjedhur po ashtu president, dhe PDK ka qenë partia e parë. Postin e kryerministrit e ka pasur zoti Thaçi, e Pacolli është zgjedhur president. Zonja Jahjaga është zgjedhur në kohën kur shumicën e ka pasur PDK-ja”, deklaroi Hamza.

Ai shtoi se gjithmonë partia e cila e formon qeverinë, i takon përgjegjësia më e madhe që ta gjejë formulën se si ta zgjedh presidentin.

Hamza: PDK-ja hyn në fazë të re riorganizimi, zgjedhjet e brendshme hap i domosdoshëm

19 January 2026 at 17:38


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia po hyn në një fazë të re riorganizimi, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të brendshme për forcimin dhe hapjen e mëtejme të PDK-së.

Hamza ka bërë të ditur se për këtë proces ka diskutuar edhe me kryetarët e degëve, duke e cilësuar atë si një hap të domosdoshëm për konsolidimin e strukturave partiake.

“PDK-ja po hyn në një fazë të re riorganizimi. Zgjedhjet e brendshme, për të cilat sot diskutova edhe me kryetarët e degëve, janë hap i domosdoshëm për forcimin e PDK-së,” ka shkruar Hamza.

Ai ka theksuar se ambicia e partisë është më e madhe, pasi sipas tij, Kosova ka nevojë për një PDK më të fortë, më të hapur dhe më të organizuar. Në këtë drejtim, Hamza ka vënë theksin te puna e vazhdueshme në terren, aktivizimi i degëve dhe krijimi i hapësirës më të madhe për të rinjtë në të gjitha nivelet e partisë.

“Kjo kërkon punë të vazhdueshme, degë aktive dhe hapësirë më të madhe për të rinjtë, në çdo nivel të partisë,” ka shtuar ai.

Në fund, kryetari i PDK-së ka nënvizuar se ky proces është rruga drejt një partie më afër qytetarëve dhe gjithmonë në shërbim të Kosovës.

“Kjo është rruga për një PDK më afër qytetarëve dhe gjithnjë në shërbim të Kosovës,” ka shkruar Hamza në Facebook./Telegrafi/

Hamza kërkon rinumërim të plotë të votave në gjithë Kosovën pas mospërputhjeve të evidentuara

19 January 2026 at 11:35


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas gjetjeve nga rinumërimi i pjesshëm i votave, duke i cilësuar si tepër shqetësuese mospërputhjet e mëdha të evidentuara gjatë këtij procesi.

Në një reagim publik, Hamza ka vlerësuar se në rrethanat e krijuara, rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Ai ka theksuar se institucionet përgjegjëse kanë obligim kushtetues të veprojnë pa vonesë për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve, duke paralajmëruar se çdo hezitim apo vonesë në veprim cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.

Sipas Hamzës, transparenca dhe veprimi i menjëhershëm institucional janë thelbësore për ruajtjen e besimit publik dhe funksionimin demokratik të vendit. /Telegrafi/


Rinumërimi prek votat e kandidatëve për kryeministër, kush fitoi e kush humbi

18 January 2026 at 08:38


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet pas rinumërimit të 99.78% të votave, ku janë evidentuar ndryshime në numrin e votave për disa kandidatë të subjekteve politike.

Ndryshime në numrin e votave janë evidentuar edhe tek kandidatët për kryeministër nga LVV, PDK, LDK e AAK.

Sipas të dhënave zyrtare, Albin Kurti nga LVV ka siguruar gjithsej 56,338 vota, ndërsa nga rinumërimi është shënuar një ulje prej 141 votash krahasuar me rezultatet paraprake.

Për dallim nga Kurti, Bedri Hamza nga PDK ka siguruar gjithsej 24,277 vota, ku nga rinumërimi atij i janë shtuar 59 vota më shumë.

Edhe Lumir Abdixhiku nga LDK ka pasur një rritje prej 5 votave më shumë nga rinumërimi. Ai ka siguruar gjithsejt 11,650 vota.

Ndërkaq humbje të votash nga procesi i rinumërimit ka pësuar edhe Ramush Haradinaj nga AAK. Ai ka 14 vota më pak, ndërsa në total numri i votave është 4,993.

Procesi i rinumërimit po vazhdon edhe për kandidatë të tjerë dhe subjekte politike, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të certifikohen pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore. /Telegrafi/

Hamza në Reçak: Liria jonë u ndërtua mbi sakrificën dhe gjakun e të rënëve

15 January 2026 at 10:17


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza bashkë me partiakët e tij ka bërë sot homazhe sot në shënimin e 27 vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Hamza pas homazhe në një prononcim për media ka thënë se me nderim dhe respekt nderojnë të rënët e kësaj masakre e cila ka kontribuuar në lirimin e vendit.

“Sot bashkë me strukturat jemi këtu për të shpreh nderimin dhe respektin për të rënët, që është një nga ngjarjet që ka kontribuuar në lirimin e Kosovës. Falënderoj William Wolker që ka bërë publike këtë ngjarje. Shprehim respektin deri në përulje për sakrificën e të rënëve”, ka thënë Hamza. /Telegrafi/

Hamza takohet me Sorensen: Diskutuam​ për nevojën e konstituimit të institucioneve të reja

14 January 2026 at 12:09


Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka pritur të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook Hamza ka shkruar se me Sorensen ka diskutuar për nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, stabilitetin institucional dhe rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian.

“PDK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në shërbim të paqes dhe stabilitet rajonal”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Hamza takon ambasadorin Walker: Me guxim i dha jehonë botërore krimit serb në Reçak

13 January 2026 at 11:35


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka nisur sot ditën me ambasadorin William Walker.

Hamza në një postim në Facebook shkruan se ambasadori Walker me guxim i dha jehonë botërore krimit serb në Reçak dhe nuk lejoi që e vërteta të mbetej e heshtur.

Lexoni të plotë postimin:

Ditën e sotme e nisa me mikun e madh të Kosovës, Ambasadorin William Walker. Në ditët e nderimit për viktimat e Masakrës së Reçakut, si çdo vit tjetër, Ambasadori Walker është pranë nesh, ashtu siç ishte edhe në janarin e vitit 1999, kur me guxim i dha jehonë botërore krimit serb në Reçak dhe nuk lejoi që e vërteta të mbetej e heshtur.

Miqësia dhe kontributi i Ambasadorit William Walker për Kosovën janë të jashtëzakonshme.

Faleminderit për gjithçka që ke bërë për Kosovën, Ambasador!. /Telegrafi/

Hamza pas përmbylljes së procesit zgjedhor: Besimin e qytetarëve e marrim me përgjegjësi të madhe

9 January 2026 at 13:06



Numërimi i votave ka përfunduar, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është renditur e dyta me 192,407 vota.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas përmbylljes së procesit zgjedhor, duke theksuar se ky rezultat përfaqëson një përgjegjësi të madhe për partinë.

“Këtë besim e marrim me përgjegjësi të madhe”, ka shkruar Hamza, duke vlerësuar ruajtjen e votës së PDK-së si dëshmi të mbështetjes së qytetarëve për punën dhe vlerat që partia përfaqëson.

Ai ka theksuar se gara ka qenë e vështirë dhe e pabarabartë, ndërsa ka nënvizuar se rezultati i obligon strukturat e partisë për angazhim edhe më të madh.

“Ky besim na obligon më shumë se kurrë që të riorganizohemi, t’i konsolidojmë radhët tona dhe ta intensifikojmë veprimin politik”, ka shkruar ai transmeton Telegrafi.

Hamza ka bërë të ditur se PDK do të vazhdojë angazhimin për qytetarët pa dallim.

“PDK do të vazhdojë të punojë për çdo qytetar, pa dallim, në çdo platformë ku jemi të pranishëm, me këmbëngulje dhe me bindjen se Kosova meriton më shumë dhe më mirë”, ka përfunduar ai, duke falënderuar qytetarët për besimin e dhënë./Telegrafi/.

Figura e shquar e politikës dhe shkencës - liderët politikë shprehin dhimbjen dhe mirënjohjen për Nexhat Dacin

1 January 2026 at 13:29


Me pikëllim të madh u bë i ditur lajmi për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Nexhat Daci, një figurë e shquar institucionale dhe akademike në vend.

Figura e tij është përkujtuar nga shumë personalitete të jetës politike dhe publike të Kosovës.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka shkruar se kontributi i Dacit do të kujtohet përherë.

“Lajm i hidhur vdekja e ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Nexhat Daci. Kontributi i tij për institucionet dhe jetën publike në Kosovë do të kujtohet përherë. Në këto momente të rënda, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës”, ka shkruar Jahjaga.



Për vdekjen e Nexhat Dacit, ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza i cili shprehu ngushëllimet e tij duke theksuar rolin e Dacit në zhvillimin institucional.

“Ndarja nga jeta e Nexhat Dacit është një humbje e madhe për Kosovën. Ai ishte institucionalist dhe akademik i përkushtuar, që kontribuoi shumë në jetën publike, duke besuar në rendin kushtetues, dialogun institucional dhe dijen si udhërrëfyes të shoqërisë. Trashëgimia e akademik Nexhat Dacit është pjesë e pandashme e themeleve të shtetndërtimit të Kosovës”, u shpreh Hamza.


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i shprehi gjithashtu ngushëllime familjes Daci dhe gjithë miqëve e bashkëpunëtorëve me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Nexhat Daci.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, akademikut dhe profesorit Nexhat Daci.Akademik Daci ishte një figurë e veçantë e jetës sonë publike dhe akademike, që me dije të thellë, integritet dhe përkushtim i shërbeu vendit si Kryetar Kuvendi, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore. Veprimtaria e tij la gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në Kosovë", ka shkruar Abdixhiku.


Reagim ka pasur edhe nga ish-presidenti i Behgjet Pacolli, i cili ndau një kujtim personal me akademikun Nexhat Daci.

“Kur u njoha me të për herë të parë, fjalët e tij, porosia dhe qetësia me të cilën i shprehu, u ngulitën përgjithmonë në kujtesën time dhe u shndërruan në një obligim moral për mua. Ai më tha: ‘Zotni Pacolli, do të doja shumë që kjo ndërtesë të marrë një frymë të re — hapësira moderne, dinjitoze, që të përfaqësojnë të ardhmen e Kosovës.’ Për të kam pasur gjithmonë një respekt të veçantë. U prehtë në paqe”, u shpreh Pacolli.



Edhe kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka reaguar pas vdekjes së akademikut Nexhat Daci.

“Nexhat Daci ishte njeri i dijes dhe i parimit, institucionalist i bindur dhe shërbyes i përgjegjshëm i shtetit. Ai i qëndroi besnik idesë së institucioneve, dialogut dhe rendit kushtetues, duke dhënë një kontribut të çmuar në ndërtimin e demokracisë parlamentare dhe të themeleve të shtetit tonë. Gjurmët e tij në jetën institucionale të Kosovës mbeten të pashlyeshme”, u shpreh Limaj.



Ndër të tjerët, liderët politikë shprehën mirënjohje dhe dhimbje për humbjen e një njeriu që kishte një rol vendimtar në jetën publike dhe institucionale të vendit. /Telegrafi/

Mbi 46% të votave të numëruara, kush janë më të votuarit për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit?

30 December 2025 at 16:38


Dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë përbërja e re e Kuvendit të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur numërimin e votave për kandidatët për deputetë që nga e hëna, ndërsa deri më tani janë numëruar 46,38% e tyre.

Në këto zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 45 për qind e afro dy milionë qytetarëve me të drejtë vote. Rezultatet paraprake tregojnë se zgjedhjet janë fituar bindshëm nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas të dhënave aktuale, më poshtë janë pesë kandidatët më të votuar nga secila parti, kur janë numëruar pak më shumë se një e treta e votave:

Lëvizja Vetëvendosje

  • Albin Kurti – 160.850 vota
  • Glauk Konjufca – 125,080 vota
  • Albulena Haxhiu – 65,370 vota
  • Hekuran Murati – 64,768 vota
  • Donika Gërvalla – 57,711 vota

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

  • Bedri Hamza – 73,114 vota
  • Arian Tahiri – 34,418 vota
  • Përparim Gruda – 32,051 vota
  • Uran Ismaili – 25,336 vota
  • Sala Jashari – 22,997 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

  • Lumir Abdixhiku – 35,284 vota
  • Hykmete Bajrami – 22,347 vota
  • Ukë Rugova – 19,539 vota
  • Avdullah Hoti – 17,298 vota
  • Doarsa Kica Xhelili – 17,268 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

  • Ramush Haradinaj – 17,894 vota
  • Daut Haradinaj – 10,977 vota
  • Besnik Tahiri – 10,814 vota
  • Bekë Berisha – 7,940 vota
  • Agim Çeku – 7,246 vota

Bazuar në të dhënat paraprake, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, e pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe me 9 dhe AAK-ja me 6 ulëse.

Personi më i votuar në Kosovë deri më tani është Albin Kurti.

Në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit, ai kishte marrë 337.791 vota, duke thyer rekordin e mëparshëm të presidentes Vjosa Osmani. Mbetet të shihet nëse Kurti do të arrijë ta forcojë këtë rekord edhe në këto zgjedhje.

Numërimi i votave po vazhdon dhe rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga KQZ në ditët në vijim./Telegrafi.

Hamza: Kemi pritur rezultat më të mirë, do të marrë përgjegjësi

29 December 2025 at 12:00


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka komentuar rezultatet e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare të 28 dhjetorit, duke pranuar se rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e partisë.

Në një konferencë për media, Hamza theksoi se do të analizojë situatën dhe se do të marrë përgjegjësitë e veta, duke nënvizuar angazhimin për të mos u shmangur nga vendimet e domosdoshme.

“PDK ka pritur një rezultat më të mirë, por ka arritur të ruajë votën dhe elektoratin e vet. Pozita ka përgjegjësi, dhe unë nuk jam nga ata që ikin apo shmangen prej tyre”, deklaroi Hamza.

Ai shtoi se ditët e ardhshme do të zhvillohen takime me strukturat e partisë për të diskutuar dhe vendosur rreth hapave të mëtejshëm, duke garantuar që vendimmarrja të bëhet në kohë dhe me analiza të kujdesshme.

Sa i përket bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe procesit për zgjedhjen e Presidentit, Hamza theksoi se PDK-ja do të kontribuojë sipas interesit të vendit.

“Sa i përket çështjes së presidentit, procesi është i ndarë. Së pari presim konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe më pas do të shohim mundësinë për një formulë që të mos bllokojë vendin”, u shpreh ai. /Telegrafi/

Kandidati i PDK-së për kryeministër voton në Mitrovicë të Jugut: Qytetarët të shprehim vullnetin e tyre

By: Fax Web
28 December 2025 at 10:34

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, i ka ftuar të gjithë qytetarët që të votojnë, siç ka thënë ai, sipas bindjeve dhe vullnetit të tyre.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe besoj që do të jetë një ditë e mirë”, tha Hamza.

“Pres që të jetë një rezultat i mirë dhe deri më tani është duke shkuar gjithçka mirë”.

Hamza u pyet nëse ka dëgjuar për ndonjë parregullsi, duke u përgjigjur: “Jo, deri më tani nuk kam dëgjuar për ndonjë incident dhe shpresoj që të shkojë mirë”.

Hamza fton qytetarët që të dalin të votojnë

28 December 2025 at 10:11


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i është drejtuar qytetarëve të vendit pasi që ushtroi të drejtën për të votuar.

Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët që të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre, për të përcaktuar se kush do të udhëheq me vendin në katër vitet e ardhshme.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe besoj që do të jetë një ditë e mirë”, tha Hamza.

“Pres që të jetë një rezultat i mirë dhe deri më tani është duke shkuar gjithçka mirë”.

Hamza u pyet nëse ka dëgjuar për ndonjë parregullsi: “Jo, deri më tani nuk ka dëgjuar për ndonjë incident dhe shpresoj që të shkojë mirë”. /Telegrafi/

Uran Ismaili: Bedri Hamza simbol i stabilitetit dhe mirëqenies në Kosovë

27 December 2025 at 21:12


Kandidati i PDK-së për deputet, Uran Ismaili, ka shprehur mbështetjen e tij për Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, duke e cilësuar atë si mishërim të idealit për një Kosovë më të mirë dhe më të qëndrueshme.

Ismaili theksoi se rrënjët e Partisë Demokratike të Kosovës burojnë nga ideali i palëkundur për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Sipas tij, Bedri Hamza përfaqëson këtë ideal përmes 25 viteve përvojë në shërbim publik, me integritet të lartë dhe rezultate të dëshmuara në çdo pozitë udhëheqëse që ka mbajtur.

“Nesër e hapim kapitullin e Kosovës stabile, të bashkuar, me Bedri Hamzën kryeministër dhe me zhvillim ekonomik e mirëqenie për të gjithë,” ka deklaruar Ismaili.

Ai nënvizoi se vizioni i PDK-së është i orientuar drejt stabilitetit politik, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e parë Bedri Hamzën si figurën kyçe për realizimin e këtij vizioni.


Bedri Hamza: Bëhuni pjesë e ndryshimit, me paga më të lartë dhe pensione dinjitoze

27 December 2025 at 20:47


Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, njëherësh Kandidat i PDK-së për Kryeministër, ka thënë se Kosova ka nevojë për unitet, stabilitet dhe një qeveri që punon për qytetarët e saj.

“Kosova ka nevojë për unitet. Ka nevojë për stabilitet. Ka nevojë për një qeveri që punon për qytetarët e saj. Një qeveri që angazhohet për ish-udhëheqësit e UÇK-së, presidentin Thaçi, kryetarin Veseli, bacin Jakup, Rexhën dhe të gjithë luftëtarët e lirisë, që padrejtësisht po na i mbajnë në Hagë”, ka thënë ai.

Hamza ka thënë se të bashkuar kanë fituar në të kaluarën dhe të bashkuar do të fitojnë edhe këtë herë.

“Do të fitojmë për të tashmen dhe të ardhmen. Për paga më të larta. Për pensione dinjitoze. Për çmime më të ulëta. Për një shtet që punon për qytetarët e vet. Dhe të gjitha këto fillojnë me një veprim. Në një ditë. Me një votë. Të dielën, dilni dhe votoni për Partinë Demokratike të Kosovës. Për familjen tuaj. Për të ardhmen tuaj. Për Kosovën. Bashkë. Përpara. Faleminderit.”, ka përfunduar fjalimin e tij kreu i PDK-së, Bedri Hamza.



Hamza kërkon të votohet numri 130: Mos e lini votën tuaj në shtëpi

27 December 2025 at 20:02


Bedri Hamza ka thënë se fushatën nuk e ka bërë nga zyra.

Ai ka thënë se atë e ka bërë në rrugë, në shtëpi, në fabrika, në tregje, në fshatra e qytete.

“Kam dëgjuar shpresë. Por kam dëgjuar edhe zhgënjime. Mbi të gjitha, kam dëgjuar një kërkesë të qartë: “Mos na lini vetëm. Fitoni dhe bëjeni ndryshimin”. Sonte dua t’ua tregoj këtë rrugëtim. Jo për mua. Por, për qytetarët e Kosovës. Ju ftoj ta ndiqni një rekapitulim të këtij rrugëtimi që e kemi bërë bashkë këtë muaj”, ka thënë Hamza, ku më pas është transmetuar edhe një video e fushatës së tij.

“Kjo që patë nuk është vetëm një fushatë. Është Kosova reale. Janë qytetarët që presin përgjegjësi. Janë familje që presin drejtësi. Janë të rinj që duan ta ndërtojnë jetën këtu, jo të largohen. Tani jemi në momentin vendimtar. Mos e lini dikë tjetër të vendosë për ju. Mos e lini votën tuaj në shtëpi. Flisni me familjen. Me miqtë. Me fqinjët. Dhe të dielën në mëngjes dilni dhe votoni. Sigurohuni që të gjithë të dalin dhe ta votojnë numrin 130. Merreni me vete familjen. Ndihmoni prindërit, gjyshërit, fqinjët. Telefononi një mik dhe kujtojani. Sepse, çdo votë është përgjegjësi”, ka thënë Hamza.


Hamza: Pensioni minimal 250€, 0% TVSH për ushqim dhe rrymë

27 December 2025 at 18:30


Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar me fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të fushatës.

“Gjatë kësaj fushate kam takuar mijëra qytetarë. Kam pasur biseda të këndshme, por edhe të rënda. Megjithatë, një takim nuk do ta harroj kurrë. Një pensionist më tha: “Unë nuk kërkoj luks. Dua vetëm të mos detyrohem që të zgjedh mes ilaçeve dhe ushqimit”. Ky nuk është rasti i vetëm që e kam dëgjuar në këto takime. Sepse, kjo është përditshmëria e shumë familjeve në Kosovë. Frikë nga e tashmja dhe nga e ardhmja. Unë e di çfarë do të thotë ta presësh fundin e muajit. E di çfarë do të thotë t’i numërosh shpenzimet. Të mendosh për faturat, për ushqimin, për shkollën e fëmijëve. Dhe pikërisht për këtë arsye unë dhe Partia Demokratike e Kosovës po e kërkojmë besimin tuaj, votën tuaj. Sepse, ju kuptojmë dhe kemi përgjigje për ju, kemi zgjidhje për ju. Ne nuk premtojmë mrekulli. Por premtojmë vendime të drejta dhe të ndjeshme në xhepin e qytetarit”, ka thënë Hamza.

Ai ka premtuar rritje 50% të pagave, që puna të shpërblehet me dinjitet. Rritje 50% e pensioneve dhe ndihmave sociale, sepse, siç ka thënë Hamza, askush nuk duhet të jetojë në pasiguri.

Hamza ka thënë se pensioni më i ulët do të jetë 250 euro.

“0% TVSH për produktet esenciale, që shporta e familjes të jetë më e përballueshme. 0% TVSH për energjinë elektrike, që fatura të mos jetë barrë. Ulje të tatimit në të ardhura, që më shumë para të mbeten tek ju. Këto janë vendime që ua ndryshojnë jetën. Por, këto ndodhin vetëm nëse ju dilni dhe votoni për Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Hamza.


Bedri Hamza me thirrje emocionale: Çdo votë vendos për familjen tuaj

27 December 2025 at 18:18


Bedri Hamza në tubimin përmbyllës ka thënë se Kosova ka kaluar shumë. Por, sipas tij, gjithmonë kemi ditur të bëhemi bashkë kur ka qenë më së vështiri.

“Sot, sfida jonë nuk është më mbijetesa, por drejtimi. Drejtimi kah do të shkojmë si shtet, si shoqëri. E para që duhet të bëjmë është ta themi edhe një herë se pa unitet nuk ka stabilitet. E pa stabilitet nuk ka qeverisje të mirë. Ndërsa, pa qeverisje të mirë, nuk ka paga më të larta, as çmime më të ulëta, as siguri për familjet tona. Prandaj këto zgjedhje duhet t’i shërbejnë bashkimit tonë rreth një qëllimi të përbashkët: një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Hamza, duke shtuar se ky bashkim fillon me një hap të thjeshtë: të dielën, dilni dhe votoni për Partinë Demokratike të Kosovës.

Hamza ka thënë se në këto zgjedhje, secila votë ka peshë.

“Çdo dalje në votim është një vendim për të ardhmen e familjes suaj. Për fëmijët tuaj. Për prindërit tuaj. Për Kosovën që duam”, ka thënë ai.


❌
❌