Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 December 2025Main stream

Kurti: Për Pejën pesë çerdhe të reja dhe inkubatorin e biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”

22 December 2025 at 22:03


Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, qëndroi në Pejë, ku në një tubim me qytetarë, ka rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Ai theksoi se angazhimi i Qeverisë Kurti për komunën e Pejës nuk ka munguar, duke renditur projektet në proces si ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos, Stadiumit, projekti i ngrohjes qendrore, rruga e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën e Deçanin me Pejën dhe Istogun, si dhe rruga Pejë–Kuçishtë, përkrah rehabilitimit të rrugëve rajonale.

Dëshmi e vëmendjes së pandërprerë të Qeverisë për qytetin e Pejës, janë edhe zotimet e mandatit të ardhshëm, tha Kurti.

Ai renditi prioritetet kryesore si: zgjidhjen e problemeve të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave, hapjen e pesë çerdheve në Baran, Raushiq, Leshan, Nabërgjan dhe Novosellë, si dhe mbështetjen e Inkubatorit të Biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”.

Më tej tha se forcimi i lidhjeve mes universitetit, sipërmarrësve dhe sektorit privat, si dhe prioritetizimin e ICT-së, turizmit dhe shërbimeve digjitale, ka për synim që të shndërrojë Pejën në qendër të inovacionit në rajon.

Kurti nga Istogu: Mbështesim rritjen e prodhimit vendor për bukën tonë, nga toka jonë, në sofrën tonë

22 December 2025 at 18:23


Kryeministri Kurti qëndroi dje në Istog, nga ku rikonfirmoi përkrahjen e qytetarëve e mërgimtarëve të Istogut.


Në një takim në një nga kafenetë e qytetit, Kryeministri tha se Istogu ka dëshmuar përherë përmes votës së tyre mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje, e bashkërisht do të votojnë numrin 116, për t’i garantuar Kosovës siguri e begati.


Kurti theksoi se do të rritet mbështetja për gjyshërit, nënat e fëmijët, e do të vazhdojë ajo për bujqësi, duke mundësuar rritjen e prodhimit vendor e zvoglimin e importit për të siguruar bukën nga toka e Kosovës, në sofrën e secilit qytetar.





Kurti viziton plakën që u bë e famshme me fjalinë: Mos Lësho Pe

22 December 2025 at 16:19


Në një takim tejet të ngrohtë, Kryeminstri Albin Kurti u prit në shtëpinë e zonjës Xhemile Gashi, në Qyshk të Pejës.


Lokja Xhemile, siç e quan Kurti, është pikërisht burimi i slloganit të Lëvizjes Vetëvendosje “Mos lësho pe”.


Mes përqafimesh e duarshtrënguar, biseduan për librat që lokja Xhemile po lexonte, duke theksuar mbështetjen e saj për Kurtin.

Prandaj nga aty, Kurti thotë se ajo u zotua rishtazi që të mos lëshojë pe.



Kurti: Forcim i kapaciteteve të Mbrojtjes Ajrore të Policisë së Kosovës

By: Telegrafi
22 December 2025 at 13:44


Kryeministri në detyrë Albin Kurti, përmes një postimi të tij në rrjetin Facebook, tha se dy vite më parë, në kuadër të Policisë së Kosovës, u themelua Drejtoria e Mbrojtjes Ajrore, me njësitë dron dhe antidron si komponentë thelbësorë të sigurisë.

Kurti tha se testimi i aftësive të mbrojtjes ajrore, u realizua në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, mbështetur tërësisht në kapacitetet e brendshme të Policisë së Kosovës.

Për çka edhe shprehu mirënjohjen e tij për zyrtarët e angazhuar, si dhe profesionalizmin e treguar, duke theksuar se mbështetja institucionale për zhvillimin dhe modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse do të vijojë edhe në mandatin tjetër. /Telegrafi/


Kurti në Ferizaj, përkujton rezistencën e sakrificën kombëtare

By: Telegrafi
22 December 2025 at 12:39


Kryeminstri në detyrë Albin Kurti në Ferizaj, takoi ish të burgosurin Ali Mehmeti, nga i cili pranoi librin e tij Rezistenca Shqiptare në Ferizaj dhe Rrethinë (1988-1998).

Ali Mehmeti, autor edhe i dhjetëra librave të tjerë, i pandryshuar shpirtërisht dhe mendërisht nga burgu, ishte angazhuar gjatë për Republikën e Kosovës, përmes aktivizmit politik, duke mbajtur gjallë edhe parullën e tillë, Kosova Republikë, që nga viti 1967, kujtoi Kurti.

Ndërsa ngrohtësisht u prit edhe nga veterani e invalidi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jeton Zejna në Greme të Ferizaj./Telegrafi/




“T’kom djalë vallahi” - takim i veçantë i Kurtit me loken Xhemile që frymëzoi sloganin “Mos lësho pe”

By: Telegrafi
22 December 2025 at 07:49


Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherit kryetari i LVV-së Albin Kurti, ka ndarë në rrjetet sociale një moment emocional me loken Xhemile Gashi nga Qyshku i Pejës, duke e cilësuar atë si burim frymëzimi dhe force morale.

Kurti ka treguar se lokja Xhemile, pasi kishte përfunduar librin e Marin Barletit “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”, kishte vazhduar leximin e romanit “Procesi K.” të Rexhep Zogajt.

Ai theksoi se fjalët e saj “Nuk lëshojmë pe” janë shndërruar në slogan.

Në videon e publikuar nga Kurti, dëgjohen fjalët prekëse të lokes Xhemile, e cila gjatë tërë diskutimit ia mbanë dorën Kurtit dhe i drejtohet atij me shumë përzemërsi: “A mujte, a je lodh? Kurrë s’më ka pru kush lule. T’kom djalë vallahi, a je lodh boll, ishalla edhe punët e mira. Unë ty të du prej asaj dite që ke dal nga burgu, të du si me të pas djalë temin”.

Postimi i kryeministrit ka marrë reagime të shumta nga qytetarët, të cilët e kanë vlerësuar loken Xhemile si një figurë që përçon mesazh të fortë qëndrueshmërie dhe besimi. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Kurti: Kaçaniku i dëshmorëve e martirëve në përkrahje të 116

21 December 2025 at 20:55


Kryeninistri në detyrë, Albin Kurti, njëherit kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ishte dje në Elezaj të Kaçanikut, e pastaj në njërën nga kafiteritë e qytetit.

Banorët e mërgimtarët nga Kaçaniku, të cilët e priten ngrohtë Kryeministrin, i rikonfirmuan edhe një herë mbështetjen e tyre të fuqishme për Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Kryeministri më pas vizitoi kryetarin e parë të komunës së Kaçanikut pas çlirimit të vendit, Tahir Çakën.

Kurti kujtoi se familja Çaka ka dhënë dy dëshmorë, vëllezërit e Tahirit, si dhe prindërit martirë të vrarë nga forcat armike serbe.

Ai e cilësoi si shtyllë të qëndresës, përkushtimit e rezistencës, e Kaçanikun simbol të kujtesës dhe sakrificës kombëtare.

Kurti: Hekurudha Prizren-Ferizaj dhe 1miliard euro për prodhim e industri

21 December 2025 at 17:38


Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubimin e saj të radhës ne Ferizaj.

Kryeministri Albin Kurti tha se Ferizaji ka dëshmuar vendosmëri dhe angazhim të vazhdueshëm, duke theksuar se as qeveria nuk ka lëshuar pe në mbështetjen ndaj këtij qyteti.

Për QKMF, stadiumin e qytetit, spitalin, teatrin, Qendrën Multifunksionale, çerdhe dhe shkolla, si dhe energji efikase në objekte publike, qeverisja e Kurtit është përkujdesur që të investojë financiarisht për Ferizajn.

Kurti tha se në mandatin e ardhshëm synohet rritja e mëtejme e investimeve për Ferizajn, me qëllim shndërrimin e qytetit në një qendër të rëndësishme biznesore.

Sipas tij, projektet strategjike përfshijnë fillimin e ndërtimit të hekurudhës Prizren–Ferizaj deri drejt Bujanocit, ndarjen e 1 miliard eurove për prodhim dhe industri, si dhe investimin e 500 milionë eurove për Brezovicën, investime këto që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në punësim dhe zhvillim ekonomik edhe për Ferizajn.



Konjufca: Qytetarët anembanë Kosovës të angazhuar për fitoren e Vetëvendosjes

21 December 2025 at 17:30


Kandidati për deputet nga LVV, Glauk Konjufca ishte në konakun e familjes Grajqevci, nga të cilët u prit ngrohtësisht.

Ai tha se vullneti dhe angazhimi për zhvillim e mirëqenie, do të vazhdojë edhe në qeverisjen e ardhshme të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka sipas tij mbështetja qytetare është e qartë.



Ndërsa në Obiliq, bashkë me kryetarin Halil Thaqi, takoi vullnetarët e angazhuar atje.

Konjufca e cilësoi angazhimin e tyre vullnetar, si shtyllë të fitores së 28 dhjetorit.

Bashkë me ta ai bisedoi për politikat qeverisëse për rininë, si dhe për synimet e së ardhmes.

Konjufca ishte edhe në Bardhosh, ku tha se rruga e nisur tashmë, do të fuqizohet duke mos lëshuar pe e duke mbështetur numrin 116.


"Me qytetarët që nuk lëshojnë pe", Kurti në Han të Elezit e Kaçanik

By: Telegrafi
21 December 2025 at 14:58


Kryeministri në detyrë Albin Kurti takoi banorët e Hanit të Elezit.

Në një takim të përzemërt, ai bisedoi për çështjet lokale, investimet dhe zotimet për mandatin e ardhshëm të tij.

Nga aty ai takoi edhe pensionistët e Kaçanikut, të cilët me mikpritje i thanë se Kryeministri ndodhej në vendin i cili përkon me slloganin e tyre, e të cilët premtojnë se nuk do të lëshojnë pe.

Kurti theksoi qartë se sundimi i ligjit do të vazhdojë të mbetet prioritet i qeverisjes së tij, duke mos përjashtuar forcimin e ushtrisë, mbështetjen për nënat, fëmijët dhe pensionistët, si dhe kujdesin ndaj bujqve e fermerëve, për një jetesë të sigurt e të begatë për secilin qytetar. /Telegrafi/


Kurti: Familja Krasniqi qëndresë e kujtesë

By: Telegrafi
21 December 2025 at 12:50


Kryetari i LVV-së, Albin Kurti vizitoi familjen Krasniqi në Krevenik. Në një takim të përzemërt me Nuri e Nurie Krasniqin, ai çmoi lart qëndresën e forcën e tyre, si dëshmi edhe e rezistencës së brezave të kaluar.

Më 29 mars 2001, gjatë granatimit të fshatit Krivenik nga ushtria e asaj kohe e FYROM-it, Nuri Krasniqi u plagos rëndë, ndërsa djali i tij 21-vjeçar, Baki Krasniqi dhe mësuesi Ilaz Thaçi, u vranë.


Mësuesi sapo mori vesh, largoi nxënësit nga klasa dhe u qëllua për vdekje gjatë orës mësimore. Gazetari anglez Keren Lawton, i cili pësoi në të njëjtin sulm, ndërroi jetë rrugës për në kampin Bondsteel, kujtoi Kurti.

Kurti i falënderoi familjen Krasniqi për mikpritjen, drejtësia për rastin e së cilës ende mungon. Ai kujtoi e nderoi të gjithë të rënët në Krivenik./Telegrafi/

Kurti: Mbështetje për bizneset prodhuese në Kosovë

By: Telegrafi
21 December 2025 at 10:49


Kryetari i LVV-së njëherit kryeministër në detyrë, Albin Kurti vizitoi fabrikën e stiroporit Kosova Plast.

Pronari Refik Luri, i cili numëron 30 punëtorë, përveç në vend, eksporton edhe në Zvicërr e Itali.

Ai tha se ai ka përjetuar drejtpërsëdrejti përfitimet nga politikat qeveritare, në veçanti nga programi “Superpuna”, program ky i cili ka mundësuar angazhimin e punëtorëve të rinj në fabrikën e tij.

Kurti u zotua se mbështetja e qeverisë për bizneset që investojnë, prodhojnë dhe eksportojnë do të vazhdojë edhe në mandatin tjetër, sepse është synimi i tyre që përmes masave të tilla të rrisin prodhimtarinë dhe të shtojnë aktivitetin e tyre. /Telegrafi

Kurti: Arsimi profesional urë lidhëse me tregun e punës

20 December 2025 at 21:40


Kryeministri Albin Kurti vizitoi Institutin për Aftësime Profesionale KTC.

Ky institut ofron 12 klasa mësimore në fusha të ndryshme profesionale, përfshirë parukeri dhe grimë, rrobaqepësi, instalime elektrike, ngrohje, ujë, kanalizim dhe klimatizim, manikyr dhe pedikyr, përgatitje ëmbëlsirash, piceri dhe furrëtari, ndihmës dhe kuzhinier, IT-programim, web dizajn dhe mekatronikë.

Ai theksoi se puna e këtij instituti është thelbësore për realizimin e objektivitky vit po përmbyllet me rreth 200 kursantë të përfshirë në të gjitha programet profesionale të akredituara, duke dëshmuar interesimin dhe nevojën reale për arsim profesional cilësor.

Sipas Kurtit, puna e këtij institucioni është thelbësore për realizimin e zotimit të tij qeverisës për të ndërlidhur arsimin profesional me tregun e punës, duke përmbushur kërkesat konkrete të ekonomisë dhe punësimit përmes profesionistëve të fushave.


Nga polarizimi te moderimi! Albin Kurti dhe LVV përballë zgjedhjeve, REL: A është kjo një fytyrë e re apo maskë e përkohshme?

By: M C
20 December 2025 at 20:52

Nga bojkotimi i mediave të Kosovës e sulmet ndaj gazetarëve, në prani më të madhe në to. Nga përdorimi i termave “hajvanë” e “hajvanat”, me premtimin për një gjuhë më të matur dhe bashkëpunuese me partitë e tjera të mëdha shqiptare.

Këto janë vetëm disa ndryshime në qëndrime që u vunë re gjatë paraqitjeve të fundit në media të eksponentëve kryesorë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), përfshirë edhe kreun, Albin Kurtin.

Periudha kur janë bërë këto deklarata në studiot televizive është me rëndësi: kanë mbetur edhe pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Njohësit e zhvillimeve politike, në parim, nuk e shohin ndryshimin si diçka të keqe, por në rastin konkret besojnë se moderimi i diskursit është strategji e LVV-së për ta përmirësuar imazhin dhe është pjesë e kalkulimeve politike.

Roli i “palës së mirë”

Për Donika Eminin, hulumtuese në Grupin Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG), ndryshimi i fjalorit nuk është i rastësishëm.

Sipas saj, intervistat e fundit të Kurtit, Glauk Konjufcës dhe Albulena Haxhiut në mediat lokale të Kosovës, “duken qartazi të orkestruara për të përgatitur terrenin” pas zgjedhjeve.

“Së pari, kjo është një përpjekje për ta vënë opozitën në diskomfort, duke luajtur rolin e ‘palës së mirë’, pas një viti të tërë të përdorimit të gjuhës toksike”.

“Së dyti, ky ndryshim lidhet drejtpërdrejt me nevojën për koalicione. LVV-ja është e vetëdijshme se nuk mund të qeverisë më e vetme si në vitin 2021. Prandaj, një gjuhë më e butë dhe një paraqitje si parti ‘e pjekur’ politike shërben për të hapur rrugën për bashkëpunime paszgjedhore”, vlerëson Emini.

Edhe sociologu Artan Muhaxhiri është në të njëjtën linjë: ndryshimi i qasjes është pjesë e strategjisë.

“Por, nuk besoj që partitë e tjera politike PDK, LDK, AAK, i besojnë këtij ndryshimi të befasishëm dhe shumë të shpejtë të stilit politik të LVV-së, pasi kanë pasur përvoja në të kaluarën se ky ndryshim është i përkohshëm dhe jo i përhershëm”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Muhaxhiri mendon se caku i LVV-së tani janë votuesit e pavendosur dhe ata që kanë dilema nëse do ta votojnë ose jo këtë parti, që në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti mori 42 për qind të votave – shifër e pamjaftueshme për të qeverisur vetë.

Ai vlerëson se partia e Kurtit, që është në pushtet që nga zgjedhjet e vitit 2021, “nuk ka ndonjë argument të fuqishëm nga qeverisja e deritashme”, prandaj, “aseti kryesor i LVV-së në këto zgjedhje do të jetë ky ndryshimi retorik në mënyrë që, disi, edhe kësaj radhe të arrijë rezultat pozitiv, pasi përveç fjalëve, veprat i mungojnë”.

Viti 2025 do të mbahet mend për polarizimet e skajshme mes partive politike shqiptare, qoftë në fushatën për zgjedhjet e shkurtit, më pas për pamundësinë e formimit të institucioneve, apo edhe gjatë garës në dy rundet e zgjedhjeve lokale.

Gjithçka duket se nisi pasi Kurti e kuptoi rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, doli para mbështetësve të tij dhe iu referua partive që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar si “hajvanë” dhe “hajvanat”.

Në një intervistë të dhënë së voni në televizionin lokal të Kosovës, Kanal10, kryeministri në detyrë Kurti, tha nuk e mendoi të gjithë opozitën kur e përdori shprehjen “hajvanë” por vetëm një parti që, sipas tij, bëri premtime “iracionale dhe lajthitëse”.

“Por, ndoshta është dashur të gjej ndonjë fjalë tjetër”, theksoi ai, duke mos treguar se kujt saktësisht i është referuar.

Vetëvendosja – nga lëvizje kundër pushtetit në pushtet kundër të gjithëve
Numri dy në LVV, Glauk Konjufca, tha disa ditë më vonë në televizionin tjetër lokal, T7 se Kurti ka “reflektuar” dhe e ka pranuar se ka bërë gabim në këtë rast.

Sipas Eminit, fyerjet si “hajvanë” i kanë shërbyer LVV-së për t’i dobësuar kundërshtarët politikë dhe “për ta mobilizuar një elektorat të ushqyer me narrativ konfrontues”.

“Edhe pse kohët e fundit ka pasur një pranim të tërthortë se janë bërë gabime në raport me opozitën dhe mediat, kjo nuk e ndryshon faktin që kjo sjellje ka vazhduar praktikisht deri dy javë para zgjedhjeve”.

Për shkak të thellimit të ndasive, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pranoi të bashkëpunonte me partinë e Kurtit për një koalicion të mundshëm qeveritar, pavarësisht dy ftesave të LVV-së.

Edhe partitë tjera shqiptare ishin kategorike kundër negociatave eventuale me Kurtin.

Ani pse Kurti dhe Konjufca e kanë mohuar se gjuha e ashpër ka ndikuar në acarim raportesh, sa herë është përmendur Lista Serbe gjatë vitit, tensionet janë rritur.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e afërt me Beogradin zyrtar, me të cilën LVV-ja nuk pranon assesi bashkëpunim, por me raste pretendonte se partitë tjera shqiptare koordinoheshin me të.

“Nëse më pyesni nëse PDK-ja është me Listën Serbe, jo nuk mendoj se është ashtu. A është LDK-ja me Listën Serbe? Jo, nuk mendoj”, tha Konjufca në intervistën e dhjetorit, duke shtuar se as LVV-ja dhe as këto parti shqiptare nuk mendojnë për njëra-tjetrën se janë me Serbinë.

Përgjatë vitit, akuza pati edhe nga këndi tjetër. Disa parti shqiptare nuk hezituan ta akuzojnë Kurtin se është “njeri i Serbisë dhe Rusisë”, pa ndonjë dëshmi.

Kundërshtarët politikë jo rrallëherë e kanë përshkruar Kurtin si “antiamerikan” dhe e kanë akuzuar për prishje të raporteve me aleaten kryesore të Kosovës, Shtetet e Bashkuara.

Kurti është kritikuar edhe nga vetë SHBA-ja për veprimet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, që janë cilësuar si të pakoordinuara.

Më herët gjatë vitit, raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës pësuan një goditje tjetër me pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik.

Uashingtoni tha e mori këtë vendim duke u thirrur në shqetësime lidhur me veprimet e Qeverisë.

Kurti fillimisht e pati pranuar se me administratën amerikane kishte dallime, por shtoi se “nuk jemi prishur me Amerikën”.

Në intervistën e dhjetorit Kurti deklaroi se raportet me Uashingtonin ishin shumë të mira dhe që mospajtimet kryesore gjithmonë kanë qenë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

“Kurrë nuk kanë qenë, sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë, marrëdhëniet më të mira sesa tani me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kemi kulmin. Si shtet i pavarur e kemi kulmin sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë”, u shpreh ai për Kanal10.

Ky qëndrim i Kurtit, për Muhaxhirin është “në shpërputhje me realitetin”, pasi sipas tij, raportet mes dy shteteve “kurrë nuk kanë qenë më të dëmtuara”.

Sipas tij, aspekti i sigurisë është një nivel tjetër nga ai politik dhe shpesh funksionon në mënyrë autonome.

Hulumtuesja në BiEPAG, Donika Emini, vlerëson se në vitet e fundit, Kurti e ka përdorur antagonizmin ndaj SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për “përfitime elektorale dhe politike”.

“Tani, ndryshimi i narrativit për t’iu referuar Serbisë si shkak për mospajtimet tregon një përpjekje për të butësuar tonin ndaj aleatëve ndërkombëtarë dhe për të krijuar hapësirë për një qasje më konstruktive ndaj administratës së re amerikane”, vlerëson ajo.

Një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara i tha Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor se SHBA-ja synon të punojë ngushtë me ekzekutivin e ri që do të zgjidhet pas 28 dhjetorit, “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

Sa do të zgjasë “ndryshimi” i LVV-së?

Donika Emini është skeptike, sidomos kur bëhet fjalë për qasjen ndaj mediave. Në sytë e saj, ndryshimi është imponuar nga rrethanat dhe nuk ka të bëjë me mënyrën se si LVV-ja e kupton dhe respekton rolin e medias në demokraci.

“Historikisht, LVV-ja dhe Kurti kanë ndërtuar kapital politik mbi polarizimin dhe konfliktin. Prandaj, edhe pse është pozitive që po tentojnë të bëjnë paqe me mediat në këtë fazë, dyshoj fort se ky ndryshim është i qëndrueshëm dhe se do të reflektohet në një raport më të shëndetshëm me median kritike nëse ata qeverisin sërish”.

Pavarësisht zhvillimeve në të ardhmen, dëmi është bërë. Gjuha e përdorur nga LVV-ja në drejtim të mediave është dënuar disa herë nga Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare të mediave.

Liria e shtypit në Kosovë e ka pësuar më 2025 rënien më të madhe në 15 vjet, sipas Indeksit të Reporterëve pa Kufij.

Qeveria e Kosovës për lirinë e shtypit: Ka rënie të standardit të mediave
Për Muhaxhirin, gjithçka varet nga rezultatet zgjedhore.

“Nëse LVV-ja arrin rezultat shumë të mirë në zgjedhje, atëherë me siguri do t’i kthehet gjuhës së ashpër polarizuese. Në të kundërtën, nuk do të ketë shumë mundësi”.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, të drejtë vote do të kenë mbi 2 milionë shtetas të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë proces zgjedhor do të marrin pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë./ REL

The post Nga polarizimi te moderimi! Albin Kurti dhe LVV përballë zgjedhjeve, REL: A është kjo një fytyrë e re apo maskë e përkohshme? appeared first on Albeu.com.

“Të kuptosh vendin, dëgjo edhe nënat”, motra e dëshmorit Afrim Zhitia tregon bisedën e saj me nënën

20 December 2025 at 13:33


Sadete Zhitia, motra e dëshmorit Afrim Zhitia ka treguar bisedën që ka pasur me nënën e saj.

Ajo në një postim në Facebook thotë se që të kuptosh vendin, dëgjo edhe nënat.

Lexoni të plotë postimin e Sadete Zhitisë:

Të kuptosh vendin, dëgjo edhe nënat

Sot në bisedën e zakonshme të mëngjesit me Nanën, në mes të fjalëve të zakonshme, m'tha:

“Zot ma ruaj atë djalë.”

E pyeta: “Cilin djalë, oj nanë?

Ajo: “Albinin, de.”

Pastaj vazhdoi:

“Kurr kush përpara për fmi as që i ka përmendë pret. As për gra lehona, nuk ka menue kush. Edhe penzijat i rriti. Besom, kam menue se kurr matanë Ibrit s’kemi me dalë në at Mitrovicë.”

Kishte trishtim në sytë e saj kur e përmendi Mitrovicën.

Mua m’u kujtua burgu i Mitrovicës, një stufë e madhe ku, në vitet e robërisë, digjeshin vitet e rinisë shqiptare.

Më pas tha:

“Kur po e shoh BASHKIMIN, DJALIN E ASAJ SHPIJE QË NA QITI NË DRITË, NË KRYE TË USHTRISË, zemra mal po m’bahet.”

Pasi u mendua pak, mbylli sytë, fërkoi ballin e tha, me zë të dridhur:

“Ky Albini diqysh e ka një nuri, e ka nj dije … sikur po më hjek mall”.



Konjufca: Veteranët e arsimit në Podujevë nuk lëshojnë pe

20 December 2025 at 11:56


Në një takim të ngrohtë në një nga kafenetë e Podujevës, Glauk Konjufca takoi veteranët e arsimit të kësaj komune.

Mes diskutimesh të hapura, Konjufca ka vlerësuar kontributin e çmuar të tyre ndër vite.

“Vendosmëria e tyre e palëkundur për të mos lëshuar pe, ashtu siç nuk kanë bërë kurrë më parë, u rikonfirmua sërish me mbështetjen e plotë për angazhimin e përbashkët drejt fitores edhe më të madhe të 28 dhjetorit”, është shprehur Glauk Konjufca.






Kurti: Mbështetja e qeverisë për bizneset rritet në mandatin e ardhshëm

19 December 2025 at 22:35


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar nga afër disa nga bizneset vendore.

Duke theksuar se mbështetja institucionale për sektorin privat ka sjellë rezultate konkrete në rritjen e punësimit, qarkullimit dhe pagave, ai tha se e njejta do të rritet edhe në mandatin e ardhshëm.


Kompania Delfin LTD, e cila e ka rritur numrin e të punësuarve për 100%, numëron 264 punëtorë, ndërsa qarkullimi vjetor është rritur nga 26 milionë në 63 milionë euro dhe paga mesatare nga 460 në 737 euro.




Praktikën e ndarjes së pagës së 13-të nga kjo kompani e ka vlerësuar Kurti, duke sjellur në vëmendje se Qeveria synon ta zbatojë këtë model edhe në sektorin publik në mandatin e ardhshëm, që në fillim të vitit.

Tutje, Kryeminstri Albin Kurti ka vizituar edhe kompanitë OTTO House Manufacture dhe OTTO Fabwerke L.L.C., me bashkëpronarë nga Kosova dhe Gjermania, prodhues të shtëpive modulare, ngjyrave dhe fasadave për tregun vendor dhe ndërkombëtar, me vlerë eksporti 1.5 milionë euro në Evropë dhe në ShBA.


Kompania Metal In në Fushë Kosovë, të cilën e vizitoi Kurti, me mbi 30 të punësuar, ka produkte të licencuara dhe të certifikuara sipas standardeve evropiane.

Ai tha se kontributi i prodhimtarisë vendore, është kyç për ekonominë, për çka i garantoi mbështetjen edhe në katërvjeçarin e ardhshëm.

Zotimet e Kurtit për Malishevën: 3.2 milionë për rrugën Malishevë-Kijevë

19 December 2025 at 21:53


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi banorët e Malishevës me të cilët bisedoi për qeverisjen e tij, duke nënvizuar progresin përmes luftimit të krimit e korrupsionit.

Zotimet e Kurtit për Malishevën përfshijnë investimin 3.2 milionë euro për ndërtimin e rrugës Malishevë-Kijevë.

Ndërsa KOSTT ka nënshkruar kontratën për për ndërtimin e nënstacionit energjetik për Malishevën në vlerë prej 6.7 milionë euro.


435 mijë është numri i të punësuarve, i rritur nga 350 mijë sa ka qenë para mandatit të tij, ka thënë Kurti, duke thënë se papunësia ra nga 26% në më pak se 11%.

E të diplomuarit të kenë hapësirën e merituar në tregun e punës.


Duke sjellur në vëmendje slloganin e Lëvizjes Vetëvendosje! "për siguri e begati" , Kryeministri Kurti ka folur për sundimin e ligjit dhe mbylljen e 29 rrugëve ilegale, komunave paralele, përdorimit të dinarit e prodhimit ilegal të kriptovalutave.

Sipas tij, kjo ka bërë që shteti të frymojë ndryshe në këtë katërvjeçar, për të vazhduar të njëjtën frymë edhe pas 28 dhjetorit për më shumë siguri dhe begati për të gjithë qytetarët.

Afatet për shmangien e paralizës potenciale të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit

18 December 2025 at 23:44


Këtë vit, 28 dhjetori përbën të dielën e katërt të zgjedhjeve në Kosovë.

Për shkak të mungesës së konsensusit politik për të krijuar institucione pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova i organizon zgjedhjet e parakohshme këtë fundvit, që sipas planifikimeve buxhetore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kapin shumën e rreth 11.5 milionë eurove.

Duket që KQZ-ja duhet të tregojë efikasitet si asnjëherë më parë, që të mund të arrihen afatet e nevojshme për formimin e një qeverie të re, e që shteti të mos hyjë në një territor të pashkelur më parë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve, KQZ-së i duhen diku një muaj e gjysmë kohë për t’i kryer të gjitha procedurat.

“Besoj që fundi i muajit janar është periudha më ideale kur mund të kemi certifikim të rezultateve zgjedhore, ndonëse rreziku është që një të tillë të mos e kemi deri në mesin e muajit shkurt”.

Pas certifikimit, ligji parasheh një afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Por, këtë herë, Kuvendi duket se afat të fundit për konstituim e ka, në fakt, fundin e shkurtit.

Arsyeja? Pozita e presidentit të shtetit.

“Data 5 mars është afati i fundit kur Kuvendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri, dhe dështimi eventual mund të provokojë zgjedhje të parakohshme, edhe pa arritur fare te zgjedhja e qeverisë, apo te formimi i institucioneve të reja”, thotë Cakolli.

Pra, partitë politike, përveçse se të dakordohen për institucionet e reja, duhet të dialogojnë edhe për çështjen e kreut të shtetit, pozitë të cilën aktualisht e mban Vjosa Osmani.

Ky post është përmendur shpesh si pjesë e kalkulimeve të subjekteve politike në arritjen e koalicioneve eventuale për bashkëqeverisje.

Rreziqet përpara

Një tjetër problem i madh do të ishte mbetja e shtetit pa buxhet. Në pamundësi të miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, Kosova do të funksionojë me 1/12 e buxhetit të vitit aktual gjatë dy muajve të parë të 2026-tës.

Në një situatë të atillë, pa një emër të ri të presidentit dhe pa një qeveri të re e buxhet, as KQZ-ja nuk do të mund t’i organizonte zgjedhjet e parakohshme të radhës, në mungesë fondesh, që s’do të kishte kush t’ia ndante.

Megjithatë, Cakolli beson se, nëse partitë do ta ndanin mendjen për bashkëpunim, ky skenar do të shmangej – në rast të kundërt, rreziqet do të ishin të jashtëzakonshme.

“Nëse do të ketë vullnet politik për të gjetur zgjidhje, qoftë edhe të përkohshme, atëherë mund të arrijmë në momentin kur Kuvendi miraton një buxhet, apo formohet qeveri kujdestare në atë periudhë. Por, nëse do të ketë mungesë të vullnetit politik, vendimmarrje politike në funksion të vazhdimit të bllokadës, atëherë vendi do të shkojë drejt krizës, unë besoj më të rëndën institucionale ose socio-politike që kemi parë ndonjëherë”.

Në këtë drejtim, Cakolli vlerëson se fjalori i partive politike në nisje të fushatës duket më i moderuar, duke përmendur në veçanti Lëvizjen Vetëvendosje.

Kush i monitoron zgjedhjet?

Kur zgjedhjet u caktuan për 28 dhjetor, disa parti e organizata në Kosovë alarmuan se zgjedhjet nuk do të mund të monitorohen nga faktori ndërkombëtar, meqë një pjesë e mirë e botës është në periudhë festash ato ditë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për REL-in se në grupin e parë të vëzhguesve të akredituar më 16 dhjetor ka përfaqësues të mediave vendëse e ndërkombëtare, përfaqësues të ambasadave britanike e japoneze, dhe të organizatave joqeveritare vendëse.

Cakolli pohon të ketë mësuar se misioni i Bashkimit Evropian do të jetë shumë më i kufizuar në numër këtë herë, ndërsa rrjeti i organizatave Demokracia në Veprim pritet të jetë më i madhi – me rreth 600 vëzhgues dhe vullnetarë të angazhuar – për monitorimin e procesit.

“Normalisht, vëzhgimi ndërkombëtar është vlerë e shtuar e procesit, por nuk besoj se është përcaktues në integritetin e vetë procesit zgjedhor”, shprehet ai.

Procesi zgjedhor

Në këto zgjedhje, të drejtë vote do të kenë mbi 2 milionë shtetas të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Sikur edhe më 9 shkurt, diasporës i është ofruar mundësia që të votojë me postë – në periudhën 12-27 dhjetor – apo në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete të ndryshme, më 27 dhjetor.

Në këtë proces zgjedhor do të marrin pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë nga një subjekt politik.

Rastet kur fletëvotimi shpallet i pavlefshëm është kur votuesi voton më shumë se një subjekt politik apo kur voton vetëm për kandidatët për deputetë, dhe jo edhe për subjektin politik.

Deri në atë ditë, premtimet e kandidatëve për t’u ngjitur në pushtet do të jenë të pranishme në çdo platformë të mundshme.

Orët e vona të 28 dhjetorit do të japin më shumë qartësi nëse Kosova do ta shmangë një paralizë të mundshme...

​Debate në KQZ për votimin e të akuzuarve në Hagë, përplasen LVV-PDK

18 December 2025 at 16:58


Votimi i ish-krerëve të UÇK-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ka ngjallur diskutime në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi propozoi një qendër të veçantë votimi për katërshen e UÇK-së dhe të tjerët të cilët po gjykohen në Hagë, raporton KosovaPress.

“Ajo që i mungon këtij dokumenti është edhe një qendër e re që duhet të hapet, që duhet të trajtohet si qendër e veçantë e që është e votimit në formën, modalitet që duhet të parashihet për qytetarët tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë, kur them në Hagë them për Gjykatën në fjalë. Andaj propozimi im është që të futet edhe kjo pikë si pikë e votimit si vendvotim, sepse aty janë gjithashtu personat në fjalë që e dimë se cilët janë. Edhe me sa e di unë keni vë komunikim me autoritetet atje edhe që mos të kemi nevojë që të kthehemi sërish dhe të diskutojmë këtë çështje, ta zgjidhim bashkë me këto qendra, modalitetin e dytë”, u shpreh ai.

Por, një gjë të tillë e ka kundërshtuar anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani.

“Konsideroj që nuk ka nevojë për hapje të votimit, sepse hyjnë në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta. Kështu janë komunikimet zyrtare që kanë qenë, kryetari mund të na i sqarojë më mirë këtë pjesë, që na i kanë dhënë edhe gjatë muajit shkurt, për zgjedhjet e shkurtit”, shtoi Elshani.

Diskutimi mes Krasniqit e Elshanit ka shkuar edhe më tej, ku anëtari i LVV-së tha se nuk është e rregulluar çështja e votimit në Hagë.

“Nuk është e rregulluar, nuk është mirë të gënjesh publikisht. Veç pak se po shpif publikisht, veç pak duro, zotëri! Je qëllimisht duke shpifur! Nuk ka! Absolutisht! Është votim jashtë vendit. Ti nuk je duke i shkuar çështjes deri në fund, por po mundohesh të nxjerrësh dikë që t’ia mundësosh e dikujt që të mos ia mundësosh”, u shpreh ai.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është bërë edhe plotësim ndryshimi i vendimit të KQZ-së, ku procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme është prezantuar raporti lidhur me procesin përgatitor të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka njoftuar se sa është numri i pakove me fletëvotime që janë dorëzuar te votuesit jashtë vendit.

“Lidhur me votimin jashtë vendit ju njoftojmë që KQZ me datën 12.12.2025 ka pranuar fletëvotimet nga operatori ekonomik dhe në po të njëjtën datë ka filluar vendosja e tyre nëpër zarfet tregues. Ky proces ka përfunduar me 13.12.2025. Dhe të gjitha zarfet janë dërguar në hapësirën qendrore të operatorit ekonomik dhe në përcjellje të Policisë së Kosovës. Më datën 14.12.2025, 57 mijë e 829 pako me fletëvotime janë nisur në qendrat e DHL për në aeroportin e Shkupit, ku janë përgatitur pakot me qëllim të nisjes së tyre tutje. Më datën 15.12.2025, këto pako janë dërguar në Gjermani dhe më datën 16.12.2025 ka filluar shpërndarja e tyre. Sipas raportit të DHL të pranuar dje më 17.12.2025, në orën 23:00, rezulton se nga 57 mijë e 829 dërgesa në total, 50 mijë e 611 janë dorëzuar me sukses te votuesit ose 88 për qind të dërgesave të cilat votuesit i kanë pranuar. 90 për qind e dërgesave janë dorëzuar te votuesit në Evropë, ndërsa 51 për qind te votuesit jashtë Evropës”, deklaroi ai.

Po ashtu, në këtë mbledhje u bë e ditur se janë përgatitur të gjitha materialet zgjedhore për të mundësuar votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, më 27 dhjetor 2025.

“Sot ju njoftojmë që ka filluar përgatitja për përgatitjen e materialeve zgjedhore me qëllim të votimit në përfaqësi diplomatike të krijuara si qendra të votimit. Këto materiale do të nisen sot përmes DHL në përfaqësi diplomati, të cilat KQZ i ka krijuar si qendra të votimit”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e KQZ-së, Buzhala ka njoftuar se nga dita e shtunë (20 dhjetor), planifikohet të fillojë trajnimi i këshillave të vendvotimeve.

Anëtari nga Lëvizja Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi ka shprehur kritikat e tij për informimin në proces të votimit përmes postës. Ai ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Këshilli për Informim në kuadër të KQZ-së.

“Shqetësimi im ka të bëj me mungesën e informimit edhe të vonë edhe tërësisht të pamjaftueshëm sa i përket procesit të votimit përmes postës. Institucioni ynë deri më tani kur po flasim i ka vetëm dy njoftime që janë njoftime me shabllone, pa video... Jemi shumë keq radhazi që sa kohë sa i përket sferës së informimit dhe mendoj që ka ardhur koha që duhet të ndërmerren veprime në këtë drejtim. Më brengos shumë, një neglizhencë që është edhe pa një reflektim. Një koleg i imi është tërhequr edhe prej Këshillit për Informim edhe ndoshta edhe në shenjë proteste, jam pothuajse në këtë pjesë i gatshëm të tërhiqem, edhe bile po deklaroj tërheqjen time nga Këshilli për Informim, unë nuk marrë pjesë më në këtë këshill derisa sekretariati dhe ne si institucion të ndërmarrim veprime të cilat sigurojnë që në momentin kur fillon një proces produktet e informimit janë të gatshme”, tha Krasniqi.

Në mbledhjen e sotme është bërë akreditimi edhe i grupit të dytë me 303 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Në mbledhjen e kaluar, KQZ ka akredituar grupin e parë me 283 vëzhgues, ku numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar deri më tani është mbi 580 vëzhgues.

Këta vëzhgues përfaqësojnë organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore/ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

❌
❌