Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Obiliqit, Sevdije Berisha Krasniqi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Inspekcionit, Arif Pllana, kanë realizuar vizita inspektuese në disa shkolla të territorit të kësaj komune.
Gjatë vizitave, drejtuesit komunalë kanë parë nga afër kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor, duke identifikuar nevojat për ndërhyrje me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës shkollore dhe krijimit të një ambienti më të sigurt dhe më të përshtatshëm për nxënësit.
Nga Komuna e Obiliqit është bërë e ditur se këto vizita janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për rritjen e cilësisë së arsimit dhe adresimin e problematikave që ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. /Telegrafi/
Kandidati për deputet nga LVV, Glauk Konjufca ishte në konakun e familjes Grajqevci, nga të cilët u prit ngrohtësisht.
Ai tha se vullneti dhe angazhimi për zhvillim e mirëqenie, do të vazhdojë edhe në qeverisjen e ardhshme të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka sipas tij mbështetja qytetare është e qartë.
Ndërsa në Obiliq, bashkë me kryetarin Halil Thaqi, takoi vullnetarët e angazhuar atje.
Konjufca e cilësoi angazhimin e tyre vullnetar, si shtyllë të fitores së 28 dhjetorit.
Bashkë me ta ai bisedoi për politikat qeverisëse për rininë, si dhe për synimet e së ardhmes.
Konjufca ishte edhe në Bardhosh, ku tha se rruga e nisur tashmë, do të fuqizohet duke mos lëshuar pe e duke mbështetur numrin 116.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur sot tubimin e parë në qytetin e Obiliqit.
Nga këtu, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku u premtoi atyre 5 miliardë euro investime në infrastrukturë, energji, ujë, hekurudha, sport e po ashtu edhe në kulturë, si dhe central të ri me gaz për pavarësi energjetike.
“5 miliardë euro investime në infrastrukturë, energji, ujë, hekurudha, sport dhe kulturë. Centrali i ri me gaz për pavarësi energjetike. Rrugë që lidhin rajonet. Projekte që hapin vende pune”, tha Abdixhiku gjatë tubimit.
Abdixhiku theksoi se LDK beson që zhvillimi ekonomik nuk mund të vijë duke sakrifikuar shëndetin e njerëzve dhe se energjia nuk mund të prodhohet pa standarde mjedisore.
“Nuk mund të ekzistojë pa përgjegjësi sociale. Dhe se Obiliqi nuk mund të mbetet zonë flijimi për rehati politike. Prandaj programi ynë parasheh investime serioze në energji të pastër, në modernizim të kapaciteteve ekzistuese dhe në mbrojtje reale të mjedisit”, deklaroi Abdixhiku.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se sot do të zhvillojë takime publike në Obiliq, Fushë Kosovë dhe Prishtinë Dega 2.
“Kryetari i LDK-së dhe kandidati ynë për kryeministër, Lumir Abdixhiku, vjen për t’ju folur drejtpërdrejt për vizionin e tij për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe plot shpresë”, shkruan LDK.
"Në kuadër të këtyre takimeve, partia do të prezantojë programin qeverisës dhe kandidatët nga këto degë, të cilët sipas njoftimit janë “të njohur, të përkushtuar dhe të gatshëm të punojnë për qytetarët me ndershmëri dhe përgjegjësi”.
Partia fton qytetarët, familjarët, miqtë dhe aktivistët që të marrin pjesë në këto takime për të dëgjuar vizionin e LDK-së dhe për të dhënë mbështetjen e tyre për të ardhmen e Kosovës.
“Zgjidh shpresën! Le të jemi bashkë për Kosovën, për ndryshimin që e presim!”, përfundon postimi.
Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Komunën e Obiliqit, Valon Svirca, ka inspektuar sonte nga afër punimet e pastrimit të rrugëve në disa zona të qytetit.
Vizita u realizua në rrugën “Hasan Prishtina”, në afërsi të TC Kosova A, si dhe në rrugën “Çlirimi” në Mazgit, ku është e angazhuar kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike.
Gjatë inspektimit, drejtori Svirca u informua për dinamikën e punës dhe angazhimin e punëtorëve në terren, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të punës me intensitet të shtuar për të garantuar një mjedis më të pastër dhe më të sigurt për qytetarët.
Ai falënderoi kompaninë dhe punëtorët për përkushtimin e treguar, duke theksuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave do të vazhdojë monitorimin e rregullt të punimeve në terren. /Telegrafi/
KRU Prishtina ka njoftuar se për shkak të dëmtimit të një gypi të ujit me diametër Ø200, i shkaktuar gjatë punimeve nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm në disa zona të Komunës së Obiliqit.
Sipas njoftimit, pa furnizim me ujë kanë mbetur lagjja te Hekurudha në Obiliq, si dhe fshatrat Plemetin dhe Hamidi.
Nga KRU Prishtina bëhet e ditur se ndërprerja do të zgjasë deri në sanimin e plotë të dëmit, ndërsa ekipet përkatëse janë duke punuar për rregullimin e prishjes dhe rikthimin e furnizimit sa më parë.
Ndërmarrja u ka bërë thirrje konsumatorëve për mirëkuptim deri në normalizimin e situatës. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, së bashku me nënkryetarin Berat Gashi dhe drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Naim Shalaku, kanë inspektuar nga afër punimet e realizuara në rrugën “Hasan Prishtina”.
Gjatë inspektimit, kryetari Thaçi ka adresuar vërejtje ndaj operatorit ekonomik përgjegjës për zbatimin e projektit, veçanërisht lidhur me cilësinë e punimeve në rrugë dhe në shtigjet e biçikletave.
Ai ka kërkuar përmirësimin e menjëhershëm të punimeve dhe respektimin e plotë të standardeve teknike të parapara me kontratë.
Thaçi theksoi se Komuna e Obiliqit do të vazhdojë mbikëqyrjen e rregullt të projekteve infrastrukturore, me qëllim që investimet publike të realizohen në mënyrë cilësore dhe në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Komuna mbetet e përkushtuar që projektet infrastrukturore të zbatohen në përputhje me standardet profesionale dhe nevojat e komunitetit. /Telegrafi/
Ndërmarrja Publike Lokale “Kastrioti” ka njoftuar se pastrimi i mbeturinave nga shportat e vogla publike po realizohet rregullisht nga punëtorët e operativës.
Megjithatë, nga kjo ndërmarrje u është bërë apel qytetarëve që këto shporta të përdoren vetëm për hedhjen e mbeturinave të vogla dhe të shmanget deponimi i mbeturinave të mëdha apo sasisë së tepërt të mbetjeve.
Sipas NPL “Kastrioti”, respektimi i këtij rregulli ndihmon në ruajtjen e pastërtisë së hapësirave publike dhe në funksionimin efikas të shërbimeve të pastrimit.
Nga ndërmarrja bëjnë thirrje për bashkëpunim të qytetarëve, duke theksuar se kontributi i përbashkët është kyç për krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka arrestuar një person për armëmbajtje pa leje dhe prezantim të rremë.
Rasti ka ndodhur në Mazgit të Obiliqit, të premten në ora 18:20.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën me targa vendore ishte ndaluar nga njësiti policor dhe gjatë kontrollit i kanë gjet dhe konfiskuar një pistoletë me tetë copë fishekë. I dyshuari ishte prezantuar si person zyrtar- pjesëtarë i FSK-së, por është verifikuar dhe ka rezultuar se i njëjti nuk është pjesëtarë i FSK-së”, thuhet në raport.
I njëjti pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët se nga sot, 12 dhjetor, deri më 26 dhjetor 2025, do të zhvillohen punimet në rrugën “Idriz Sallova”.
Për shkak të këtyre punimeve, rruga do të jetë e mbyllur për qarkullim gjatë orarit të punës.
Në segmentet e tjera të rrugës do të vendosen ura metalike për qarkullimin e automjeteve me kapacitet deri në 20 ton, si dhe ura të dedikuara për këmbësorët, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes gjatë fazës së intervenimeve.
Komuna u bën thirrje qytetarëve që gjatë kësaj periudhe të shfrytëzojnë rrugët alternative dhe t’i respektojnë udhëzimet në terren.
Zyra për Informim falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/
Atmosfera festive ka filluar të marrë formë në Obiliq, ku ekipet e operativës së komunës kanë nisur dekorimin e hapësirave publike për festat e fundvitit.
Punëtorët po punojnë me përkushtim për vendosjen e bredhit dhe elementeve të tjera dekorative që pritet t’i japin qytetit një pamje të ngrohtë dhe të gjallë gjatë muajit dhjetor.
Sipas komunës, punimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, derisa të gjitha rrugët, sheshet dhe hapësirat kryesore të marrin ndriçimin dhe atmosferën e festave.
Qëllimi është që qyteti të reflektojë dritë, harmoni dhe frymë bashkimi për të gjithë banorët gjatë sezonit të festave.
Dekorimi i qytetit pritet të përfundojë brenda afateve të planifikuara, në mënyrë që vizitorët dhe qytetarët e Obiliqit ta shijojnë sa më herët atmosferën e fundvitit. /Telegrafi/
Pastrimi i mbeturinave në qytetin e Obiliqit vazhdon çdo ditë nga punëtorët e NPL "Kastrioti", të cilët përkujdesen për ruajtjen e pastërtisë dhe rregullsisë së rrugëve, shesheve dhe lagjeve të ndryshme.
Pavarësisht kushteve atmosferike dhe sfidave të punës, punëtorët e operativës kryejnë detyrat e tyre me përkushtim dhe përgjegjësi, duke kontribuar në mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve.
Ky angazhim i përditshëm tregon përkushtimin e NPL "Kastrioti" për një ambient të pastër dhe të rregullt për të gjithë banorët e Obiliqit. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person derisa ka qenë duke punuar afër mikserit të betonit, dyshohet se ka pasur kontakt me rrymën, ku si pasojë ka vdekur.
Rasti ka ndodhur në Obiliq, të mërkurën në ora 13:30.
“Raportohet se viktima mashkull kosovar, derisa ka qenë duke punuar afër mikserit të betonit, dyshohet se ka pasur kontakt me rrymën”, thuhet në raport.
Si pasojë i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK, mirëpo nga stafi shëndetësor është konstatuar se i njëjti është pa shenja jete.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë u është liruar familjarëve. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka njoftuar sot qytetarët për rrezikun potencial nga vërshimet që kanë prekur disa zona të vendit, duke apeluar për kujdes të shtuar dhe respektim të udhëzimeve të institucioneve përgjegjëse.
Thaçi theksoi se edhe pse Obiliqi deri tani nuk është goditur rëndë nga vërshimet, situata kërkon vigjilencë dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët.
Ai u bëri thirrje banorëve të shmangin lëvizjet në zonat ku janë grumbulluar ujëra, të kujdesen veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe familjet më të rrezikuara, si dhe të raportojnë çdo situatë të dyshimtë te shërbimet komunale.
“Solidariteti dhe kujdesi i ndërsjellë janë forca jonë më e madhe. Përgjegjësia ime ndaj jush është e përhershme”, theksoi kryetari Thaçi në njoftimin e tij publik.
Ai i ftoi qytetarët të qëndrojnë të informuar përmes komunikimeve zyrtare dhe të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencave, të cilat mbeten në gatishmëri për çdo rast. /Telegrafi/
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar dy raste të personave të zhdukur. Policia ka bërë të ditur se rasti i parë ka ndodhur në komunën e Kamenicës.
Një mashkull kosovar ka bërë kallëzim se dy femra kosovare janë larguar nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tyre. Rasti është duke u hetuar në procedurë hetimore.
Në një rast tjetër në Obiliq një femër kosovare ka raportuar se një mashkull kosovar është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar dhe hetimet kanë filluar. /Telegrafi/
Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Obiliq nuk e ka pranuar dorëheqjen e Xhafer Gashit nga pozita e kryetarit, pas njoftimit publik të tij për tërheqje nga detyra.
Gashi, përmes një postimi në rrjetet sociale, falënderoi anëtarët e Kryesisë për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se do të vazhdojë të punojë për misionin e përbashkët të partisë, me fokus në unitet, dinjitet dhe përkushtim.
Ai tha se rregullimi i çështjeve të brendshme dhe mbajtja e bashkëpunimit brenda partisë mbeten prioritet, ndërsa theksoi se angazhimi i tij për LDK-në dhe qytetarët e Obiliqit do të vazhdojë.
Postimi i tij i plotë përfshin falënderime për secilin anëtar të Kryesisë dhe siguri për vazhdimin e punës së përbashkët brenda strukturave të partisë.
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Obiliq, Xhafer Gashi, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake pas rezultatit të balotazhit në këtë komunë.
Në një reagim publik, Gashi ka thënë se pavarësisht përpjekjeve të bëra gjatë fushatës, rezultati përfundimtar nuk ishte ai që pritej.
“Rezultati është i qartë, ata janë përpara. Urojmë që t’i grahin me sukses punës. Për 12 vite kemi bërë shumë punë bashkë,” ka thënë ai.
Ai ka falënderuar gjithë bashkëpunëtorët dhe simpatizantët e LDK-së për angazhimin, duke theksuar se ndjen përgjegjësi për rezultatin.
“Falënderoj secilin prej jush. Meqenëse jemi munduar të organizohemi por ndoshta nuk ia kemi dalë, atëherë unë si kryetar i degës së LDK-së në Obiliq marr përgjegjësinë për humbjen dhe jap dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm, nga kryesia dhe nga posti i kryetarit të degës", tha Gashi.
Në fund, Gashi theksoi se pavarësisht rezultatit zgjedhor, LDK-ja mbetet e fuqishme.
“LDK nuk ka qenë kurrë më e fortë se sot,” ka përfunduar ai./Telegrafi/
Ka përfunduar numërimi i votave për zgjedhjet lokale në komunën e Obiliqit.
Të gjitha 33 vendvotimet janë përpunuar, me gjithsej 12,608 vota nga 26,210 të vlefshme, ose 48,10% e totalit.
Në garën për kryetar të komunës, kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Halil Thaçi, ka fituar me 6,441 vota ose 51,09%, ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës – LDK, Xhafer Gashi, ka marrë 6,167 vota ose 48,91%, duke e bërë garën shumë të ngushtë.
Ky rezultat e vendos Thaçin në krye të komunës për mandatin e ardhshëm.
Numërimi drejt fundit, Halil Thaçi i VV-së në avantazh ndaj Xhafer Gashit të LDK-së
E plotësuar: Sipas të dhënave të përpunuara deri më tani, në Mitrovicë janë numëruar 11,994 vota nga gjithsej 26,210 të vlefshme, që përbën 45,76% të totalit. J
anë përpunuar 31 nga 33 vendvotime, ose 93,94% e totalit.
Në garën për kryetar të Mitrovicës, kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Halil Thaçi, prin me 6,116 vota ose 50,99% të votave të numëruara.
Ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës – LDK, Xhafer Gashi, ka marrë 5,878 vota, ose 49,01%, duke e bërë garën shumë të ngushtë.
Në komunën e Obiliqit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Halil Thaçi, është në epërsi të ngushtë ndaj kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Gashi, sipas rezultateve të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Deri në orën 20:24, janë përpunuar 10,574 vota, që përbëjnë 40.34 për qind të totalit prej 26,210 votash në këtë komunë.
Nga këto, Halil Thaçi ka marrë 5,382 vota, që përbëjnë 50.90 për qind të votave të numëruara.
Ndërkaq, Xhafer Gashi i LDK-së ndodhet shumë afër, me pjesën tjetër të votave të numëruara deri më tani, duke e bërë garën në Obiliq një nga më të ngushtat e këtij raundi zgjedhor.
Deri më tani janë procesuar 28 nga gjithsej 33 vendvotime, që përbën 84.85 për qind të tyre.
KQZ-ja pritet të publikojë në orët në vijim rezultatet e reja, të cilat do të përcaktojnë më qartë fituesin e garës për kryetar të Obiliqit.