Kryeministri në detyrë, Albin Kurti të enjten nuk u deklarua për media se a synon koalicion qeverisës.
"Jam shumë vonë per takimet e radhës", ka thënë Kurti para gazetarëve.
Ai sot mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian - Dita e Biznesit Francez në Kosovë".
Ndryshe një ditë më parë, Kurti tha se janë duke u përgatitur që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të formohet Qeveria e re, meqë sipas tij ekziston urgjencë për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Me qëllim të promovimit të Kosovës si destinacion investimesh, në Prishtinë po organizohet "Dita e Biznesit Francez në Kosovë" nga Këshilli i Investitorëve Evropian, raporton KosovaPress.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Kosova është e hapur për investime serioze, teksa shtoi se kanë interes që me Francën të shtojnë bashkëpunimin.
“Dhe nëse ka një fjalë që duhet të përkufizojë bashkëpunimin tonë sot, ajo është besimi. Sepse besimi nuk është vetëm vlerë, është avantazh ekonomik. Në një botë të paqëndrueshme, të ndikuar nga tensionet gjeopolitike, transformimet teknologjike dhe rregullimi i fragmentuar, integriteti nuk është vetëm përmbushje rregullash, integriteti është konkurrueshmëri. Kur rregullat janë të qarta dhe zbatohen me drejtësi, kompanitë e mira sigurt rriten, investitorët planifikojnë afatgjatë dhe shoqëritë fitojnë besim në të ardhmen.
Sot dua të ndaj me ju tri mesazhe. Së pari, Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore. Së dyti, Kosova është e hapur për investime serioze. Dhe së treti, Kosova po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, me rajonin dhe më gjerë. Vendi ynë, Republika e Kosovës, është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar, me orientim të qartë evropian dhe po, tash e kemi edhe stabilitetin institucional, i cili dëshirohet aq shumë prej bizneseve. Meqenëse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale”, tha ai.
Tutje, ai theksoi se kompanitë franceze vlerësohen kudo në botë. Kurti shtoi se infrastruktura është besim dhe se i tregon çdo investitori se vendi po ndërton për sukses.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot tha se Kosova po transformohet e modernizohet.
"Duke parë këtë sallë shumë të mbushur, ndoshta do të duhej t’i shtynim muret, ndoshta do të duhej të kishim paraparë më shumë karrige; mirëpo dy konstatime imponohen shumë qartë: së pari, marrja e këtij rreziku ishte një zgjedhje e mirë, dhe së dyti, Kosova është një vend tërheqës për kompanitë franceze. Dhe këtyre kompanive franceze të pranishme sot, e veçanërisht atyre që po e zbulojnë Kosovën, dua t’u them disa gjëra thjesht: faleminderit, faleminderit që po bëni bastin e zbulimit, sepse ka shumë gjëra për t’u zbuluar në këtë vend të bukur.
Shumë energji, shumë rini, shumë dëshirë për të ndërmarrë. Dhe ata e ato që patën mundësinë dje ose këtë mëngjes të shëtisin nëpër Prishtinë, mund ta shohin këtë me sytë e tyre. Vendi po transformohet, po zhvillohet, po ndërtohet, po modernizohet, po investon. Është gjithashtu një vend me të cilin Franca mban një marrëdhënie shumë, shumë pozitive, një partner, por edhe më tepër një vend mik. Kjo marrëdhënie mbështetet në lidhje njerëzore me diasporën — e cila është padyshim e dukshme mes nesh — dhe në lidhje kulturore.”
Tutje, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani tha se synojnë promovimin e investimeve dhe mundësive.
“Kjo nismë u nis në korrik të vitit të kaluar, pas një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës përgatitor. Gjatë kësaj periudhe, u angazhuam në konsultime me institucionet përkatëse franceze, si dhe me Qeverinë e Kosovës dhe përfaqësues të sektorit privat, me qëllim që kjo platformë të pasqyrojë prioritetet e përbashkëta, nevojat reale të tregut dhe interesat strategjike afatgjata. Ambicia jonë është të nxisim lidhje domethënëse, të promovojmë investime dhe mundësi, si dhe të inkurajojmë inovacionin në këta sektorë, nga financat dhe energjia deri te infrastruktura, mobiliteti dhe teknologjia. Ne besojmë fuqishëm se duke bashkuar institucionet publike, partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin privat, mund t’i shndërrojmë interesat e përbashkëta në projekte konkrete”, tha ai.
"Dita e Biznesit Francez në Kosovë" nga Këshilli i Investitorëve Evropian, po shënohet sot përmes një konference që po mbahet në Prishtinë, në hotel Emerald. /KP/
Juristi Brdhyl Hasanpapaj ka komentuar mundësinë që presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, të jetë kandidate për një mandat të dytë, duke theksuar se procesi i zgjedhjes së presidentit është i lidhur ngushtë me vullnetin politik të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në një deklaratë në emisionin Debat Plus, Hasanpapaj ka theksuar se ekzistojnë dy skenarë të mundshëm për vazhdimin e mandatit të Osmanit në krye të shtetit.
“Ka dy mënyra: ose Albin Kurti e propozon Vjosa Osmanin për presidente, ose, në të kundërtën, ajo automatikisht kalon në taborin e kundërshtimit politik, pasi presidentja Osmani e ka bërë të qartë dhe e ka shpallur vetë kandidaturën se dëshiron edhe një mandat të dytë,” ka deklaruar Hasanpapaj.
Sipas tij, nëse Osmani nuk arrin të sigurojë mbështetjen e kryeministrit dhe të partisë më të madhe në vend, kjo do të nënkuptonte se ajo nuk ka arritur ta bindë subjektin politik që, sipas Hasanpapajt, i ka “të gjitha kartat e nevojshme në dispozicion” për zgjedhjen e presidentit.
“Tash, nëse nuk arrin që t’i bindë, i bie që nuk ka arritur ta bindë partinë më të madhe. President zgjidhet vetëm ai që do Albin Kurti sot, askush tjetër. Nëse Kurti dëshiron me e zgjedh presidente Osmanin, e zgjedh; nëse nuk dëshiron, nuk bëhet,” ka shtuar ai.
Hasanpapaj ka theksuar se realiteti aktual politik në Kosovë e bën rolin e kryeministrit dhe shumicës parlamentare vendimtar në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke lënë pak hapësirë për alternativa jashtë vullnetit të tyre.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se janë duke u përgatitur që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të formohet Qeveria e re, meqë sipas tij ekziston urgjencë për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ai theksoi se buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2026 duhet të përmbyllet brenda muajit shkurt, pasi funksionimi me sistemin e një të dymbëdhjetës nuk mund të vazhdojë edhe në muajin mars.
“Ne po përgatitemi që sa më shpejt ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë Qeverinë, sepse, siç e dini, i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore. Njëkohësisht e kemi edhe Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian, në vlerë prej 882.6 milionë eurosh, që duhet sa më parë të miratohet në Kuvendin e Republikës, pa harruar edhe buxhetin për vitin 2026”, shtoi ai.
Kurti rikujtoi se Qeveria mund të funksionojë me buxhetin e përkohshëm vetëm deri në fund të muajit shkurt.
“Me një të dymbëdhjetën Qeveria mund të vazhdojë vetëm edhe në muajin shkurt, ndërsa në mars kjo nuk është e mundur. Prandaj, në shkurt duhet ta kemi të përmbyllur buxhetin e vitit 2026,” tha ai.
Duke folur për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, Kurti paralajmëroi se do të ketë vazhdimësi, por edhe ndryshime.
“Do të ketë shumë prej emrave që i kam prezantuar unë dhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, por kabineti nuk do të jetë identik. Do të ketë edhe emra të rinj", u shpreh Kurti.
I pyetur për postin e presidentit të shtetit, Kurti tha se prioritet mbeten fillimisht konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe miratimi i buxhetit, ndërsa më pas do të ecet edhe drejt hapit të katërt.
“Së pari duhet t’i përmbyllim këta tre hapa, e pastaj do të ecim edhe me hapin e katërt mbarë e mirë", përfundoi Kurti. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 26-vjetorin e natës së 3 dhe 4 shkurtit 2000, kur forcat policore të Serbisë, në bashkëpunim me grupin paraushtarak kriminal të njohur si “Rojet e urës”, kryen spastrim etnik në pjesën veriore të Mitrovicës, duke dëbuar me dhunë mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre.
Sipas Kurtit, nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, shqiptarët u detyruan të largohen drejt jugut të lumit Ibër, ndërsa gjatë këtij aksioni kriminal u vranë 10 qytetarë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë.
Ai përmendi edhe emrat e viktimave të asaj nate tragjike, nga mosha 13 deri në 65 vjeç.
Kryeministri në detyrë theksoi se spastrimi etnik në Mitrovicë ndodhi vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, në një periudhë kur në vend ishin të pranishme forcat paqeruajtëse dhe administrata ndërkombëtare.
Megjithatë, gjatë shkurtit të vitit 2000, përmes strukturave të saj të sigurisë, Serbia arriti të dëbojë nga Mitrovica 1.564 familje shqiptare, me gjithsej 11.364 anëtarë.
“Edhe sot, 26 vjet më pas, drejtësia për këtë krim mbetet e paplotë”, theksoi Kurti, duke shtuar se viktimat dhe familjet e dëbuara vazhdojnë të përballen me pasojat e rënda të humbjeve dhe dëmeve të pësuara.
Ai vuri në pah se për më shumë se dy dekada, mijëra shqiptarë të dëbuar nga Mitrovica nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, ndërsa kthimi ka filluar vetëm vitet e fundit, pas shtrirjes së sovranitetit, sundimit të ligjit dhe kontrollit institucional në veri të vendit.
Sipas tij, gjatë katër viteve të fundit janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 150 shtëpi në katër komunat veriore, ndërsa si shembull përmendi rastin e Mustafë Behramit, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar me familjen në shtëpinë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.
Kurti theksoi se sot, ndryshe nga viti 2000, Mitrovica është qytet ku jetojnë së bashku qytetarë të të gjitha komuniteteve, nën angazhimin e institucioneve për barazi, ligjshmëri dhe sundim të ligjit.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të dielën ka mbajt mbledhjen e përbashkët me drejtuesit e qendrave të kësaj partie.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se kjo ishte mbledhja e parë me qendrat pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe përmbylljes së cikleve zgjedhore lokale, si vazhdim i organizimit dhe angazhimit të tyre në terren.
“Në mbledhje ishin të pranishëm kryeministri, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sekretari organizativ, Alim Rama, si dhe koordinatori i qendrave, Salih Zyba. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për situatën aktuale politike në vend dhe për fushatën tonë zgjedhore të suksesshme, e cila u kurorëzua me mbështetje qytetare prej 51.10% dhe 57 ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, u trajtuan çështje që lidhen me procesin e certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe konstituimin e institucioneve të reja”, thuhet në postim.
Tutje bëhet e ditur se një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe aspektit organizativ të Lëvizjes, funksionimit dhe organizimit nëpër qendra, si dhe çështjeve të tjera të rëndësishme për forcimin e mëtejmë të strukturave tona. /Telegrafi/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar lart veprën dhe kontributin e fotografit Hazir Reka, duke e cilësuar atë si një dëshmitar të qetë dhe të thellë të kohës sonë.
Në një postim, Kurti ka theksuar se përmes fotografisë, Reka ka ruajtur tensionet e ngjarjeve, peshën e gjendjeve dhe fytyra të papara, ku pritja bashkon ankthin me shpresën, ndërsa dinjiteti ndan dhimbjen nga frika. Sipas tij, Hazir Reka ka dokumentuar guximin dhe krenarinë, vuajtjet dhe rreziqet që populli i Kosovës i ka përjetuar përgjatë tri dekadave.
Kryeministri ka bërë të ditur se veprat, produktet, mjetet dhe aparatet fotografike të Rekës janë arkivuar dhe po ekspozohen në studion e tij të veçantë në fshatin e lindjes, Nerodime të Ferizajt, në një ambient të këndshëm dhe përplot bukuri.
“Fotografia e tij është kujtesë publike që reziston me estetikë dhe një akt ndërgjegjeje që përgjigjet me qytetari”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se përmes dokumentimit të asaj që sheh, Reka rikthen shoqërinë në vendet ku janë shkrepur fotografitë dhe krijon një proces edukimi për brezat.
Në fund, Kurti ka falënderuar përzemërsisht Hazir Rekën dhe familjen e tij për mikpritjen e ngrohtë, kohën, respektin dhe bujarinë, duke i uruar shëndet, frymëzim dhe suksese të mëtejshme.
Sot janë bërë 36 vjet nga rënia e dëshmores Elfete Humolli, e cila u vra më 1 shkurt 1990 nga forcat policore serbe gjatë demonstratave gjithëpopullore për liri, demokraci dhe të drejta politike në Kosovë.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Albin Kurti, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja në detyrë e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe ministra, deputetë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bënë homazhe te monumenti përkujtimor në Lupç të Poshtëm, pranë vendit ku u vra dëshmorja, për të vazhduar më pas vizitën te familja Humolli.
“Sot bëhen 36 vjet nga rënia e dëshmores Elfete Humolli”, thuhet në njoftim, duke rikujtuar se Elfetja ishte vetëm 16 vjeçe në momentin kur u vra, nxënëse e shkollës së mesme dhe “pjesëmarrëse aktive në organizimet popullore të kohës, pjesë e brezit të ri që kërkonte barazi dhe dinjitet për popullin e vet”.
Në njoftim theksohet se demonstratat e asaj kohe u përballën me represion të ashpër.
“Protestat e atyre ditëve u përballën me dhunë të ashpër, gaz lotsjellës dhe të shtëna ndaj demonstruesve të paarmatosur, duke dëshmuar përmasën e represionit ndaj një popullsie që kërkonte liri me mjete paqësore”.
Vrasja e Elfete Humollit tronditi mbarë Kosovën, ndërsa varrimi i saj u shndërrua në një tubim masiv qytetar.
“Varrimi i saj u kthye në një tubim të madh qytetar me mbi 10 mijë pjesëmarrës, ndërsa familja Humolli u bë simbol i dhimbjes dhe qëndresës së një populli që po përballej me shtypje sistematike”, thuhet më tej.
Rasti i Elfetes u pasqyrua edhe nga media ndërkombëtare, duke dëshmuar dhunën ndaj civilëve shqiptarë që kërkonin të drejta themelore. Sakrifica e familjes Humolli u thellua edhe më tej në vitin 1999, kur “më 16 maj 1999, edhe vëllai i saj, Mentori, ra dëshmor në betejën e Koshares”.
“Sot i nderojmë në komplekset memoriale në Lupç të Poshtëm dhe përkujtojmë guximin e tyre, si dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në Llap, më 31 janar 2026, në homazhe dhe akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 29-vjetorin e rënies së tyre.
Në fjalimin e tij, Kurti tha se tash e 29 vjet, dita e fundit e janarit është e rezervuar për përkujtimin e Zahir Pajazitit me shokë, duke e cilësuar këtë traditë si tashmë të institucionalizuar dhe me rëndësi të veçantë për kujtesën kolektive të Kosovës.
Ai theksoi se këtë vit përkujtimi po mbahet në Podujevë, ndërsa vitin e ardhshëm, në përvjetorin jubilar të 30-vjetorit, dëshmorët do të nderohen në Prishtinë, nën patronatin e Kryeministrisë së Republikës së Kosovës.
Kurti rikujtoi se më 31 janar 1997 ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, duke nënvizuar se ata përfaqësojnë një brez të tërë që i dha kuptim përpjekjes politike dhe asaj të armatosur për çlirimin e Kosovës.
Sipas tij, gjatë gjithë shekullit XX shqiptarët kanë ndjekur dy rrugë për liri: angazhimin politik dhe kryengritjen e armatosur, rrugë që u kurorëzuan me luftën çlirimtare të UÇK-së.
Kryeministri vuri theks të veçantë në rolin e Zonës së Llapit, e cila, sipas tij, i dha Kosovës një nga grupet më të organizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – grupin e Zahir Pajazitit me shokë – që më pas u shndërrua në Zonën Operative të Llapit.
Ai përmendi edhe kontributin e shumë bashkëluftëtarëve, duke theksuar se sot obligimi për ta rrëfyer historinë e luftës dhe të sakrificës për liri u takon edhe atyre që mbijetuan.
Në fund, Kurti tha se kultivimi i traditës së përkujtimit të dëshmorëve është kyç për të kuptuar rrugën e shtetit dhe të ardhmen e brezave, duke përmbyllur fjalimin me thirrjen:
“Lavdi Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, si dhe lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë për lirinë e Kosovës.”/Telegrafi/
Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, përfaqësues të subjekteve politike, të komunës së Prishtinës, veteranë e familjarë kanë bërë homazhe pranë përmendores së heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, në përvjetorin e rënies së tij dhe bashkëluftëtarëve Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të tjerë institucionalë, kryetari i AAK-së, familjarë e veteranë theksuan rëndësinë e sakrificës së tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Presidentja Vjosa Osmani e cilësoi 31 janarin si një nga ditët më me peshë dhe më frymëzuese në historinë e Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se rënia e tre heronjve i dha kumtin lirisë dhe frymëzoi një popull të tërë të luftojë kundër mohimit shekullor.
“Në këtë ditë ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, që të tre heronj të Republikës së Kosovës, duke dhënë kështu kumtin e lirisë dhe duke inspiruar një popull të tërë që të luftojë për lirinë që na ishte mohuar me shekuj. Natyrisht që kjo sakrificë e tyre ka vënë themelet e forta të Republikës së Kosovës, themele në këto që edhe sot qëndron shteti ynë sovran, i pavarur, i cili u ndërtua me gjak, i cili u ndërtua me mund dhe me shumë sakrificë...“, tha ajo, raporton KP.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, e përshkroi Zahir Pajazitin si një luftëtar të paepur dhe një guerilas me aksione tejet të suksesshme.
Sipas tij, forcat serbe i vranë më 31 janar 1997, sepse ishin të tmerruar nga veprimtaria e tyre.
“Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, saqë vetëm kurthi, pusia, prita mund t'ju jepte shans forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin. Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu qysh nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti...", tha ai.
Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i cilësoi tre heronjtë si figura themeltare të rezistencës së armatosur dhe të UÇK-së. Ajo theksoi se Zahir Pajaziti ishte një nga ideatorët dhe organizatorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se janë ulur largimet e mjekëve jashtë vendit dhe kërkesat për shërim jashtë Kosovës.
“Lajm i mirë nga puna e përbashkët është se ka rënie të theksuar të largimit të mjekëve nga vendi dhe të numrit të kërkesave të pacientëve për shërim jashtë vendit, çka dëshmon përmirësimin e kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë dhe të shërbimeve për qytetarët e Republikës”, ka shkruar Kurti në Facebook për vizitën që bëri bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, në Odën e Mjekëve.
Kurti ka theksuar se zhvillim tjetër pozitiv është gjithashtu fakti se në gjashtë muajt e fundit Oda e Mjekëve ka licencuar rreth 50 mjekë nga radhët e komunitetit joshumicë serb, që tregon vullnet të mirë dhe gatishmëri për integrim në sistemin e shëndetësisë.
“Në anën tjetër, sfidë mbetet pensionimi i rreth 1600 mjekëve në 10 vitet në vijim, nga afër 5500 sa janë të licencuar aktualisht. Për këtë na duhet bashkëpunim i ngushtë me Odën dhe planifikim i mirë i Ministrisë së Shëndetësisë për zëvendësim të duhur me mjekë të rinj, në fusha sipas kërkesave dhe në komuna që kanë nevojë”, ka potencuar Kurti.
Avokati Tomë Gashi vlerëson se deklarimet e kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se është i gatshëm që të bashkëpunojë me opozitën janë domethënëse.
Gashi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se sipas tij Kurti do të nisë bashkëpunimin me partitë opozitare që nga java e ardhshme.
“Deklarimet e Kurtit janë publike që do të bashkëpunojë me opozitën që nga java e ardhshme – në fillim të shkurtit dhe që data e fundit për zgjedhjen apo rizgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani është data 5 mars”.
Gashi, mes tjerash, u shpreh se beson se në të njëjtën ditë do të konstituohet Kuvendi dhe do të zgjidhet edhe Qeveria e re.
“Kjo i bie që datat po afrohen dhe Kurti është shprehur i hapur për bashkëpunim me opozitën pasi qëllimi është që të mos ketë bllokadë e ngërçe politike sikur nga shkurti i vitit deri më 28 dhjetor dhe të që të formohet parlamenti dhe në të njëjtën ditë besoj që do të formohet edhe qeveria “Kurti 3”, u shpreh Gashi.
Pretendimet e dy kompanive nga Gjilani - “Future Minds Academy” dhe “Miga Skyshield” - se droni kamikaz “Skifteri K1” është prodhim i tyre, u shoqëruan me reagime dhe dyshime në opinionin publik.
Çfarë ndodhi?
Dyshimet u ngritën pasi në fillim të muajit janar, drejtuesit e këtyre kompanive postuan në rrjete sociale një video, që, sipas tyre, paraqiste “momentin e testimit të këtij droni ushtarak, duke goditur një objekt të caktuar në territorin e një shteti tjetër”.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës u tha atëkohë mediave në Prishtinë se “nuk ka informata për prodhimin, lejen dhe procesin e testimit të dronit”.
Pak ditë më vonë, të njëjtat media raportuan se videoja ishte e një kompanie kineze dhe se një pjesë e saj ishte e gjeneruar me inteligjencë artificiale (IA).
Lokacionin ku dy kompanitë pretendojnë se prodhojnë dronë ushtarakë dhe civilë, e vizitoi në nëntor të vitit të kaluar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti u tha gazetarëve më 30 janar se nuk mund t’i dijë të gjitha hollësitë e kompanive që i viziton dhe shtoi se është “i hapur t’i dëgjojë kritikat kur diçka nuk është ashtu siç i është prezantuar”.
Dyshimet se droni “Skifteri K1” ishte mashtrim, i mohoi drejtuesi i “Future Minds Academy”, i cili në postimin e tij në Facebook i quajti “propagandë mediatike”.
Drejtuesi i kompanisë tjetër “Miga Skyshield”, që thotë se u angazhua në prodhimin e dronëve, Muahmet Ajrullahu, nuk pranoi të komentojë për dyshimet e ngritura në media dhe nga politikanë, kur u kontaktua nga REL-i.
Çfarë thanë partitë politike?
Partia Demokratike e Kosovës kërkoi hetim institucional për këtë rast.
Besa Kabashi-Ramaj, kandidate për deputete e kësaj partie, që në legjislaturën e kaluar ishte në opozitë, tha se kryeministri në detyrë, Kurti, mashtroi publikisht, duke promovuar diçka të rreme, që, sipas saj, përbën problem për sigurinë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “skandali me foto e video të Kurtit me dronin imagjinar, është veç njëri prej qindra rasteve të shpërfaqjes së fytyrës së vërtetë të këtij pushteti”.
Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarim për situatën nga Ministria e Mbrojtjes dhe përgjigje nga Prokuroria nëse ky rast përbën vepër penale apo nëse është e angazhuar në hetime, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Në Kodin Penal të Kosovës, neni 323, mashtrimi përcaktohet si vepër penale.
Sipas këtij neni, kushdo që paraqet në formë të rreme faktet, i fsheh ato apo mashtron, me qëllim që të përfitojë para ose të shkaktojë dëm material te tjetri, ose e bën dikë të kryejë ose jo një veprim, duke i shkarkuar humbje a fitim të paligjshëm, mund të dënohet me gjobë dhe burgim nga 3 muaj deri në 5 vjet.
Megjithatë, ky nen nuk parasheh në mënyrë specifike mashtrimin publik në rastet kur ai nuk shoqërohet me përfitim financiar apo me dëm material.
Kush janë kompanitë?
Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), të dyja këto kompani që pretendojnë se u angazhuan në prodhim të dronëve, janë regjistruar në vitin 2025.
“Future Minds Academy” figuron me dy punëtorë dhe me kapital prej një mijë eurosh, ndërsa në përshkrimin e veprimtarisë ka të deklaruara aktivitete arsimore.
Kompania “Miga Skyshield” në ARBK figuron me një punëtor dhe me kapital prej 750 mijë eurosh, ndërsa veprimtaria e saj është e përshkruar si prodhim i makinerisë luftarake për ushtrinë.
Çka thotë ligji?
Sipas Ligjit për Armë, prodhimi i armëve në Kosovë lejohet vetëm me leje të posaçme shtetërore.
Neni 26 përcakton se vetëm personat juridikë mund të prodhojnë armë, pjesë armësh dhe municion të kategorisë A, dhe vetëm pas pajisjes me licencë dhe pëlqim nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ligji obligon kompanitë të përmbushin kushte të rrepta teknike dhe të sigurisë, si dhe t’i njoftojnë institucionet përkatëse për fillimin e prodhimit.
Kapacitetet e Kosovës
Vitin e kaluar, Kosova bleu mijëra dronë Skydagger dhe Bayraktar nga Turqia.
Autoritetet e paraqitën këtë blerje si hap drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit, ndërsa NATO-ja paralajmëroi se çdo aktivitet ajror duhet të koordinohet me misionin e saj në Kosovë, KFOR.
Po atë vit, Kosova pranoi edhe një flotë dronësh të blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se blerjet e armatimit realizohen kryesisht nga vendet aleate të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Turqinë dhe SHBA-në.
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë, ka shënuar rritje të vazhdueshme - nga 153 milionë euro më 2024 në 207.8 milionë euro më 2025.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se fabrika e parë e municioneve në Kosovë do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, ndërsa prodhimi i parë pritet të nisë në fund të vitit 2026./Radio Evropa e Lirë/
Zhvillimet aktuale politike në vend, përfshirë proceset e formimit të qeverisë së re kanë qenë pjesë e diskutimit në takimin që kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka pasur me diplomatin austriak në Kosovë, Georg Schnetzer.
“Gjatë këtij takimi, ambasadori Schnetzer e uroi kryeministrin Kurti për fitore bindëse në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar rëndësinë e rezultateve të procesit demokratik”, thuhet në njoftimin qeveritar.
Tutje, bëhet e ditur se kreu në detyrë i ekzekutivit ia ka bërë të qarta ambasadorit austriak synimet për anëtarësim e Kosovës në NATO e BE.
“Kryeministri theksoi planet për investimet infrastrukturore në mandatin e ri, synimin e palëkundur të Qeverisë për anëtarësim në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe angazhimin e vazhdueshëm për paqe dhe siguri”, ka bërë të ditur në njoftimin përcejllë mediave Zyra e Kryeministrisë.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në Prokurorinë Speciale këtë të premte. Peci, ish ministër i bujqësisë gjatë mandatit Kurti 2, u mor në pyetje për grantet e ndara nga Ministria e Bujqësisë në kohën kur dikasteri drejtohej prej tij.
Prokuroria Speciale ka intensifikuar hetimet për “grantet” e Ministrisë së Bujqësisë, nga të cilat dyshohet se përfituan familjarë të pushtetarëve, përfshirë vëllain e ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Në pyetje nga prokuroria është marrë edhe ministri në detyrë i shëndetësisë Arben Vitia. Jashtë prokurorisë ai nuk ka pranuar të jap detaje për “vizitën” në institucionin e drejtësisë.
“Jam takuar me Osmanin” por diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ri janë në rend të katërt. Ky është rankimi që kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka bërë çështjes së zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.
“Sa i përket takimit me presidenten, padyshim që jemi në komunikim edhe jemi takuar, por ta keni parasysh që ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultateve, kemi nevojë për tre hapa paraprak, konstituimin e Kuvendit, kryetarit e pesë nënkryetarëve, pastaj është formimi i qeverisë dhe duhet të fillojmë menjëherë me marrëveshjet ndërkombëtare”, u shpreh kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Një qëndrim interesant e pati Kurti kur u pyet për Kosovën në Bordin e Paqes. Ai komentoi, duke deklaruar se dëshiron që Forcat Speciale të Kosovës të kenë një rol në Gaza, por nuk përmendi kontributin e presidentes aktuale të vendit.
“Unë jam kryeministër në detyrë, nuk jam ende në mandatin tim të tretë. Kudo që ka nevojë për paqe në botë, ne dëshirojmë që të kontribuojmë sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë përmes forcave ndërkombëtare, andaj tash duam që të marrim pjesë me forcat tona dhe kapacitetet tona edhe në paqe në vende të ndryshme në botë”, tha Kurti.
Ndërsa për rinumërimin, Kurti u mjaftua me komentin se gabimet janë njerëzore. Më konstituimin e Kuvendit të ri, vendin e presin miratimet urgjente të tre marrëveshjeve ndërkombëtare për ti hapur rrugë fondeve nga Plani i Rritjes.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm dhe ka interesim për një bashkëpunim me opozitën por që a është kjo reciproke, thotë se mbetet të shihet në muajin shkurt, por thekson se duhet të shihet në Kuvend nëse ka atmosferë për një raport të ri Qeveri- opozitë. Kurti tha se është takuar dhe me presidenten Vjosa Osmani, por nënvizon se para procesit të zgjedhjes së…
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar sot Odën e Mjekëve të Kosovës.
Pas takimit aty, Kurti në një deklaratë për media tha se Oda e Mjekëve i ka 5500 mjekë të licencuar dhe prej tyre rreth 150 janë të komunitetit jo shumicë.
“Lajm fort interesant është që në gjashtë muajt e fundit janë rreth 50 mjekë të komunitetit serb që janë licencuar nga Oda e Mjekëve, pra që po inkorporohen në sistemin tonë të shëndetësisë...”, tha Kurti, raporton Telegrafi.
Kryeministri në detyrë tutje tha se ka rënie të theksuar të largimit të mjekëve dhe kërkesave për shërim jashtë vendit.
Ai njoftoi se me përfaqësuesit e Odës së Mjekëve kanë biseduar edhe për sfidat.
Sipas tij, një ndër sfidat është se nga 5500 mjekë të licencuar rreth 1600 mjekë do të dalin në pension në 10 vitet në vijim dhe duhet të zëvendësohen. /Telegrafi/
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se çështja e presidentit apo presidentes së ardhshme do të trajtohet vetëm pasi të përmbyllen disa hapa të rëndësishëm institucionalë, duke theksuar se takimi me presidenten përbën hapin e katërt në këtë proces.
Në një prononcim për media, Kurti sqaroi se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, vendi duhet të kalojë nëpër tri faza paraprake.
“Ndërkaq, sa i përket takimit me presidenten, jemi në komunikim dhe jemi takuar, por ta keni parasysh se ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, kemi nevojë për tre hapa paraprakë. I pari, konstituimi i Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e kryetares apo kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve, pastaj formimi i qeverisë dhe pastaj na duhet që menjëherë të fillojmë me vendimet për marrëveshjet ndërkombëtare. Kemi tri marrëveshje me Bankën Botërore dhe kemi planin e rritjes së BE-së, i cili është në shumën e gjithëmbarshme prej 882.6 milionë euro, ku rreth 30 për qind janë grante, ndërkaq 70 për qind janë kredi”, theksoi ai.
Duke folur për raportet me opozitën, kryeministri nënvizoi se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një mbështetje të madhe nga qytetarët, çka sipas tij përbën një përgjegjësi të lartë për formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, ai theksoi se për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, si marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhja e presidentit apo presidentes, bashkëpunimi me opozitën është i domosdoshëm.
“Unë besoj që në raport me opozitën, te marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe te konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeberisë, do të shohim se a po ia fillojmë një kapitull të ri që dallon nga ai i vitit 2025 që sapo e kaluam. Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–Opozitë. Unë nuk mund ta them këtë paraprakisht, por pa dyshim muaji shkurt është muaji që do të na tregojë neve se a do të mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona. Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë, nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita”, tha ndër tjerash Kurti. /Telegrafi/